Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Fatmir Terziu:Djalli i Argadasit

Shko poshtë

Fatmir Terziu:Djalli i Argadasit Empty Fatmir Terziu:Djalli i Argadasit

Mesazh nga Agim Gashi Sun Nov 29, 2009 2:35 am

Djalli i Argadasit

Fatmir Terziu
Tregimi i së dielës në diasporë

(Pjesa e parë)
Një zog kaploi fluturimthi mëgëtinës tejkokës, më saktë aty ku nyja e hundës dhe gropësia ndarëse me ballin krijojnë një luginë në fytyrën njërëzore. Ishte fluturimi i tij prej Jugut, fluturimi që i jepte shansin e gjetjes së Perëndimit nxituar, më saktë rruga për të gjetur strofkën diku larguar malli, larguar shpirti, për t’i shpëtuar Dimrit në anën tjetër të Rruzullit. Teksa fluturoi nxituar, pikërisht aty, aty në atë pikë, larg syrit kureshtar, larg syrit hutaq në atë moment, ngjau me një zhdukje, me një largim i cili e bënte krijesën e hapësirës qiellore të vogël e të vogël deri në zhdukje, sa më në fund të bëhej njësh me një gërvallë të zezë reje që kishte mbirë enkas në qiell, e që ngjante me pamjen e qiellit në prag shiu, me sfond laraman. Ishte ditë vjeshte, me të vetmin ndryshim; tepër zagushi për një ditë normale të kësaj stine. Poshtë krahëve të zogut nxitimtar shtrihej qyteti Argadas. Në parkun me një bar fundngjyrës, nakatosur mes të gjelbrës së tij natyrale e të zakonshme me një verdhucëri, jo aq si e verdha normale kur merr bari në të tharë, por më shumë me nuanca të kuqeje në sfond, ishin ulur Gjyshja dhe nipi. Djali tetëvjeçar, emrin e kishte Argend, ishte me flokë të shkurtra, dhe ngjyra e syve i ngjante gati-gati e njëjtë me hapësirën ngjyrëtrazuar të fushës ku ishte ulur. Lëkura e tij ngjante pikaloshe, me njolla të shumta ndanë mollëzave të faqeve, aq sa dukej sikur kurrë se kishte kapur ndonjë rreze dielli. Gjyshja e tij, 68 vjeçare, ishte me flokë ngjyrë hiri, dhe nga pamja e parë të krijonte përshtypjen e një gruaje që jetën e ka ende në majë të gishtave, ose siç thuhet shpesh për një të shkolluar, e humbur mes librave. Argendi ishte ulur gati ndanë prehrit të gjyshes dhe dukej si i përhumbur në rrjedhën e fjalëve që dilnin nga goja e gjyshes së tij, teksa i lexonte nipit një libër.
“Nga trëndafili del trëndafil, por disa herë nga trëndafili del gjëmb”- lexoi gjyshja e tij me një zë pak më të ngritur e më me theks.
“Ç’kuptim ka kjo Gjyshe?”- pyeti Argendi.
“Ti do t’a kuptosh më vonë bir, kur të rritesh,... do të lexosh më shumë, dhe...” - replikoi Gjyshja shpejt.
Por fjalët e mëparshme të Gjyshes, gati e kishin zënë peng mendjen e Argendit, gati-gati sa e tërë e thëna dhe replika e Gjyshes nuk ishin më pjesë e ndëgjimit për të. Ato fjalë të atij libri i vinin si një pështjellë në mendjen e tij, përsëriteshin e përsëriteshin me një eko në rritje, me një oshëtimë që i ngjante një britme ulëritëse në një pus të tharë.
“Nga trëndafili del trëndafil, por disa herë nga trëndafili del gjëmb”- përsëriste në mendjen e tij.
Të njëjtën ditë më vonë, Argendi luante top me një bashkëmoshatarin e tij, duke e pasuar e gjuajtur topin tek njëri-tjetri. Njëri prej tyre e gjuajti topin më me forcë dhe ai përfundoi në mes të shkurreve dhe trëndafilave të shumtë që rrethonin fushën e parkut të qytetit Argadas. Argendi shkoi të merrte topin. Sa u afrua në mes të trëndafilave gjëmbaç ai ndjeu aromën a këndshme të tyre dhe hunda e tij ishte thuajse e tëra nën pushtetin e aromës dehëse. S’duroi dot temptimin e atij çasti dhe zgjati duart të këpusë një prej trëndafilave tërë aromë e të çelur mirë, më të dashuruarin e syrit të tij. U shtriq ngadalë e me kujdes prej gjembave derisa e këputi njërin, pikërisht atë që donte më në fund. Por, sa e këputi trëndafilin lule, diçka e tronditi fort trupin e tij dhe para syve të tij si një flakë pambarim rritej e rritej trupi i një krijese gjigante. S’u besonte syve. S’bërtiste dot, edhe pse frika e kishte tradhtuar në pantallona. Lulja i kishte rënë në tokë dhe pikërisht ajo transformohej e transformohej në këtë imazh rrënqethës para syve të tij. Krijesa ngjante me një thes të arnuar me lecka, të fryrë në tre anë e të shtypur nga e djathta. Flakërronte gati tërrë qenësia e krijesës. Më pas një zhurmë si gargara mëngjesi, e një zë ngjashëm me të doli nga krijesa.
Argendi mori frymë thellë dhe ulëriu.
“Mos u bëj frikacak!”- tha krijesa në një zë tashmë pak më afër me atë të zërit të njeriut. “Ti më solle në këtë botë, kështu që ti je...”- foli krijesa, por zëri iu ndërpre nga ndërhyrja e Argendit.
“Kush po flet? Kush?” – pyeti Argendi.
“Më lër të përfundoj fjalën time. Ti je pjesë e imja tani, ti je pjesë e misionit tim. Ti më solle në këtë jetë, më saktë ti më risolle këtu dhe t’i je ai që do të drejtosh fuqinë time, forcën dhe energjinë time, të zhdukur kohë më parë. Misioni jonë është i shenjtë, i çmuar. Ti je shpëtimtari i kësaj bote, ti do t’a kesh moralin e ndryshimit. Unë do të luftoj të të mbroj ty, dhe fitorja jote është fitorja e të gjithëve.” – tha krijesa.
“Dëgjo mirë tani dhe mos më bëj shumë pyetje. Ke kohë të mësosh për mua, për ç’do gjë që lidhet me këtë ndodhi. Misioni ynë fillon tani, në këtë orë, në këtë minutë, në këtë sekondë. Ne s’duhet të humbim kohë.” – shtoi krijesa.
“Hej, Strokan, dëgjove ndonjë gjë?”- iu drejtua Argendi shokut të tij me të cilin luante futboll.
“Jo. Jo, unë s’po dëgjoj gjë dhe as dëgjova ndonjë zë, por ty ç’po të ndodh?”- pyeti Strokani.
“Është shoku juaj ky?”- pyeti krijesa.
Argendi u mblodh kruspull e gati gati s’po i pushonte fryma. Mblodhi shpatullat gati njësh me kokën dhe ashtu i tulatur shtangu në vend. Pastaj, vetëm disa sekonda më pas as vetë s’e kuptoi se si brofi në këmbë dhe i çliruar nga ai sens tromaksjeje foli me një të prerë: “Po!”
“Atëherë edhe për të tani do të jem i shikueshëm. Për të tjerët kjo nuk do të ndodhë. Askush nuk mund të më shikoj mua me sy njeriu, përveç jush, përveç teje dhe shokut tuaj”- sqaroi krijesa.
“Ç’është kjo Argend, ç’është kjo... ?- pyeti Strokani, tepër i trembur.
“Një krijesë, një krijesë që doli nga... U mundua të shpjegohej Argendi, por zëri i krijesës si një oshëtimë e ndërpreu në çast.
“Unë jam Shpëtimtari, unë jam Shpëtimtari i kësaj gjullurdie, i kësaj bote që ç’do ditë e më shumë po katranoset, po shkon andej nga s’duhet të shkoj”- foli krijesa.
Sytë e djemve u zgurdulluan dhe ata të dy bënë nganjë hap prapa menjëherë.
“Unë thashë Shpëtimtari!” – shtoi krijesa duke iu afruar atyre e fëmijët gati u gozhduan në çast.
“Unë thashë Shpëtimtari... le të fillojmë tani!”- oshëtima zhdukej tutje thellë.
Argendi, Strokani dhe krijesa më vonë ishin duke udhëtuar në rrugë duke lënë parkun pas. Të dy herë shihnin njëri-tjetrin në sy e herë-herë shihnin shpotazi krijesën teksa flashitej nëpërr rrugë. Habiteshin. Habiteshin me vehte se si një krijesë e tillë të ecte krah tyre. Por, kryesorja ishte se ata të dy e kishin kuptuar se krijesa nuk ishte më e frikshme, nuk ishte më rrezik për ta, shpejt u miqësuan me të aq sa nuk donin të ndaheshin më prej saj. I pari që theu heshtjen e gjatë ishte Strokani.
“Çfarë jeni ju?” – pyeti Strokani.
“Nëse unë do të tregoj ekzaktësisht çfarë jam, nuk do të më kuptoni lehtësisht. Unë jam krijuar nga gjembat e këputura prej luleve gjëmbore, prej trëndafilorëve. Ju shikoni që gjembat nuk janë vetëm të rrezikshëm, nuk janë vetëm që të shpojnë e të nxjerrin gjak nga gishtat. Ata nuk janë vetëm pjesa e shëmtuar e lules, por mbrojnë atë bukuri të lules nga duar që i keqpërdorin këto bukuri të natyrës, këto dhurata për njërëzit. Trupi im është më saktë i thurur nga gjithë ato gjemba të mbaruar, ose në mbarim e sipër, nga ata gjemba që kanë përfunduar misionin e tyre për të cilin janë.
“A keni emër? – pyeti Argendi.
“Nëse unë ju them emrin tim, unë duhet t’ju them historinë e jetës time. Dhe ajo është mijëra vjeçare e gjatë. Por, ju të dy mund të më quani Shpëtimtari.”- shpjegoi krijesa.
“A ka shumë si puna juaj?- ndërhyri Strokani.
“Po shumë. Bota jonë është tjetër botë, shumë e madhe. Ju s’mund t’a imagjinoni atë”- u përgjigj krijesa.
“Bota jonë është shumë e madhe gjthashtu”- tha Argendi.
“Ju mendoni se bota juaj është e madhe? Jo. Kurrë. Ajo është e vogël, gati sa një grusht, sa një grusht tamam. Ju e shikoni atë me sytë tuaj. Me sytë tuaj ajo ndoshta ngjan e madhe, ndoshta edhe nuk arrini t’a shihni plotësisht, dhe sigurisht që jo. Për mua ajo është shumë e vogël. Unë e kontrolloj atë me një vështrim sporadik, me një të lëvizur të syve. Doni t’jua provoj këtë? Ja shikoni!” – sqaroi Shpëtimtari.
Diku nga hiçi, Shpëtimtari krijoi një skenë, një faqe si të një kompjuteri palosës dhe bëri shenjë me të lëvizur të trupit për të parë në ekran. Ekrani tregonte pamjet e një vendi ku qindra njërëz ishin vënë në rradhë për një copë bukë. Pastaj dy djem të rrinj që torturoheshin nga disa policë të atij vendi. Pamjet e tjera i takonin ca njërëzve që punonin në arra e të tjerat ca njërëzve që festonin në lluks.
“Doni të shikoni më?” – pyeti Shpëtimtari. Ja shikoni këtu! Këta njërëz janë të mbyllur në kafazë. Ata s’kanë parrë diell me sy për vite me rradhë. Ky njeri është paguar nga qeveria e vendit të tij të ndjekë sa më shumë njërëz që e kundërshtojnë qeverinë,... se po u zbraz kafazi mbaroi qeveria e tij.”- vazhdoi Shpëtimtari.
Djemtë u panë sy më sy. Nuk u besonin syve.
“Po si mund të ndërroni këto pamje, këtë realitet? Si mund të kthehen ato në normale?” – pyetën më pas njëzëri të dy djemtë Shpëtimtarin.
“Pak më parë ju thashë të mos më bëni shumë pyetje. Vetëm më ndiqni mua dhe do t’a kuptoni sa lehtë do të bëhet ajo që ju shqetëson juve tashmë në ndërgjegjen tuaj. Ju do t’a shikoni se si ç’do gjë do të kthehet në realitetin e mëparshëm, në realitetin e zanafillës jetike, në jetën normale, pa këto fakte tronditëse. Ja shikoni këtu! Nuk është më siç e shikuat pak më parë. Është i njëjti vend, të njëjtët njërëz, vetëm faktet janë ndryshe. Njërëzit e botës tuaj e dinin këtë më parë, por kanë kohë që e kanë harruar tani. Është vetëm një fjalë e harruar prej tyre. Ajo është dashuria njerëzore. Më saktë është diçka tjetër që ka zëvendësuar fjalën disiplinë. Ajo që ju patë së dyti për ju duket magjike, ndërsa për mua është vetëm një grimcë lëvizëse, thjesht një transformim, një kthim në normalen e nevojshme jetike.” – theksoi Shpëtimtari.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi