Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Remzi Salihu: Provokimi metaforik në poezinë e Kalosh Çelikut

Shko poshtë

Remzi Salihu: Provokimi metaforik në poezinë e Kalosh Çelikut Empty Remzi Salihu: Provokimi metaforik në poezinë e Kalosh Çelikut

Mesazh nga Agim Gashi Fri Dec 25, 2009 2:27 am








Remzi Salihu: Provokimi metaforik në poezinë e Kalosh Çelikut U1_RemziSalihuREMZI SALIHU





PROVOKIMI METAFORIK NË POEZINË


E KALOSH ÇELIKUT






Kalosh Çeliku: ״Atdheu ky burrë pa grua״ (poezi), botoi: Asdreni, Shkup 2006.




Libri më i guximshëm, i botuar në vitin 2006 nga shkrimtari, poeti Kalosh Çeliku, është gjithsesi, ״ Atdheu ky burrë pa grua ״. Njashtu siç shpalon ironinë titulli provokativ, ashtu edhe ne na bënë të mendojmë dhe të shprehemi me gjuhën imponuese të librit, se autori zbret me imagjinatën e tij poetike me një përvojë të madhe letrare në fushën e letërsisë. Unë nuk di autor tjetër shqiptar të letërsisë së sotme shqipe të flijoj kaq shumë veten për letërsinë sa ky rebel artistik. Kjo vjen pa hamendur nga këmbëngulësia e tij për t’i sjellë lexuesit dhe letërsisë një qasje dhe veçanti të re stilistike e mjaft të theksuar nga individualiteti i tij artistik. Edhe pse zhanri i krijimtarisë së këtij autori është shumë i larmishëm duke u bazuar në përvojën disavjeçare; në poezi për fëmijë, prozë, dramë, Kalosh Çeliku u bë zё i fortë i kundërthënieve të jetës në hapësirën tonë letrare. Duke qenë i pranishëm në panteonin letrarë më është dukur si më i tjetërsuar në jetë dhe krijimtari nga autorë tjerë. Me që ia kam përcjell lëvizjet e imagjinatave, gjithnjë kam parasysh një autor rebel, i papërkulur që sfidon kohën duke qëndruar në opozitë të përhershme me rrethin dhe ngjarjet që na rrethojnë. Mbetet krijues që nuk dorëzohet, Ai ״pshurrë״ me imagjinatë vdekjen e vet disa herë, dhe ngrihet si meteor me rrezatim shpërthyes nëpër errësirë për të Remzi Salihu: Provokimi metaforik në poezinë e Kalosh Çelikut U1_KaloshCelikundriçuar kurvërinë e kohës me të gjitha karakteristikat e vrazhdëta shoqërore e kulturore. Tolerant me jetën e tij të përditshme, kritik dhe ironik me kohën, satirik e sarkastik në krijimtari e i guximshëm në cullakimin e situatave dhe individëve në hapësirën ku jeton e vepron. Është autor i angazhimit, kohën e përcjell me thumbim përndjekësh me të gjitha krajatat e saj politike e kulturore. Pos vulgarizimit të përditshmërisë, poeti shpalon këmishën e grisur të shoqërisë, duke përqeshur, apo më mirë të them, ai kamxhikon e ironizon anomalitë shoqërore. Edhe aty ku shfaqen skena të imagjinuara pornografike poeti tenton ta emancipoj lexuesin nga këto imazhe që i shfaqen në arenë, përditshmërinë e jetës së tij. Kështu edhe vëllimi poetik ״ Atdheu ky burrë pa grua ״, para së gjithash është një ironi e theksuar, ku në vete inkarnon të metat dhe akrobacionet politike e kulturore të kushteve që na rrethojnë. Ky personifikim provokativ i shënuar në njëjës, sjell shumësinë e një tërësie të vrazhdë objektive, ku ky Atdhe çapkan gjezdis i vetmuar në shoqëri, që njerëzit e papërgjegjshëm e kanë shndërruar në Leckë e e brekë të pa lara të robërisë.


Poeti Kalosh Çeliku vëllimin poetik e ndanë në shtatë cikle. Në tërësinë kuptimore striptizonë i pari cikli me tanga fjalësh ironike ״ Liria është kurvë ״, në të dytin vjen ״Unë e dua robërinë ״, në të tretin radhitet ״ i marri sot vdes për atdhe “ madje vjen cikli i tretë ״ Natën e rrëzova në shtrat״ , Në ciklin e katërt kemi ״ Shelgjet më thanë qaj ״, cikli i gjashtë״ Qyqe mos më këndo mbi varr ״ dhe në fund prologu i ciklit të fundit "Patjetër pas kufomës time edhe një qen ״.


Poeti me një gjuhë jo konvencuale e nis këngëtimin e tij poetik. ״ Lirinë që na e sollët ju e kam shkërdhyer״ , me kësi lloj fjalësh, vargjesh të poezive provokative shembëllenë udhëtimin poetik autori. Ai niset me energji dhe gjuhë fshikullues kundrejt anomalive të shoqërisë sonë. Çeliku i lindur në një fshat të Kërçovës, por me një përvojë të madhe jetësore urbane në Shkup, është ndeshur me shumë situata dhe kundërthënie të trishtueshme të kohës. Kurorëzon ruralizmin me urbanizmin në shtrat të gjuhës së përditshmërisë, për ta nxjerr në shesh të shëmtuarën nudo, korrupcionin mendor, vrapin pas një ashti të lëpirë në pjatën e shprazët të kohës. I ka rebeluar shumë mundësi të punëve, dhe mundësive jo adekuate, duke mbetur i papërmirësueshëm në inatin e tij si krijues i pavarur në jetën politike e kulturore. Nga një poet i letërsisë për fëmijë është bërë një poet skandaloz. Është njëri ndër nismëtarët e parë në këto anë të këngëtimit letrarë të këtij lloji. Ai shkon sipas shembullit të Çarls Bukovskit, Allen Ginzbergut, Uollt Uitmen , që kultivojnë këtë lloj poezie. Por, megjithatë, gjuha poetike e Çelikut ka një spontanitet tjetër të të folurit të përditshëm të individit, në ato vargje shpalon kundërthëniet dhe anomalitë e jetës me një gjuhë të lirë e norme të formës letrare të prozës, por me performancë të zhargonit të qytetarit të rëndomtë. Andergraund në shprehje. Shumë vargje janë të pa rimuara, por kanë një ritëm të brendshëm. Përmbledhja poetike ״Atdheu ky burrë pa grua״ është një qasje provokative përballë shoqërisë sonë . Më duket se ky libër është përmbledhja më e mirë e këtij autori, Me vargjet e pa shminkuara nga metaforat e rënda shpalon jetën e shoqërisë sonë, ose më mirë të themi pasqyron standardin e devalvuar të çarshisë kulturore të provincës sonë. Temat dhe motivet japin detaje për mileniumin e alkoolikëve, prostuticionin, kriminelët e matrapazët kulturor si dhe për trusakatët, që vijnë e shkojnë në arenën apo skenën tonë politike e kulturore. Lirikat e tij kanë një lidhje të ngushtë me jetën e tij dhe letërsisë si fenomen kreativ, gjegjësisht, ato janë një përzierje e ironisë, satirës thumbuese. Karakteristikë e këtij autori është gjuha kritike direkte dhe e ashpër kundrejt anomalive shoqërore. i thirrur si anti poet, i përgojuar si poet i yndyrshëm me një gjuhë vulgare te të rinjtë është bërë si shembull frymëzues i guximit të shprehjes pa pardon për gjeneratat që vijnë. Në të shumtën e rasteve poezitë e Çelikut kanë frymën e parodive dhe me një lehtësi intelektuale dhe subëtile të vargjeve që mundohen të japin imazhe midis komikes dhe së vërtetës së hidhur. Ndodhitë e përditshmërisë sonë merren dhe përplasen në thumb, parasëgjithash, absurditeti në shoqërinë tonë moderne të ngarkuar me shtirje e imponime karrieristësh të rrethit.


Provokimi, protesta, vera, uzot dhe gratë e përmbledhin dhe rrëzojnë në shtrat të kujtesës tërësinë kuptimore të poetit Kalosh Çeliku. Është ndër të parët që ngre zërin kundër shoqërisë së konsumuar e të moralizuar. Vepra e tij pasqyron jetën e tij kundrejt shoqërisë, me të gjitha anët skandaloze e përparimtare si tërësi.


Femrat, vera, dhe politika janë temat qendrore të krijimtarisë së tij. Por në poezitë e tij ka edhe motive sociale të jetës dhe padrejtësive të luftës, që ngulfat lirinë e individit, qytetarit. Ai me mjete stilistike moderne është bërë krijues radikal i kohës. Me lirikën e tij subjektive ka formuar portretin e vet letrar dhe dallohet me stilin lakonik nga shumë autorë të kësaj ane. Fondamenti i zhvillimit të lirikës së Kalosh Çelikut është vet përvoja jetësore e profesionale e drejtimeve letrare që shkruhen në botë. Kjo është arritur me guximin e madh, ky autor për t’i parë gjërat e ndryshimeve radikale të shoqërisë në shtjellimin e temave dhe motiveve, autori i thyen tabutë morale të këngëtimit poetik. Në të shumtën e rasteve poeti bëhet vizionar atakues i së keqes së errët që është gangrenë e rëndë e shoqërisë. Prandaj, pikërisht këtu qëndron fuqia e poezisë së poetit kur shpalon damkat e së keqes, në mënyrë eksplicite rreh me thuprën ironike kundrejt kërcënimeve të politikës së ditës.


Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi