Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Vullnet Mato: PUTHJA E RRËMBYER

Shko poshtë

Vullnet Mato: PUTHJA E RRËMBYER Empty Vullnet Mato: PUTHJA E RRËMBYER

Mesazh nga Agim Gashi Sun Jan 03, 2010 5:06 pm

Vullnet Mato: PUTHJA E RRËMBYER 12441_1128503463957_1568334934_30278869_7101684_n


Vullnet Mato

PUTHJA E RRËMBYER

(vijon “Zemra e ndrydhur”)
Nga dritarja e kabinës, ku isha duke përgatitur filmin nëpër bobina, pikasa fustanin me trëndafila të Kleas që fërfëlloi në diell.
Zbrita rrëmbyeshëm dhe i rashë ndërtesës së kinemasë përqark, duke shpejtuar anës ujit në drejtim të saj. E vendosur në terren të pjerrët, kinemaja ishte niveluar nga ana e poshtme me shtylla të shumta që e mbanin atë shtrënguar me tokën. Kur e shihje nga ajo anë, ndërtesa dukej si një qenie fantastike shumëkëmbëshe e zbritur për të pirë ujë te jazi i mullirit. Ujërat e jazit, duke u stërpikur nga rrezet e diellit, që u shpëtonin fletëve të arrave gjatë shushurimës, krijonin në orët e mesditës ca reflekse që të merrnin sytë. Prita e bërë prej thuprash shelgu në grykën e mullirit, i bënte ujërat të fashiteshin në qetësi dhe krijonte një pellg të gjerë, të ndritshëm. Pikërisht te ky pellg, nën tendën e gjelbër të pemëve në cep të kinemasë, gratë shpëlanin rrobat pasi i kishin sapunisur në shtëpi.
Ndoshta nga ritmi i çrregullt me të cilin filloi të më punonte zemra, shumë nga fjalët, që kisha përgatitur pas bisedës te pikniku, po i rrëzoja nga mendja, si ato kokrrat e papjekura kur i zë stuhia. Rasti kërkonte të tregohesha i matur dhe të justifikoja vajtjen. Ndryshe kishte rrezik të thyhesha që në fjalën e parë. Sepse duke qenë vetëm, ajo do të më largonte patjetër për të mos rënë në sy.
Ngadalësova hapin dhe me sytë lëshuar nga përroi nisa të fërshëlleja një motiv. Duke u përpjekur asisoj të dukesha sa më i shkujdesur. Gjoja s’e kisha mendjen fare dhe po takohesha me të rastësisht.
- Ou, si dukesh, moj Klea?...
Ajo ngriti kokën qetësisht, duke e shoqëruar me një nënqeshje të lehtë. Sikur ta dinte fare mirë që isha nisur pikërisht për tek ajo.
- Mirë, po ti? - ma ktheu në mënyrë shpotitëse dhe për çudi më vështroi aq ngulmët, saqë shkëlqimi i rrallë i syve të saj të kaltër, më magjepsi dhe më trullosi.
- Unë s’jam mirë hiç. Bile jam shumë keq... – i thashë gati me rënkim.
- Pse, çfarë ke ti? – u habit ajo.
- Kam gjetur belanë me sytë e mi...
- Nuk sheh mirë ?
- Jo, më thonë, duam të shohim vetëm sytë e Kleas. U them, s’ua plotësoj dot dëshirën, se s’kam ku t’i gjej sytë e saj gjithmonë. Më thonë, gjeji ku të duash, se ne nuk rrimë dot pa parë ata sy. U them, po unë s’mund t’i dal Kleas përpara në mes të rrugës e t’i them, prit pak sa të kënaqen sytë e mi. Dhe veç kësaj, sytë e Kleas nuk duan t’i shihni ju. Po sytë e mi më thonë, pse të mos dojë, ne nuk kërkojmë ndonjë gjë të madhe nga sytë e saj, vetëm sa të çmallemi me liqenet e kaltër. U them, liqenet e saj e kanë shumë bezdi që ju të pllaquriteni në ujërat e tyre. Atëherë sytë e mi zemërohen rëndë me mua e me thonë: për inatin tënd ne nuk mbyllemi gjithë natën e nuk të lëmë të flesh asnjëherë. Ja, kështu, moj Klea, sytë e mi nuk po më binden fare, janë bërë arrogant në kulm me mua. Prandaj jam katandisur keq e më keq e më vuan shpirti shumë...
Teksa po më ndiqte gojëhapur dhe me sy të shajnitur, tejet e befasuar nga ato fjalë të tërthorta, ajo ma ktheu me qesëndi duke gazmuar lehtë:
- Je i vetmi për fjalë të bukura, e me sa më ke thënë deri tani, kam kuptuar se unë paskam ardhur këtu vetëm për belanë tënde. Po thuaju atyre syve të tu të harbuar, të durojnë edhe pak sa të afrohet shtatori të shkoj në Korçë, se pastaj do bien rehat. – tha për të më hequr qafe.
M’u duk sikur më nguli në gjoks një shigjetë të helmuar.
- Mos ardhtë kurrë ajo ditë e zezë! Se atëherë ata do qorrohen fare e do mbetem pa sy… - i thashë me ngut.
Së fundi u duk fare qartë, se ajo po kundërshtonte në mënyrë të vendosur t’u përgjigjej ndjenjave të mia, duke ma prerë shumë herë vrullin e fjalëve si me thikë. Dhe në vazhdën e bishtnimeve të përsëritura, m’u duk se tashmë radha e fjalëve kishte mbaruar. Ndaj dhe bëra një hap më pranë saj.
Por nga mënyra e beftë, se si i hapi sytë e ngulur mbi mua, me një vështrim plot dyshim, dukej se ajo parandjeu diçka. Për një çast m’u duk sikur ia dallova frikën që i lexohej në ata sy aq shprehës. Ndaj e humba krejt toruan dhe mbeta i nemitur. Nuk po e kapja dot fillin më tej dhe kapërdiva pështymën me zor. Nga përroi vinte një afsh i freskët, që ma përshkonte gjithë qenien. Muzgu plot nuanca, që krijohej nga filtrimi i asaj drite aq rrëqethëse, sikur ma ftohi krejt trupin.
Kur pa që kisha heshtur ashtu i hutuar, ajo u turbullua në fytyrë. Vështroi një grimë e shqetësuar, pastaj futi duart thellë në ujë dhe nxitoi shpëlarjen. Flokët ia mbuluan krejt fytyrën dhe m’u duk sikur trupi i saj lozonjar ra në një qetësi pritjeje.
Sakaq, aty ndanë gurgullimës së zhurmshme edhe mendja ime filloi të gumëzhinte nga tronditja. Kuptova se heshtja ime po bëhej shqetësuese për të. Ndaj atë moment u mata të ikja siç kisha shkuar. Mirëpo kurrsesi nuk duhej ta humbisja atë rast për t’u ndjerë më pas buzëplasur. Befas vendimi i rizgjuar ma përshkoi trurin tejpërtej. Atë çast të rrahurat e zemrës dhe pulset e gjakut në deje më ndryshuan papritur. Në grimasën e një sekonde, ia mbërtheva kokën fort me të dy duart dhe ia ktheva nga ana ime. Me një shprehje të çuditshme habie në fytyrë, ajo i zgjeroi kornizat e syve të mëdhenj tej masës dhe më vërejti me llahtarë krejt e çmeritur.
- Oh, Klea, o shpirt, po më çmende, moj ! – pëshpërita dhe e putha në buzët e njomështitura me një afsh vërtetë prej të çmenduri.
Ishte një puthje e egër, e përzier me fijet e flokëve mes buzëve.
Si duket Klea qe mjaft e hutuar, sepse nuk bëri as lëvizjen më të vogël kundërshtuese. Po kur e lëshova, vura re në fytyrën e saj të errur, se veprimi im e kishte pezmatuar mjaft rëndë.
Ajo vërejti përqark e trembur dhe kapërdiu një psherëtimë. Pastaj më shigjetoi një grimë në bebëzat e syve, me një vështrim keqardhës të rreptë, duke dihatur rrëmbyer. Buzët i dridheshin si në jerm dhe të kuqtë që i dallohej në faqe i mbuloi fytyrën deri te qafa.
M’u duk sikur e gjithë pamja e saj foli pa zë: ’’Si ma bëre ti këtë poshtërsi” Prisja një pëllëmbë, po s’dihet pse nuk ma dha.
Mblodhi me nxitim teshat e shpëlara, i hodhi mbi të tjerat në kanistër dhe vrapoi vrulltas, si e çliruar prej një ankthi.
Mbeta si i drunjëzuar, me vështrimin të humbur diku në boshësi, krejt si idiot. Ndërkohë mendimet e mia zunë tani të rrokulliseshin nëpër zhurmën buçitëse të mullirit, të cilën pak më parë nuk e kisha ndjerë.
Në sytë e mi ajo ishte aq hyjnore dhe aq e pastër, sa mjaftoi vetëm ai shpërdorim i rastit, të më bënte të mendoja, se me puthjen time të përdhunshme e kisha zhyer. I penduar për pasionin tim të rrëmbyer arsyetova gjatë se si mund të kisha vepruar ndryshe në atë rastësi aq të bukur. U bëra gjykatës i vetvetes në emër të asaj drejtësie që mbron njerëzit e ndershëm dhe quhet ndërgjegje. Por të gjitha gjykimet më nxorën të pafajshëm. Që ta doja marrëzisht dhe të më donte siç kërkoja prej saj, ishte e pamundur ta afroja sorkadhen time për ta zbutur, pa e përkëdhelur. Qoftë edhe një çast të vetëm. Fundja, nuk kishte aspak të drejtë ta krahasonte puthjen time me efektin e një arme të ftohtë, që u frikësua aq shumë. Kur ajo puthje nuk ishte veçse një shprehje e dashurisë së nxehtë. Dhe dola në këtë përfundim të heshtur, vetëm pas vetëgjykimit të gjatë me arsye krejt të pastër.
Mirëpo pas asaj që ndodhi, desha ta shoh edhe një herë patjetër, për të kuptuar reagimin e saj të mëtejshëm. Por dy-tri net Klea nuk erdhi më në kinema.
Gjatë gjithë atyre ditëve përjetova pozicionin statik të një shtylle të ngulur te dritarja e dhomës përballë saj. I luajta në fizarmonikë shumë herë pjesët që i pëlqyen te pylli. Por ajo nuk u shfaq asnjëherë te korniza e dritares së vet, që, për sytë e mi, i ngjante aq shumë atij shtegut të malit ku lindte dielli.
Dhe moslindja e diellit tim, bëri që dita ime të bëhej natë dhe nata ditë pagjumësie.

Vullnet Mato: PUTHJA E RRËMBYER 18665_1149838557321_1568334934_30317293_2000402_n
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Vullnet Mato: PUTHJA E RRËMBYER Empty Vullnet Mato: T’I KËRKOSH ZEUSIT TË BIJËN PËR NUSE...

Mesazh nga Agim Gashi Sun Jan 03, 2010 5:10 pm

Vullnet Mato: PUTHJA E RRËMBYER 12441_1135744604981_1568334934_30292397_345785_n

Vullnet Mato

T’I KËRKOSH ZEUSIT TË BIJËN PËR NUSE...

(vijon “Puthja e rrëmbyer”)

Teksa isha duke lexuar tragjedinë antike të Eskilit “Prometeu i mbërthyer ” që më kishte pëlqyer aq shumë, pashë nga dera e hapur e dhomës, Klean me të ëmën që dolën atë pasdite për vizitë. Ato kapërcyen të heshtura gardhin me listela të kopshtit dhe hynë në shtëpinë përdhese të komshiut. Në mënyrë të pavetëdijshme ktheva vështrimin poshtë dhe pikasa sharrëxhiun gjigant, teksa po ngjitej për në shtëpi, me supe të përkulur përpara.
Më trokoi zemra menjëherë. Në çast e gradova trurin vendosmërisht dhe u nisa drejt dhomës së tij. Nuk e kuptova as vetë, se si i bëra ato pak metra që ndanin banesat tona. Këmbët kishin ecur pa i komanduar koka. Pothuaj, si një robot i shtyrë nga energjia e fuqishme e baterisë që ushqen lëvizjen e tij. Bateria ime me energjinë e dashurisë për vajzën e tij, kishte aq fuqi sa mund të më shpinte pa frikë edhe te tehu gjerë i sëpatës së madhe që mbante kurdoherë me vete. Mirëpo kur u afrova, befas u rrëqetha i stopuar në vend, sikur të kisha shkelur mbi një varr. Po sikur tani që ishte i zemëruar rëndë, ai të bënte vërtetë ndonjë të pabërë aq të tmerrshme? S’më kishte ndodhur ndonjëherë më parë të pësoja një tronditje si ajo që ndjeva, kur pashë se ndodhesha ballë për ballë me derën e tij. Megjithëse largësia nga njerëzit e kishte bërë kolosin e pyjeve të afërt në shoqëri, thoshin se ai kishte një damar të egër, të fshehur, që, po t’i shfaqej ndonjëherë, duhej t’i hapje rrugë se të pinte e zeza. Ndonëse kjo ndodhte rrallë, pikërisht atë rast të rrallë, kur shfaqet me gjithë egërsinë e vet një damar i tillë i mbetur prej kohëve të vjetra, pata fatin e keq ta provoja unë.
Një grimë herë e kundrova derën e tij hijerëndë me një frikë mistike, sikur ajo të ishte vetë porta e Zeusit. Dhe nuk mund të rri pa bërë edhe përngjasimin paksa hiperbolizues. Se m’u duk vetja si i biri i Prometeut të dënuar mizorisht. Përfytyrim ky që më vinte jo vetëm nga përjetimi i subjektit në tragjedinë e sapolexuar. Por edhe sepse gjiganti i pyjeve ishte i lidhur ngushtë me Olimpin e Partisë, nëpërmjet dy vajzave të mëdha të martuara me kuadro të larta ushtarake.
Këmbët e kishin bërë punën e tyre pa pyetur fare ç’pësonte koka... Por pasi u ndërmenda një çast, u mbusha me frymë dhe e konsiderova veten një copë frikacak ordiner, që, prapëseprapë, shkon për të kërkuar nuse. Në mënyrë të pavetëdijshme pyeta veten: A do të pranoja të vritesha, sikur Klea të ishte vërtetë bija hyjnore e Zeusit?... Po, po, pa asnjë hezitim. Vdekja nuk më tremb, kur ashtu si në tragjeditë greke fati e detyron heroin të zgjedhë vdekjen dhe asgjë s’e ndalon dot. E pra, le të vritem e të vdes për dashurinë, si heronjtë e lashtësisë!… Dhe i thashë vetes: Hyre në këtë valle me aq dëshirë, o Veno, hajde bëhu burrë e hiqe tani !
Atëherë me njërën dorë shtrëngova dorezën dhe me tjetrën trokita dy herë. S’prita përgjigje. Hyra brenda trimërisht, por pa frymë.
Zeusi gjigant ishte aty fare vetëm. Ndonëse aq të afërt dikur, gjendeshim tani ballë për ballë, në një situatë dramatikisht të ndryshme. Ai u ngrit përgjysmë nga kanapeja. Shajnitja e tij ishte aq e madhe, sa e bardha e syve iu zmadhua deri në masën e një zgurdullimi të pazakonshëm. Dhe vështrimi i tij i egër më goditi në zemër, sikur të ishte shigjetë indianësh nga ato me tri pupla në bisht, që kisha parë nëpër filma. Pastaj i befasuar nga kjo vizitë krejt e papritur, ai shtangu në atë pozicion, si i mbërthyer me gozhdë kovaçi. Nga stepja e tij aq e rënduar, ndjeva se m’u prenë gjunjët dhe më rrahu fort damari i qafës.
Kaluan kështu disa sekonda memece. Fytyra e tij e rreptë, si e farkëtuar prej metali, ishte ftohur krejtësisht. E vetmja gjë që mund të thuhet për këtë çast, është kjo: kishim mbetur të dy pa gojë.
Megjithatë, vështrimi i egër i tij nuk më sprapsi. Për një çast e përmblodha të gjithë guximin tim dhe iu drejtova, duke i ngrënë fjalët padashur:
- M... fal, erdha të bisedoj pak me ty...
Nuk mund ta marr me mend ç‘farë ndodhi në trurin e tij që nuk më flaku nga dera përjashta.
- Për çfarë? - pyeti ai me ton të rëndë e po me atë pamje të egër.
- Po qe se ke pak durim të më dëgjosh... - i thashë duke m’u dridhur zëri.
- Hë, fol! - thirri me zërin si jehonë dhe drejtoi trupin e stërmadh.
Sa i frikshëm m’u duk në ato çaste! Ndjeva se m’u zu fryma dhe ndërrova pozicion. Nuk di pse e bëra këtë, por padashur u kollita lehtë dhe njoma buzët.
- Nuk mund të flas, kur ti më qëndron kaq ashpër...
- Pse, si do të të rrinë ty? – ma ktheu me armiqësi të dukshme.
- Siç rri shqiptari kur i vijnë njerëz në shtëpi... - pëshpërita.
U duk se ai u ftillua për traditën. Hodhi sytë mbi një karrige aty pranë të bërë me drurin e panjës së bardhë.
- Hë, ulu! - pranoi me një zë grykor të trashë, duke i lëshuar fjalët si ato ashklat gjatë prerjes së trungut.
Ra heshtje. Ai u lëshua në kanape dhe me peshën e rëndë shkaktoi kërcitjen e dërrasave. Unë drejtova vështrimin e thyer.
- Dikur bisedonim bashkë si miq të mirë... - ia nisa me keqardhje.
- E ç’farë do të thuash ti me këtë? - ma preu shkurt.
- Nuk ka pse të krijojmë armiqësi mes nesh... – vijova, duke e ditur mirë reagimin e tij.
- Do, pa i krijon. - u përgjigj me qepallat gjysmë të mbyllura, që i dukeshin si dy plasa të vogla dhe ngjeshi nofullën fort. Kishte dëgjuar fjalët e përhapura se i vardisesha së bijës dhe ishte bërë si i tërbuar.Kontrasti midis lëvizjeve nervoze të duarve të mëdha dhe fytyrës së ftohtë, ishte aq i madh, sa më ngjallte shqetësim padashur.
- Dua të bëhemi miq më të mirë nga ç’ishim, - shtova për t’i dhënë zemër vetes. - Më prano të fejohem me Klean...
Zeusi gjigant u drodh një grimë si për ta kapërdirë mirë frazën time të fundit. Vetullat e kreshpëruara me ca qime të bardha të pabindura që i zgjateshin tej të tjerave, i ranë si gardh i rrëzuar. Sytë iu shkopsitën, sa u duk se i mbetën dy të çara kopsash mbi ballë. Pastaj kërceu vrikthi në këmbë, sikur ta kishte shpuar nënvete një gozhdë.
- Si the, more? – shkrofëtiu në kupë të qiellit me një shpërthim të papritur nervash.
Nga Nofulla e gjerë e rrasur fort, nga grushti i madh i shtrënguar dhe nga vështrimi zhbirues i syve, arrita të dalloja dëshirën e tij për të më shtypur, si të isha një harabel i mardhur nga acari. Sa s’më doli zemra nga kraharori. I hodha një sy vetes dhe u habita tepër, kur pashë se gjendesha gjithashtu në këmbë pa e ditur se si.
- Të lutem, prit pak ta marrim më shtruar, - pëshpërita nëpër dhëmbë, i mbuluar i tëri nga djersë të ftohta dhe u ula i pari.
- Mos fol broçkulla që s’janë për të folur! – gjëmoi ai me ton të lartë.
Lexova zemëratën e egër në shprehjen e fytyrës së tij dhe prapë guxova t’i buzëqeshja një xhindi, duke u përpjekur t’i flisja sa më i shkujdesur që të ishte e mundur.
- Ke qenë vetë i ri dhe më ke treguar se ke vuajtur shumë në atë kohë, pse i bën të tjerët të vuajnë sot?
- Kë bëra? - pyeti ashpër duke turfulluar.
U stepa me mëdyshje një grimë.
- Mua dhe Klean. - kuturisa e thashë gjithë siklet e me një zë të shuar, që m’u duk sikur ato dy fjalë i nxori dikush tjetër nga goja ime dhe unë vetëm sa dëgjova vetveten duke u përgjigjur.
Zeusi u përndez sërish dhe sytë e përskuqur nga zemërimi i shkreptinë.
- Vajzën time mos guxo ta zësh me gojë, se të zura e ta përdrodha zverkun si të pulës! Ajo s’ka punë me ty, dëgjove! - shfryu ashpër me vështrim kërcënues të ndezur, duke i lëshuar fjalët me gulshe të rënda sikur të çante ca dërrasa.
Kuptova se fjalët e mia për të bijën i nguleshin në trupin e stërmadh si gozhdë kovaçi të pamëshirshme. Përveç ndjenjës së tmerrit që shfaqi me fjalë, kjo u duk edhe në bebëzat e zvogëluara të syve të tij, ku dallova bindjen që kishte për atë ç’ka thoshte. Heshta pakëz sa u mbusha me frymë dhe i mblodha të gjitha forcat për të ruajtur një pamje të qetë.
- Dikush do ketë punë ta kërkojë, si të gjitha vajzat…
- Ty nuk të duhet gjë prej gjëje. Ne ia kemi gjetur të sajin...
- Çfarë, Çfarë? - belbëzova me zë të trishtë, duke m’u dridhur zemra.
- Ajo s’ka fare punë me ty, po mbylle të thashë! - ulëriu trashë si i ndërkryer.
Vura re i shqetësuar, se tashmë Zeusi mezi po më duronte. Nofulla e poshtme kishte zënë t’i përpëlitej nga nervozizmi dhe dukej se po tërbohej fare. Aq, sa edhe hija e stërmadhe e tij në mur filloi të dridhej frikshëm, sikur nga çasti në çast do të më mbulonte të tërin.
Isha ende i tronditur e i mbërthyer nga emocione të forta, kur u dëgjua pas derës e qeshura me dredhule e Kleas. Ajo hapi derën dhe hyri brenda krejt e shkujdesur. Njësoj si një rreze e fuqishme dielli, që depërton befas e bie mbi dy stalaktite të mëdha akulli në një shpellë. Tamam siç kishim mbetur atë çast të ngrirë ne burrat e zymtë, në dhomën e ndriçuar nga një llambë elektrike e dobët. Pas saj hyri e ëma, e cila për rastësi të habitshme, kishte emrin e Perëndeshës së Luftës Athina. Por ato mbetën të dyja te pragu një grimë, të stepura nga befasia. Pastaj u shtynë ngadalë për të zënë vend brenda dhomës.
Për pak sekonda zotëroi heshtja. E prishi Zeusi gjëmimtar:
- E more vesh?... - përsëriti edhe një herë duke këqyrur i çakërritur nga e shoqja. - Vajza jonë s’ka punë me ty... Shko gjej ndonjë nga sëra jote !...
Sakaq Klea me të ëmën kishin qëndruar kokulur në cep të dhomës, të dyja fytyrëzbehta dhe të nemitura.
- O Shënmëri, ç’më dëgjuan veshët!... - kërceu rrëmbimthi përmendorja e thinjur e Perëndeshës së Luftës Athina, kur dëgjoi përse kisha shkuar. - More ti, në ke ardhur për të kërkuar vajzën, shko andej nga turqit dhe gjej ndonjë ! Mos e dhëntë perëndia, turk nuk i japim Kleas ne, sikur kaq ta bësh dhëmbin! - ajo zgjati gishtin tregues.
Ndjeva menjëherë një ngashërim në zemër dhe një spazmë e zjarrtë më shtrëngoi fytin. Por atë çast pikasa një kundrim të ëmbël në fytyrën e së bijës që ma mbushi shpirtin me ngazëllim. Atëherë mendova papritmas se s’isha vetëm i përpirë nga dëshpërimi për përbuzjen që po më bëhej, por edhe i përndezur nga kureshtja, se cila mund të ishte fjala e fundit prej vetë gojës së asaj vajze, për të cilën po duroja të gjithë atë poshtërim. Nëse e gjithë kjo që kishte ndodhur aty, ishte veç përpjekja ime e njëanshme dhe Klea do të shfaqej kundra meje, atëherë duhej të rishqyrtoja të gjitha vlerat e saj, tek të cilat kisha besuar deri në ato çaste. Sepse ka një pikë fatale, ku tej saj peshorja fillon të lëshohet nga ana e kundërt. Dhe ajo pikë rrëqethëse për të gjithë ne sapo kishte arritur.
- Mirë, - thashë qetësisht, duke marrë fuqi me një frymëmarrje të thellë. - Megjithëse turq e kaurë s’ka sot, se zoti na ka bërë të gjithëve nga i njëjti brumë, po në qoftë se Klea thotë këtu se më pranon, atëherë ju bini dakord?...
U duk sikur atë çast u paralizua çdo gjë papritur. Për një periudhë që u duk sa përjetësia, pasoi një heshtje e plotë dhe e mistershme, ku dëgjohej edhe miza. Të gjithë sytë tanë kureshtarë u drejtuan vetvetiu nga Klea. Te buzët e saj të kyçura, te zëri i saj i ngrirë, në një pritje të ankthshme tërë nerva.
Ajo u dërrmua përnjëherësh dhe zuri të dridhej sikur të ishte mbi një mjet lëvizës që troshitej nga rruga. Fytyra iu zvogëlua, sytë iu errësuan dhe buza iu zbardh.
E dija thellësisht, se kjo ishte për të prova më e rëndë, gati e tmerrshme, po s’kisha si veproja ndryshe. Mora parasysh, se ajo nga frika edhe mund ta mohonte dashurinë tonë. Ose i ati do ta rrihte keq dhe mua do të më qante shpirti për shumë kohë. Por duhej ta kryeja patjetër urdhrin që më diktonte zemra. Ia mbërtheva e s’ia hiqja sytë, asaj fytyrës së saj magjike, që kishte marrë një shprehje aq të zbehtë vuajtjeje, duke pritur përgjigjen e saj vendimtare, me një makth të paduruar e të paprovuar ndonjëherë.
Teksa kishte pllakosur qetësia e plotë, shigjetat e mprehta të syve të Perëndeshës së Luftës, të tërhequra vrazhdët në harqet e vetullave të thinjura, ishin gatitur të lëshoheshin me flakërimë. Me nerva të tendosura nga pritja dhe ankthi, Zeusi e kishte zgjatur aq shumë qafën muskulore drejt së bijës, sa dukej se do t’i shqyhej nga trupi.
Jashtë u dëgjua fisha e kaldajës së sharrës, si ndonjë hingëllimë pele e zgjatur.
- Ti e ke kuptuar, baba, që ne duhemi... - tha Klea befas tërë dinjitet, duke marrë zemër papritmas, me një zë paksa të nemitur. Por që e grisi tejpërtej atë heshtje të shtangur, sikur të ishte shkreptima tronditëse e një rrufeje tejet të fuqishme, nga ato që tundin edhe muret.
E vështrova si të ishte një fytyrë shenjtoreje dhe shfryva nga gjoksi ajrin e tejngjeshur gjer në dhimbje. Kjo shprehje kulminante, ky pohim i fortë i ndjenjave të palëkundura të Kleas, i hapi tejpërtej dyert e shpirtit tim. Dhe më bëri të ndjehem tepër krenar për dashurinë e saj të sigurt e për guximin madhështor. Në atë mjedis aq të tmerrshëm e në ato rrethana aq të tensionuara, një pohim aq i madh, aq i guximshëm dhe aq i mrekullueshëm, quhej vërtetë i merituar të bëhej vetëm prej buzëve të një vajze aq të re, që e ndjente me shpirt atë që kishte thënë.
Duke e përjetuar shpirtërisht pohimin e saj të madh, më rrahu zemra aq fort, sa desh bëra budallallëkun, t’i shtrëngoja dorën me atë lehtësi, sikur të ishte ndonjë nga shokët e zakonshëm. Por e përmblodha veten shpejt. Ka gëzim, magjepsje dhe mrekullim, unë u mrekullova.
Por nga ana tjetër, nuk mund ta përshkruaj kurrë me saktësi efektin e llahtarshëm që shkaktoi ai pohim aq i madh e i papritur tek të dy prindërit. Fjalët e saj i habitën dhe i irrituan aq shumë ata, sa mamaja e tmerruar dhe e xhindosur përpoqi duart me llahtarë dhe nxitoi ta pyeste të bijën mos ishte çmendur. Kurse i ati, sapo dëgjoi fjalën e fundit, brofi në këmbë i tërbuar nga zemërimi i shfrenuar. Tiparet e tij u dukën tmerrësisht të shfytyruara, të ngrysura dhe të frikshme si prej bishe. Dy damarë të trashë i kishin kërcyer te balli e te tëmthat, aq sa iu dukën rrembat, që iu frynë e i rrihnin, si të ishin ndezur dy fitila dinamiti. Tani ai kishte marrë tamam pamjen e përfytyruar të Zeusit mitologjik të tërbuar nga zemërata. Dukej sikur hyjnia i tmerrshëm kishte zbritur befas nga tempulli i lashtë, që të shpërthente bubullimat e tij në Olimpin e këtij mespylli të kohëve të reja.
- Do të ngordh, moj e zezë, do të marr shpirtin me duart e mia, do të lë pa frymë! – shpërtheu Zeusi rrufenë e përflakur, me sy të zgurdulluar e me një shprehje agresive të paparë ndonjëherë. Dhe duke shfryrë me atë energji gjiganti, krahu i tij i stërmadh u rrotullua me mjaft forcë në ajër për të goditur të bijën.
Por atë çast, dora e tij si panxhë ariu, rrëzoi padashur nga tavolina një nuse të vogël prej porcelani. Kukulla e bukur shkoi duke tingëlluar drejt e te këmbët e Kleas dhe atje u bë tri copash. Në mënyrë krejt të papritur e të pabesuar, ai i largoi në çast sytë e egërsuar nga e bija dhe vështroi atë të pandreqshme të vogël, me një keqardhje të habitshme, sikur ishte gati të vajtonte për të. Më shkoi ndërmend se po të ishte edhe Klea pa gojë si ajo kukull, ai nuk kishte për ta ngritur kurrë dorën kundër saj.
- Mos! - klithi perëndesha Athina një fjalë të vetme. E kapi shpejt për krahu dhe me pushtetin e saj absolut e uli, sikur të ishte një fëmijë që shkon për të thyer lodrat.
- Po e the edhe një herë atë fjalë, unë të bëra gjëmën, e do shkoj t’i them burgut, hapu!... - turfulloi hyjnia i tërbuar me gjakun në kokë dhe me vështrim të flakëruar mbi të bijën.
Duke ndjekur Klean me bisht të syrit, vura re se fytyra e saj ishte bërë tani krejt bojë hiri. Kuptohej se në kraharorin e saj të njomë ziente tani një shakullinë tejet e rëndë. Thellë brenda vetes u ndjeva edhe unë po aq i ligështuar. Por atë grimë kohe kuptova se për mua më e rëndësishme ishte qetësia e shpirtit të saj. Nuk mund të duroja më gjatë t’i shihja ata sy të bukur të rrëzuar në një pamje aq të trishtë. Për një çast e harrova veten, faktin që qëndroja aty i ulur për të kërkuar me durim dorën e saj. Duhej patjetër që në një farë mënyre t’ia lehtësoja gjendjen e tejrënduar.
- Të kam në vend të babait, po s’ke pse nxehesh nga e vërteta!... - ia ktheva me guxim Zeusit zemërgur, duke u munduar ta zbut paksa tonin e zërit.
- Shko, ik, kërko ndonjë... Zenepe ! - gjëmoi ai me një ton të ftohtë përbuzës e zemërthyes dhe ngjeshi nofullën me potere.
Më pushtoi një ndjenjë pakënaqësie aq e hidhur, sa u hodha të dyve një vështrim keqardhës të shpejtë. Pastaj menjëherë e kapa situatën nga një këndvështrim që nuk u shkonte mendja.
- S’kam ardhur nga Turqia, - u shpreha me pezëm. - Po të mos kishte ardhur Turqia këtu, sot mund ta kisha emrin Thanas...
- More djalë, more djalë, hiqu, mor aman, gjej sërën që të takon! Hiqu pa u bërë hataja, në ke besuar perëndinë! - rënkoi plaka Athina me një zë të hollë kumbues, duke u dridhur e tëra e duke zotëruar nervat e të shoqit me goditje ritmike në krahun e tij.
Po mua tani s’më shkonte ndërmend të besoja as djallin, sepse ashtu si pikënisjen, kisha marrë parasysh edhe pikërrëzimit tim. Kur pashë, që ashtu të tronditur siç ishin nga pohimi i bijës së tyre, ata nuk dinin si të më hiqnin qafe duke frenuar njëri-tjetrin, sikur më lindi më tepër besim në vetvete.
- Feja juaj, që po e ngrini aq lart, nuk duhet t’ju bëjë njerëz pa shpirt!...- thashë me gjakftohtësi.
- Jo, or, jo, ne ia bëjmë mishtë copë kësaj çupëline, e ty s’ta japim, - shpërtheu Zeusi i pyjeve me zërin e trashë gati të ngjirur e duke u dridhur i tëri. - S’të ndrit te ne, po shko gjetkë, dëgjove?… Dhe shiko këtu, se po të pashë t’i afrohesh edhe një herë çupës, të zura të çapëlova e të bëra katërqind copa për egërsirat e pyllit, që mos të të gjendet gjëkundi nami e nishani, more vesh, mora thuaj !…
Në çast e përfytyrova veten duke u tretur i shpërndarë në stomakun e egër të ujqërve, derrave e arinjve. Dhe u tmerrova, pa mundur të shpreh rënkimin tim të brendshëm: “U bu, bu, moj nënë, që do më mbeten kockat në këto pyje të largët!”. Shkabat që hanin mëlçinë e Prometeut të lidhur, i sillnin atij një vdekje më fisnike se kjo llahtarë shkalafitëse që kishte përzgjedhur Zeusi i këtushëm për mua…
Pikasa me bishtin e syrit, se pas këtyre fjalëve të prera ashpër për ne të dy, Klea e kishte humbur krejt ekuilibrin shpirtëror. Ajo tani ishte tulatur kokulur në një cep të tryezës, mjaft e pikëlluar dhe e brengosur. Sytë e saj të trishtuar ishin fshehur krejt nën qerpikët e gjatë e të dendur. Zemra m’u tkurr e mezi po e përballoja idenë, se ç’gjëmë torturuese e priste atë pas melodramës së kësaj ngjarjeje të hidhur. Dhe ç’fund i llahtarshëm më priste mua, po të komunikoja më tej me të.
Përpjekja ime me këtë aventurë tragjikomike kishte dështuar plotësisht. Orteku i mendimeve, dëshirave dhe ëndrrave të mia, ishte përplasur në murin e trashë të kundërshtisë së tyre dhe ishte shkërmoqur tërësisht. Tashmë e kisha krejt të qartë se guximi im, për të kërkuar prej tyre të pamundurën, ishte fund e krye një marrëzi e lajthitur. Nga ky këndvështrim, edhe ata kishin të drejtë. Por kjo nuk e përligjte aspak sjelljen e tyre aq të vrazhdët, aq të egër dhe aq fyese, për vetë natyrën e një kërkese të tillë të sinqertë.
Në këtë situatë tejet të vështirë për ne të dy dhe kur tek secili prej prindërve dallohej paniku i shkëputjes së vajzës nga gjiri i tyre, ndjeva se kishte ardhur tamam çasti. Për të shpëtuar jo vetëm pohimin e Kleas nga ndëshkimi i rëndë që e priste, por edhe pasojat e mia të mëvonshme. Atëherë i udhëhequr nga një zë shpëtimtar i brendshëm rizgjodha fjalët me të cilat mund t’i qetësoja.
- Ju lutem, mos u egërsoni kaq shumë, sikur po bëhet kiameti! Unë shfaqa një dëshirë për vajzën tuaj. Pas meje mund të vijnë edhe njëqind të tjerë ta kërkojnë. S’keni pse u hidheni për fyti, as atyre, as vajzës. Se fundja, fajin s’e ka ajo, po vetë ju që e keni bërë aq të mirë... - u orvata për ta mbyllur sa më fisnikërisht dhe vështrova nga Klea, e cila papritmas i zmadhoi në mënyrë të habitshme sytë e saj të kaltër, e të përlotur.
Pashë befas, se nga këto fjalë, në fytyrat prindërve u ravijëzua një vezullim i çuditshëm, një lloj shkëlqimi, që shprehte lehtësim dhe deri - diku shtendosje të situatës. Por në të vërtetë, fjalët që kisha thënë, shprehnin veçse tërheqjen time taktike për të përgatitur ndonjë sulm grabitqar të mëvonshëm. Për të cilin, pas kësaj që sapo kisha bërë, do t’i kisha të gjitha llojet e shfajësimeve në anën time.
Pastaj u ngrita dhe dola si i goditur në tru, pa e kthyer kokën prapa. Dhe qysh në hapat e parë kuptova se atë natë nuk do t’i shqisja lehtë nga mendja sytë e përlotur e të trishtë të Kleas. Shpirtvrerosur dhe me sy të errur nga gjaku i tensionuar, ika marrakëmbësh përmes barishteve të kërleshura, pa mundur të ecja asnjë hap së mbari në rrugën e shkelur. E ndjeja veten aq të kapitur, sa më dukej se nga çasti në çast do të rrëzohesha në mes të rrugës.
I verbuar nga zemërimi, hyra në banesë. Por asnjëherë nuk e kisha ndjerë aq të fuqishme idenë, se dhoma ime ishte kthyer në një varr të ftohtë. Rashë në shtratin tim me rrjetë kërcitëse telash, duke pasur gjithë natën edhe një rrjetë metalike mendimesh kërcitëse në trurin e pagjumë. Afër mëngjesit arrita në përfundimin, se do të kisha dhënë disa vjet nga jeta ime, për të marrë vesh përse ai demon i tmerrshëm guxonte shpërfilljen e ligjeve, për të më kërcënuar në atë farë feje, me zhdukjen tragjike të shndërrimit në ushqim për egërsirat e pyllit...
E brengosur për “tërheqjen” time, Klea më dërgoi letër të nesërmen me një arixheshkë të vogël. Më shkruante se meqë ata s’donin në asnjë mënyrë, edhe ajo u kishte premtuar se nuk po ua prishte qejfin. Por të vërtetën e thoshte në mbyllje të letrës: “ Unë o me ty, o vdes ! “
Tri fjalët e fundit i rilexova tridhjetë herë, sikur po u merrja erë me ëndje tre trëndafilave të kuq në tufëzën e fjalëve të parfumuara të saj.

Vullnet Mato: PUTHJA E RRËMBYER 22665_1150306609022_1568334934_30318314_8267321_n
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Vullnet Mato: PUTHJA E RRËMBYER Empty Vullnet Mato: RRËMBIMI I KLEAS

Mesazh nga Agim Gashi Sun Jan 03, 2010 5:13 pm

Vullnet Mato: PUTHJA E RRËMBYER 12441_1135744604981_1568334934_30292397_345785_n

Vullnet Mato
RRËMBIMI I KLEAS

( vijon “T’i kërkosh Zeusit të bijën për nuse”)

Teksa përkundesha midis kujtimeve pikëlluese të së kaluarës dhe ëndërrimeve të përgjumura të së ardhmes, javën e tretë erdhi letra e Kleas.
“ I dashuri i zemrës sime, Veno. Do jem shumë e lumtur po të ra në dorë kjo letër. Duan të më fejojnë me zor. Ngulin këmbë për një mjek në lagje. Po ti e di mendimin tim. Në ke mundësi të më marrësh, të lutem eja shpejt pa u trashur puna. Ah, ta dish sa më ka marrë malli të të shoh. Pa ty më duket vetja si e vdekur. Të pres me padurim. Jotja, K... Adresa ime është : Lagja 1, Rruga “Teni Konomi” numër 25. Mos eja vetë në shtëpi. Në gjimnazin “Raqi Qirinxhi” kërko shoqen time Violeta Tërova. Ajo më lajmëron.”
Gjoksi më mori flakë menjëherë. U mbusha me frymë hareje dhe ndjeva që ekzistoja sërish. Letra e saj ishte si një rezonancë gëzimi, oshtima e shpresës sime të fundme që vinte së largu. Ishte agimi i flakëruar pas një premtimi të përgjumur në muzg. Pas kaq kohësh kisha përsëri buzëqeshje, sy dhe gojë për të folur me njerëzit. Më dukej sikur filluan të buronin gurra freskuese nga të gjitha anët. U bëra befas me flatra të padukshme, ndonëse gojëkyçur. Por tallazin e brendshëm euforik e zbulonte padashur pamja ime, gazi i shkujdesur që më lodronte nëpër fytyrë. Dhe ecejaket varavingo poshtë e përpjetë barakave kot më kot. Kushdo që më takonte, më pyeste se ç’kisha që gazmoja asisoj. Nuk më mbante vendi, sa të vinte e nesërmja, të shkoja në Elbasan te motra, për të njoftuar lajmin e madh të ardhur nga parajsa.
Nuk kishte asnjë zgjidhje tjetër, përveçse t’i përgjigjesha menjëherë thirrjes engjëllore të asaj vajze të hatashme dhe po aq të mrekullueshme. Nga përvoja jetësore kisha arritur të kuptoj, se në këtë botë nuk janë moshat, trupat apo pasuritë, ato që duhet t’i lidhin njerëzit, po vetëm shpirtrat. Një shpirt i mirë, është një thesar. Unë e kisha gjetur thesarin tim. Tani çdo alternativë ngurrimi ishte eliminuar. Vendimi kishte marrë formën e prerë. Ajo më kishte thirrur me zërin e shpirtit të saj dhe unë do të shkoja, edhe sikur të më ftonte për në varr.
Po atë ditë pasdite u nisa për në Elbasan, për ta shndërruar ëndrrën magjike në nuse. Natyrisht, nëse fati nuk më kishte braktisur përgjithmonë.
Mbrëmja e asaj dite doli më e mbarë nga ç’e prisja. Xheviti shprehu gatishmërinë të vinte me mua në Korçë, për rrëmbimin e Kleas. Do të vinte në përdorim taktikat e tij prej ish ushtaraku, për të siguruar suksesin “si në sulm, ashtu dhe në mbrojtje”. Parashikimet për fitore i kishte mjaft shpresëdhënëse. Fjeta atë natë në çarçafët e artë të ëndrrës më të bukur, të rinisë sime fatzezë.
Të nesërmen në mëngjes u nisëm drejt Korçës me autobusët e linjës. Xheviti më dha kostumin e tij të ri, prej stofi terital me vija. Çuditërisht, më qëndroi fare mirë pas trupit dhe më transformoi menjëherë në dhëndër. Kjo u bë shkas, të duroja me kënaqësi shpotitë e përsëritura, që përdoren zakonisht për të cytur dhëndurët.
Udhëtimi u bë për mua i mërzitshëm edhe nga hamendjet që më kacafyteshin në kokë rast pas rasti. Por rruga me çakëll ishte vërtetë e keqe dhe zgjati gjashtë orë të plota.
Arritëm në qytetin e madh lindor, aty nga ora tre pasdite. Në kohën kur ishte mbyllur gjimnazi, ku mund të takoja shoqen e Kleas. Tejet të vonuar edhe për ndonjë mundësi tjetër komunikimi me vetë Klean. Po të shkoja sipas adresës, për t’u sjellë përqark shtëpisë së Perëndeshës Athina, ishte njësoj sikur ta hidhja shpresën time të artë në bixhoz. Në rrethanat tilla, na u desh të zinim hotel, për të pritur agimin e ditës tjetër. Dhe kjo vonesë e shtoi peshën e padurimit tim të ankthshëm.
Nata e hotelit ishte si nata e burgut. Meraku se mos ndeshesha me ndonjë fytyrë të njohur, prej korçarëve që qarkullonin gjer në Stravaj, më bëri të mbyllem në dhomë për pesëmbëdhjetë orë. Nuk dija mese ta vërtisja kohën dhe merret me mend ç’është vetëburgimi për trurin e terrorizuar.
Krejt ndryshe prej meje, Xheviti tregohej mjaft gjakftohtë dhe në çdo kohë rrekej të më injektonte optimizmin e vet me terma ushtarake.
- Tët motër e mora pa ekzistuar fare fronti i kundërt, kështu që të gjitha energjitë dhe guximin do t’i përdorim tani për fitoren e plotë të betejës tënde. Hajt, se mbarë ka për të na shkuar, - ishin fjalët që më kanë mbetur në mendje prej tij.
Paraditen tjetër, hyra me kujdes në territorin e përcaktuar te letra e Kleas, për të kërkuar gjimnazin “Raqi Qirinxhi”. Dhe duke pyetur e gjeta lehtë. Nxënësit ishin në mësim. M’u desh të prisja rënien e ziles së pushimit. Më pas dërgova një vajzë, që doli rastësisht te porta e hekurt, për të thirrur Violetën e panjohur.
S’vonoi shumë dhe te dalja e oborrit u afrua një nxënëse, brune, e gjatë. Kishte fytyrë gazmore dhe flokë kaçurrela.
- Kush më kërkoi? - pyeti ajo duke qarkuar vështrimin e druajtur rreth meje.
- Unë, - i thashë. - Besoj të ka folur Klea për Venon...
- Po, po! - vajza e panjohur më hetoi nga koka te këmbët krejt e habitur e më dha dorën duke u purpuruar në fytyrë. - Do shkoj ta lajmëroj tani. E ka shtëpinë këtu afër, ja, tek ajo ndërtesa dykatëshe me atë ballkonin me parmakë hekuri.
Nga fjalët e saj m’u ngroh menjëherë i tërë shtati. Dhe i zgjata Violetës një fotografi timen, ku kisha dalë para makinës së Lato Memës, duke i thënë:
- Të lutem jepi dhe këtë foto me mesazhin tim përshëndetës. Unë po largohem. Pasdite kur të kesh dalë nga shkolla, po deshe shoqëroje Klean deri te banka, ku kryqëzohen rrugët.
Ajo më këqyri edhe një herë me atë vështrimin e saj zhbirues. Buzëqeshi, pohoi me kokë dhe u largua me vrap.
Prapa fotografisë kisha shkruar imët: “Tungjatjeta Klea, dhe mirë se të gjeta! Sipas porosisë në letrën tënde, kam njëzetekatër orë që gjendem në Korçë. Është e para dhe e fundit herë. Çdo zgjatje na rrezikon të dyve. Sytë e mi i ka marrë malli shumë të shohin liqenet e tu me ujëra të kaltra.”
U ktheva tek më priste Xheviti, me shpresa të shkruara jo vetëm në fytyrën e çelur tërësisht, po edhe në ecjen kërcimtare. Ai kishte gjetur taksinë dhe bashkë me shoferin kishin vënë në gojë nga një cigare.
Shoferi, një mesoburrë i parruar me kasketë mbi sy, po mundohej të ndizte fijet me një shkrepëse vendi. U shau nënën të gjitha fijeve me radhë. Pastaj një fije u ndez dhe ata filluan të tymosin duke u kthyer drejt meje. I shkela syrin Xhevitit duke gazmuar dhe ai kuptoi gjithçka.
- Ky është kunati, sa të vijë dhe kunata, nisemi! - i tha shoferit.
Pasditja nderej e madhe, e artë dhe me shpresa të ringjallura plot ngazëllim. Por dita po binte, duke më krijuar edhe mua një gjysmëhije ndjenjash. Ajo s’po vinte dhe sekondat po zvarriteshin në mënyrë të padurueshme. Isha duke i bërë sytë katër, me nerva të tendosura nga pritja dhe ankthi. Mosardhja e saj do të ishte për mua më llahtarisëse sesa enigma e shkakut që mund ta pengonte. Kontrolloja me nervozizëm të gjitha qoshet dhe rrugicat, duke pritur nga çasti në çast me merak shfaqjen e saj të vonuar. Në trotuarin para nesh kaluan tri vajza të shkujdesura, simpatike, poteremëdha. Të cilat lanë të kuptohet lirinë femërore të këtij qyteti.
Sakaq Klea me shoqen e saj po përshkonin një rrugë të paparashikuar prej nesh, për të mos rënë në sy. Dhe në çastin, kur Xheviti për të shtyrë kohën bënte ca muhabete kodra pas bregut, duke hequr drejtëza nervoze me një kleçkë në pluhurin e rrugës, ato u shfaqën befas e po buzëqeshnin nga larg.
Si një dritë e fuqishme që zbardh papritmas mëngjesin e plumbtë, ajo po vinte drejt meje me buzagazin e vet përshëndetës. Të gjitha poret e mia kumbuan nga hapi i saj i zjarrtë. Brofa nga prevazi i vitrinës ku isha ulur dhe një valë e nxehtë gjaku më vërshoi nëpër gjymtyrë. Kalimi i vrullshëm nga meraku në gaz dhe hutimi, ishin aq të shpejtë, saqë u pleksën të tre njëherësh dhe ma rrëqethën të gjithë trupin.
- Klea! - thirra dhe në gjoksin tim zemra më tringëlliu, sikur të kishin trokitur njëherësh të gjithë qukapikët e pyllit të Stravajt.
Ajo zgjati dorën e butë në heshtje dhe sytë e saj ujëra-ujëra sikur lëshuan dallgë të ngrohta. Vështrimi saj paksa i druajtur m’u duk si vështrimi qiellor i yllit të Afërditës. Kishte veshur një fustan basme me lule të mëdha, me mëngë zhapone dhe një palë sandale të bardha.
Atë fustan të puthitur aq bukur pas trupit, që e tregonte një goxha vajzë, s’do ta harroj deri në fund të jetës sime, sepse asnjë tjetër nuk e pati hijeshinë e tij. Jo se copën e basmës ia kishte dërguar tezja nga Amerika. Po sepse me atë fustan, Klea u fiksua në sytë e mi ditën e parë, kur erdhi për të bashkuar përgjithmonë jetën e saj me timen.
Një mall e dhembshuri e çuditshme buronte nga sytë e saj të mëdhenj, që nuk m’i ndante asnjë çast. Dhe teksa ishte stepur e përmalluar, ajo përdridhte pa pushim gishtat e shqetësuar, që tregonin se brenda saj po zhvillohej një duel i fshehtë. Nga ai shkak pata përshtypjen, se mos vendimi i saj luhatej ende midis dëshirës dhe pavendosmërisë për të braktisur prindërit.
E vështrova drejt mu në dritë të syrit, teksa dielli mbrëmjesor i derdhte dritë të kuqe mbi qepalla.
- Klea, je e vendosur përfundimisht? - e pyeta me zë të lehtë që të mos dëgjonte taksisti.
- Po, - tha duke më goditur me një shikim të ngulitur në bebëzat e mia.
- Dhe ke menduar se do shkoj ushtar?...
- Po... Do qëndroj aty ku të më lësh ti, Veno, më e lumtur se në shtëpinë e një tjetri që nuk e dua, - shqiptoi përfundimisht me një zë të prajshëm.
- Hip, shpejt! – e nxita i frikësuar se mos e kishte ndjekur dikush nga të shtëpisë dhe ma rrëmbente zogun e artë nga dora.
Vajzat u puthën. Klea zuri vend në sediljen e fundit. Violetës i rrëshqitën lot, ndonëse e dinte mirë përse e kishte shoqëruar deri aty shoqen e ngushtë. Unë e falënderova me mirënjohje dhe u nisëm.
Një copë herë Klea tundte dorën nga xhami i hapur. Derisa Violeta pak nga pak mbeti sa një thërrime në udhëkryqin e largët.
Vetëm atë çast të lumturuar, kur Klea ime e ëmbël zuri vend te supi im, krijova bindjen se më në fund Zoti më kishte mbështetur me dhuratën më të çmuar në jetë. Dhe për herë të parë kuptova, se pas shumë vuajtjeve, me durimin tim të tejskajshëm, kisha merituar të isha një krijesë e përkëdhelur prej Tij. Ndoshta nuk ishte krejt e rastësishme, që dy ditë më parë zogu i fatit u soll përqark pemëve dhe një çast më ndaloi mbi krye. Nga gëzimi, që pas aq shumë përpjekjesh, ne gjendeshim me supet ngjitur te njëri-tjetri, ua ngula sytë supeve të saj të bukur e të drejtë. Dhe atë çast m’u zu fryma befas e m’u morën mentë nga një valë dashurie e çmendur. M’u duk sikur bota nisi të rrotullohej ëmbëlsisht rreth meje dhe unë sikur po bleroja i tëri, duke lëshuar nëpër trup gjethe e bisqe lulesh.
Duke mbajtur brenda vetes atë mori ndjenjash të gëzueshme, që më kishin kapluar e po ma gufonin gjoksin, mendova t’i ndaj bashkë me të.
- Klea, mezi të kam pritur. Kjo ardhja jote është vërtetë një mrekulli e madhe... - i thashë, me zë pëshpëritës, duke ia shtrënguar fort duart e kapërthyera te prehri.
Tiparet e saj u gjallëruan përnjëherë dhe më vështroi pothuajse me përgjërim.
- Mrekullia je ti Veno, që vuajte e durove aq shumë dhe erdhe më more, - ma ktheu edhe ajo nën zë. – Po të mos kishe ardhur, nuk di si do mbetesha gjallë...
- Do të vija domosdo, – u shpreha me bindje. - Sepse ti ishe gjithë drita, gjithë shpresa, gjithë e ardhmja ime...
Herë pas here hidhja sytë nga profili i bukur i saj, me atë qafë të gjatë gushëbardhë, me ato llërë zhapone të plota, që tregonin vërtetësinë reale të ëndrrës sime të plotësuar dhe thosha me vete: O shpirti im i vuajtur, o zemra ime e ndrydhur, o jeta ime e helmuar, ia arrita së fundi edhe këtij gëzimi kaq të madh! Tashmë unë jam mbreti i kësaj bote...
Po binte muzgu. Xheviti pranë shoferit nuk e çeli gojën pothuajse fare. Sapo arritëm në Maliq, taksisti hapi krahun dhe doli të shihte motorin.
Taksia e vjetër, tip “Varshava” e angazhuar për të na çuar deri në Pogradec, ngeci përfundimisht aty mbi asfalt. Në ato çaste të padurueshme, mbetëm para saj, si para një mize të madhe, të ngecur në shiritin ngjitës të letrës mizakapëse. Zgjidhja taktike e Xhevitit, për të zhdukur gjurmët, duke ndërruar mjetin me targë të Korçës në Pogradec, kishte dështuar që në kilometrat e parë.
Sërish ankth dhe zemërdridhje për mua. Por e dija dhe isha i sigurt, se tersllëqet nuk mund të mos më ndodhnin edhe kur gjithçka në shpirtin tim qetësohej prej gëzimit. Ato ishin njësoj si dallgët e papritura që shfaqeshin kohë pas kohe prej erërave rastësore edhe atje larg, mbi sipërfaqen e lëmuar të detit tim jugor.
Megjithatë, u mundova ta bind veten, se taksisti, i regjur në këso punësh, e kishte nuhatur me anën e pasqyrës, që puna jonë ishte rrëmbim i pastër. Dhe kishte të ngjarë u shmang. Për të mos pasur probleme diku më larg, ku mund të ndiqej nga policia e lajmëruar prej familjes së vajzës.
Merak ky, për të cilin Klea e porositi shoqen, të kthehej te shtëpia e saj, afërsisht kur ne të kishim arritur Elbasanin. Dhe atëherë, për të justifikuar veten e për të mos u bërë merak e ëma, t’i thoshte se Klea takoi në bulevard atë djalin e kinemasë dhe iku me dëshirën e saj. Këtë, Violeta e dëgjoi edhe vetë, nga goja e Kleas. Kur i thashë se kisha për të shkuar ushtar dhe m’u përgjigj se do të ishte më e lumtur të më priste ku ta lija unë, se sa në shtëpinë e atij tjetrit që s’e donte.
Por ja, ne kishim ngecur qysh në hapat e parë dhe rreziku shtohej nga çasti në çast. Gjithsesi, paguam taksistin dhe Xheviti doli për të gjetur mjet tjetër.
Unë dhe Klea po prisnim në anë të trotuarit me shqetësimin e përbashkët në fytyrë. Kur ende pa shkëmbyer ndonjë fjalë të rastit, vura re se po vinte drejt nesh fytyra e ngulitur në sytë e mi prej muajsh, në klasën e përbashkët të shkollës së Sarandës. Afesaja... Nuk po më gënjenin sytë, ishte pikërisht ajo. Rritur e zbukuruar si për çudi.
M’u kujtua menjëherë, se kur endesha pa punë rrugëve të qytetit tim, babai i saj oficer ishte transferuar në qarkun e Korçës.
- Ua, ç’bën këtu ti, mo? – shtangu ajo, duke kaluar vështrimin sa te Klea, tek unë dhe na zgjati dorën.
- Ik tani, Afesa, se je bërë kaq e mirë, sa ka rrezik të të rrëmbej edhe ty, të bëhem me dy nuse! – shpotita dhe pashë se Klea qeshi me zë, krejt e sigurt se isha veçse skllavi i saj.
- U mo, Veno, të rëntë pika, kur u bëre kaq shpejt për nuse, se më çudite!
- Është problem pak i ngatërruar, për t’u shpjeguar këtu, tak – fak ! - qesha padashur.
- Mirë, po ku e gjete këtë artiste filmi? - shqeu sytë mbi Klean.
- Në kinema, duke luajtur filma, - i thashë duke luhatur kryet bindshëm.
Erdhi Xheviti duke dihatur. Tha se duhej të niseshim në këmbë, për të dalë sa më shpejt nga Maliqi e të gjenim ndonjë mjet rrugës. Arsyet kuptoheshin, por më mirë i dinte ai që kishte ndërtuar planin taktik.
U ndamë ngrohtësisht me Afesanë dhe u nisëm menjëherë, të ndjekur këmba këmbës nga ankthi i pasigurisë.
Ishte bërë natë. Përshkuam me hapa të shpejtë plepat, që zgjateshin në të dy krahët e rrugës, deri në fshatin e parë matanë Maliqit. Udha e shkretë nxinte dhe heshtja e mistershme që na qerthullonte nga të gjitha anët, po na ngjallte shqetësim. Klea heshtte në mugëtirë dhe trajtat e saj mezi dalloheshin.
Në largësitë fshatare, diku mes xixëllimit të zbehtë, zunë të ndiheshin të lehurat e para të qenve, që fillonin shërbimin instiktiv të rojave të përjetshme. Sakaq projektorët e disa makinave të rralla na goditën pas shpine pa u ndalur, teksa frika e ankthshme e ndjekjes po na ndiqte hap pas hapi. Xheviti ecte pas nesh i kontraktuar nga përgjegjësia e marrë përsipër dhe vrojtonte me kujdes çdo lëvizje rreth e qark.
Tani, që më e thjeshta dhe më e ndërlikuara gjë në botë ishte zgjidhur, dështimi për herë të dytë, pas përpjekjes me Lato Memën në Stravaj, do të ishte një vetëvrasje për ne. Disa herë më shkoi ndërmend se do të ishte më e udhës, që për të mos rënë në sy, ne të dy të ecnim ugareve në largësi. Kishte të ngjarë të ishim më të sigurt, me gjithë vështirësitë e asaj peripecie natën.
Duke mbajtur Klean përdore, më dukej sikur edhe në lëkurën e saj ndjeja drithërimin e këtij meraku.
- Mos ki frikë ? – i dhashë kurajë me zë pëshpëritës te veshi dhe i shtrëngova dorën fort për t’i stimuluar siguri.
- Kam vetëm merak… - murmuriti ajo me një rrëzëllitje të ëmbël sysh. Flokët i derdheshin mbi supe me një shkëlqim të zbehtë.
- Merak për ç’farë?
- Mos më ndjek vëllai... Ma hapën çelësin e derës së dhomës vetëm për të dalë një orë... Shkoi kaq vonë...
Pastaj ajo më shpjegoi, se qëkur ishte kthyer në Korçë, e mbanin të mbyllur rreptësisht me çelës, duke e nxjerrë, si ato konet shtëpiake me zinxhir, vetëm në orën pesë pasdite dhe të shoqëruar vetëm me Violetën. Por ata nuk dinin, se edhe sikur ta mbyllnin me dyzet çelësa, e ta shoqëronin me dyzet roje, vajza i thyen të gjitha me fuqinë magjike të dashurisë. Fuqi e tillë kjo, që i dha Helenës për të rrëzuar Trojën e pathyeshme, atë energji kolosale, që s’e kishte pasur asnjë ushtri e viteve të përgjakta. Simbolin e kësaj fuqie të shumëfishtë, e kisha mësuar nga “Iliada” dhe po e shihja tashmë të konkretizuar te fitorja jonë me “Helenën” korçare që kisha përkrah.
Nuk mund ta vija veten plotësisht në pozicionin e një vajze të re si ajo, që sapo kishte braktisur folenë e parë të jetës, për t’u endur rrugëve të errëta të arratisë. Por duke ndjerë nga afër baticën dhe zbaticën e lehtë të frymëmarrjes së saj të drithëruar, mendova se duhej të ishte tepër kurajoze, për të mposhtur përbrenda atë mister të frikshëm të situatës në të cilën ndodhej.
Befas, atë çast Xheviti pas nesh ndali një kamion “Gaz Molotov”. Dritat e tij të fuqishme na bënë të ndjeheshim krejt lakuriq në mes të rrugës, prej frikës se mos ndoshta ndodhej në të dikush që po na ndiqte. Por dëgjuam Xhevitin që iu lut shoferit qetësisht, gjoja na qe prishur makina në rrugë dhe ishte rimorkiuar për në ofiçinë…
Shoferi pranoi të na merrte dhe shkonte pikërisht në Elbasan. Fati ynë filloi të kthehej për së mbari dhe më në fund gjaku na shkriu nëpër rremba.
Xheviti hipi në të vetmin vend që kishte përpara ky lloj kamioni. Ne u ngjitëm mbi thasët me oriz dhe tani krejt të lehtësuar shpirtërisht u rrasëm prapa kabinës, për t’u mbrojtur nga era. Nata vjeshtore dukej e ngrohtë, po Klea ishte me mëngë zhapone. Nga meraku, hoqa xhaketën time dhe i mbështolla krahët, ndonëse edhe vet isha me një këmishë najloni si letër cigareje. Por trupi im ishte i kalitur nga vuajtjet e shumta dhe për këtë ndjehesha disi krenar. Madje i ngushëlluar edhe nga mendimi i lexuar, se vuajtjet dhe dhimbjet e fisnikërojnë njeriun.
Ishim larguar mjaft nga rrethinat e Maliqit dhe po i afroheshim Çërravës. Kur befas buzë xhadesë, në dritën e fareve të makinës u shfaq si sfinksi, pamja e frikshme e një polici me automatik në sup. Mesa shihej te tabela pas shpinës së tij, aty ishte posta e policisë. Një postbllok fare i paparashikuar ky prej nesh.
“Bo, boooo, thashë vete, kanë lajmëruar nga Korça postën policore!” Befas në qiellin e ndriçuar të trurit tim shkreptiu një rrufe e frikshme: Polici do më kërkojë letërnjoftimin dhe do lajmërojë degën e Pogradecit. Aty do lidhen me Sarandën dhe ata do u thonë: “Futeni brenda, atë rrëmbyes femrash!” U rrëqetha i tëri. Nuk i tregova Kleas për të mos e tronditur. Por vetë u ndjeva mjaft keq dhe u gërmuqa barkas, rrafsh me thasët e orizit. Sakaq po vrisja mendjen të gjeja një justifikim të pranueshëm për ndodhjen tonë sipër atij kamioni. Truri më sajoi një alibi të shpejtë, që mund ta hante polici kur të pyeste për identitetin tonë. Gjoja Klea ishte vajza e motrës sime dhe të atin e kishte në kabinë... Por rrena me bisht, ishte e pa konsultuar më parë me Xhevitin. Dhe ai mund të na hapte problem të madh, nëse nxirrte para meje një rrenë tjetër me dy bishtat sipër kamionit...
Ndërkohë polici bëri me dorë një lëvizje urdhëruese për ndalim. Shoferi hapi krahun dhe frenoi në heshtje. Njeriu blu u afrua te dritarja e kabinës. Përshëndeti dhe i dha shoferit një vegël motoçiklete të mbështjellë me gazetë, për ta lënë te posta e policisë së Pogradecit.
- Do lajmëroj policin e shërbimit të dalë ta presë!- tha ai dhe i verbuar nga dritat e fuqishme të “Molotovit” bëri anash pa ndonjë dëshirë të dukshme për kontroll. Ndoshta kamioni ynë dihej prej tij si mjet ushtrie. Aq më tepër, edhe Xheviti përkrah shoferit, i veshur me uniformën pa grada të oficerit të liruar, mbase i krijoi më tepër besim.
Atëherë motori i zemrës sime filloi t’i zbresë marshet e larta deri në minimo. Ho, ç’budallallëqe lindin në kokë në çaste kritike, psherëtiva thellë dhe u mbështeta pranë Kleas që kishte heshtur plotësisht. Ndoshta edhe ajo ishte në siklet e me zemër të ngrirë, por nuk e bëri veten për t’u shprehur.
Makina çau errësirën e natës me shpejtësi të zhurmshme, duke na krijuar përshtypjen, sikur kishim shpëtuar nga një greminë e thellë. Vetëm pasi lamë porosinë te roja i shërbimit policor në Pogradec, mbështeta kokën e Kleas mbi faqen time dhe mora frymë lirisht. Në errësirë ajo dukej e tëra si një lule e madhe e mjegullt, tunduese dhe misterioze. Frymëmarrja e saj e shpeshtë e vakët dhe e ëmbël ma ngrohu fytyrën dhe ma mbushi gjoksin me gufime.
Ishte data e paharruar, 25 tetor. Dhe nata e freskët ishte plot yje. “Molotovi” vraponte si i shkalluar, kërciste, dridhej e hidhej përpjetë nëpër gropa. Ndërsa ne mbaheshim fort me buzët shtrënguar te njëri-tjetri dhe ndjeheshim sikur të ishim në prehrin e butë të perëndisë. Buzët gurta të Malit të Thatë, të mbështetura te buzët e ngrohta të valëve të liqenit të Pogradecit, nuk mund të ndjenin kurrë atë mrekullim njerëzor të atyre çasteve. Më dukej sikur thithja me ëndjen e një të marri të gjithë nektarin e grumbulluar prej vitesh në hojet e ndaluara për zemrën time dhe s’ndjeja të ngopur.
Duke menduar për dyshekun me thasë orizi, në një nga pauzat mes fraksioneve të frymëmarrjes i thashë Kleas:
- Po ta dinë njerëzit, se mbi kokrrat e pilafit të tyre ka udhëtuar një dashuri kaq e madhe, kushedi sa do t’u shijojë!...
Fytyra e saj rrëzëllitëse gazmoi dhe tha me një zë përkëdhelës, sikur një burim i qetë të kullonte fare pranë veshëve të mi:
- Ku s’të fluturoka ajo mendje, o shpirti im!
Ëmbëlsia e shprehjes së parë intime të lëshuar nga goja e saj, më shkaktoi një dridhmë të këndshme që ma përshkoi të gjithë trupin. Ndjeva se tani edhe fjalët e saj kishin një lloj magjie, që sa vinte e rritej brenda meje dhe më shtrëngonte më fort me të.
- Më fluturon, moj Klea, më fluturon, moj xhan, nga gëzimi që ndjej për të gjitha ato gjëra të bukura që shoh tani në sytë e tu!
- Ç’farë sheh aty, zemra ime ?
- Shoh filmin e jetës sonë, që po na del kaq i bukur, moj e dashura ime e ëmbël ! - i thashë dhe psherëtiva thellë nga një vegim i beftë për të ardhmen e pasigurt. Sepse kushedi me sa seri të dhimbshme do të ishte ky film kilometrik, që sapo kishte filluar.
Duke ndjerë dritën e fshehtë që rrezatohej prej saj mbi të gjithë qenien time, mendimet më anonin gjithnjë nga rreziku imagjinar. Pikërisht, tani që e pamundshmja kishte ndodhur dhe fija misterioze më të cilën Klea mbahej lidhur, u zgjidh përfundimisht, po zhytesha në merak. Ashtu si hajduti i vetëdijshëm, mendoja me frikë, se vërtetë e kisha rrëmbyer atë pasuri të ëndërruar, po vallë, a do ta gëzoja dot deri në fund, përballë urrejtjes dhe egërsisë që më kishin kërcënuar kurdoherë?!
Megjithatë, ajo tani ndodhej rrafsh me gjoksin tim dhe po më vështronte ngultas në sy, sikur kërkonte të depërtonte thellë në qenien time. Kjo ishte për mua gjithçkaje që i mbulonte të tjerat përkohësisht. Madje ishte më e rëndësishme se e tërë bota që vazhdonte të rrotullohej. Kisha kohë që nuk kisha ndjerë një vështrim njerëzor të tillë, të më mbështillte aq ëmbëlsisht, aq ngrohtësisht, si këtë natë përrallore.
Ishim aq afër sa ç’mund të jenë dy binjakë në mitrën e nënës. Fytyrat tona, lëkura jonë, fryma jonë takoheshin dhe përziheshin te buzët e ngjitura me mjaltin e lulëzimit të dy shpirtrave tanë, nën ndriçimin që na vinte nga lëndinat fantastike të hënës. Gjysmëhëna e ndritshme voziste mes rrëkeve të pafundme të yjeve. Dhe dukej në sytë e Kleas, që vezullonin pranë fytyrën sime, si një varkë prej argjendi që lundronte drejt përjetësisë. Qielli me pafundësinë e planetëve të ndritshëm, më bëri të imagjinoj, se ndoshta qysh para një milionë vjetësh ka qenë vendosur, që unë dhe Klea të niseshim nga vise krejt të ndryshme e të takoheshim në pyje të largët, për t’u lidhur përjetësisht. Dhe ndoshta kishte qenë shkruar qysh në fabulën mitologjike të lidhjes sonë, që unë, vetmitari i vuajtur padrejtësisht, i biri i Prometeut, që u kishte rrëmbyer zjarrin perëndive të komunizmit, do të rrëmbeja bijën e kyçur të Zeusit egërshan, për të fluturuar këtë natë në krahët e saj drejt pafundësisë.
Ishte e para herë në jetë që përjetoja triumfin gëzimndjellës mbi të gjitha dhimbjet që më kishte shkaktuar e kaluara. Sakaq me shpirtin kozmik të atyre çasteve, uroja që të gjithë njerëzit e vuajtur nga dashuria të përqafoheshin me njëri-tjetrin, ashtu si ne të dy. Dhe rreth botës të shpërndahej e njëjta dritë mirësie. Përfytyrova globin që sillej rreth aksit të vet. Ndoshta shumë të tjerë si ne kishin gjetur lumturinë e kërkuar, në këtë segment të përbashkët kohe, teksa toka e lashtë rrotullohej midis planetëve dhe yjeve.
Të humbur në atë puthje të gjatë magjike, rruga prej nëntëdhjetë kilometrash, na u duk nëntë metra. U shkëputëm nga buzët e njëri-tjetrit me keqardhje, vetëm kur “Molotovi” ndaloi ta Rrapi i Bezistanit. Mund të kishim udhëtuar ashtu deri në Polin Jugor të globit, duke harruar çdo vuajte të kësaj bote...

Vullnet Mato: PUTHJA E RRËMBYER 22665_1155320094356_1568334934_30329071_3983157_n
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Vullnet Mato: PUTHJA E RRËMBYER Empty Vullnet Mato: Ç’ËSHTË KJO PERRI ?...

Mesazh nga Agim Gashi Wed Jan 06, 2010 6:21 pm

Vullnet Mato: PUTHJA E RRËMBYER 12441_1135744604981_1568334934_30292397_345785_n
Vullnet Mato

Ç’ËSHTË KJO PERRI ?...

(Vijon Rrëmbimi i Kleas)
Fytyra e sime motre dhe gjithçka përreth shtëpisë vezulloi brenda një çasti nën shkëlqimin e përqafimit përshëndetës të Kleas. Motrës, disi të pakët nga trupi, i mbetën sytë te bija shtatlartë e faqekuqe e sharrëxhiut.
- Pu, pu, pu, ç’është kjo zanë kështu!... Ku është rritur kjo perri?... Epo kishte hakë im vëlla që u çmend për ty! – çuçuriste dhe e puthte Klean pareshtur sikur të ishte motra e saj.
Ndonëse kishte shkuar aq vonë, ajo na serviri darkën, që nuk i hahej asnjërit prej vërshimit emocional. Pastaj i shtroi Kleas për të fjetur në shtratin më të mirë të dhomës së pritjes. Kurse mua në divanin e kuzhinës. E mbylli laureshën e pyjeve në kuvli e më dha çelësin.
Sipas motrës Naxhie, nuk ishte mirë të flinim bashkë qysh atë natë, pa bërë një lloj ceremonie. Pranova pa kushte. Dhe u ndamë për faj të gjumit, që e shkëputi nga krahët i mi. Megjithëse edhe ashtu të veçuar, nuk fjetëm asnjëri. Sepse mendimet e secilit depërtonin midis murit ndarës si valë elektromagnetike. Duke përcjellë te njëri–tjetri me merak, vegimet për gjithçka kishte ndodhur e mund të ndodhte në ditët pasardhëse.
Sapo agoi dita e nesërme, shkuam në postë bashkë me Klean dhe i bëmë një telegram mamasë së saj. E bija e siguronte “Perëndeshën e Luftës ” Athina të mos bëhej merak, sepse gjendej fare mirë, në krahët e dashur të shigjetarit të saj nga brigjet Joniane.
Në mbrëmje Naxhia përgatiti një darkë feste. Për të pritur urimet e nevojshme të kësaj martese “urgjente”, ajo kishte ftuar rrethin shoqëror, komshinjtë dhe disa farefis të largët të Xhevitit.
Nusja ime me petka të thjeshta, por me freskinë e moshës rinore, e grabitura ime pa vello e stoli, por me hijeshinë e saj vajzërore, la atë natë përshtypje të jashtëzakonshme te të gjithë të ftuarit, që mbushën dy dhoma. Sytë e tyre soditës mbetën deri vonë mbi pamjen e saj gjithë nur, si vështrimet e vizitorëve mbi portretin e Mona Lizës në galerinë e Luvrit. Këtë gjë unë e vija re pa kurrfarë sikleti. Përkundrazi, me një krenim të ngazëllyer, që ajo më përkiste tërësisht mua, të pashpërblyerit deri atë ditë nga jeta me dhuratat e çmuara për njerëzit. Dhe jeta ma kishte dhuruar, pasi e kisha shkëputur me thonj nga honet e urrejtjes dhe të refuzimit.
Ndoshta mund të tingëllojë si paradoks i moshës rinore, por natën e martesës, shijova i magjepsur gjithçka mund të shijohej nga një lule madhështore me aromë dehëse. Dhe ndonëse nxehtësia që shpërndante trupi i saj vajzëror, ndezi me afsh fërgëllues të gjitha fijet qarkulluese të gjakut në trupin tim, Klea mbeti ende vajzë siç e kisha marrë. Mbeti edhe për disa ditë të tjera vajzë, nga maja e kokës deri te thembra e këmbës. Mospërdhosja e saj, më ishte ngulitur qysh në çastet e para të dashurisë sonë në Stravaj. Dhe s’mund të isha ndryshe, veçse një romantik i rënë keqas në dashuri. Përderisa u martuam para kohe, kishim kohë të bollshme përpara. Dhe tjetra: mendova se i ati mund të arrinte të ma merrte sërish. Të paktën Klea të ishte për të dhe për vete, po ajo vajzë e pastër që erdhi me mua me dëshirën e saj. Ndryshe, ndjenja e hakmarrjes në emër të saj, kishte vdekur prej kohësh brenda emrit tim...
Ditën e dytë paradite, sipas porosisë së Xhevitit, shkuam në Degën e Punëve të Brendshme. Deklaruam para oficerit të rojes, se ishim martuar me dëshirën tonë të lirë. Por pa pëlqimin e prindërve të saj, të cilët kundërshtonin për shkak të ndryshimeve fetare.
Ai mbajti shënimet përkatëse në një fletore procesverbalesh, i bindur thellësisht për ç’ka deklaruam ne të dy. Në fund, ky oficer policie, një peqinas kompetent, si në detyrë ashtu edhe në shprehje, na uroi trashëgim e m’u drejtua mua:
-Mos e çaj kryet për ta. Dhe po të cytën, u thuaj atyre fanatikëve të mutit, mos më çani trapin !
Unë qesha dhe ia ktheva:
-Ashtu s’u themi dot se kanë një sëpatë të madhe ata qe ma ndajnë kokën më dysh...
-Po kena e dhe ne ca hekura, që ua mbërthejmë kryet në mengene. Le ta provojnë po deshën.
-Po e provuan ata, s’ka kush vjen më këtu. - i thashë pak i habitur.
-S’ka problem, shkojmë na ke ata.
- Ju veni, po mua s’më gjeni...
Ai më vështroi ngultas në sy qeshi pakëz dhe tha përfundimisht:
-Na lajmëro po pate kërcënime prej tyne!
Dolëm duke qeshur me njëri-tjetrin.
Lajmthirrjet telefonike bëheshin tri ditë përpara. Dhe të shtunën në mbrëmje Klea foli me të ëmën. Unë i ndiqja në telefonin paralel të sportelistes. Perëndesha e Luftës Athina tundi e shkundi telat e gjatë të linjës dhe i mbylli qortimet e ashpra: ”Ç’bëre, moj urupkë për mishtë tënd?... Korba, korba ti, moj të preftë perëndia ditët, që do bëhesh pishman si derri!”
Klea, krejt gjakftohtë, iu gjegj se kishte merak vetëm për shëndetin e saj, të mos prishte gjakun. Po pishman nuk bëhej kurrë, se ishte e lumtur sa më s’ka. Duke e dëgjuar përmes kufjes, ndjeva se zëri i saj me tingëllim aq të qartë, të prerë e të vendosur, ishte bërë tani për mua, zëri jetëdhënës deri në amshim.
Në fund të bisedës, mamaja i kërkoi të dilte të takoheshin te stacioni i trenit të Elbasanit të shtunën tjetër. Do të kalonte me vajzën e parë për te vajza e dytë në Tiranë.
Ne dolëm te stacionin krejt të qetë dhe pritëm deri sa erdhën autobusët e Korçës. Bashkë me to, ishte edhe burri i motrës së madhe të Kleas me tri motra.
U dhashë dorën dhe u tërhoqa mënjanë, për t’u krijuar mundësi të kuvendonin lirshëm. Por nga larg, ndiqja me kureshtje çdo shprehje në mimikat e fytyrave dhe çdo lëvizje të duarve të tyre të shqetësuara. Debati gjithë ngërçe zgjati rreth tre çerek ore. Pothuaj, derisa erdhi treni dhe u bë gati hapja e portës së hekurt. Pastaj shkova u dhashë dorën sërish dhe i thashë mamasë:
- Mos na mbani mëri, ne jemi fëmijët tuaj dhe do bëhemi miq për gjithë jetën!...
- Me turk, mos e dhëntë perëndia! – ma ktheu Perëndesha e Luftës me urrejtje dhe krejt e zverdhur në fytyrë. Njësoj sikur të isha ndonjë nga robërit trojan, të cilit Athinaja mitologjike po i shfrynte përbuzshëm.
Ndërsa kunati i madh, një oficer në pension, me sy laramanë si të mbushur me vrer të akullt dhe me tre dhëmbë të rralluar në pjesën e përparme të gojës, shfryu duke brambullitur nëpër buzë metafora biografike të urrejtshme:
- Të lumtë ty, i anës së dhive, që arrite të përzihesh me delet!... - lëshoi ai thumbin e vet të helmët prej grerëze të kuqe dhe heshti tërë hundë e buzë.
Ai zë i akullt dhe ata sy të akullt më hynë gjer në palcë. E kundrova edhe unë ftohtë, me sy të akullt.
- Unë jam qengj manar, - i thashë me një nënqeshje qesëndisëse të lehtë. - Megjithatë, vajzën ja ku e keni, po u erdhi, merreni me vete në atë tufën tuaj të deleve!…
Ai u mek. Por shpërtheu e ëma:
- Lipsur qoftë, tani, si u llangos me ju... mbaje, të qoftë ty! Se ne nuk e pranojmë më në shtëpi, edhe sikur të mbetet udhëve e të katandiset për flamë. - shfryu plaka gjithnjë me kokën mënjanë e duke u dridhur.
- Moj, mama, - kërceu Klea me patos të mahnitshëm dhe krejt e tensionuar tashmë. – Ç’janë këto fjalë që thua? Unë isha në shtëpi dhe ika, se e desha me shpirt këtë djalë dhe e dua deri sa të vdes. Edhe sikur të më kthejë zoti prapë në shtëpi, prapë do ikë për të ardhur te ky!...
Ashtu si atë natë në Stravaj, këto fjalë e bënë mamanë Athina të nxihej krejt në fytyrë. Ajo rrëmbeu befas çantën përtokë dhe u nis e para drejt trenit, me hap të rëndë e kokën drejt. Kësisoj, kazanit të madh që avullonte me shkulme, Klea i vuri më në fund edhe kapakun.
Ndjeva si asnjëherë tjetër në jetën time shijen më të madhe të suksesit tim. Dhe e ndjeva veten në kulme ngazëllimi si rrallëherë.
Rrezatimi i asaj lumturie të brendshme, që më kaploi në ato çaste, nuk mund të përshkruhet kurrë me fjalë. Veçse më duhet të shpjegohem, se për herë të dytë u ndjeva aq tepër krenar për dashurinë e palëkundur të Kleas, sa nga lumturia që më kishte përndezur të tërin, e pata vështirë të nxjerr qoftë edhe një britmë gëzimi. Por nuk durova dot më tej dhe e tërhoqa besniken time të shtrenjtë pas barakës së frutave, te cepi i stacionit. Aty e putha me një afsh aq të zjarrtë, sa m’u duk sikur u shkrumbëzova bashkë me të dhe mbetëm të dy pa frymë një copë herë.
Pastaj atë natë, kur së fundi u shtrimë pranë njëri-tjetrit, kujtova të ëmën: “...mbaje, të qoftë ty, se ne nuk e pranojmë më edhe sikur të mbetet udhëve...” Dhe për herë të parë, në momentin kozmik të magnetizimit të nxehtë, dy shpirtrat tanë shkuan te kopshtet me lule të qiellit dhe u takuan ballas me Zotin e madh të të gjitha feve, racave e dasive klasore. Teksa unë lashë mbi çarçafët e reve të Tij zambakun e bardhë të djalërisë sime, Klea la trëndafilin e kuq të vajzërisë së saj. Dhe porositëm kësisoj krijesën e parë të dashurisë njerëzore. Një zogëz të vogël, që të cicëronte te foleza jonë në pyllin e Stravajt. Kush thotë se nuk e ka parë Zotin ndonjëherë, nuk ka dashuruar me të gjithë fuqinë e shpirtit. Unë e pashë në pragun final të asaj nate dhe nuk e harroj kurrë atë pamjen e madhërishme të konvencionit unik të Tij. Dhe nuk kam për ta harruar, deri në çastin kur Ai të më dërgojë thirrjen e fundit, për ta lënë përgjithmonë këtë botë të çuditshme. Këtë planet marrëzie, ku njerëzit me fiksasione të kota urrejnë dhe asgjësojnë njëri-tjetrin. Edhe pse Ai na krijon të gjithëve nga i njëjti brumë, nëpërmjet dashurisë shpirtërore të dy njerëzve.

Vullnet Mato: PUTHJA E RRËMBYER 22665_1157305463989_1568334934_30333323_2078120_n
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Vullnet Mato: PUTHJA E RRËMBYER Empty Re: Vullnet Mato: PUTHJA E RRËMBYER

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi