Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Fotaq Andrea: Dine Doraci

Shko poshtë

Fotaq Andrea: Dine Doraci Empty Fotaq Andrea: Dine Doraci

Mesazh nga Agim Gashi Sat Jan 02, 2010 2:30 am

Fotaq Andrea

Tregim

DINE DORACI

Ai iku. Iku, si iku. Fill i vetëm fillimisht, rrugëve të fatit. Për t’u heqë zvarrë në një vend të tërë. Me një të vetme fijeshpresë, se krahu cung që kish, do t’i ndihë. Muhedin e quanin. Por të gjithë e thërrisnin shkurt Dine, Dine doraci.
E kish humbë atë të shkretë krah në lule të rinisë, në minierë, ku u detyrua të shkojë, pas tre vjet ushtrie, për të “dhënë shembullin”, siç thanë njerëzit e partisë, por në të vërtetë, për t’u mbajtë frymën gjallë gjashtë robëve të shtëpisë, që prisnin nga dorë e tij. Se paguheshe jo keq në minierë, megjithëqë me kokë në torbë. E ndërsa Dinia la krahun në llavë, ustai i vet i gjorë, gati po aq i ri sa ai, la kokën. Ndodhi atë ditë të zezë kur, pas shpërthimit të dinamitit, ustai vonoi të bëjë armatim të pjesës së llavës prej tri govatash që u takonte atyre, pa e qepur tavanin me garnitura. Të yshtur nga tejkalimi i normës, të dy ortakët sulmuan ballin e qymyrit me matrapik në dorë, dhe nuk ia vunë veshin zhurmave të brendshme të malit. Po mali s’fal, dhe aq desh, për të shembur mbi ta gjithë egërsinë e vet, popla qymyri e argjili bashkë. I mbuloi krejt… Kur u vu në lëvizje brigada, me lopata, duar, lot, dhe arritën të vënë në punë transportierin, e nxorën Dinen e gjorë gjysmë të vdekur, por jo krahun e tij. Ndërsa ustait të vet, që ia qitën një hop kokën në dritë, veç iu dëgjua zëri i mekur, tek lutej sa të këpuste shpirtin: “Shpejt, po vdes, më nxirrni!” Ç’nuk bëri brigada e gjithë! Hiq dhé, hiq qymyr, por po aq sa hiqej nga poshtë, binte nga lart, derisa ia dha llurba llahtarë, që përlau gjithçka. Ikën të tërë nga sytë këmbët, duke braktisur shokun në llavë me oshtimën e zërit të tij veshëve: ”Amanet kalamajtë!” Se kish dy fëmijë i gjori, që i la jetim rrugëve.
Ja, kështu i kish ndodhë Dine doracit, siç e thërrisnin që nga ajo kohë. Punoi ca vite si portier ashensori në Valias, u martua me një çupë të mirë rritur në Shtëpi të Fëmijës dhe punëtore sporteli në minierën e tij, dhe u vendosën në Kamëz, pranë kryeqytetit. Nuk do vononte dhe do bëhej me dy çupka binjake. Dhe arrinte të përballte jetën, me kompensimin që merrte nga Sigurimet Shoqërore.
Mirëpo, erdhi një ditë, dhe miniera u mbyll. Nuk ish me fitim. Dine doraci e pa veten në rrugë të madhe. Me dy çupa të mitura, të pazonja për veten. Atëherë, e bëri be. Do emigronte, dhe ç’nuk do bënte për to, për “zoçkat e babit”, siç i thërriste ai. I kish çupa, dhe fati i çupës dihet, është në derë të botës. Pa do duhej pajë e para, e në kohëra të vështira! Le ta kish krahun cung ai! Ai ish e duhej të ish baba i denjë, bashkëshort i denjë, familjar i denjë!…

E më kështu, iku ditëziu Dine, iku malit për në Greqi, si plot të tjerë, me një trastë pas kurrizit, gati zhele-zhele. Iku, po shputat e këmbëve e dinë ç’hoqën gërxheve e rripave për të kaptuar kufirin: varrit do t’ia tregonin!
I ra fshat më fshat duke kërkuar “dhulja, psomi, nero,” - punë, bukë, ujë -, po punë hiç, veç ndonjë kothere sa për të mbajtë frymën gjallë. Po edhe çoç nisën ta mëshirojnë, kur e shihnin ashtu, me njërën mëngë bosh, futur në xhep të xhaketës së vjetër, me një këmishë të zverdhët nga koha dhe këpucë të vjetra në këmbë. I jepnin ndonjë rrobë, i jepnin ndonjë dhrahmi e ai fluturonte nga gëzimi. Zu madje të tregojë një e dy foton e çupave, që e kishin vënë atë në mes, te shatërvani i Tiranës, plot buzagazje e lumturi gjithë familja. Krenohej e çmallej kur u thoshte të tjerëve: “Edho pedhja, eqi ego!” (Këtu fëmijët, këtu unë). E i ndrisnin a s’i ndrisnin ato sy, dhe harronte ç’ish katandisë! Fitoi kësisoj ca para, lart e poshtë, më tepër nga keqardhja e mëshirimi i njerëzve, se sa nga puna si bari a mbledhës ullinjsh që bëri për ndoca kohë. E më i thanë një ditë se me atë krah cung që kish, ai ish gatitë enkas për Athinë, se atje po, fitohej e bëhej jetë. Dhe s’ia përtoi. Ku me këmbë, ku me mjet, arriti t’i shpëtojë fshesave të policisë greke dhe të gjendej në Pire.
Që ditën e parë, duke u sorollatë e nuhatë qytetin, ra në një korofillak. U tmerrua.
- Ti ine, Allvanos? (Çfarë je, shqiptar ?)
- ?
- Ella more! (Eja!) - e urdhëroi polici dhe i bëri shenjë që tjetri t’i binte pas.
I bindur manar, Dinia i shkretë, kokulur, i frikur e i fikur, ngushëllohej me të vetmin mendim se pas shtatë muajsh në dhe të huaj, aq e pat fati i tij në kurbet, dhe se, më në fund, s’i mbetej tjetër veç të takohej me çupat e gruan. Tekefundit, ca para i kish bërë, po edhe ca lecka tashmë i kish dërguar në shtëpi me një komshiun e vet.
Mirëpo, ja që s’ndodhi aspak kësisoj: në vend t’ua shpinte shefave të tij Dinen, Niko polici i dha atij punë, strehë, ushqim në dyqanin që kish: për pastrim, për rojë e për do punëra të vogla. Dinia sa s’fluturonte nga gëzimi. Kish tashmë siguri, kish punë, kish strehë. Në qendër të Pireut! Kish edhe telefon për t’u lidhë një e dy me familjen. Tek kaloi me sukses ca “provime” ndershmërie (dy monedha ari “braktisur” në një kamare bodrumi, njëzet mijë dhrahmi të lëshuara përdhe në qoshk të dyqanit), Dinia gati-gati u bë athinas, e nga Dine doraci i rrethinave të Tiranës, u bë Konstandin, Kosta vorio-epiroti.
Pas ca kohe, me ndihmën e Niko policit solli grua e çupa në Pire. U rregulluan për bukuri, me shtëpi e katandi. Të dy në punë, burrë e grua, çupat në shkollë. Lum ata, “lëmë o perëndi të rroj”, si i thonë fjalës! Vajzat njëherë qenë krenaria e tyre! Të bukura si kukulla, me mollëzat të trëndafilta, flokët tërë krela, sytë xixëllimë, buzkat të qeshura, hundën majëzngritur, ballin të lartë dhe, mbi të gjitha, të zgjuara, të zgjuara si ato, të shkathëta si ato, e si kurrkush tjetër. Çoç shqetësoheshin e përloteshin herë-herë, kur ngacmoheshin nga shoqet: “Iiii çfarë ke veshur, iiii s’di të flasësh!” Po ç’të bënin? Ulnin kokën dhe mësonin. E ç’të mësuar se! Derrçe! Shumë shpejt përvetësuan gjuhën, sa nuk bënin më dallim nga shoqet. E megjithatë, ngacmimet nuk reshtnin me kollaj për ato shqiptarka fatkeqe! “Iiii ti ke morra, iiii ti ke bab dorac!” e plot nga këto të thëna, fëmijërore vërtet, po që ua shuanin çdo gëzim shqiptarkave, e ua bënin zemrën copë edhe prindërve. Po prapë, atyre edhe më shumë u shtohej vullneti për mësim, aq sa në mbarim të vitit të dytë shkollor, renditeshin nga të parat e klasës. Dhe të shkollës.
Mirëpo, më shumë se to, dhimbjen në zemër e ndjente vetë Dinia, që për të bërë ca para, “për ditë të keqe” siç thosh, detyrohej t’i vishte çupat me rroba të falura, t’i mbante kyçur në një apartament përdhes tërë lagështirë, pa zbavitje, pa shoqëri, kur vetë detyrohej t’i ndihte gruas pasdite për pasdite në pastrim shkallësh nëpër polikatiqi. E ato të shkretat luanin e mësonin me njëra-tjetrën, ishin sa motra, shoqe.
E më kështu, ca nga ca, Dinia ngopej me dhimbje. Po edhe me dëshirën për më shumë para, e për një të ardhme më të mirë. E veç kur një ditë, t’ia ketë krisë e të ketë ikë nga puna, duke lënë gojëhapur Niko policin, të shoqen e tij, dhe krejt klientelën e lagjes:
- Jati thelis na figis, more Kosta ? Dhen suharesun ta lefta pusudhino ? (Përse do të ikësh more Kosta, nuk të pëlqejnë paratë e mia?) - i lutej Nikoja.
- Oqi qirié, ta koricia mu dhen borun na sineqizune to skolio, se aftin tin perioqi (Jo, zotëri, vajzat e mia nuk mund të vazhdojnë shkollën në këtë lagje, i ngacmojnë shoqet).
Edhe iku. Iku andej nga Neo Jonia, një lagje e qetë në Athinë, pranë parkut “Magikos Kozmos”. Aty çupat mund të dëfrenin sa të donin: kish lodra, bar, pemë, kish fëmijë plot që s’do t’u thoshin më “shqiptarka rrjepacuke”. Kish edhe një kopsht zoologjik me tërë ato shpendë e shtazë pylli, xhungle e savane. Tërë kjo sa për pushimet e verës, se më pas ato do fillonin sërish shkollën aty pranë, ngulur mbi libra.
Po në të vërtetë, tjetër gjë kish në kokë Dinia kur iku nga Pireu. Vërtet “hallin e çupave”, siç thosh, që të mos ishin të poshtëruara ! Por ama edhe “avenirin e tyre!” - siç shprehej ai një e dy. Iku pra, për të filluar zanat të ri. I poshtëruar që i poshtëruar qe, por te paktën, të fitonte ca më shumë. Filloi, me një fjalë, thjesht zanat të lypësit! Për pikëllimin e madh të gruas, për pikëllimin edhe më të madh të çupave:
- Aman Dine, të keqen, ku shkon? Dashke të na turpërosh? Të la gjë mendja? – lutej e stërlutej e shoqja, teksa Dinia vishte trupit një bluzë të hollë ngjyrë uthulle të dalë boje, të shqyer para gjoksit, të shqyer edhe te supi i krahut cung.
- Po mos o babi, mos, se do na shajnë shoqet më keq dhe s’vemi dot në shkollë! - i lutej njëra nga vajzat, kurse tjetra kish ngulur syçkat e mëdha te cungu i zakontë i babit.
- Mjaftni moj! Po ju turpërokam unë?! Ne të gjithë të turpëruar e të poshtëruar jemi me kohë. Nuk më ka lënë mendja, jooo! Një herë jepet rasti në këtë dynja. Do fitoj se s’bën, keni për të parë. E kush çan kokën këtu se kush jam unë! Mjaft të fitoj. ”Lefta, lefta!” (Pare, a ka pare!), thotë greku. Kjo ka rëndësi!
Dhe doli, duke lënë mes lotësh e ngashërimesh grua e çupa.
Zuri diku një qoshk kryqëzimi të rrahur nga mizëri mileti, u ul paq sheshit vuri para këmbëve një kanaçe për dhrahmitë monedha, qiti dukshëm cungun nga bluza e shqyer, mori pamjen e atij që i ishin mbytur gjemitë dhe priti. Priti me sy të vagëlluar, si të ish në tjetër dynja. Shumë shpejt tringëllinë në kanaçe monedhat e para dhe shtoheshin, shtoheshin, e zemra i gufonte. Një hop, kur pa që s’po avitej njeri, zbrazi vrik e vrik kanaçen në çantën që kishte në shesh, dhe e vuri në vend. Kësisoj, mbi dhjetë herë. S’kishin kaluar as katër orë dhe donte të dinte fitimin. E mundonte pyetja ngulmuese në kokë: Sa ? I dukej ajo “Sa?” si një goditje vareje, ishte tepër sfilitëse, s’duronte dot kurrsesi.
U ngrit, atëherë, si t’i merreshin mendtë urie, hodhi çantën kurrizit, zvarriti hapat dhe u largua nga vendi i vet, me lojën më të përkryer aktoreske. A s’e kish menduar vallë sa e sa herë se fare mirë mund të qe bërë aktor po të kish vazhduar shkollën për dramaturgji? Po edhe pa shkollë, drejtpërdrejt nga fronti i punës, sidomos nga fronti i vështirë i minierës, me siguri do ish bërë aktor! Sepse kish marrë pjesë disa herë në teatrin amator të minierës. Dhe kish pasur talent. Po pse, s’qe bërë një shoku i tij aktor i njohur, nga radhët e klasës punëtore? “Eh, më ia lumsha atij! Iku dhe ai, çau ferrën, po në Australi ama, aty e mbajti vrapin, thonë. Kurse unë, bredh lypsar rrugëve të Athinës!” Mendonte kësisoj Dine ziu, duke tërhequr hapat zvarrë, për atë kohë të dikurshme, kur i dukej vetja plot dinjitet. Dhe, si bëri ndonja njëqind metra zvarrë-zvarrë, duke i vënë fre padurimit që ia kish ndezur këmbët zjarr, doli në një kthesë, ku në çast shkathtësoi çapin dhe frymën e mbajti fill e në shtëpi.
Atë ditë, për katër orë kishte fituar rokamën e gjithë ditës në dyqan të Nikos. U hodh përpjetë nga gëzimi, doli, bleu sufllaqe, birra dhe luleshtrydhe për gocat, se ato i kishin fort qejf, pale me sheqer! E kështu, teksa Dine allvanosi apo Kosta vorio-epirotasi na kishte festë, grua e goca na kishin zi! S’vunë gjë në gojë e s’thanë një llaf.
Dinia s’e zgjati. Tha se do t’i bënte vizitë një miku, dhe iku. Tek do kthehej natën vonë me metro, nderi dorën e majtë gjithë drithmë e zu të lypë vagon më vagon me zë të mekur e shikim të mjegulluar. I eci. Vetëm me atë udhëtim, fitoi një gjysmë rroge ditore nga të Niko policit. Bëri llogaritë për dymbëdhjetë orë punë në metro dhe i doli shifër goxha e madhe. S’arrinte dot të ngopej me frymë nga gëzimi. Atë natë, pa në ëndërr vetveten djalë të ri në llavë duke rendur mbi transportierin në punë, veçse në drejtim të kundërt me lëvizjen e tij, gjë që e bënte sa herë në minierë për të treguar se kush ish : Dinia që sfidonte të gjithë, mbi të gjitha vetveten!…
Të nesërmen, sërish i njëjti skenar për Dinen lypsar : në mëngjes te kryqëzimi me kanaçen para këmbëve, pasdite në metro me dorën plot kallo të ashpra nderur fytyrave të miletit. Fitimi ish befasues për të, për gruan, për çupat : trefishin e rrogës që i jepte Nikoja. E kështu një javë, e kështu një muaj, e kështu një vit.


* * *

Tanimë Dinia ish përkryer në zanat të lypësit. Në trup mbante përherë bluzën e shqyer ngjyrë uthulle, pantallona xhins të rrjepura e të grisura gjithandej, madje njërën këmbëz të tyre këputur nën gju ; mbathte shapka të ndyta, lidhur vende-vende me tel që s’përtonte t’i hiqte zvarrë; hidhte kurrizit një çantë të vjetër, ku e shoqja i rraste bukë e djathë, pleksur shqiptarçe me gazetë; varte në qafë, lidhur me gjalmë, një magnetofon shkatarraq, të pistë, me turli këngësh greke, ku në njërin qosh të tij mbante kanaçen e profesionit dhe vërvitej kësisoj metrosë i shpërfytyruar, i shprishur flokëve, pa brisk fytyrës, vagon më vagon. Në çdo stacion, tashmë i duhej të rendte, të çante miletin me sup, të mos humbiste trenin, kohën, vendin e punës dhe…me të vënë këmbën në vagonin e ri, perëndohej i tëri, hallëmadhej i tëri, si të ish shfaqur tamam nga një botë e përdheme.
…Po, po, e përdheme… Sa herë i kish qëlluar të kthehej në shtëpi nga miniera pa u larë në dush të shkretë, për mungesë uji e korrenti. Të ishe i nxirë, arap i zi, fytyrë e trup, me qymyr e baltë s’ish asgjë, madje ish lule, përpara asaj fytyre prej meiti, dyll të verdhë që kishin mjaft minatorë të gjorë, të kallur të gjallë nën dhé, në dyqind metra thellësi! E domosdo, kur nuk kishin ngrënë për mëngjes veçse “dy çaja e një racion buke” në mensën e minierës, rituali më i zakontë i minierës së Valiasit para se të fillohej nga puna! Kish nga ata, që hanin a s’hanin një herë në dy javë mish. Madje, a s’e kishin batutën e ditës : “Merre me lëng, se mishi u mbarua?” Dhe kur tjetri ia pasonte: “Më mirë me mish!”, - fjalët e inxhinirit të zonës kur bënte porosinë në mensë? “Eh, ç’palo kohëra!… Eh, Dine ziu!… Zvarru, zvarru Dine, zvarru mavro Kosta. Ec, se ke goca! Hiqu osh, hiqu osh e branë!” Fliste kështu, dhe përkundte kryet i perënduar, ca në realitet, dhe ca në vegime e kujtime.
Dhe hiqej vërtet osh e branë deri në dymbëdhjetë a katërmbëdhjetë orë në ditë, pa u ulur një minutë, pa i zënë “tërë ditën bytha dhé!”, siç shprehej në shtëpi, kur plaste ndonjë sherr.
Fitoi kësisoj brenda vitit aq sa për pesë vjet punë të rregullt të një emigranti të zakontë. Dhe i kish të tëra fitim neto, pa prishur një qindarkë. Sepse familja mbahej vetëm me rrogë të gruas dhe me kursime të mëdha.
Ditët më të mbara të fitimit kishte të shtunat e të dielat paradite, se pasditen do ta rezervonte për të bërë edhe ai vetë pushim. Pa do lahej e do krihej atë pasdite për tërë javën, pa do vishte një kostum të zi të falur e këmishë të bardhë, do vinte edhe një kollare të vjetër, si rrip, pa do t’i hidhte krahun e fuqishëm gruas, do vinte çupat te çapiteshin para tyre dhe oburra përpara, për vizitë nëpër miqtë hallexhinj allvanos. I takonte ky pushim familjar, se i binte bretku nga mëngjesi në darkë, tërë javën.
Dhe s’ish aspak e lehtë ajo punë e tij e lypsarit. Shpesh e plagosnin me fjalët më të ndyra, e fyenin, e shtynin brutalisht, e trajtonin çnjerëzisht. Por punë e madhe! Ai tashmë kishte në vetvete atë fuqi të veçantë që e bënte të përballte gjithçka, fuqinë për një jetë më të mirë, fuqinë për t’i ndihur familjes me çdo mjet. E ardhmja qe përpara, ishte burim drite që i zbardhte udhën, ishin vetë ata dy diejt e tij të vegjël, “zoçkat e babit”, që lypsej patjetër të njihnin fat të lumtur në jetë. Ai mjaft ta përgatiste këtë të ardhme me krahun e vetëm që i kish mbetë. Kjo kish rëndësi për të, asgjë tjetër...
Por, ja që një darkë vonë, iu sulën, tërë të shara e fjalë të ndyta, pesë të rinj grekë në shkallët e stacionit të Neo Jonisë, që e rrahën. Po ç’të rrahur se! E zhdëpën fare : me grushte, shkelma, të shkulura të flokëve, madje edhe me një shufër hekuri kurrizit, barkut, këmbëve, kokës. Gati e vdiqën. E tërhoqën pasandaj zvarrë në krye të shkallëve dhe tek dëgjuan hapa në rrugicat e stacionit, e vërvitën nga kreu i shkallëve poshtë dhe ia mbathën. Dinia ish pa ndjenja, mbuluar në gjak. Kur erdhi në vete, kuptoi se dy vetë s’dinin si t’ia bënin, të lajmëronin më parë policinë apo urgjencën. Ai bëri me shenjë “jo”, belbëzoi “efkaristo” dhe me mund të madh u çua, shpinën përkulur. Bëri dy-tre hapa dhe u plas sërish sheshit. Por gjeti përsëri forca, u çua dhe zvarrë-zvarrë mori rrugën për në shtëpi. Atë rrugë që e bënte zakonisht për pesë minuta, e bëri për një orë të tërë dhe kur e pa e shoqja, klithi:
- Bobo, kallogreja unë si të paskan bërë!
- Mos, se zgjon çupat! - mundi t’i thosh dhe u shemb në dysheme. Tërë natën rënkoi e foli përçart.
Të nesërmen në mëngjes u përmend, u orvat të çohej, por e pamundur. Trupin, kokën i kish plumb të rënda. Dhe dhimbje kudo. E shoqja nëpër trup i kishte vënë copa akulli, mbi ballë pece të njomë me uthull. Gocat, të frikura, rrinin e vështronin me fytyra të buhavitura nga të qarët.
- Eh, more burrë, ku të gjetën ty, mavria unë! Qenë tërbuar fare, se andej nga Peristeri ishin zënë ca djem shqiptarë me grekë e qe therur njëri prej tyre. E pagove ti për ta, e zeza unë! Kishin rrahur edhe në Omonia një grek, që e kishin marrë për shqiptar.
Dinia tundi kokën me zor, si për t’i thënë që e mori vesh.
- Doja njëherë të lajmëroja Nikon të vinte, po thashë me vete se do bëhej problem e do ta pësonim ne. Se aq duan. Ne pa kartëra e pa viza jemi!
Dinia përsëri tundi kokën në shenjë miratimi.
- Po sikur ta lije fare këtë dreq pune! Ja si e pësove! Pse të tregohemi të pangopur! Po edhe turp na vjen, u rritën gocat dhe kështu s’ecet më. Duhet të ikim që këtej! Mjaft t’i thuash Nikos të të gjejë një punë andej nga Pireu. Mirë qemë atje!
I shoqi i bëri një shenjë me dorë si për t’i thënë : “Mjaft më!”

* * *

Dy ditë më pas, Dinia sikur e mori veten. U çua, po këmbët ama, s’e mbanin. Dridhej i tëri. Fytyrën, trupin i kish vula-vula, të mavijosura. Ish buhavitur gjithandej, sidomos nga buzët. Po thyerje, shyqyr, nuk kish pësuar. Dhe doli në punë. Edhe pse iu lutën me aman e me derman gruaja, gocat.
- Mos Dine, të keqen, mos dil! Do të të bjerë të fikët udhës! Pupu ç’më gjeti mua të zezën! – lutej e përgjërohej e gjora grua.
- Po mos, o babi, mos, do të të rrahin prapë! Të ngelemi pa bab ne pastaj! – flisnin çupat.
- Jo, xhan i babit, s’më rreh më njeri! S’kam për të vonuar, ja sa të bëjë një rrugë e do vij! Do t’ju sjell edhe luleshtrydhe, mirë?
- Po shih si je katandisë, o burrë, s’të mbajnë këmbët !
- Aq më mirë, njerëzve do t’ju vijë më keq akoma e do më japin më shumë. Do kompensoj kështu edhe ditët e humbura!- foli Dinia i vendosur dhe, si puthi çupat, mori për nga metroja me hap të zvarrë.
Tanimë në tren s’kish pse luante teatër. Dridhej i tëri, mezi çapitej, mezi belbëzonte dhe koka i lëkundej e gati sa s’i këputej. Një çast, desh ra përdhe, por dikush i ndihu për ta ulur mbi një ndenjëse. Rrinte symbyllur dhe i dukej vetja në një botë tjetër. Tek çeli një hop sytë, për herë të parë, Dinia ndjeu tek të tjerët tjetër mëshirim, tjetër keqardhje, më njerëzore, më shpirtërore, jo më thjesht detyrimin e tyre të përditshëm ndaj fesë, ndaj Shën-Mërisë.
Gjatë gjithë udhëtimit vajtje-ardhje, nuk luajti nga vendi që kish zënë, me sytë përherë të vagëlluara e të perënduara, gati në përgjumje. Herë-herë, çelte nga pakëz sytë dhe hidhte një shikim të turbullt nga dritarja për të parë sa rrugë i kish mbetur. Pyeste veten në do t’i jepte Zoti aq forca sa të kthehej në shtëpi.
Kur po afrohej stacioni i tij, vuri re se kanaçja në krah të magnetofonit, të cilin as që e kish ndezë atë ditë ishte plot, si asnjëherë tjetër, dhe dy kartëmonedha njëmijëshe i qëndronin në pëqi. Sikur u ngroh e mori forcë. Zbriti zvarrë-zvarrë aty ku dy ditë më parë e kishin rrahur paq. E shoqja, fëmija nuk flinin, po e prisnin tërë ankth…

Që nga ajo ditë, Dinia hoqi dorë nga lypsarllëku dhe rifilloi jetën e qetë të dikurshme. Boll më me tamaqarllëk ! - tha. Kish mbledhur tanimë aq para sa për të blerë një apartament dhe për të siguruar të ardhmen e familjes, po mbi të gjitha “avenirin e çupave”, siç thosh. E tanimë, jo për pajë, sikurse ëndërronte dikur, jo për ditë të zezë, po vetëm e vetëm për ditë të bardhë, kur çupat të kishin secila dhomën e tyre dhe të vazhdonin shkollë të lartë. Po, po, shkollë të lartë. Sepse do t’i çonte se s’bën gocat e veta “në universitetet më të mira të Evropit!”, siç thosh. E njerëzia veç kur të thonin : “Vërtet çupa me baba dorac, po me shkollë të lartë ama, që ia zbardhën faqen !” Ja pra, ëndrra e përhershme e Dines, ëndërr aq pranë realitetit, ëndërr-realitet! Të tëra i kish, asgjë s’i mungonte. “Me para, çan dynja”! - thosh -, kjo është kryesorja. Dhe kish të drejtë, shumë të drejtë. Mirëpo, ja që një ditë…

Atë ditë, as vetë ai s’e mori vesh se si u nis për në Tiranë. U takua me baxhanakun, dhe ky, ç’nuk bëri për ta bindur të fuste tërë paret që kish fituar te firmat piramidale, aq shumë të fuqishme në Shqipëri.
- Gjithë mileti, o vlla, jeton vetëm me interesat e larta që japin ato, - i tha baxhanaku - njëzet përqind, tridhjetë përqind! E di çar fitimi asht, sa s’e merr dot me men! Për gjashtë, shtatë muj, e dyfishon gjithë ç’ke! Kam një vit që kam fut vetëm ke një firmë një milon, ene kam fitu gjer tani tre milon e gjys. Po ata që kan fut nga pesë, dhetë milon? Shife çar fitimi asht! Milona, me thasë ! Me thasë, o mik, i kam pa me sytë e mi! Ec me mu ene shifi edhe ti vetë! Kapitalizmi or vlla, bon mrekullina! Ku kemi dit gjo ne! Gjithë politikant kan fut pare, ene vetë të hujt e diplomatët, po deshe! Vijnë nga anë e anës për me fut pare në firma! E ti që je ktu, s’dashke me i fut! Hajde, tutkun, hajde! Koqe fare, koqe kandari!…

Dhe... aq e pat Dinia i shkretë! Një muaj më pas, i humbi të gjitha, gjithë fitimin e Greqisë. Gjithë rropatjen. Te firmat. Te ato firma, që shembën gjithçka nën peshën e tyre...
Dinia desh luajti nga mendtë! Rrinte tanimë ditë të tëra me sytë ngulur tavanit, hante rrallë, pinte rrallë, ia jepte ndonjë ulërime kur kërkonin t’i jepnin zemër. “Mora fund, mora fund!” përsëriste një e dy me vete. Dy javë të tëra mbyllur në dhomë. Pa luajtur krevatit. Pa folur me askënd…
Një mëngjes, veç kur veshi uniformën e lypësit, dhe doli. Filloi sërish zanatin, këtë herë përgjithnjë.
Tashmë ish origjinal, pa shtirje, pa aktorllëk, por vetëm i perënduar. I perënduar njëherë e mirë, kur çdo dritë shprese në sytë e tij qe fikur. Fikur përgjithnjë. Zvarrej, zvarrej gjithandej, me një ulërimë të brendshme, të llahtarshme në vetvete, që ia lëvizte ritmikisht buzët e trasha, me një mendim çekan mbi kokë, duke i oshëtirë pa pushim veshëve :
“ Kam marrë fund, kam marrë fund, kam marrë fund !”


Gusht 1998
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi