Sadik Bejko: Blloshmi, Leka dhe liria krijuese në izolim
Faqja 1 e 1
Sadik Bejko: Blloshmi, Leka dhe liria krijuese në izolim
Memoriali i Poetëve të pushkatuar, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka |
Nga Sadik BEJKO
1. Vepra e Vilson Blloshmit
Për të ardhur te botimi me rreth 400 faqe, në dy vëllime, i veprës së plotë të Vilson Blloshmit është dashur një punë e gjatë kërkimore në arkiva, punë që ka zgjatur mbi dhjetë vjet. Përkushtimi i vëllait të poetit, i Bedri Blloshmit, në kërkimet e gjetjet është në themel të gjithë kësaj pune kërkimore. Këto dy vëllime përmbajnë krijimtarinë e Vilson Blloshmit, me arsim të mesëm, që më 17 korrik 1977, kur ishte 29 vjeç, u pushkatua nga shteti diktatorial.
Ky botim në dy vëllime është një ngjarje me rëndësi historiko-kulturore, me rëndësi dhe për letërsinë shqiptare. Është botuar një vepër e plotë krejtësisht postume. Serembja dhe Migjeni, dy poetë që u bënë të famshëm pas vdekjes, në gjallje të tyre kishin arritur të botonin diçka nga vepra e tyre, kishin marrë dhe vlerësime të bashkëkohësve. Vilson Blloshmi në gjallje të tij nuk pa asnjë rresht të botuar nga vepra e vet. Ai krijoi i izoluar dhe larg rretheve letrare. Punoi si kafshar në fshat, si druvar në sharra, si minator dhe gjithësa shkroi e përktheu, e mbajti në fshehtësi të plotë. Regjimi komunist atë e kishte përjashtuar nga e drejta për t’u marrë me punë intelektuale, për të punuar si mësues, për t’u marrë me letërsi për shkak të biografisë familjare: familja e tij që më 1945 ishte shpallur zyrtarisht armike e shtetit shqiptar. Në historinë e letërsisë shqipe ky është një rast unikal, po mbase edhe më gjerë, mund të themi në gjithë historinë e lindjes komuniste, ky mund të jetë botim unikal sepse pothuaj gjithë sa është botuar në këto dy vëllime është nxjerrë nga arkivat e policisë sekrete, nga arkivi i policisë dhe i Sigurimit të shtetit diktatorial komunist. Kjo krijimtari katër muaj para se poeti të arrestohej, u sekuestrua nga sëndukët e shtëpisë së tij në fshatin Bërzeshtë, u përpunua në zyrat e Sigurimit, u përdor si akuzë në gjyq kundra tij dhe pas pushkatimit të autorit e deri në ditën që u botua, ka qenë e varrosur në arkiva. Ky botim sjell para lexuesit e studiuesit një autor të talentuar. Edhe duke qenë një i përjashtuar nga jeta shoqërore e kohës deri dhe i martirizuar prej saj, ai prapë ka pasur përkushtimin, talentin dhe pasionin për të shkruar poezi, për të përkthyer disa nga poetët e mëdhenj të letërsisë botërore. Ai i është kundërvënë ndalimit, duke u vetëshprehur në heshtjen e eremitit të shpellave. Poezia e tij estetikisht është katërcipërisht e kundërt me parimet krijuese të kohës së tij. Është një poezi meditative, që jep kënaqësi estetike për vërtetësinë dhe thellësinë e saj, një dëshmi letrare e një njeriu të nëpërkëmbur padrejtësisht nga një e keqe që nuk është vetëm e tij. Me zbulimet e poezive të reja, me përkthimet nga poemat e Viktor Hygoit, me përkthimin e novelës Zadig të Volterit, me fragmentet nga esetë e E. A. Poe, nga Viktor Hygo, nga Pol Klodel etj ai ridimensionohet si njeri i artit. Veç që ka qenë i mahnitur nga kultura frënge, me leximet e shumë filozofëve dhe të poetëve, me shënimet prej krijimtarisë së këtyre mendimtarëve e poetëve në ditaret e tij na dëshmon se pa lexim dhe meditim, nuk do ta kishte atë formim letrar të ndryshëm nga bashkëmoshatarët e tij dhe atë karakter të pashoq në përballjen me të keqen. Ai diti ta sfidojë fatin e tij dhe me idetë estetike, dhe me qëndrimin e pakompromis ndaj regjimit. Nuk e shiti artin dhe as veten, kur u ndodh nën torturat e policisë së kohës. Kështu na dëshmoi se ka diçka që është e shtrenjtë dhe që duhet mbrojtur e pohuar dhe përtej jetës dhe përtej vdekjes sonë. Ai është unik në këtë shkrirje të jetës dhe të artit, sa nuk dihet ku fillon e mbaron therorizimi i tij si artist dhe therorizimi i tij si njeri përballë së keqes.
2. Vepra e Genc Lekës
Vepra në rreth 570 faqe e Genc Lekës, që u pushkatua në krah të mikut të tij Vilsonit më 17 korrik 1977, kur ishte 36 vjeç, ka një histori pak më ndryshe nga ajo e Vilson Blloshmit. Poezitë e para prej tij u botuan në shtypin e kohës më 1961-1962. Pastaj punoi mësues nëpër fshatra për disa vjet. Më tej ai për arsye të biografisë familjare, nga që babai i tij ishte shpallur armik i regjimit dhe nëna ka qenë e internuar në kampet e punës, u pushua nga puna në arsim dhe punoi punëtor bujqësie në fermë. Iu ndalua dhe të botojë poezi. Megjithatë Genci vazhdoi të shkruajë poezi në fshehtësi, ndonëse jo me përkushtimin e fillimit. Për 12 vjet ka qenë bashkëpunëtor i jashtëm i Institutit të Gjuhësisë, ka bërë studime etnografike dhe ka mbledhur fjalë e shprehje të rralla. Punonte si bujk dhe bënte studime. Kështu është kompozuar dhe vepra e tij. Në pjesën e parë vijnë 33 poezitë që kanë arritur prej tij. Këto poezi janë sekuestruar prej policisë në shtëpinë e tij, janë përdorur si material akuze në gjyqin e tij dhe janë mbajtur në arkivin e policisë, prej nga i nxori Bedri Blloshmi. Në pjesën e dytë të librit vijnë tri studime etnografike mbi blegtorinë, mbi familjen dhe martesën në Bërzeshtë; në pjesën e tretë vijnë rreth 200 faqe me materialin gjuhësor të mbledhur e të gjurmuar prej tij, e paraprirë kjo pjesë e tretë nga një parathënie prej profesor Emil Lafes. Poezia e Genc Lekës kryesisht është e përshkuar nga lirizmi e personalizmi. Ka edhe pak poezi mbi luftën, mbi shkollën. Kryesisht ai është një lirik i natyrës dhe i intimes. Vilson Blloshmi është tragjik dhe dramatik në frymëzimin e tij, Genc Leka është elegjiak dhe i brishtë. Vilson Blloshmi është poet i temave ekzistenciale, i trishtimit shkallmues, me një gjuhë të ngritur, me tone të ashpra. Genc Leka ka qenë poet i vargut të rregullt e të matur, i toneve të buta. Genc Leka nuk e ka zhvilluar talentin e vet poetik, ai u është përkushtuar më tepër studimeve. Si studiues ka treguar pasion e përkushtim, ka punuar si autodidakt për formimin e vet për të qenë në nivelin e kërkesave të punës shkencore. Puna e tij shkencore është vlerësuar nga drejtuesit e Institutit të Gjuhësisë e për këtë flet bashkëpunimi i gjatë dhe i pandërprerë me Institutin, si dhe një letërkëmbim i gjatë me karakter shkencor i Genc Lekës me prof Androkli Kostallarin. Në këto letra Genc Leka jep të dhëna shtesë mbi gjurmimet e kërkimet e tij. Sipas dëshmisë së profesor Emil Lafe disa nga fjalët e mbledhura nga Genc Leka janë përfshirë në Fjalorin e gjuhës shqipe, Tiranë, 1987.
3. Një model i lirisë intelektuale në kushtet e izolimit
Genc Leka dhe Vilson Blloshmi kanë qenë dy poetë, dy njerëz të talentuar, njerëz me kërshëri intelektuale dhe me kurajë të lartë morale për të përballuar fatin e keq. Për shkak të përndjekjes politike, të përjashtimit nga jeta kulturore, ata u penguan t’i zhvillojnë talentet e tyre. Ata u pushkatuan me akuzën e sabotimit në ekonomi. Me zbulimin e materialeve nga Sigurimi i shtetit del se ata që nga viti i dytë i shkollës së mesme e deri kur u burgosën, janë përndjekur si të dyshuar për kundërshtarë të regjimit. Nuk ka asnjë dëshmi, asnjë dyshim se ata janë marrë me sabotim në këto përgjime të Sigurimit. Dënimi me vdekje për ta është marrë në rrugë Partie. Pushkatimi i tyre me akuzën e sabotimit është shqiptuar prej Sekretarit të Parë të Partisë të Librazhdit në mbledhjen e Sekretariatit të Komitetit të Partisë të Librazhdit më 28 prill 1977. Arbitrarisht në këtë mbledhje shefi i Partisë imponohet politikisht dhe urdhëron që Vilson Blloshmin dhe Genc Lekën t’i quajnë krerët e një grupi armiqësor dhe t’i dënojnë me vdekje. Gjykata e Librazhdit, Gjykata e Lartë, Presidiumi i Kuvendit Popullor nuk mund të dilnin mbi këtë vendim partiak për dënimin e dy poetëve me pushkatim më 17 korrik 1977. Kur juridikisht nuk ka pasur prova për sabotim, ende mbetet enigmë se përse u vendos në rrugë partie që Genc Leka dhe Vilson Blloshmi të pushkatohen. Argumenti duke qenë i pambështetur juridikisht, mbeti vetëm shprehës i arbitraritetit politik. Për historinë e kulturës ka rëndësi që ata të dy edhe në kushtet e izolimit e të përndjekjes kanë ditur të krijojnë një model kulturor të kundërt me atë që ishte në normë për shoqërinë e kohës, një model i lirisë krijuese edhe në kushtet e izolimit. Kjo përpjekje, edhe pse mbeti e panjohur, e ndryrë në arkiva deri në ditët tona, ka qenë e gjallë dhe e ndjekur me ndërgjegje si e tillë prej dy poetëve. Dhe kjo dëshmohet jo vetëm nga poezia e tyre, po edhe nga librat që lexojnë, nga gjuhët e huaja që mësojnë, nga mendimi estetik që parapëlqejnë, nga dëshmitë që sjellin në ditaret, në letërkëmbim dhe në deponimet e tyre në polici. Kjo është e provuar më shumë te Vilson Blloshmi e më pak te Genc Leka, i cili edhe u përpoq të afrohej me modelin kulturor të kohës. Për ta nxjerr në pah këtë cilësi të tyre si poetë që ndjekin lirinë krijuese, kemi shqyrtuar veç krijimtarisë së tyre edhe bisedat me miq e të afërm të poetëve, edhe qindra faqe nga dosjet e Sigurimit dhe nga dosjet hetimore e gjyqësore. Do të shtoja se botimi i librave të tilla nuk kalon pa ca vështirësi. Në radhë të parë është puna me arkivat, që megjithëse deklarohen të hapura, prapë është e zorshme të hysh pas bravave të tyre. Për botimin e këtyre librave duhet përgëzuar Bedri Blloshmi, që me këmbënguljen e tij ia ka dalë të kalojë jo pak pengesa, deri dhe fyerje e përplasje të dyerve në fytyrë derisa i hodhi në dorë shumë nga këto dokumente. Prapë falënderojmë Qendrën Albanologjike për ndihmën e saj. Vështirësia tjetër është ajo e kundërvënies me një pjesë të opinionit e ndonjëherë edhe me refuzimin prej botuesve, që nuk duan të përballjen me shumë figura që kanë ndikuar në dënimin e dy poetëve dhe që disa prej tyre edhe sot janë me pushtet publik. Me ngritjen e memorialit për ta në Librazhd, me botimin e këtyre veprave të plota është përmbushur rehabilitimi moral i Genc Lekës dhe i Vilson Blloshmit. Rehabilitimi i tyre si njerëz të letrave, si poetë, do të jetë i vështirë, mund të themi se sapo ka filluar, përderisa ata si të tillë nuk mundën të dialogojnë me kohën e tyre.
Gazeta SOT
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi