Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Lek Pervizi: Gjergj Fishta - Poet i pavdekshëm

Shko poshtë

Lek Pervizi: Gjergj Fishta - Poet i pavdekshëm Empty Lek Pervizi: Gjergj Fishta - Poet i pavdekshëm

Mesazh nga Agim Gashi Tue Dec 29, 2009 2:50 am

Lek Pervizi: Gjergj Fishta - Poet i pavdekshëm U1_LekPerviziMe
rastin e 70 vjetorit, 1940-2010, të vdekjes së Poetit të Madh
Kombëtar, Gjergj Fishtës, ribotojmë artikullin që doli në revistën
Kuq e Zi më nëndor 2001, nr. 19.


GJERGJ FISHTA
POET I PAVDEKSHËM
1940-2010

Nga Lek Pervizi

Revista
Kuq e Zi i ka përkushtue disa shkrime Poetit të Madh Kombëtar, Gjergj
Fishtës, me rastin e rivarrimit të atyne pak eshtnave që u kishin
shpëtue vandalizmit të barbarëve të shekullit njezet siç ishin sllavo –
komunistët.


Gjatë një gjysmë shekulli ai mbeti pa varr dhe veprat e tija u ndaluen
rrebtësisht. Rreth tij u krijue një pellg harrese ku qarkullonin si
peshq shpifarakë, lloj lloj thashëthemesh keqdashëse, për të ia
denigrue dhe nënvleftësue figurën dhe krijimtarinë. Akte këto,
antinjerëzore dhe antishqiptare që vetëm anmiqtë e përbetuem të kombit
arbnor mund të kryenin me kënaqësi sadiste, kundër një nga shkrimtarët
ma të shquem të Shqipnisë. Para pesëqind vjetëve u dhunue dhe varri i
kryetrimit dhe Heroi të Kombit, Gjergj Kastriot Skënderbeut. Paska qenë
thanë që të dy Gjergjat e mëdhej shqiptarë të pësonin të njejtin fat
pas vdekjes : t’u tretëshin eshtnat e shenjta e të mos mbetej gjurmë e
shej tyne mbi tokë ! Mbi vorrin e Skënderbeut u vërsulën hordhitë
turke, mbi atë të Fishtës, hordhitë sllavo - komuniste. Të dy palët
anmiq të tërbuem të kombit shqiptar !


Këta të fundit, harruen se ishin shqiptar dhe se kishin të banin me një
popull që i kishte qendrue stuhive shekullore i papërkulun dhe krenar,
që dijti të ruente të pa paprekun gjuhën dhe identitetin e vet gjatë
shekujve dhe prandaj do të dinte të ruente kujtimin e herojve që
luftuen për mbrojtjen e Atdheut ose të atyne që krijuen vepra të
pavdekshme për lartësimin e lavdinë e shqiptarizmit.

Lek Pervizi: Gjergj Fishta - Poet i pavdekshëm U1_GjergjFishtaI
cilesuem « shovinist » (pse antisllav) ; i cilësuem « reaksionar » (pse
antikomunist) : i cilësuem « tradhtar » pse patriot, duke mos patun
mundësi ta kishin të gjallë (pse i vdekun), për ta pushkatue në Zallin
e Kirit, siç vepruen me intelektualë të tjerë, miq e kolegë të tij,
vendosën t’i përdhunojnë vorrin duke ia nxierrë kockat e duke ia hedhun
në lumin e Bunës. Kujtuen se me këtë veprim të ulët e kriminal do të
arrinin të zhduknin praninë dhe veprat e tija nga mendja dhe zemra e
shqiptarve. Të vjen keq kur mendon se në këtë fushatë të egër
përsekutimi kundër figurës së Fishtës, u bashkangjiten edhe disa
shkrimtaruca e letraruca komunistë shqiptarë, që ndonse të tillë, duhet
të ishin tregue ma të përmbajtun e të mos shpreheshin as me fjalë
denigruese as me shkrime neveritëse, që mjerisht per ta, mbesin të
dokumentueme në shtypin kohor. Tani ata mund të jenë të penduem, por si
tepër vonë !


I gjithë ky mllef sulmues e denigrues i pajustifikuem, fshihte në
vetvete qellime arriviste të paramendueme që i përshtatëshin shprehjes
latine « Mors tua, vita mea ! » (vdekja jote, jeta ime). Sepse dule
eliminue Fishtën fizikisht e letrarisht, ata kujtonin se do t’i zinin
vendin në supremacinë letrare, nga që ishin të bindun (të verbuem) për
vijimin e përjetshëm të diktaturës komuniste së cilës i shërbenin me
zell e devocion e prej së cilës kishin përfitue lavdi e privilegje, të
katandisun siç ishin në nivelin e oborrtarëve servilë, sahanlepirës dhe
intrigantë. Me këtë bindje se kishin kapun qiellin me dorë, nuk u
ndaluen as para krimit, veçse si mund të arrinin të hypnin në podiumin
e nderit, prej ku, sipas mendjes tyne, e kishin largue përfundimisht
Poetin Kombëtar, për të ia zanë vendin. Në shpirtligësinë e tyne të
neveritshme, kënaqëshin që ia kishin zhduk trupin, vorrin dhe veprat.
Por i kishin ba hesapet pa hanxhinë, në rastin tonë, pa popullin.


Ai popull, të cilit Fishta, si një Homer i vërtetë, i kishte këndue
lavdinë, lashtësinë, besën, heroizmin e trimninë, vetmohimin, burrninë,
traditat, zakonet, kanunet, mikpritjen e bujarinë, historinë dhe
atdhedashuninë, në 15 000 vargjet e « Lahutës së Malsisë », vetë ai
popull pra, i kishte gdhendun me shkronja të pashueshme ato vargje, në
kujtesën e tij të çeliktë, të farkëtueme e të kalitun gjatë shekujve.
Ato kangë përjetësonin heroizmin e kombit shqiptar për të mbrojtun
trojet e shenjta kundër orvatjeve grabitqare të fqinjëve të pabesë e
kundër vendimeve të Fuqive të Mëdha (Shtatë Krajlave), që për interesat
e tyne sundonjëse, i sakrifikonin pa pikë mëshire popujt e vegjel, duke
i përdorun si plaçkë lufte ose tregu, për levërdinë e tyne.


Shqiptari në valën e dyndjeve barbare dhe të pushtimeve të hueja, u
ngujue në malet e bjeshkët e larta për të mbrojtun gjuhën, traditat e
zakonet, për të ruej identitetin e vet gjatë rrjedhës së shekujve, e
pikërisht në ato male ruejti thesarin e letërsisë shqipe, « Lahutën e
Malsisë » dhe emnin e pavdekshëm të Gjergj Fishtës. Ata malësorë trima,
të parët e të cilëve ishin ndeshun në lufta të rrebta për liri e
pavarësi, arritën t’i këndojnë kangët e « Lahutës » nën hundën e
komisarëve dhe sekretarëve të partisë në fuqi, të cilët nuk mund t’i
pëngonin rapsodët popullorë që t’u këndonin herojve të tyne kreshnikë :
Oso Kukës, Marash Ucit, Abdyl Frashërit, Ali Pashë Gucisë, Ded Gjo
Lulit, Marash Vatës, Gjin Pjetrit, Lleshit të Zi, Haxhi Zekës, Mehmet
Shpendit, Tringës, Zanave, Orëve e Shtojzovalleve, ku përfshiheshin
edhe dragoj e kuçedra, lugetën e baloza, etj. Ashtu siç këndohëshin
dikur kangët homerike në botën e lashtë. Jo rastësisht Fishta u quejt
Homeri Shqiptar dhe Homeri i fundit i atij qytetnimi që e pati
zanafillën para tremijë vjetëve me poemët e Iliadës dhe Odhisesë.
Fishta qëndron krenarisht përkrah poetëve të mëdhej të poezisë epike
botnore, me një veçori dalluese, sepse vargjet e tij tingëllojnë aq
fuqishëm në gjuhën shqipe dhe nuk mund të përkthehen të tilla në gjuhët
e tjera. Dihet se kryeveprat e letërsisë botnore janë përkthye shqip pa
asnjë vështirësi e në shumë raste edhe ma bukur. Kujtojmë përkthimet e
Fan Nolit, Pashko Gjeçit, Mitrush Kutelit, Guljelm Dedës, Mark Demës,
Gjon Shllakut, etj. Por që epika shqiptare e përfaqësueme nga Fishta,
të jepët në gjuhë evropiane, deri tani ka rezultue e pa dobishme, e në
qoftë se ka pasun tentativa të tilla, ato kanë deshtue. Kujtojmë një
përkthim të « Lahutës » italisht të vitit 1942, në vargje
njëmbëdhjetërrokshe, një katastrofë !


Me rihapjen e vorrit të Fishtës, aty u gjeten vetëm falanget e
gishtave, që u kishin shpëtue xhelatëve varrmihës e varrdhunues, të
atyne gishtave që mbanin penën e frymëzueme të Poetit në radhitjen e 50
mijë vargjeve, nga të cilët 15 mijë të « Lahutës së Malsisë ». Mbas 50
vjetëve fillon një epokë e re kulturës shqiptare, me udhërrefyes
Fishtën, jo vetëm si poet i shquem, por edhe si gjuhëtar e patriot, që
bashkë me Rilindasit e tjerë, ndër ta shumë letrarë e intelektualë, na
dhanë alfabetin e parë të gjuhës shqipe në Kongresin e Manastirit, atë
alfabet me të cilin u shkrue ajo kryevepër e letërsisë sonë « Lahuta e
Malsisë », unike në gjithë historinë e letersisë së Kombit Shqiptar.


Botimi i veprave të plota të Gjergj Fishtës në Prishtinë, ishte një
vlerësim i lartë e i meritueshëm për krijimtarinë e tij dhe u mirëprit
nga bota shqiptare si një hov rilindës e ripërtëritës i kulturës
shqiptare. Botimi i arritun në Kosovë, vlen si një shembull nxitës dhe
inkurajues për të vlerësue figurat e mëdha të kulturës shqiptare, që
për shkaqe ideologjike, shtypje diktatoriale e pushtime të hueja, ishin
nxierrë jashtë repërtorit kulturor kombëtar. Fishta për Kosovën,
shkruejti faqe të pavdekshme të qëndisuna me vargje që buçasin e
jehojnë, që gjimojnë e trondisin, ma tepër se zhurma e tankëve
shtypëse, ma tepër se krisma e armëve vrasëse dhe se ulurimat e
udhëheqësve të Serbisë, që çirren e ulurojnë si ujq të tërbuem mes
pyjeve të shkretueme të epsheve të tyne grabitqare. « Lahuta e Malsisë
» do të kumbojë si një kushtrim i papërmbajtun në gojën e rapsodëve dhe
kangëtarëve popullorë, për të gjallnue heroizmin dhe ato veti të larta
burrnore, që lypsen sot ma shumë se kurrë, për t’i dalë në krye
fitimtarë, luftës dhe përpjekjeve tona për liri e bashkim kombëtar !


Revista Kuq e Zi, krenohet që ka mundësi të paraqesë në faqet e saja
këtë vigan të poezisë shqiptare, dhe e quen historik këtë çast që
përjeton bashkë me gjithë lexuesit dashamirës të asaj letërsie që mbeti
e pastër dhe e pacenueme nga ndikimet e hueja ideologjike, si ato majat
e larta të bjeshkëve tona kreshnike të kunorzueme me borë. Çast me të
cilin na jepet mundësia për të shkrue, lexue e folun bashkarisht për
Poetin e Madh të Kombit Shqiptar, pas një gjysmë shekulli heshtje tepër
të gjatë !

Ja
si shprehet albanologu i njohun austriak Maksimilian Lambert, për «
Lahutën e Malsisë », të cilën e studioi mirë dhe e përktheu
gjermanisht, duke e vlerësue këtë vepër si epope – heroike – historike
të shqiptarve.


«…Lahuta
e Malsisë e Gjergj Fishtës, jo vetëm se ka randësi nga ana artistike,
por edhe se ajo, porsi vena e mirë, sa ma shumë vite që kalojnë aq ma
vlerë merr, duke qenë se ajo asht pasqyra përmbajtëse dhe reflektuese
besnike e jetës, shpirtit, dëshirave dhe përpjekjeve, luftës dhe
vdekjes së Shqiptarve : pra « Lahuta « asht shprehja ma e qartë e
dokëve të malsorëve banorë të Malsisë së Veriut. Ndersa zakonet e
lashta të fiseve malsore janë destinue të zhdukën nga tallazet e forta
të qytetnimit, lexonjësit, letrarët, juristët e historianët e nesërm,
kanë për të ia dijtë për nder pas dhjetra apo qindra vjetëve të
ardhshëm Poetit, i cili me « Lahutën e Malsisë » na la një portret të
Shqiptarit, të përshkruem nga goja e dëshmitarve bashkohorë, ashtu si
këta e gjetën në agimin e shekullit XX, me një ndryshim të vogël, që ai
pati prej lashtësisë Iliro – Thrake ».




Për ZSH: Kadri Mani
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi