Willy Kamsi: Shtegtimi i ''Hyllit të Dritës''
Faqja 1 e 1
Willy Kamsi: Shtegtimi i ''Hyllit të Dritës''
Willy Kamsi |
Nga Willy Kamsi
«Hylli i Dritës»ka qenë e para revistë e botueme në Shqipní, me nji program të kjartë atdhetar, politik e kulturor, dhe që u bâ shprehja mâ e pastër e intelektualëve katolikë dhe e kryesisë së Provinçes Françeskane në Shqipní, përfaqësuesit e së cilës qenë jo vetëm drejtori i saj Át Gjergj Fishta, por madjè nji plejadë letrarësh, gjuhëtarësh, folkloristësh dhe ekonomistësh që nderuen jo vetëm Provinçën Françeskane por edhe Kombin.
Tue i hjedhë nji sŷ përmbajtjes, të pasqyrueme në 20 vjetët e jetës së tij, kemi me pasë nji shembëlltyrë të larmisë së shkrimeve, studimeve e bashkëpunimeve të ndryshme që mbushin faqet e kësaj reviste.
Prej veprimtarisë botuese shumëvjeçare mendojmë se duhen qitë në pah jo aq arsyet dhe argumentat që i dhanë shkas këtij botimi, sepse për këtê flet mjaft kjartë me shkrimet që përmban, por mâ fort shkaqet që sollën bukur mirë dý herë pezullimin e tij dhe herën e tretë ndalimin, rreth gjysmë shekulli, nga ana e regjimit komunist, antishqiptar, antikatolik, në mos shprehje e nji antikulturësie të posaçme e të skajshme.
Trí janë periudhat në të cilat zhvilloi veprimtarinë e vet botuese Hylli i Dritës.
1. Periudha e parë (1913-’14), do mbajtë si nji periudhë paraqitjeje e sprove, tue pasë parasysh se âsht hera e parë që në Shqipní botohet nji revistë me nji nivel të tillë kulturor. Âsht e pámohueshme se qysh me fashikujt e parë, trajtohen argumenta që kanë lidhje me formimin qytetës e atdhetar të shqiptarëve, të frymëzuem gjthashtu nga parime të krishtena, sikurse âsht e kjartë se duhej të ishte.
Diskutohet aftësia e shqiptarëve për me organizue shtetin e vet mbas pesë shekujsh pushtimi të huej, dhe marrëdhaniet në mes lirisë e klerit katolik, në mes kombësisë e fesë e kaq probleme të tjera të cilat, në mënyrën se si trajtohen, kanë qellimin kryesor që me nisë, moralisht e në mënyrë vepruese, nji mënyrë të ré për me kuptue marrëdhaniet në mes individit e shtetit, në mes shoqnisë e shtetit.
Nuk mungojnë as shkrimet me sfond historik, kulturor e në disa rasa gjuhësor, tue i vû nji thekës nevojës që, me vend, gjuha shqipe të përfshihet me drejtë të plotë në disa shkolla në të cilat trajtohej si gjuhë e kategorisë së dytë, dhe shì kur tashma ishte shpallë pavarësia e Shqipnisë.
Përveç kësaj âsht i kjartë, ndër faqet e tija, nji qendrim fort polemik që kurr nuk ka me mungue në krejt kohën në të cilën zhvilloi veprimtarinë e vet botuese. Jashtëzakonisht e randësishme dhe fort informuese âsht rubrika kushtue lajmeve të mbrendshme e të jashtme që, të paraqituna prej drejtorit të saj Át Gjergj Fishta, pasqyrojshin qendrimin ndaj politikën ndërkombtare të mbajtun prej ambjenteve atdhetare e nacionaliste, të përfaqësueme prej Etënve Françeskanë, të cilët patën nj meritim të kjartë në këtê kah.
Dhe tash të vijmë te shkaku i pezullimit të “Hyllit”, pezullim i dashtun prej Fuqive të pranishme në Shkodër në atë 1914 tashmâ të largët.
Politika e dyshimtë e Fuqive Europiane, të zhytuna në grindjet e tyne që çuen te shpërthimi i Luftës së Parë Botnore, politikë e të shohim e bajmë, politikë e intrigës, politikë e të mos marrjes seriozisht të sa kishte qenë vendosë shì prej tyne për nji vend si Shqipnia, që po përpiqej të shndërrohej në nji shtet të rregullt e të qytetnuem, shkaktuen reagimin e pezmatuem të drejtorit të kësaj reviste, Atit Gjergj Fishta, cili ndonse nuk e nënshkruen shkrimin âsht e kjartë se âsht autori i tij. Qysh prej titullit e e kemi të kjartë përmbajtjen: “Nji komedí e pandershme e shekullit XX”.
Mbasi të lexohet shkrimi i sipërthanun pranohet se sa âsht e drejtë dhe e saktë çka âsht parashtrue në tê. Për mâ tepër, mutatis mutandis i përshtatej pikë për pikë gjendjes së disa vjetve mâ përpara në Bosnje, politikës ndërkombtare ndaj atë popull të martirizuem. S’kam çka të shtoj. Secili të marrë mundimin e të lexojë, mbas plot 80 vjetëve, nji shkrim të 1914-s e ka me u prekë tue pá se sa âsht aktual nga çdo pikëpamje.
Mbasi Fuqitë e asaj kohe nuk patën se si t’iu përgjegjen nji së vërtete therëse, që rrezatonte prej pendës së Át Fishtës, nuk dijtën të bajnë tjetërgjâ veçse ta mbyllin atë botim heroik e krenar si qe “Hylli i Dritës”, i cili, atê që duhej thanë, dinte me e thanë në kohën e duhun e në tonin e përshtatshëm.
2. Periudha e dytë, që shkon prej 1921 deri 1924, tue qenë periudha mâ demokratike e historisë shqiptare, pau zhvillimin e nji veprimi të gjallë në dobí të forcave mâ të shëndosha të kombit. Kujdes parësor ka qenë: me e mprojtë shtetin e rilindun shqiptar prej të këqijave të jashtme e sidomos të mbrendshme. Qiten në pah përbâsit aktivë, e në mënyrë të veçantë ata legjislativë dhe ekzekutivë, si janë parlamenti dhe qeveria, si dhe mënyra për me i vû në lëvizje. Ndryshe prej periudhës së parë vehet oroe drejtimi kah nji përgatitje demokratike e qytetarit.
Theksohen subjekte sikurse ndër të tjera rilindja shpirtnore e individit, njisí më vete e përbâse e shoqnisë, tue vû në dukje njikohësisht se cili âsht ideali i Shqiptarit.
Argumentat e trajtuem shtrihen në fusha të ndryshme, në të cilat shkrimet i përshkon kritika ndërtimtare, e kurrsesi nihiliste. Përveç këtyne zhvillohen argumenta me sfond kulturor, e sidomos në lidhje me shkollat e ditës e të natës, me mësimin në përgjithësí, problem i randë për me u zgjidhë, me çështjen puntore, me moralin publik. Nji vend u ruhet traditave, tue qenë se nji ndër kujdeset kryesore të atyne që botuen “Hyllin” ishte kryesisht vlerësimi i së kaluemes për me përmirësue frymën e veprën e së tashmes.
Në qershorin e 1924-s nji revolucion demokratik, i udhëhequn prej Fan S. Nolit, Luigj Gurakuqit e Bajram Currit, përmbysi regjimin e Ahmet Zogut dhe të bejlerëve. Mbas gjashtë muejsh të qeverimit demokratik, me kthimin në pushtet të forcave regresive të pështetuna prej së jashtmi, detyrimisht u desht të pezullohej botimi, tue pritë kohë mâ të mira, mbasi kjo revistë kishte mbajtë, me shumë gjallní, anën e demokracisë.
3. Periudha e tretë (1930-1944) pau përhapjen dhe imponimin e mendimit katolik në fushën e kulturës, tue e çue “Hyllin” në nji nivel të tillë sa me pasë pëlqimin e çmimin e rretheve shkencore e kulturore jo vetëm kombtare por edhe ndërkombtare; pau nji përparim që prirej te përballimi dhe zgjidhja e anëve pak të njohuna ose të panjohuna të historisë, të letërsisë, të gjuhës, t’etnografisë e të folklorit shqiptar. Âsht paraqitja bâ lexuesve, e kryesisht studjuesve, i të gjitha atyne që mund të qiteshin në pah e që mund t’i nënshtroheshin nji diskutimi. Jo më kot ndër bashkëpuntorët e tij mbahen me të tjerë emna në shêj si prof. Norbert Jokl, Georg Stadtmüller e të tjerë si këta.
Edhe në ketë periudhë, vetëm tue përshkue disa tituj, tue zgjedhë simbas rasës, për mos me ra në nji rreshtim shterp titujsh, mund të kemi nji idé sidoqoftë të zbehtë të pasunisë së argumentave të trajtuem, ndër të cilët: “Atdheu e shteti në konceptimin katolik”, “Përsa i takon gjuhës letrare”, “Feudalizmi në Ballkan dhe efektet e tija gjatë sundimit otoman”, “Laicitet o bolshevizëm ?”, “Në prehnin e nanës trajtohen kombet”. Kurse familja përcaktohej, për çka âsht njimend, si shkolla e parë e fëmijës, dhe gjthashtu si krijuesja mâ me vlerë e kulturës. Përveç kësaj, për studimin e shpirtit të Shqiptarit, me shumë randësí janë “Valë mbi valë” dhe “Urti e burrni ndër banorët e Cemit” që kanë pasë si autor të paharruemin e të dijtunin Át Anton Harapi, vrá mizorisht prej komunistëve.
Komunizmi qe përballue papushim, tue vû në dukje gjithë kalbësinën e mbrendshme që gjindet në tê, e të së cilës kemi qenë dëshmitarë tue e pasë jetue atë njimendësí. Prandej nuk janë pak artikujt që i kundërvehen asaj propagandë në Shqipní me synimin që të ndriçohej opinioni publik, i mashtruem prej reflektimit mashtrues të nji mirëqenjeje të rrejshme.
Qendrimi i premë i Etënve Françeskanë kundër nji ideologjie që kthente n’asgjâ personalitetin njerzor, i pasqyruem në njmendësinë e vet ndër faqet e “Hyllit të Dritës”, përftoi pashmangshëm reagimin e menjihershëm e rranjësuer të regjimit komunist, që u vendos në Shqipní aty kah fundi i Luftës së Dytë Botnore.
Në 1944 do vû në dukje fjala e Át Anton Harapit, në të cilën bahet nji analizë e mprehtë e gjendjes në Shqipní n’at çast të caktuem, tue pasë gjithnji parasysh të mirën ma të naltë të Atdheut, jashta antagonizmave partish.
Sidoqoftë, përveç komunizmit, njiheri dënohet edhe nazismi. Më 1938 pushtimi i Austrisë, i ashtuquejtuni Anschluss nga ana e Gjermanisë naziste, shkaktoi reagimin e Gjon Kamsit me nji dënim të shprehun me artikullin “Austria ndrroi jetë”, njena ndër protestat e pakëta, në mos e vetmja, në shtypin shqiptar.
Tue vijue shikimin tonë të përgjithshëm âsht e kjartë se tradita katolike, e trajtueme gjanësisht me dokumentat e zbuluem në arkiva të ndryshëm, sidomos të Vatikanit e t’Italisë e nëpërmjet shkrimeve që anambraptas bâjshin historinë e Shqipnisë, ven në pah përbâsët e ndryshëm të nji baze kulturore katolike dhe prendimore të popullit shqiptar. Nji sprovë kemi te “Vepra arsimore e françeskajve në Shqypní në shekulln XVII”, “Vepra kulturore e katolikëve në Shqipní”, “Shtypi françeskan në Shqypní”, kurse në nji shkrim tjetër përballohet çështja e elementave fetarë në Shqipní.
Nji vend të dukshëm zanë arbëreshët. Kujtohet e shtrohet rishtas në vemendjen e lexuesit vepra e kaq arbëreshve që dhanë ndihmesën e tyne për ruejtjen e atyne vlerave shpirtnore, që banë të mundun mbijetesën e tyne në nji ambjent krejt të huej. Tekstet italo-arbëreshe të prof. Çabejt kanë qenë nji kontribut me vlerë në fushën e studimeve kushtue botës arbëreshe.
Nji monografi me shumë randësí, në faqet e kësaj reviste, qe “Për gjenezën e literaturës shqipe” të prof. Eqrem Çabejt e cila pat jehonë në botën e letrave.
Pranë saj mund të vemë “Fjalorin toponomastik” të Gelasius-it (pseudonim i Dom Nikollë Gazullit, shkencëtar i vrámë prej komunistëve), e mandej “Gjurmime të nji moji në Romë” e “Dorëshkrime të Bibliotekës Nacionale të Parisit” të prof. Filip Fishtës, studjues dhe gjurmues në shêj në lamën e albanistikës (i dënuem me burgim, ndër të tjera, për studimin “Kosova për historín e letërsín kombtare”). Prof. Athanas Gegaj, autor i “L’Albanie et l’invasion turque au XVe siècle”, botue në Louvain (Belgjikë) me 1937, i jep ndihmesën e vet studimeve skanderbegiane, sikurse bajnë edhe Át Gjon Shllaku (tjetër shkencëtar i pushkatuem prej komunistëve) dhe Át Rrok Gurashi (i burgosun prej komunistëve).
Gjithë kjo vepër atdhetare e Françeskanëve Shqiptarë pruni, në mënyrë të pashmangshme, kundërveprimin e menjihershëm dhe rranjësor të regjimit antikombtar komunist, posa ky e pushtoi vendin, me përkrahjen aktive të anmiqve të kombit shqiptar. Dhe nuk qe vetëm rasa e mbylljes së “Hyllit të Dritës”, kjo qe shoqnue me plojën e të gjithë bashkëpuntorëve të kësaj reviste, me nji humbje të pallogaritshme për kulturën e shkencën shqiptare, humbje që âsht e vështirë të ndreqet sot.
Erdhi koha e ringjalljes së Shqipnisë dhe në vjetin 1993, me nismën e françeskanit Át Zef Pllumi, fillonte rishtas botimi i kësaj reviste. U mendue se kohët e këqija kishin kalue, por nuk ishte ashtu. Erdhi 1997-a, vjeti i grushtit të shtetit komunist, që përgjaku e shkatrroi shtetin shqiptar. Kështu për të katërtën herë pushoi së botuemi “Hylli”, që kaq i kishte dhanë ringjalljes së kombit mbas pushtimit turk.
Në vjetin 2006, në vjetin e njizetegjashtë të jetës së vet, për të pestën herë kemi ringjalljen e kësaj reviste. U ringjall prej hinit të vet, sikurse Phoenix-i mitik, dhe e bani mbas 93 vjetësh, me gjith ndeshtrashat që e kanë përsjellë në jetën e vet, tue ndjekë të njajtin program dhe tue synue që nëpërmjet fesë, kulturës dhe dijes me i dhanë nji trajtë shpirtnore njeriut shqiptar tue qenë me të vërtetë Votër kulture shqiptare.
31 Tetor 2008
Shenjim:
Shkrimi i masipërm asht botue si parathanje e veprës së studjuesit W. Kamsi me titull: «Hylli i Dritës» 1913-1944. Bibliografí kronologjike, Botime Françeskane, Shkodër 2008.
Titulli Shtegtimi i «Hyllit të Dritës» asht redaksional, i përshtatun për sitin e revistës.
Publikue me 31 October 2008 ne http://www.hyllidrites.com
dhe me 11.01.2009 ne
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi