Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Viti i Nënës Terezë

Shko poshtë

Viti i Nënës Terezë Empty Viti i Nënës Terezë

Mesazh nga Agim Gashi Fri Nov 13, 2009 12:46 am

Viti i Nënës Terezë


Viti i Nënës Terezë U1_NeneTerezaNë 100 vjetorin e lindjes së Nënës Terezë, institucionet kosovare kanë vendosur të zhvillojnë një varg aktivitetesh në nderim të saj. Viti 2010 do të jetë i mbushur me aktivitete të ndryshme kulturore dhe shkencore dhe, sipas të gjitha gjasave, mund të ndodh që të vendosen eshtrat e saj, apo një pjesë e tyre, në altarin qendror të Katedrales Nëna Terezë në Prishtinë, ku do të kremtohet mesha e parë kushtuar asaj.

Nga Alfred Beka, Express

Viti 2010 mund të konsiderohet si vit i Nënës Terezë. kjo për shkak se është vit jubilar i saj, pasi që në këtë vit bëhen 100 vjet që nga lindja e saj. Për të nderuar figurën e Nënës Terezë, institucionet kosovare janë mbledhur së bashku dhe kanë premtuar se gjatë vitit të ardhshëm do të ketë një serë aktivitetesh kulturore dhe shkencore, që do t’i kushtohen nobelistes shqiptare.

Ministria e Kulturës tashmë ka themeluar Këshillin Organizativ që do të merret me organizimin e këtyre aktiviteteve, i cili përbehet nga përfaqësues të institucioneve të ndryshme. Anëtarë të këtij këshilli janë: Valton Beqiri, ministër, Xhavit Beqiri nga Presidenca e Republikës së Kosovës, Akademik Ali Podrimja nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Dr. Don Lush Gjergji nga Ipeshkvia e Kosovës dhe Dr. Jusuf Bajraktari nga Instituti i Historisë.

Ministri i Kulturës, Valton Beqiri, duke folur në takimin e parë të Këshillit Organizativ, tha se ky këshill është formuar nga Ministria e Kulturës, me përfaqësues nga Ipeshkvia e Kosovës, nga Instituti i Historisë, nga Akademia e Shkencave dhe Arteve dhe nga Presidenca, në mënyrë që bashkërisht t’i bashkërendojmë dhe koordinojmë të gjitha aktivitetet shkencore dhe kulturore që kanë të bëjnë me jetën dhe veprën e të madhes Gonxhe Bojaxhiu. “Ky është një përkushtim i yni që, në mënyrë institucionale, t’i qasemi kësaj figure, t’i qasemi të gjitha organizimeve që kanë të bëjnë me këtë figurë madhështore të kombit tonë dhe të tregojmë dhe dëshmojmë se shteti i Kosovës dhe gjitha institucionet tjera përkatëse të rëndësishme janë të interesuara që këto aktivitete të jenë në nivel sa më të lartë artistik dhe profesional”, tha Ministri Beqiri.

Ai shtoi se ky takim ka për qëllim vlerësimin e mundësive të të gjitha institucioneve tona kulturore dhe shkencore dhe koordinimin e tyre, në mënyrë që gjatë gjithë vitit të ketë aktivitete kulturore dhe shkencore. Ky Këshill organizativ, sipas tij, ka për qëllim që t’i jep koordinatat kyçe për aktivitetet që do të organizohen.

“Pra nuk dëshirojmë që ato aktivitete të lidhen vetëm me data të caktuara, qoftë të lindjes qoftë të lumturimit apo të datave të tjera të rëndësishme të jetës së Nënës Terezë, por dëshirojmë që këto aktivitete të zgjerohen gjatë gjithë vitit. Prandaj unë besoj se ky Këshill Organizativ do t’i bëjë vijat themelore të atyre aktiviteteve pastaj do të angazhohen edhe institucionet tjera të rëndësishme kulturore si Filarmonia e Kosovës, Teatri i Kosovës, Ansambli Kombëtar, Galeria, Muzeu dhe të gjitha institucionet tjera përkatëse dhe shkencore që t’i realizojnë këto programe, në mënyrë që nderimi për Nënën Terezë të jetë sa më i madh dhe sa më i mirë”, u shpreh Ministri Beqiri.

Ai tregoi gjithashtu se në takimin që ka pasur me ministrin e kulturës të Shqipërisë janë marrë vesh që t’i koordinojnë aktivitetet dhe në këtë mënyrë do të ketë aktivitete të ndryshme ku do të marrin pjesë institucionet nga dy shtetet shqiptare.

Don Lush Gjergji, përfaqësues i Ipeshkvisë së Kosovës, tha se me 10 dhjetor të këtij viti bëhen 30 vjet nga shpërblimi Nobel i Nënës Terezë. “Me 10 dhjetor të vitit 1979 Nëna Terezë e ka marrë çmimin Nobel për paqe dhe me atë rast ajo, para 1200 gazetarëve e tregoi edhe njëherë identitetin dhe personalitetin e saj, duke thënë ‘Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tim shqiptar’ etj. etj.” u shpreh Gjergji. Ai shtoi se 30 vjetori i marrjes së çmimit Nobel u paraprin ngjarjeve të tjera madhore për të nderuar Nënën Terezë.
Gjergji e vlerësoi Nënën Terezë si një pasaportë unike që e kemi ne. Ajo, sipas tij, është një letërnjoftim i yni, është një çelës universal që na e hap rrugën që gjurmëve të saj të paraqitemi si njerëz të paqes. “Paqja lind në mendje, kultivohet në zemër dhe shprehet nëpërmjet dashurisë”, tha Gjergji.

Ndërkaq, përfaqësuesi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve, Ali Podrimja, tha se për të Nëna Terezë do të thotë shumë. Sipas tij, shumë popuj do të dëshironin të kenë një nënë të tillë siç e kishim ne. “Madhështia e saj disi na ka pushtuar të gjithëve dhe besojmë se edhe manifestimet do të jenë në nivelin më të lartë sepse mbahen nën patronatin e Qeverisë dhe Ministrisë së Kulturës”, tha ai, duke shtuar se Nëna Terezë kohëve të fundit ka filluar të zë vend edhe nëpër antologjitë e ndryshme shqiptare si poete. Shpirti i saj, sipas Podrimës, arriti edhe në poezi. Ai tha se duhet të dimë se madhështia e Nënës Terezë është vërtet e madhe. “Kjo më së miri shihet nga fqinjët tanë, të cilët bëjnë përpjekje për të grabitur një nënë që nuk iu ka takuar atyre. Unë edhe pse jam i besimit mysliman jam krenar sepse ajo i takon gjakut tim, ajo i takon hapësirës sonë, ajo dikur ishte, si të them, ambasadore e parë e Kosovës”, tha poeti Ali Podrimja.

Ndërkaq, Jusuf Bajraktari, drejtor i Institutit të Historisë, theksoi se ky është një vit jubilar i një personaliteti të fuqishëm. “Në këtë mënyrë ne si institucion sigurisht se do të kujdesemi të marrim atë pjesën e barrës që do të na takonte. Do të jemi në shërbim të fuqizimit dhe vlerësimit të emrit dhe veprës së Nënës Terezë”, tha Bajraktari.

Eshtrat në katedralen Nënë Tereza

Në këtë takim u diskutua edhe çështja e kthimit të eshtrave të Nënë Terezës në Kosovë, apo edhe në Shqipëri.

Don Lush Gjergji theksoi se çështja e marrjes së eshtrave të Nënës Terezë, e cila u iniciua nga ana e kryeministrit të Shqipërisë, sipas tij, ishte një gjë shumë simpatike dhe shumë e çmueshme e një kryeministri të një shteti sikurse është Shqipëria. Sipas tij, Kryeministri Berisha ka shprehur një dëshirë të shumë qytetarëve apo edhe të gjithëve. Mirëpo, siç tha Gjergji, format e kërkesës nuk kanë qenë ndoshta aq të përshtatshme sepse, sipas tij, India sot për sot e konsideron Nënën Terezë si simbolin e saj.

Por ekziston edhe një formë tjetër. “Kërkesa që i bëhet nëpërmjet Selisë së Shenjtë, nëpërmjet Kongregatës për Kultin e Shenjtërve dhe Shenjtëreshave, vet Indisë por edhe më tepër nëpërmjet motrave të Nënës Terezë, të cilat janë kompetente dhe në këtë mënyrë kemi të drejtën kanonike që s’mund të na mohojë askush që të kemi eshtrat e saj”, tha Gjergji. Sipas tij, ndoshta nuk mund t’i kemi eshtrat në tërësi, që në terminologjinë kishtare quhen relikte, që do të thotë ajo çka mbetet nga trupi. “Ato do të jenë në katedralen tonë, në altarin qendror ku do të kremtohet edhe mesha e parë kushtuar Nënës Terezë në katedralen e saj dhe në shenjtëroren e saj”, shtoi Gjergji.

Po ashtu, siç tregoi ai, gjasat janë që gjatë vitit 2010 mund të ndodh edhe kanunizimi i Nënë Terezës, që është forma përfundimtare e shpalljes shenjt.

Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi