Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Hilmi Saraçi: Lashtësia, emertimi dhe trashegimia kulturore, historike, arkeologjike e qytetit të Vushtrrisë

Shko poshtë

Hilmi Saraçi: Lashtësia, emertimi dhe trashegimia kulturore, historike, arkeologjike e qytetit të Vushtrrisë Empty Hilmi Saraçi: Lashtësia, emertimi dhe trashegimia kulturore, historike, arkeologjike e qytetit të Vushtrrisë

Mesazh nga Agim Gashi Wed Dec 09, 2009 1:00 pm



Hilmi Saraçi: Lashtësia, emertimi dhe trashegimia kulturore, historike, arkeologjike e qytetit të Vushtrrisë U1_HilmiSaraciLashtësia, emertimi dhe trashegimia kulturore, historike, arkeologjike e qytetit të Vushtrrisë

Lashtësia e qytetit, emërtimi dhe etimologjia

Nga Hilmi Saraçi, profesor

Vushtrria është një qytet i lashtë, ndër më të lashtit në hapsirën ballkanike dhe më gjerë. Ёshtë lokacion antik, mesjetar dhe bashkëkohor që gjatë historisë së saj ka luajtur rol me rëndësi të madhe në pikëpamje ekonomike, kulturore dhe qytetruese.Vushtrria përveç lashtësisë është e njohur për trashegiminë e begatshme kulturore, historike, arkeologjike e tjera. Prandaj për historinë, për qytetarët e saj dominon një gjallëri dhe krenari për këtë qendër të shquar nga koha e ilirishtës, nga koha e perandorisë romake e bizantine. Lashtësia e qytetit të Vushtrrisë ka krijuar tabo të zhvillimit të veçantë ekonomik ushtarak, kulturor, administrativ e tjera, megjithse më vonë ka hasur në ballafaqime pushtuese dhe shkatrruese nga sundimi osman dhe nga kthetrat barbare sllave. Mirëpo Vushtrria gjatë këtyre periudhave ka krijuar një histori specifike të lashtësisë, emertimit të saj, trashegimisë kulturore historike, arkeologjike e tjera. Për këto veçori dhe specifika të rëndësishme, ka pasur debate dhe shkrime të ndryshme, në veçanti shquhet përpjekja për zbardhjen e etimologjisë të emrit të qytetit të Vushtrrisë
Për emertimin dhe etimologjinë e qytetit të Vushtrrisë ka pasur mendime të ndryshme.Sipas dokumenteve mesjetare këtë qytet e ndeshim me emra të ndryshëm si Vuovecitern,Vuolatern, volcitern,, Vozyltrin, Vulcetarno ,Ëucitarnouo,Ëolfasdorne, Veltscherin, Busitrin , etjera. Kontinuniniteti iliroarbëror i qytetit në fjalë mund të ndiqet nga periudha e perandorisë bizantine me origjinë dardane . Justiniani ndërtoi 8 dhe rindërtoi 61 kështjella . Njera ndër kështjellat e cila gjendet në listen e kështjellave të rindërtuara të Prekopit, ishte edhe Bessiana e cila sipas Tubula Peutingerian është e njejtë me Vicianon. Sipas Ptolomeut, gjeograf dhe matematicent i shekullit II-të është e njejtë me një qendër, emer i mirëfillt i të cilit ishte Vizianum, gjë që shihet edhe nga një mbishkrim i vitit 211 në të cilin lexojmë “ stationis Vizi (ani) . Viciano përkatësisht Vizianus, sipas të gjitha gjasave është Vushtrria e sotme. (nga një punim i dr. Jahjo Drançollit)
Në teritorin e Vushtrrisë sikur edhe në tërë Kosovën egziston një numër i madh i vëndbanimeve dhe i sistemeve fortifikuese të cilat nga vëndasit njihen si toponime gjytet, qytet, gradinë , kala , kështjellë, hisar. Këto vëndbanime datojnë kryesisht nga periudha parahistorike , paraqytetare nga periudha romake , bizantine dhe osmane . Në bazë të vrojtimit të terenit vërehen gjurmë dhe trajta të bedeneve të ndërtimeve dhe të mureve artektikore . Kemi raste kur në këto vëndbanime të periudhës qytetare ilire , romake dhe bizantine në kuadrin e sistemeve fortifikuese vërehen edhe gjurme të kullave si ndërtime arkitekturale të mesjetës. Në këtë rast vlen të përmendim kalanë në Qeçan,, kalanë e Vushtrrisë , gjytetin e Strofcit një gradin në Lumkuq (ish samadregjë) si dhe një gradin në Vushtrri ose si e quan populli Kalaja e Vushtrrisë e cila gjatë mesjetës është rindërtuar disa herë ku funkcioni i saj mbrojtës ka ardhur në shprehje edhe në periudhen osmane …(Dr. Jahja Drançolli “Vizianis i anntitetit-Vuçiterni mesjetar”, në “Zëri” 18 janar 2006)
Dr. Ali Jakupi në një punim të tij për emrin e Vushtrrisë, përpiqet të nxjerrë nga emri autentik i Vushtrrisë, i dalë nga vet goja e popullit si “ refleksim i logjikës se në këtë teritor, fushë, kishte drerë dhe se metamerfoza e Fushës së drerëve ka psuar në Vushtrri”. Ai pastaj konstaton se edhe logjika se ky toponim përfundimisht është krijuar nga Fusha e Shtrirë që do të thotë: Fushë= Vushë dhe Shtri = trri. Vush+ trri. Mirëpo autori këtë mendim e lenë në logjikën e supozimeve, prandaj mendimi i tij nuk është i qendrueshëm dhe i argumentuar me të dhëna autentike shkencore , sepse Vushtrria si qendër e ndritëshme kulturore dhe administrative ushtarake, etimologjinë e ka nga pellazgjishtja dhe iliro shqiptare – thekson Dr. Skënder Riza, për ta lidhur këtë mendim se këto lokalitete të vjetra siq është Vushtrria i takojnë kohës së Përandorisë Romake, prandaj nga burimet romake, Vuçitrina paraçitet si Vicianum, fjalë kjo që përbëhet nga këto elemente: viç-i, An-ë dhe Um (viçi, pjellë e lopës deri në një vit –An/ë, hapsira a trulli në një krah të një vendi – Um prapashtesë e një vendi në latinisht). Pra nga këto tri elemente të fjalëve formohet emri i Vuçitrinës. Në defterin e Sanxhakut të Vushtrrisë të vitit 1487, ky toponim është shkruar si Vuçitrinë ( viç-i / Trin-ë, thurinë me purteka për kafshë). Kështu del emri Viçi-Trinë = Trina e viçave ose ana e viçave. Gjithënjë sipas Dr. Skënder Rizës emri Vushtrri nuk figuron në dokumente as në harta antike, mesjetare dhe të Kohës së Re. Këtë veprim të pamatur të shqiptarëve ( emertimi në Vushtrri) nacionalistët serbë e kanë shfrytëzuar dhe e kanë keqpërdorur duke u bazuar në emertimin Vuçitrinë që nuk ka të bëjë, siq konstatojnë ata, kinse me kuptim në gjuhën serbe: Vuçji – tern = therra të ujkut, thotë Dr. Skënder Riza, për të konstatuar se Viciana ose Vuçitrina e dikurshme “ nuk mund të jetë Vushtrria e sotme po as Vushtrria e sotme nuk mund të jetë Viciana ose Vuçitrina…(Dr.Skënder Riza: “Vushtrria me rrethinë”).
Gërmimet e reja arkeologjike qoftë në Shqipëri (Lurë), qoftë në Kosovë ( rrethin e Vushtrrisë) do të dëshmojnë me siguri sa të numërta qenë këto llojesh mbishkrimesh. Këto nga studimet e deritashme toponimike mund të vërtetohen leht, pavarësisht nga specifikat e zonave të ndryshme se toponimet e ndryshme në të gjitha trojet shqiptare flasin për një sistem tashma të krijuar toponimesh që kanë një moshë shumë të vjetër ,sa do që mund të hasen dhe zona , ku ndikimi i toponimisë latine , bizantine , sllave dhe osmane është mjaft i dëndur , por në thelb toponimia shqiptare tregon se kemi të bëjmë më një vazhdimësi të pandërprerë që nga koha antike e deri me sot, argument ky që dikur hipotezeës për origjinen ilire të shqitarëve ,i jep, në të vërtet karakterin e teorisë shkëncore . Në këtë fushë emri dhe etimologjia e e qytetit të Vushtrrisë del nga këto të dhëna - falë edhe kërkimeve të parreshtura arkeologjike , etnografike , antropologjike , historike , gjuhësore , etj. Megjithate nuk mund të mohohet në trashigiminë shqiptare as prania e elementit trako-dak, në mos dhe atij maqedonas , sepse jemi i vetmi popull që i shpëtoi , qoftë romanizimit , qoftë sllavizimit. Të kundërten e dëshmojnë si populli rumun si ai bullgar. I pari u romanizua pothuaj plotësisht, kurse i dyti u sllavizua , po ashtu , gati plotësisht… (shih punimin e Abdullah Konushevci ,,Toponimi Vushtrri nuk vjen nga sllavishtja”- botuar në “Zeri” 25 shtator 2001)
Me siguri etimologjia e këtij toponimi (Vushtrri) për shkak të formave të ndryshme me të cilat paraqitet, si në turqishten (Vëlqëtrën) , në serbishte (Vuçitrn ), kurse në popull i njohur gjerësisht si Vushtrri, do të jetë objekt i lodhshëm i shqyrtimeve gjuhësore derisa nuk do të gjendet forma e kuptimi i saj i kryehershëm, sepse trajta shqipe Vushtrri, është e vështirë të përfitohet fonetikisht nga ajo turke: Vëlçëtrën. Në librin “Kosovo” të Branisllav Nushiqit që u ribotua më 1986 nga “Prosveta” e Beogradit, plotë 84 vjet më vonë bien në sy trajtat e ndryshme të këtij toponimi: Vlëçintrën, od Vlëçemë trënë si dhe ato me shkronja latine: Volçiter, Volctern, Volciterna dhe Vualatern ( B.Nushiq “Kosovo”- 268- 269).

Identifikimi dhe përbërja

Nga dy anët e lumit Sitnicë, ka gojdhëna dhe shenja që flasin për një qytetrim shumë të vjetër të qytetit të Vushtrrisë. Vushtrria qysh nga parahistoria ka pasur vendbanime që ende janë të rujtura shumë Gjytete- vendbanime të vjetra (Gjytet në Strofc, Qytezë në Smrekovnicë, Gjytet në Dubovc e tjera ) që dëshmojnë për një qytetrim të vjetër. Ilirët si popull u formuan në ambijentin ballkanik, në Kohën e Broncit (2100- 1200), të cilët edhe filluan të ngrisin dhe të ndërtojnë shumë vendbanime- qytete. Kështu si pas Dr. Skënder Rizës në vazhden e këtyre proceseve edhe në Dardani u formuan shumë qytete si : Ulpiana, Naissusi, Theranda, Viciana e tjera. Prandaj Viciana është në mesin e qyteteve më të vjetra në Kosovë dhe më gjerë. (shih punimin e dr. Skënder Rizës në monografinë “Vushtrria me rrethinë”) .
Vushtrria si seli e Sanxhakut përmendet edhe në vitin 1462. Në këtë kohë Vushtrria ishte qytet më i madh se Prishtina, ku administrata osmane Vushtrrisë i dha rëndësi të madhe. Ky qytet prej vitit 1462 (edhe pse ishte formuar më herët), deri në fund të shekullit XVIII ka qenë seli e Sanxhakbeut. Gjatë sundimit të hershëm osman , Vushtrria ishte njëra ndër qendrat më me rëndësi ekonomike dhe politike. Në popull është quajtur (legjenda për Vushtrrinë e madhe, gjoja se ajo dikur është shtrirë prej Llukie (Dobërlluke) deri në Maxhunaj). Edhe Konstantin Jeriçeku pohon se Vushtrria në fund të shekullit XIV dhe në pjesën e parë të shekullit XV shtrihej deri të bashkimi i Llapit me Sitnicën”…
Pozita gjeografike e Vushtrrisë me rrethinë, ndërtimi gjeomorfologjik, vetit hidrogjeografike, kushtet klimatike dhe pasuritë natyrore, luajten rolin vendimtar për lindjen e jetës dhe për zhvillimin e kulturave në këto anë nga parahistoria e deri në ditët e sotme. Mirëpo bazë e hulumtimeve arkeologjike historike e tjera, në Vushtrri janë identifikuar shumë monomente kulturore historike. Pa dyshim ndër monomentet kulturore historike me rëndësi të vaçantë janë : Kalaja Dardane , Ura e Gurit, Hamami, Kalaja Dardane gjendet në qendër të qytetit dhe sipas mënyrës së ndërtimit, matërjalit ndertimor dhe të dhënave të tjera nga literatura shkencore, i përket periudhës iliro dardane. Ёshtë ndërtuar nga gurët e lidhur me gëlqere të shuar. Sipërfaqja e kalasë është 1.100 metra katror. Kalaja ka pyrgun me sipërfaqe afër 100 metra katrore. Ndërsa muret e kalasë janë të larta 10- 12 metra. Trashësia e murit është 3-4 metra. Dikur kalaja kishte gypat e kanalizimit. Gjatë gërmimit janë gjetur gypa me diameter afër 40 cm. Brenda kalasë gjendet një zgafellë që sipas legjendës në rast reziku do të shërbente për të dalur në lumin Sitnicë. Kalaja në burimet historike përmendet si kala e vjetër. Gjatë historisë përmendet nga shumë kronistë dhe gjeografë të ndryshëm. Në këtë rast Evlia Çelebia (shekulli XVII ) përmend Vushtrrinë ku thotë: Pasi e kishte pushtuar Vushtrrinë sulltan Murati i parë e kishte shkatrruar kalanë, mirëpo ajo u rindërtua disa herë dhe ka mbijetuar deri me sot…
Ura e Gurit. - gjendet në pjesën veripërendimore të hyrjes në qytet dhe hynë në radhën e monomenteve më të vjetra të radhës për nga lashtësia. Në të kaluaren kishte një rëndësi të vaçantë, sepse lidhte fshatrat buzë Qyqavicës me Vushtrrinë dhe nëpërmes Klysyrës lidhte rrafshin e Kosovës me Drenicën. Udhëpërshkruesi franqez, Filip Difren ( 1573 ) në mes të tjerave kishte thënë: “ Prej aty arritëm në Vushtrri, qytet i madh me xhami të shumta dhe me urë të madhe të gurit …“ Ura është ndërtuar me blloqët e gurit të mara nga kodrina e qytetit antik, Samadrexhë (Lumkuq ), ku vjetërsia e këtij lokaliteti i përket Kohës së Broncit (2100- 1100 para Krishtit dhe nga lokaliteti i Studimës së Epermë (tani Martiraj i Epermë). Gurët e urës janë të gjatë një meter dhe të trashë 40 cm. Janë të gdhendur mirë dhe të murosur në rende paralele. Gjatësia e urës është 136 metra, ndërsa gjerësia gjashtë metra dhe e ndërtuar me nëntë harqe. Ura e Gurit dhe Kalaja Dardane, kanë një rendësi të madhe historike, arkeologjike, por edhe hidroteknike… (shih punimin e Bedri Xhemës në monografinë “Vushtrria me rrethinë”).
Vushtrria është e njohur edhe me monomente të tjera të trashigimisë historike si brenda në vetë qytetin ashtu edhe në teritorin e saj. Në këtë drejtim janë të njohura disa kulla dhe shtëpia tipike tradicionale të trashigimisë shqiptare të cilat për kohën kur ato ishin ndërtuar kanë pasur një rol të veçantë kulturor dhe historik. Ato janë ndërtuar nga mjeshtrit e njohur shqiptar ku ka egzustuar një plejadë e terë e mjeshtreve të artitekturës popullore të cilët kanë qenë në veçanti mjeshtër të ndërtimeve të faltorëve (xhamive, kishave, manastireve e të tjera ) si dhe në arkitekturen popullore , në kompletimin e banesave. Këto të dhëna për mjeshtrit popullor shqiptarë janë ruajtur deri në ditet e sotme, në veçanti shquhen simbolet ilire në këto ndërtimtari. Kjo arkitekturë me gëdhendje të veçantë shihet në shtëpinë e Shaban Haxhiut nga Vushtrria , familje me preardhje nga Drenica.. Në këtë drejtim zënë vënd të veçantë edhe kullat si kulla e Zenullah Begut (Balaj), kulla e Veli Ashlanit (Ashlan) të cilat gjatë kohrave për çlirimin kombëtar kanë shërbyer jo vetëm për tubime të rëndësishme kombëtar por edhe si fortifikatë kundër sulmeve të papritura të armikut. Kullat si monomente të trashigimisë kulturore dhe historike kamë një rëndëai të veçantë. Në rrethinën e Vushtrrisë nga të gjitha kullat, shquhet kulla e Veli Hysenit nga fshati Ashlan dhe për mardhënjet tradicionale të këtij fshati me fshatrat e Drenicës e në veçanti me fshatin Galicë nga ishte Azem Bejta. Veli Hyseni ishte një bashkëpunëtor , këshilltar dhe jatak i Azem Bejtës . Në kullën e Veli Hysenit Azem Bejta të shumtën e kohës e kishte kaluar dhe kishte mbajtur shumë takime me luftëtarët e rezistencës kombëtare . Fatkeqësisht kjo kullë është shkatrruarr ,sepse deri me sot kurkush nuk është interesuar për ruajtjen e saj. Në shënjë respekti dhe përkujtimi ,Azem Bejta i kishte dhënë Veliut qehlibarin ,kutinë e duhanit dhe mullirin e kafes që deri në ditët e sotme janë të rujtura nga pasardhësit e tij. Ata kanë premtuar se këto do ti dorzojnë Muzeut të Kosovës në Prishtinë.
Në vazhdën e këtyre monomenteve përmendet edhe Sahatkulla e cili është shkatrruar dhe nuk egziston më. Ndërsa “Hambari i Gumnishtës” në Martinaj është ndërtuar nga vetë mjeshtrit e familjes Gumnishta, të njohur si mjeshtër të mirë të drugëdhenies. Hambari është i ruajtur deri në këto kohëra (2007) dhe mbetët si simbol në këtë lokalitet për qëndrimin dhe rezistencën e luftëtarëve gjatë luftës çlirimtare (1998-199) Në këtë lokalitet, të “Hambari i Gumnishtës” luftëtarët tanë mbanin pozicionët e tyre. Kur mësyenin këndej forcat serbe çetnike, luftëtarët tanë të pozicionuar të “Hambari i Gumnishtës” zhvillonin luftën kundër këtyre forcave të armikut duke i vrarë dhe shkaktuar dëme të mdha në teknikën ushtarake …

Përpjekja për tjetërsim dhe shkatrrim

Vushtrria si qendër me rëndësi të veçantë kulturore dhe historike, me trashigimi Iliro-Dardane, është e pasur me mbi 20 lokalitete arkeologjike që nga koha e metalëve e deri në kohërat më të reja, me më se 30 lokalitete të mesjetës se hershme- me një cilivizim kulturo- historik autokton i zhvillimit në kuntonuitet. Gjatë periudhave të ndryshme pushtuese kjo trashegimi kulturore- historike u shkatrrua, gati masovikisht, por disa u qendruan këtyre rebesheve pushtuese. Prandaj megjithë pushtimeve dhe sundimeve të gjata nga pushtuesi i huaj, vula e mjeshtrit- artistit shqiptarë ka lënë gjurmat dhe ndikimet e veta kudo në ndërtimet që janë bërë në këto anë. Disa monomente kulturore- historike, megjithse nga disa historian trajtohen si monomente të kohës romake, bizantine, osmane, sllave e tjera, këto monomente janë të ngjyrosura me “brushën” e autoktonisë iliro- shqiptare. Ka pasur tentime që këto monomente të lashtësisë iliro shqiptare t’i përvehtësojnë si monomente sllave. Rasti më eklatant është përvehtësimi i Kalasë Dardane në qendër të Vushtrrisë, Urës së Vjetërs të Gurit, Banjës Publike (Hamamit). Nga disa studjues serbë për Banjën publike (Hamamin) thuhet se ishte një kishë e vjetër ortodokse. Mirëpo Branisllav Nushiqi në veprën e tij :Kosovo” e kishte pranua se Hamami edhe nese ka qenë kishë, kjo ka qenë kishë katolike e jo ortodokse. Mirëpo Sipas Nesim Ispahiut poet dhe fotografist i njohur në Vushtrri, Hamami i Vushtrrisë është i ndërtuar nga turqit, menjëherë pas ardhjes së tyre (shekulli XIV-XV) dhe si i tillë i takon përiudhes osmane. Turqit me të ardhur në Kosovë (Vushtrri) e kanë pasur si detyrë parësore që më parë të ndërtojnë (ngritin) xhaminë e krahas xhamisë të ndërtojnë edhe hamamin për pastrimin e qytetarëve. Hamami sipas tradites është ndërtuar edhe me toalet të veçantë brenda saj, ndërsa kishat nuk posedojnë një gjë të tillë brenda sipërfaqës së saj. Kjo e demanton thënjën se hamami dikur ka qenë kishë katolike apo ortodokse siq thuhet nga disa studijues serbë të trashigimisë kulturore dhe historike . Ispahiu pastaj thotë se në Vushtrri ka qenë e ndërtuar edhe një hamam tjetër nga turqit, në afërsi të parkut të qytetit, por ai është shkatrruar dhe nuk gjenden shqnjat e egzistimit të tij. Mbeturinat , pjesët metalike si bakrri dhe plumbi janë marr dhe janë shfrytëzuar nga disa qytetarë të Vushtrrisë të cilët kishin pasur përfitime nga shitja e tyre –thotë Ispahiu. Por Ispahiu si duket bazohet në të dhëna jot ë plota argumentuese, sepse këto monomente janë të periudhës së hershme , iliri shqiptare…
Ndërsa për Kalanë Dardane , Ismet Bylykemini, një ekspert i njohur i trashigimisë historike nga Vushtrria , me vëndbanim në Turqi tregon për një moment, kur si antar i ekspeditës hulumtuese në vitin 1981 ,kur kishin filluar punimet në restaurimin e kalasë, në brendësinë e saj, në oborr duke mihur dheun pas dy metrave thellësi janë zbuluar themelet e vjetra të Kalasë, për tu kuptuar se kjo kala ishte Iliro –Dardane, prandaj pas këtij zbulimi ekspertët serbë nuk deshten të punojnë dhe as të deklarojnë për këtë zbulim të rëndësishëm historik, pasi Kalaja ishte Iliro –Dardane.
Në kalanë Dardanë ishin deri vonë disa gur çift, pyramidal me disa mbishkrime që dëshmonin identitetin iliro dardan të kalasë, por fatkeqësisht këta gurë nuk gjenden më si dëshmi , respektivisht shënjat që identifikonin autoktoninë iliro dardane.
Në Vushtrri me rrethinë përhapja e ritit katolik është bërë më herët se ai i ritit ortodoks. Në kohën e sundimit të shtetit të Rashkës, riti katolik i besimit u bë një, si fe kombëtare shqiptare . Sipas burimeve historike serbët kishin bërë disa ofanziva kundër shqiptarëve për konvërtimin e tyre nga kotoliqizmi në ortodokcizëm duke përdorur kodin e car Dushanit: të gjithë ata që nuk pranonin besimin ortodoks të damkosen me hekur të kuq”…Prandaj serbët kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për përvehtsimin e kishave të të parëve tanë , si të ritit katolik, ashtu edhe ortodoks. Në këtë fushë kemi shumë të dhëna, që tregojnë tjetërsimin (përvehtësimin) e kishave shqiptare…
Një grup popash me një autobus kishin vizituar kishen në Lumkuq (ish Samadregjë) në vutet e 80-ta dhe gjatë një vizite që i kishin bërë brenda dhe për rreth kishës, kryepopi kishte konstatuar: ”Braqo, na zh\llost ovo nije nasha “(vëllezer fatkeqësisht kjo nuk është e jona) … Edhe burimet tjera relevante historike tregojnë se kjo kishë nuk është ortodokse serbe…
Në rrethinen e Vushtrrisë janë edhe disa kisha të tjera: kisha në Vushtrri, kisha në Vrri, kisha në Bajë, kisha në Pantinë, kisha në Gojbulë , kisha në Prilluzhë …Sipas burimeve tjera të litëraturës historike mësohet se Hamami (Banja publike) është ndertua në shekullin e XV, në kohen kur është ndertuar Xhamia e Gazi Ali Beut. Gazi Ali Beu në atë kohë ishte sundimtar kur kishte urdhërua të ndertohet kjo Banjë publike. Banja është e ndërtuar nga gurët e butë , ngjyrë të bardhë e ndërtuar me mjeshtri. Pullazi është i ndërtuar në formë të kupollës .Pjesa më e hershme e hamamit është volume përdhëse me tri kupolla të ulta ku është ambijenti i ndërmjemë, dy ambijentët e larjes dhe depozita e ujit. Në anën limdore të banjos është tertorja për terjen e rrobëve dhe toaleti. Lokalet e banjos janë të shtruara me gur mermeri të bardhë. Kazani për nxjerrjen e ujit gjendet në anën lindore të banjos. Ky vënd quhet “qullan”. Uji nxehet me dru të cilat silleshin nga malet përreth Vushtrrisë.Në kupollat sipër hamamit gjenden tri vrima të vogëla në formë të rrethit të mbuluara me qelq të cilat kanë shërbyer për ndriçimin e lokaleve të mbrendshme me anë të rrezeve të diellit . (shih librin e Bedri Halilit “ Xhamitë në komunën e Vushtrrisë“).
Fatkeqësisht ky monument është shkatrrua dhe ka mbetur në stihinë e kohës, si domos është shkatrrua në vitin 2004, kur një qytetar, biznismen duke u përpjekur që të bëjë një lokal si pas tekeve të tija e ka shkatrrua krejt intërrnjerin e brendëshëm, dyshemen, maskat prej gurëve të mermerit e tjera. Drejtoria për Kulturë, Sport dhe Rini në Vushtrri ka intervenua në Ministrinë e Kulturës së Kosovës dhe është ndalur puna e këtij biznismeni që kishte punua pa leje. Mirëpo kurfarë masash nuk janë marrë ndaj personit që ka veprua në këtë mënyrë, për shkak të infrastruktures ligjore…
Në shkatrrim e sipër është edhe Ura e Gurit, Kalaja Dardane e të tjera. Afër Urës së Gurit, në mungesë të lokacionit, tregu ishte i vendosur rreth urës një kohë të gjatë, kështu duke kaluar mjetet e komunikacionit (kamionat, traktorët etj.) është shkatrruar dhe po shkatrrohet edhe më tutje. Për këto arsyera në vitin 2005 ishte bërë projekti nga Emiratët e Bashkuara Arabe (EBA-ja) e cila kishte premtuar financimin për restaurimin e Urës së Gurit. Mirëpo kjo iniciativë ka mbetur si më parë, pa u realizua,. Kështu trashegimia kulturore- historike në komunën e Vushtrrisë po shkon drejt shkatrrimit përfundimtar…

Ndërsa arkivi historik njëri ndër trashegimitë me vlera të veçanta për Vushtrrinë dhe më gjerë ka mbetur pjesërisht në kujdesin e duhur profesional. Është për keqardhje të shikosh këto dokumente arkivore historike të shkapërderdhura dhe të lëna pas dore. Tre zyrtarë (me drejtorin , Habib Pllana) të arkivit megjithë përpjekjet e bëra , në kushte të pavolitshme, në këtë drejtim nuk kanë afruar kujdes të duhur profesional. Avdullah Mulaku. ish drejtor i arkivit historik, thotë se këto mangësi janë edhe si rrjedhojë e mungesës së lokalit të përshtatshëm, pasi që arkivi disa herë ka ndërruar vëndin. Këto dokumente arkivore gjenden të hudhura në tavanin e shkollës së mesme , të grisura dhe të mbuluara nga pluhuri. Një pjesë tjetër është hudhur në podrumin në Qendrën e kulturës “Hasan Prishtina”, në gjendje jasht kujdesit të mirëfilltë e sistemuar dhe e klasifikuar pa kritere të duhura profesionale, prandaj ishte vështirë që të merren shënimet për disa fusha të trashigimisë historike gjatë hartimit të këtij libri…
Gjithashti Muzeu historik etnografik me rëndësi të veçantë për qytetin e Vushtrrisë dhe më gjerë është hapur me vonesë me 2004 , pas një kërkese nga kuadri profesionist historik, në krye me Bedri Xhemën. Mirëpo muzeu punon në kushte tejet të vështira dhe të papërshtatshme. Deri me tani muzeu nuk ka lokalin e duhur për eksponimin e vlerava arkeologjike dhe etnografike. Në muzeun e Vushtrisë punojnë tre punonjës të cilet përkundër këtyre kushteve të pavolitshme kanë kontribuar mjaft duke begatuar muzeun me shumë eksponante gjatë hulumtimeve dhe gjurmimeve nëpër teren, me mjete, vegla dhe gjësende me rëndësi historike dhe etnografike …
Në muze prej fillimit të vitit 2007 punon etnologia e diplomuar e cila ka dhënë kontribut të veçantë profesionale në kompletimin dhe begatimin e nuzeut me eksponante të llojeve të ndryshme etnografike, por për habi përkundër premtimeve të dhëna nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport se do të bëhet pranimi i saj, ajo ende punon pa pagë dhe pa shpërblim-vullnetarisht me qellim të ngritjes dhe ndihmes profesionale që i duhet muzeut. Ajo është etnologia e parë e diplomuar në komunën e Vushtrrisë, prandaj Drejtoria për Kulturë Rini dhe Sport sikur nuk ka qenë e interesuar për stimulimin dhe përkrahjen e kuadrave të reja të diplomuara në degën e etnologjisë …
Gjatë përiudhave të ndryshme pushtuese, kjo trashegimi kulturore historike fatkeqësisht u shkatrrua gati masovikisht, por megjithatë disa u qendruan këtyre rebesheve pushtuese të kohës. Prandaj megjithë pushtimeve dhe sundimeve të gjata, vula e mjeshtrit- artistit shqiptar ka lënë gjurmët dhe ndikimet e veta kudo në ndërtimet që janë bërë në këto anë. Disa monomente kulturore historike nga disa historian trajtohen si monomente të kohës romake, bizantine, osmane, sllave e tjera, mirëpo këto monomente janë të ngjyrosura me brushën e autoktonisë iliro- shqiptare…
Komuna e Vushtrrisë dhe Ministria e Kulturës së Kosovës, nuk kanë dhënë asnjë cent deri me tash (2007). për restaurimin e këtyre monomenteve. Kështu trashigimia kulturore historike në qytetin e Vushtrrisë më rrethinë, po shkon drejt shkatrrimit përfundimtar. Bashkësia Evropiane (BE) kishte shprehur gatishmërinë për përkujdesjen e të gjitha monomenteve të trashëgimisë kulturore historike të Kosovës pra edhe për trashëgimin e qytetit të Vushtrrisë më rrethinë, por deri me tash (2007) nuk është ndërmar diçka serioze në restaurimn e tyre…

Vërejtjet për trashegimin kulturore dhe historike në Vushtrri

Për trashigimin kulturore dhe historike janë dhënë verejtje disa here nga ekspertet e kësaj lamije dhe nga qytetarët e Vushtrrisë dhe më gjerë . Kjo trashegimi kulturore dhe historike në Vushtrri tani një kohë të gjatë nuk ka pasur kujdes të duhur, për ruaajtjen e saj. Gjatë vitit 2007 kanë lindur verejtje seriozë dhe reagime për ruajtjen dhe kujdesin e tyre instucionale dhe historike, pasi gjatë kësaj periudhe dhe më vonë ky kujdes ka munguar nga instucionët përgjegjëse .
Drejtoria për Kulturë, Sport dhe Rini në KK në Vushtrri , në kohen e negociatave për statusin e Kosovës në krye me presidentin Ahtisarin (2006-2007) ka drejtuar një letër qarkore me vërejtje në propozimin e pakos së Ahtisarit organëve më të larta shtetrore dhe mjetëve të informimit në të cilen bëhet fjalë se dokumenti i Ahtisarit "propozimi gjithëpërfshirës për Marrëveshjen për Statusin e Kosovës të datës 2 shkurt 2007, aneksi V- Trashëgimia Fetare dhe Kulturore , përkatësisht në nenin 4 të këtij dokumenti bëhet fjalë për Zonat e Mbrojtura . Në nenin 4,1, 4, janë cekur objektet, gjegjësisht lokacionet si zona të mbrojtura , ku në mesin e tyre është përmendur edhe “Ura Mesjetare e Voinovoqëve”, Vushtri (faqe 42, rreshti i tretë ), sipas të cilës tjetërsohet trashëgimia kulturore e periudhës antike dhe me këtë rrenohen të dhënat faktike të historisë për këtë monument kulturo historik iliro shqiptar.
Në bazë të emërtimit në dokumentin e Ahtisarit, del se ky objekt i takon kohës së mesjetës të familjes së Voinoviqëve, që sipas shpiegimeve serbe ky objekt i takon trashëgimisë kulturore serbe . E gjithë kjo ka ardhur në bazë të gojëdhënave të trilluara nga kuzhina pseudo-shkencore serbe. Ky objekt i trashëgimisë kulturo-historike në komunën e Vushtrrisë njëhet me emrin "Ura e Vjetër e Gurit". Për këto objekte të trashigimisë kulturore dhe historike ka të dhëna të pakontestueshme , të bazuara në të dhënat matërjalo- lëndore. Ura e Vjetër e Gurit në Vushtrri hyn në radhen e urave më të vjetra në ballkan. Është e ndërtuar qysh nga shekulli V- p.e.r., gjë që lidhet me zhvillimin shoqëror dhe ekonomik si dhe me përforëcimet e shteteve të atëhershme ilire , si Lidhja e Mollosëve , Mbretria Taulante , si dhe në pjesën kontinentale Mbretria dardane ku edhe gjendet Ura në fjalë. Në këtë kontest vlen të theksohet se gjatë periudhes prej shekullit V- p. e. r., -III-p. e. r. interesimi i madh për tregti mes shteteve , ka kushtëzuar edhe ndërtimin e rrugëve dhe urave për të lidhur fiset Dardane -Ilire mes veti, gjurmet e të cilave janë prezente edhe sot.
Ura e Vjetër e Gurit ka qenë e ndërtuar mbi lumin Sitnicë , e cila lidhte relacionin rrugor që vinte nga drejtimi i luginës së lumit Ibër, nëpër Zveqan.
Ura e Vjetër e Gurit ka lojtur rol të rëndësishëm qysh nga periudha antike , derisa lumi Sitnica e ndërron shtratin e vet dhe ura mbetet në të thatë .
Andaj, vërejtja konsiston në emërtimin jo të saktë të këtij objekti kulturor, bazuar në faktet e shënuara më lartë . Emërtimi i saktë për këtë urë duhet të jetë "Ura e Vjetër e Gurit" e cila i takon periudhës antike .
Gjithashtu vlen të theksohet se ky objekt gjendet në një lokacion të urbanizuar në qytet me infrastrukturë të rregulluar, pastaj në afërsi të saj gjendet Palestra e Sportëve dhe objektet tjera . Kështu që vënia e këtij objekti në zonë të mbrojtjes përmes përcaktimit të kufijve do të paralizonte lëvizjen nëpër rrugët në afërsi të këtij objekti.
Meqense Ura e Vjetër e Gurit është monoment kulturo-historik i mbrojtur me ligj, komuna e Vushtrrisë vitin e kaluar (2006), me qellim të mbrojtjes së këtij monomenti ka bërë rrethimin e saj derisa të ndërmirret diçka për restaurimin e saj. Në këtë drejtim pritet paraqitja e donatorëve për restaurimin e saj në të ardhshmen …
Bazuar në këto të dhëna më lartë , Drejtoria për Kulturë ,Rini dhe Sport ka kërkuar gjatë asaj kohe që këtë çështje ta shtroje në Grupin Punues për Trashëgimi Fetare dhe Kulturore të Kosovës, në mënyrë që objekti në fjalë të mos përfshihet në listën e objekteve si në nenin 4, 1, 4 të Dokumentit të Ahtisarit- thuhet në fund të kësaj letre qarkore drejtuar organëve dhe instucionëve më të larta shtetrore

Kujdesi dhe reagimi me kohë ka munguar

Megjithatë me rastin e prezentimit të pakos së Ahtisarit janë hapur probleme të veçanta shqetsuese për trashegiminë kulturore dhe historike të qytetit të Vushtrrisë, respektivisht në pakon e Ahtisarit Ura e Vjetër e Gurit figuron e regjistruar me emrin “Ura e Voinoviqve”, si trashegimi serbe .Për këto shtrembërime dhe paraqitje qoroditëse para opinionit të gjerë menjëherë kanë reaguar edhe ekspertëte kësaj lamije, qytetarët Vushtrrias dh Drejtoria për Kulturë, Sport dhe Rini ,nëpërmes një komunikate drejtuar instucionëve politiko shoqërore të Kosovës dhe mjeteve të informimit nëpërmes të cilës hudhet posht ky shtrembërim dhe çoroditje për trashegiminë tonë kulturore dhe historike në qytetin e Vushtrrisë . Për këto të dhëna të shtrembëruara të trashëgimisë tonë , veçanërisht për Urën e Vjetër të Gurit në Vushtrri drejtori i Muzet Historik dhe Etnografik në Vushtrri , Bedri Xhema thotë se nuk ka pasur njohuri si ka ardhur emërtimi i Urës së Vjetër të Gurit me emrin “ Ura e Voinoviqve”, por sqaron se në bazë të një shkrese të Institutit të Mbrojtjes së Monomenteve të Kosovës nr. 82. i dates 14. o6. 2001 drejtuar kryetarit të KK-së në Vushtrri, të nënshkruar nga Behije Dashi, drejtoreshë e Institutit për Mbrojtjen e Monomenteve historike të Kosovës, ishte dhënë edhe regjistri i monomenteve , siq thuhet për Qarkun e Kosovës dhe të Mitrovicës , ku janë përfshirë edhe monomentet kulturo-historike të Vushtrrisë . Në këtë shkresë në mes të tjerave thuhet se mbrojtja dhe kujdesi i monomenteve kulturo-historike është i përcaktuar me ligjin mbi mbrojtjen e monomenteve kulturo-historike në fuqi dhe me rregulloret e UNMIK-t 1999/ 23. Po në këtë rregullore në regjistrin për monomentet kulturore-historike të Vushtrrisë, Ura e Vjetër e Gurit ishte evidentuar si “Ura e Voinoviqve”, shekulli XIV dhe XVI nr. V. E. K. 859/49. Bedri Xhema pastaj sqaron se kur ka ardhur kjo shkresë ishte drejtor komunal për kulturë dhe me kohë kishte reaguar me shkrim në Institutin për Mbrojtjen e Monomenteve Historike të Kosovës në Prishtinë për shtrembërimin e kësaj trashëgimije historike dhe për emërtimin e këtij objekti në gjuhëm serbe dhe për emertimin ,gjithashtu të Kalasë Dardane si “Kulla e Voinoviqve “. Kështuqë me këto probleme dhe hulumtime të trashëgimisë matërjale historike dhe arkeologjike përkundër kërkesës sonë nuk janë marrë masa të duhura me kohë, prandaj kjo pakujdesi ka sjellur këto shtrembërime dhe probleme se këto monomente kulturore –historike siq janë Ura e Vjetër e Gurit dhe Kalaja Dardane në Vushtrri janë monomente të trashëgimisë iliro-shqiptare . Për këto kemi një mori të dhënash argumentuese shkencote , sepse edhe sipas burimeve të studijuesve serbë pranohet se Ura e Vjetër e Gurit në Vushtrri nuk është trashëgimi serbe, sepse pesë harqet e Urës së Vjetër të Gurit janë më të vjetra se të shekullit XIV. Në librin “Istoria naroda Jugosllavije” (“Historia e popullit jugodllav”) nga autorët serbë shihet qartë se Ura e Gurit në Vushtrri nuk është e trashigimisë serbe, por turke, e ndërtuar nga turqit , fill pas ardhjes se tyre, kështu në fotosin e urës në këtë libër shenohet : “Turski most kod Vuçitrna” (Ura turke në Vushtrri). që nuk është trashigimi serbe , por as trashigimi turke .
Sipas Bedri Xhemës në bazamentin e urës ishte një pllakë me mbishkrim me shkronja latine ,të cilën gjatë një vizite që i kishin bërë disa studijues serbë nga Beogradi, në kohën e ish Jugosllavisë e kishin gdhendur (fshirë) mbishkrimin në këtë pllakës, me qellim të humbjes së identitetit autokton të lashtë të Urës së Vjetër të Gurit. Kjo autoktoni me përjadhje iliro shqiptare shpiegohet qartë në librin “Mostovi na Serbiju” të autorëve , gjithashtu,serbë- thotë Xhema , për të argumentuar edhe me disa të dhëna gojore që qarkullojnë në qytetin e Vushtrrisë për Urën e Vjetër të Gurit. Braqa Voinoviq kanë qenë një vëllezëri mesjetare shqiptare nga Mali i Zi me patronimin Don Qetaj të shpërngulur në Vranjë për shkak se u dalluan si ushtarak,Për këtë arsye që në mesjetë moren patronomin voin që do të thotë ushtarak sllav. Nga Vranja shpërngulen në Vushtrri ku i kishin pronat e tyre , pranë Urës së Vjetër të Gurit, prandaj nga kjo Urën e Vjetër të Gurit serbët filluan ta quajnë “. Ura e Voinoviqve”. Gjuhen shqipe serbët e Vushtrrisë e mësuan nga Don Qetajt (Voinoviqët) . Kështu konstatojme se trashigimia jonë është përvehtësuar. Pastaj përmenden disa të dhëna gojore kur Milosh Kopiliqi kishte kaluar nëpërmes Urës së Vjetër të Gurit kishte përshendetur rojtarët e urës që ishin në këto momente :” puna e mbarë o bijtë e arbërit, Ura e Arbërit dhe ujët e kthjelltë nuk do të shterren kurrë “, prandaj , Ura e Vjetër e Gurit kurrë nuk është quajtur “Ura e Voinoviqve “ as nga serbët që kanë jetuar këtu në Vushtrri, ata e kanë quajtur “Stari Kameni Most” (Ura e vjetër e Gurit) dhe kanë thënë se kjo urë është ndërtuar në kohen e romakëve . Gjithashtu në kujtesën e banorëve të Vushtrrisë ka mbetur e paharruar ajo që shtrati i lumit nga Ura e Vjetër e Gurit është vëndosur pas një termeti katastrofik , në shekullin e VI duke shkatrruar një numër të madh të qyteteve në Kosovë. Sidoqoftë duhet të bëhen hulumtime të detajuara arkeologjike dhe të përcillet me argumente historike e kaluarja e Urës së Vjetër të Gurit në Vushtrri dhe të përmirësohet me argumente shkencore ky shtrembënim për Urën e Vjetër të Gurit në Vushtrri…
Sipas Mr. Izet Miftarit Ura e Vjetër e Gurit në Vushtrri nuk është ndërtuar në shekullin e XIV. Kjo urë i takon përiodës së antikitetit, përkatësisht periodës romake . Si duket Ura e Vjetër e Gurit është ndërtuar në shekullin e dytë (II), në kohën kur është ndërtuar rruga – Mintiminicium (Mitrovicë). Ndërsa për kalanë e Vushtrrisë Mr. Miftari thekson në mënyrë ekspleicite se është ndërtuar në shekullin e shtatë (VII) nga perandori bizantin me prejardhje (origjinë) faroane, Justinijani i parë (I) . Aksiomat se kinse këto dy monumente në Vushtrri i kanë ndërtuar Vëllezerit Voinoviq në shekullin e XIV, nuk qëndron. Kjo u shfaq gjatë shekullit XIX, përfundon Mr. Izet Miftari..
Në vazhden e këtyre qoroditjeve hyn edhe emërtimi i Shtëpisë së Kulturës “Hasan Prishtina” në Vushtrri dhe të instucionëve të tjera në kohën e Millosheviqit, kur pushteti diskriminues serb, si në çdo vënd në Kosovë i kishte ndërruar emrat e personaliteteve te njohura të kulturës shqiptare nëpër instucionet tona kulturore, arsimore dhe historike me emra të përkatësisë serbe duke i vën emrin “Braqa Voinoviq” qendrës së kulturës në Vushtrri. Ky diskriminim ndaj kulturës shqiptare është parë qartë së pushteti shofenist dhe diskriminues serb vazhdimisht është përpjekur për të humbur gjurmet e kulturës, identitetit dhe trashëgimisë kulturore e historike të shqiptarëve në Kosovë dhe më gjerë, duke u bazuar sipas gojëdhënave dhe shtrmbërimeve serbe. Tani në kohën kur po definojmë statusin e Kosovës (2006-2007), këto regjistrime dhe vjedhje të kulturës dhe trashegimisë tone kulturore dhe historike kanë sjellur dilema dhe paqartësi shqetsuese për banorët e Vushtrrisë dhe më gjerë , prandaj këto duhet të përmirësohen dhe të vëhen në vëndin e tyre sipas argumenteve historike dhe shkencore sa më parë …

Hasan Prishtina fytyrë e ndritshme politike dhe patriotike

Emri i Hasan Prishtinës, ku qendra e kulturës në Vushtrri,e mban emrin e tij, është i njohur në historinë tonë kombëtare si emër që lartëson dhe e bënë krenar , në rend të parë qytetin e Vushtrrisë, vëndlindjen e tij e pastaj mbarë kombin shqiptar.Ai ishte fytyrë e ndritshme politike, kulturore, patriotike dhe kombetare. Hasan Prishtina ishte personalitet i njohur, më një kulturë të gjerë, njeri që kishte të kryer shkollimin superior ( në gjuhën turke). Patriot dhe njohës i politikës dhe diplomacisë, njeri me karakter të fortë dhe i paluhatshëm nëpër furtunat e kohës . Njëri ndër udhëheqësit më të njohur të rezistencës kombëtare. Pjesëmarrës i shumë takimeve me burra shtetror për çështjen tonë kombëtare. Në veçanti shquhet zëri i tij i ngritur në parlamentin turk, ku kërkonte të drejtat dhe pavarësinë e shtetit shqiptar. Ai shkriu tërë qenjën e tij për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtare, deri në momentet e fundit të jetës kur u vra pabesisht nga një dorë tradhtare në Selanik (Greqi)…
Megjithate sikur ka mbetur në margjina veprimtaria e tij, nuk është studijuar, prezentuar dhe përfshirë sa duhet dhe si duhet, në litëraturën historike dhe letrare, në rend të parë biografia e tij është shkruar pa një njohje të duhur profesionale, hulumtuese, pa një çasje reale dhe argumentuese nga disa “historianë”, pastaj veprimtaria e tij patriotike dhe politike nuk është e pranishme sa duhet në literaturën tonë kulturore , arsimore dhe historike. Monografia për Hasan Prishtinën e Nysret Pllanës (për shëmbull) , për këto arsyera, pati verejtje dhe reagime nga qytetarët e Vushtrrisë dhe njohës të historisë. Shquhet reagimi i dr. Muhamet Pirrakut në gazetën “Koha ditore” (2005), me të cilin reagim demantohen disa të dhëna të gabuara për jetën dhe vepren e Hasan Prishtinës në këtë monografi…
Përkundër disa iniciativave të mara në vitët të 90-ta nga disa intelektualë, punëtorë kulturor dhe arsimor të Vushtrrisë për ngritjen e një përmendoreje (shtatorje) për ball qendrës së kulturës “Hasan Prishtina” në shenjë respekti dhe ndërimi për punën e palodhshme patriotike dhe kombëtare të Hasan Prishtinës, ende në këtë drejtim nuk është ndërmar diçka për realizimin e këtij projekti me rëndësi të veçantë nga instucionet tona vëndore dhe qëndrore . Kjo pakujdesi dhe papërgjegjesi instucionale (shtetrore) është për kritikë . Mandje nuk është organizuar (mbajtur) asnjë akademi në shënjë përkujtimi dhe ndërimi në Vushtrri. Gjithashtu nuk është mbajtur (organizuar) asnjë simpozium për jetën dhe veprën patriotike të Hasan Prishtinës qoftë në Vushtrri qoftë në Kosovë. .
Muharrem Shabani, kryetar i KK-së gjatë periudhës mandatore (2007) ka përmendur disa herë Hasan Prishtinën dhe projektin për ngritjen e bustit të tij. Por për ndonjë akademi përkujtimorë, simpozium që ishte lehtë të realizohet, për këtë patriot të shquar ka munguar kujdesi dhe ngritja e zërit. Muharrem Shabani dhe zyrëtarë të tjerë komunal për kulturë dhë arsim arsyetohen se vëndi i përshtatshëm për ngritjen e bustit ishte lokacioni i ish NSHT “ Qyqavica” e cila është privatizuar dhe përkundër kërkesës të instucioneve komunale që AKM-ja të mos bëjë privatizimin e këtij lokacioni ,të bëhet ndrrimi , ajo (AKM-ja) ka injoruar kërkesat e tyre, duke penguar realizimin e këtij projekti në këtë vënd të përshtatshëm, për ngritjen e bustit dhe për ndërtimin e sheshit të qytetit si në shumë qytete të Kosovës. Tani në këtë shesh është ndërtuar një objekt madhor nga dy blerës, duke mbuluar këtë hapsirët të planifikuar më herët për sheshin e qytetit, pa kritere te duhura dhe të respektuara urbanistike…
Vushtrria, qytetarët e saj, mbarë populli shqiptarë i kanë borgj ta përkujtojnë dhe ta respektojnë emrin dhe personalitetin e tij patriotik, jo vetëm me ngritjen e një përmendoreje (shtatorje) por edhe në fusha të tjera të veprimtarisë së tij. Shtëpia e tij (por edhe shtëpia e Zenulla Begut dhe disa të tjera të kësaj fushe) që deri vonë ishin të ruajtura, tani nuk egzistojnë më, janë rrëxuar dhe janë shkatrruar,” nuk janë nën mbrojtjen e trashigimisë kulturore”-arsyetohen zyrëtarët komunal…

Restaurimi i Urës së Gurit, Kalas dhe Hamamit me rëndësi të veçantë historike dhe kulturore

Ura e Vjetër Gurit gjendet në pjesën veripërendimore të hyrjes së qytetit. Kishte një rendësi të vaçantë për kohën kur ishte ngritur , sepse lidhte fshatrat që shtriheshin rrëzë Qyqavicës me Vushtrrinë si dhe nëpër grykën e Klysyrës e lidhte Rrafshin e Kosovës me Drenicën. Nëpër këtë urë kalonte rruga Mitrovicë- stacioni i trenave në Shtruerë, Vushtrri –Prishtinë..Për vjetërsinë e Urës së Gurit ka mëndime dhe vërzione të ndryshme, por dominojnë mendime se ajo është ndërtuar në kohën e Përandorisë osmane apo edhe më herët në kohën e Përandorisë romake. Në qytet quhet edhe Ura e Vjetër e Gurit. Urën e Gurit e përmendin edhe udhëpërshkrues të kohës si françezi Filip Defren i cili përveç të tjerave thotë: “… prej aty arritëm në Vushtrri, qytet i madh me shumë xhami dhe me urë të madhe të gurit”. Para tij e përmend Kuripeshiqi, por ai nuk jep detale për Urën e Gurit….
Në urë kanë qenë disa mbishkrime latine të cilat gjatë një ekspedite studiuse dhe hulumtuese punëtorët shkëncor të Beogradit i kanë gdhendur dhe i kanë asgjasuar. Ka pasur përpjekje nga këta shkencëtarë serbë ta tjetërsojnë Urën e Gurit dhe ta konsiderojnë si të tyre, të ndërtuar në kohën e Serbisë mesjetare, mirëpo në këtë drejtim ata nuk kanë asnjë argument, përpos argumenteve të trilluara.Të dhënat e deritashme për vjetërsinë e urës janë më tepër në favor të mesjetës së hershme.Në lidhje me këtë janë bërë shumë hulumtime nga shkenctarë të ndryshëm. Kështu në vitin 1977 Urën e Vjetër të Gurit e kanë hulumtuar edhe arkeologët nga Shqipëria: Aleksandër Mano, Zhaneta Andrea, Ali Muka dhe prof. Qamil Gegja nga Kosova. Mirëpo rezultatët e hulumtimit të tyre nuk dihet të jenë publikuar ndonjëherë . ( sipas një deklarate të Bedri Xhemës dhënë autorit 2007
Ura e Gurit ka një ndërtim të veçantë nga blloqët e gurit të cilat si duket janë marr nga kodrina e qytetit antik të Lumkuqit (Samadrexhës), ku ka të dhëna për vjetërsinë e këtij lokaliteti që nga koha e broncit si dhe në Martiraj të Epermë . Gurët janë të gjatë afër një meter e të trashë 30-40 cm. të gdhendur mirë e të murosur me rende paralele Ura me pjesët shtesë anësore është e gjatë afër 135 m. dhe e gjerë afër 6 m., Ura është e ndërtuar mbi 9 harqe. Sipas gojdhënave thuhet se ka pasur 12 harqe, por ato janë mbuluar me dhe në pjesët anësore. Harqet e fundit kanë qenë aq të larta , sa nëpër këto harqe kanë kaluar qerret të ngarkuara me sanë. Pesë harqet e mesit me maje të mpreftë janë ndërtuar në një fazë më të hershme, ndersa në fazën e dytë të ndërtimit ishin harqet tjera anësore më të vogëla.Ura e Gurit ka një rendësi të madhe historike, arkitektonike dhe hidroteknike. Bedri Xhema në një punim të tij sqaron se qemerët e urës janë të ndërtuar me gur dyngjyrash, të kombinuar bardh e kuq. Në fugat ndarëse, për një lidhje më të mirë është përdorur plumbi i shkrirë. Murët e saj anësore janë punuar me gur të gdhendur me kujdes. Niveli i kalldremit të urës pasqyrohet në murët ballore nëpërmjet një kornize të gurët me profil të gurbët. Parapeti i urës, me lartësi 90 cm, është realizuar me blloqe të vendosura në këlliq që fiksohen në taban me kunja metalike, ngulur me plumb të shkrirë. Ura e Gurit përmendet nga kronistë dhe udhëpërshkrues të ndryshëm që nga shekulli XVI. Sipas dokumenteve arkivore që gjenden në Arkivin Historik Shtetror të Tiranës thuhet se Urën e Vjetër të Gurit në Vushtrri e kanë ndërtuar mjeshtrit më të njohur shqiptarë. Në këto dokumente gjendet regjistri i emrave të mjeshtreve iliro shqiptarë.
Ky monoment me rëndësi të veçantë historike dhe arkeologjike është dëmtuar dhe është në shkatrrim.. Për këtë arsye janë përpiluar disa projekte në kohet e fundit për restaurimin e këtij monomenti të rëndësishëm dhe ka gjasa që kjo më në fund të realizohet . Tani nga hapsira për rreth Urës së Gurit është larguar tregu i gjelbër dhe është caktuar lokaliteti në dalje të Vushtrrisë , në drejtim të Prishtinës .
Në një tubim, debat publik me qytetarët e Vushtrrisë, Angjelina Krasniqi zëvendësministre për Kulturë të Kosovës (2006) ka thënë se Ministria e Kulturës së Kosovës tash e disa ditë nëpër 12 komuna të Kosovës po e zhvillon aksionin “ruaje, është e jotja”. Ajo pat premtuar se deri në fund të vitit do të restaurohet Ura e Gurit në Vushtrri. Gjatë vitit 2006 ka pasur delegacione që kanë vizituar këtë monoment historike dhe paten premtuar ndihmen për restaurimi e Urës së Gurit. Në vitin 2007 shefi i Zyrës turke në Prishtinë vizitoi Vushtrrinë dhe bisedoi me strukturat udhëheqëse të komunës për monomentët e trashëgimisë historike dhe kulturore, pasi gjurmet e trashigimisë (sundimit) turke në këtë hapsirë , respektivisht në qytetin e Vushtrrisë janë mjaft të pranishme . Në këtë takim ai pat premtuar ndihmen prej 300 mijë dollarësh për restaurimin e objekteve të trashëgimisë historikë siq është Hamami , Ura e Gurit e të tjera. Mirëpo kjo ka mbetur vetëm në fjalë. Sipas njohtimeve që kemi marr Ministria e Kulturës së Kosovës deri me tash nuk ka dhënë asnjë cent për restaurimin e këtyre monomenteve. Bashkësia Evropianem si duket ishte e interesuar të ndërmarrë diçka për përkujdesjen dhe ruajtjen e të gjitha monomenteve të trashëgimisë kulturore dhe historike të Kosovës, pra edhe për trashigiminë e qytetit të Vushtrrisë me rrethinë, por në këtë drejtim ende nuk është ndërmarr diçka. Është koha e fundit që të ndërmirret diçka dhe mos të shkatrrohet tërësisht kjo trashigimi historike dhe kulturore, nga dhëmbët e kohës...
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi