Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Sejdi Berisha: Mëkati i rrëfimit dhe simbolika e pikëpyetjes...!

Shko poshtë

Sejdi Berisha: Mëkati i rrëfimit dhe simbolika e pikëpyetjes...! Empty Sejdi Berisha: Mëkati i rrëfimit dhe simbolika e pikëpyetjes...!

Mesazh nga Agim Gashi Mon Nov 02, 2009 1:15 am


Sejdi Berisha: Mëkati i rrëfimit dhe simbolika e pikëpyetjes...! U1_SejdiBerishaESE

MËKATI I RRËFIMIT DHE SIMBOLIKA E PIKËPYETJES...!

Artistët, gjithmonë e kanë shpirtin fisnik dhe të madh, i cili për asnjë çast nuk i lë ata rehat as të qetë. Sa pamëshirshëm ecën jeta,... sa rrufeshëm mbyllen kapitujt dhe fletët e librit, ndonjëherë apo edhe shumë herë, pa i shkruar dhe as pa i lexuar ato...! Kjo, edhe më shumë të detyron për rebelim artistik e krijues, për përjetimin e dhembjeve, të lumturisë dhe të absurditetit të jetës.

Nga Sejdi BERISHA

Kur analizon thellë, dashtë e pa dashtë, në brendinë e njeriut zhvillohet,... luhet një tragjedi, e cila tek ai, role dhe aktorë ka gjakun, erën dhe duhmën e tokës së vet. ...Uji ka borxh për të rrëfyer dhe për të dëshmuar edhe për etjen për ta thënë fjalën e fundit, e cila dot nuk do të thuhet kurrë, as nuk do të dëgjohet as nuk do të mësohet. Kështu e ka historia e njeriut. Edhe e atij që mbytet në ujë!

1.
Isha duke ndrydhur veten se si ta filloj shkrimin për një libër të cilën e ka shkruar një mik imi, dhe gjithnjë më përftonte jeta e tij, por pa ndonjë sekuencë të veçantë të lumturisë. Sepse, ky shkrimtar dhe piktor ka kaluar një jetë të përmundshme, dhe pos etja dhe dashuria për njeriun dhe atdheun, lumturia sikur nuk nxjerr kokë tek ai. Por, gjithnjë kërkoja të them në fillim diçka alegro, për të më ecur shkrimi pa ndonjë lëndim të rëndë. Kot! Dëgjoj numrin gjashtëmbëdhjetë, dëgjoj emrin e lumit Tisa, të cilin dikur moti e kisha mësuar në gjeografi. Dhe ç’është ky numri gjashtëmbëdhjetë?! Hiq gjë tjetër pos tragjikë e njeriut tonë. E atyre jetëzinjve që e kishin marrë botën në sy, sepse, gazepet e jetës detyrojnë edhe të vdesësh duke marrë dynjanë në sy,... duke kaluar edhe lumin Tisa!
U ndala dhe mendova. Nuk dëshiroja t’i besoja këtij lajmi dhe me qëllim, lumin Tisa e kapërthura me drurin tonë shumë fisnik, tisin. Por, nuk u afruan dot këta dy emra. Nuk u pëlqyen! Kështu, lajmi mbeti zvarrë,... një kohë i pakonfirmuar mirë. Atëherë, nga zemërimi thash, po pse,... pse kaq të ngadalshëm jemi, ne?! Në shumë, apo në të gjitha punët...! Nga këtu, dashtë e pa dashtë, tani në mua u zhvillua,... u loz një tragjedi, e cila, rolet dhe aktorët ka gjakun, erën dhe duhmën e tokës sime. Është kështu sepse, jam pjesë e tyre... fati në fatkeqësi dhe në tragjedi i dy fëmijëve dhe i prindit të tyre, që i kishin shpëtuar ujit të lumit Tisa, do të bëhet histori e përmendore uji, i brigjeve të lumit dhe gjelbërimit përreth, të cilat si gjithmonë janë sinonim dhe simbol i jetës dhe i dashurisë. Uji dhe lumi, do tu irritohen si djalli i djallit.
Ata, ndoshta do të rrëfejnë e do të shkruajnë libra e romane për rrugëtimin e papërfunduar,... shikimin e nënës së tyre të tretur në ujë duke i kërkuar fëmijët e saj, për dëshirat dhe për tmerrin e numrit gjashtëmbëdhjetë...! Dhe, uji i Tisës lë të dëshmojë për ëndrrat e tyre,... për trazimin e shpirtrave të tyre. Valët e lumit kanë histori, andaj le të shkruajnë disa faqe për zërin dhe fjalën e këtyre të gjashtëmbëdhjetëve, të cilët kurrë nuk kanë mundësi për të folur. Uji i Tisës, këtë e ka borxh për të rrëfyer dhe për të dëshmuar edhe për etjen për ta thënë fjalën e fundit, e cila dot nuk do të thuhet kurrë më, as nuk do të dëgjohet as nuk do të mësohet. Kështu e ka historia e njeriut!
Hiç më tutje nuk do të komentoj, sepse,... kjo del si dardhë me bisht! Por dua të them, se pikërisht tash, duke shkruar këtë fjali, mu kujtua shkrimi im dikur i botuar: “Oh, kah po shkojnë këta djem të ri”! E pra, kjo është si dardhë me bisht, apo edhe mëkat i rrëfimit...!

2.
Njëri, i cili thuaj se çdo ditë shëtitë nëpër rrugët e qytetit, e veçmas përbri kafiterive në qendër të qytetit, flet me vetveten dhe ndonjëherë e zbraz energjinë duke shmuar rrastë, por edhe duke lëshuar ndonjëherë zërin e pakontrolluar të protestës. Në këtë mënyrë, ai i trazon por edhe i nervozon kalimtarët e rastit apo edhe mysafirët e kafiterive. E ka jetën e vet burri i botës dhe sikur dëshiron t’ia shpalos dikujt, por nuk e gjënë dot askënd. Andaj, ka kohë që më grishë ajo ndrydhja e tij. Si kërshëri, më përqendrohet mendimi se çfarë është halli i këtij njeriu, i cili, sigurisht se disponon certifikatë apo dëshmi mjekësore për mendjen e tij. Por, çfarë më provokoi ta hedh në letër këtë njeri?!
Ishte ulur në kafene. Thithte zorshëm cigaren, dhe qyqe vetëm, fliste e fliste,... denonconte e kritikonte, por edhe jepte këshilla për t’i bërë edhe më mirë punët, jo të tijat por të qytetit.
-Tash iu ka rënë ndërmend për ta hapur rrugën andej kah fshati im,...! Aty, nuk ka asnjë objekt që ia vlen, nuk ka as kanalizim, as ujësjellës, as ujëshpërlarës?! ...Nuk ka kishë as nuk ka xhami! Nuk ka as shtëpi kulture, as ambulancë për shërimin e lopëve... dua të them, shërbim veterinarie!
Rrinte e rrinte, derisa sërish nuk i mbushte “bateritë, dhe rrëfimi i tij gjithnjë e më shumë më bëhej, apo m’i ngjante satirës dhe metaforës, po se po.
-Dje,... prej fshatit e deri në qytet, në autobus askush nuk ia “liroi” ulësen plakës me maramë e lidhëse me nëntëdhjetë vjet mbi supe,... Pisat. E, pastaj më flasin andej e këndej! ...Shkoni e shikoni në deponinë e qytetit... Ajo është larg qytetit, por shkoni e shihni se sa qentë kërkojnë ushqim atje. Mund të vërehet ndonjëherë edhe ndonjë fëmijë duke kërkuar, kush e di se çfarë! Kurse, sa qentë kanë ngordhur dhe kundërmojnë erë...!
Tani, ia kishte drejtuar shikimin njërit, që përballë tij pinte kafenë e qejfit.
-Po, pra! Punë për mua është, a e kam mirë apo keq. Unë mendoj se kjo nuk e ka parë të mirën me sy.... Dhe, shkoni,... ku të doni! Nuk keni të drejtë të ma mohoni mendimin tim... Mos ma rrënoni sovranitetin e fjalës sime. Këtë nuk lejoj të ma cenojë askush...!
Sa më bëri kurioz këmbëngulësia e tij për sovranitetin. Kush e di se për çfarë ka menduar me këtë shprehje?! Këtij njeriu me certifikatë apo dëshmi mjeku, nuk mund t’i zihet për të madhe për fjalën e thënë. Por, interesant. Fjala e tij provokon. Ndoshta, krejt pa lidhje...!

3.
Shëmtia dhe bukuria, janë dy gjëra si shoqe të pandashme. Si binjake! Por, për ta përqafuar të bukurën, duhet luftuar të keqen, të shëmtuarën,... E, për ta mbëltyer të shëmtuarën, patjetër se duhet shkelur e nëpërkëmbur të bukuren. Por kjo, si shumë përralla të tjera, është e gjatë dhe do mendjen e hollë për ta kuptuar e komentuar. Të detyron të futesh thellutave. Apo, jo!
Në qytet, si për inat, kanë vardisur sorrat, të cilat natën e kalojnë në degët e pemëve përbri trotuareve, dhe atë, si për inati, tërë natën glasojnë, dhe hapësirën përreth e “parfumojnë” me jashtëqitjen apo me glasat e tyre me erë të rëndë. Kjo, nuk është e këndshme për kalimtarët e mëngjesit,... e besa, edhe për kalimtarët e ditës! Kundërmon erë glasash. Glasa sorrash...!
Por, kjo nuk është edhe me rëndësi, sa është se banesat aty afër, gjatë tërë ditës thithin ajër me duhmën e jashtëqitjes të sorrave. As kjo nuk është fort me rëndësi. Por, pranë këtyre pemëve me sorra, janë objekte me rëndësi, apo godinë hoteli, apo objekte, pronarëve të të cilëve nuk duhet prishur as tymin e duhanit, as rehatinë dhe aq më pak për t’ua ndotur ambientin me “aromë” glasash të sorrave. Andaj, këtu edhe qëndron problemi. Ose, duhet vrarë këta shpendët, ose duhet prerë pemët.
E, po,... një ditë kishin vendosur që sorrat t’i trembin me pushkë gjuetie. Tri net radhazi nuk kishin ardhur sorrat për konak në kurorat e atyre pemëve, mirëpo,... era e glasave, për habi, kundërmonte edhe më shumë! Çfarë ishte kjo?! Komentimet e ndryshme kishin përlarë qytetin duke shëtitur mendimin me pikëpyetje dhe me rrëfimin e hamendjes!
Edhe kjo, nuk kishte zgjatur shumë. Pas tri ditësh, në mbrëmje, kurorat e pemëve ishin bërë zi-futë nga sorrat. E kishin vazhduar gjumin dhe glasitjen... Prapë, hidhërim. Duhet prerë pemët, duhet prerë drunjtë. S’ka rëndësi roli dhe as mosha e tyre. S’është me rëndësi as që duhet pritur rritjen e fidaneve të reja,... të cilat, atëherë nuk do të bëhen “shtëpi sorrash”!
Sa zorshëm e ngushtë kapen gjërat. Po, raste të tilla ka kudo, kishte thënë njëri duke fshirë glasën nga krahu, që duke kaluar atypari, ia kishte “dhuruar”, jo sorra por një harabel i cili tërë ditën shëtiste nëpër kurorat e atyre drunjve.
Mëkat. Ia kishte glasuar setrën, të cilën për herë të parë e kishte veshur atë ditë. Besa, për herë të parë në jetën e tij i kishte veshur rroba-kat, që ia kishin zbukuruar shtatin dhe pamjen. Çfarë rastësie,... apo, çfarë rrene! Prapë, komentim, a?! Jo, more. Nuk e lodhë kush kokën për këtë imtësinë....!

4.
Tani, telefonata. Më telefonon, Nexhi! Është, Nexhmije Pagarusha. Ishte ditë e diel dhe dëshiroja të “shlodhem”, por kur cingëroi telefoni, mjaftë me përtesë e hapa, dhe matanë, zëri i Nexhit. Kishte muaj e muaj që as nuk e kisha parë dhe as nuk e kisha dëgjuar. Më përshëndeti në mënyrën më të ngrohtë. Ashtu më, siç din ajo. Por, kjo telefonatë më dukej e pazakontë.. Më përgëzon e më përqafon përmes telefonit, dhe unë rri tamam i nemitur.
-O, Zot! Po, sa bukur e kishe qëndisur atë shkrim në gazetë. Po, sa titull përvëlues...!
Unë, vetëm buzëqesha, kurse ajo nuk pranë së uruari.
-Titull që më puthitet me shpirtin, me jetën...!
Heshta, dhe duke menduar se si të veproj tani, mu kujtua titulli i atij shkrimi: “Pushimi në dhomën time dhe leximi i lumturisë që nuk ekziston...!”, që po atë ditë ishte botuar në “Kosova Sot”. E falënderova, por pa ditur se ç’ti them, veç se i premtova se do ta vizitoj një ditë, shpejtë.
-Më ka marrë malli shumë të të shoh! -më tha.
Me kaq përfunduam bisedën, kurse unë akoma rrëqethesha për përgëzimin dhe për atë që kisha arritur që me shkrimin tim ta provokoj përjetimin shpirtëror, përjetimin e mikes. Atëherë, mu ndërrua mendimi për leximin. Thash se lexohen,... dhe lexohen gjërat që shkruhen dhe,... lexohet shkrimi!
E sheh. Artistët, gjithmonë e kanë shpirtin fisnik dhe të madh, i cili për asnjë çast nuk i lë rehat as të qetë. Kjo, edhe më shumë të detyron për rebelim artistik e krijues, për përjetimin e dhembjeve, të lumturisë dhe të absurditetit të jetës. Andaj, këngëtarja, ikona e këngës dhe e vlerave muzikore e kulturore, Nexhmije Pagarusha, me telefonatën që ma kishte bërë, më ktheu mbrapshtë dhe m’i detyroi shfletimet e rrugëtimit-trakullimë...
Ishin vitet e nëntëdhjeta, kur Nexhi së bashku me mbesën e saj, Fletën, përkohësisht jetonin në Pejë. Ishte ajo një tablo jete interesante e ngatërruar me dhembje, me qëndresën dhe me krenarinë e njeriut, të artistit! Fleta nuk shihte me sy, por jetën e shihte dhe e shijonte me vullnetin dhe me zemrën e saj. Ajo kohë,... atëherë e tani tregon,... shumë thotë! Do të flitet për këtë. Tani, nuk dua të flas. Por, vetëm një gjë dua ta them. Gjithnjë mendoja që ta bëj, që ta shkruaj një libër-monografi për Nexhmije Pagarushën. Por, mendoja që kjo monografi të jetë ndryshe nga të zakonshmet. I pata sugjeruar Nexhit, që në këtë vepër dëshiroja të mbërtheja tërë jetën e saj, ashtu siç ishte. Ama, ashtu krejt lakuriq. U pajtuam dhe e caktuam edhe kohën e fillimit të rrëfimit të gjërave dhe të rrjedhës së punës për këtë vepër. Por, ç’ndodhi. Posa u takuam, hapa notesin, nxora lapsin dhe e përgatita manjetofonin, Nexhi e tëra u “mbyt” në djersë dhe mu lut që këtë punë ta lëmë për një kohë tjetër. Në atë moment, mu bë se në fytyrën e saj pashë tërë jetën prej artisti, tërë jetën e saj. Andaj, u pajtuam që punën e monografisë ta lëmë për një tjetër kohë! Krejt çfarë mund bëra atëherë, në atë “kohë”, shkrova një poezi kushtuar Fletës, mbesës së Nexhit dhe një tjetër kushtuar vet asaj. Ishte shkurt, por ato vargje tani janë të botuara në një tjetër libër kushtuar Bilbilit të Kosovës. Sa pamëshirshëm ecën jeta,... sa rrufeshëm mbyllen kapitujt dhe fletët e librit, ndonjëherë apo edhe shumë herë, pa i shkruar dhe as pa i lexuar ato...!

5.
Duke biseduar, një mik i imi me moshë shumë të shtyrë, doktor shkence, duke më “provokuar” për jetën, më tha se isha zbardhur dhe plakur para kohe. Edhe pse i thash se nuk po e ndjej veten ashtu, ai ma drodhi: more, shikoje veten në pasqyrë! Nuk ishte kjo hera e parë që ma thoshte këtë. Andaj, kësaj radhe vendosa që posa të kthej në shtëpi, të shikohem mirë e rrastë në pasqyrë. Ashtu edhe bëra. Mirëpo, shikimi në pasqyrë zgjati shumë, sepse, në te kurrsesi nuk e shihja veten, por krejt një tjetër njeri, të cilin kurrë nuk e kisha parë ndonjëherë!
-A jam në ëndërr, apo çfarë është duke ndodhur me mua?!... -thash, dhe sërish dola pranë pasqyrës. Shikoja në pasqyrë, por sërish në te shoh dikend tjetër, i cili tash shikimin e kishte pikatur në dy dritat e syve të mi dhe sikur më thoshte: s’mund të më njohësh, jo! Pra, nuk isha unë ai njeriu që dukej në pasqyrë. Thash vet më vete: më kurrë nuk do të shikohem në pasqyrë,... sepse ajo gënjen. Por, vetëtimthi, pa kontroll, pyeta dikend apo vetveten: nuk e di, se kush ma ka nxituar kaq shumë jetën?! Në atë amulli mendimesh, mu kujtuan fjalët e njërit prej profesorëve të njohur të Universitetit të Prishtinës, ambasador kishte qenë dikur,... dikur kur ishte vështirë,..., i cili, kur u takuam në një rast ngushëllimi, më përgëzoi për shkrimet, të cilat i konsideronte si kontribut të madh intelektual për çështjet tona, për ecjet edhe të njerëzimit. Edhe tash ngela kacavjerrë,... nga vetvetja!
Pas tërë kësaj dhe pas shikimit në pasqyrë, në mbarim të këtij “kalërimi” të të shkruarit, mu imponua si përfundim përforcimi i pyetjes se, të gjitha këto “shkrola” që i bëra, a janë ato mëkat i rrëfimit apo simbolikë e pikëpyetjes?! Ndoshta, janë të dyja. Por, jo. As njëra as tjetra, nuk janë të vërteta. Do të përpiqem-i për ta gjetur se cila është e vërteta...!
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi