Vullnet Mato: ZEMRA E NDRYDHUR
Faqja 1 e 1
Vullnet Mato: ZEMRA E NDRYDHUR
Vullnet Mato
ZEMRA E NDRYDHUR
Fragment.
Mbi një arkë në anë të spondeve, ku kishte qëndruar, Klea ktheu kryet dhe më hodhi një vështrim paksa të çuditshëm. Por sidomos kuptimin e atij harku që formoi vetulla e saj, nuk e gjeta dot, sado që e lodha trurin gjithë rrugës. Ajo shprehje vajzërore enigmatike, bëri që gjatë gjithë udhëtimit sytë e mi të notonin në valëzimet e buta të flokëve të saj që i dallgëzonte era. Gjithsesi shpjegimin e atij gjesti të pakuptimshëm e fashita përbrenda, duke menduar se vajzat kanë gjuhën e tyre të veçantë. Një gjuhë të heshtur, që përbëhet vetëm nga disa shprehje pa zë të mimikës së fytyrës. Me të cilat ato të pushtojnë aq shpejt dhe krejt pa kuptuar.
Unë i njihja vajzat pak, për të mos thënë aspak. Në shkollë kisha qenë i druajtur me to. Madje fyhesha nga kukurisjet e tyre të kota. Duke gjykuar se ato diçka flisnin për mua. Shpjegimi i një natyre të tillë, gjendet ndoshta edhe te ndrydhja ime në atë moshë. Por gjithsesi, ndryshe nga të tjerat, kjo vajzë lëshonte një rrezatim ngacmues të papërsëritshëm, që nuk e kisha njohur kurrë.
Zbritëm nga kamioni një kilometër tej sektorit të Radigozit. Pastaj u nisëm t’i ngjiteshim ahishtës së dendur përpjetë. Para syve të mi pylli po shfaqej si një kopsht parajsor me bukuri të pashoqe. Klea shkelte e shkujdesur dhe me mjaft shkathtësi në të përpjetat e buta. Ndërsa unë përpiqesha të ecja me kujdes dhe në distancë të pranueshme. Si një djalosh që dëshironte të dukej më i pjekur, më i fortë dhe më i mençur. Për t’i bërë përshtypje asaj.
Zgjodhëm një vend të sheshtë ku gratë shtruan batanijet. Fletët e thata, të rëna vit pas viti, kishin krijuar një dyshek të trashë e të butë. Rreth e rrotull ngriheshin drurët e gjatë, që dukeshin sikur përzienin kurorat me retë e qiellit. Dhe ndihej shushurima madhështore e gjetheve të ahut në formë zemre. Freskia që mbretëronte gjithandej në brendësi të ahishtës, shushuritja ëndërrndjellëse dhe kënga e bilbilit, shkriheshin aq ëmbël me njëra-tjetrën, sa të kënaqej shpirti.
Nën hijen e thellë të mespyllit, sytë dhe dhëmbët e Kleas ndrisnin me një vezullim ngacmues. Dhe më dukej sikur prej të gjithë trupit të saj vajzëror çliroheshin valë të padukshme. I nxitur nga rrezatimi trazimtar i pamjes së saj, i dehur nga meloditë e zogjve dhe nga ledhatimet e blerimit të harlisur, m’u krijua një ndjesi intime mjaft e ngrohtë. Ndjeva një dëshirë të papërmbajtur për të folur me të dhe mezi prisja një rast të volitshëm për t’ia hapur zemrën plotësisht. Por çuditërisht, sot në fytyrën e saj lexoheshin emocione paksa të veçanta. Mandej edhe vura re, se në atë mjedis me gra, ajo mundohej t’i shmangej vështrimit tim.
Gruaja bukuroshe e shefit të kuadrit, me flokët dhe këmbët aq interesante, pothuaj ishte zhvlerësuar tashmë në sytë e mi. Ndonëse, kur i bija fizarmonikës, Netka më këqyrte shpesh me ca sy vështrimndezur, mundohesha të mos e kundroja. Shikimi vrastar i syve të saj për këdo, mua më shkaktonte bezdi dhe qëndroja përballë saj krejt shpërfillës. Apo i përgjigjesha pa e vështruar në sy, kur ajo më pyeste për këngët dhe filmat. Figurën e saj aq të lakmuar, që më zgjonte emocion dikur, së fundi e shihja të sfumuar, si një fotografi të turbullt. Tani Klea ishte portret me ngjyra, të tjerat, bardhezi.
Mbi një trung ahu, pak metra më tutje dy ketra ndiqnin njëri-tjetrin dhe gëzofët e tyre ndrisnin nga dielli sikur të ishin pluhurosur me argjend. Një copë herë sytë e të gjithëve ndoqën lojën e shkathtësisë së tyre, derisa ata ikën në largësi duke kërcyer përmes degëve. Aty mes trungjeve të trashë, nën gjethnajën e dendur të pemëve, ku sitej drita e diellit, tingujt e fizarmonikës, të përzier me oratorinë e zogjve pendëkaltër, krijuan një rezonancë të ëmbël. Nga kjo përzierje e fuqishme, dukej sikur një koncert orkestral jehonte deri në pafundësi të pyllit.
Klea ndjente kënaqësi të veçantë nga muzika. Dhe shpesh i shoqëronte këngët me lëvizjen e lehtë të buzëve të trëndafilta. Sido që të shumtën e kohës i mbante sytë të fshehur nën qerpikët e gjatë, ajo interesohej për mua. Këtë e vija re, kur rast pas rasti kthente veshët e vegjël, duke i zbuluar nga flokët e dendur ngjyrë mjalti dhe si të spërkatur me pluhur yjesh. Me qëndrimin e saj tepër të kujdesshëm, me vështrimin e pjerrët e të paqëndrueshëm dhe me lëvizjet e shpeshta të krahëve mbi bar, ajo dukej si një shpend i madh, i çuditshëm. Të cilin muzika e kishte ndalur nga fluturimi papritmas. Më bëhej sikur me të ndërprerë melodinë, do të dëgjoja në çast fërfëllimën e flatrave të saj për diku larg. Ndaj i bija fizarmonikës pa u ndalur dhe ktheja kokën shpesh. Për t’u siguruar nëse ishte aty, apo kishte fluturuar.
- Ore, ti, - theu heshtjen Klea, pa ma përmendur emrin.
- Veno. - e shqiptova qëllimisht.
Ajo uli një grimë kryet për të përcjellë një buzëqeshje të ëmbël dhe vijoi duke marrë një pamje më serioze:
- Atë pjesën “Shalli i bardhë “ e di? - pyeti me një zë këngëzonjës.
- Si jo, moj Klea ! - ia prita i gatshëm, duke lëkundur para syve të saj buzëqeshjen time ngazëllimtare.
- Merre pak po deshe ! - shtoi ajo me ton të prerë.
Unë i rashë asaj melodie dhe Klea mënjanoi kokën mbi sup, sikur mbështeti faqen e saj ovale mbi një shall të bardhë, të butë. Dukej sikur mbi supet e saj të bukur qëndronte i gjithë pylli me gjelbërime përshkënditëse.
Pastaj hundëtuli Ashur Çuri mbushi gotat me verë dhe uroi i pari.
- Hajt, t’i rrojmë njëri-tjetrit!
- U mbledhshim gëzuar! - ia priti Reshiti.
- Gëzuar ! – thanë te tjerët.
Klea u kthye anash. Mbështeti pak buzët te gota me verë të kuqe, ku ishte mbytur një rreze dielli që binte nga degët dhe vështroi nga unë.
- Po pini, moj të uruara, lëng rrushi është ky, nuk ju zë ! – u ndie xha Pandi me ton thirrës.
Gratë qeshën. Sapo Reshiti ktheu gotën, ia mori këngës. Të gjithë mbanin iso. Unë me akordet e fizarmonikës e mbusha plot populloren “Moj sorkadhja leshverdh-o”. Oh, sa i përshtatej Kleas teksti i këtij krijimi të hershëm!... Meditova se kurdoherë kishte pasur vajza si Klea, që ua kishin robëruar shpirtin djemve. Dhe s’kisha faj unë që vuaja për një sorkadhe.
Gjatë gjithë kohës ndjeja ngasje dhe më brente shqetësimi i zgjatur, se si mund të gjeja rastin për të folur vetëm për vetëm me Klean. Më kishte kapluar një dëshirë e papërmbajtur për të komunikuar gojarisht qoftë edhe pak sekonda. Dhe sikur zoti të ma kishte lexuar dëshirën, pas pak erdhi rojtari i pyllit me një çantë meshini në sup. Ai i tha drejtorit, se skela e tretë matanë Kodrës së Ahut ishte shembur nga pesha dhe barra e madhe kishte bllokuar xhadenë.
Reshiti brofi në këmbë. Pas tij edhe xha Pandi me burrat e tjerë. Unë po bëhesha gati.
Por drejtori më ndali:
- Duhet të qëndrojë një burrë këtu, s’mund t’i lëmë gratë vetëm. Rri ti, Veno, dhe hallaviti me muzikë, që të mos mërziten!...
U tha dhe u bë. Një herë urdhri i tij, dy herë dëshira ime. Ata kishin pak që kishin ikur. Gratë filluan nga kuvendimet pa fund dhe unë u ngrita.
- Po shkoj këtu lart, të shoh ku ka rënë skela me trupa ! - u thashë duke shënuar me gisht kodërzën aty pranë.
- Do vij dhe unë ! – vendosi në çast Klea kureshtare.
Zemra ime gufoi nga dëshira e saj e beftë.
Duke ecur përkrahë njëri-tjetrit, në atë intimitet shëtitës të shkurtër, nuk më lanë emocionet e fuqishme për të bërë lojën e rrethanave me ndonjë fjalë të çastit. Më dukej sikur fluturoja bashkë me të në atë furtunë ndjenjash të zhurmshme dhe mbeta gojëkyçur. Më kishte stopuar në vend druajtja ime e adoleshencës. Por ajo e çeli bisedën vetë e para.
- Tek ajo fotografia, që i kishe zmadhuar babait në Hotolisht, na ke vizatuar shumë mirë. - tha me një ton që shprehte vlerësim.
- Të tjerët mirë. Shumë mirë vetëm ty… - i thashë qëllimisht.
- Pse vetëm mua ? - mblodhi supet ajo me një buzëqeshje të lehtë që iu ravijëzua në fytyrë.
- Sepse ty të vizatoj shumë mirë edhe po të jem me sy mbyllur.
- Ua ! - ia bëri Klea, duke harkuar vetullat e duke u shajnitur në atë fytyrën e saj aq të ndjeshme, sa mund ta ndryshonte edhe flladi më i lehtë i shprehjes.
- Po, dhe është mëse e vërtetë. - i thashë me ton bindës. – Fytyra jote më është shfaqur në gjumë aq shumë herë, sa e kam mësuar përmendësh…
Klea u çel ngadalë dhe pastaj qeshi me një gaz lozonjar.
- Mësuesja jonë thoshte shpesh, kush mëson përmendësh, harron shpejt.- shpotiti ajo.
- Ty s’të harroj sa të jetë jeta…
- Lere këtë muhabet se nuk më pëlqen! – ma preu ajo befas, për të ndalur revanin e mëtejshëm të vrapit që kisha marrë.
- Si urdhëron ! Ti je gjenerali, unë jam ushtari yt…
Klea më hodhi drejt në sy një shikim flegmatik dhe e befasuar nga epiteti i papritur u detyrua të qeshë padashur.
Atë çast arritëm mbi kodrën me drurë të rrallë. Që aty dukej mirë pllaja e pjerrët përpara dhe gratë që kishim lënë pas. Pylli zbriste tatëpjetë shpatit, në një largësi të hareshme. Diku larg dëgjohej buçitja e motosharrës, sokëllimat e sëpatave dhe drurët që rrëzoheshin me rrapëllimë.
Klea mbështeti dorën te një trung dhe i humbi sytë e kaltër poshtë luginës së pyllëzuar. Për të shquar diku të atin dhe skelën e rrëzuar. Në anën tjetër të trungut bëra dhe unë siç kishte bërë ajo dhe e mbështeta dorën time mbi të sajën. Atë çast m’u duk sikur kisha zënë një flutur dhe dora më dridhej mos e shtypja. Kur ndjeva, se për pak sekonda ajo nuk e lëvizi dorën e kapur peng, ndjeva njëherësh edhe flladin e gëzimit të më frynte me forcë në të gjithë gjatësinë e trupit.
Por pas pak, Klea e tërhoqi dorën rrëshqanthi. Dhe, me një purpuri të lehtë që i ra në fytyrë, më shigjetoi drejt në sy.
- Ore, ç’bën kështu ti? – mërmëriti me ton qortues të dridhshëm.
- S’besoj se bëra ndonjë gjë kushedi çfarë...
- Kështu bën me të gjitha ?...
- Jo. Vetëm me ty, se je vajzë e mrekullueshme...
- Mesa duket i njeh mirë vajzat ti...
- Nuk kam dhe aq përvojë. Po nuk është vështirë të njihen të mirat. Megjithatë, ti je e para dhe e fundit për mua... - u skuqa dhe unë.
Klea nuk foli. Aty përqark binte erë lule blete. Ajo u përkul këputi një degë, duke mos më kundruar prapë në sy. U ndie rrapëllima e trungjeve që rrëshqisnin nëpër lugun diku larg.
- Eja të kthehemi! - tha ajo rreptë.
- Kaq shpejt ? - nxitova të them i penduar që shkaktova ndërprerjen e bisedës para kohe.
- Bile u vonova mjaft, kështu si po sillesh ti!...
- Të lutem shumë, rri edhe pak!
- Do kisha ikur, po nuk bën të kthehem vetëm. Kupton?
- Të kuptoj, njësoj sikur ti të jesh zemra që më rreh në gjoks...
- Mjaft tani ! - ma preu me zë paksa të zbutur. Pastaj ngriti sytë dhe pa me atë shikimin e saj prej zogu majat e drurëve të lartë që përfundonin në qiell.
Nuk e zgjata. Kishte komandën absolute. Por mes hapësirës së vetmuar të nëndegëve të ahishtës, s’di se si më shkoi mendja. Se pa dëgjuar prapë zërin e saj në këtë pyll, edhe cicërimat e zogjve do të më ngjanin si angullima ujqërish.
U kthyem. Ajo përpara, unë pas si ogiç. Nën këmbë ndihej zhapëllima e gjetheve të thata.
E shoqëruar nga vështrimi i kujdesshëm i grave, Klea u ul pranë tyre dhe mbështolli gjunjët me duar. Ato shkëmbyen vështrime me njëra-tjetrën. E shoqja e drejtorit na hetoi një çast me cepin e syrit, herë njërin, herë tjetrin. Pastaj një nënqeshje dyshimi lëvriu në buzët e saj.
- Ç’patë? - pyeti ajo.
- Asgjë. Pyll, – u gjegj Klea pa e kthyer kokën.
Gruaja bukuroshe e shefit të kuadrit më shpoi me dy-tre vështrime të çuditshme. Me të cilat u mundua të më tërheqë vëmendjen për të më shpërqendruar nga Klea. Dhe befas m’i nguli sytë me një shkëlqim djallëzor plot kërshëri. Sakaq lëpiu të dy buzët dhe atëherë feminiteti provokues në fytyrën vezake të Netkës u bë krejt i dukshëm. Pastaj kryqëzoi duart pas kokës dhe, duke nxjerrë gjoksin e spikatur përpara, lëshoi një ofshamë: “Oh, ç’u mpiva! “ Atë çast bëri një ngritje të fuqishme të kokës dhe u lëshua praptas mbi dyshekun e gjetheve të thata. Ra aq këmbëpërpjetë, sa iu dukën kofshët e zbuluara deri te mbathjet e bardha.
- Ua, ç’mu morën mentë kaq keq! - u justifikua Netka, duke u shkulur së qeshuri, me sytë gjithnjë nga unë. Pastaj duke i shqiptuar fjalët me një ton përkëdhelës shtoi: - Më rëntë pika, më pa edhe ky djalka i kinemasë...
- Moj, po ti lojte fare nga mentë ! Të ra vera në kokë e s’di ç’bën ! - e qortoi gruaja e drejtorit duke kafshuar buzën.
- Ehu, sa ka parë ky në tërë ata filma ! - ia ktheu Netka fare pa druajtje dhe më shkeli syrin djallëzisht.
- Nuk është njësoj si të shohësh në kinema dhe të shohësh ashiqare gruan e tjetrit, po mbylle atë të shkretë gojë se është turp !… - u vrenjt gruaja e Reshitit.
-E, moj, e... Se ky i ka buzët akoma me qumësht... – qeshi Netka.
- I vogël për t’i dhënë doçkat... – shpotiti gruaja e drejtorit. - Pa gjeja, e ta shohësh pas nëntë muajve...
Unë u skuqa dhe zura të fërshëllej një melodi kote. Klea, mospërfillëse dhe njëherësh mjaft e vëmendshme, u bë lulkuq në fytyrë. Pastaj shkundi pas supeve flokët e gjatë dhe ktheu kokën anash, sikur s’e kishte mendjen aty.
Na bëri të heshtim me turp një copë herë. Korçarët kanë një fjalë origjinale, për të cilësuar tipin e kësaj femre: Kuçkë.
Gratë gjuhëgjata, të mëkuara me thashetheme, u ngopën më në fund me fjalë e të qeshura. Ato mbuluan këmbët me triko dhe njëra pas tjetrës ia morën me gjumin e ndjellë nga vera e kuqe.
Teksa unë po digjesha i tëri përbrenda, Klea numëronte fijet e barit në heshtje. Mbi faqet e saj lodronin ca rreze vëngëroshe që binin nga lart. Mbi lule shkonin e vinin bletët me zukamat e tyre gjumëndjellëse. Dhe nëpër trungje nxitonin legjionet pa fund të milingonave të drurit, të organizuara në shtetin e tyre. Pas pak, nga ahu aty pranë, ku midis gjetheve dukeshin dy çerdhe zogjsh familjarë, ra një zog sqepverdhë me krahët gjysmëlakuriq. Ai cicërinte vajtueshëm dhe unë shkova e mora në dorë.
Klea kureshtare erdhi në çast dhe u ul përballë meje, me gjunjët bashkuar fort pas njëri-tjetrit. U përkul mbi zogun aq pranë, sa ndjeva frymëmarrjen e saj të vakët. Dhe të bashkuar në keqardhjen e përbashkët u ndeshëm në mënyrë të pavetëdijshme sy më sy.
- Çudi, babai yt nuk i ka sytë në ngjyrë kaq të bukur ! - mora zemër nga afrimi i saj.
- Pse, për këtë je bërë merak ti ? – tha, pa iu larguar vështrimit tim.
- E kam vrarë mendjen shpesh, se më kujton detin...
- I ka mamaja. - tha ajo dhe rregulloi fustanin te gjunjët.
- Asaj nuk ia kam vënë re.
- Si ka mundësi, ti vë re çdo njeri...
- Vë re atë që më pëlqen shumë...
- Kuptohesh nga sytë edhe pa folur.
- Ah, sa do doja që në këtë botë të më kuptoje vetëm ti!...
Ajo shtrëngoi buzët me trazim të dukshëm.
- Edhe sikur të ishte një tjetër, këto fjalë do thoje ti…
- Nuk ia kam thënë asnjërës deri tani dhe nuk kam për t’ia thënë sa të jem gjallë…
- Mirë, mirë. Mjaft tani ! - tha për të ndërprerë trashjen e bisedës, duke e shoqëruar edhe me një lëvizje koke, që nuk kuptohej ishte pohim a mohim.
- Mjaft është për ty, se për mua ka mbetur mangët e tëra… – i thashë zëulur teksa kërkoja me ngulm një pohim të qartë. Por e mbylla gojën. Komandat e saj ishin supreme.
Pas pak zbatha këpucët. Mora zogun e vura në xhepin e këmishës dhe u ngjita në pemë. Pasi e vendosa në fole, më shkrepi të bëj një lojë majmunësh. Lëshova duart nga dega ku isha varur dhe u hodha një degë më poshtë, duke shkaktuar në pemë një lëkundje të fortë.
Ajo ngriti sytë e tromaksur.
- Mami, moj ! - klithi padashur dhe kafshoi dorën.
Po kur më pa që qesha, i erdhi turp për atë dhembshuri që tregoi padashur.
Unë zbrita shpejt. U zgjata më pranë saj dhe i thashë gati duke mërmëritur:
- Kaq desha të di, që ty të vjen gjynah për mua.
- Gjynah më vjen edhe për atë zogun që vure atje lart, - tha ultas.
- Unë jam më keq se ai. Pa fole!... – i pëshpërita sërish.
Klea më hodhi një shikim disi hetues dhe pata përshtypjen s’ikur m’i lexoi mendimet pasardhëse. Por ajo nënqeshi butë dhe shkoi u ul pranë grave. U ula edhe unë pak më lart. Në atë pozicion dhe duke dëgjuar kuvendin e zogjve na gjetën ata të katër kur u kthyen.
- Na i paske vënë gratë në gjumë, bre Veno! - më thumboi drejtori.
Nuk fola. E shoqja e Reshitit u zgjua. Me një fytyrë tekanjoze të vrenjtur, ajo qëroi zërin dhe ia ktheu me qesëndi:
- Ju sikur të kishit ardhur për të punuar sot!…
- Hapëm rrugën e makinës, moj, përndryshe do shkoje me këmbë deri në sharrë.
Pasditja po rrokullisej dhe nga xhadeja u dëgjua boria e makinës. Shkundëm batanijet dhe zbritëm poshtë. Peizazhet zunë të rrotullohen me shpejtësi. Klea kishte qëndruar në këmbë, mbështetur pas kabinës. Unë pak më prapa dhe i nënshtruar urtësisht në troshitjen e kamionit, nuk e hapa gojën të më dëgjonte xha Pandi.
Afër barakave të Stravajt, Klea pyeti me fytyrën të kthyer në profil:
- Do ketë ndonjë film të mirë këto ditë?
- “Dashuria pa ferexhe” - u gjegja me zë të ulët.
Ajo nënqeshi lehtë, rrudhi hundën dhe ra në mendime.
Gjithë atë natë u rrotullova në shtrat si dashi në hell, nga ca ëndrra të përflakura që ma kishin përndezur trurin. Risolla në kujtesë të gjitha fjalët e këmbyera me atë vajzë në bisedat e asaj dite. Si dhe të gjitha shprehjet që merrte fytyra e saj pas fjalëve të mia. Bëra analizën psikologjike, të njohur sipas disa rregullave të teorisë së vizatimit. Ku përcaktohet se shprehjet plastike në mimikën e fytyrës, zbulojnë gjashtë ndjenjat e njeriut: gëzimin, dëshpërimin, habinë, frikën, qesëndinë, neverinë. Dhe në përfundim kuptova se kisha arritur të depërtoja në thellësinë shpirtërore të saj. Duke krijuar edhe bindjen time të plotë për karakterin që e dallonte. Klea ishte më e veçanta e të gjitha vajzave: Krenare, e mprehtë, ironike, e përmbajtur, e rreptë, tunduese, gjithë kripë, gjithë sheqer, gjithë uthull, gjithë mjaltë. Gatuar me të gjitha ndjesitë dhe shijet e një vajze të mirë. Megjithatë, mendja më thoshte, se isha një ëndërrimtar i magjepsur keqas, pas një krijese krejt të paarritshme.
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi