Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Hajdin Morina: Ngadhënjimi i artit mbi format e ndëshkimit dhe të dhunës shtetërore

Shko poshtë

Hajdin Morina: Ngadhënjimi i artit mbi format e ndëshkimit dhe të dhunës shtetërore Empty Hajdin Morina: Ngadhënjimi i artit mbi format e ndëshkimit dhe të dhunës shtetërore

Mesazh nga Agim Gashi Tue Nov 03, 2009 2:15 am


Hajdin Morina: Ngadhënjimi i artit mbi format e ndëshkimit dhe të dhunës shtetërore U1_HajdinMorina
Hajdin Morina



NGADHËNJIMI I ARTIT MBI FORMAT E NDËSHKIMIT DHE TË DHUNËS SHTETËRORE

(Ismail Kadare, “Përballë pasqyrës së një gruaje”, botoi “Onufri”, Tiranë 2001)


Ismail Kadareja dhe lexuesi




Në veprën “Përballë pasqyrës së një gruaje” janë të përfshira tri proza të shkurtra ose tri mikroromane, siç i quan kështu vetë autori: “Kalorësi me skifter”, “Historia e Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptarë, përballë pasqyrës së një gruaje” dhe “Ikja e shtërgut”.

Ka kohë që në mendimin teoriko-letrar, në kritikën letrare, në tekste të shumta të poetikës së veprës letrare, në libra studimorë të teorive letrare dhe në diskursin përgjithshëm letrar dominon mendimi dhe vlerësimi se vepra letrare e shkrimtarit Ismail Kadare qëndron në majë të zhvillimit të letërsisë shqiptare dhe është pjesë e pandashme e thesarit letrar në Evropë dhe në botë. Kadareja është, deri më tash, përfaqësuesi më i denjë i përfaqësimit të Shqipërisë dhe të letërsisë së saj në skenën sfiduese të letërsisë së përbotshme, ku zuri vend të merituar, i vlerësuar lart nga kritikë të mëdhenj letrarë të kohës së sotme, i lexuar dhe i adhuruar nga miliona lexues gjithandej botës, të cilët, nëpërmjet potencialit shprehës të më shumë së tridhjetë gjuhëve që flasin njerëzit nëpër kontinente, kanë shijuar bukurinë e artit të Kadaresë, fantazinë e tij të jashtëzakonshme krijuese, origjinalitetin dhe novatorizmin që ka sjellë ai jo vetëm në letërsinë e popullit të tij.

Ismail Kadare shkruan, boton, dhe librat e tij sakaq marrin udhën drejt lexuesve shqiptarë dhe të tjerëve. Pra, vepra e Kadaresë lexohet, dhe ky fakt flet për vlerën e lartë të shkrimit të Kadaresë. Se lexuesi vlerëson, se fjala dhe qëndrimi i tij ndaj tekstit letrar duhet të merret parasysh nga teoricienët dhe kritikët letrarë, këtë na e vërteton poetika moderne e veprës së hapur, e cila ka konstatuar se ekziston një raport i ngushtë ndërmjet veprës letrare dhe lexuesit ose, siç thotë Umberto Eco, njëri ndër teoricienët, estetët dhe shkrimtarët më të mëdhenj të artit postmodern, poetika e veprës së hapur e fton lexuesin ta bëj veprën me autorin. Natyrisht, këtu shprehet ideja se lexuesi e shijon, e vlerëson dhe e komenton veprën në m mënyra të ndryshme, varësisht nga shija e vet letrare, nga formimi i tij estetik, por edhe nga mundësitë që jep teksti letrar për të ndërtuar nëntekste nga më të ndryshmet, riprodhime të shumta mesazhesh, përqasje të veprës me vepra të tjera, me ngjarje e me momente të ndryshme historike, sociale, psikologjike etj.

Duke qenë kategorikisht kundër një poetike universale, teoricienët e veprës së hapur krijojnë pra një poetikë të re, ku faktori vendimtar nuk është vepra, por lexuesi (Prof.dr. Floresha Dado, “Teoria e veprës letrare, poetika”, Tiranë 2003, fq. 50).

Proza “Kalorësi me skifter”


Hajdin Morina: Ngadhënjimi i artit mbi format e ndëshkimit dhe të dhunës shtetërore U1_Albanian_Novelist_Ismail_KadareTeksti letrar “Kalorësi me skifter”, edhe pse ka një përmbajtje tjetër nga dy tekstet e tjera të përfshira në veprën “Përballë pasqyrës së një gruaje”, për mesazhin letrar dhe për nëntekstin e fuqishëm, por edhe për nga mundësitë e përqasje së fateve të personazheve përbën një fill të pashkëputshëm me dy prozat e tjera.

Në qendër të strukturimit letrar të rrëfimit të kësaj proze është ndërtimi i një shtëpie gjuetie në qytetin e Lezhës, ide kjo që i lindi Ministrit të Jashtëm të Italisë, kontit Çiano, dhëndrit të Duçes, tek sodiste nga aeroplani bregdetin e bukur shqiptar në ditën e zezë të 7 prillit 1939. Arkitekt i ndërtimit të “Gjuetinës së Lezhës” ishte italiani Ernesto Mohri, i cili përpos projektimeve të tjera që i bëri kësaj shtëpie, sipas dëshirës së Ministrit italian, kërkoi që në sallën kryesore të vendosej një tablo artistike që ai e kishte parë diku në ballë të një muzeu të një shteti skandinav. Nuk i kujtohej shteti, por i kujtohej se tabloja titullohej “Kalorësi me skifter”, dhe Ministri Çiano u pajtua që kjo tablo të zinte vendin që e kishte propozuar arkitekti. Çmimi i kësaj tabloje ishte i lartë, u bë vetëm riprodhimi i saj.

“Gjuetina e Lezhës” me tablonë artistike të varur në murin kryesor të saj, bëhet në këtë tekst letrar burimi i të gjitha ngjarjeve të tjera artistike në vepër, të cilat, kuptohet, kanë edhe lidhshmëri dhe ngjashmëri me ngjarjet e realitetit jetësor në Shqipëri, në periudha të ndryshme të saj. Piktura e varur në mur përhapte kumtin e një krimi të pashmangshëm. Një kalorës mbante mbi supe një skifter. E kishin ftuar për gjah, por nuk i besonte shumë ftesës. Mund ta vrisnin ata që e kanë ftuar. Nëpërmjet një fryme të tillë të përshkrimit të situatave, Kadare zbërthen të fshehtat e ngjarjeve historike që kanë pllakosur mbi Shqipërinë, krimin që bëri fashizmi italian, luftën vëllavrasëse, pasojat e komunizmit në përqasje me përpjekjet që janë bërë për zhvillimin e Kombit dhe për bashkimin e tij. Natyra e rëndë e krimit dhe vdekja, si dhe paralajmërimi ose kumti se do të ndodhin këto, janë dhënë nëpërmjet zbërthimit artistik të psikologjisë shpirtërore të personazheve, nëpërmjet përshkrimit të shkurtër të vetëm disa detajeve që lidhen me emra, me ngjarje dhe me tragjedi që ka pësuar populli ynë. Ndërtimi shtëpisë së gjuetisë në qytetin e bukur dhe historik të Lezhës, gjuetia dhe gjahu që bëhet aty dhe përreth saj, karakteri, gjuhët dhe fati i ndryshëm i personazheve, vrasja e kontit Çiano nga vjehrri i tij, hetimet që bëjnë hetuesit italianë për ngjarjet e kësaj shtëpie, interesimi i gjermanëve, pas kapitullimit të Italisë, për këtë shtëpi, persekutimet dhe vrasjet e njerëzve, pas instalimit të pushtetit komunist, vrasja e djaloshit Bardh Beltoja nga oficerë të Ministrisë së Brendshme (Bardh Beltoja kishte qenë përkthyes në disa bisedime të vështira ndërmjet delegacionit shqiptar dhe atij jugosllav, pak kohë më vonë e kishin ftuar për të gjuajtur rosa dhe e kishin vrarë jo shumë larg shtëpisë së dikurshme të gjuetisë që tash ishte rinovuar dhe ishte bërë pjesë e hotelit “Dajti” të Tiranës), vizita që i bëri ish-shtëpisë së gjuetisë Bruno Mohri, i biri i arkitektit Ernesto Mohri, edhe ky arkitekt si i ati, më shumë se gjysmë shekulli më vonë, në vitin 1999- të gjitha këto janë zbërthime të kodeve të planeve dhe të ngjarjeve të shumta që u zhvilluan kundër Shqipërisë dhe popullit të saj, zbërthim i kodit të fatkeqësisë së saj historike, simbolikë e pushtimit të gjithanshëm të Shqipërisë, por edhe konstatim se brenda popullit tonë në çdo kohë ka rigjeneruar gjeni i qëndresës dhe i orientimit drejt krijimit të hapësirave për të shprehur aftësinë e vet krijuese në shërbim të zhvillimit të Kombit dhe në shërbim të kontributit ndërkulturor.

Npëprmjet krijimit të tablove krejt eliptike, Kadareja ndërton mesazhe dhe nëntekste që japin atmosferën e zymtë të fatit të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar menjëherë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore: “Shoku Rankoviq mund të vijë për gjah. Ndoshta vetë shoku Tito. Flihet keq këtu. Këto fjalë që do t’i përsërisnin shumica e atyre që kalonin natën atje, i kishte thënë i pari Millovan Gjilasi” (fq.40).



“Historia e Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptarë, përballë pasqyrës së një gruaje”



Kjo prozë është teksti i dytë letrar në veprën “Përballë pasqyrës së një gruaje”. Derisa në prozën “Kalorësi me skifter” bëhet krahasimi ose përqasja artistike e dy koncepteve ideore, siç janë vepra e artit (piktura) dhe krimi, në këtë prozë qysh në fillim krahasohen dhe ballafaqohen dy koncepte ose figura reale: institucioni i Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptarë dhe Margarita, një prostitutë që jetonte përballë shtëpisë së Lidhjes së Shkrimtarëve në Tiranë. Ngjarja e kësaj proze zhvillohet në vitet ’60 të shekullit XX, atëherë kur Kadareja kishte filluar të bëhej zë i letërsisë shqiptare, duke paralajmëruar, bashkë me brezin e tij, kthesën vendimtare në zhvillimin e letërsisë shqiptare. Vetë fillimi i tekstit paralajmëron vështirësitë në krijimtarinë e shkrimtarit, zbulohet para lexuesit ose zhvishet organizimi dhe veprimtaria konformiste e institucionit të Lidhje së Shkrimtarëve Shqiptarë, nënshtrimi dhe servilizmi i saj ndaj pushtetit dhe aparatçikëve të tij që kishin instaluar në letërsi metodën dogmatike dhe shterpe të realizmit socialist, dhe shkrimtarit i kishin caktuar rolin e autorit të “poemave bombë e flamur”, rolin e agjitatorit të “arritjeve të papara të socializmit, të pastërtisë ideologjike e të optimizmit revolucionar”.

Krahasimi i Lidhjes së Shkrimtarëve me figurën e një prostitute tregon për organizimin dhe veprimtarinë jo të suksesshme të këtij institucioni kulturor, me të cilin manipulonte shteti. Qysh në fillim të tekstit jepen shenjat e një konflikti që do të zhvillohet më tej me anë të formave të narracionit, siç është dialogu, përshkrimi i personazheve të veçanta, përshkrimi i situatave dramatike që ndodhin në botën shpirtërore të personazheve etj. Zhvillimi i konfliktit kryesor në tekst (Lidhja e Shkrimtarëve-shteti) nuk zhvillohet në mënyrë të hapur, sepse nuk ekzistojnë rrethanat për t’u bërë kjo gjë, por mund të thuhet lirisht se zhvillimet dramatike lexuesi i përjeton nga nënteksti, sepse kumti për zhvillimet dhe pasojat dramatike jepet nëpërmjet të sajimit të disa detajeve në të cilat nuk përshkruhen, por parandihen pasojat në jetën e personazheve. Partia ka konstatuar se në Lidhjen e Shkrimtarëve ka rënë niveli i “syçeltësisë revolucionare dhe i optimizmit të jetës socialiste”. Partia ishte pakënaqur me shtypin, sidomos me gazetën e Lidhjes së shkrimtarëve. A mjaftonte ky konstatim që të parandiheshin pasojat? Dhe shefi i kuadrit i alarmoi shkrimtarët. Asnjë zë nuk kundërshtonte. Ata që debatuan bënë kritikë ose autokritikë. Pas mbajtjes së plenumit të Lidhjes së Shkrimtarëve, ku morën pjesë udhëheqës të shtetit e sekretarë partie, shkrimtarët u dërguan “për t’u riedukuar”, në mesin e klasës punëtore, mes kooperativistëve e punëtorëve në fabrika. Kaq. Autori nuk ka nevojë të flasë më tepër. Mesazhi përcillet tek lexuesi me anë të përshkrimit të frikës dhe të parandjenjave të këqija që zhvillohen në shpirtin e personazheve. Edhe Margaritën dhe nënën e saj i kishin transferuar në një fshat të largët të Lushnjës, “për t’u riedukuar”, por ato atë mbrëmje kishin varur veten. Me figurën dhe me fatin e tyre autori ndërton fijen e protestës kundër formave çnjerëzore të ndëshkimit të shtetit mbi qytetarët e vet. Shkrimtarët kishin duruar poshtërimin, vazhdonin “të riedukoheshin”, vazhdonin të falënderonin Partinë për “përkujdesjen” ndaj tyre dhe ndaj artit shqiptar.

Kjo prozë ose ky roman i shkurtër dallohet për krijimin shumëdomethënës të figurës-personazh. Nëpërmjet figurës së Margaritës dhe figurës së poeteshës së re (një servile e përpunuar e pushtetit) autori arrin jo vetëm të krijojë skena artistike të skalitura mirë, por nëpërmjet tyre bart mesazhe dhe ide me të cilat lexuesi zbërthen nyja të shumta të ngjarjeve dhe të veprimeve njerëzore nën diktaturë. Nganjëherë autori krijon figura letrare me anë të pjesëve të strukturës së tekstit ose me anë të dialogëve ndërmjet personazheve. Po japim më poshtë një dialog ndërmjet rrëfimtarit-autor dhe poeteshës së re, në kohën kur rrëfimtari i ngjarjes (autori i veprës) ishte kthyer për ca kohë në Tiranë nga qyteti B. Ku e dërgoi Partia “për t’u riedukuar dhe për t’u shkundur”, mes punëtorëve të fabrikës së tekstilit. Nëpërmjet këtij dialogu autori ka shprehur pakënaqësinë e madhe të shkrimtarit të ri, protestën e tij të pashprehur haptas, duke ndërtuar figurën shumëdomethënëse të ironisë: “Njerëzit e papërgjegjshëm nuk heqin dorë nga poshtërsitë,-vazhdova-...Një inxhinier tarrallak, që po merret me ngritjen e fabrikës së parë të prezervativëve, paska menduar që marka e prezervativit shqiptar shqiptar të quhet “Skënderbeu”.

Ajo u skuq dhe s’dinte ku t’i çonte sytë.

-Ç’janë këto marrëzira?-tha. Si guxojnë njerëzit të mendojnë kështu? Si nuk vënë mend?

-Pikërisht këto fjalë thashë edhe unë kur e dëgjova. Po ai e paska përligjur, si të thuash, me atë që prezervativi duhet të jetë i fortë, rezistent, e meqë Skënderbeu është simbol i qëndresës...”(fq.104).

Atë ditë, pas këtij dialogu, rrëfimtari-autor u kthye sërish në qytetin B. Ku kishte shkuar për “riedukim”.



Ikja e shtërgut”- monument për pavdekësinë e artit



Proza ose romani i tretë, i përfshirë në veprën “Përballë pasqyrës së një gruaje”, është “Ikja e shtërgut”, kushtuar poetit të madh shqiptar Lasgush Poradeci. Është një prozë e shkurtër, me një lirizëm dhe ritëm të theksuar, ndryshe nga dy prozat e para. Konceptet artistike që zbërthehen në prozën ”Ikja e shtërgut” flasin për lidhshmërinë përmbajtësore dhe ideore që ka ky tekst me dy të parët, por në këtë të fundit vërehen ndryshime në mënyrën e ndërtimit të figurës-personazh dhe të figurave artistike që mund të hasen në këtë prozë.

Në të tri romanet e vogla, të përfshira në veprën “Përballë pasqyrës së një gruaje” zënë vend qendror konceptet e artit, procesi i vështirë dhe hyjnor i krijimit, por të tjera ide bartin më vete dhe përhapin ndër lexues konceptet artistike të dy prozave të para në përqasje me tekstin letrar “Ikja e shtërgut”. Në romanin e vogël “Kalorësi me skifter” arti (piktura) përhap nëpër kohë dhe hapësirë kumtin e krimit; në prozën “Historia e Lidhjes së shkrimtarëve shqiptarë, përballë pasqyrës së një gruaje” arti (letërsia) dhe krijuesi (shkrimtari) japin shenjat e para të ballafaqimit me ndryshimin e rrjedhave brenda tyre dhe, si pasojë e kësaj, me ndëshkimin e rëndë që lëshoi mbi ta shteti; në veprën “Ikja e shtërgut” arti (poezia) dhe krijuesi (shkrimtari) reflektojnë ide më të larta, më të përsosura; raporti krijues-sundues konceptohet dhe shpjegohet qartë: sunduesi është kundër krijuesit, krijuesi kundër sunduesit. Autori me këtë prozë të rrallë artistike i ka ngritur monument estetik pavdekësisë së veprës letrare të Lasgush Poradecit, poetit që e kishin harruar. Atë nuk e ftonin në mbledhje, as në dreka e në darka, por as ai nuk i përmendte ata në vargun e tij lapidar. Dhe, si për t’i sfiduar ata, në moshën tetëdhjetëvjeçare përjetoi një histori dashurie me Ana G. Lexuesi nuk mundohet ta vërtetojë saktësinë e këtij lajmi që u përhap si rrufeja ndër njerëz. Qoftë realitet artistik, qoftë realitet jetësor, dashuria e Lasgushit simbolizon përmasat e kategorisë filozofike të poezisë së tij, vitalitetin shpirtëror, forcën ripërtëritëse të artit, fuqinë e jetës; ajo dashuri sfidoi një aparat shtetëror, i cili, me të gjitha format e ndëshkimit dhe të izolimit ndaj poetit, nuk arriti ta tjetërsonte. Aq më pak tash në pleqëri, kur ishte i dashuruar (s’kishin mjete që mund t’ia ndalonin dashurinë) dhe po e mbyllte me dinjitet veprën artistike dhe atë jetësore.

Edhe në këtë prozë, sikurse në atë para saj, autori rrëfen për pengesat jashtëletrare, për ndëshkimet ndaj shkrimtarëve, për servilizmin dhe konformizmin që kish arritur të mbillte ndër ta aparati shtetëror. Lasgushi kishte frymë tjetër. Ai donte dhe punonte që sovran të ishte poeti e jo sundimtari. Në këtë prozë të Kadaresë çdo element i përmbajtjes, çdo element i ligjërimit dhe i mesazhit letrar, përfshirë edhe ritmin e rrëfimit, është në funksion të konstatimit artistik të epërsisë së poetit Lasgush Poradeci ndaj të gjitha ngjarjeve dhe veprimeve që zhvilloheshin kundër lirisë dhe kundër dinjitetit njerëzor, kundër lirisë dhe kundër zhvillimit të artit. Në funksion të kësaj është edhe një përshkrim i bukur i bisedës që bëri Lasgushi me rrëfimtarin-autor që kish shkuar atë verë në Pogradec për ta parë, pas përhapjes së historisë së asaj dashurie, poetin e madh, “mjeshtrin dhe kalorësin e përjetshëm”: “Te Homeri është një vend ku dielli zemërohet me Zeusin, nuk e di a të kujtohet,-tha pas pak.- Kështu pra, dielli zemërohet me tiranin dhe e di si e kërcënon? Në ferr do zbres, do shndrit veç për të vdekurit!- Ai buzëqeshi më ftohtë si më parë.- Ja pra, ç’kërcënim të gjëmshëm i bëri tiranit dielli. Të lërë vendin e vet në mes të qiellit, me fjalë të tjera, të braktisë të gjallët dhe të zbresë atje ku s’ka nevojë për të, tek te vdekurit. Shkurt çdo gjë të bëhet së prapthi, me fjalë të tjera, të vijë fundi i botës, apokalipsi...Të tillë kërcënim të tmerrshëm dhe jo naze zonjushash duhet të bëjë poeti...Me sa kam lexuar prej teje, ti gjithashtu ke filluar të zbresësh tek te vdekurit...” (fq.150). Mesazh i qartë. Himn për poetin dhe për përjetësinë e artit letrar. Monument për sakrificën, për martirizimin e shumë krijuesve shqiptarë. Monument estetik, përmendore e shpirtit, për poetin e madh Lasgush Poradeci.

Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi