Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Kolec Çefa: Statutet... Shpirti europian i Drishtit mesjetar

Shko poshtë

Kolec Çefa: Statutet... Shpirti europian i Drishtit mesjetar Empty Kolec Çefa: Statutet... Shpirti europian i Drishtit mesjetar

Mesazh nga Agim Gashi Sun Oct 25, 2009 3:13 am

Statutet... Shpirti europian i Drishtit mesjetar

Nga Kolec Çefa

Një liber i çmueshem është një sihariq intelektual dhe e ka kohën e botimit kurdo, por në këtë vepër ku ndiehet i gjallë e joshes shpirti europian i Drishtit të zhvilluar si qytet mesjetar, i formimit të tij intelektual dhe i qytetërimit perëndimor, lexuesi mund të thithë atë frymëmarje të ngrohtë europiane, edhe më shumë sot që po perpiqemi, jo pa pengesa, të na mbajë gjallë. Kjo vepër me statutet e urdhëresat e Pal Engjëllit është pjesë e historisë sonë mesjetare me rrënjë iliro-shqiptare. Kjo vepër e historisë kishtare tregon qartë lidhjen me kulturën e Perëndimit. Çabej shkroi: “Dalmacia e Shqipëria, pastaj Ishujt Jonikë janë vendet që kanë qenë të çelura direkt e më tepër ndaj influencës kulturore të Perëndimit”. Taloci: “Françeskanët qenë e vetmja rezervë e Perëndimit që qëndroi në Shqipëri edhe atëherë kur interesa e Europës për këto vise mêni krejt”.
Në arealin gjeografik verior, aso kohe mesjetare, lulëzonin qytete, si: Shkodra, Lezha, Drishti, Shurdhahu, Danja, Pulti, Shasi, Ulqini, Tivari e ndonjë tjetër, të krahasueshme, (madje pa i lënë gjë mangut) me qytetet italiane. Pas pushtimit osman, shumë nga këto qytete u rrenuan, u varfëruan, disa prej tyre u shndërruan në fshatra dhe nuk e kanë marrë ende veten, si: Drishti, Pulti, Shurdhahu, Shasi etj.
Vepra për statutet e urdhëresat ndriçon jetën shoqërore të Drishtit mesjetar me të dhëna me interesë e të vërteta, herë drejtperdrejt, herë anësore; herë haptazi, herë nënkuptuarazi, por gjithmonë të nevojshme e të dobishme, se pasurojnë dijet tona me njohuri statutore, dokesore etj. për kohen e vendin e fisnikërojnë ndjenjat tona me vlerat e tyre të çmueshme.
Kjo vepër na dëshmon, se në ato kohëra, ne ishim në Europë jo vetem si pozicion gjeografik, por edhe si formim kulturor e shpirtëror, me tradita të vjetra e fisnike, me zakone të mira e statute qytetëruese, me virtyte etnike dhe të pasura, madje, edhe me frymë demokratike.
Zotërimi i disa gjuhëve të huaja çiftit autor Dr. Musa Ahmeti e Dr. Etleva Lala i çili shtegun për të vëzhguar panoramën e literaturës së gjerë, per të njohur bibliografi të pasur e shkencore, per të studiuar dorëshkrime, dokumente, relacione letra, statute, kontrata, shkresa etj. (shumë prej tyre të fotokopjuara janë në arkivin familjar), duke na u paraqitur, kështu, si hulumtues i zellshëm, i thelluar e i suksesshem i arkivave mbrenda vendit dhe i arkivave të shumë shteteve tjera.
Duke kërkuar me këmbëngulje burimet historike për periudhën, autorët na dalin të thelluar në dokumente, dorëshkrime etj. Prandaj na pasurojnë qartë e ndjeshëm këto të dhëna të çmueshme që tejkalojnë të dhënat e derisotme, për fisin e Engjellorëve, fis vërtetë i madh që i dhuroi kombit tre breza luftarësh kundër pushtuesit. Për këtë fis kanë shkruar shumë autorë: Permendim Marin Barletin, Shuflain, Jireçekun, Nolin, Atanas Gegajn, Valentinin, P.Zef Pëllumbin, A. Harshovën, Zamputin, por më të saktit e më të besueshmit na dalin Dr. Musa Ahmeti e Dr. Etleva Lala që zbuluan enigmën e dy Palajve: Dushmanit e Engjellit. Autorët njoftojnë (f.83): “Me një vështrim të kujdesshëm mund të pohojmë se bëhet fjalë vetëm për një person dhe konkretisht për Pal Engjellin, mbështetur te A. Merkati, Dokumenti vaticani… Dhe, patjetër, autorët duke analizuar materialet e grumbulluara, “Do të zgjidhin do enigma, qoftë për origjinën e familjes së Engjellorëve, qoftë për pjesëtarët e kësaj familjeje”. (f.86).
E tërë literatura për te e lavdëron me superlativa Pal Engjellin. Prandaj nuk mund të jemi dakord me A. Harshovën për disa fjalë të shkruara në librin e tij me vlerë “Bashkëluftëtarët e Skënderbeut”. Fjalët, kur nuk mbështetën në fakte e dokumenta, mbesin fjalë e këthehen në llafe e thashetheme që dëmtojnë më shumë autorin e përlyejnë perkohësisht, personazhin. Po citojmë vlerësimin e Shuflait: “ Kryeipeshkvi i Durrësit, Pal Engjelli, ishte prelat i nivelit europian”. Jireçek e quan Pal Engjellin: “ I mrekullueshmi Angjeli, kont e dukë nga Drishti”. Ndersa Barleti shkruan: “Shok dhe bashkëpunëtor i Skënderbeut, në të gjitha zhvillimet, ngjarjet, punët dhe qellimet”. Pa u zgjatur me Valentinin e Kordinjanon. (Shih: “Saggio di un Regesto storico dell’Albania) etj.
Shkurt, ai është autoritet fetar e qytetar e me këtë vepër, personalitet i mendimit juridik.
Një gjenealogji e shkurtër e vitit 1515, hartuar jo për qellime ditunore, por për çështje pronësie, nuk justifikon mbiemrin familjar, prandaj studiuesi specialist Injac Zamputi detyrohet të na sugjerojë një Engjell imagjinar për të spjeguar llagapin sipas linjes së gjakut. Ky Engjell imagjinar nuk del në gjenealogjinë e përfaqësuesit më të denjë e më të ditur të fisit, Pal Engjellit, hartuar më 1468.
Por gjenealogjia që na paraqitet në faqen 191 na shfaq fisin Engjelli me gjak perandorak, pra jo nga ndonjë linjë martesore, që do me thanë se titulli fisnik u kthye në llagap (gjë që ka ndodhë ndër raste të tjera) e llagapi i vertetë u harrua. Kështu, mund të ndertojmë: Pal Dush(man) Engjelli: Pal Engjelli.
Ka të ngjarë që kjo familje (a fis) të ketë zbritur nga Dushmani i aferm dhe mund të ketë ruajtur mbiemrin familjar, per do kohë.
Ipen ka shprehur këtë mendim: “Një dokument i gjetur në arkivin e Vatikanit, sipas gjasave apokrif, bëhet shkas për të hedhur një hipotezë të paqëndrueshme, se Drivastum është themeluar nga familja byzantine Angjelos, nga e cila vijnë perandorët e viteve 1185-1204 dhe se kjo familje, si e përzunë latinët, qe terhequr në Drivastum dhe kishte sunduar atje. Dokumenti pretendohet të jetë një diplomë emërimi e lëshuar nga perandori Mihaili VIII Paleologu (1261-1282) për dukët e Drivastos Mihal Angelos dhe per të birin Andrea Angelos. Sipas gjithë gjasave duket se këto marrëdhënie të familjes Angelos me Drivastum nuk kanë ekzistuar kurrë”. (Ipen, Shqipëria e vjeter, f.184).
Familja Engjelli gëzonte një potencial ekonomik e njerëzor fituar me merita vetjake. Pjetri e Andrea qenë luftarë të patrembur në radhët e Skënderbeut; Pali qe këshilltari më i afti e besniku më i zellshmi i Skënderbeut. Kjo familje kishte lidhje me Kastriotët. E, me sa di unë, edhe me Kamsejt, që posedojnë materialin perkatës.
Por le t’ia lëmë autorëve të librit të na zbulojnë në vëllimin e dytë.
Pak fjalë per stemen e fisit Engjelli:
Krahas fiseve tjera fisnike shqiptare edhe Engjellorët kishin stemen e tyre, që na e paraqesin autorët në veprën e botuar. Stema nuk është as e qytetit, as e Pal Engjellit që, sigurisht, si klerik i lartë ka pasë edhe stemen personale, por është e fisit. Pra, nuk duhet ngatërruar stema e Pal Engjellit si klerik, stemë me elemente fetare, me stemen e familjes a të fisit. Studiuesi i vemendshem i Heraldikës shqiptare, Gjin Varfi shkruan: “Stema … e Pal Engjëllit është radhitur në kapitullin e stemave të familjeve të shquara shqiptare, pasi simbolet e shqytit janë ato të familjes së tij”. Pra, stema që botohet te vepra në fjalë, është stema e familjes, ndersa ajo që boton Gjin Varfi është e Pal Engjellit kryeipeshkëv. Pjesa qëndrore e stemës është një figurë simbolike, në formë si mburojë frënge, trapezoide, me vizën-brinjë bazë të thyer me një rrudhë. Brenda saj është vizatuar një luan, në qëndrim ecjeje, me këmbën e djathtë lart. Luani ka fytyrë krenare, gojën pak të hapur, të tendosur, por jo agresive, kreshta e bukur nga pjesa e prapme e kokës bie deri në shpatulla. Trupi i shëndetshëm e i shkathtë përfundon në një bisht të gjatë. Luani është i stolisur me dy ornamente lart e një poshtë. (ornamentet gjenden edhe nder stema tjera). Figura qëndrore rrethohet nga një kordon i rrumbullakët, ndoshta i ngjyrosur. Anash janë të vizatuar dy krijesa mitologjike kafshësh fantastike, dy kuaj lufte me krahë, kuaj fluturues, që të kujtojnë kuajt e epikës sonë popullore, por me perdorim të ndryshem. Janë me gojë të hapur e me dhëmbë të dalur jashtë. Këmbët e parme, të hapura, mbështetën në kordonin rrethues të shqytit, këmbët e prapme, të hapura edhe këto, mbështetën në divizën e stemës. Trupi i kuajve është i zgjatur, i shkathtë. Poshtë qafës gjindet rrypi rrethues nga lidhet një zinxhir, që përfundon në strishjen ku është shkruar në gjuhën frënge, me shkronja të mëdha, diviza (moton) e stemës: La virtue est la seule noblesse, që d.m.th.: Virtyti është e vetmja fisnikëri. Poshtë figurës qëndrore varet një kokardë, e vogël, e rrumbullakët, e stolisur rretheqark, në krye një si kapelë (kurorë) princore. Brenda rrumbullakut është shkruar latinisht një urim: Auspicium melioris (urim a shpresë për më mirë). Ndersa sipër figurës qëndrore është kapela-kurorë e stolisur. Dhe përsëri sipër saj, e pambështetur, është një figurë tjetër, kali fluturues, vizatim jo i plotë.
Dy divizat, kishe me thanë, janë ndikime të Pal Engjëllit klerik, ose përfaqësojnë virtyte fetare, por edhe qytetare.
Duke lexuar Statutet e Urdhëresat e Drishtit befasohemi tek shohim traditën e pasur e të vjetër të dokeve e zakoneve kanunore të të parëve tanë të përcjellur gojë më gojë, të ruajtura nga forca e traditës e nga kushtet e jetës. Herë pas here permendën në vepër “zakonet e vjetra ekzistuese”, “Të parët tanë na kanë lanë disa kushtetuta, por që rezultojnë ose të paqarta, ose të pamjaftueshme; kanë ekzistuar edhe statute e urdhëresa tjera, por që nuk njihen, pra: ose janë zhdukur, ose ruhen ende si të panjohura nder arkiva. Edhe Jireçeku në “Shkodra e krahina e saj në mesjetë” na shkruan per “ligje lokale”, të cilat edhe Republika e Venedikut i vërtetoi këto “antiqua Statutua”. Këto zakone të vjetra njihen, respektohen, ruhen, mblidhen për t’u hjedhë ndër themelet e statuteve të reja, sepse per jetën kishtare e shoqërore duhet rregull e dësiplinë, prandaj shpallen statute e urdhëresa, të cilat pohon vepra, duhen të jenë të arsyeshme, të drejta, të ndershme. “U ngarkuam disa prej njerëzve tanë të mblidhnin me shkrim, sipas udhëzimit që u dhamë urdhëresat e statutet që i konsideruam si të domosdoshme”.
Pra, Pal Engjelli dhe kanonikët e tij na dalin si gjurmues, mbledhës e studiues të dokeve, të zakoneve, e normave juridike të popullit tonë, paraardhës të Gjeçovit e që kjo veprimtari duhet të studiohet e të shkruhet në historikun e jurisprudencës shqiptare. Të bën per vete fakti që ligjet e reja hartohen duke u mbështetë në traditen kanunore të popullit tonë. Sot ne i perkthejmë ato dhe krijojmë ligje të reja (edhe ligjin per geit).
Edhe në ato kohë të mjegullta, popullit tonë i predikohej nderimi ndaj ligjit: “Nuk ka asgjë më të lartë për të vdekshmit në këtë epokë sesa ligji i mbretit” (faqe 142)
Në vepër ndiehet edhe fryma demokratike. Në zgjedhje të respektohen të gjitha të drejtat. “Nuk vlente zgjedhja, nëse është bërë nën presion, apo me ndërhyrjen e ndonjë personi të caktuar, qoftë ai edhe ndonjëri nga drejtuesit e qytetit” (f.71). (Sot zgjedhjet e, sidomos numërimi, janë sofistikuar aq shumë, sa nuk e kupton nga të vjen hilja). Në vepër caktohen edhe kriteret e zgjedhjes, edhe cilësitë e të zgjedhurit. Kanoniku të mos jetë konkubinas, kumarxhi, pijanec, skandaloz, vjedhacak,… dhe të njohë gramatikën ose të paktën të jetë lexues. Statutet etj. permbajnë edhe ndeshkimet. Çdo faj ka një ndeshkim, por asnjë ndeshkim me zbatim brutal e të egër të ligjit (si nën diktaturën tonë, që e hodhën priftin e pafaj në gropën e zezë e e mbytën duke e shtyrë me terfurk, pa kurrfarë gjyqi). Në Statutet… ka gjithfarë dënimesh, nga më të ndryshmet, por dënime me vdekje jo!
Kjo traditë tregon intelektin e aftë, vullnetin e mirë dhe virtytin e lartë të popullit tonë.
Unë mendoj: këto gjurmë kushtetuese të vjetra, këto ligje të pashkruara popullore, që kanë ardhë deri tek ne, të transmetuara gojë më gojë e ruajtë si traditë, flasin per gjurmë autoktonie!
Vepra në fjalë ka të dhëna edhe për arsimin tonë, madje, si e kemi theksuar gjetkë, të dhëna që nuk janë studiuar sa duhet nga specialistët e arsimit tonë.
Ishte e nevojshme dhe e dobishme të paraqitej studimi i Shuflait e i Novak-ut, studiues seriozë e të thelluar, medievistë të njohur e objektivë, të cilët në studimet per statutet tona mesjetare, shprehen: “Në shekullin XV (1442) permendet në Drisht… et tres scole maiores videlicet S. Crucis, S.Gjergji, S.Marie sint exempt ab onere decimarun prout fuerunt” f.55 (Tri shkolla maiores kushtue Sh’Kryqit, Sh’Gjergjit, Sh’Marisë të perjashtuar nga pagesat…). Shoqatat fetare dhe organizimet fetare quheshin edhe shkolla, por nuk perjashtohet qe këto shoqata të mbanin edhe shkolla.
Edhe kur flitet per virtytet, cilësitë, meritat që duhet të ketë i perzgjedhuri kanonik, thuhet: “edhe të njohë gramatikën” (1367 docere Donatum et Catonem ut sciat interpretari”, “docere scientiam gramatike”.
Pra, në shekullin XIV e XV dokumentohet se kemi shkolla në Drisht, Pult, Stanjo.
Nëse shkolla e Stanjos, 1388 me mësues Teodorin, djalin e Nikollës prej Drishtit duhet thënë se ishte shkollë “ortografica”, ku mësohej lexim e shkrim, duhet quajtur shkollë fillore, per shkollen e Pultit 1367 ndoshta edhe të Drishtit 1442, ku mësohej gramatika e perkthimi i autorëve Donati e Katoni, duhet quajtur shkolla të mesme. Duhet kontrolluar nëse bëhet fjalë për shoqatë zejtare, edhe per shkollë. Sidoqoftë, gjithato njerëz të ditur në Drisht, na bëjnë të mendojnë se shkollën fillore, të paktën, e kanë bërë në vendlindje.
Tregues zhvillimi arsimor e kulturor, padyshim, janë edhe kuadrot drishtianë që aktivizoheshin edhe nga Papa me detyra të rëndësishme nëpër Itali, (f.336), në Verona, Trevizo, Padova…janë edhe klerikët e lartë që luanin rol shumë të rëndësishëm në oborrin serb në bisedimet diplomatike (f.56), pastaj mes papëve e anzhuinëve, presbitër vendas ishin edhe tre noterët e njohur në periudhen kohore 1353-1443 (f.62). Kështu, kemi drishtianë që sherbejnë, si: kancelarë, noterë, mësues, prokuratorë, skriptorë, etj.
Indikacion i rëndësishem është edhe porosia e vazhdueshme e Imzot Pal Engjellit lidhur me regjistrimet: “të merret në shenim çdo gjë që bëhet në kapitull, zgjedhje, emërim, pezullim, çkishërim” etj. Kështu u krijua një arkiv i tipit perëndimor, të cilin e dogjën turqit dhe diktatura komuniste. P.sh. Të gjithë regjistrat e Pultit, si shkrime klerikale, u dogjën nga njerëzit e diktaturës.
Pastaj edhe skriptoret pranë monastireve, që kopjonin dorëshkrime, shkresa, letra etj. lypë studim.
Duke ballafaquar këto të dhëna me veprën “Historia e arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar, Tiranë, 2003 pohojmë, se kjo vepër, herë-herë, nuk jep information as të plotë, as të saktë, madje të indoktrinuar.
Edhe ndonjë vërejtje:
“Në shekullin XV familja fisnike më me ndikim në Drisht ishte ajo e Spanëve… Span është fjalë ofenduese te grekët mesjetarë dhe do të thotë “pa mjekër”, “qeros”. (F.47). Perkthyesi i ka ndejë besnik autorit, por unë mendoj se është dhënë gabim. Spjegimi i parë është i paplotë, i dyti i gabuar. Shkurt, duhet perkthyer me fjalën turke qose, që do të thotë “që nuk i dalin qimet e mjekrës”. Dhe kjo lidhet nga populli me një difekt fiziologjik, për të cilin populli ynë shpreh perbuzje. Nëse duam të ruajmë moshën e emrit, atëherë duhet të shkrujmë Shpanët, si i thotë populli.
Familja Bariloch 1382: Mbiemër shqiptar mban edhe familja Bariloch, “presbytero Allexio de Drivasto dicto Bariloch, shqip bari dhe lak “kurtha” (f.46, 47). Mendoj se këtu kemi të bëjmë me emrin shqip Bardhok, nga Bardh (< i bardhë)+ok=Bardhok, sikur Palok, malok, pra, me kalimin e zakonshëm dh:ll.
Në faqën 51 Jepet emri Bukosh: (pro indiviso cum Buxa Turco). Mendoj se do të ishte më mirë të jepet me emrin Bush. Krahaso Bush Humoi në mesjetë e Gjin Bushi sot. Afrojmë emrin Llesh, Allexius, për të cilin Prof. Dr. Kolec Topalli shkruan: “Llesh mund të lidhet sa me greqishtën byzantine, aq edhe me latinishtën” (Fonetika historike e gj.shq. T.2007, f.71).
Jepen toponimet Corte, (terren clamato Corte) dhe Bistriolu, (merr nga qeveria venedikase fshatin Bistriolu). Këto dy toponime duhej të jepeshin si janë në toponiminë e gjallë: Kurte dhe Bishti i Rrjollit, Bishtrriolli. Po kështu edhe Plishta jo Plista.
Emri Zaharia mendoj se duhet dhënë Zakaria, mbasi është banor i Veriut dhe kështu perdoret në Veri. Shkurtimisht i thojnë Zaka.
Duke lexuar emrat në materialin në studim, vërejmë perdorimin perëndimor të tyre, perdoren prej dy pjesësh, si: Pal Engjëlli, Dhimiter Frangu (është gabim si shkruhet sot Frëngu), etj., jo si më vonë tri pjesësh Dedë Gjo Luli etj.
Parashtrimi i qetë e i panerv, fjala e zgjedhur, e matur, herë e permbledhur dhe e prerë, herë vjen e zgjatet si panoramë alpine; perdorimi i një fjalori të urtë e të njerëzishem, kurrë vulgar e prepotent, fryma demokratike dhe ndjenja njerëzore që shkrihen në vepër, i rrisin etikën veprës, qoftë etikës gjuhësore, qoftë etikës së domosdoshme shoqërore. Në vepër lexojmë perdorimin e shumësit të respektit – pluralis majestatis: Ne, Pal Engjelli… si e lypte etika e kohës dhe e rangut. Por ajo që ka rëndësi është etika shoqërore.
Meqë duhet të nderohemi reciprokisht në dashuri, ta duam njëri-tjetrin pa hipokrizi, dhe punojmë për të mirën e përbashkët, atëherë: “përgjigjet pa britmë e bujë dhe pa rrëmujë të shprehë mendimin e vet, si të jetë më mirë”. Pra etika nuk këshillohet, por detyrohet, përndryshe vjen dënimi. (Krahasonje me deputetët tanë që ngacmohen, shahen, kërcnohen, edhe rrahen me njeri-tjetrin, paditën edhe në gjyq, por asnjëri nuk dënohet e shamata e etiketueme pa etikë në parlament vazhdon).
Veprës i mungon një portret i Pal Engjellit!
Vepra Statutet etj. mendoj se duhet përkthye edhe në anglisht.
Stema e Engjellorëve duhej komentuar. Unë bëra një përpjekje, por autorët kanë më shumë të dhëna.
Autorët Dr. Musa Ahmeti dhe Dr. Etleva Lala duhen përgëzuar për botimin anastatik të statuteve e të urdhëresave të kapitullit të Drishtit, për përkthimin e studimit mjeshtëror të Shuflait e të Novak-ut, studim informativ edhe kritik, i nevojshëm dhe i besueshëm; për burimet e shumta arkivore të shfrytëzuara e për pasurinë bibliografike; për shkrime e dorëshkrime, të botuara e të pabotuara; për konstatimet e të dhënat e reja që servirin, edhe për këndveshtrimin e urtë e objektiv të paraqitjes së materialit.
Botimi i kandshëm e i hijshëm e bën terheqëse veprën, e afron lexuesin e nxitë leximin e duket sikur i jep gjallëri e shije përmbajtjes fisnike. Prandej i falënderojmë botuesit e “Ombra GVG”, Z. Gëzim Tafa, duke i uruar që edhe në të ardhmen të na japin vepra plot dinjitet botues.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi