Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Albert Zholi: Telegraf- intrevista e plotë me K. Zavalanin‏

Shko poshtë

Albert Zholi: Telegraf- intrevista e plotë me K. Zavalanin‏ Empty Albert Zholi: Telegraf- intrevista e plotë me K. Zavalanin‏

Mesazh nga Agim Gashi Sat Nov 28, 2009 4:15 pm

Dituria nuk të bën të lumtur, por të jep liri

Albert Zholi: Telegraf- intrevista e plotë me K. Zavalanin‏ U1_albert-zholi1
Albert Zholi

INTERVISTA/
Flet në “Telegraf”, Kozeta Zavalani, ish-folëse e TVSH
dhe radio Korça, publiciste, gazetare, fituese e disa çmimeve në aktivitete
ndërkombëtare


Albert Zholi: Telegraf- intrevista e plotë me K. Zavalanin‏ Kozeta_zavalani_eshte_bukur_te
Kozeta Zavalani dikur para mikrofonit


Një grua e qeshur, e qetë, e dashur, aktive, gjithmonë
në lëvizje. E sheh kudo dhe gjithmonë me libra në duar. Thuajse i ka provuar të
gjitha llojet e mediave të shkruara dhe ato elektronike. Jeta e saj si gazetare
filloi në Korçë dhe vazhdoi në RTSH, një udhëtim i këndshëm që i dha asaj
sadisfaksion dhe emocione të rralla. Dhe pse ka mbaruar për Ekonomi, hobi dhe
gëzimi i saj mbetet gazetaria. Kur bisedon me të, ngelesh paksa i habitur me
çiltërinë, por dhe sigurinë e fjalës. Jeta e saj të ngjan me një libër poetik,
ku poezia më e bukur i përket momentit të dashurisë. Sa bukur flet ajo për dashurinë.
Plot ndjenjë, ashtu siç dinë të flasin poetët. Në këtë intervistë ajo përcjell
emocionet e para në Radio Korça, për ta ndalur rrugëtimin e bukur fonik në
Radio Tirana.

Znj Kozeta, ju për një kohë të gjatë ishit folëse në Televizionin shqiptar, kush
ju zbuloi si talent në këtë rrugë magjike siç është ekrani?


-Periudha e punës në TVSH zë një vend të rëndësishëm në jetën time. Por aty nuk
u gjenda rastësisht. Ka qenë një investim i gjatë, i filluar vite përpara. Kur
isha studente, të gjithë më thoshin që kisha ngatërruar adresë për zgjedhjen e
Fakultetit. E vërtetë, por unë i përkas brezit kur në kërkesën e studimit
shkruanim së pari ; ku të ketë nevojë atdheu dhe pastaj degën ku dëshironim. Dy
të tjerat unë i kisha vënë Gazetari, por për fat të keq atëhere ishte mbyllur
dega e gazetarisë…Unë gazetarinë e kam bërë kurs pasuniversitar…Pa u zgjatur
midis miqve qe më thoshin se kisha gabuar fakultet ishte edhe regjisori korçar
Jani Tane. Ka qenë pikërisht ai që më ftoi në ekranin e TVSh për "Fjala
artistike ne ekran", ku unë recitova një poezi timen kushtuar nënës, madje
u nderova edhe me çmim. Ishte ky hapi i parë që më bëri të vazhdoja
bashkëpunimin me redaksinë e kulturës. Kemi bere emisione mjaft të bukura
së bashku me redaktorin Fatmir Alimani dhe më vonë edhe më redaksinë e fëmijëve
me redaktor Ilir Kordoni. Pastaj puna me median të thith, të rrëmben në
vorbullën e saj duke të tërhequr si circe…Kështu vazhdova të bashkëpunoj edhe
në Radio -Tirana, fillimisht me redaksinë e kulturës dhe pastaj tek Radio
Tirana për Bashkatdhetarët, njëkohësisht edhe me redaksinë e informacionit me
lajmet ne TVSH.

-Ju rrrugën e gazetarisë e nisët në Korcë, konkretisht
tek radio Korca. Mbani mend sa cfarë keni prezantuar për herë të parë dhe
cfarë emocioni keni ndjerë?


- Më kujtohet që me mikrofonin e radios jam lidhur qysh në klasën e 4 fillore.
Atëhere kisha fituar një çmim për poezinë më të mirë nga revista Pionieri dhe
më intervistoi në shkollë redaktorja e emisionit të fëmijëve nga Radio-Korça,
Liljana Raco, Mitre. Si mbaruam inçizimin unë iu luta që ta ndihmoja për
emisionet e tjera. Ajo u habit pak me guximin tim dhe më tha se këtë e vendoste
drejtori, i ndjeri Andon Mara. Dhe unë pa ndrojtje trokita në zyrën e tij dhe
që të nesërmen më besuan magnjetofonin, një Uher'gjerman, që rëndonte më shumë
se unë dhe unë përgatita emisionin e pare në shkollën 7 Nëntori, ku kisha kryer
nga klasa e parë deri të tretën, kurse të katërtën e më tutje e përfundova në
shkollën 8 vjeçare Naum Veqilharxhi. Nuk kam pse ta fsheh që ndihesha e
privilegjuar mes moshatareve të mia që më shihnin me adhurim, gjë që
fatkeqësisht nuk e ndesha kur fillova të punoj, pasi ai adhurim tashmë ishte
shndërruar në xhelozi…

Albert Zholi: Telegraf- intrevista e plotë me K. Zavalanin‏ Kozeta_zavalani
Kozeta Zavalani

- Një rrugëtim të dyfishtë....Televizioni dhe radioja
cilat janë të veçantat dhe të përbashkëtat e tyre?


-E përbashkëta e madhe është përgjegjësia për punën, profesionalizmi dhe
korrektësia, jo vetëm në drejtim të punëdhënësve të mi, por kryesorja në
kontakt me teleshikuesin, me dëgjuesit e publikun e gjerë, që na ndiqte me
shume vëmendje dhe admirim, njëkohësisht. Këto veti me kalimin e viteve janë
gdhendur përjetësisht tek unë, duke u bërë pjesë e karakterit tim. Nuk mund ta
harroj një ditë kur në të njëjtën orë në 15,00, kur unë jepja edicionin e
lajmeve te programit të dytë të radios, 5 min, njëkohësisht ishte futur një
edicion shtesë në TVSH dhe duhet të isha edhe aty. Nuk e harroj jo për vrapin
që më është dashur të bëj nëpër urën lidhëse të katit të tretë, që lidh TV me
radion, por sepse në studion e lajmeve të televizionit ishte vetë drejtori i TV
Qemal Sakajeva, që më qortoi për fillimin me vonesë të edicionit. Mund edhe të
isha pushuar atë çast në vend, se pavarësisht nga impenjimet e mia, para
publikut duhet të jesh korrekt së pari me orarin…Ndryshe nga Radio. ekrani ka edhe
impenjimin e veshjes, të paraqitjes e përgatitjes paraprake të materialit që do
të prezantosh. Kurse në radio, ndonjëherë hyja pa e parë fare materialin, në
ekran mundohesha ta lexoja përpara, për të bëre të mundur komunikimin me
teleshikuesit…Sot është shumë e lehtë edhe ekrani, sepse me modernizimin e
medias, jo vetëm që hyri leximi nga monitori, pa letër, por edhe
zhdërvjelltësia e prezantueseve, duke qenë vetvetja, ndonëse ndonjëherë të le
për të dëshiruar…

-Sot do të doje të punoje më shumë në radio apo në televizion?

-Unë kam qenë dhe jam e dashuruar me median, elektronike e vizive, paçka se tani jam bere një skllave e medias së shkruar, ndaj do të më pëlqente të punoja kudo. Të them të
vërtetën më ka marrë malli të firmos në një bordero; ia kam harruar aromën dhe
shijen parasë që të japin të tjerët, pasi ka vite që mundësitë financiare i kam
siguruar vetë, nëpërmjet shoqërisë civile, që është një proces shumë i lodhshëm
dhe stresant. Me që më pyetët, do doja shumë ti rikthehesha dashurisë së parë; radios.

-Ju keni mbaruarr Fakultetin ekonomik, ju ka ndihmuar kjo degë në rrugën e
gazetarisë dhe si?


Thonë që një ekonomist mund të bëhet një gazetar i mire, por jo e
kundërta. Nuk e di nëse ka ndonjë përjashtim. Megjithëse personalisht nuk ia
kam ndjerë shumë nevojën, pasi me gazetarinë jam marrë para Fakultetit Ekonomik
dhe pas kursit të gazetarisë (pas universitar). Gjithsesi kur bëhej fjalë për
reportazhe me karakter ekonomik, jam ndjerë më e sigurt dhe shkrimi ka ecur
shume lehtë.

-Pse u larguat nga televizioni dhe si i shihni sot konkurrencën mes
televizioneve private?
-Në vitin e ccmëndur të 1997, kur ishte vendosur shtet rrethimi dhe në
Tiranë pas orës 22.00 nuk shihje veçse police, duhet thënë edhe ndonjë gazetar,
si unë. Një ndër këto mbrëmje, kur kthehesha nga edicioni i lajmeve kisha marrë
me vete edhe djalin e vogël, që ende nuk kishte hyrë në klasën e parë, një
plumb i ka fishkëllyet në rrëzë të veshit…edhe mund të ishte vrarë. E tmerruar,
të nesërmen kërkova të më zëvendësonin dhe shkova në Greqi, ku janë vëllezërit,
për të qenë të sigurt fëmijët, pasi nuk kishin pse të vuanin ata pasojat e
ccmëndurisë…Kur u ktheva fillova bashkëpunimin me një TV privat, ku më lanë
hapësirë në emisionin "Gjysmëbota" me gra dhe vajza të suksesshme, që
kishin triumfuar mbi vështirësitë, duke lënë gjurmë në jetë. U duk sikur i bëra
konkurrencë TVSH dhe nuk me pranuan më, duke më zëvendësuar përgjithmonë. Ndaj
kur sheh se nuk e ke më vendin tënd, ndihesh e pavlerësuar dhe natyrisht do të
kërkosh një tjetër. Me ka ardhur shumë keq, sepse njëkohësisht të gjitha mediat
private furnizoheshin me kontingjente të TVSH-se, por s'ka gjë, unë gjithmonë e
kam gjetur rrugën ku të eci.

-Jeni ndjerë më mirë në Radio Korcca, apo në Radio Tirana në emisionin për
bashkatdhetarët dhe pse?


- Korça, ka luajtur një rol të rëndësishëm në formimin tim të
përgjithshëm, duke më pasuruar shpirtin, jo vetëm radioja, por edhe kalldrëmet,
blirët e jargavanët, të ndërthurura më serenatat e pavdekshme. Por Tirana
i dimensionoi ato, duke u pasuruar nëpër mrekullitë e botës, që kam pasur fatin
ti shoh, ti prek e ti ndjej. Persa i takon punës nëpër këto radio, më duket
sikur kudo jam ndjerë mirë, pasi i ndërtoj në mënyrë të tillë raportet në punë,
sa gjithmonë e kudo i kam bërë vend vetes, me punë, mirësi e profesionalizëm.
Në se unë nuk kënaqem nga puna ime, atëherë unë nuk kënaqem nga jeta. Puna që
nuk më sjell kënaqësi, është e pa perceptueshme për mua. …..

-Në sistemin monist, a keni pasur mundësinë të takoni ndonjë nga ish
udhëheqësit e PPSH-së?


-Jo, me përjashtim të sekretarëve te Komitetit të
Partisë të Korçës, ku unë jetoja; Mihallaq Zicishti e Enver Halili, për të
cilët ruaj konsiderata mjaft të mira.

-Një femër publike duhet të ketë histori të bukur dashurie. Cështë dashuria për
Kozetën dhe momentet më të bukura të dashurisë tuaj?
-Histori të bukur dashurie…Ndoshta mund ta quaj të bukur, pasi thuhet se
ku është vështirësia është edhe bukuria. Dashuria ime me mjekun Gjergj Zavalani
ka qenë e vështirë për kohën, pasi ne i përkisnim shtresave të ndryshme
shoqërore. Jemi njohur qysh në Gjimnazin "Th. Gërmenji" unë në vitin
e parë dhe ai maturat. E adhuroja sepse ai përfundoi me të gjitha notat 10-ta,
por nuk ia dhanë "Medaljen e Artë"...Ai adhurim pas vitesh u kthye në
dashuri, që me zor u finalizua në martesë. Megjithëse vjehrri ka qenë një
mësues i nderuar, mua më godisnin me kushëririn e tij, historianin poliglot,
shef i seksionit te gjuhës shqipe në BBC, Londër- Tajar Zavalani, aq sa nuk më
lejuan më të jepja lajmet në Radio-Korça, porsa ndërrova mbiemrin. Por unë nuk
u ligështova; dashuria jonë ishte e fortë dhe e pastër ndaj nuk mund ta
njolloste asnjë "njollë biografike". Megjithë presionet për të mos u
martuar me të, dashuria jonë triumfoi dhe u rrit e fortë, si ajo lulja në
shkëmb, që nuk përkulet nga dallgët e stuhisë. Fati e deshi që të shpërblente
dashurinë tonë me dy djem të bukur e të mençur dhe me fitoren e demokracisë,
unë tu rikthehesha lajmeve, tashmë në Tiranë, në TVSH. Këto i quaj si momentet
më të bukura. Shumë vajza të emancipuara shpesh janë mbytur nga mediokriteti,
xhelozia e idetë kanunore të burrave shqiptarë për ta rrethuar edhe
dashurinë, kur ajo ekzistonte, me mure. Për fat me mua nuk ndodhi kështu.
Unë u dashurova dhe kam fatin të jem e dashuruar, gjë që më jep shumë siguri në
jetë dhe mi minimizon vështirësitë. Për mua dashuri do të thotë shumë gjëra: Të
duash dhe të jesh e dashur, të japësh dashuri, që është një detyrim dhe të
marrësh dashuri, që është një privilegj, të mësosh dhe të rritesh, duke krijuar
një baraspeshë mes tyre. Dashuria është mirësia, kujdesi, respekti, është një
impenjim e detyrim që kërkon sakrifica. Frikacaket kanë frikë të dashurojnë,
kurse unë nuk e njoh frikën. Nuk është se unë nuk kam pasur dështime.
Natyrisht, gjithkush i ka ato. Por habitem vazhdimisht dhe nuk rresht së
falënderuar Zotin, që unë kam realizuar çdo qëllim që i kam vënë vetes, me
vullnet e këmbëngulje. Jeta është si rrjedha e një lumi. Në jetën time ka kaq
shumë njerëz të veçantë për të kujtuar, intervista, vëmendje, kaq shumë
dashuri. Unë thjesht mund të përzgjedh në kohë një moment më të lartë,
pasi çdo moment është një grumbullim i asaj çka ka ndodhur
tek unë. Gjithçka që dua të bëj është të ndaj me të tjerët, ato çka unë kam
mësuar, kënaqësitë, që unë kam qenë kaq me fat për t'i marrë nga jeta… Të qenit
e dashuruar për mua është lumturi që bazohet në sinqeritet dhe ndihmë. Këtë
kërkoj edhe prej bijve të mi Mendi e Mikeli, të cilëve njëkohësisht u kërkoj të
falur, që shpesh nuk u ndodhem pranë. Suksesi është mjaft i rëndësishëm
për mua, por unë nuk e dua suksesin në kurriz të shëndetit të familjes
sime. Të qenit e shëndoshë, gjeneron energjinë dhe entuziazmin për punë. Pa
shëndet nuk ka punë, unë nuk mund ta imagjinoj të kundërtën, do të ishte
një boshllëk për mua. Ka mjaft njerëz, që kanë suksese të jashtëzakonshme në
biznes, por jeta e tyre e shtëpisë është rrëmujë. Unë nuk e dëshiroj
suksesin në kurriz të jetës sime vetjake. Burri im, është jashtëzakonisht
i rëndësishëm për mua dhe unë nuk mund ta sakrifikoj atë, për hir të të
bërit biznes. Të jesh i suksesshëm, do të thotë të jesh e lumtur në jetë.
Unë kënaqem me atë çka jam duke bërë në jetë, duke bërë një ndryshim të vogël
në jetët e njerëzve. E di që do të jem duke punuar përgjithmonë. Ky është fati
im, prandaj unë dua të marr kënaqësinë maksimale të asaj që kam zgjedhur, për
të kaluar kohën e jetës sime.

-A mendoni se femrat në televizione janë më xheloze se meshkujt ?-Jo, nuk do të bëja një ndarje të tillë, por në se ekziston xhelozia, ajo
sigurisht është më e fortë dhe më e egër brenda llojit të gjinisë.

-Ju jeni dhe krijuese, autore e disa librave dhe qindra shkrimeve. Si krijuese
dhe si aktiviste e gruas mund të na thoni disa nga titujt që keni marrë?
-Do të thoja se kur punon mirë; kur çdo punë e vlerëson në maksimum, e
gatuan me dashuri, vlerësohesh gjithmonë e shpërblehesh me dashuri.
Ndaj vlerësimet më kanë shoqëruar gjithmonë; duke filluar nga revistat"
Fatosi" e "Pionieri" deri tek konkurset e fjalës artistike e
krijimtarisë letrare ne rang republike. Do te përmendja këtu çmimin e tretë në
konkursin letrar-artistik 1979, për poemën "Mirëmëngjes, Baba!" një
elegji dhimbje, kushtuar humbjes se tim eti. Duhet të vazhdoj me vitet e fundit
me fitimin çmimin e dytë për poezinë"Luledelet e vendlindjes" në Takimin
e Poeteshave Shqiptare në Vushtrri dhe së fundi çmimin e parë për një cikël me
poezi dhënë me rastin e 15-vjetorit tw revistes letraro artistike
"Nositi"... Si veprimtare e gruas kam marrë pjesë në konferenca
ndërkombëtare, që kanë ndikuar jo vetëm në rritjen profesionale, por i
kam përcjellë me synim fuqizimin e shoqërisë shqiptare, të familjeve në
përgjithësi dhe të grave në veçanti. Kam takuar gra të veçanta, të ndryshme dhe
dinamike anembanë botës, duke ndarë përvojat e duke punuar së bashku për të
njëjtin qëllim si me zonjën Hillary Clinton, Susane Jalbert, apo
Donna Messer, themeluese e drejtuese e "Rrjetit Ndërkombëtar të Grave
Komunikuese Aktive" me qendër në Kanada "Connect Us Communications
Canada", më shpalli ndër 26 gratë më të shquara të vitit 2007 "Women
of the World 2007". Ishte vërtet kënaqësi pasi isha e vetmja shqiptare
midis grave të suksesshme të botës. Ky vlerësim më ka bërë të punoj më fort,
duke kontribuar në botimin e librave "Gra që më kanë frymëzuar",
"Gjysmëbota" dhe revistës "Stina për Ndryshim" e cila
ka për kryefjalë të saj shembuj nga gra të forta e të emancipuara, modele
shpresëdhënëse për të cilat ka nevojë shoqëria shqiptare. Si Ambasadore për
Paqen, zgjedhur nga Federata e Familjes për Paqen Botërore dua të përmend
thënien hyjnore:"Të jetosh për hir të të tjerëve", që është moto e
punës sime.

-Sot në shoqërinë shqiptare ka shumë debate për bashkëjetesën. Mendimi juaj?-Dua të them se ndryshimet demokratike sollën një stad të ri të botëkuptimeve
dhe kërkesave ndaj jetës. Pasi kreva disa specializime pasuniversitare, kam
pasur rastin të mbaj leksione në konferenca të ndryshme ndërkombëtare të
grave, të referoj në Universitetin e Amsterdamit në Holandë, në Institutin
ISIDA të Palermos në Itali, në sallën e Unesco-s në Paris, në CIPE- Uashington
D.C, Neë-York apo Los Angeles të SH.B.A., por edhe në Marok, Varshavë, etj.,
Ishte koha kur këndonim "Weend of change"- "Era për
ndryshim"
Merrmë në magjinë e momentit
të një nate të madhërishme,
ku fëmijët e së ardhmes ëndërrojnë
në një erë ndryshimësh...
Ndaj vendosa të punoj për "Familja dhe Media - Fuqia për
Ndryshim" një shoqatë themeluar për të ndikuar në forcimin e pozicionit të
familjes, nën parullën "Një familje e shëndetshme për një shoqëri të
shëndetshme". Qëllimi është të ndryshojmë për të përmirësuar jetën tonë!
Familja është shumë e rëndësishme për mua. Ne të gjithë e dimë sa divorce ka
kudo në botë. Familja shqiptare tradicionalisht ka qenë bartëse dhe përcjellëse
e virtyteve, luftuese dhe ndaluese e çdo dukurie negative. E vërteta është se
sot duket sikur diçka nuk funksionon. Shoqëria shqiptarë në ditët tona po kalon
situata dhe po përjeton dukuri që bartin probleme të natyrave të ndryshme, me
ngarkesa dhe pasoja negative, për sot dhe për nesër. Mos vallë ne shqiptarët
abuzojmë me demokracinë?! Ndaj nuk kam qenë përkrahëse e bashkëjetesës,
pasi më duket si një thikë me dy presa. Nga njëra anë, duke parë se sa divorce
ka sot kudo në botë edhe tek ne, mendoj se është një mënyrë shumë më e mirë.
Pasi vetëm në bashkëjetesë, duke jetuar me njeri tjetrin, të rinjtë kanë
mundësi të njihen më mirë, të dinë se ku duhet të tolerojnë njëri tjetrin dhe
nëse nuk munden, është më mirë të mos martohen. Por kjo bashkëjetesë ka edhe
anën tjetër, sepse duke bashkëjetuar, mjaft çifte kanë riprodhuar veten, duke
sjellë në jetë një fëmijë, të pafajshëm, që në rastet kur çifti ndahet pa
martesë, foshnja nuk gëzon asnjë të drejtë ligjore…Ndaj mbetem partizane e
martesës.
-Jeni supersticioze në jetë?

-Përgjithësisht ne jemi rritur me frymë ateiste, por unë gjithmonë kam besuar dhe besoj fort tek një fuqi e mbinatyrshme që koordinon çdo punë. Jam supersticioze; besoj në disa shenja.
Nuk pëlqej që të marr ndonjë vendim të rëndësishëm për ditën e martë e të
premte, madje në këto ditë nuk mundem as të krijoj.

-Çfarë pëlqeni dhe çfarë kritikoni tek një njeri?-Vlerat thelbësore që çmoj në jetë janë etika dhe forca e karakterit,
korrektësia, inteligjenca e besimi, ndjeshmëria dhe ndershmëria, pasioni e
përkushtimi, intuita e kureshtja, energjia e entuziazmi, mjeshtëria për të
dëgjuar dhe ndihmuar të tjerët. Këto veti janë rrënjosur fort në ndërgjegjen
time nga prindërit e mi, babai Vangjo dhe mamaja ime e dashur dhe e shtrenjtë,
Anika, të cilëve jam munduar tu ngjaj në shumë drejtime të jetës. Gjëja që
urrej më tepër në jetë është gënjeshtra, hipokrizia dhe mosmirënjohja. Burimi i
pasionit tim që i jep forcë karakterit janë dashuria për të ndihmuar njerëzit,
ndershmëria, sakrifica, energjia dhe entuziazmi për punë. Mundohem ti bëj
të gjitha duke punuar shumë e fjetur shumë pak. Nisur nga këto vlera mund të
nxirrni vetë konkluzionin se çfarë pëlqej e çfarë kritikoj tek çdo
njeri.

- Duke parë pozicionin tuaj, a mendoni se femra shqiptare ka
zënë pozicionin e duhur sot në jetë?


-Jo! Megjithë arritjet në këtë drejtim ka ende shumë për të bërë. Po përmend
politikanin dhe filozofin anglez Xhon Stuart Mill, i cili qysh në vitin 1846 ka
thënë: "Duket se gruas i erdhi koha", por çfarë do të thoshte ai po
të rronte sot? Sepse ne pas një shekulli më vonë po flasim përsëri se gruas i
ka ardhur koha dhe kjo shprehet me arsyen e thjeshtë të 30% të
përfshirjes së gruas në kandidim. Më e plotë do të qe kjo po të plotësoj numri
i deputeteve gra me 30% në parlament. Fuqizimi i grave nuk është vetëm një
objektiv, por është edhe një kusht për ndërtimin e një jete më të mirë
sidomos për Shqipërinë, që synon të hyjë në familjen evropiane. Duke
njohur faktin që roli i grave është esencial në proceset demokratike për
reformimin, përtëritjen si dhe modernizimin e shoqërisë, është e domosdoshme që
edhe kjo pjesë e shoqërisë, të jetë më e involvuar në të gjitha fushat dhe
nivelet e përfaqësimit. Në këtë mënyrë ne jo vetëm i japim kësaj pjese të
shoqërisë shanse të barabarta, por njëherazi bëjmë realitet
respektimin e të drejtave të tyre si pjesë integrale e të drejtave të njeriut.
Promovimi i "shanseve të barabarta" ka të bëjë me mundësitë që duhet
t'i jepen çdo individi, për të realizuar performancën e tij më të mirë gjatë
jetës së tij dhe kjo padyshim, ka më tepër rëndësi për ato shtresa të
shoqërisë, që realisht për shkak të kushteve social-ekonomike janë ende të
diskriminuara.
Në këtë grup bëjnë pjesë edhe gratë, natyrisht jo të gjitha kanë pengesat apo
kufizime të njëjta gjatë jetës dhe karrierës së tyre. Por do të theksoja se
disave u është shkelur e drejta themelore e njeriut, e drejta për të pasur një
punë.
-Çfarë i mungon sot politikës shqiptare parë në këndvështrimin tuaj?-Politika ka nevojë për gra dhe gratë janë politikane të zonjat. Ne kemi
mes nesh gra të shquara, të cilat në jetën e tyre kanë arritur të krijojnë një
figurë shumëdimensionale dhe me shumë vlera të provuara edhe në kohët më
të vështira. Kam vite, që me forcën e zërit të shoqërisë civile kam
punuar për rritjen e pjesëmarrjes së gruas në politikë, ndaj mendova të
konkurroj edhe në politikë, pasi e rëndësishme për mua është fuqia morale. Nuk
ka rendësi se sa i pasur je për të përballuar fushatën, në qoftë se ti ke për
ti dhënë shoqërisë, ke kurajë për ti kërkuar votën asaj. Një pjesë e emrave të
femrave që kandiduan luajtën me "forcën" e partisë, unë luftova vetëm
me personalitetin tim. Ndoshta kjo nuk ishte e mjaftueshme, por gjithsesi dua
që gruaja të mos mbetet si fasadë e fushatave elektorale, por të jetë një forcë
reale në vendimmarrje.
Duke u nisur nga thënia e Zj. Hillary Clinton për gratë:"Liria dhe
përparimi nuk kanë lindur nga heshtja", insistoj të them '' të mos heshtim
'': sepse zëri i gruas duhet të dëgjohet. Vetëm kështu, duke dëgjuar mbi jetën,
mbi opinionet e tyre; duke mbrojtur interesat dhe idealet e tyre; duke i
inkurajuar ato për t'i shprehur me kurajë dhe forcë problemet që i
shqetësojnë në jetë, gratë do të bëhen një burim i vyer në jetën
politiko-shoqërore të vendit.
Kjo për dy arsye të forta: të ndikojë tek opinioni publik dhe të gjenerojë
debat, si burim i përparimit.

-Kush është më e rëndësishme për ju, bukuria apo inteligjenca?


-Të dyja janë të rëndësishme në jetë, ndaj lum kujt ia ka dhuruar zoti të dyja,
por nuk do të vlerësoja kurrë bukurinë para inteligjencës. Kam njohur femra të
bukura që më kanë zhgënjyer në bisedë. Kurse një femër inteligjente edhe të mos
jetë e bukur në pamje, zbukurohet nga fjalët dhe mendimet që shpreh. Madje kush
është i ditur, di edhe të zbukurohet. Siç thotë populli:"Bukuria nuk është
prej fisi, kush e diti e kullandrisi."
-Për ju si poete kush ka më shumë rëndësi libri apo gazetat?

-Për mua të dyja janë të rëndësishme, pasi jo vetëm të informojnë dhe të
zgjerojnë dritare në horizontin e dijeve, por edhe të zbukurojnë e të ndriçojnë
shpirtin e mendjen, të japin liri. Do të përmend një thënie të
Remarkut:"Dituria nuk të bën të lumtur, por të jep liri". Megjithatë
për mua elitare mbetet gjithmonë libri.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi