Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Alma Papamihali:Intervistë me Baki Ymerin

Shko poshtë

Alma Papamihali:Intervistë me Baki Ymerin Empty Alma Papamihali:Intervistë me Baki Ymerin

Mesazh nga Agim Gashi Tue Jan 13, 2009 10:47 am


Alma Papamihali:Intervistë me Baki Ymerin U1_AlmaPapamihali
Alma Papamihali
"LE TË SHKËLQEJË ÇDO SHQIPTAR ME SHEMBULLIN E TIJ!"
Mbretëria e fjalëve, mbështjellë me dritë!
Nga Alma Papamihali
Kohëve të fundit kam bërë disa intervista, ndër të cilat do të veçoja bashkëbisedimin me përkthyesin tonë Mazllum Saneja, apo takimin që kam patur me shkrimtarin tonë të madh, Ismail Kadare, në orën letrare në Mynih (2008). Gjithashtu edhe intervista e parë që ndërmora në këtë fillim/viti, është ndër ato që do ta quaja një mirënjohje ndaj njërit prej poetëve, përkthyesve, publicistëve, inteligjentëve dhe njerëzve të dalluar, siç është shqiptari me vlera të mëdha letrare, Baki Ymeri, i njohur kohëve të fundit si Asdreni i ditëve tona. Të shumtë janë ata që e njohin këtë njeri për virtytet e larta që e karakterizojnë, megjithatë, do kisha dëshirë të bëja një përmbledhje më të detajuar, jo vetëm për personin që i ka dhënë dhe i jep vazhdimisht vlera artit shqiptar, por edhe për përforcimin e urës së shëndetit ndërmjet dy vendeve, duke vendosur urën e pathyeshme të artit ndërmjet letërsisë shqiptare dhe asaj rumune.
Sipas dr. Luan Topçiut, Baki Ymeri është njeriu që shkriu jetën për historinë e shqiptarëve të Rumanisë dhe, mbi të gjitha, për poezinë, këtë dhuratë hyjnore, që e ka bërë dhe vazhdon ta bëjë të frytshme.
Sipas korrespondencës, kuptojmë se Bakiu është një burim i pashtershëm i energjisë shqiptare, shqiptari që di t’i verë në praktikë idetë, gjithmonë në shërbim të shqiptarizmit. Bakiu është shqiptari që shkruan për trimëri, lojalitet dhe besnikëri; i biri i një nëne të shenjtë që e qëndisi në zemër të Bukureshtit një sintagmë të shenjtë, qysh para 80 vitesh: Rroft Shqipnija ene na nimoft Perëndija! (1932). Ai është shqiptari që e ngriti flamurin shqiptar në çati të shtëpisë së tij, qysh para 40 vitesh (1968), po aty ku e pat ngritur edhe i ati i tij, në kohën e Mbretërisë Shqiptare (1942). Shtëpia e tij është më e vjetra në fshat, e bastisur dhjetra herë nga xhandarmeria jugosllave, e braktisur dhe e papërmbysur. Atë e mbajnë në këmbë hyjnitë ngaqë Bakiu është shqiptari i parë që tha se: Në malet e Sharrit fshihen perënditë e Shqipërisë (2001). Rrnoftë Shqipëria dhe na ndihmoftë Perëndia! Bakiu nuk është mbret, por është një mbretëri: mbretëria e fjalëve të mbështjella me dritë. Bakiu është Drita e Dardanisë, që militon për afirmimin e Kosovës në gjuhën rumune qysh para 35 vitesh (1973).
Sipas Riza Lahut (poet dhe pilot) “Bakiu është një mal i lartë, mbuluar me vetëtima”.
Së pari ju falenderoj nga zemra që ju përgjigjët ftesës së redaksisë sonë për këtë intervistë me vlera të veçanta, duke i dhënë mundësi lexuesit shqiptar për t’ju njohur edhe më nga afër. Meqënëse jemi në muajin Janar ,në fillimvitin 2009, Ju lusim për një mesazh të thjeshtë që do ti drejtonit lexuesve për këtë vit...
Alma Papamihali:Intervistë me Baki Ymerin U1_BakiYmeri
Lexuesit Tuaj dhe shqiptarëve ngado që janë u urojmë shëndet, lumturi dhe mbarësi. Uroj që lexuesit e Zemrës Shqiptare ta përjetojnë jetën sipas shijes së zemrës, duke i dhënë prioritet punës, dashurisë dhe atdhedashurisë. Shëndeti qëndron në punë. Kush punon, fiton. Edhe Zoti i do më shumë ata, që ia krisin gjumit të lodhur nga puna.
Siç e dimë nga biografia juaj, ju jeni rritur ndërmjet dy kultuarave, pasi nëna juaj është rumune dhe babai shqiptar. Duke qenë se jeni njohës i mirë i dy kulturave, a mund të na thoni cilat janë pikat e përbashkëta që keni mundur të dalloni në traditat e këtyre dy popujve dhe cilat janë karakteristika dalluese...
Fakti që vij nga një familje e përzierë për nga pikëpamja nacionale dhe konfesionale, më trimëron ngase krejt bota është e përbërë nga popuj, gjuhë, fe dhe kultura të ndryshme. Për pikat e përbashkëta që i identifikojmë të dy popujt do të bëj fjalë në kuadrin e pyetjes për ngjashmëritë në gjuhë. Ka një serë toponimesh të përbashkëta që ndërlidhen me shqipen në Rumani dhe rumanishten në Dardani. Janë do emërtime në veri të Danubit si Arbënash (fshat në rrethin e Buzëut), Arnaut, Fëntëna Arnëutului, Arnaut Bostan Dere, Boletin Vale, Rogova etj. Derisa serbët, bullgarët dhe rusët i kanë sllavizuar toponimet e lashta trako/ilire, shqiptarët dhe rumunët nuk i kanë prekur, ngase nuk kanë alergji ndaj toponimeve të huaja, ndaj feve të huaja apo ndaj gjuhëve të huaja. Një nga pikat e përbashkëta është sentimenti i mallit, prezent te të dy popujt.
Dhe është edhe një tjetër: Derisa Basarabia rumune ka qenë koloni e Rusisë, Kosova ka qenë koloni e Serbisë. Por kur vjen fjala për trimërinë, punët qëndrojnë më ndryshe. Derisa shqiptarët trima iu nënshtruan pushtimit osman për nga feja dhe emrat, rumunët i rezistuan asimilimit fetar dhe onomastik duke paguar taksa. Derisa shqiptarët thonë "Nuk kam frikë nga lufta", rumunët thonë: "Nu mi e frica de lupta", edhe pse frika nga lufta është ajo që na ndan. Pse! Ngase derisa nga njëmilionë rumunët e Luginës së Timokut, shumica janë serbizuar si pasojë e administratës shoviniste të Beogradit, nga dymilionë shqiptarët e Kosovës asnjëri nuk është serbizuar. Këto janë disa nga pikat që na ndajnë e bashkojnë, siç bashkohej Shqipëria me Rumaninë para dyndjes së sllavëve në Ballkan.
Si për çdo të mërguar jashtë vendlindjes, malli për vëndlindjen është i pashmangshëm, megjithatë meqenëse Ju i përkisni dy nënshtetësive, mund të themi që një pjesë juaja është në atdhe. Mbase kjo më nxit për tju bërë një pyetje nga fëmijëria juaj.
Me çfarë ndjesie rritet një fëmijë që i përket dy kulturave, dhe a favorizohet ai si njeri për jetën...
Alma Papamihali:Intervistë me Baki Ymerin U1_4
Atdheu është një dhuratë hyjnore, e përbërë nga Shqipëria e brendshme, Shqipëria e jashtme dhe Diaspora shqiptare. Edhepse atdheu im është Shqipëria e jashtme, kam ardhur në atdheun e mamasë sime për ta bërë më të njohur atdheun e babait tim, siç vepron Kadareja në Francë, edhepse ka kodra e kodra mes një malësori të Sharrit që jam unë, dhe shqiptarit më të famshëm në botë, që është Kadareja. Rumania përndryshe është atdheu i ëndërrave dhe poezisë. Ka një kohë të gjatë që jetoj këtu, që nga viti 1971 kur erdha për herë të parë, dhe që nga viti 1993, kur u vendosa përfundimisht në këtë vend. Nuk dihet edhe sa do qëndroj këtu, por dihet se një pjesë e jetës sime është në atdhe, sidomos fëmijëria dhe rinia, varfëria dhe pasuria. Varfëria e shqiptarit të rëndomtë që vuan në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri, dhe pasuria e nomenklaturës së atyre që ende nuk e kanë kuptuar se populli ka nevojë për standard europian dhe jo për mjerim ballkanik. Po qe se u përket dy kulturave dhe kontribuon për afrimin dhe afirmimin e tyre, dihet se je më i favorshëm, edhepse puna nuk është te përkatësia e përzjerë por te puna me vlerë. I favorshëm është ai që punon dhe ai që i përvetëson gjuhët e huaja, ngase gjuha e Europës është përkthimi.
Siç e dimë të gjithë, si Rumania ashtu edhe Shqipëria ka qënë shtete komuniste. Megjithatë po t´i shohim zhvillimet e fundit të të dy vendeve, vemë re se Rumania ka evoluar më shumë se Shqipëria në disa drejtime. Sipas mendimit tuaj, ku është ndryshimi ndërmjet dy vendeve dhe çfarë e ka favorizuar Rumaninë, kryeisht në zhvillimin politik...
Brengat ekzistenciale dhe varfëria në Ballkan e kanë bërë të veten edhe në kohën rilindësve tanë. Krahas një numri të panumërt korçarësh, kërçovarësh, dibranësh, tetovarësh, kosovarësh, edhe Ajvaz Voka i Shipkovicës emigroi në veri të Danubit për të siguruar ekzistencën (1928-1941). Ai emigroi për motive ekonomike, ne për motive politike, kulturore dhe sentimentale. Rumania gjatë periudhës së Mbretërisë ishte një nga vendet më të pasura të Europës, me një standard më të lartë se vendet e Skandinavisë. Mbreti i parë i këtij vendi, Carol I ishte me origjinë gjermane, por ai ua mësoi rumunëve krenarinë për të qenë rumunë, dhe dha kontribut për pavarësinë e këtij vendi siç dha sot kontribut Perëndimi për pavarësinë e Kosovës. Rumania është një vend resursesh të pashtershme, me gjithë shterjet e pareshtura që ia bënë komunstët dhe Bashkimi Sovjetik. Sa i përket zhvillimit politik (rumuno/shqiptar), nuk prononcohem derisa të vijë në pushtet gjenerata e “nomenklaturës” pa dosje të korrupcionit ekonomik.
Duke qënë se jeni një njohës shumë i mirë i dy kulturave dhe sidomos i letërsisë rumune dhe shqiptare, jeni i lidhur edhe me gjuhët e dy vendeve. A kanë të përbashkëta këto dy gjuhë me njera tjetrën...
Lidhjet linguistike rumuno/shqiptare përbëjnë një mrekulli të historisë. Fjalët më të vjetra dhe më të bukura që ia kanë këto dy gjuhë, duke filluar që nga fjala bukuri (buzë, qafë, gushë, kësulë, bung, gjemb, kopaç, sukë, pllaj, bredh, bardhë, kodër, katund, vatër etj..), vijnë nga një periudhë bimilenare e lashtësisë trako/ilire. Janë fjalë, që si ka asnjë gjuhë tjetër përreth trungut etnik të Rumanisë dhe Shqipërisë historike. Fjala është për rreth 100 fjalë të përbashkëta dhe rreth 150 fjalë të përafërta, të studjuara nga akademiku Grigore Brâncuş (shq. Brënkush), të cilat, së bashku me derivatet e tyre bëhen shumë më shumë. Kjo është ajo që na afron, substrati linguistik dhe elemente të panumërta, të përbashkëta, të historisë, etnologjisë dhe onomastikës. Psh., Krishtlindjeve rumunët u thonë Crëçiun (Crăciun). Sipas Çabejt, nga ky shqyrtim i çështjes del që rumunët emrin e kërshëndellave as kanë trashëguar prej latinishtes, e as e kanë marrë si huazim prej sllavishtes, po e kanë formuar ata vetë nga një fjalë e shqipes që do të thotë “cung druri, kërcu.
Rumanishtja ka fjalë që tingëllojnë më shqip se sa gjuha shqipe: kuzhinës rumanisht i thonë bukëtërie (bucătărie), ndërsa bukëpjeksit bukëtar (bucătar). Dhe vijnë një varg (mbi)emrash të përbashkët që i gjen të dy popujt (Dani, Deda, Dika, Duka, Daka, Blakaj, Ballaban, Banush, Bashota, Bala, Lala, Kraja, Tolaj, Cacaj, Mikle, Gjoka, Goga, Marku, Turku, Bujku, Haxhiu etj.). Sa i përket letërsisë, atë që mundohemi ta bëjmë ne e shpërblejnë të tjerët me një varg letrash e konsideratsh historike që na e përkujtojnë librin e Visar Dodanit “Memorjet e mija – kujtime nga shvillimet e para e rilindjes te kombit shqipetar, ndë Bukuresht” (Shtypëshkronja Albania, Konstancë, 1930). Derisa Dodani i botonte edhe letrat e veta me rilindësit tanë, ne do ti botojmë vetëm letrat e dashamirëve tanë në adresë të kontributeve tona. Titulli: Një jetë e shkrirë për shqiptarizëm, apo: Le të shkëlqejë çdo shqiptar me shembullin e tij!
Ju jetoni në Bukuresht. Sa ju pengon dhe sa Ju favorizon si krijues jeta e zhurmshme e metropolave tona!
Alma Papamihali:Intervistë me Baki Ymerin U1_1Bukureshti sipas legjendës është themeluar nga bariu Bukur (rum. Bucur). Sot e kësaj dite, gjendet në zemër të Bukureshtit Kisha Bukur (Biserica Bucur). Krishti ishte bariu i turmës, ne jemi bariu i fjalëve. Bariu Bukur nuk ishte shqiptar, dhe as Eminescu nuk ishte shqiptar, edhepse ky i fundit (poeti më i madh i këtij vendi) i admironte shqiptarët dhe thoshte se:
Gjuha shqipe sipas mendimit tim është gjuha më e zhdërvjelltë në botë.
Në kohën kur bëhej fjalë për gjuhët, dashamirët e tij theksonin se gjermanishtja është gjuha e filozofisë, ndërsa frëngjishtja gjuha e diplomacisë. Bukureshti sipas Lasgushit mban emrin më bujar të të folurit shqip. Në Bukuresht u themeluan shoqëritë e para shqiptare dhe u botuan rreth 30 gazeta dhe revista shqiptare (1887-1938). Këtu u themelua shtypshkronja e parë shqiptare (1886), u shtypën librat e para të Naimit, Samiut, Jani Vretos, Aleko Vançit, Asdrenit, Lasgushit, Kutelit e dhjetra rilindësve të tjerë. Në Bukuresht u krijua Hymni shqiptar (1907). Këtu u mbajt liturgjia e parë shqipe (1911), u qëndis Flamuri Kombëtar dhe u mbajt mbledhja historike, ku u vendos që Shqipëria të shpallet e lirë dhe e pavarur (1912).
Si të mos na favorizojë (dhe frymëzojë) kjo metropolë historike të cilën e zbukuron fjala e poetit, pa e marrë parasysh zhurmën e rëndomtë të metropolave europiane, apo varfërinë e një populli të varfër për nga xhepi dhe të pasur për nga kultura!
vojon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Alma Papamihali:Intervistë me Baki Ymerin Empty Re: Alma Papamihali:Intervistë me Baki Ymerin

Mesazh nga Agim Gashi Tue Jan 13, 2009 10:49 am

Një tjetër shqiptar dhe përkthyes i shquar i letrave shqipe, me të cilin fare mirë mund të bëja një analogji, është dhe z. Mazllum Saneja, i cili jeton dhe shkruan në Varshavë të Polonisë. A keni një vlerësim për këtë përkthyes shqiptar, i cili ashtu si ju, ja ka kushtuar jetën çështjes kombëtare dhe sidomos përhapjes së artit tonë në botë!
Alma Papamihali:Intervistë me Baki Ymerin U1_5Në Rumani, Kosovë, Shqipëri e gjetiu, njëri është i pasur e dinak, tjetri i varfër e i ndershëm. Këtë jemi duke e deshifruar gjatë komunikimit me nja dy matrapazë të pseudopatriotizmit që kanë ngritur vila me gjakun dhe djersën e kombit shqiptar.. Mazllumi është krenari kombëtare e Kosovës, ngase ka sakrifikuar kohën dhe shëndetin për afirmimin e Kosovës në gjuhën polake. Pa marrë parasysh mllefin që ka krijuar ndaj disa emrave me vlera të larta letrare, ky Njeri meriton të ndihmohet ngase përnga mundimet dhe sakrificat, shëmbëllen me ata që kanë derdhur gjak për çrobërimin e Kosovës nga kolonializmi serb. Një njeri që që ka sakrifikuar edhe shëndetin dhe tërë jetën e ka vënë në shërbim të afirmimit të gjuhës, letërsisë, shpirtit dhe qenies kombëtare shqiptare, që më në fund ka arritur ta afirmojë identitetin tonë kombëtar dhe kulturor në një hapësirë kulturore në shtetin e Polonisë, një vend me tradita të stërlashta qyteteruese e kulturore.
Çka duhet bërë për këtë Njeri! Këtë Njeri duhet ta ndihmojë Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës, jo vetëm me një Mirënjohje të nënshkruar, por edhe me një përkrahje simbolike financiare për këndelljen e shëndetit të brishtë dhe inkuadrim në bibliotekën e qytetit të tij.
Së fundi ju i keni kushtuar shumë kohë dhe antologjive. E veçanta e këtyre antologjive, për mendimin tim është harmonia letrare që ju arrini duke afirmuar paralelisht, krijuesit rumunë dhe shqiptarë.
Cili është qëllimi i këtyre antologjive dhe si janë pritur ato nga lexuesi rumun...
Misioni i antologjive është mëse fisnik: afirmimi i vlerave letrare, inkorporimi i shpirtit poetik në bibliotekat e sentimenteve letrare të epokës së globalizmit. Antologjinë e parë të poezisë shqipe në gjuhën rumune e ka botuar një kritik rumun me prejardhje hebraike (1959), siç e ka botuar një gjerman me prejardhje hebraike (Al. Grun) gazetën e parë shqipe në këtë vend (Drita, Brailë, 1887).
Që nga viti 2005 kemi botuar tre antologji kushtuar poetëve të Kosovës në gjuhën rumune: "Ishulli i pavdekësisë"," Bukuria e bukurive" dhe "Vullkani i durimit". Ideator i antologjisë së parë është dr. Sali Bashota, i antologjisë së dytë, poeti Jeton Kelmendi, ndërsa i antologjisë së tretë, autori i kësaj intervsite.
Në ndërkohë, falë inisiativës së Mardena Kelmendit, Thanas Gjikës, Vitore Lekës dhe Engjëll Koliqit, kemi pregaditur dhe botuar edhe katër antologji me mazhorancë shqiptare dhe minorancë të huaj: Altri Mondi, Tensione sentimentale, Ekzili i Shpirtit, Çelësi i shpirtit, ndërsa këto ditë del edhe antologjia Shpirti i fjalës, të gjitha të dinamizuara me parathënien briliante të poetit të famshëm shqiptar, Visar Zhiti.
Një meritë të veçantë për prezantimin e letërsisë shqipe në gjuhën rumune ka edhe dr. Luan Topçiu. Jehona e botimit të tyre është prezente në shtypin e shtypur dhe elektronik të të dy popujve. Në Rumani, përndryshe del numri më i madh i revistave letrare në Europë, dhe është fat i krijuesit shqiptar që e gjen veten edhe në këtë cep të bukur të Dakisë antike.
Aktiviteti juaj është shumë i gjerë dhe i larmishëm. Përveç se në letërsi ju jeni i pranishëm kudo që është fjala për çështjen shqiptare. Ç’mund të na thoni për vështirësitë që keni hasur në këtë drejtim...keni gjetur përkrahjen e duhur, apo duhet ende punë në këtë drejtim...
Vështirësitë mund të përballohen me punë dhe përkushtim artistik. Kur vjen fjala për antologjitë, na kanë përkrahur ata që kanë patur vullnet, mirëkuptim dhe mundësi. Nuk i potencojmë emrat e tyre për hirë të modestisë. Çdo ndihmë e destinuar për pregaditjen dhe botimin e librave është shkrirë për realizimin e këtij misioni fisnik. Kur vjen fjala për afirmimin e bijve dhe bijave të rilindësve tanë, apo të Kosovës sonë, na ka ndihmuar vetëm Zoti që na ka pajisur me shëndet, aftësi dhe përgjegjshmëri. Po të ishim matrapaz apo dallaverexhi, me një pjesë të përkrahjes për botimin e antologjive do ta termopanizonim garsonierën, apo do ta konsolidonim redaksinë e revistës Shqiptari. Fqinjët e mi, ata që na njohin, nga respekti ndaj nesh kanë filluar të mësojnë shqip. Po qe se s’besoni mund të jua jap numrat e telefonit të flisni me ta. Janë ata që bëjnë shaka me ne duke na thënë Albanezul netermopanizat (Shqiptari i patermopanizuar), apo Shqiptari që ua meson rumunëve alfabetin e atdhetarizmit shqiptar.
Në Rumani jetojnë disa prej fëmijëve të Rilindësve tanë. Mund të na përmendi ndonjë emër konkret të tyre!
Alma Papamihali:Intervistë me Baki Ymerin U1_2Në Bukuresht, sot e kësaj dite jeton Sofika Milkani e cila i piqte petë Asdrenit, sa herë që Bylbili i Drenovës shkonte në vizitë në shtëpinë e babait të saj që e kishte mik: Teodor Milkani. Në tavanin e shtëpisë së saj, sot e kësaj dite gjendet saçi me të cilin i piqte petë korçare poetit drenovar. Në Bukuresht jeton sot e kësaj dite Thanas Kristo Rëmbeci (Tanase Cristescu), një korçar i prekur nga flatrat e mençurisë, i cili u lind këtu dhe e flet shqipen si në Shqipëri. Xha Nasi ka kaluar moshën 80 vjeçare dhe është i biri i patriotit korçar, Dhimitër Kristo Rëmbeci, që ishte mik i ngushtë i Nikolla Naços, Visar Dodanit, Aleko Vançit, Thanas Kantilit, Asdrenit, Mitrush Kutelit. Në Bukuresht jeton sot e kësaj dite dr. Xhelku Maksuti, historian rumun me prejardhje kërçovare, themelues i Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë dhe i serisë së re të revistës Albanezul/Shqiptari me një traditë 121 vjeçare të botimit me ndërprerje (1888-1903+1993-2009). Dhe janë dhjetra bij e bija rilindësish, të cilët shuhen një nga një, pa e parë Shqipërinë, të zhuritur nga malli ndaj Shqipërisë.
Në vend të tyre, mjetet e qeverisë rumune të destinuara për komunitetin shqiptar i shfrytëzon një mashtrim ballkanik, një deputete rumune e cila është ngulfatur në parlament në emër të minoritetit shqiptar, e ka përvetësuar shkel/e/shko gjuhën shqipe dhe boton një fletushkë muri (Prietenul albanezului), sa për sy e faqe, sa për të mashtruar presidentë, ministra, gazetarë, senatorë, parlamentarë dhe elektoratin, gjoja se qenka shqiptare, edhepse as vetë nuk e din se çka është.
Për punën tuaj kolosale në fushën e artit, jeni nderuar dhe me një sërë çmimesh kombëtare dhe ndërkombëtare.
Cili është për ju çmimi dhe vlerësimi më domethënës që do donit ta përmendni...
Në vend të njëshit po përmend disa, duke i dhënë prioritet Institutit Bibliografik Amerikan dhe kronologjisë: një Çertifikatë e Kombeve të Bashkuara (për mbrojtjen e të drejtave të njeriut), e nënshkruar nga Zonja Ibrahima Fall (Bukuresht, 21 tetor 1994), një Mirënjohje e Rinisë Demokratike Shqiptare (e nënshkruar në Shipkovicë nga Bujar Adili, 27 nëntor 1997), një Mirënjohje e Institutit Bibliografik Amerikan (ABI), që na nominalizoi Njeriu i Vitit 2001, disa Diploma mirënjohjesh për bashkëveprim me Bashkësinë Kulturore të Shqiptarëve të Rumansië, për pjesëmarrje nëpër festivale të ndryshme etj.
Sipas këndvështrimit tuaj, cilat janë karakteristikat kryesore me të cilat duhet të jetë i veshur një shkrimtar, përveç talentit dhe vullnetit për të shkruar...
Atdhetari dhe qytetërim; punë, përkushtim dhe lexim; aftësi, përgjegjshmëri dhe ekuilibër; sinqeritet, moral ideal, dinjitet dhe karakter...
Momentalisht ku është përqëndruar angazhimi juaj! Cilat janë projektet Tuaja fisnike për të mbajtur gjallë shpirtin shqiptar në Rumani dhe diasporë!
Alma Papamihali:Intervistë me Baki Ymerin U1_3Në pregaditjen e një projekti me titull: Drita Shqiptare e Bukureshtit, në pregaditjen e një libri me artikuj për Kosovën, në ndriçimin e jetës dhe veprës së Ilia Dilo Sheperit dhe pasardhësve të tij, në pregaditjen e librit Shipkovica ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, në botimin e antologjisë "Shpirti i fjalës", në pregadtijen e antologjisë "Loti i Fjalës", në botimin e mëtejshëm të revistës Shqiptari.
Ju urojmë shëndet, punë të mbarë, suksese të reja, si dhe Ju falenderojmë për kohën e çmuar që na dhuruat me këto përgjigje kaq me vlerë dhe kuptimplote!
SHIPKOVICA
Pas pesëmijë vitesh
Nga Parajsa erdha ta shoh
Se si e prisni dritën në vatër
Dhe si i lansoni ëndërrat
Në zemër të Dardanisë
Kur Zoti ishte Zot
Që i ndëshkonte barbarët
Me zjarr e barot.
Fëshferimë yjesh
Thëllënxat shtojzavallet,
Engjëjt e librat,
Bishat e Vardishës
Dhe Përroi i Kishës.
Muret e shtëpive të vjetra
Porsi në çerdhe
E mbajnë frymëmarrjen
Qenje e gjallë
Historia hyn dhe del nga dyert
Bebzat i drejton tejmatanë Kalasë
Ngazëllimin e mban mes oborresh
Qetësi mbëlton mes shtatoresh
Shtëpi lidh mes shtëpishë
Mure lidh mes muresh
Sulltani na i ndërroi emrat
Por jo edhe shpirtin
Naimi e mban të pashuar dritën në vatër
Historia merr frymë
Ndërmjet mureve
Ajo i shpërlan teshat
Teshat e bardha presin
Çfarë hijeshie
Teshat e bardha flasin mes veti
Zjarri kënaqet në vatra
Njerëzit dëgjojnë ç’thotë era në mbrëmje
Muret dëgjojnë ç’thonë trëndafilat në mëngjez
Pasqyrat dëgjojnë çka thotë
Shëmbëlltyra juaj në mesditë
Teshat e bardha
Rrjedhin përmes shkumës së natës
Unë kthehem në zemër të Transilvanisë
Dardania e qëndis flamurin e Pavarësisë
Për njohje e jo për hatër
Qenje e gjallë
Historia ta pjek bukën në vatër
Baki Ymeri (2005)
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi