Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Emil Lafe: Fjalë kujtimi e nderimi për Prof. Selman Rizën

Shko poshtë

Emil Lafe: Fjalë kujtimi e nderimi për Prof. Selman Rizën Empty Emil Lafe: Fjalë kujtimi e nderimi për Prof. Selman Rizën

Mesazh nga Agim Gashi Tue Dec 22, 2009 3:11 am



Me rastin e 100-vjetorit të lindjes

FJALË KUJTIMI E NDERIMI PËR PROF. SELMAN RIZËN

Nga Prof. Emil Lafe

encikloped@yahoo.com

Emil Lafe: Fjalë kujtimi e nderimi për Prof. Selman Rizën U1_EmilLafeProf. Selman Rizën përpara se ta njihja nga afër gjatë viteve të punës në Institutin e atëhershëm të Historisë dhe të Gjuhësisë, e kam njohur nëpërmjet shokëve që kur isha student. Në vitin e tretë të Fakultetit (1957-1958) ne, studentët e degës së gjuhës shqipe, duhej të hartonim edhe nga një temë vjetore nën udhëheqjen e një pedagogu. Dy-tre studentëve të kursit tonë u takoi ta kishin temën vjetore me prof. Selman Rizën, e ndër ta edhe shoqes sime të ardhshme të jetës, Virgjini Lubonja. Me prof. Selman Rizën nuk kishim bërë ndonjëherë mësim dhe nuk e njihnim nga afër. Ai jepe lëndën e morfologjisë në degën e gjuhëve të huaja, kurse në degën e gjuhës dhe letërsisë shqipe këtë lëndë e jepte prof. Shaban Demiraj. Për temat vjetore nuk kishte vlerësim me notë, vetëm se punimi përkatës duhej dorëzuar në katedër para se të fillonte sesioni i provimeve të verës. Ndryshe nuk lejoheshe të hyje në provime. Ne, studentë e tjerë, morëm temat dhe disa udhëzime të shkurtra nga pedagogët dhe u takuam me ta në fund, kur u dorëzuam atë që kishim shkruar. Ata që kishin punë me prof. Selman Rizën, përkundrazi, duhej të paraqiteshin tek ai herë pas here me materialin që kishin punuar sipas udhëzimeve të tij. Dhe duhej të ishin të përpiktë në ditën e orën e caktuar. Prof. S. Riza ishte tepër kërkues, e ndiqte ecurinë e punimit të temës në vijimësi dhe një student i rregullt nuk mund t’i lejonte vetes që ta shkelte me të. Ai e bënte studentin të kuptonte se ky punim i thjeshtë vjetor nuk ishte një angari e bezdisshme, as një formalitet, po një provë e detyrueshme dhe e pashmangshme për të njohur sa i aftë do të jesh për të ecur më tej me këmbët e tua, për të shkruar diçka në mënyrë të pavarur. Prandaj edhe Virgjinia e mori shumë seriozisht temën “Studim krahasor i formimit të shumësit të emrave e të mbiemrave” dhe ndoqi udhëzimet e profesorit. Studioi sipas udhëzimeve të tij krerët përkatës te gramatikat e hartuara nga Sami Frashëri, Anton Xanoni, Ilia Dilo Sheperi, Osman Myderrizi, Kostaq Cipoja dhe në dispensën “Morfologjisë së gjuhës shqipe” të prof. Sh. Demirajt, që e kishim si tekst bazë në Fakultet. Virgjinia punoi sistematikisht e me kujdes, gjithnjë me merakun e me shqetësimin e një vajze se si do ta vlerësojë profesori atë punim modest. Kur prof. S. Riza e thirri për t’i kthyer fletoren e punimit, i shqiptoi mendimin e tij, të formuluar me shkrim në mënyrë disi të pazakonshme për ne, por që shprehte qartë një vlerësim pozitiv e trimërues: “Punim i punuar me kujdes, i komponuar në mënyrë të qartë, i pajosur me lëndë të mjaftueshme, i përcjellur me disa konstatime jo pa interes; e për pasojë punim për të cilin besonj se do të ju ketë shërbyer si një përgatitje e përshtatshme që vitin e ardhshëm të dilni me një tjetër mundësisht më të thelluar e më me vulë personale.” Por atëherë viti i katërt mbyllej me provime shteti, nuk kishte filluar ende praktika e mbrojtjes së diplomave. Këtë fletore Virgjinia e ruajti me kujdes më fort si kujtim të këtij shënimi nga dora e prof. S. Rizës, sesa si sprovën e saj të parë për një temë shkencore.

Pas përfundimit të studimeve më 1959 u emërova në sektorin e gramatikës të Institutit të Historisë e të Gjuhësisë, ku qe mbledhur elita e shkencave filologjike shqiptare. Në Institut punonin atëherë Aleksandër Xhuvani, Eqrem Çabej, Selman Riza, Osman Myderrizi, Mahir Domi, Anton Krajni, Pashko Geci dhe studiuesit e rinj Androkli Kostallari e Spiro Floqi, që kishin kryer studimet në Moskë para 4-5 vjetësh. Qe një mjedis që të impononte disiplinë, seriozitet, kërkesë. Por në mënyrë të veçantë neve më të rinjve na bënte përshtypje të thellë personaliteti i prof. Selman Rizës. Ato që thuheshin gojë më gojë për vullnetin dhe zellin e tij të pakrahasueshëm, kur kishte qenë student i Liceut të Korçës, bëheshin plotësisht të besueshme për ne që e shihnim në punë e sipër.

Nëse mund të thuhet që Selman Riza ka adhuruar ndonjë Hyjni në jetën e vet, emri i saj është Hyjnia e Punës. Ai ishte tërë gjallëri dhe vullnet për punë, armik i rreptë i plogështisë e i limontisë. Që i mitur qe bërë i vetëdijshëm se popullit shqiptar i duhet të punojë dyfish e Emil Lafe: Fjalë kujtimi e nderimi për Prof. Selman Rizën U1_SelmanRizatrefish që t’u afrohet shokëve të botës së qytetëruar. Dhe vetë e dha shembullin duke i mbaruar shkollat para afatit dhe me rezultatet më të larta, duke kryer dy fakultete njëherësh brenda një periudhe studimi. Gjëja që i dhimbsej më shumë, qe koha e humbur pa punë, pa mendim. Në tryezën e tij të shkrimit mbante gjithmonë përpara orën e xhepit. Dukej se me të kontrollonte ecurinë dhe ritmin e punës së përditshme. Asnjëherë nuk kërkonte rrethana për t’u shfajësuar para vetes për mospërmbushjen e ndonjë plani shkencor. Çdo mëngjes e shihja që vinte plot gjallëri e optimizëm në zyrë dhe largohej pastaj me qetësinë shpirtërore të njeriut që e ka kryer detyrën. Në vitin 1963, për fat të mirë mjaft shpejt, më erdhi radha edhe mua, sipas praktikës së asaj kohe, të merrja nga qendra e punës një banesë në rrugën e Durrësit për familjen time të re dhe të lija konviktin. Mëngjeseve, duke shkuar për në Fakultet (atëherë Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë ndodhej në ndërtesën e Fakultetit të Historisë e të Filologjisë) herë-herë takohesha me prof. Selmanin, që dilte nga rruga “Mine Peza”, dhe e bënim rrugën bashkë. Në këto raste për mua kishte filluar dita e punës që rrugës.

Kundër përshtypjes së jashtme, prof. S. Riza ishte i afrueshëm me ne të rinjtë, na nxiste për diskutime, na shtronte pyetje, që nuk ishin të thjeshta. Një ditë më dërgoi në Bibliotekën Kombëtare për të kopjuar me dorë nja dy faqe nga libri i Emile Legrandit “Bibliographie Albanaise”. Me atë rast mora në dorë për herë të parë librin e këtij bibliografi francez. Nuk i kam quajtur asnjëherë angari punët ndihmëse që më kanë dhënë profesorët e mi. Ca kohë më parë Aleksandër Xhuvani më kishte dhënë t’i nxirrja parafjalët nga veprat e Pjetër Budit dhe me atë rast lexova Budin. S. Riza e dinte mirë se unë atëherë nuk kisha bërë asnjë orë mësim frëngjisht, po edhe unë e dija mirë se me kë kisha të bëja, prandaj i hapa sytë katër që të mos bëja gabime. I dorëzova fletoren dhe prita. Pasi e lexoi, erdhi tek unë dhe më tha me një buzëqeshje përgëzuese se nuk kisha bërë asnjë gabim, as në theksat!

Në verën e vitit 1960 prof. Mahir Domi më ngarkoi të bëja një ekspeditë dialektologjike dhe të shkruaja një monografi për një të folme. Ai e kishte shumë për zemër dialektologjinë. Një punim dialektologjik është rruga më e përshtatshme për të hyrë në problemet gjuhësore të shqipes. Albanologë si H. Pederseni, G. Vajgandi, M. Lamberci, K. Taljavini, V. Cimohovski, po edhe vetë E. Çabej, I. Ajeti e kanë filluar nga dialektologjia. Prof. M. Domi më propozoi tri krahina: Prezën (Tiranë), Shllakun (Shkodër) dhe Nikaj-Mërturin (Tropojë). Unë, atëherë 22 vjeç, zgjodha më të largëtën, Nikaj-Mërturin, me përfytyrimin romantik se në viset e largëta fshihen dukuri më interesante. Udhëtimi dhe qëndrimi im në Nikaj-Mërtur në korrik 1960, bashkë me dy studentë të huaj dhe një shqiptar, është një histori më vete. Nikaj-Mërturi i takon nga ana etnografike, po edhe gjuhësore, Malësisë së Gjakovës. Unë përfytyroja se edhe profesori im në mjedisin e tij familjar të Gjakovës, ka pasur afërsisht po atë dialekt amtar. Prandaj një ditë, duke diskutuar me të për një dukuri të asaj së folmeje, guxova e i thashë: “Ju profesor shumë e keni thyer gjuhën!” Për habinë time S. Riza reagoi me vrull, duke më thënë se jo vetëm e kishte thyer, po e kishte dërrmuar, e kishte copëtuar ... etj.etj. fjalë si këto, që nga hutimi nuk arrita t’i mbaj mend. Si axhami që isha atëherë, kujtoja se “të thyesh gjuhën” do të thotë të fitosh shprehi të reja gjuhësore, shumë të dallueshme nga dialekti amtar, afërsisht si p.sh. të thyesh një shkop e ta bësh dy a katër copa! Por pas atij reagimi vrava mendjen dhe i dhashë të drejtë profesorit. Të thyesh gjuhën në të vërtetë do të thotë që gjithë duke ruajtur karakteristikat themelore të së folmes së vendlindjes, të fitosh edhe disa tipare të një mjedisi tjetër gjuhësor. Me një fjalë “thyerja” është një ndryshim i lehtë, jo rrënjësor. Të thyesh urinë do të thotë të kesh futur diçka në gojë, p.sh. ndonjë biskotë a ndonjë pemë, para orës së zakonshme të drekës a darkës, por jo të kesh ngrënë sa të mos kesh më uri; të thyesh një ngjyrë (p.sh. kur lyejmë shtëpinë) do të thotë t’i hedhësh pakëz nga një ngjyrë tjetër (p.sh. që të mos jetë krejt e bardhë, po të dalë pak si në qumësht). Prof. Selmani nuk kishte bërë këtë “thyerje” me “gjuhën” e tij gjakovare. Ai me të vërtetë që e kishte “dërrmuar, copëtuar... etj.” Dhe jo vetëm ai. Për brezin e tij, për brezin tim, po edhe për brezin e sotëm përgjithësisht, gjuha letrare ose letrarishtja e përbashkët, siç thoshte prof. S. Riza, nuk vjen nga qumështi i nënës, po nga goja e mësueseve, nga librat e shkollës, nga radioja, televizioni filmi, teatri, nga jeta aktive shoqërore.

Prof. Selman Riza u kthye nga Kosova pranë familjes në Tiranë në fund të vitit 1955 dhe filloi punën në Institutin e Shkencave. Brenda 10-12 vjetësh prof. Selman Riza hartoi një varg monografish themelore për morfologjinë e shqipes së sotme e për morfologjinë historike. Nuk mund të shtoj diçka të re për vlerën shkencore të tyre nga sa janë thënë më parë prej të tjerëve. Ajo që dua të vë në dukje këtu, është e reja që solli prof. Selman Riza në jetën e sektorit tonë dhe në mënyrën e trajtimit të problemeve. Kjo e re ishte fryma kritike, aq e theksuar në punimet e tij, saqë ai e ka quajtur veten edhe kritik gjuhësor. Por kjo nuk ishte thjesht një kritikë për kritikë. Prof. S. Riza para se të përvishej për të hartuar studimin e tij, shtronte mbi tryezën e punës të gjitha trajtesat e mëparshme për atë temë dhe me bisturinë e mprehtë të parimeve shkencore e të arsyetimit logjik bënte anatominë e tyre. Vlerësonte tezat e shëndosha, racionale dhe flakte ato që nuk i qëndronin kritikës së tij shkencore aq të argumentuar. Mbi këtë bazë bënte përgjithësimin shkencor të gjendjes së deriatëhershme të studimit të asaj teme dhe pastaj fillonte të ngrinte ngrehinën e punimit të tij sipas një shestimi të arsyetuar mirë. Ai nuk ishte vetëm kritik, por po aq edhe autokritik. Hiqte dorë vetë nga një tezë kur gjente më shumë argumente në të mirë të një teze tjetër. Një mëngjes, duke diskutuar rrugës, më pati thënë se tre-katër muaj pas botimit të veprës së njohur “Tri monografina albanologjike” (1944), kishte hequr dorë vetë nga teza e tij për pangegënishten letrare që donte të themelonte. Në mendimin e gjuhëtarëve shqiptarë çështja e formimit të një letrarishteje shqipe të përbashkët ka qenë gjithnjë temë qendrore, ose, për ta thënë më mirë me atë që ka shkruar S. Riza për veten e vet, ai e ka pasur kurdoherë mendjen në përgjim dhe shpirtin pezull për t’i gjetur kësaj çështjeje një zgjidhje. Në periudhën ndërmjet dy luftërave në Shqipëri kishte një toskërishte letrare pak a shumë të njësuar, ndërsa gegërishtja letrare nuk kishte arritur të njësohej. Administrata e shtetit përdorte një “dialekt zyrtar” ose një “burokratishte” të mbështetur në dialektin e Shqipërisë së Mesme, ashtu siç ishte vendosur me urdhrin e Kryeministrisë të 13 janarit 1923. Me monografinë “Çeshtja gjuhësore” prof. S. Riza kishte nuk kishte synuar të zgjidhë problemin e shqipes letrare të përbashkët, por vetëm të sajojë një gegërishte letrare diku fare të njëjtë dhe diku drejtë për drejtë të gjegjshme me toskërishten letrare. Filli i kuq që e përshkon këtë monografi është theksimi i unitetit etnik dhe i njëjtësisë gjuhësore ndaj dualizmit dialektor. Gjithsesi monografia e tij për gjuhën letrare ka analiza e vëzhgime shumë të mprehta e të drejta, që nuk kanë gjetur vend sa duhet në diskutimet e zhvilluara rreth kësaj teme.

Në punimet që shkroi e botoi në Tiranë nga viti 1956 e deri në fund S. Riza zgjodhi vetë të shkruante një toskërishte letrare me disa elemente të kohës së Rilindjes (kishte një vlerësim të lartë për punën e Sami Frashërit si krijues i normës letrare të toskërishtes dhe për veprimtarinë e F. Konicës e të F. Nolit si zhvillues të saj). Duhet pasur parasysh se në atë kohë në botimet e Institutit të Shkencave (dhe më pas në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë) përdorej lirisht gegërishtja. Kanë shkruar gegërisht secili sipas mënyrës së vet jo vetëm studiuesit e brezit të vjetër, si Osman Myderrizi, Anton Krajni, Pashko Geci, Rrok Zojzi etj., po edhe më të rinjtë, si Bahri Beci, Mehmet Çeliku etj. Në këtë kuptim them se prof. S. Riza zgjodhi vetë të shkruante në toskërishten letrare me një normë drejtshkrimore e gramatikore të arsyetuar prej tij, që mund të bëhet temë e një disertacioni. Gjendja ndryshoi vetëm pas Konsultës Gjuhësore të Prishtinës (prill 1968), që vendosi të zbatojë menjëherë Projektin e drejtshkrimit të botuar një vit më parë në Tiranë. Atëherë edhe tek ne u bë pa kuptim praktika e këtij “liberalizmi gjuhësor”.

Veprat e prof. Selman Rizës kanë një shprehje gjuhësore të veçantë, me mjaft risi në fjalor, në mënyra të thëni e në ndërtimin e frazës, që janë përhapur edhe te studiues të tjerë. Por kryesorja është rreptësia e arsyetimit, logjika e brendshme dhe saktësia e shprehjes. Diskutimet e tij në sektor për punimet e kolegëve, vërejtjet që bënte, kanë qenë për mua një shkollë më vete. Duke shkruar ndonjë artikull, kontrolloja veten se mos nuk e kisha shprehur saktë mendimin, pyesja veten se ç’vërejtje mund të më bënte prof. S. Riza kur ta lexonte, dhe e rishkruaja nga e para gjithë paragrafin. Duke punuar në ato vite pranë profesorëve të mi, më përshkonte shpesh ndjesia sikur të kisha pas shpinës syrin e tyre vëzhgues, që më thoshte: “jo, këtë nuk e ke mirë!” Dhe më i rrepti më dukej S. Riza. Ai më ka bërë të kuptoj se sa e vërtetë është thënia: “kalemi rëndon më shumë se kazma”, që e kisha dëgjuar kur isha nxënës dhe nuk arrija të kaloja nga kuptimet konkrete të fjalëve të veçanta te domethënia e kësaj shprehjeje.

Prof. S. Riza u mor intensivisht me autorët e vjetër dhe me shumë entuziazëm punoi për të ndërtuar kursin special dhe tekstin përkatës për pesë autorët më të vjetër të gjuhës shqipe: Buzuku, Matranga, Budi, Bardhi e Bogdani. Punoi me një pasion të habitshëm për të ndërtuar tekstin “Pesë autorët më të vjetër të gjuhës shqipe. Krestomaci thjeshtë gjuhësore”, që u shtyp si dispensë (1961). Teksti tjetër “Pesë autorët më të vjetër në gjuhën shqipe”, të cilin e kishte paralajmëruar që më 1961, nuk arriti të botohej sa kohë autori i tij ishte punonjës i Institutit. Ai u përgatit për botim nga prof. Ali Dhrimo dhe u botua më 2002. Prof. S. Riza edhe në këtë fushë u shfaq krijues dhe kritik. Mjafton të përmendim analizën kritike që u ka bërë dëshmive të tërthorta për mundësinë e qenies së një tradite shkrimi parabuzukiane dhe përfundimin e tij se themelvënësi historik i shqipes së shkruar, krijuesi i traditës shkrimore kombëtare është Gjon Buzuku. Te vepra e këtij autori, me gjithë mangësitë e shumta gjuhësore që i vinte në dukje, S. Riza shihte një heroizëm kulturor dhe bënte një paralele mbresëlënëse: Kundrejt lavdisë së Gjergj Kastriotit në historinë e popullit shqiptar qëndron madhëria e Gjon Buzukut në historinë e kulturës shqiptare. Duke e rifilluar këtë kurs para disa vjetësh në degën e gjuhës shqipe, kam dashur jo vetëm të përmbush synimin e kësaj lënde për formimin e specialistëve të ardhshëm të gjuhës shqipe, po edhe të shpreh nderimin tim për mjeshtrin që më përudhi në studimin e autorëve të vjetër.

S. Riza ishte një qytetar aktiv dhe optimist për zhvillimin e vendit. Ai kishte besim te energjitë pozitive të popullit të vet. Në fillim të viteve ’60, prishja e madhe me Moskën dhe dalja e Shqipërisë nga kolkozi sovjetik përkëdhelën sedrën kombëtare edhe të inteligjencies së vjetër. Në atmosferën e atyre viteve kur lindi kënga “Për ty Atdhe” edhe S. Riza krijoi një “Për ty Atdhe” sipas mënyrës së vet, pikërisht në veprën “Pesë autorët më të vjetër”, që nuk arriti ta botonte së gjalli. Ai ka shkruar atje:

“Imperialistët botërorë e sidomos ata ballkanikë serbomëdhenj dhe grekomëdhenj kanë bërë çmos në të kaluarën (e madje edhe sot e kësaj dite ata vazhdojnë të bëjnë gjithçka) me qëllim që ne shqiptarët të na zhvishnin nga çdo vetëbesim kombëtar, nga çdo sedër kombëtare, e për pasojë edhe nga çdo vullnet vetëmbrojtjeje kundër orvatjeve të tyre ekspansioniste skllavëruese.

Prandaj edhe objektivi numër një i publicistëve e pseudoshkencëtarëve në shërbim të imperializmit botëror e sidomos atij ballkanik serbomadh e grekomadh ka qenë pikërisht ky që ne shqiptarëve ndërgjegjen kombëtare si të thuash të na e infektonin në të njëjtën kohë me dy komplekse inferioriteti: me atë të forcës numerike pretendimisht të shpërfillshme dhe me atë të kulturës kombëtare gjithashtu pretendimisht të paqenë.

Por njëherë Rilindja jonë Kombëtare me Lidhjen e Prizrenit, pastaj Kongresi i Lushnjës me Luftën e Vlorës, e më tëhu çlirimi i ynë kombëtar përfundimtar: këto tri kundërgoditje vetëmbrojtëse heroike shqiptare këtë fushatë imperialiste difamacioni antishqiptar e bënë më në fund jo vetëm kryekëput të pafuqishme kundër nesh, por njëherazi edhe përsosurisht të përbuzshme prej nesh.”Është e dhimbshme të kujtosh se ç’ furi e verbër dhe e egër u ngrit kundër tij në vitin 1967. Se të deshte dhe s’të deshnin .... – fatin e jo pak shqiptarëve që vuajtën për këtë, pati edhe profesori ynë i paharruar Selman Riza, që prehet në Panteonin e Viganëve të mendimit shkencor dhe të lirisë e të përparimit.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi