Naile Zhupani: Rrethë Shkrimtarët Dhimitër Xhuvani, Arshi Pipa, Ismail Kadare.
Faqja 1 e 1
Naile Zhupani: Rrethë Shkrimtarët Dhimitër Xhuvani, Arshi Pipa, Ismail Kadare.
Naile Zhupani: Rrethë Shkrimtarët Dhimitër Xhuvani, Arshi Pipa, Ismail Kadare.
Lexoj sot një artikull të Hektor Çiftes për leximin dhe interpretimin që i ka bë kritiku Arshi Pipa romanit Përsëri në këmbë të Dhimitër Xhuvani.
Shkruan: Hektor Çiftja
Po një personalitet që e ka nderue në mënyrën e tij Dhimtër Xhuvanin asht dhe studiuesi i njohur Arshi Pipa, i cili i kushton një vëmendje të veçantë veprës së Xhuvanit në librin e tij Contemporary Albanian Literature.
Analiza dhe leximi që i bëhet romanit :"Përsëri në këmbë" të Dhimitër Xhuvanit asht fare befasuese. Ai e gjen atë një vepër simbolike, që mund të interpretohet tue ditur biografinë e autorit dhe kontekstin historik të veprës. Romani asht hakmarrja e autorit. Mund të imagjinohet kënaqësia e tij, kur shikon romanin e vet të montuar si një karikaturë e realizmit socialist, të çmohet lart si model i tij pikërisht nga ata që e patën përbuzur”. Ky asht konkluzioni. Pipa së pari ka analizuar Tunelin si një vepër që e bëni autorin ndër viktimat e para të revolucionit kulturor shqiptar e pastaj kërkon e gjen simbolizmin në librin Përsëri në këmbë. Për të qënë më të qartë po citojmë paragrafin:
“Le të merremi tashti me simbolizmin e "Përsëri në këmbë" të Xhuvanit. Rënia e autorit nga kredibiliteti i Partisë jepet me rënien e protagonistit nga treni, një tren që asht metaforë e përhershme për një parti të tillë, siç asht partia staliniste shqiptare, e cila funksionon si një lokomotivë që tërheq popullin shqiptar si vagonët. Prerja e këmbëve të autorit prej trenit metaforizon shkatërrimin që Partia i bëni jetës së shkrimtarit. “Me i pre kambët kuj” asht shprehje idomatike, që do të thotë “të paralizosh”. “Përsëri në këmbë” asht një manifest që shpreh hakmarrjen e autorit. Disidentët e goditur shpesh quhen “plehrat e historisë” në gjuhën e përditshme, analogjia asht e dukshme me protagonistin e heshtur në ofiçinë. Duke punuar atje, ai shpik një pompë pneumatike, duke mbledhur mbeturina. Romani i Xhuvanit asht një përmbledhje e klisheve të realizmit socialist shqiptar. Edhe Historia Shqiptare e Realizmit Socialist flet për një farë monotonie, duke specifikuar se mjetet artistike janë të rralla. Në fakt ato nuk ekzistojnë fare. Autori e ka reduktuar protagonistin në një kukull, i cili lëviz kur i tërheqin fijet. Partia e do heroin 100 përqind pozitiv. Këtu kemi një hero 200 përqind pozitiv.”
Natyrisht që romani Përsëri në këmbë nuk asht aspak vepër përfaqësuese e Dhimitër Xhuvanit, edhe pse ai njihet më shumë për të. Po komenti i Arshi Pipës na kujton edhe një herë edhe vuajtjen personale të tij, edhe “hakmarrjen” e Xhuvanit, që në rastin e tij nuk mund të ishte veçse artistike.
Xhuvani nuk asht i vetmi shkrimtar shqiptar i periudhës totalitare që analizohet në këtë mënyrë nga Arshi Pipa, antikomunist dhe armik i regjimit të Hoxhës dhe njëkohësisht një prej albanologëve më “politikë” gjatë periudhës 1950-1990. Më i njohuri nga këta shkrimtarë nuk asht veçse Kadareja vetë, për të cilin do të flas menjëherë më poshtë.
Por le t’i kthehem për një çast trajtimit të Xhuvanit nga Pipa – ky i fundit e interpreton romanin Përsëri në këmbë si një alegori të rrëzimit dhe të rimëkëmbjes të autorit vetë, i cili pak vite më parë se të botohej romani ishte goditur ashpër nga regjimi në Shqipëri për romanin e vet Tuneli, i kritikuar veçanërisht për “nxirje të realitetit”; me fjalë të tjera, Pipa e sheh Përsëri në këmbë si hakmarrje simbolike të shkrimtarit ndaj regjimit që e kishte përndjekur.
Këtu ka dy çështje që duhen trajtuar veçmas:
(1) A qëndron interpretimi i Pipës nga pikëpamja thjesht letrare? dhe
(2) A mund të mbrohet ose të përligjet interpretimi i Pipës nga pikëpamja morale?
Unë vetë jam i mendimit se metoda interpretative e Pipës asht e pambrojtshme; si në rastin e romanit, ashtu edhe në raste veprash të tjera, në leximin e të cilave kritiku ynë i jep vetes liri të tepruar. Megjithatë, në këtë shkrim nuk do të merrem me vlerën dhe integritetin e Pipës si kritik letrar, por me aspektin thjesht etik të interpretimeve të tij.
Çdokush mund të shtrojë pyetjen, legjitime, nëse Pipa, duke e zbërthyer përpjekjen letrare të një autori gjysmë të persekutuar në Shqipërinë totalitare si orvatje për hakmarrje ose edhe thjesht distancim ndaj regjimit, e ka vënë në rrezik shkrimtarin, duke e ekspozuar atë ndaj dhunës totalitare.
Shumë lehtë mund të përfytyrohet një patriark i PPSH-së që, pasi të njihej me kritikën e Pipës, mund të vendoste të kërkonte rihapjen e “dosjes” Xhuvani, ose marrjen e masave kundër këtij “armiku”, që guxonte të ngrinte krye, qoftë edhe simbolikisht, kundër regjimit; duke e qortuar këtë me gjuhën e Ezopit.
Këtë arsyetim e ka bë të vetin Ismail Kadareja, kur ka folur në interpretimin, prej Arshi Pipës, të romanit Kronikë në gur; të cilin Pipa e përktheu dhe pastaj ia shkroi edhe një parathënie, për të thënë, në thelb, se romani ishte një kritikë e hidhët e Kadaresë ndaj regjimit komunist, Luftës Nacional-Çlirimtare dhe Enver Hoxhës vetë.
Kadareja shkroi për këtë në veprën e vet Ftesë në studio, nga e cila nuk citoj hiq; por e përsëriti tezën e vet vite më vonë, në një letër dërguar “The New York Review of Books”, ku polemizon me një shkrim të mëparshëm të Noel Malcolm.
Shkruan Kadareja
"Duke u përpjekur të gjejë argumente kundër meje, z. Malcolm përmend reagimin tim ndaj autorit dhe studiuesit të mërguar A. Pipa, i cili, pasi përktheu librin tim Kronikë në gur, i shtoi edhe një parathënie ku shpjegoi se, në atë roman, unë e kisha paraqitur diktatorin shqiptar si vrasës dhe homoseksual, edhe pse unë s’kisha bë asgjë të tillë. Botuesi im anglez mendoi se ky interpretim ishte jo vetëm i qortueshëm në vetvete, por edhe i dëmshëm, meqë, po të ishte konsideruar i drejtë, mund të më kishte rrezikuar fizikisht. Më vonë, unë e quajta çka kishte bë A. Pipa si vepër të një informatori të rëndomtë, dhe me të drejtë, sepse një autor që jeton në kushte të lirisë absolute në Washington nuk ka kurrfarë të drejte të hedhë në humnerë një prej kolegëve të tij të burgosur mrenda një shteti komunist".
Kështu Kadareja, duke rimarrë në thelb kritikën e vet të mëparshme ndaj interpretimit të Pipës.
Përsëri, do ta lë mënjanë faktin që unë e gjej interpretimin e Pipës për Kronikë në gur si krejtsisht të gabuar, nga pikëpamja e metodës; meqë besoj se për letërsinë nuk mund të flitet ashtu; duke u përqendruar në aspektin etik të çështjes. Vallë e tepron Kadareja, kur e quan gjestin e Pipës si të denjë për një “informator të rëndomtë”?
Ndoshta jo, po ta konsiderojmë krahasimin si barazvlerë objektive; në kuptimin që çka shkruan Pipa në parathënie të romanit dhe gjetiu, mund të ishte përdorur dhe ndoshta edhe asht përdorur, kundër Kadaresë.
Po le ta shohim çështjen nga këndvështrimi i Pipës – një njeri i përndjekur nga regjimi komunist ku e ku më keq, më ashpër e më rëndë se Kadareja, Xhuvani ose të tjerë shkrimtarë të realizmit socialist veprat e të cilëve ai i analizon, siç mundet, në studimet e veta letrare.
Ka shumë mundësi që Pipa, si antikomunist i bindur, ta ketë konsideruar edhe vetë aktin e të botuarit letërsi në totalitarizëm si gjest moralisht të dënueshëm; ngaqë çdo vepër letrare dhe artistike, sa kohë që pranohej nga regjimi, i shërbente këtij objektivisht. Nga kjo pikëpamje, nuk e përjashtojmë hiq që, për Pipën, autorë si Xhuvani dhe Kadareja nuk meritonin kurrfarë delikatese dhe kujdesi; bile edhe sikur të ndodhte që kritikat dhe “zbulimet” interpretative të Pipës të përdoreshin nga ndonjë prokuror i Enverit për t’i kallur këta autorë disidentë burgjeve, ose për t’i dërguar të hapnin toka të reja.
Mirëpo këtu ka një kontradiktë, e cila shpie vetvetiu në paradoks, dhe ja pse.
Në qoftë se Pipa ka qenë i sinqertë në interpretimet e veta, ose e ka shfrytëzuar lirinë individuale të një qytetari amerikan, të cilën ia përmend më pas Kadareja, për të vënë në dukje se shkrimtarë si Kadareja dhe Xhuvani po i kundërviheshin regjimit totalitar me mënyra alegorike, atëherë ai nuk mund të ketë dashur kurrsesi që t’i vërë në rrezik këta autorë, të cilët ndoshta edhe përfaqësonin shpresën që një ditë regjimi të përmbysej. Megjithatë, Pipa njëkohësisht e ka njohur regjimin totalitar të Tiranës aq mirë saqë ta ketë ditur se, sikur t’ia besonte regjimi ato që thoshte dhe analizat që bënte, atëherë kaq do të mjaftonte për t’i shkruar emrat e “disidentëve” në listën e zezë. Prandaj në qoftë se Pipa vërtet ka parë shenja të disidencës te Kadareja ose Xhuvani, atëherë ai duhej të ishte moralisht i detyruar që t’i mbronte këta shkrimtarë nga dhuna e mundshme që u kërcënohej; dhe mbrojtja në këtë kontekst nënkupton heshtjen.
Nga ana tjetër, në qoftë se Pipa nuk e ka vrarë shumë mendjen për çka mund t’u ndodhte Kadareve, Xhuvanëve dhe të tjerëve alegoristë të realizmit socialist në Shqipëri, meqë për të këta shkrimtarë nuk meritonin kurrfarë mëshire ose dhembshurie, sa kohë që e kishin vënë veten tashmë në shërbim të një regjimi despotik dhe gjakatar, atëherë interpretimet që ai u ka bë veprave në fjalë nuk kanë qenë të sinqerta; meqë po t’u besosh atyne interpretimeve, Kadareja dhe Xhuvani dalin si disidentë, njerëz që nuk pajtohen me regjimin totalitar në Tiranë dhe që janë të vetëdijshëm për natyrën e tij kriminale.
Paradoksi mund të përmblidhet kështu: në qoftë se Pipa besonte se veprat e analizuara prej tij ishin objektivisht kundër regjimit, atëherë nuk duhej t’i kish bërë publike ato analiza, për t’i mbrojtur disidentët shqiptarë nga hakmarrja e regjimit; përkundrazi, në qoftë se Pipa besonte se veprat e analizuara prej tij ishin, gjithsesi, në favor të regjimit, atëherë nuk duhej t’i kish bë publike ato analiza, që të mos e mashtronte lexuesin duke ia pikturuar si subversive vepra që të atilla nuk ishin.
Prandaj edhe jam i prirur t’i jap të drejtë Kadaresë, i cili në thelb thotë se, duke i bë publike mesazhet e disidencës ose të antikomunizmit të fshehura në vepra që e kishin një përmasë alegorike të rëndësishme, Pipa bënte objektivisht punën e një informatori të zellshëm të regjimit, duke u dhënë persekutorëve në duar prova të fajësisë së viktimave. Më duket e papranueshme që botuesi anglez të ketë treguar më shumë kujdes e dhembshuri për fatet e Kadaresë njeri, sesa kritiku Pipa, i cili e ka njohur vetë dhe drejtpërdrejt mizorinë me të cilën i trajtonte regjimi totalitar intelektualët që i kundërviheshin.
Nga ana tjetër, asht absurde të mendosh se Pipa mund t’i ketë shërbyer regjimit të Tiranës, qoftë edhe objektivisht; sepse ai vetë ishte një nga kritikët më të rreptë të stalinizmit shqiptar dhe jo vetëm në letërsi e në kulturë, por edhe sepse ishte tepër i zgjuar, që të mos i kuptonte efektet e fjalës së tij në Tiranë, sidomos sa u përket shkrimtarëve të analizuar dhe të deklaruar si disidentë prej tij. Prandaj nuk më mbetet veçse të nxjerr përfundimin se Pipa ishte i bindur se regjimi policor i Enver Hoxhës mund të luftohej edhe duke ia ekspozuar disidentët përkatës e duke ua cilësuar veprën këtyne publikisht si alegorike dhe kritike ndaj regjimit.
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi