Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Rugova - identiteti shqiptar i Kosovës

Shko poshtë

Rugova - identiteti shqiptar i Kosovës Empty Rugova - identiteti shqiptar i Kosovës

Mesazh nga MEDALIM Fri Jan 23, 2009 10:25 am

Rugova - identiteti shqiptar i Kosovës

23-01-2009 / Nga Donik Sallova
Diskutimi për identitetin nacional të Kosovë është duke vazhduar edhe një vit pas shpalljes së pavarësisë, por ky diskutim po vazhdon të ngrihet mbi dilemën e gabuar, duke shtruar pyetjen/çështjen se a po krijohet identiteti nacional i Kosovës (duke aluduar në një farë kombi të ri të Kosovës), e jo cili është identiteti nacional i Kosovës. Ndoshta shtrimi i pyetjes/dilemës së parë po pretendon ta fsheh përgjigjen e pyetjes së dytë, megjithatë duhet kuptuar që identiteti i përgjithshëm/nacional i Kosovë ka ekzistuar edhe para krijimit të shtetit të Kosovës. Madje, realizimi i shtetit të Kosovës vie si vullnet i identitetit të saj nacional edhe pse kombi shqiptar i Kosovës nuk njihet si shtet-formues nga kushtetuta aktuale e saj.
Për të kuptuar se identiteti nacional/shqiptar i Kosovës është i qenë, ndonëse i diskriminuar konstitucionalisht, dhe se krijimi i një identiteti të ri të kategorisë së nacionit është joreal, mjafton të venerojmë/analizojmë vizionin dhe veprimtarinë politike/nacionale të themeluesit/ideologut të Kosovës së pavarur, Presidentit historik të saj Ibrahim Rugova. Ibrahim Rugova duke u identifikuar me Kosovën e pavarur, ka bërë që Kosova shtet të identifikohet me shqiptarin Rugova. Kosova e pavarur është kryekëput projekt i lëvizjes nacionale të shqiptarëve të Kosovës të cilës Rugova i priu e i dha identitet, identitetin e lëvizjes për liri, pavarësi e demokraci. Ky vullnet identiteti i Kosovës/Rugovës ishte shprehur edhe në vepime e vendime historike të ndërmarra pas ripushtimit të Kosovës (1989/1999), përmes themelimit të LDK-së si lëvizje/parti nacionale, demokratike, përendimore, si dhe Deklaratës së Pavarësisë (2 korrik 1990), Kushtetutës së Kaçanikut (7 shtator 1990), referedumit e rezolutave për pavarësi, amandamenteve kushtetuese, zgjedhjeve demokratike , etj. Në nenin e parë të Kushtetutës së Kaçanikut, neni përkufizues e emërues i shtetit e themeluesve të tij thotë: “Republika e Kosovës është shtet demokratik i Kombit Shqiptar dhe i pjestarëve të kombeve të tjera dhe i pakicave kombëtare, të shtetasve të vet; serbëve, muslimanëve, malazezëve, kroatëve, turqëve, romëve e të tjerëve që jetojnë në Kosovë” (Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Dispozitat e Përgjithshme, neni 1). Këtej e tutje Kosova e pavarur, ndonëse e okupuar, paraqet luftën mbrojtëse të shqiptarëve, sinonimin e lirisë dhe realizimin e demokacisë. Me Ibrahim Rugovën president (1992-2006), Kosova do ta kultivojë identitetin e saj antik/nacional, dardan/shqiptar si subidentitet partikular të qytetrimit/identitetit ilir/shqiptar; do të kultivojë orientim paqësor/demokratik si identifikim me qytetrimin evropian/përendimor; dhe do ta kultivojë tolerancën dhe bashkëjetesën si kujtim/reagim ndaj dhunës dhe tmerreve me të cilat kishte jetuar.
Rugova identitetin shqiptar/dardan të Kosovës po e shpërfaqte në mënyrë të kulluar e duke iu përshtatur rrethanave të reja politike, përmes krijimit të flamurit shtetëror të Kosovës me shqiponjën shqiptare e mbishkrimin Dardania, me hymnin me melodi e tekst shqiptar, si dhe me fillimin e kultivimin e traditave të lashta dardane, si Darka e Lamës etj. Rugova bindjen e tij për identitetin shqiptar politik e të konstitucionalizuar të Kosovës e shprehte duke kërkuar “njohjen fomale” të pavarësisë së Kosovës, si aktin e natyrshëm drejt realizimit të drejtësisë optimale të munguar për shqiptarët. Krejt kjo veprimtari politike/historike, identitare/simbolike e Rugovës e bën atë dijetar/politikan me njohje antike/moderne, nacionale/përendimore dhe e kategorizon në grupin e figurave tradicionale/misionare kombëtare, që fillin e kanë te Bogdani, për të vazhduar me Rilindasit e për t’u rishfaqur me Qarkun Kultuor të Prishtinës, si burim i elitës intelektuale politike shqiptare të Kosovës që i printe vetë Rugova. Kjo e bën Presidentin Ibrahim Rugova njeri “meditant e militant” siç e quan studiuesi i tij i shquar Dr.Sabri Hamiti.
Bombardimet e NATO-s mbi Jugosllavinë (me motiv humanitar), instalimi i misionit të OKB-së në Kosovë (mbi bazën e rezolutës 1244) dhe të gjitha relacionet e raportet me bashkësinë ndërkombëtare deri me shpalljen e pavarësisë së Kosovës (17 Shkurt 2008), përbëjnë zhvillime relevante të cilat padyshim janë pjesë e historisë dhe identitetit bashkëkohor të Kosovës. Që nga periudha e fillim viteve’90 e deri te fillimi i negociatave për zgjidhjen e statusit final të Kosovës në vitin 2005, respektivisht deri te vdekja e Presidentit historik të Kosovës Ibrahim Rugova (janar 2006), Kosova nuk kishte dilemë se, Republika e Kosovës shtet i dytë i shqiptarëve në Ballkan ishte optimumi real i zgjidhjes së çështjes shqiptare në përgjithësi (meqë shqiptarët aktualisht kishin hequr dorë nga e drejta për bashkim me Shqipërinë). Me intensifikimin e negociatave në Vienë mes shqiptarëve dhe serbëve (Kosovës dhe Serbisë) nën udhëheqjen e Marti Ahtisarit (i ngarkuar i OKB-së), filloi e ashtuquajtura periudhë e “kompromiseve të dhimbshme” (tog-fjalësh i përmendur shpesh nga delegacioni shqiptar në negociata). Rezultat i këtyre negociatave ishte dështimi i kompromisit në mes palëve (serbëve e shqiptarëve) dhe nxerrja e një propozimi nga ana e negociatorëve ndërkombëtar, të njohur si “Pakoja e Ahtisarit”. Ky propozim i Ahtisaarit parashihte një pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën dhe themelimin e shtetit “multi-etnik”. Realisht duhet thënë që prapa parimeve “demokratike” e “multi-etnike” që obligon kjo pako, shihet tendenca e qartë për ç’identifikimin e Kosovës si shtet me shumicë kombëtare shqiptare, sepse parimet demokratike dhe parimet e respektimit të të drejtave të pakicave kombëtare shqiptarët i kishin garantuar qysh në Kushtetutën e Kaçanikut.
Pranimi i këtij propozimi nga ana e udhëheqjes politike shqiptare, i interpretuar prej tyre si veprim politik pragmatik në drejtim të realizimit të pavarësisë së Kosovës, duhet thënë që është në kundërshtim me të gjitha vendimet politike/juridike/historike të miratuara gjatë viteve ’90, duke përfshirë edhe motivin e luftës së UÇK-së (të shprehur në betimin e ushtarëve të saj). Propozimi i Ahtisaarit, Deklarata e Pavarësisë (17 shkurtit) dhe Kushtetuta e re e Republikës së Kosovës nuk qëndrojnë në pika pajtimi edhe me dy rezoluta të miratuara nga Kuvendi i Kosovës (Rezolutën për luftën çlirimtare të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, 15 maj 2003, dhe rezolutën për rikonfirmimin e vullnetit politik të popullit të Kosovës për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, 17 nentor 2005). Megjithatë, përfundimisht, duhet kuptuar që identiteti i Kosovës në kompleksitetin e vetë i ka qartë të vijëzuara: identitetin kombëtar të shprehuar nga Kombi Shqiptar (si dhe pakicat kombëtare), identitetin shtetëror të shprehur me pavarësinë politike dhe sovranitetin e saj, bashkë me rregullimin e brendshëm demokratik, si dhe idenitetin evropian të shprehur nga vullneti dhe synimi i popullit dhe shtetit të Kosovës për të qenë anëtare e Unionit Evropian dhe kultivuese e vlerave evropiane demokratike, politike e shoqërore. Ky identitet është vizioni/vullneti i Kosovës/Rugovës i përkrahur e votuar në kohë lufte e paqeje, robërie e lirie.

Gazeta 55
MEDALIM
MEDALIM

Numri i postimeve : 23
Registration date : 18/12/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi