Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Baki Ymeri: Shkëlqimi dhe rënia e një gazete shqiptare

Shko poshtë

Baki Ymeri: Shkëlqimi dhe rënia e një gazete shqiptare Empty Baki Ymeri: Shkëlqimi dhe rënia e një gazete shqiptare

Mesazh nga Agim Gashi Wed Dec 16, 2009 3:41 am

Baki Ymeri: Shkëlqimi dhe rënia e një gazete shqiptare U1_BakiYmeriSHKËLQIMI DHE RËNIA E NJË GAZETE SHQIPTARE

(Një monografi që shkrep si një vetëtimë në qiellin e Kosovës për zbardhjen e një të vërtete të fshehtë. Libri i Bajram Kabashit, Rilindja, përkushtim dhe trishtim, është një vepër briliante që bën fjalë për shpërfilljen, poshtërimni, shpërdorimin dhe keqpërdorimin e idealeve të gazetarëve të Rilindjes që e bënë të pamundurën për informimin e opinionit publik në ditët më të vështira të Kosovës.)

Nga Baki Ymeri

Shqiptari të cilin ia hëngrën hakun maskarenjtë

Bajram Kabashi ka merita të jashtëzakonshme në fushën e publicistikës shqiptare ngase ka qenë gazetar/terreni në ish-gazetën Rilindja dhe ka qenë zëvendëskryeredaktor i kësaj të përditshmeje përpara luftës së vitit 1999. Libri i tij, botuar në Prishtinë para 8 vitesh, paraqet një tabllo të shkëlqyer të situatës politike në Kosovë dhe Shqipëri në kohën më të vështirë për kombin shqiptar (1982-1999). Autori nuk shkruan për vetveten por për ata që e shndërruan Rilindjen në një koshere përfitimesh personale duke anashkaluar interesat nacionale. Ato që i ka thënë dikurë për kriminelët e shërbimeve të fshehta mund t’i thotë sërish, me ekzemplifikime të reja, sado që ndjehet i hendikepuar për shkak të mospranisë së tij fizike në Kosovë. Faji nuk është i tij por i disa in/telektualëve tanë që drejtojnë institucione kulturore duke toleruar që gazetarë dhe redaktorë me përvojë të sigurojnë ekzistencën me punë fizike në Zvicër, Gjermani, Norvegji, Amerikë, Australi e gjetiu.
Baki Ymeri: Shkëlqimi dhe rënia e një gazete shqiptare U1_BajramKabashiMonografia Rilindja, përkushtim dhe trishtim shkrep si një vetëtimë në qiellin e Kosovës për zbardhjen e një të vërtete të fshehtë. Për fat të keq, kohëve të fundit tronditet Kosova si pasojë butakëve të lekëve që kanë vepruar sipas rekomandimeve in/direkte serbe, për përçarje partiake, kontrabandë ballkanike dhe sundim politik. Dikush që e ka mizën nën kësulë, për t’i ikur përgjegjësisë, mundohet ta hedhë topin në një terren tjetër, gjoja se njerëzit e I. Rugovës i paska likuiduar shërbimi sekret serb, gjë që mbetet për t’u parë. Për këtë vepër përmasash mbarëkombëtare ka mbretëruar një heshtje varri në Kosovë, madje, ata që kanë mbetur pa brekë si pasojë e demaskimeve të autorit, nuk e kanë lejuar të shitet publikisht, ngase ato që i ka paralajmëruar e sqaruar para më shumë se një decenje, sot po dalin në shesh. Autorit i kanë bërë gjithfarë provokimesh hijet e shërbimeve të fshehta të djallit, si pasojë e guximit të tij për t’i thënë gjërat troç, pa dorëza dhe në funksion të mbrojtjes së interesit kombëtar. Tekefundit, e tillë është gazetaria hulumtuese/zbuluese, plot dhimbje e plagë, një degë specifike e gazetarisë të ciën nuk mundet ta bëjë gjithkush, ngase duhet guxim, trimëri, humanizëm, thellësi mendimi e gjykimi, zhdërvjelltësi dhe dije, dije dhe e njohje, njohje dhe dije. Duke bërë fjalë për vrasjet e paralajmëruara nga inkoshienca shqiptare e “demokracisë” enveriste, autori thekson:
“Azemin e ka vrarë verbëria e policisë shqiptare me fanatizëm partiak dhe, fatkeqësisht, identifikimi i madh e i palejueshëm i tij si politikan modern, me partinë që i takonte. Mirëpo, pa kaluar as disa ditë nga vrasja e Azem Hajdarit, ndodhën vrasje të tjera. Në vazhdim u vra kolonel Ahmet Krasniqi, një ushtarak kariere i njohur për strategjinë e aftësive të tij në luftërat kundër ushtrisë okupuese serbe në Kroaci.” (fq.324). Fjala është për një kosovar të prekur nga flatrat e engjëllit, me prejardhje nga familja atdhetare e Aziz Zhilivodës të Vushtrisë. Për më tej, autori nxjerr në pah të vërtetën se Krasniqi është likuiduar nga pjestarë të SHIK-ut të Tiranës, disa ditë pasi i është kontrolluar banesa prej kafshëve të atij shërbimi me pretekst gjoja se ishin “në ndjekje të një kosovari të rrezikshëm”. Ky është vetëm një segment i trajtuar në këtë vepër vlerash të larta publiçistike, e botuar në një vëllim prej 440 faqesh në kuadrin e Shtëpisë Botuese Leka, dhe e suspenduar nga qarkullimi nga ana e kameleonëve që e kanë mizën nën kësulë.
Në gazetari, poltikë dhe diplomaci triumfojnë të guximshmit e jo përtacët. Bajram Kabashi ishte njëri nga gazetarët më të mirë të Rilindjes, i cili ka punuar dhe është sakrifikuar si një idealist i vërtetë, duke e vënë madje edhe jetën në rrezik, dhe jo vetëm ai, por një plejadë gazetarësh të vetëdijshëm se po bëjnë diç të dobishme për Kosovën, dhe atë, në vitet më të rënda të saj, por mundi i tij dhe i kolegëve të tij qe shfrytëzuar nga kameleonë të titizmit që talleshin me fatin e gazetarëve të mirëfilltë, duke dirigjuar me gazetën për përfitim dhe pasuri. Këtë do ta theksojnë edhe disa gazetarë të shkëlqyer të ish/Rilindjes, që më vonë do të pagëzohet me një emër të ri e të pakuptimtë ("Bujku"), si rezultat i mbylljes së Rilindjes në fillim të viteve '90-të. Një mike e tij, gazetare e njohur investigative, thotë: “Nuk jam penduar kurrë pse pata punuar pa para për Bujku-n. Kurrë! Por, mund të them se e ndieja veten në një anije të madhe, shumë të madhe, të mbushur përplot me minj që e brenin nga çdo anë, me qëllim që ta fundosnin.” (Emine Berisha). Mendimet e Emines janë të shkëputura nga paskopertina e librit ku defilojnë edhe vërejtje tjera lidhur me ato punë të mira që i kanë bërë me gjithë zemër, “mirëpo atyre që na vodhën, duke na marrë qetësinë tonë e të familjeve tona, përderisa ne përpiqeshim për Atdhe, kurrë mos iu qofshin falë!”.
Kështu thot Ilaz Bylykbashi, fotoreporter i njohur i Rilindjes, tashmë në Australi, apo, një koleg tjetër i tij: “Për gjendjen në Rilindje po të njoftoj se Mehmet Emërllahu po mbetet i pamposhtur!” (Zeqir Bekolli). Se kush qenka ky kasap ballkanik i publicistikës shqiptare nuk ka nevojë të flasim, ngase për këtë flet shpërfillja, poshtërimi, shpërdorimi dhe keqpërdorimi i shpresave dhe idealeve të një varg gazetarësh dhe korrespondentësh që bënin të pamundurën për ta mbajtur gjallë Rilindjen e shndërruar në një fabrikë ballkanike për alimentimin e interesave personale për pushtet dhe majmëri. Këtë e thekson edhe autori në kuadrin e fragmenteve ku bën fjalë për shpërdorimin e besimit dhe shfrytëzimin e pasurisë së popullit nga ana e një grupi maskarenjsh: "Kujt ia falnim ditët e vitet tona!”, pyet autori dhe përgjigjet me bindshmëri për “qarqet pseudodjathtiste”, për “fanatizmat partiakë në shërbimet sekrete shqiptare”, për interesimin e tij që t’u dërgojë mesazhe të qarta njerëzve të përgjegjshëm në politikën shqiptare, e sidomos atyre që ishin lidhur me çështjen delikate të sigurisë kombëtare, duke theksuar me fjalë të tjera se çdo punëtor i shërbimit sekret shqiptar që anon nga njëra apo tjetra parti, “ai krijon probleme që ndikojnë në destabilizimin e kombit” (fq. 315). Kjo u pa më 1997 në Shqipëri, dhe po shihet këto ditë në Kosovë.

Çdo pjestar i shërbimit sekret shqiptar që anon nga njëra apo tjetra parti, krijon probleme që ndikojnë në destabilizimin e kombit

Baki Ymeri: Shkëlqimi dhe rënia e një gazete shqiptare U1_BallinaelibritteBajramKabashitLibri Rilindja, përkushtim dhe trishtim ka 440 faqe të rëndësishme për opinionin publik në Kosovë, ngase njerëzit e kësaj gazete kanë ndikuar dhjetra vjet për reflektimin e situates së përgjithshme në Kosovë, për të mirë apo për të keq. Duke e përshkruar angazhimin personal dhe atë të kolegëve të tij, autori shkruan për pësimin e gazetarëve të mirëfilltë nga krimi i organizuar në këtë gazetë, që është udhëhequr kryekëput nga udhëheqësitë e saj. Kulmi i veprimtarisë kriminale e shumë krimeve të natyrës ekonomike e të tjera, është vjedhja, përkatësisht përvetësimin i pasurisë së brezave të tërë të kësaj gazete, për ç'gjë priu Mehmet Emërllahu me njerëzit përreth tij. Mehmeti ka manipuluar në emër të Ibrahim Rugovës për interesa të veta duke qenë një ndër fanatikët më të mëdhenj të tij. Sa herë është ndjerë ngushtë, mburojë e ka pasur Rugovën, edhepse Rugova e i ndjerë nuk e dinte se ka të bëjë me një maskara. Bajram Kabashi ka shkrirë jetën për mbarëvajtjen e Rilindjes, ku ka kaluar gjithsejt 17 vite pune e angazhimi të jashtëzakonshëm, punë kjo që është çmuar nga lexuesit por është injoruar e përbuzur nga udhëheqësit-përkrahës dhe mbështetës të korupcionit, ashtu siç është përbuzuar e shikuar me mospërfillje edhe puna e kolegëve të tjerë të dalluar për cilësi dhe produkt gazetaresk.
Në Rilindje, sipas kësaj vepre, përpos që ka vepruar krimi i organizuar nga udhëheqësit e ndryshëm, ka vepruar edhe një veprimtari tjetër kriminale, tejet e rrezikshme për këtë profesion. Fjala është për aktivitetin destruktiv të Drzhavna Bezbednostit, të vetëquajturit Sigurim Shtetëror të Kosovës, i cili autorit të këtij libri i ka sjellë probleme dhe pësime të padurueshme, si rezultat i të cilit pësoi edhe familja e tij, krejtësisht e pafajshme. Diskriminimi i tij nga drejtuesit e Rilindjes ka qenë i vazhdueshëm që nga koha kur është pranuar në punë, që nga "periudha" e sundimit të Zenun Çelajt e deri në fund, kur qe i detyruar ta përfundojë punën në Rilindje. “Pasi ishte pranuar në Gazetë, Zenun Çelaj i gjithpushtetshëm, më pat thënë me ironi: "Këtu nuk ndajmë banesa!", thuajse fliste për pronën e tij!” Në kontekst të poshtërimit të gazetarëve të diskriminuar (Rexhep Demiri i ndjerë, Ilaz Bylykbashi, Behar Zogiani,Zeqir Bekolli, Agim Muhaxherin e të tjerë), pos Emërllahut kanë gisht edhe disa kunguj të tjerë që i luftonin gazetarët e rinj për realzimin e të drejtave të tyre.
Ç’të bëja asokohe, pyet autori, ta rrihja ndonjërin prej tyre! Kjo nuk ka qenë zgjidhja as atëherë as sot dhe jo që nuk kam mundur ta ndërmirrja ndonjë hap të tillë të pahijshëm, edhepse unë kam mundur ta përdorja "grushtin" ngase kam qenë i fortë, i ri, i vendosur, kështu që kam mundur të bëja ndonjë "akt trimërie” duke e rrahur secilin prej tyre, madje "dy përnjëherë", por ai do të ishte gjest i shëmtuar nga ana ime, një përgjigje inferiore ndaj inferioritetit njerëzor e intelektual të tyre. Problemi nuk është ta rrahim e poshtërojmë njëri-tjetrin ngase dhuna e poshtërimi sjellin vetëm dhunë e poshtërim, por puna qëndron në shpartallimin e mentalitetit tonë të dhunshëm.” Në këtë vazhdë kanë vazhduar njoftimet e porositura të tyre se gjithë puna e angazhimi i Bajramit në gazetën Rilindja ka qenë i kotë, madje për këtë kanë angazhuar edhe njerëz që paraqiteshin si miqë të tij, qoftë të fshehur nën maskën e gazetarit të kulturës apo të neoshqiptarit të rrejshëm. Meqenëse pas gjithë asaj pune e angazhimi të çmuar nga opinioni publik por jo edhe të atij shtabi banditësh të gazetës e jashta saj, në fund tejet i pakënaqur, pothuaj i zhgënjyer, iu desht ta merrte rrugën e mërgimit, pasi duke punuar për gazetën e kishte tradhëtuar familjen duke e lënë në mjerim dhe varfëri.

Një vepër që shkrep si një vetëtimë në qiellin e Kosovës për zbardhjen e një të vërtete të fshehtë

Mirëpo as në mërgim nuk pushuan provokimet e atij shtabi të përgjakur të gjarpinjve të gjakut, sa edhe këtu këta mercenarë të profesionit e provokojnë me emra të huaj përmes letrash të ndryshme të cilat i ruan për dokumentim. Autori i ka deshifruar provokatorët deri në detaje, përderisa i dërgonin ato porosi që i kishin dhënë për vite të tëra sa ishte në Kosovë. I shkruanin në emrin e një funksionari të lartë të Kosovës, ku në emrin e tij e lusnin ta zhvillojë një bashkëbisedim për një libër me të! I kërkonin 200 pyetje në të cilat gjoja ai politikan do të përgjigjej. E kërkonin xhirollogarinë e tij bankare që ti dërgonin ca para paraprakisht për librin. E njohtuan se gjoja ai politikan do ti ofronte 70 mijë dollarë për librin, ku fillimisht gjoja ishin habitur e kishin shënuar vetëm 7 mijë dollarë. I ofronin një e-mail përmes të cilit mund të këmbente mendime e t'i qahej për "brengat" me shefin e periudhës së paraluftës së Drzhavna Bezbednosit, të vetëqujturit Sigurim Shtetëror të Kosovës?! Deri në këtë masë, pra, shkon çmenduria e mercenarëve të profesionit të gazetarisë titiste! Dhe, kur i zbuloi pothuaj në tërësi, duke ua bërë të ditur jo pa keqardhje mendjelehtëve të tillë, gazetarinë e të cilëve e kontrollon tjetërkush, se kush ishin, "atëherë duke u munduar t'i tërheqin gjurmët e provokimit të pashembullt që mund t'i ndodhë një gazetari nga njerëzit bastardh të të njëjtit profesion dhe shokët e tyre UDB-ashë, apo kriminelë të shërbimeve sekrete, krejt njësoj, i zbuluan edhe më shumë gjurmët e provokimit të tillë, për të cilin do të flasë në të ardhshmen nëse nuk arrin ta zhbëjë varfërinë e porositur, së cilës padrejtësisht i qe nënshtruar.
Autori thekson se njerëzit mund të thonë çka të duan për vetën e vet, mund t’i mveshin gjithfare veprash e meritash të paqena vetës, por bëmat e supozuara në përkthim me logjikën e jetës reale mbetën ato që janë: mercenarizmi dhe vasaliteti, aroganza dhe shantazhi, kurdisjet dhe provokimet. Të tillët sigurisht që duan ta shpëtojnë lëkurën e vet e ta lajnë fytyrën e papastër duke iu ngjitur Rugovës për së gjalli e për së vdekuri, apo Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për këtë flasin Xhafer Leci dhe Xun Çeta në kuadrin e artikujve të botuar te Zemra Shqiptare, dhe, së paku, edhe nga detaje të tilla mund të kuptohet kritika e autorit ndaj Rugovës në atë kohë. Ato që i thot Xuni që ishte ndër studentët me ndikim në Kryengritjen studentore e popullore 1981, janë një pikë uji në detin e madh të së vërtetës. Për dallim nga shumë të burgosur të tjerë politikë që nuk dijnë as se çka kanë ngrënë mbrëmë, disa duke i bërë temena Enver Hoxhës, Xun Çeta e ka plasuar të vërtetën lakuriqe duke i provokuar të dy “palët”, duke i thirrur në “ballafaqim” me njëra-tjetrën, gjë që nuk besojmë se do t’i përgjigjen. Nëse vërtetohet se “sherifat” e UDBës e kanë përpunuar këtë apo atë, atëherë kush i përpunoi ata UDB-ashë të mëdhenj shqiptarë? Dihet se kush: Serbija e Jugosllavia e deridjeshme, dhe askush tjetër! Kështu që Kosova e para e pas luftës është viktimë e një konflikti latent, nëntokësor, viktima të ca të “përpunuarish”, konflikt ky që s’është i saj por i kriminelëve të ndryshëm, i rivaliteteve dhe borxheve që ia kanë pasur njëri-tjetrit. Kështu thekson autori në letërkëmbimin e tij, duke shtuar: “Kështu që ma merr mendja se në këtë ngatërresë janë kyçur naivisht edhe të tjerë që kanë gisht e që do të kenë pësuar në konfliktin e porositur serb të këtyre “buajve” ndjellakëqinj të Kosovës.
Nëse dikush mendon se lëmshi i problemeve në Kosovë mund të zgjidhet aq lehtë, gabon rëndë ngase janë krijuar ngatërresa e pështjellime të paimagjinueshme, kështu që shpesh, është zor ta kuptosh se kush mund të jetë "heroi" e kush "viktima". Ti mendon se ai është viktimë e pastaj del sheshit e vërteta se ai s’është njeri por kafshë. Gazetarija zbuluese është e prerë: Vetëm pas maskës mund të shihet kush çka është, cili është shpirti i tij, gjuha e tij. Gazetarija zbuluese nuk njeh autoritete,apo më mirë të thuhet i vërteton autoritetet e vërteta dhe ato të rrejshme.Themi kështu ngase autorit i vjen keq sa nuk shpjegohet që t’ia bëjë të ditur opinionit publik se në provokime të tilla marrin pjesë edhe njerëz me titullin Akademik, andaj në kundërshtim me ndjenjat e tij dhe fyerjen e përjetuar, ka pranuar që të vuajë vetë, vetëm e vetëm që mos fliste për ta, duke qenë i vetëdijshëm se ata janë mashtruar, devijuar dhe se gjuha e tyre në masë të theksuar ka qenë e porositur në mënyrë që të vihet në dyshim intelektualizmi i tyre, të turpnohen ata sikurse edhe UDB-a e tyre që u ka qëndruar pas shpine. "Ata", -ashtu sikurse dhe "Ata" të tjerët që i mashtrojnë ata, pra ata që e mashtrojnë vetvetën duke kujtuar se janë duke i mashtruar të tjerët, nuk e mashtrojnë askend tjetër përpos vetvetes, ndaj herët a vonë e gjejnë atë që e kanë lypur! E keqja më e madhe është se naivët dhe kriminelët që u kanë qëndruar pas,i kanë përdorur edhe ndaj meje do metoda që pushtuesit sllavë, rankoviqistët e stalinistët, i kanë menduar për popujt e pushtuar prej tyre, pra metodat e tilla nuk mund të jenë metoda e qasje që një shqiptar mund t’i bëjë ndaj një shqiptari tjetër, as një njeri ndaj njeriut.

Stalinistët shqiptarë e dëmtuan çështjen delikate shqiptare, njësoj siç e patën dëmtuar edhe shovenistët serbë dhe grekë

Në vazhdim, lidhur me këtë subjekt interesant, autori komunikom me një dashamir të tij: “Milaim i nderuar! Emisioni "Pa rrotlla" është një rast i mirë për mua që ta vë këtë çështje në nivel të diskutimit publik e intern në mënyrë që urgjentisht të më kthehet çdo e drejtë e mohuar nga ato 17 vjet të kaluara në Rilindje dhe kompensimi për dhjetë vitet që qeshë i detyruar t'i kaloja në mërgim, edhe pse isha ndër gazetarët e pakët më të mirë të asaj tashmë ish-gazete dhe isha, me siguri, gazetari i vetëm hulumtues-zbulues i asaj kohe jo vetëm në gazetën përkatëse që kisha paralajmëruar për shumë të zeza, pasojat e së cilave jemi duke i vuajtur këto ditë e druaj se do t'i vuajmë edhe më tej. Përndryshe, nëse nuk do të arrij t'i realizoj të drejtat e mija pas 27 vitesh që nga dita e parë kur u pranova në Rilindje e deri sot, atëherë do të jem i detyruar që në momentin e duhur, pra atëherë kur unë do të vlerësoj se nuk do t'i nxjerrë probleme vendit, t'i bëj publike disa gjëra pelin të hidhura, jo vetëm për mua, por edhe për opinionin publik, dhe në ndërkohë, të ngre padi penale ndaj shumë personave, qoftë edhe në Gjykatën Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Strazburg. Por, sikurse deri tash edhe në vazhdim kam për ta bërë të pamundurën që të drejtat i e mija t'i zgjidhi në mënyrën qysh na ka hije, në mënyrë të qytetëruar dhe përmes ligjeve të Kosovës së pavarur. Nëse ka të tillë që kujtojnë se unë nuk i kam zbuluar, atëherë pasojat dhe përgjegjësija për çkado që do të ndodhë më tej, mbetet tek ata që bëjnë eksperimente të tilla të natyrës UDB-ashe, duke u shkatuar njerëzve të pafajshëm dhe familjeve të tyre strese, trauma dhe vuajtje të pamerituara.”
Bajram Kabashi është shqiptari të cilit ia kanë hëngër hakun matrapazët, maskarenjtë dhe hazërxhinjtë. Ai nuk ka kërkuar nga askush as ndonjë "traktor" apo "ndërtim rruge" e as që të t'ia sjellin "lopët e vjedhura", por që t’ia kthejnë borxhin për 17 vite pune në Rilindje dhe 10 vite në mergim, rast me të cilin do të shprehet, së pari privatisht, ndërsa tani edhe publikisht “Unë fali shumë, por jo edhe ata që më kanë dërguar porosi të kriminelëve të shërbimeve sekrete! Jo! Ata e dinë mirë se e dij se kush janë, ndaj duhet të mbahen për porositë e tilla të bëra pas maskash. E përsëris se nuk ka të drejtë që një Mehmet Emërllahu ta përvetësojë për vete dhe familjen e tij pasurinë prej miliona eurosh të ish/gazetës Rilindja, e që unë e ai tjetri të mos i realizojmë të drejtat tona që na takojnë.” Të gjithë e kanë thënë se Serbisë i konvenojnë hapje të tilla problemesh që mendon se mund t'i shkojnë në favor asaj si në të kaluarën ashtu edhe në aktualitetin e sotshëm kur po ndodhë Gjyqi Ndërkombëtar për legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës. Pra koha nuk ishte por problemet e grumbulluara e të krijuara nga UDB-ashët, kriminelët, mercenarët e dy partive kryesore nuk mund të evitohen pafundësisht. Ka shumë gjak, krim, qelbje që nuk i lë gjërat gjithmonë nën "tepih", kështu që deshtëm a nuk deshtëm ne, ligësia del për fushe një ditë, e deshtëm apo nuk e deshtëm në atë moment. Serbia jo dje, sot e nesër por edhe pasnesër do ta bëjë të pamundurën për ta shkatërruar Kosovën, andaj "minishtetet" serbe në Kosovë janë për këtë, janë eksterritorialitetet e kishave ortodokse, janë komunat e reja serbe, është Mitrivica përtej Ibrit me rrethina, dhe, çka është më e keqja dhe më e kobshmja për vendin tonë, është decentralizimi i sigurisë kombëtare të Kosovës, decentralizim që do të jetë një tërmet i vazhdueshëm gjithnjë përderisa të mos ketë vetëm një centralizim të kësaj sigurie.

Policia e Kosovës nuk ka të drejtë juridike të shndërrohet në një polici politike

Nga letërkëmbimit me autorin theksohet se policia e Kosovës së pavarur nuk është më Policija e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, e dirigjuar nga Serbosllavija e dikurshme. Ngjarje e ndodhi ngatërrestare shkojnë në favorin e Serbisë sepse ajo ka investuar për ngatërresa vazhdimisht,asaj i ra shi në kollomoq dhe “shpërthimi” i tashëm ka qenë si i porositur, dhe është e mundur që të jetë i ndikuar edhe nga ata, sepse ata i shfrytëzojnë mënitë e urrejtjet tona për të cilat kanë punuar shumë, duke i dhënë me zemërgjerësinë më të madhe kuadro shqiptare të dëshmuara në luftën për interesat e saj të dy shërbimeve të fshehta partiake të njërës apo tjetrës parti. Shërbimi i tashëm i Kosovës, AIK, që ndoshta është ende i pakonsoliduar, është i vetmi i besueshëm e legjitim për ta çthurur atë lëmsh. Tek ai janë varur shpresat e të gjithë shqiptarëve, të të gjithë banorëve të Kosovës, pa marrë parasysh prejardhjen etnike dhe besimin, pasi përherë të parë në historinë tonë të dhimbshme na jipet rasti ta kemi një shërbim që hulumton e lufton për të vërtetën e plotë të Kosovës, të çdo qytetari të saj që i cënohen të drejtat e liritë. Sidoqoftë, unë mendoj se me hulumtimet e veprimtarisë kriminale të kujtdoqoftë, duhet të jetë e kënaqur vetëm Kosova e nuk do t’i bëhet qefi LDK-së e as të zhgënjehet PDK-ja, pasi e gjithë kjo ka të bëjë vetëm me kriminelët, kushdoqofshin ata, të mëdhenj apo të vegjël, që do të mund të jenë strehuar në “pyjet” partiake, pra e gjithë kjo s'ka si të bëjë me partitë.”
Bajram Kabashi mbështet në burime zyrtare dhe ka patur guxim t’i demaskojë rugovistët që i tradhëtonin idealet e Ibrahim Rugovës. Sipas tij, “Përdhosja dhe fyerja e figurës së Rugovës me metoda djallëzore që vijnë nga arsenali i UDB-ës dhe kriminelëve shqiptarë të shërbimeve të fshehta, qofshin ata nga Kosova, Shqipëria apo diaspora shqiptare, shpalojnë një fytyrë të shëmtuar që assesi nuk mund të thuhet se i përket natyrës shqiptare a njerëzore. Personalisht kam qenë kritik edhe ndaj Dr. Rugovës gjatë periudhës së punës sime si gazetar-reporter para luftës, por të jeshë armik i tij apo kujtdoqoftë është e palejueshme dhe e dënueshme qoftë në aspektin moral apo ligjor. Ajo që mua më bënë tepër kurreshtar se përse sulmohet Rugova edhe pas shuarjes së tij fizike, duke përdorur, madje, edhe metoda mizore të luftës speciale, qoftë nga grumbuj njerëzish të bashkuar që supozojnë se janë poseduesit e një të vërtete supreme, të cilët janë të identifikueshëm dhe me njëfarë misionarizmi rrënojnë pandërprerë në atë që quhet vepra e Rugovës, duke u munduar, në anën tjetër, që të vënë në piadestal figura të tjera historike për të cilat mungojnë të dhënat, mungon distanca kohore apo jipen të dhëna të paargumentuara, fragmentare, qoftë edhe duke i ndërtuar artificilisht figurat e caktuara.”
Gazetaria kërkon punë, solidaritet dhe ndershmëri. Autori i librit Rilindja, përkushtim dhe trishtim ka patur “fatin” ta vizitojë Shqipërinë në kohën e pafatshme të trazirave të vitit 1997, kur ka qenë i rrezikuar nga një person që e ka nxitur një pjestar i shërbimit sekret të asaj kohe, por e shpëton gazetari Ali Ukaj, zëdhënësi i parë publik i UÇK-së, i vrarë në rrethana ende misterioze në korrik të vit 1997, po në atë periudhë kur qenë likuiduar Azem Hajdari dhe Ahmet Krasniqi. Autori ka ditur t’i shmanget tentativës për kidnapim edhe nga pjestarë të shërbimit sekret serb që flisnin shqip: “Nganjëherë them se përvoja e madhe e fituar si gazetar në kushte e rrethana të këqija në Kosovë, më ka mësuar t’u bëj ballë intrigave dhe tentativave makabre të UDB-ës, sa që ka qenë tepër e vështirë, madje e pamundur të bija në kurthat e tyre. Mirëpo udbashët e Kosovës na dëmtuan më shumë. Ata në rrjetin e dendur të bashkëpunëtorëve të tyre, me pjesën më të ligë të popullit tonë, kanë bërë punë tejet armiqësore ndaj perspektivës së kombit shqiptar.”(fq.317). Libri në fjalë ka vlera specifike ngase autori e gërsheton subjektin e gjenocidit serb në Kosovë të cilin do ta zëvendësojnë asokohe dhe më vonë, fundrrinat e stalinizmit shqiptar në Shqipëri dhe Kosovë, kriminelët që e dëmtuan çështjen delikate shqiptare, njësoj siç e patën dëmtuar edhe shovenistët serbë dhe grekë. Dhe ajo që ia shton vlerën kësaj vepre të rëndësishme mbështetet mbi theksin kryesor që ka të bëjë me demontimin e mekanizmave të krimit në gazetari, sidomos kur vjen fjala për një ish/gazetë të njohur që nuk del më si pasojë e pasurimit të udhëheqësve të saj dhe varfërimit të gazetarëve më të mirë që kishte kjo tribunë e shkëqyer e publicistikës shqiptare.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi