Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Lufta e Osmanit

Shko poshtë

Lufta e Osmanit Empty Lufta e Osmanit

Mesazh nga Agim Gashi Sun Jan 18, 2009 2:31 am

Lufta e Osmanit




Lufta e Osmanit U1_fisnik_dobreci_drenas-mulla-osman-musliu13-490x320
Mulla Osmani
Në vend të kreut të BIK-ut, me wahabistët ka filluar të merret mulla Osman Musliu. Ankesat e tij kanë vënë në lëvizje komunën e Drenasit, kurse BIK-u pret ardhjen e myftiut Naim Tërnava. Mulla Osmani rrëfen kaosin që ka përfshirë institucionin më të lartë islam në Kosovë, të cilit duket se ka filluar t’i rrëshqasë kontrolli nga duart.
Nga Jeton Musliu
Mulla Osman Musliu gjallë, të jetë kryetar i Degës së Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) për Drenas dhe në të njëjtën kohë xhamia e fshatit Zabel të shndërrohet sikurse ajo e fshatit Morinë, kurrë jo. Ky është betimi që i ka dhënë vetes mulla Osmani, i rrahur disa ditë më parë në xhaminë e fshatit Zabel, i cili imamin e xhamisë së fshatit Morinë të Skenderajt, e konsideron shumë të rrezikshëm.
Pavarësisht se imami i xhamisë së fshatit Morinë njihet për ndihma të mëdha që iu shpërndan popullatës së asaj ane, mulla Osmani ka një mendim tërësisht tjetër. “Ata që japin shumë para, ata edhe shkatërrojnë shumë. Kjo sepse, pas parave dhe ndihmave, fshihet diçka tjetër. Unë mendoj se Serbia nuk i ka bërë Kosovës, çka i ka bërë xhamia e Morinës”, thotë mulla Osmani për Express.
Naim Tërnavën, kryetarin e BIK-ut, mulla Osmani e quan të frikësuar nga wahabistët, ndërkohë që shpjegon se pa ndonjë leje dhe kontroll, gjithandej ligjërojnë hoxhë si Mazllumi nga Prizreni, Shefqet Krasniqi nga Prishtina, të tjerë nga Maqedonia apo Shqipëria. Duke ilustruar pafuqinë e BIK-ut për kontroll mbi imamët, xhamitë dhe hoxhët, mulla Osmani jep shembullin kur hoxha Shefqet Krasniqi ligjëron në xhamitë e Drenasit, pa e pyetur askënd.
“Nëse Shefqet Krasniqi është wahabist, diçka ka. Fakti se ai vjen në shtëpinë (xhaminë) time dhe vepron në Drenas pa e pyetur kryetarin e Këshillit dhe pa e pyetur imamin, diçka duhet të ketë. Për të gjitha këto është njoftuar BIK-u e myftiu Tërnava dhe masat që ata kanë ndërmarrë janë shumë të dobëta”, shpjegon imam Osmani.
Ai fytyrën ende e ka të nxirë nga grushtet dhe dorën të lidhur me fashë, por pas incidentit të së premtes në xhaminë e fshatit Zabel të Drenasit, mulla Osman Musliun nuk e ka vizituar ende një person, pikërisht Naim Tërnava, kreu i BIK-ut. Ndërkohë, me iniciativën e mulla Osmanit, për herë të parë në nëntë vitet e fundit, çështja e wahabizimit në Kosovë, duket se nuk do të kalojë thjesht me lajmin thuajse të zakonshëm të rrahjes së ndonjë drejtuesi të hierarkisë së BIK-ut.
Për çudi, iniciativa për të spastruar xhamitë, të cilat i administron BIK-u, nga personat e njohur si wahabistë, e nga të tjerët si radikalë fetarë, nuk ka nisur nga koka, që është BIK-u, por nga fundi, pikërisht nga mulla Osman Musliu. Me nga një letër drejtuar Komunës së Drenasit dhe BIK-ut, mulla Osmani ka kërkuar që të ndërmerren masat për parandalimin e ushtrimit të aktivitetit të wahabistëve në xhamitë dhe pronat e administruara nga BIK-u.
“Po e shoh që kam bërë mirë që rastin nuk e kam lënë nën hije dhe kam vendosur të mos hesht. Kemi marrë vendim që ta mbyllim xhaminë në fshatin Zabel, derisa të ulen pak gjakrat dhe të shërohem”, thotë mulla Osmani për Express.
Derisa pas kësaj kërkese të drejtuar një ditë më parë nga mulla Osmani, BIK-u ende nuk ka reaguar, ndryshe ka vepruar komuna e Drenasit. Përveç në xhaminë e fshatit Zabel, në letrat e tij, imam Osmani njofton Komunën dhe BIK-un me aktivitetet e paligjshme të wahabistëve edhe në bibliotekën e Shkollës fillore në Komaran.
Hyrije Xhemajli, drejtoreshë e Drejtoratit të Inspeksionit në këtë Komunë sqaron se menjëherë pas letrës, ky institucion ka reaguar duke dërguar inspektorët e vet në këtë bibliotekë. “Inspektorët nuk i kanë gjetur drejtuesit e saj, por kanë parë njoftime për aktivitete të ndryshme arsimore, duke përfshirë edhe kurse të gjuhëve të huaja. Bazuar në këtë, ne do të hetojmë çështjen për të parë nëse këto aktivitete arsimore janë të ligjshme”, thotë Xhemajli për Express.
Megjithatë, ajo sqaron se të gjitha aktivitetet e kësaj drejtorie që kanë të bëjnë me kontrollin e objekteve që veprojnë në kuadër të BIK-ut, do të bëhen me bashkëveprimin e këtij institucioni fetar.
“Jemi duke shqyrtuar mundësitë që në përputhje me ligjin të veprohet si duhet”, thotë Hyrije Xhemajli, drejtoreshë e Drejtoratit të Inspeksionit të Komunës së Drenasit.
Derisa pret mysafirë të shumtë, mulla Osmani thotë të jetë shumë i kënaqur me përkrahjen nga ana e Kuvendit Komunal të Drenasit dhe vetë kryetarit të Komunës, i cili e ka vizituar së paku pesë herë.
“Edhe disa nga anëtarët e Kryesisë së BIK-ut kanë ardhur, por anëtarët e Kryesisë nuk mund të vendosin për asgjë. Po pres derisa kryetari Tërnava të kthehet nga jashtë”, sqaron mulla Osmani. Sipas tij, nën drejtimin e Naim Tërnavës, wahabizimi e ka pasur shumë më të lehtë të veprojë sesa në kohën kur kryetar i BIK-ut ka qenë Rexhep Boja, sepse ky i fundit është distancuar.
“E kam parë që myftiu Tërnava nuk është në gjendje t’i luftojë wahabistët, sepse e ka frikën dhe drojën. Edhe në kohën e Rexhep Bojës ka pasur wahabistë, por ai është distancuar nga ta”, thotë mulla Osmani, i cili shpjegon se hapur ka qenë kundër rizgjedhjes së Naim Tërnavës në krye të BIK-ut.
Ai sqaron se xhamitë janë pronë e BIK-ut, duke përfshirë edhe bibliotekën për të cilën thotë se tashmë tërësisht ka devijuar dhe nuk kontrollohet më nga ky institucion fetar.
Gazeta ka bërë përpjekje të kontaktojë zyrtarët e BIK-ut, por ata nuk kanë dashur të thonë asgjë në lidhje me këtë rast, me arsyetimin se Naim Tërnava nuk është në Kosovë.
“Ne duhet të dimë se çfarë po u servohet fëmijëve tanë. Këtë kërkesë e kam bërë që edhe xhamitë edhe shoqatat e ndryshme qofshin edhe të krishtera, të kontrollohen. Ne nuk duhet të lejojmë që me fëmijët tanë të luajë dikush”, konkludon mulla Osman Musliu.
Kreu i BIK-ut për komunën e Drenasit është i bindur në ato që thotë dhe shpjegon se pak rëndësi ka çfarë bëhet me gjeneratat e vjetra.
“Unë jam i gatshëm që një prifti t’ia lejoj të vijë në xhami të mbajë ligjërata për persona mbi 18 vjeç, por jo në lokale, e të keqpërdoren fëmijët tanë. Ne kemi bërë sakrifica që t’i mësojmë fëmijët tanë vetë, e jo të vijnë të tjerët t’i mësojnë”, thotë imam Osmani.
Ai kërkon që sa më shpejt të hartohet dhe miratohet Ligji për fetë, në mënyrë që shteti të ketë kontroll mbi to, jo sikurse në kohën e komunizmit, por të dijë se çfarë ligjërohet e çfarë bëhet. “Wahabistët mund të ndërtojnë xhami të veta, por jo të ligjërojnë në xhamitë e BIK-ut”, përfundon mulla Osman Musliu.:

Gazeta Express
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi