Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Zëri i Nolit

2 posters

Shko poshtë

Zëri i Nolit Empty Zëri i Nolit

Mesazh nga Agim Gashi Tue Jan 20, 2009 9:16 pm

Qerim Vrioni: Zëri i Nolit dhe një fotografi e vjetër




Zëri i Nolit U1_4korrik1918
4 korrik 1918


ZERI I NOLIT DHE NJE FOTOGRAFI E VJETER



Nga Qerim Vrioni



Ndërsa zerin e Fan Nolit e kisha dëgjuar dhe para disa kohësh, atë të Gjergj Fishtës e hasa për herë të parë këto ditët e fundit. Priftin erudit ortodoks e kishin inçizuar gjatë një fjalimi për Shoqatën Atdhetare “Vatra” në Amerikë më 1962, ndërsa poeti i shquar katolik ishte regjistruar duke recituar pjesë nga poema e tij ”Lahuta e Malcisë”, më 1937. Natyrisht të dy, me zerat e tyre, por sidomos me ato që thonin, të lindnin emocione të veçanta. Dëgjimi i këtyre inçizimeve u bë i mundur falë punës së gjatë kërkimore, të albanologut të përkushtuar, Robert Elsie, por edhe bujarisë së tij për t’i bërë të dëgjueshme nga të gjithë në internet (www.albanianlanguage.net ), gjë për të cilin ai meriton shumë përgëzime.

Noli, në fjalimin e tij para vatranëve (anëtarë të “Vatrës”), ndër të tjera përmend disa përvjetorë (“aniversarë” u thotë ai) që përkonin me atë vit (1962). Ndërmjet tyre ishte dhe ai i festimit të 4 korrikut 1918 (4 korriku-festa kombëtare e SHBA), kur ai bashkë me përfaqësues nga vende të tjera, ishte i ftuar nga Presidenca Amerikane në ceremonitë që do zhvilloheshin në Shtëpinë e Bardhë. Dihet që këtë rast, patrioti Fan Noli e shfrytëzoi mirë për të arritur një mbështetje ndërkombëtare amerikane ndaj Shqipërisë. Për këtë kremtim, inçizimi na mundëson të dëgjojmë nga goja e tij këto fjalë :” Vatra” u përfaqësua me delegatin e saj (Noli-shën.im) më 4 të korrikut 1918 përpara Presidentit Uillson dhe fituam një nga miqtë më të mëdhenj i cili shpëtoi Shqipërinë nga coptimi”. Kjo fjali më nxiti t’i kthehem përsëri një fotografie që është bërë atë ditë në Uashington me Presidentin Uillson dhe të ftuarit e tij nga disa kombësi të botës. Fotoja është shkëputur nga një album i vjetër fotografik me pamje nga jeta e shqiptarëve që jetonin në SHBA në fillim të shekullit XX, të dhuruar nga miku im, arkitekti i njohur dhe poeti, Petraq Kolevica.

Fotografia, rregullisht, ka bërë pjesë në protokollin presidencial të hartuar për pritjen e të ftuarve dhe është realizuar nga fotografi zyrtar i asaj kohe të Shtëpisë së Bardhë. Duke e vështruar ngultazi, s’ke se si të mos përsiatësh mbi të (këtu qëndron edhe forca e fotografisë, nxitja për të menduar e lexuar “përmasën e tretë”të saj). Kështu, përfytyrojmë takimet e kortezisë së miqëve me të zotin e shtëpisë, ndonjë bisedë të shkurtër, me urimet e rastit, buzëqeshjet tipike etj. Me ndihmën edhe të historisë, fotoja na sjell “para syve”, takimin mes Presidentit dhe Fan Nolit që zgjat diçka më tepër se të tjerat. Prifti trupvogël e me zemër të madhe me anglishten e kulluar dhe argumenta të pastër historikë, tërhoqi vëmendjen e mikpritësit, për gjendjen e vendit të tij, Shqipërisë, e cila në atë kohë kërcënohej egërsisht nga coptimi përfundimtar prej shovinistëve fqinjë. Për këtë biseda ndërmjet tyre e kaloi cakun e kortezisë, madje Uillson i premtoi të dërguarit të shqiptarëve se do t’a mbronte çështjen e tyre. Kështu, pas një viti, më 1919, në Konferencën e Paqes në Paris, ai kundërshtoi me forcë shpërbërjen e Shqipërisë, qendrim që e renditi atë ndër miqtë më të mirë të shqiptarëve në histori. Për këtë gjë shqiptarët i janë vazhdimisht mirënjohës Presidentit të SHBA, Uodrou Uillson (Woodrow Wilson, 1856-1924). Shënojmë këtu se po atë vit, 1919, ai u nderua me çmimin “Nobel” për Paqe.

Duke vazhduar kqyrjen e fotografisë, vërejmë se të gjithë janë veshur me kostume civile, me përjashtim të Nolit që mban rason e priftit, gjë që s’e pengonte të kryente më së miri misionin e tij. Në atë kohë, Shqipëria ishte nën pushtimin e ushtrive të vendeve fqinje, dhe shpesh “Vatra” e përfaqësonte atë në veprimtari të ndryshme ndërkombëtare. Natyrisht, qendra e rëndesës së fotografise është figura e Presidentit Uillson (me pantallona dhe kapale te bardhë) që nuk përputhet me ate gjeometrike të saj. Pranë tij, mbi supin e majtë, ndodhet Fan Noli me qendrim mjaft dinjitoz. Me sa dallojmë nga fotografia, shikimi i tij rezaton një gëzim të përmbajtur që buron nga fjala e marrë për mbrojtjen e vendit dhe besimi tek mbajtja e saj. Edhe pjesëmarrësit e tjerë shpërfaqin kënaqësi, madje dikush mund të paramendonte se fotoja, do t’i shërbente si dëshmi prestigji a aftësie për karrierën e mëtejshme (siç bëjnë sot politikanët kur fotografohen me ndonjë figurë botërore). Por gëzimi i Nolit kish ngjyrim tjetër, aspak vetjak, përkundrazi për kombin e tij, pra shumë fisnik e, kësisoj doemos më i përligjur. Ai pak minuta përpara kishte marrë një premtim të një rëndësie të veçantë.

Gjithë këtë vepër të lartë të tij, Noli, duke folur para antarëve të “Vatrës”, më 1962, e përmbledh vetëm me fjalinë “fituam një nga miqtë më të mëdhenj i cili shpëtoi Shqipërine nga coptimi”. Gjithësej 10-12 fjalë, por ato përfaqësonin atë hap të madh dhe historik që shmangu fshirjen e Shqipërisë nga harta gjeografike dhe politike e botës. Dhe eruditi, letrari, por veçanërisht atdhetari i shquar me raso prifti, Fan Noli, flet me mjaft thjeshtësi për bisedën e tij me presidentin Uillson, sidomos për rolin e tij, sikur të bëhej fjalë për dikë tjetër, fare pa lidhje me të.

Le të kthehemi përsëri tek fotografia historike e përkujtimore mbi 90-vjeçare. Poshtë saj, në albumin e cituar shkruhet diçitura përkatëse : ”Delegatët e kombësive të ndryshme që ishin ftuar prej Presidentit Wilson në Washington për kremtimin e Ditës së Katër Korrik, të cilët depozituan nga një kurorë për racat që përfaqësonin mbi varrin e George Washingtonit në Mount Vernon”.

Mendojmë se kurora që vendosi Noli në Mount Vernon, është historikisht e para me të cilën një përfaqësues zyrtar i shqiptarëve nderon simbolikisht një komb tjetër. Madje, si prift që ishte, e përfytyrojmë atë t’i përjetonte thellësisht ato çaste duke lexuar si nën zë, edhe ndonjë përshpirtje në gjuhën shqipe dhe këtë jo vetëm si rit fetar, por më tepër të dalë nga thellësia e shpirtit të tij.

Gjithashtu, siç e përmendëm edhe më sipër, fotografia ndoshta mund të ketë pasur ndikim në jetën a karrierën e ndonjë pjesëmarrësi në të. Por për gjithë shqiptarët është diçka tjetër. Ajo, thënë ndryshe, përbën një trokitje në kujtesën historike për të mos harruar një nga momentet më të vështira të mbijetesës së tyre si komb dhe shtet. Meritën për këtë, ndoshta e kanë vetëm dy njerëz në fotografinë tonë, Presidenti Uillson dhe Shqiptari Fan Noli.

Fytyra e qetë dhe dinjitoze e Nolit, i cili përveç cilësive dhe vlerave të njohura kulturore dhe atdhetare, me fjalimin e tij para vatranëve më 1962, në përkujtim të 4 korikut 1918, sikur do të thotë se unë bëra vetëm detyrën time si shqiptar.


Fjalimi i Fan Nolit dhënë Shoqatës shqiptaro-amerikane Vatra në vitin 1962:
1

2
Dërgoi për ZSH: Baki Ymeri
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Zëri i Nolit Empty Re: Zëri i Nolit

Mesazh nga Rrebele Sat Jun 20, 2009 11:52 pm

Inçizimi(zëror) më i vjetër i gjuhës shqipe, zëri i një shqiptari nga viti 1914
https://www.youtube.com/watch?v=-ApIDOu5gbQ

Ky incizim pesëminutësh, i kryer më 4 prill 1914 është dokumenti më i hershëm zanor i gjuhës shqipe nga Ballkani. Incizimi i mirëfilltë mbi një pllakë të vjetër dylli ruhet në Arkivin Fonogramik të Akademisë së Shkencave (Zentrum Sprachwissenschaft, Bild- und Tondokumentation, Phonogrammarchiv, Österreichische Akademie der Wissenschaften) në Vjenë.
Në foto : Norbert JOKL | 1914
Gjuhëtari dhe albanologu austriak Norbert Jokl (1877-1942)
Inçizimi më i vjetër të gjuhës shqipe, zëri i një shqiptari nga viti 1914.

Inçizimi i parë i shqipes së Ballkanit
Në pranverën e vitit 1914, Norbert Jokli dëgjoi për një grup shqiptarësh pastiçierë që punonin në Hungari. Pa humbur kohë, u nis për ti takuar dhe për të bërë shënime gjuhësore për dialektin e tyre. Me mbështetjen e Komisionit për Ballkanin të Akademisë Austriake të Shkencave, Jokli e ftoi njërin prej punëtorëve, një Mustafa Abdyli (lindur me 1876) nga Vrapçishta e Gostivarit (Maqedoni), në Vjenë për një muaj për një inçizim zanor të gjuhës së tij në Arkivin Fonogramik aty. Ky inçizim pesë minutësh, i kryer më 4 prill 1914 dhe i paraqitur këtu për herë të parë, duket se është dokumenti më i hershëm zanor i gjuhës shqipe nga Ballkani. Inçizimi i mirëfilltë mbi një pllakë të vjetër dylli ruhet në Arkivin Fonogramik të Akademisë së Shkencave (Zentrum Sprachwissenschaft, Bild- und Tondokumentation, Phonogrammarchiv, Österreichische Akademie der Wissenschaften) në Vjenë. I jemi mirënjohës Arkivit që na lajoi tia paraqesim këtë inçizim publikut të gjerë.

Inçizimi(fillimi i përrallës Pela dhe Ujku) Paska një pelë një vakët. E pela dalka e shkuaka prej shtëpisë, e shkuaka e kullotka. Kullotka e ardhka në shtëpi. Prej shtëpisë del e shkon në fushë. Prej fushe vjen e vjen në shtëpi. Prej shtëpisë del e shkon në fushë. E kulloten si kulloten, shkon në fushë si shkon në fushë, e u çuaka pela e mbajtka katërmbedhjetë muaj. Katërmbedhjetë muaj, i ardhka vakti me pjell. Pjellka, e u bëka mazi. Si u bëka mazi, kana rrit. Si kana rrit, shkuaka pela e kullotka në fushë. E kullotka e ardhka në shtëpi, e del prej shtëpisë e shkon në fushë. Prej fushe kulloten e vjen në shtëpi. Si vjen në shtëpi e i thotë mazit: Akur të dalë prej derës unë, e ta më çelish derën, thotë, e del e shkon në fushë. E vjen në fushë. Prej fushe e thotë: Pelo, pelo, çilma derën, se të kam pru barë, kashtë, tagjije. Pela, mazi e çelën. Hyn brenda. Si hyn brenda, bëhët: ditë kana, natë kana bërë.



1/2 Fjalimi i Fan Nolit dhënë Shoqatës shqiptaro-amerikane Vatra në vitin 1962
https://www.youtube.com/watch?v=BXZBIF5HYnw

Theofan Stilian Noli ose siç njihet ndryshe Fan Noli, ishte atdhetar, demokrat, burrë shteti, dijetar, poet, përkthyes e historian shqiptar. Ai ishte artist dhe dijetar, përfaqësues i shquar i letërsisë demokratike, që u zhvillua në Shqipëri fill pas Rilindjes[1]. Fan Noli dha një kontribut të çmuar për Shqipërinë dhe thesarin e kulturës kombëtare.
Jeta
Lindi më 6 janar 1882 në Qytezë (turqisht: Ibrik Tepe), fshat shqiptar në Trakë, jo shumë larg nga Edreneja. Si disa fshatra të tjera të asaj krahine të banuar me shqiptarë, Qyteza kishte ruajtur me kohë gjuhën, doket dhe kostumet e të parëve. Noli e mbante fisin e vet me prejardhje nga Qyteza e Kolonjës. I ati, Stiliani, ndonëse trashëgoi një pronë tokë, nuk u mor me bujqësi, po shërbeu si psalt në kishën e fshatit. E ëma, Maria, ishte shtëpiake. Familja u shtua shumë dhe erdhi një kohë që jetesa u bë e vështirë për të. Sa qe i mitur Noli hoqi sëmundje të rënda, prandaj shkollën e nisi me vonesë. Filloren dhe të mesmen i bëri greqisht. Por me shumë ndikoi tek ai krenaria e fshatit shqiptar për të kaluarën historike dhe dashuria për shkrimin shqip. Që në bankat e shkollës iu shfaqën karakteri i pavarur dhe fryma e revoltës. Për këtë shkak nuk iu dha diploma në kohën e duhur, gjë që e pengoi të emërohej mësues atë vit shkollor. Më 1900 vajti në Greqi, me qëllim që të nxirrte jetesën dhe të ndiqte fakultetin e filozofisë. Në Athinë u lidh me një shoqëri belge, e cila zotëronte tramvajet me kuaj. S'i eci mbarë. Studime nuk i bëri. Atëherë u hodh në punë të tjera, si kopist, sufler dhe aktor pranë një trupe greke teatri shëtitës. Tek punonte atje, iu ngjall dëshira të mërej me dramaturgji. Më 1903 kaloi në Egjipt, ku zuri punë si mësues i greqishtes. Ndërkohë, njihet me lëvizjen kombëtare. I ndihmuar nga patriotë, nis veprimtarinë politike dhe letrare: shkruan artikujt publicistikë, përkthen greqisht »Shqipëria ç'ka qenë, ç'është dhe ç'do të bëhet« të Sami Frashërit. Nga viti 1908 deri më 1912 kryen studimet e larta për arte në Universitetin e Harvardit, të cilat i përfundon me cum laude në Bachelor of Arts. Në fund të jetës së tij shkon në Florida. Atje, në banesën e tij, në Fort Lauderdale, vdiq më 13 mars 1965, larg atdheut të shtrenjtë, që e deshi me zjarr të pashuar. Fan Noli është varrosur në Forrest Hill Cemetery, të Bostonit.
Tituj të veprave * Album - vëllim vjershash [2] - 1948 * Historia e Skënderbeut [2] - 1921 * Autobiografia - 1960 * Israilitë e Filistinë - dramë [2] * Betoveni dhe Revolucioni francez
1962 | Fan NOLI
Ky është incizimi i një fjalimit të Fan Nolit dhënë Shoqatës shqiptaro-amerikane Vatra në vitin 1962.




2/2 Fjalimi i Fan Nolit dhënë Shoqatës shqiptaro-amerikane Vatra në vitin 1962

https://www.youtube.com/watch?v=snlySmsh-I0

Veprimtaria Patriotike
Më 1906, i nxitur dhe i përkrahur nga patroitët, Noli u nis për në SHBA, me qëllim që të ndihmonte në organizimin dhe në bashkimin e shqiptarëve të mërguar, që kërcënoheshin nga rreziku i përçarjes, për shkak të veprimeve të shovenistëve grekë. Bëri punë krahu si punëtor në një fabrikë sharre, si pjatalarës etj. Megjithëse nuk kishte bindje të forta fetare, u dorëzua prift më 1908 dhe filloi luftën për shkëputjen e kishës ortodokse shqiptare nga kisha greke, duke bërë shërbesa shqip, duke shqipëruar libra fetare etj. Kjo gjë, për atë kohë, kishte rëndësi politike, sepse i priste udhën ndikimit të qarqeve shoviniste greke te shqiptarët me besim ortodoks. Ndërkohë, bashkëpunonte në gazeta, mbante ligjërata, organizonte shoqëri patriotike, të cilat, më 1912, u bashkuan në federaten pan-shqiptare Vatra.

Pas shpalljes së Pavarësisë, Noli përkrahu qeverinë e kryesuar nga Ismail Qemali. Erdhi në Shqipëri për të parën herë më 1913. Përseri shkoi në SHBA. Vatra e zgjodhi kryetar. Të kësaj kohe janë vjershat e tij të para dhe të parat shqipërime artistike. Më 1921 doli vepra e tij madhështore në prozë Historia e Skënderbeut. Në Shqipëri erdhi sërish në fillim të viteve 20. Gjeti një lëvizje mjaft të gjërë për sigurimin e pavarësisë kombëtare dhe të tërësisë tokësore. Si deputet në Këshillin Kombëtar, mbrojti platformën e Kongresit të Lushnjës dhe u bë udhëheqës i krahut demokratik kundër feudalëve, që kryesohej nga Ahmet Zogu. Noli luajti një rol të dorës së parë në organizimin dhe në drejtimin e Revolucionit Demokratik të Qershorit 1924, pas ngadhnjimit të të cilit u caktua kryetar i qeverisë. Por revolucioni nuk u çua gjer në fund. Noli me shokë treguan butësi dhe ngathësi. Revolucioni u thye nga bashkëveprimi i reaksionit të brendshëm dhe me forca te huaj. Më 24 dhjetor 1924, Noli mori udhën e mergimit politik dhe s'u kthye më në Shqipëri.
Në Mërgim
Fillimisht u vendos përkohësisht në Vjenë. Regjimi zogist e dënoi me vdekje në mungesë. Në periudhën 1925-1930, krahas veprimtarisë politike, zhvilloi një punë të dendur krijuese: shkroi vjersha, shqipëroi disa kryevepra të letërsisë botërore, me hyrje kritike, botoi artikuj të mprehtë për mbrojtjen e Revolucionit Demokratik të Qershorit, për denoncimin e regjimit zogist dhe të reaksionit ndërkombëtar. Pas vitit 1930, Noli u largua nga Evropa dhe u vendos përfundimisht në SHBA. Aty ushtronte funksionin e peshkopit të Kishës Ortodokse Shqiptare. Më 1947 botoi përpunimin që i bëri Historisë së Skënderbeut, nxori në dritë një botim anglisht dhe më 1949 një variant të dytë shqip të saj: kurse më 1960 dha anglisht një Autobiografi të shkurtër mjaft tërheqëse. Vëllmin me vjersha Album u botua më 1948. Brenda viteve 1961-1963 botoi dy vjersha të fundit orgjinale dhe një tok shqipërime vjershash të poetëve të njohur.

Tituj të veprave * Album - vëllim vjershash [2] - 1948 * Historia e Skënderbeut [2] - 1921 * Autobiografia - 1960 * Israilitë e Filistinë - dramë [2] * Betoveni dhe Revolucioni francez
Rrebele
Rrebele
Moderator
Moderator

Numri i postimeve : 484
Registration date : 06/01/2009

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi