Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Rugova - Programi nacional-kulturor

Shko poshtë

Rugova - Programi nacional-kulturor Empty Rugova - Programi nacional-kulturor

Mesazh nga MEDALIM Thu Jan 22, 2009 10:35 am

Rugova - Programi nacional-kulturor

21-01-2009 / Nga Vehbi Miftari
Formimi intelektual dhe shkencor i dr. Rugovës ndërlidhet ngushtë me kërkimin në arketipat e kulturës dhe të identitetit shqiptar. Njohja e kulturës orale, këngëve kreshnike, Kanunit etj., pastaj njohja dhe identifikimi me figurat e mëdha të kulturës e të historisë kombëtare i shërbyen atij si premisa për ta ndërtuar një model të veçantë të kërkimit të identitetit personal në arealin e madh të kulturës e të dijeve nacionale. Rrjedhimisht, ai e ndërtoi një model sipas të cilit kërkimi dhe njohja e arketipave shërben për ta ruajtur “frymën”, nga e cila buron edhe veprimi politik. Le të ndalemi për një çast tek (arki) struktura e mendimit rugovian, për ta kërkuar jo vetëm parabazën historike, por edhe atë shëmbëllyese, duke i eksplikuar edhe figurat përfaqësuese të tyre, për ta provuar pastaj interpretimin e strukturës së mendimit rugovian, të mbështetur krejtësisht mbi premisa nacional-kulturore. Skënderbeu / Programi mesjetar europian Tashmë u tha se për formimin kulturor e intelektual të dr. Rugovës rol të pakapërcyeshëm ka mbështetja në kërkimin dhe identifikimin me shenjat e identitetit nacional, të cilat ai i kërkonte veçan. Ato i kanë shërbyer atij si premisa për konceptin e tij, i cili mbi të gjitha mund e duhet të quhet koncept intelektualist, qoftë në raport me strukturën e të menduarit, qoftë në mënyrën e sjelljes politike karshi situatave historike. Figura historike e Skënderbeut paraqet njërën nga premisat mbi të cilat mbështetet koncepti politik i dr. Rugovës. Të shpjegojmë: mbështetja në figurën e heroit nacional shqiptar nuk u referohet shumë rrethanave historike as figurës historike, sa strukturës së mendimit të tij, e cila në interpretimin e Rugovës shërben si arkistrukturë mbi të cilën ndërtohet një koncept i të menduarit dhe i sjelljes në raport me intencën e kolektivitetit dhe me përmasën e gatishmërisë për përfshirje personale në të. Më saktësisht, Rugova i referohet atij që sot quhet program mesjetar evropian të Skënderbeut, konceptit të tij për t’i mbrojtur vlerat perëndimore të vendit të tij, si dhe mbrojtjes së lirisë së tjetrit po kaq sa edhe të vetvetes, e cila për rrjedhojë pati shpalljen e tij “Atlet i Krishtit” nga Papa dhe njohjen e tij në histori si mbrojtës i krishterimit. Ky program i një orientimi të ri drejt perëndimit, qoftë kur është njohur, sikur ngjet te një pjesë e romantikëve shqiptarë, qoftë kur është shqyrtuar pavetëdijshëm, është përfillur si program me orientim themelor integrues. Programi integrues mesjetar i Skënderbeut ishte program i ndërtuar mbi një platformë religjioze, e cila mbrojtjen e krishterimit nga stuhia otomane e shpallte si koncept politik, por edhe si mundësi reale për realizim praktik të synimit të përbashkët për ndarje të vlerave qytetëruese evropiane. Rrjedhimisht, edhe platforma politike e Skënderbeut duhej të ishte ndërtuar mbi këto premisa, por transcendencat e saj janë reflektuar në mënyrën tradicionale të të menduarit në shoqërinë shqiptare. Kodi i lirisë universale të cilit i referohej programi mesjetar i Skënderbeut gradualisht është shndërruar në kod të brendshëm, të cilin shqiptarët as e kanë shpallur ndonjëherë si platformë, as kanë pasur nevojë ta bëjnë këtë, sepse duke jetuar së brendshmi ai ka determinuar edhe mënyrën e orientimit nacional dhe të sjelljes karshi tjetrit. Pikëprekja me këtë program në filozofinë politike të Rugovës nuk është e shpallur, ajo është e shtresuar në kohë dhe në mënyrën tradicionale të të menduarit për fatin e etnisë. Struktura e të menduarit të Rugovës, e mbështetur thellësisht në tiparet e tradicionaitetit, por që e shpall si program synimin integrues, është derivat i një vlerësimi të diversitetit si vlerë. Kodi kristian / Vlerat morale Përcaktimi për parimet morale duhet të ketë edhe shëmbëllimin në figura po kaq të mëdha të moralitetit dhe shembulli i Nënë Terezës është pakrahasimisht më i vyeri. Me figurën e saj identifikohet një lëvizje morale, e cila parimin e shëlbimit e institucionalizon në vetëdijen kolektive të shqiptarëve, duke mbëltuar gatishmërinë për të shërbyer si shembull moraliteti njerëzor. Po t’i shtohen kësaj edhe përmasa e oralitetit dhe e kodeve të mëdha të identitetit nacional, të cilat kanë determinuar mënyrën e sjelljes së shqiptarëve përgjatë historisë, është më se i kuptueshëm modeli i përfaqësimit çfarë përbën sot dr. Rugova: nga një njeri i idealitetit me parabazë historike dhe morale, në veprim politik që ruan shenjën e tradicionalitetit dhe të frymës, e cila e shpie konceptin politik drejt një drejtpeshimi të vazhdueshëm mes tradicionales dhe integrueses, edhe kjo shenjë tipike e përcaktimit për modelin: shëlbim mbi baza morale duke ikur nga krenia e tepërt. Është po ky moralitet që e shpie Rugovën në lexim të përkryer të shenjave të religjiozitetit ndër shqiptarë. Sipas tij, toleranca në histori është edhe rezultat i kulturës religjioze, e cila burimin e ka në idenë evropiane. Madje edhe kur thotë për veten se i përket besimit islam dhe se besimi i tij është islami simbolik, i papërfshirë nga rituali, ai beson se islami ndër shqiptarë është tradicionalisht islam evropian, i cili mbështetet në kode kulturore po aq sa në kodet e religjiozitetit. “Bota ideale” / “Religjioni politik” Për dr. Rugovën pjesëmarrja në politikë shënjonte krijimin e një religjioni politik të modernitetit. Kthimi në traditën më të mirë të popullit të tij për ta hetuar prejardhjen e nacionit dhe kuptimësinë e tij për vlerat universale është produkt i kësaj mendësie. Qëndrimi i tij politik ndaj këtyre vlerave është i krahasueshëm vetëm me qëndrimin politik të Abraham Linkolnit, i cili (në interpretimin moral-politik të Deklaratës së Pavarësisë, aprovuar nga Jefferson-i) e shtyu fatin e tij personal drejt moskuptimit për më shumë se dy shekuj, drejt vetmisë së madhe të krijuesit mendor dhe drejt paradoksit të madh jetësor e politik. Linkolni dëshironte që të drejtat individuale t’i përfshinte brenda një ideologjie të përgjithshme të jetës njerëzore, duke e ndërtuar parimin moral të vlefshëm jo vetëm për individin, por edhe për jetën njerëzore, duke synuar përfarimin e kodeve morale të qenieve individuale dhe kulturat personale ose nacionale, në një platformë universale për njerëzimin, e cila do të interpretohej si inkarnacion i idealitetit dhe i humanizmit, sikur thuhet “jo vetëm për një vend në një kohë, por për të gjitha vendet në çdo kohë” (Jack Kemp). Abraham Linkolni i transformoi kështu pikëpamjet morale të Jefferson-it në parim të politikës morale, e cila mbisundon politikën amerikane edhe sot. Por, a nuk dukej në fillim edhe vetë Deklarata e Pavarësisë një projekt utopik, i cili duke synuar lirinë universale rrezikonte të humbte baraspeshën e brendshme në Amerikë? Dhe, më tej, a nuk dukej po kështu paksa utopik, madje jo vetëm në fillimet e tij, por edhe shumë vite pas krijimit të lëvizjes për liri në Kosovë, edhe projekti i dr. Rugovës për ta fituar lirinë e brendshme si masë për ta balancuar kundërvënien e dhunshme në vitet ‘90? Cili, pra, qenkësh fati i projekteve të mëdha nacionale, të cilat nisin në idealitet kulturor a nacional-kulturor dhe si përfundojnë ato në veprim pa humbur në detin e ideve për lirinë si koncept abstrakt? A mund të përfshihet ideja për lirinë universale si parim themelor politik në një projekt përtejshtytës të mendimit dhe të veprimit politik? Më tej, a kishin të drejtë studiuesit e djeshëm teksa e quanin deklaratën e Linkolnit si revolucion amerikan dhe a do të kenë të drejtë studiuesit e sotëm a të nesërm, të cilët mund të shohin në lëvizjen politike të viteve ’90 në Kosovë një epokë rugoviane? Kushedi, kapërcimi ndoshta do të jetë krejtësisht i pahetueshëm, por ai do të institucionalizohet vetvetiu në terminologjinë politike të shqiptarëve. (Nga libri: Rugova: Vizioni nacional)

Gazeta 55
MEDALIM
MEDALIM

Numri i postimeve : 23
Registration date : 18/12/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi