Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Sami Islami: Përvjetori i RTK-së dhe anashkalimi i traditës televizive

Shko poshtë

Sami Islami: Përvjetori i RTK-së dhe anashkalimi i traditës televizive Empty Sami Islami: Përvjetori i RTK-së dhe anashkalimi i traditës televizive

Mesazh nga Agim Gashi Sat Oct 31, 2009 2:07 am



Sami Islami: Përvjetori i RTK-së dhe anashkalimi i traditës televizive U1samiislami1

PËRVJETORI I RTK-SË DHE ANASHKALIMI I TRADITËS TELEVIZIVE

Nga Sami ISLAMI

Kohë më parë RTK-ja kremtoi 10-vjetorin e “themelimit”. U publikua bukur gjatë në TV se do të shfaqet edhe një program enkas për të shenuar këtë pervjetor. Dhe programi për “rriten” e RTK-së u dha. Në emision folën shumë redaktorë, gazetarë, punëtorë të tashëm të televizionit për krejt çfarë ishte arritur brenda kohës 1999 dhe vitit 2009! Fort mirë! Edhe unë pajtohem se vërtetë televizioni publik i Kosovës ka bërë punë të mirë brenda kësaj kohe.
Po ajo që më nxiti të shkruaj këtë artikull është fakti se si është e mundur që të shenohet një përvjetor e të injorohet, apo anashkalohet një traditë aq e gjatë e televizionit në Kosovë pa u përmendur fare?
Sipas ish kolegëve të mi RTK-ja dhe televizioni në përgjithësi paska filluar më 1999(!), pra pas mbarimit të luftës së fundit në Kosovë. Absurde! Po si s’u kujtuan ish kolegët e mi të nderuar, se RTK-ja në një farë mënyre ishte vazhdimi i asaj që para lufte (ose më mirë të themi para ripushtimit serb të Kosovës) quhej TVP? Si mund të injorohet fakti se TVP-ja (atëherë kishim vetëm një television), i filloi transmetimet e veta me 26 nëntor të vitit 1976?! Ku shkuan 14 vjet të ekzistencës së TVP-së (nga viti 1976 deri me vitin 1990) pa e llogaritur kohën kur Serbia e ripushtoi krejt Kosovën, e në këtë kontekst edhe televizionin e Prishtinës? Po TVP-ja e kujt qe, që s’u llogarit së ekzistuari, sikur të mos kishte qenë fare? A qe e Kosovës, e Serbisë apo ...?
Nëse ish kolegët e mi do të thonë se ky përvjetor i referohet vetëm emërtimit të quajtur RTK, i cili me këtë emër startoi pas përfundimit të luftës, mendoj se kjo pasqyron një indiferencë të pakuptimtë të traditës së mëparshme. Kjo madje do të ishte gabim i dyfishtë, sepse në fakt RTK-ja s’ishte, apo s’do të duhej të trajtohej ndryshe, pos vazhdim i punës së televizionit të mëparshëm. Sigurisht tani në rrethana krejtësisht të reja nga ato që kishim ne. Fundja çfarë hendeku paska në mes të këtyre organizimeve të televizioneve, kur dihet shumë qartë se si njëra, poashtu edhe tjetra i dedikoheshin popullit të Kosovës. Një pjesë e mirë e kuadrit, (të mos themi pjesa dërmuese) ishte ai i përparshmi...
Nëse e kanë parë këtë emision të rinjtë e moshës 15 deri 20 –vjeçare , kanë të drejtë të mendojnë se televizioni shqip në Kosovë paska filluar me 1999!. Kështu kanë të drejtë të mendojnë edhe të gjithë ndërkombëtarët që sot i ke në Kosovë, se shqiptarët vërtetë nuk paskan pasur televizion para këtij viti! Pra shqiptarët e Kosovës, deri para luftës, paskan qenë në nivelin kulturor, mediatik, arsimor etj. barazi me zero. Prandaj nuk është edhe çudi pse kur erdhën në Kosovë ata (lexo: UNMIK-u) u kishin shjellë shqiptarëve të Kosovës sapunë për t’u larë dhe pasta e brusha për t’i larë dhëmbët!
Festimi i këtij përvejtori të RTK-së (10- vjetori) ma përkujtoj kohën kur Serbia bëri ndryshimet kushtetuese në vitin 1989 dhe fill pas kësaj, në vazhdën e shumë „ndyshimeve“ nisi edhe fushatën për ndërrimin e plan- programeve shqip (lexo: të letërsisë shqiptare) duke tentuar t’i fuste në programet e shkollave fillore , të mesme etj., vetëm disa shkrimtarë kosovarë dhe vetëm ata që i takonin periudhës pas vitit 1945, si Sinan Hasanin, Hivzi Sulejmanin, Esad Mekulin e ndonjë tjetër. Me këtë ajo tentonte t’ia mohonte shqiptarëve traditën letrare shumë të begatshme deri në këtë datë. Po kjo nuk ishte aspak çudi për ne pasi që qëllimet e Serbisë tanimë i dinë të gjithë.
Por çfarë të themi tash kur këtë e bënë vetë shqiptarët, vetë ish kolegët e mi, të cilët me një potez injoruan punën 14- vjeçare të dhjetra e dhjetra gazetarëve, redaktorëve, bashkëpunëtorëve!

Ata, me këtë përvjetor, me vetëdije apo pa të, ia shkurtuan vetes historinë, ia shkurtuan vetes traditën! Çfarë e keqe do të kishte qenë sikur RTK-ja të festonte një përvjetor, ku do të përfshihej tradita, jo vetëm prej fillimit të emitimit të programeve prej studios së televizionit të Prishtines, siç thamë me 26 nëntor të vitit 1976, por edhe më heret, kur emisionet shqip jepeshin prej studios së Televizionit të Beogradit (një herë në javë). Pse jo? Përveç kësaj po ta kemi para sysh se RTK-ja në vetëvete nuk përmban vetëm televizionin, por edhe radion. E radioja nuk filloi punën e saj pas luftës së fundit me Serbinë, pra më 1999, por pas Luftës së Dytë Botërore, pra pas vitit 1945! Cili përvjetor do të ishte dashur të shenohej sivjet? Me shënimin e një përvjetori të tillë do t’i tregonim opinionit si vendës (sidomos gjeneratave të reja, se ato më të moshuarat e dinë të gjithë) por edhe opinionit ndërkombëtar se ne nuk jemi një popull me traditë vetëm 10-vjeçare në sferën radios apo televizionit, por me traditë disa dekadëshe. E realiteti, pra, është se vetëm televizioni ka jetë rreth apo më shumë se 30-vjeçare, pa e llogaritur kohën prej 1990 deri më 1999, kur televizioni i Prishtinës (ashtu sikur e gjithë jeta kulturore, mediatike, arsimore…) ishte ngulfatur nga politika hegjemoniste e Millosheviqit dhe kur e vetmja gjë që mund të dëgjohej „shqip“ ishte leximi katastrofal i lajmeve nga Hajrie „spikerica“.

A thua vallë drejtorët dhe kryeredaktorët e tjerë, në rend të parë, por edhe disa nga ish koleget e mi, të cilët punojnë në RTK (që më parë i takonin TVP-së), kanë harruar se sa punë është bërë atëherë? Televizioni atëherë punonte nën një censurë të paparë, kur Beogradi bënte politikën antishqiptare duke i përdorur, pionet e tij, fatkeqësisht, shqiptarë. Kur nuk guxohej të përmendej Shqipëria. Pra ishte kohë shumë e vështirë. Dhe mu në këtë kohë ne ishim të përcaktuar të punonim me vetëmohim për të kultivuar gjuhën, e për të përhapur, kulturën, traditën e historinë tonë. Por as kjo kohë nuk u përfshi në përvjetor, se televizioni i Kosovës paska filluar më 1999!
Unë në atë kohë kam punuar në Programin Arsimor Shkollor dhe brenda viteve 1982-1990 , bashkë me kolegët e mi të nderuar (xhirues, kameramanë, montazherë, organizatorë etj.) i kam përgatitur mbi 200 emisione për gjuhën shqipe dhe për shkrimtarët shqiptarë. E emisionet e mia, por edhe të të gjithë kolegëve të mi që kishin të bënin me kulturë shqiptare, në atë kohë „kontrolloheshin“ detajisht me thjerrëz se mos po dilte diçka që po e „prishte“politikën programore dhe po ua „lëkundte“ karrigen shefave tanë?. Bile më kujtohet një rast kur unë e përgatita një emision për Naim Frashërin dhe bashkëpunëtor të jashtëm kisha profesorin tim të nderuar Akademik Rexhep Qosjen, dhe kur e dërgova te redaktori im përgjegjes Pelivan Zhuri, për ta „kontrolluar“ se a ishte në rregull për t’u emetuar, ai më bëri për një pare, si thonë, se unë nuk kisha qenë „vigjilentë“ sepse i kisha incizu disa sllajde (foto) ku dukej poezia e njohur e poetit „O ju malet e Shqipërisë...“ Dhe arsyetimi ishte se po të dilte kjo poezi në televizion krejt Kosova do të çohej në këmbë, pra do të dilte në rrugë (lexo: në demonstrata)!? E në të njëjtën kohë kjo poezi ishte në të gjitha librat e leximit të shkollave fillore dhe të mesme, e të mos flasim për tekste universitare! Kështu si unë ka pasur edhe shumë të tjerë si, Skënder Blakaj me serinë e tij shumë të suksesshme në atë kohë për arbëreshët e Italisë, i cili pastaj u ndëshkua nga politika ditore, Ali Llunji me shumë emisione dokumentare etj.
U inorua një kohë kur shumica e bashkëpunëtorëve dhe gazetarëve, të cilët edhe pse ishin të vetëdijshëm se ishin të vëzhguar, sidomos pas demonstratave të vitit 1981, bënin emisione të tilla që shpesh autorët e tyre, ish kolegët e mi, suspendoheshin nga puna, ose përjashtoheshin fare nga televizioni. Dhe motivi që i shtynte ata për të bërë këto veprime ishte se dëshironin të thoshin të vërtetën për shqiptarët. Shumë nga ata u larguan edhe nga Kosova dhe sot jetojnë nëpër shtetet e Evropes perëndimore, në Amerikë e gjetiu. Pra u harrua ajo kohë kur u transmetuan emisione shumë të bukura që bënë johonë, jo vetëm në Kosovë, por edhe në të gjitha trevat shqiptare në Shqipëri, Maqedoni etj.
Nuk do mend se shënimi i këtij përvjetori, në këtë formë si doli, do t’i ketë kënaqur vetëm ata që nuk na e duan të mirën, në rend të parë serbët, të cilët gjithnjë kanë dashur të na e shlyjnë historinë, maqedonasit, të cilët edhe pse pa histori te veten, pa identitet të vetin, propagandojnë gënjeshtra për shqiptarët, siç ishte rasti i fundit me enciklopedinë e turpshme të tyre, grekët etj.
Me sa di unë emisionet e para të televizionit të Beogradit kanë filluar të emetoheshin në fillim të viteve të 60-ta, por a thua do të pranonin ata të bënin një emision për të shenuar një përvjetor se televizioni i tyre paska filluar disa dekada më vonë siç ndodhi me RTK-në? Nuk besoj! Ata që kanë punuar den baba den për të na e vjedhur historinë neve, nuk e bëjnë një gjë të tillë për vete. Kurse ne po. Pse ndodh kjo tek ne nuk e di. Ndoshta e dinë ata ish kolegët e mi që e menduan dhe e realizuan këtë emision! Fundja sa jemi ne shqiptarët fanatikë kur është çështja për ta mbrojtur kulturën traditën dhe historinë tonë?. Fqinjët tanë serbët, maqedonasit , grtekët etj., madje edhe me falsifikime e shtyjnë larg e ma lagr gurin e historisë për të „dëshmuar“ se kanë traditë të hershme në këtë apo atë fushë, pra edhe në kulturë (në media), fatkeqësisht ne, edhe të vërtetën po e tkurrim. Pra po e tkurrim historinë e mediave tona , në këtë rast traditen tonë televizive.
Tani kur Kosova është e pavarur dhe kur i kemi duart e lira për të punuar dhe krijuar politika programore kombëtare, tani kur nuk e kemi censurën serbe mbi kokë, tani kur jemi të lirë të mendojmë, të krijojmë dhe ta çojmë përpara zhvillimin tonë, a ka kuptim të bëjmë emisione të tilla që na e shkurtojnë historinë, traditën, ekzistencën tonë? A ka kuptim të shenohet 10-vjetori, e të anashkalohet 24 – vjetori (faktik) ndoshta edhe më mirë, 30-vjetori i RTK-së?

Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi