Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Suzana Kuqi: Nëntor – një urim i pazakontë

Shko poshtë

Suzana Kuqi: Nëntor – një urim i pazakontë Empty Suzana Kuqi: Nëntor – një urim i pazakontë

Mesazh nga Agim Gashi Sun Nov 15, 2009 1:31 am



Suzana Kuqi: Nëntor – një urim i pazakontë U1_SuzanaKuqiSuzana Kuqi





Nëntor – një urim i pazakontë





Retë e errëta të qiellit që vononte mëngjesin e asaj dite lëshonin një shi të shtruar e të dendur mbi çatinë e xhamtë të korridorit duke shumëfishuar trishtimin. U mbështeta pas murit dhe e kundrova një çast. Fytyra e Karmelinës me atë ngjyrë të mermertë në të errët që marrin fytyrat në një agoni të gjatë, i rezistoi pamjes së qiellit që hapej e zbrazej në tërë fuqinë e madhështinë e tij.”Mund të ma kishe kursyer këtë”, m'u ngrit si rënkim i pavullnetshëm ky mendim. “ Ke ditë që..., sikur edhe mbrëmë, kishe gjithë natën përpara...përse në turnin tim?” U shkëputa nga muri. Ndoshta zgjat deri në drekë, nuk do të jem më këtu... U bëra gati të hyja në dhomën tjetër duke i hedhur edhe një sy qiellit. Fytyra e Karmelinës u tret në të...


... Një pamje tjetër zuri vendin e saj. Një shteg i njohur të cilin e ndoqa pa nguruar derisa qëndrova përballë dy syve të dashur që më nënqeshnin nga një pllakë mermeri që lahej në shi... Shiu dhe lotët m'u mblodhën në grykë e më morën frymën.


Desha t'i ulërija qiellit...


Nga dhoma pranë mbërriti një e qarë burri. Nxitova, Erminio që i ka kaluar të njëqintenjëvjetët, qante me dënesë si një fëmijë me një dëshpërim që dukej i pangushëlluar.


- “Erminio, Erminio”!- i vura dorën mbi sup dhe e shkunda.


- “ Më vuri pistoletën këtu”,- përçartej i tmerruar mes lotësh duke vënë gishtin mbi tëmbthin e djathtë.- “Dy herë e shkrehu, dy herë...”


- “Qetësohu Erminio, nuk ka ndodhur gjë, janë të kaluara.”


- “Ashtu thua ti, por unë e dëgjova kur e shkrehu armën, dy herë...”


- “ Ke qenë me fat, arma nuk shkrepi, vetë ma ke treguar.


- “E di, por unë e dëgjova, këtu e dëgjova, ishte njësoj sikur...”


- “Mjaft, ngrihu të lahesh e shkojmë të hamë mëngjes!”- i them me ton. Funksionon gjithnjë me të, ka një oreks të hatashëm. Se mos vetëm oreksin, është shëndoshë e mirë si molla, do të vija firmën për të arritur të njëqintat në gjendjen që është ai. E ndihmova të vishej e sytë më shkuan në çertifikatën që mban të varur në mur ku dëshmohet se ka qenë partizan. Pas të njëqintave, copëza nga tmerret e luftës kthehen dhe e torturojnë sërish si ajo pistoletë gjermane kur e kishin kapur rob. Kish qenë me fat, arma nuk kish shkrepur...


Sërish ajo pllakë varri që qielli e lan me lotët e tij...


Erminio i ligështuar nga kujtimi i porsa përjetuar zvarris këmbët ngadalë... e unë që e ndjek pas, ndërsa shiu më ndjek mua....


Shiu lan varrin sepse nuk ka mbetur kush atje për ta larë. E fillon nga lart, në fillim mermerin e bardhë, pastaj fotografinë e arrin në shkronjat e numurat. Ndalet pak në datën e lindjes...


Më vjen t'i ulërij qiellit. Sot duhej të kishim festuar ditëlindjen e tij, sot do ta kishim rrethuar me dhurata dhe urime... Sot... sot... sot... nëse...


Erminio ka pushuar së qari, sytë i ka pak të skuqur por është i përqëndruar në tasin e tij me qumësht kafe. Për të ka filluar dita, edhe se duket njëlloj si ditët e tjera... është një ditë më shumë që i zhvat kësaj jete. Pas pak bën njëqintedy, e jam e sigurtë se do t'i bëjë.


Do të bënte shtatëdhjetë e dy... Si do të ishte shtatëdhjetëedyvjeçar? U mundova t'a përfytyroja por nuk munda. Qielli më kthente po ata flokë që sa kanë filluar të stisen me pak argjend në tëmbla, po ata sy të bute e të ngrohtë, po atë nënqeshje të një burri ende të ri e... një dashuri të pakufi.... Tridhjetenjë vjet nga ajo ditë. Koha nuk ka mundur të ndryshoje asgjë.... veç dashuria e tij është rritur pa kufi...


Lë Erminion e hy sërish tek dhoma e Karmelinës. Jemi porositur ta kontrollojme herë pas here që të përcaktohet e shënohet saktë ora e ... Frymëmarrja i është rënduar, gjoksi i ngrihet dukshëm e me mundim sa herë që merr frymë. Ka ditë që as ha e as pi. Lag një garzë dhe i njom buzët. Ajo hap pak sytë e më shikon.Sa larg duket vdekja në atë shikim mirënjohjeje.Vazhdoj t'i lag buzët edhe se kjo nuk ja lehtëson gjendjen e cila rëndohet gjithnjë e më shumë. Më thërriste shpesh “gëzim”. I përkëdhel flokët, është më e fortë se unë ky instinkt, edhe se mundohem të mos afeksionohem me të moshuarit sepse pastaj vuaj kur ata..., nuk arrij. Kur i lajmëruan djemtë e saj ishin të dy jashtë qytetit. “I pret”, mendova, “ndaj nuk i del shpirti”. Rënkimi u bë më i gjatë dhe më zgati dorën. Ndjeva ngërçin e shtërngimit të saj dhe lotët e shiut mbi xham. Ditë lindje, ditë vdekje... U përkula dhe i pëshpërita një urim për dikë që ajo nuk e kishte njohur në jetën e saj.


-” Coja”, - ju luta me lotë në sy dhe e putha në ballë.





Në të mbaruar të turnit shiu kish pushuar. Zemra e Karmelinës gjithashtu. Tek porta e oborrit ndesha një nga djemte e saj që sapo kish mbërritur. Zemërimi për atë pritje zemër nëne dhe për atë ... varr që vetëm qielli kish mbetur ta lante m'u mblodh në krahëror. Ua dhashë këmbëve e desha të ikja pa e përshëndetur.


- “Mos ju quajnë...”


Mbajta këmbët e pohova me kokë. Nga xhepi nxorri një kuti të vogël e ma zgjati.


- “Nëna më porositi ta blija për ty para një jave. Sot në mëngjes u kujtova, e bleva në Milano.”


Shikoja e befasuar atë dorë të zgjatur dhe kutinë e bukur të parfumit të manushaqeve. Ajo e dinte që mua më...


Të lutem! Nëna nuk është më, është njësoj sikur ta dhuron ajo.”


E mora duke mërmëritur një faleminderit e një ngushëllim. E ndoqa me sy tek drejtohej kokëulur nga dhoma mortore ndërsa nga dritarja e katit të dytë erdhi zëri i Erminios që këndonte një këngë gazmore. E kisha dëgjuar edhe një herë tjetër, i biri nuk e kish besuar kur ja kishim treguar. “Nuk e kam dëgjuar kurrë në jetën time të këndoje tim atë”, kish thene ai. Vura buzën në gaz, atë ditë që këndonte, Erminio kish thënë se do të martohej. Sipas tij, ne të gjithë ishim dëshmitarë të martesës së tij. Pranë karrikes së tij, mbajti një tjetër bosh gjithë pasditen, sepse aty do të ulej prifti që do ta kurorëzonte. Priste atë dhe nusen. Rastësisht një prift ishte dukur atë pasdite, por nusja... e shoqja kish vdekur shumë vjet më parë, ndërsa ai e priste me atë shkëlqim të bukur djaloshar në sy... E çuditëshme kjo jetë, gjithshka ndryshon me kohë, me moshë njerëzit plaken e mpaken, zvogëlohen... dashuria që mbajnë në zemër bën të kundërtën duke na shoqëruar deri në fund... Fund!? Ku është fundi... Zot? Padashur ngrita sytë lart. Ju gëzova rrezeve të diellit, qielli ishte i pastër me ndonjë re të bukur të bardhë aty këtu. Një çast shkëlqeu vegimi i një varri që i la vendin dy syve që më shikonin me përkujdesje e dashuri. Kish qenë gjithnjë aty, sepse kish qenë gjithnjë brenda meje, pjesë e gjakut e shpirtit, e kujtimeve e mendimeve të mia... ajo pjesë që gëzohet e hidhërohet me mua. E do të vazhdojë të jetë, paçka se atë varr ka mbetur vetëm shiu për ta larë.... ashtu siç do të vazhdojë të jetë Karmelina për bijtë e saj edhe se nuk mundën t'i vinin atë çast... Një erë e lehtë rrëzoi disa gjethe, të tjerat në degët e pemës fëshfëritën në kor një himn dashurie.


Të dua dhe unë baba”,- pëshpërita.



Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi