Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Entela S. Kasi: Bisedë me Eugene Schoulgin, Kujtime të Mirelës, letërsia dhe bota e sotme

Shko poshtë

Entela S. Kasi: Bisedë me Eugene Schoulgin, Kujtime të Mirelës, letërsia dhe bota e sotme Empty Entela S. Kasi: Bisedë me Eugene Schoulgin, Kujtime të Mirelës, letërsia dhe bota e sotme

Mesazh nga Agim Gashi Tue Dec 22, 2009 3:17 am



Entela S. Kasi: Bisedë me Eugene Schoulgin, Kujtime të Mirelës, letërsia dhe bota e sotme U1_EntelaSafetiKasi
Bisedë me Eugene Schoulgin, Kujtime të Mirelës, letërsia dhe bota e sotme


Nga Entela S. Kasi


Entela S. Kasi: Libri juaj “Minner om Mirrella”, në gjuhën norvegjeze dhe ”Kujtime të Mirelës”në gjuhën shqipe, duket si një rrugë e gjatë drejt një bote të brëndshme të shpikur…Mos është një lloj arratie nga realiteti apo një udhëtim mes të vërtetës, i cili realizon kështu një arrati prej lirisë?


Eugene Schoulgin: Kur shkrova Trilogjinë e Federikos, ideja ime fillestare ishte të zbuloja se çfarë mekanizmi i fshehtë brenda qënies njerëzore e bën njeriun të mos jetë ai që dëshiron të jetë apo se çka ndërmend të bëhet. Këto përbërës unë vendos ti quaj “ “Barrikadat e fshehta” Përderi sa jam romancier dhe jo eseist dëshiroj të gjej të vërtetën ose pjesë të së vërtetës duke shkruar. E vërteta mund të thuhet me dhjetë fjali ose me njëmijë faqe. Përmes këtij vëzhgimi( që është sikur të vëzhgosh vetveten po ashtu edhe personazhet siç ndodh gjithmonë kur shkruan) kuptova që më duhej ta nisja me këtë njeri që në fëmijërinë e tij. Më duhej të krijoja botën e fëmijërisë së tij. Ke të drejtë. Ishte një udhëtim i gjatë. Është një përshkrim i botës së brendshme të parë përmes ngjarjesh jashtëzakonisht të vërteta dhe fantastike. Ndryshimi midis mënyrës se si e kam shkruar dhe metodës së një shkrimtari realist është që bota e brendshme përfshin të jashtëzakonshmen, jo thjesht atë që të rrethon.





Entela S. Kasi :Mirela është një imazh femëror midis grave të ndryshme: tetos së Federikos, Mirelës, dhe nënës. Përse kjo e fshehtë, ky mister që mbulon Mirelën? Mos është dashuria, apo natyra e dashurisë, apo mënyra e përfytyrimit dhe e shpikjes të këtij imazhi i cili duket sikur të jetë zhdukur mes njerëzish të ndryshëm që në çastin fillestar?





Eugene Schoulgin: Mirela simbolizon shumë si fenomen në jetën e një djali. Ajo simbolizon të ardhmen, ajo e mahnit Federicon- dhe e frikëson atë. Por përveç asaj ka mjaft përbërës të tjerë që e frikësojnë atë, dhe në krye të kësaj ngrehine ai ende ka një frikë të brendshme shumë të madhe, që kur arrin në Itali, në një farë mënyre ajo bëhet mbrojtja e tij. Ai bie në dashuri me atë, po një dashuri e hershme fëmijënore e pashpresë, por në të vërtetë është pikërisht natyra e kësaj dashurie ajo që të përfshin. Për mua të shkruarit është sikur të krijosh një panair, një yjësi, një kaleidoskop.





Entela S. Kasi: Frederico, Federico, dhe Freddy, ky personazh kryesor jeton brenda një bote shumëngjyrëshe ireale, ndërsa “bota e vërtetë është “e egër” dhe “ lufta ka vdekur” Cila është lidhja juaj me Federicon?





Entela S. Kasi: Bisedë me Eugene Schoulgin, Kujtime të Mirelës, letërsia dhe bota e sotme U1_EugeneSchoulgin
Eugene Schoulgin: Ai është binjaku im letrar. Jetët që krjoj kur shkruaj janë gjithmonë “jeta tjetër e mundshme” që ndoshta kam jetuar, ose përjetuar qoftë edhe që kam ëndërruar. Shumë njerëz më kanë pyetur nëse shkruaaj për veten. Sigurisht që shkruaj për veten time. Çdo personazh që krijoj është vetja ime, pavarsisht gjinisë, moshës, kohës dhe mjedisit gjeografik. Ngjarjet dhe historitë që jeton Federico në libër i kam jetuar edhe unë, ato ma kanë plotësuar jetën.


“Lufta është vdekje” është thjesht një grackë. Kujto që afër fundit të librit “ Kujtime të Mirelës” vajza e vogël është qëlluar para syve të Federicos, ndërsa e tërë bota ulërret “ Lufta ka vdekur!” Për Federikon kjo do të thotë: “ Lufta është vdekje- Lufta është fundi- Lufta është e vdekur.”





Entela S. Kasi: Libri tashmë është edhe në gjuhën shqipe, pothuajse 25 vite pas botimit të tij të parë në norvegjisht. Unë mendoj që ky është sukses për shkrimtarin i cili pas një pejudhe të gjatë nga botimi i pare, sheh që libri i tij mbërrin edhe në duart e një lexuesi të një gjuhe tjetër. Çndjeni ju si shkrimtar në këtë rast?





Eugene Schoulgin: Si shkrimtar ndjehem mirë! Mendoj se kjo është një provë që libri ka të drejtë të jetojë gjatë, dhe ia kam arritur që të krijoj një novelë e cila nuk varet në një kohë të caktuar apo në një shoqëri të caktuar.





Entela S. Kasi: “ Nëse të shkruarit nuk do të ekkzistonte, nuk e di se ç’mund të isha bërë, ndoshta mund të isha një njeri tjetër” – kështu më ndodh të mendoj shpesh. A ju ka shkuar ndonjëherë në mend se çdo të ishit nëse nuk do të ishit bërë shkrimtar?





Eugene Schoulgin: Oh, po! Është fakt që të shkruarit ishte zgjedhja ime e fundit! Në fillim doja të bëhesha pianist, por në një moment të caktuar mësuesi im i pianos tha se mund të bëhesha një muzikant i mirë por jo një pianist i mirë siç kisha ëndërruar gjithë kohës. Pastaj hoqa dorë me gjithë naivitetin tim. Pas kësaj dëshiroja shumë të bëhesha piktor, si babai im, Aleksandër Schoulgin, madje ndoqa edhe Akademinë Mbretërore të Arteve në Oslo. Një ditë babai më pyeti: “Eugene, mendoj se duhet ti bësh vetes tënde këto pyetje: -Do të bëhesh piktor sepse ndjehesh i tillë e kjo i jep kuptim jetës tënde , apo do të bëhesh piktor? Cila është çështja”? Ia bëra vetes këtë pyetje përsëri në muajt në vazhdim dhe kuptova që unë dëshiroja të bëhesha piktor, por e dija që jeta ime kishte kuptim edhe po të mos bëhesha piktor. Pas kësaj provova të bëhesha aktor, e kjo ishte me të vërtetë një humbje kohe! Kështu që u vendosa në Suedi, dhe studiova arkeologji klasike për disa vite. Ishte interesante por mjedisi midis studentëve dhe profesorëve ishte stresues, kishte intriga të pafundme dhe një luftë shumë të keqe për tu pozicionuar. Dhe kur botova novelën e parë dhe ajo u vlerësua me çmim- atëherë e kuptova se çfarë kisha dashur të isha dhe kush isha në të vërtetë brenda meje. Kur i tregova profesorit tim ai më tha:’çfarë çlirimi Eugene, e kupton, ti nuk je bërë asnjëherë një arkeolog i mirë sepse ke një fantazi të jashëtzakonshme”!Mendoj se falë zotit me kalimin e viteve të jem bërë pak më i mençur.





Entela S. Kasi: Ka ndonjë moment kur thoni: “Do të braktis gjithçka, të shkruarit dhe librat”, e, në fakt kjo u ka ndodhur shkrimtarëve shumë të mirë. A është letërsia një ndërmarje shumë e vështirë që e bën shkrimtarin të arrijë në këtë teh kaq të mprehtë, apo mos vallë kjo është një retorikë e përhershme e atyre shkrimtarëve që bëjnë letërsinë?Ju ka ndodhur të bëheni gati të hiqni dorë nga letërsia?





Eugene Schoulgin: Sa herë që mbaroj një libër them: Kurrë më! Por pas disa javësh filloj përsëri të shkruaj. Sikur thoshte edhe Faulkneri: Nuk është e vështirë të shkruash e vështirë është të vendosësh veten në një pozicion ku ke mundësi të shkruash . Oh, në fakt po, pasi ka mjaft ” barikada të fshehata” madje edhe me të shkruarin si proçes, dhe ndodh të më kapë trishtimi ose frika. Por, kjo lidhet me një vullnet shumë të fortë për të punuar dhe ndonjëherë me një thatësi të përkohëshme në punën krijuese e cila vjen për një mijë arsye të pashpjegueshme.








Entela S. Kasi: Si është të jesh shkrimtar në botën e sotme?





Kjo varet tërësisht në mënyrën se si e sheh veten si shkrimtar, dhe se çështë të jesh shkrimtar.Shkrimtarët “e ditëve të shkuara të mira” ndoshta kanë qënë të interesuar për famën dhe suksesin po aq sa shkrimtarët e sotëm. Ndryshimi qëndron tek mënyra se si trajtoheshin. Ata,dikur ishin të trajtuar në një mënyrë më pak brutale se sot. Ndonjëherë të krijohet përshtypja që je “një produkt”, si marka e syzeve të diellit, ose modeli i flokëve, apo si wiski i preferuar, madje edhe divorcet apo dashuritë që mund të kesh apo që mund të fliten, apo edhe opnioni yt për futbollin është shumë i rëndësishëm për imazhin tënd, mos themi më i rëndësishëm për imazhin e librit tënd. Kjo do të thotë që në ditët e sotme të duhet të jesh i dukshëm. Por unë i kam shpërfillur të gjitha këto dhe ndjehem mjaft i sigurt. Për mua të shkruarit është i rëndësishëm edhe më jep kënaqësi dhe njëlloj do të kishte qënë edhe sikur unë të isha pjesë e brezit të stërgjyshërve të mi letrarë. Në një botë tjetër( bota në të cilën edhe unë jetoj fizikisht) jeta është e egër, e rezikshme, fantastike dhe e trishtë ashtu si ka qënë përgjithmonë! Kriza e fundit duket gjithmonë më e vështira! Nuk jetoj në një kullë të fildishtë, por di ta gjej një kullë të tillë sa herë që kam nevojë për të, di ku të mbështetem!





Entela S. Kasi: Si është bota e shekullit të XXI në sytë e shkrimtarit? Ku po shkon ajo?





Eugene Schoulgin: Po shkon larg. Po kjo është një pyetje e vështirë! Nuk jam i sigurt se nëse unë të pyes ty, ti të më japësh një përgjigje për shkrimtarin e shekullit të XXI. Mendoj se jemi në një kapërcim, ndoshta në një kapërcim gjigand të cilin e presin dhe e mendojnë të gjithë. Unë i evitoj fjalët e mëdha përsa u përket çështjeve të globalizmit, të ndryshimeve globale. Njerëzit kanë dobësi dhe duan deklarata absolute kur vjen fjala për çështjen globale dhe tema të mëdha. Sa më e madhe të jetë çështja aq më shumë i largohemi asaj në mënyrë profetike. Por, unë mund të kuptoj se ajo që po ndodh sot gabim, ose që po shkon gabim është më e rezikshme dhe më e gabuar se ajo që ishte gabim dhe e rezikshme në botën e djeshme, dhe se keqpërdorimi i burimeve globale herët a vonë do të çojë në frenim të qytetërimit që ne njohim sot.


E urrej të flas për detyrat kur vjen fjala për shkrimtarët, se çfarë duhet të bëjnë shkrimtarët, por në një farë mënyre edhe ne duhet të bëjmë diçka duam apo s’duam ne, e dimë apo nuk e dimë, ne jemi produkt i kohës tonë, dhe historia e letërsisë na ka treguar që shumë prej shkrimtarëve me influencë na kanë dhënë jo vetëm të vërtetën e kohëve të tyre por edhe të kohës që ka ardhur pas tyre. Por, letërsia në një farë mënyre nuk është mjet predikues.





Entela S. Kasi: “ Ne shpikim një botë tjetër kur kuptojmë që bota është e egër’- ky është vargu i një poezie që kam shkruar së fundmi, por pyetja ime për ju është “ çfarë njerzimi duhet të shpikë për të ekzistuar: Një dritare shprese, një arratisje, apo një botë tjetër?





Eugene Schoulgin : Pablo Picasso ka thënë: Arti është mashtrim që na rrëfen të vërtetën. Do të doja ta largoja fjalën ‘ mashtrim’ dhe ta zvëndësoja atë me fjalën ‘gënjeshtër’ duket si humor, por në fakt ka brënda vetes një të vërtetë të madhe. Çfarë njeriu duhet të shpikë për të ekzistuar?- Të ekzistojë! - Nuk e di. E vërteta më e tmerrshme është se njerëzimi vazhdon sidoqoftë, madje edhe pa shpresë, pa të ardhme, pa ëndrra, qoftë edhe me makthe, njerëzimi ecën. Dhimbja më e madhe e njeriut është vdekja, por edhe me atë njerëzimi është mësuar të bashkjetojë. Për më shumë shpëtimi qëndron tek shpikja e një bote tjetër, si jë rrugë e fshehtë, si një jetë mashtruese.( Hjalmar Ekdal në “The Wild duck” të Henrik Ibsenit është i pavdekshëm)





Entela S. Kasi: Le të kthehemi tek “ Kujtime të Mirelës”. Përgjatë librit e keni theksuar shumë herë frazën “ lufta ka vdekur”, kjo shprehje e shkruar në vitet - tetëdhjetë, i takon botës pas luftës së dytë botërore, tani në kohën që kemi mbërritur, jemi në 2009, a besoni përfundimisht që lufta ka vdekur! Nëse më pyesni mua do të thoja: Jo! Kam frikë se jo!





Eugene Schoulgin: Jam në një mendje me ju.Lufta asnjëherë nuk ka vdekur. Breza të tërë jetuan në një gjëndje të rezikshme dhe në një keqinterpretim të faktit se çndodhi me botën pas luftës së dytë botërore ( Bader Meinhof- Shtatori i zi - Brigadat e kuqe - etj.) Por, në fakt e vërteta që unë mendoj është se: Lufta është vdekje.Lufta është fundi, është e fundit.





____________




Mediat suedeze dhe skandinave kanë shkruar mjaft për librin “ Kujtime të Mirelës’ të shkrimtarit Eugene Schoulgin;
Ky libër është vlerësuar me çmimin e madh për letërsinë nordike në vitin 1985,dhe për herë të parë është botuar nga Gylendal, në Norvegji, në vitin 1984

1. Nëse shikoni strukturën e Mirelës, ajo paraqet një arritje teknike shumë mbresëlënëse dhe të jashtëzaonshme, e cila është krejt e pazakontë në letërsinë nordike. Nëse vështroni në mënyrën se si është treguar ngjarja kuptoni menjëherë ndjenjën fillestare të një lumturie frymëzuese me të cilën është shkruar libri. Dalloni fuqinë me të cilën janë bërë përshkrimet analitike dhe psikologjike e atëherë mbetet të mos ndalojmë tek skandinavët, por të shkojmë drejt lindjes, për tu përfshirë nga fuqia e peshës së papërballueshme të Dostojevskit

Ola Sunesson, Swedish Radio

2) Është një libër që të përfshin i mbushur me dramacitet dhe ndjeshmëri. Në një moment ai të rëmben me të gjithë forcën, e në momentin tjetër të mahnit me bukurinë dhe ngrohtësinë e ndjenjave. Në një çast ndjen ankthin e në çastin tjetër një humor rigjallërues. Trilogjia e Federikos, nis pikërisht me “Kujtime të Mirelës”,e me këtë rast Eugene Schoulgin ka realizuar një kryeveppër letrare, e cila pa dyshim do të mbetet një nga librat më interesantë në letërsinë skandinave.

Johan Wärkmäster Göteborgsposten

3)”Kujtme të Mirelës”, është një vepër e rëndësishme të clën juria e çmimit të madh letrar nordik, nuk mund ta linte pa e vlerësuar.
Inge Knutson Svenska Dagbladet

4) Schoulgin është një shkrimtar me një gjuhë shumë origjnale dhe delikate, me një thellësi të jashtëzakonshme dhe një talent të rallë për ta pikturuar edhe situatën më të frikshme me shumë humor, aq sa mund të përjetosh gjithçka sikur të kesh qënë pjesë e ngjarjes. “Kujtime të Mirelës” është një nga ato libra të rallë, që të mbeten në kujtesë për vite me radhë pasi e ke lexuar për herë të parë.

Sissel Lange-Nielsen Aftenposten





______________________





Eugene Schoulgin

U lind në Oslo, Norvegji më 1941. Fëmijërinë e kaloi në Itali. Ka studiuar Arkeologji klasike në Suedi. Që në perjudhën e fëmijërisë ka udhëtuar në shumë vende të Europës jugore dhe në Azi. Ka punuar si gazetar i kulturës për mediat suedeze dhe norvegjeze për një kohë të gjatë. Për disa kohë ka punuar si kështilltar i dramës në Teatrin Kombëtar të Oslos dhe si bashkëautor në “Festivalin Ibsen”.

Në 1970 botoi novelën e parë “ Kafazi i lepurit” e cila fitoi çmimin letrar për shkrimtarët e rinj. Disa prej tregimeve të tij janë përkthyer dhe botuar në antologji të ndryshme të prozës Skandinave në vende të ndryshme të Europës. Disa nga librat e tij janë “ Kulla prej pudre”, “Dita e parë e borës”, ”Piktori i qelqeve”, “ Vajza me pjeshkë”, “Ana Ismailova” etj.

Në vitin 1984 ai botoi veprën letrare “Trilogjia e Federicos” dhe u vlerësua me çmimin e madh letrar Nordik, ky u bë libiri më i shitur i kohës në Norvegji dhe u përkthye në suedisht, rusisht dhe turqisht,e gjuhë të tjrea. Në 1988 u botua pjesa e dytë e trilogjisë nën titullin “ Federico- Federico” I cili u vlerësua po atë vit me çmimin letrar të vitit, dhe pas botimit në suedisht mediat shkruan se ky do të mbetej një nga librat më të rëndësishëm për vendet nordike. Në vitin 1997 u botua “ Vallja e vdekjes”

Eugene Schoulgin ka drejtuar Komitetin e shkrimtarëve të burgosur në Qendrën Suedeze të PEN, dhe në vitin 2000 ai u zgjodh kryetar i këtij komiteti në PEN International. Aktualisht, Eugene Schoulgin është Sekretar Ndërkomëbëtar i PEN Interanational.

Libri “ Kujtime të Mirelës”, mbetet një nga veprat më të bukura të letërsisë Skandinave, dhe Eugene Schoulgin është përcaktuar me këtë roman si “ shkrimtari piktor’




Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi