Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

AKTET GJENOCIDALE Prof.Dr.Sabile Çekmezi-Basha:TË UDB-SË NDAJ TË BURGOSURVE POLITIKË Shqiptarë

Shko poshtë

AKTET GJENOCIDALE Prof.Dr.Sabile Çekmezi-Basha:TË UDB-SË  NDAJ TË BURGOSURVE POLITIKË Shqiptarë Empty AKTET GJENOCIDALE Prof.Dr.Sabile Çekmezi-Basha:TË UDB-SË NDAJ TË BURGOSURVE POLITIKË Shqiptarë

Mesazh nga Agim Gashi Mon Nov 23, 2009 11:54 pm

AKTET GJENOCIDALE TË UDB-SË NDAJ TË BURGOSURVE POLITIKË Shqiptarë


AKTET GJENOCIDALE Prof.Dr.Sabile Çekmezi-Basha:TË UDB-SË  NDAJ TË BURGOSURVE POLITIKË Shqiptarë U1_SabileKecmezi-Basha

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Në këtë studim do të japim disa nga rastet drastike dhe disa akte më gjenocidale që i zbatonte UDB-ja dhe udbashët, e që ishin më të shpeshta ndaj të burgosurve politikë shqiptarë. Ato dëshmojnë se qëllimi i fundit i tërë kësaj ishte zhdukja dhe shfarosja fizike e kombëtare e kësaj popullate. Pothuajse të gjitha rastet e tilla ishin dukuri. Shqiptarët, kudo që ishin dhe kudo

Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

që vendoseshin nëpër burgje, kishin të njëjtin trajtim, posaçërisht nga joshqiptarët.

Aktet gjenocidale ndaj të burgosurve politikë shqiptarë, nuk janë vetëm të dhjetëvjetëshit të fundit të shekullit XX. Mjerisht, e tërë kjo zgjat me shekuj, por në forma të tjera, në mënyra e me mynxyra të mbuluara. Kështu, dhuna mbi popullin shqiptar vijon pandërprerë. Në vitet 1981-1989, rritet statistika morbide e të burgosurve. Në këto kushte me dhjetëra anëtarë të organizatave ilegale e kanë pësuar nëpër burgje. Me qindra kanë mbetur invalidë të përjetshëm, ndërsa me qindra familje janë bërë qytetarë inferiorë, sepse përmes torturës shpirtërore mbi ta, bëheshin edhe trajtime makabre, deri në shkallë vdekjeje ose gjymtimit fizik.[1] Fillohej me aktin e arrestit, të burgimit në hetuesi. Masa që ushtroheshin gjatë kësaj procedure ishin keqtrajtimet fizike e psikike. Të arrestuarit në këto trajtime e pësonin aq shumë, saqë edhe dëshmitë më rrëqethëse janë tepër të varfra për ta pasqyruar tërë gjenocidin që ushtrohej mbi këta patriotë. Pesë dekada të Jugosllavisë socialiste ishin vite gjahu mbi shqiptarët. Metodat që përdoreshin nëpër qelitë e burgjeve, me gjasë, nuk mund të hasen as në vendet më raciste në botë. Por, nuk do të ndalemi në këto. Udbashët udhëhiqeshin me sintagmën e njohur: “Qëllimi arsyeton mjetin”, andaj për ta ishte i lejueshëm çdo mjet, vetëm e vetëm që të bënin shpëlarjen e shpirtit e të trurit nga historia dhe ideologjia. Askund në botë nuk ka ndodhur që policia të shkonte si në teatër për të ndëshkuar “të planifikuar për krim”.

Aktet gjenocidale, vetëm se në mënyrë më perfide e në vazhdimësi, u kryen te të gjithë anëtarët e organizatave ilegale shqiptare që u zbuluan. Pas zbulimit të Komitetit Nacional Demokratik Shqiptar, pushteti serbosllav i dënoi udhëheqësit e tij me pushkatim: Halim Spahiun, Tahir Dedën, Kajtaz Ramadanin, Rexhep Kabashin, Rifat Krasniqin, ndërsa shumë të tjerë u mbyllën me burgje dhe u dënuan me vite marramendëse.[2] Një vit më vonë zbulohet grupi tjetër i po kësaj organizate. Udhëheqësit e tij: Hysni Rudi, Mehmet Bushi (që të dy oficerë me akademi të mbaruar), Azem Morana, Halim Orana (juristi i parë në Gjilan), dënohen me pushkatim.[3] Më 26 korrik 1946, nën udhëheqjen e patriotit Gjon Serreqi, organizata konsolidohet dhe ndërkohë mban Kongresin e Pestë të NDSH-së në vendin e quajtur Blinajë (Mali i Lipovicës). Një vit më vonë zbulohet edhe ky aktivitet, shumica e udhëheqjes burgosen. Gjykimi i tyre mbahet në Gjimnazin e Prishtinës “Sami Frashëri”. Me pushkatim dënohen: Gjon Serreqi, Ajet Gërguri, Ukë Sadiku dhe Osman Bunjaku. Prokuror i krejt kësaj ishte, kush tjetër – Ali Shukrija.[4]

E frymëzuar nga Gjon Serreqi, më 1948 u formua organizata e re e KNDSH-së, por edhe kjo u zbulua dhe shumë anëtarë të saj ranë në burg dhe kurrë nuk dolën prej tij. Më 1950 u zbulua grupi i Metush Krasniqit, patriot i shquar. Në bazë të aktakuzës nr. 112/62, mësuesi Shaban Shala, në shtator të vitit 1960 formoi grupin politik me emrin “Organizata Nacional Demokratike Shqiptare”.[5] Kryetar i saj u zgjodh Shaban Shala.

Më 1958 për herë të parë bie në burg Adem Demaçi,[6] ndërsa gjashtë vjet më vonë ai formon organizatën ilegale “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”.[7] Po në këtë periudhë veprojnë dhjetëra grupe politike atdhetare, formale e joformale, të cilat ishin të liruara nga hipotekat e organizatave të vjetra politike. Në krye të këtyre grupeve politike, të cilët u burgosën në intervale të ndryshme, gjatë kësaj periudhe dalloheshin: Kadri Halimi, Hyrie Hana, Ali Aliu, Rexhep Abdullahu e shumë të tjerë. Zbulohet grupi i Kadri Osmanit “Grupi Revolucionar” (1969).[8] Për herë të dytë burgoset Adem Demaçi, zbulohet organizata ilegale e tij dhe bien në burg shumë ilegalë anembanë Kosovës e jashtë saj.

Me kohë, armiqtë e përbetuar të shqiptarëve, udbashët, filluan një nga një t’i zbulonin organizatat ilegale. Nëpër burgjet jugosllave, shqiptarët, të dënuar politikë, filluan të bëheshin shumicë. Edhe pse pushtetmbajtësit trumbetonin se shqiptarët, si popull, në këtë shtet qenkan pakicë kombëtare, burgjet e dëshmonin të kundërtën. Shqiptari, të cilit i ishte suprimuar liria në mënyrë represive, ishte qenie e shqetësuar. Mirëpo, në të vërtetë të shqetësuar, madje edhe të mjerë, ishin ata që këtë popull e robëronin. Individi, njësoj si kolektiviteti, mund të privohet nga liria, që me fjalorin e dhunës do të thotë se mund të burgoset. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se me burgosjen e qenies fizike të njeriut, burgosen edhe qenia e tij mendore, ideja dhe vullneti për liri. I robëruari do të bëjë çmos për t’u çliruar, robëruesi, nuk do të kursejë asgjë nga arsenali i dhunës për të ruajtur gjendjen robëruese, për ta kufizuar, për ta ndrydhur e për ta ngulfatur lirinë. Forcë pozitive ishte ajo e popullit shqiptar dhe e organizatave ilegale që përpiqeshin të liroheshin nga robëria, por forcë (natyrisht, negative) ishte edhe ajo e shtetit që kufizonte lirin në çdo shteg. Mirëpo, duke e kufizuar lirinë e popullit liridashës, ata vetë kufizoheshin, vetëmohoheshin...Këto procese dalëngadalë e asgjësonin fuqinë dhe forcën e robëruesit. Nëse është kështu, e kështu është, atëherë mund të themi se populli shqiptar, i “determinuar” si popull i ndarë dhe jo i lirë, doemos duhet të jetë i lirë. Ndërkohë, ata që s’mund ta mendojnë qenien shqiptare të lirë, aq më pak të bashkuar, si gjithmonë, do të mundohen me dhunë e me arreste ta pengojnë lirinë dhe bashkimin e plotë të shqiptarëve në këto troje. Për këtë arsye përdorën një seri metodash gjenocidale, vetëm e vetëm që ta shkokëlonin shqiptarin nga gjakimi shumëshekullor.

Vuajtja, dhembja e individit nuk vinte nga arsyeja vetjake, nuk vinte nga uni i tij, por nga vuajtja e madhe e vetë popullit shqiptar në përgjithësi, nga oktapodi serbo – sllav dhe gjenocidi i egër që ushtronin mbi këtë popull. Nëpërmjet akteve gjenocidale, udbashët zbulonin diçka të tmerrshme e shqetësuese, nëpërmjet dhunës zbulohet realiteti fizik, etnik, social dhe politik, ndryshe nga tendenca shfarosëse kombëtare.

Kundër të burgosurve politikë shqiptarë shumë akte gjenocidale i zbatoi vetë shteti (kjo do të thotë se gjenocidi ndaj popullit shqiptar ishte i organizuar në mënyrë institucionale), i zbatuan organet kompetente dhe UDB-ja, që ata i merrnin në trajtim. Format më të shpeshta të praktikës represive ndaj të burgosurve politikë shqiptarë kanë qenë:



Transferimi i të burgosurve politikë shqiptarë nga burgjet e Kosovës



Duke filluar që nga Sllovenia, Stara Gradishka, Zenica, Sremska Mitrovica, Beogradi, Nishi, Pozharevci, Idrizova e shumë vende të tjera anembanë ish-Jugosllavisë. Shqiptarë të dënuar politikë, burgun e vuanin në burgjet më famëkeqe dhe më të largëta. Kjo ishte forma më barbare, që ndikonte edhe te të burgosurit edhe te familjet e tyre, si në aspektin e shpenzimeve materiale, ashtu edhe në atë psikik e fizik të vizitorëve. Ndodhte që, mu për shkak të largësisë, të burgosurin me muaj (ndonjëherë edhe me vite) të mos e vizitonte askush. Ish i burgosuri politik, Binak Ulaj, për pesë vjet, sa ka vuajtur burgun, për shembull, vetëm një herë e kishte vizituar nëna plakë.[9] Ai, duke i parë mundimet e nënës, kishte kërkuar nga ajo që më të mos e vizitonte. Udhëtimi i largët, ndërrimi i njëpasnjëshëm i automjeteve (treni, autobusi etj) dhe shkuarja në një qytet të panjohur, ishte një golgotë e vërtetë, ndërsa kaptinë më vete ishte edhe vetë akti i vizitës. Ndonëse në shumë burgje, me rregullore vizitat ishin të parapara të zgjasnin 30 minuta,[10]për shqiptarët ato shkurtoheshin dhe zhvilloheshin në praninë e gardianit, i cili njëherësh ishte edhe përgjues. Vizitorët ishin të detyruar të flisnin në gjuhën serbe, kurse shumë nga ta nuk e dinin këtë gjuhë, andaj detyroheshin që të ktheheshin pa e parë të burgosurin. Rasti më flagrant ishte kur më 28 janar 1965, Adem Demaçi i kishte shkuar për vizitë nëna. Ajo, për shkak se nuk e dinte gjuhën serbe, kishte qenë e detyruar që të kthehej në shtëpi pa e parë kurrë të birin. Pas një kohe të shkurtër kishte vdekur, duke i thënë së bijës Ajshes “Ç’më vyen më jeta, kur nuk më lanë ta shoh djalin tim”.[11] Ose në një rast tjetër sikur donin që grilat e burgut të futeshin edhe në kokën e fëmijës së vogël. Është ky rasti i bijës së vogël të Hydajet Hysenit, e cila e kishte vizituar babanë në burgun e Beogradit. Këtyre u ishte lejuar vizita, por vetëm nëpërmjet grilave, kur ai kishte qenë në gjendje shumë të rëndë shëndetësore, si pasojë e torturave. Ai tregon se fare nuk i kujtohet të ketë pasur vizitë. Vajza e vogël ishte tmerruar. Hydajeti më vonë kishte bërë ankesë dhe kërkesë “që vizitat, së paku kur vijnë fëmijët, të bëheshin në kushte normale, në dhomën e vizitave të rregullta”.[12] Mirëpo, kërkesa nuk ishte miratuar. Qëllimi dihet, ata donin t’i shkatërronin jo vetëm të burgosurit, por edhe të afërmit e tyre.
Trajtimi i mbyllur




Të burgosurit shqiptarë, sapo vinin nëpër kazamatet jugosllave, menjëherë i nënshtroheshin trajtimit të mbyllur, fare nuk kalonin në sektorin e pranimit (karantina). Kështu shkelej neni 97 i LEASP-it.[13]E tërë kjo kishte për qëllim presionin e vazhdueshëm kundër bindjeve të tyre politike. “Në funksion të qëllimeve të synuara ndaj të burgosurve, të vendosur në repartin e mbyllur, është zbatuar një varg masash të kundërligjshme, të cilat lanë gjurmët e tyre në shëndetin tonë fizik e psikik,[14] rrëfen Nezir Myrtaj, në ankesën drejtuar Sekretariatit Federativ të Judikaturës dhe Administratës së Përgjithshme në Beograd, përmes SHNP-së- Zabella të Pozharevcit.

Ndodhte që i burgosuri të ishte i sëmurë rëndë, por kjo nuk luante rol, ai edhe në këtë gjendje shëndetësore mbahej në vetmi, ku mungonte ndihma mjekësore. Ndërkaq, shumë të burgosur të tjerë, si pasojë e kushteve dhe e presioneve, pësonin sëmundje të ndryshme fizike e psikike. Si rast më tipik i këtij presioni është ai i Ibrahim Krasniqit, të cilin pas një kohe nga burgu e nxorën të vdekur. Të ndjerin deri në fund e kishin mbajtur me këtë trajtim, pa i ofruar as ndihmën më të vogël mjekësore.[15] Këtë mënyrë të vuajtjes së burgut e kanë kaluar të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë, prandaj shumë nga ta kanë pësuar trauma psikike. Shumë të burgosur të tjerë janë operuar për shkak të sëmundjeve që i pësonin në këto biruca. Për sëmundjet e lehta e të zakonshme, as të mos flitet, ngase është vështirë të gjesh ndonjë të burgosur politik shqiptar që nuk ka vuajtur nga reuma, nga dëmtimi i të parit, nga sëmundjet e organeve të tretjes, të frymëmarrjes etj.

“Cimerë” të të burgosurve politikë shqiptarë edhe kriminelë, psikopatë dhe të sëmurë nga sëmundjet ngjitëse




Akti tjetër i keqtrajtimit të të burgosurve shqiptarë ishte vendosja e tyre nëpër qelitë e burgut me persona problematikë, që në të shumtën e rasteve ishin të sëmurë patologjikë, kriminelë dhe vegla të personelit të burgut. Ata në çdo kohë kanë qenë të gatshëm që t’i zbatojnë urdhrat e eprorëve të vet. Për këtë dëshmon rasti i Enver Topallit, i burgosur politik nga Ferizaj, i cili në një intervistë dhënë gazetës “Zëri”, thotë: “Gjashtë muaj i pata kaluar në qelinë numër 7 të burgut të Nishit me njëfarë Pavlloviqi, psikopat, i cili në vend të bukës, hante bërllok, që të bëhej sa më i “fortë” dhe, siç thoshte, ta “çlironte” Kosovën nga shqiptarët. Atë çdo ditë gardianët e nxisnin që të dëshmonte forcën e tij prej “boksieri” mbi të burgosurit shqiptarë. Edhe sikur ai të më sulmonte natën në gjumë, zor se dikush do të kërkonte fajësinë prej tij”.[16] Ose, rasti tjetër, kur në një ankesë, drejtuar organeve kompetente, Hydajet Hyseni shkruante: “Më marrin pa kurrfarë arsyeje dhe më dërgojnë në dhomën tjetër, ku ishte një i burgosur (Bojoviq), që ishte po ashtu i sëmurë psikik, i cili ishte i njohur se tinëzisht i sulmonte të burgosurit, pa kurrfarë preteksti. Këtë e dinin edhe të burgosurit, edhe personeli i burgut. E dinin, por ja që unë duhej të vendosesha pikërisht në dhomën e tij, megjithëse kishte mjaft vende të lira në dhomat e tjera, madje pikërisht në kohën kur anash më bëheshin kërcënime se, po të mos i ndryshoja disa qëndrime, se, po të mos i pranoja disa kushte, do të mund të ndodhte gjithçka me mua. Kështu i thoshin gardianët të burgosurit, për shembull, mund të më sulmojë e të më vrasë ndonjë psikopat, të cilit s’ke ç’i bën, e dërgojnë në CZ dhe kaq”.[17] Ndërkaq, Ali Lajqi ishte keqtrajtuar fizikisht nga një bashkëbisedues i dënuar jopolitik, i quajtur Apaske. Udhëzimin e gardianit të quajtur Aca e kishin dëgjuar të burgosurit e tjerë kur i kishte thënë: “Bjeri shuplakë, vetëm mos e përgjak dhe mos i shkakto lëndime të dukshme”.[18] Nga kjo duket qartë se çfarë qëllimi kishin gardianët. Ata që i shpëtonin kësaj torture, i nënshtroheshin metodës tjetër: në qelitë e tyre ua fusnin të burgosurit me sëmundje ngjitëse,[19] e më vonë për të burgosurit politikë shqiptarë nuk kujdeseshin fare. Aktorët që i kryenin këto vepra ishin të stimuluar nga organet e burgut, shpërbleheshin me dalje nga burgu dhe me shumë benificione të tjera.

Mohimi i së drejtës për ngritje profesionale, shkencore e kulturore




Ky ishte akt tjetër gjenocidal që aplikohej te të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë. Në disa burgje ishte rreptësishtë e ndaluar literatura në gjuhën shqipe, madje edhe lekturat e shkollës fillore ishin të ndaluara. Në shtypin kosovar ishin të parapaguara gati të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë, por edhe ai mungonte në intervale mjaft të gjata kohore. Atë që nuk mund ta bënte censura e shtypit, censura e burgut e aplikonte me përpikëri. Në burgje nuk mund të depërtonin as kënga, as libri, as fletorja, e në të shumtën as lapsi për shqiptarët. Ja një dëshmi. Kur Hydajet Hyseni bën ankesë dhe kërkesë në burgun famëkeq të Beogradit, ai shkruan: “Ndoshta është cikërrimë. Kam kërkuar nga familja që të më sjellin një laps të thjeshtë, duke menduar se kjo është e lejueshme, por këtë këtu nuk ma kanë lejuar. Kjo nuk ju duket e çuditshme dhe e padrejtë. Lapsi nuk është as i rrezikshëm, as i ndaluar.[20]
Punët e rënda në burg vetëm për shqiptarët




Duke llogaritur se tragjedia mund të ndodhte edhe në repartet e punës, gardianët kujdeseshin që të burgosurit politikë shqiptarë t’i çonin në vendet më të rënda e më të rrezikshme të punës. Me një veprim të këtillë shkelej neni 117 i LESP-it. Kjo padrejtësi bëhej gati ndaj të gjithë burgosurve politikë shqiptarë edhe pse sipas rregullores thuhej se të dënuarve duhet caktuar puna në përputhje me aftësitë e tyre psikofizike. Ata kryenin punë të ndryshme, duke filluar që nga prerja e llamarinës e deri te punët në shkritore, e punë të tjera, siç ishin ato me kimikate të rrezikshme, pa kurrfarë masash mbrojtëse për shëndetin e tyre. Po qe se ndodhte që ndonjë i burgosur ta refuzonte punën, ata pa kurrfarë komenti e hidhnin në izolim dhe e keqtrajtonin rëndë. Ndodhte shpesh që në vendet e punës, me qëllim të caktuar, nxitej ndonjë konflikt e atëherë dihej: e pësonin rëndë të burgosurit shqiptar. Statusi i të burgosurit politik ishte i rregulluar gjithmonë sipas një vije të caktuar politike, andaj edhe orari i punës ishte i pacaktuar. Ai mund të zgjaste 8-18 orë. Ushqimi nuk bën as të zihet ngoje, ngase një gjysmë kilogrami bukë assesi nuk ishte e mjaftueshme për një të burgosur, sidomos kur kihet parasysh puna e rëndë që bënin ata. Nga ushqimi i dobët, të burgosurit bëheshin kockë e lëkurë. Shpesh ndodhte që edhe ajo pak bukë që ishte ta vidhnin të tjerët, pasi në mëngjes e merrje të tërën, për tri shujtat. Edhe pakot që vinin nga shtëpitë, të burgosurve shpesh nuk u lejoheshin ose nuk ua dorëzonin fare.

Tërë kjo shkelje të të drejtave njerëzore ndaj të burgosurve politikë shqiptarë gardianët i ushtronin me një vrull të paparë. Gjendja dhe pozita e të burgosurve politikë në burgjet jugosllave përgjithësisht ishte e tmerrshme, por për shqiptarët edhe më e tmerrshme e më diskriminuese ishin burgjet në Serbi.

Mohimi i shëtitjes, ajrosja e qelisë dhe pastrimi


Trajtim antinjerëzor i të burgosurve politikë shqiptarë, pa dyshim është edhe mohimi i shëtitjes së lirë, ajrosja e qelisë, pastrimi i rrobave, mungesa e ujit të ngrohtë e shumë të tjera. Të tëra këto në mënyrë të drejtpërdrejtë ndikonin në shëndetin e të burgosurve. Të burgosurit politikë shqiptarë ishin të vetmit që në kushte jonormale (kategoria B me mbikëqyrje të përforcuar), e vuanin pjesën më të madhe të dënimit, ose tërë dënimin, me burg të mbyllur nëpër qeli të vogla, që mbanin lagështi, pa ajër të mjaftueshëm, pa dritë natyrore. Në kushte të këtilla, të mjerueshme, njeriu doemos që do të sëmuret (nëse në të e kalon një vit pandërprerë). Nga muret e qelive kullonte ujë si në shpellë, të zihej fryma nga myku, në të njëjtën qeli hanin, pinin, flinin, lëviznin e kryenin shumë punë të tjera.[21] Kur të kihen të gjitha këto parasysh, jetën e tmerrshme të të burgosurve e bënin edhe më të rëndë.

Shëtitja, si një element i çlodhjes së të burgosurit, që ishte paraparë të zgjaste 15 minuta, shqiptarëve u shkurtohej në 7-8 minuta.[22] Ata kryesisht bënin llojin e “shëtitjes së vdekur”. Kjo ishte kur i burgosuri shëtiste me duar të lidhura pas qafe, ngase te gardianët kinse ekzistonte frika për ndonjë sulm fizik etj. Për ajrosjen e qelisë, ndërkaq, thoshin se ajo u bëka duke u hapur e duke e mbyllur derën gjatë ditës.
Dënimet me vetmi


Vetëm për të burgosurit politikë shqiptarë izolimi nuk aplikohej si masë disiplinore, por trajtohej dënimi. Ata dënoheshin me vetmi pa ndonjë arsye të madhe dhe pa kurrfarë vendimi zyrtar apo pa ndonjë masë të shqiptuar. Qëndrimi në vetmi është dënimi më i ashpër që mund të shqiptohet në një SHNP. Kjo kategori e burgimit është ferri vetë në burg. Prej vitesh, qysh se ranë në burg të dënuarit e parë politikë shqiptarë, kjo ka qenë thuajse e rezervuar vetëm për ta. Ata dënoheshin me vetmi e vetëm pse nuk i thyenin bindjet e tyre politike. Nganjëherë dënoheshin me vetmi (izolim) vetëm pse kërkonin ndihmën mjekësore ose pse i ndihmonin shokut gjatë komunikimit me gardianët në gjuhën serbe. Ata dënoheshin pse kërkonin ndonjë sqarim zyrtar, pse shkruanin ankesa ose kërkesa, pse solidarizoheshin ndër vete (e këto nuk ishin raste të rralla).[23] Shpesh ndodhte (në bazë të përvojës) që të drejtat e tyre mund t’i realizonin vetëm duke e sakrifikuar shëndetin e tyre (me grevë urie dhe duke mos e pranuar shëtitjen ditore). Të gjitha këto fakte dëshmojnë qëllimin thellësisht diskriminues, që si synim kishte shkatërrimin e shëndetit dhe zhdukjen e tyre fizike, shkatërrimin e forcës së tyre intelektuale e politike (sepse shumica e të burgosurve politikë shqiptarë ishin të rinj: nxënës e studentë). Thyerja e tyre morale dhe e bindjeve të tyre ishte qëllim i fundit. Këtë lloj kategorie të dënimit Adem Demaçi e vuajti më se një vit, ndërsa shumë të tjerë kaluan muaj e muaj të tërë.

Distancimi i familjes dhe i të afërmve nga i burgosuri politik shqiptar




Kjo ishte një ndër metodat më të tmerrshme që ndikonte në aspektin psikik te të afërmit dhe te i burgosuri. Ky akt gjenocidal ishte i vjetër sa edhe vetë Jugosllavia. Më së tepërmi gjeti shprehje gjatë kohës së IB-së dhe pas vitit 1981. Kishte raste kur të burgosurit ishin të detyruar të kërkonin shkurorëzim nga bashkëshortja dhe anasjelltas. Haptas duhej të distancoheshin nga pikëpamjet ideologjike e shumë marifetllëqe të tjera. Po këtë fat e pati Adem Demaçi. Kur më 1964, e arrestuan për herë të dytë, gruan e tij, Xhemajlijen, mësuese, filluan ta përcillnin spiunët dhe ta keqtrajtonin. Ia ndërruan vendin e punës, prej mësuese në pastruese të shkollës. Për t’ia lehtësuar gruas jetën tepër të rëndë e të vështirë, ai më 1967, kërkoi shkurorëzim nga ajo. “Sapo u shkurorëzova zyrtarisht nga gruaja, atë e kthyen në vendin e mëparshëm të punës si mësuese dhe më nuk e përcillnin,”[24] rrëfen ai. Këtë “fat” e pësuan edhe shumë të tjerë.

Pas vitit 1981 shumë të rinj e të reja mbetën pa u regjistruar në shkolla të mesme e në fakultete. Për shkak të “diferencimit politik” nga fakultetet dhe nga shkollat e larta u përjashtuan mijëra veta. Qindra pedagogë e arsimtarë u pushuan nga puna. Nga ndërmarrjet e institucionet ekonomike u flakën në rrugë qindra punonjës, pjesëmarrës dhe përkrahës të demonstratave.[25] U godit qenia shqiptare në tërësi.

Dhuna e drejtpërdrejtë fizike


Si metodë represive e gjenocidale ndaj të burgosurve politikë shqiptarë është përdorur edhe dhuna e drejtpërdrejt fizike, pa pasur asnjë arsye ligjore, që ishte në kundërshtim me nene t 150 dhe 159 të LESP-it.[26] Për më tepër, në këto raste përdoreshin mjete shtrënguese, poshtëruese, siç janë: shuplaka, goditja me grushte e shumë poshtëri të tjera. Kësisoj, gardiani i binte shuplakë të burgosurit për hiçgjë, vetëm e vetëm që t’ia nëpërkëmbte dinjitetin e krenarinë njerëzore, duke shpresuar se do ta thyenin psikikisht. Shuplaka i jepej të burgosurit pse ai kërkonte ndihmë mjekësore, pse recitonte poezi me zë të ulët, apo pse këndonte në heshtje. Më drastikja ishte pse nuk ia plotësonte gardianit kënaqësinë e epsheve shtazarake. Në disa raste gardiani e vine veten mbi ligjin e mbi rendin shtëpiak, para të burgosurve politikë shqiptarë manifestonte edhe instinktet më të ulëta.[27]Këto nuk ishin traste të rralla. Gardiani e shqelmonte të burgosurin për pikë të qejfit, pa i dhënë askujt përgjegjësi.

Kushtet e përshtatshme për “vetëvrasje”





Finalja e të gjitha torturave e të burgosurve politikë shqiptarë ishte akti ndëshkues – vrasja. Më vonë thoshin se i dënuari paskësh bërë “vetëvrasje”. Këto nuk ishin asgjë tjetër, pos montime të hapura për asgjësimin fizik të shqiptarëve. Zakonisht viktimat të kësaj metode janë zgjedhur personat e sëmurë psikikë (që këtë fazë e kishin arritur në burg, nga torturat e vazhdueshme). Mirëpo, nga kjo nuk shpëtonin as ata që konsideroheshin të rrezikshëm për shtetin. Raste të tilla ka mjaft. Të përmendim vetë, dy tre nga lista e gjatë tyre. “Për herën e tretë Shaban Shala burgoset më 27 shkurt 1962. Dënohet me dy vjet burg. Mirëpo, pas një amnistie, i ulet dënimi në një vit. Kur familja shkon në burg për at marrë, më 20 janar të vitit 1963, organet e burgut i njoftojnë të afërmit se i burgosuri mu atë natë paskësh bërë “vetëvrasje”.[28] Çfarë të shtohet pas kësaj. A thua populli ishte aq i marrë që t’u besonte këtyre fjalëve boshe të udbashëve. Ata ishin të vetëdijshëm se ato të quajtura “vetëvrasje” ishin farsë dhe bëheshin nga torturat gjakatare të xhelatëve të UDB-së dhe se recidivët e burgosur politikë i konsideronin tepër të rrezikshëm për shtetin serb, prandaj nuk lejonin që edhe një herë të dilnin jashtë burgut.

Po kjo lojë u luajt edhe me mësuesin e ri e poetin Fazli Greiçevci. “Udbashët, të befasuar me krenarinë dhe me qëndrueshmërinë e Fazliut, nevrikosen së tepërmi dhe ndaj tij fillojnë torturat e pandërprera, me orë të tëra, derisa e bëjnë të paaftë fizikisht”, shkruan S. Novosella në “Zëri”. Më pastaj vazhdon: “ata edhe tani mbajnë në kujtesë gushtin e vitit 1964, në burgun e Prishtinë, se çfarë gjëmë e rënkime lemeritëse lëshonte Fazliu nga torturat çnjerëzore që i bënin udbashët.[29]Pas këtyre torturave që i përjetoi, i burgosuri vdiq. “Udbashët” njoftuan se Fazliu paskësh vdekur nga një sëmundje e rëndë ngjitëse dhe urdhëruan që kurrë të mos hapej arkivoli. Populli e kuptoi të vërtetën – se nga çfarë “sëmundjeje” kishte vdekur djali i tyre. Mu për këtë, masat e gjera në këto vite u organizuan më mirë dhe ia lëkundën themelin kësaj shtëpie të kalbur. Pasojat e keqtrajtimeve në burgje, të burgosurit politikë shqiptarë i ndienin edhe pas daljes nga burgu. Nga këto pasoja vdiq edhe Metush Krasniqi, atdhetar i shquar. Ndërkaq nga dora vrastare e kriminelëve të porositur e pësoi edhe Rexhep Elmazi, e më vonë edhe Jusuf e Bardhosh Gërvalla e Kadri Zeka. Më 1984, në mënyrë më barbare u vranë Rexhep Mala e Nuhi Berisha, martirë të popullit.




[1] Grup autorësh, Ç’thonë dhe ç’kërkojnë kosovarët – 2, Tiranë 1990. 139


[2] Ramadan Musliu, Vetëripërtritja e totalitarizmit, Tiranë 1998. 59.


[3] Libri i bardhë, Prishtinë 1992, 101.


[4] Intervistë: Rexhep Avdullahu, Përvojë dhe urti politike, Zëri, 19. IX. 1992.


[5] Po aty.


[6] Po aty.


[7] Adil Pireva, Nismëtar i themelimit të një organizate politike, Zëri, nr. 1479, 1993.


[8] Fahrudin Radoniçiq, Adem Demaçi, ispovjest, Zagreb 1991, 16.


[9] Adil Pireva, Shaban Shala në 60 – vjetorin e lindjes dhe 30 vjetorin e rënies, Zëri, 13 shkurt 1993.


[10] Deklaratë e Binak Ulajt dhënë më 31 dhjetor 1993, në Prishtinë.


[11] Hydajet Hyseni, Ankesë drejtuar Drejtorisë së SHNP-së, Nish, për Drejtorin, 13 prill 1983, Nish.


[12] Fahrudin Radonçiq, vepër e cituar, 30.


[13] Hydajet Hyseni, Ankesë drejtuar Drejtorisë së Qarkut – Beograd, 3 gusht, 1983, Beograd.


[14] Merxhan Abdyli, Fjala e lirë e njerëzve të mbyllur, vazhdim i 19, Rilindja, Tiranë 1993.


[15] Ankesë e Nezir Idriz Myrtajt, drejtuar Sekretariatit Federativ të Jurispondencës dhe Administratës së Përgjithshme në Beograd.


[16] Merxhan Abdyli, Fjala e lirë....Po aty.


[17] Intervistë: Enver Topalli, Nëpër burgje drejt lirisë, Zëri, 25 maj 1992.


[18] Hydajet Hyseni, Ankesë drejtuar Drejtorisë së burgut – Nish, 19 maj 1987.


[19] Nezir Myrtaj, Kërkesë Sekretariatit Federativ të Jurispondencës së Përgjithshme në Beograd, 20 prill 1990, Zabella, Pozharevc.






[20] Po aty.


[21] Hydajet Hyseni, Kërkesë Drejtorisë së burgut, Beograd, 3 gusht 1983.


[22] Po aty.






[23] Si në 51.


[24] Sami M. Kurteshi, Ankesë Sekretariatit Federativ të Jurispondencës së Përgjithshme – Beograd, 1 maj 1990, Zabella, Pozharevc.


[25] Merxhan Avdyli, Fjala e lirë...Po aty. 1993 (vazhdim I 19)


[26] Po aty, vazhdimi i 20 (Rilindja), Tiranë 1993.


[27] Shaban Shala, Aktakuza nr. 112/62 prill 1962, Gjykata e Qarkut, Prishtinë.


[28] Selatin Novosella, Dëshmi të një kohe, Zëri, 1992.


[29] Aktakuza, nr. 112/62. Gjykata e qarkut – Prishtinë.

Dergoi:Kadri Mani
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi