Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Enver Bytyçi:Pas pavarësisë kanë ndryshuar interesat politike

Shko poshtë

Enver Bytyçi:Pas pavarësisë kanë ndryshuar interesat politike Empty Enver Bytyçi:Pas pavarësisë kanë ndryshuar interesat politike

Mesazh nga Agim Gashi Mon Nov 16, 2009 11:55 pm

Pas pavarësisë kanë ndryshuar interesat politike

Enver Bytyçi
Interesat dhe pragmatizmi prakticist i votuesve

Të dielën Kosova voton. Madje ajo do të votojë atë qeveri, e cila do të jetë drejtpërdrejt bartëse e halleve, shqetësimeve dhe problemeve që kanë qytetarët. Fushata zgjedhore është mbyllur dhe subjektet politike si dhe kandidatët presin verdiktin e votuesve. Në të vërtetë këto zgjedhje vendore në Kosovë do të dëshmojnë më realisht se çdoherë tjetër hartën politike të vendit. Lidhja midis besimit reciprok qytetar-politikë do të mund të pasqyrojë një realitet të saktë. Në literaturën politike njihet fenomeni i gabueshmërisë së zgjedhësve në dhënien e besimit përmes votës. Në tri raste ata mund ta hedhin votën e tyre gabim: - Kur detyrohen më dhunë të votojnë për një subjekt politik, - kur sundon një klimë politike euforike e mashtruese në premtimet që jepen dhe - kur mungon pjekuria politike e votuesve. Të tre këta faktorë e nxjerrin votuesin jashtë realitetit, e bëjnë atë që të gabojë në votim dhe për pasojë të zgjedhë në drejtimin e punëve të shtetit (në rastin konkret të qeverisjes vendore) njerëz të padevotshëm. Shkurt, nëse votuesi nuk i sjell interesat e tij në harmoni me bindjen politike, atëherë ai gabon kur e jep votën e tij.
Në Kosovën e parapavarësisë është votuar pak a shumë "nën diktatin" e euforisë së zgjidhjes politike dhe statusit të saj. Nga viti 1991 e deri më 2007 votimi ka shkuar te ai, të cilit i është besuar çlirimi prej robërisë serbe ose arritja e shtetit të pavarur. Në Kosovën e sotme ky emocion gati është tejkaluar. Në të vërtetë politika është munduar gjatë fushatës që ta emocionojë votuesin me "domosdoshmërinë e ndërtimit të shtetit". Por qytetarët duket se nuk kanë më atë interesim si dikur për "çështjet madhore" të shtetit apo të vendit.
Ndaj dhe raporti i besueshmërisë midis zgjedhësve dhe kandidatëve për t'u zgjedhur ka ndryshuar koordinatat e saj. Janë tashmë problemet praktike ato që do ta përcaktojnë rezultatin e këtyre zgjedhjeve. Nuk do të jenë premtimet milionëshe ose miliardëshe, ato që do ta inspirojnë qytetarin e Kosovës për ta dhënë votën e tij. Nuk do të jenë mburrjet politike për zgjidhjen e problemeve të mëdha, ato që do ta angazhojnë votuesin. Votuesit jomilitantë do të votojnë për kandidatët që kanë dhënë më shumë besim, që janë shfaqur më realistë e më bindës për ato që ata ka thënë e premtuar.
Fushata elektorale ka vijuar në përgjithësi e qetë, pa eksese, në rast se veçojmë reagimin e pamatur të disa të rinjve në Deçan. Megjithatë kam përshtypjen se disa imitime të fushatave elektorale në Shqipëri i kanë dhënë fushatës frymë autoritariste të tipit: "Unë ju jap gjithçka", por me kushtin "nëse votoni për kandidatin tim". Kjo lloj fushate mund të zhvillohej për qeverisjen qendrore, por jo edhe për qeverisjen vendore. Në zgjedhjet e përgjithshme natyrshëm lindin modele të tilla të të bërit fushatë, sepse qeveria që krijohet është një dhe vetëm një. Ndërsa Kosovës i duhet të votojë në këto zgjedhje për 36 qeverisje vendore.
Ndaj dhe efektet e një fushate të tillë do të ndikojnë në të kundërtën e vet. Nëse kujtojmë këshillën e Euripidit, sipas të cilit "Kur e drejta tejkalohet, ajo kthehet në të kundërtën e saj", atëherë do të kujtojmë dhe faktin se të bërit fushatë të këtij lloji mundet të dëshmojë një ndikim në të kundërtën e vet. Ndoshta në këtë paraqitje të PDK-së dhe AAK-së duhen kërkuar njëkohësisht rrënjët e ngjarjes së Deçanit.
Nga ana tjetër zgjedhësit në Kosovë janë ndryshe nga zgjedhësit në Shqipëri. Kam bindjen se në Kosovë shqiptarët kanë më shumë pjekuri politike, ata i besojnë më shumë urtësisë dhe aftësisë profesionale dhe intelektuale. Intuita politike e zgjedhësve në Kosovë është më e zhvilluar sesa ajo e zgjedhësve në Shqipëri. Interesat e komunitetit në raport me ato individuale, klanore e parciale kanë më shumë përparësi në Kosovë sesa në Shqipëri. Në Kosovë prakticizmi pragmatik është më i zhvilluar sesa në Shqipëri. Për pasojë dhe ndërthurja e interesave është më evidente. Edhe për këto arsye imitimi i fushatave elektorale që janë zhvilluar në Shqipëri mund të rezultojë joproduktiv. Radikalizimi i procesit zgjedhor në Kosovë i largon zgjedhësit. Ndoshta edhe kjo do të ndikojë jo pak në indiferencën e pjesës së atij elektorati, i cili nuk do të votojë. Një fushatë deri diku e elektrizuar, çfarë ishte kjo e fundit, duket se nuk i vetëdijëson qytetarët për përgjegjësinë e votës së tyre.
Megjithatë më shumë konflikti i interesave sesa militantizmi politik do ta përcaktojnë rezultatin e së dielës. Filozofi i shquar L. Feund shkruante se "Interesi përcakton nëse një kauzë, një situatë e caktuar ose një person duhet apo urrehet, pëlqehet ose refuzohet, nëse pro apo kundër tij votohet". Interesi i përgjithshëm mbetet zhvillimi i lirisë së individit dhe grupeve të interesit. Ato parti politike dhe ata kandidatë që kanë shpalosë këtë prirje do ta ketë shansin që të fitojë më shumë vota. Partitë politike dhe kandidatët, të cilët kanë tentuar të imponohen do mund ta humbin këtë shans. Kosova mbetet model i disiplinës politike dhe si e tillë ajo do të japë të dielën verdiktin e saj për atë kandidat dhe ato parti politike që kanë dëshmuar se janë të përkushtuar për zgjerimin e lirisë qytetare. Sa më e madhe të jetë pjesëmarrja në votime, aq më e vlerësuar do të jetë edhe fushata zgjedhore.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi