Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Sabile Keçmezi- Basha: Diferencimet ideopolitike ndaj intelektualëve shqiptarë në Kosovë 1945-1990

Shko poshtë

Sabile Keçmezi- Basha: Diferencimet ideopolitike ndaj intelektualëve shqiptarë në Kosovë 1945-1990 Empty Sabile Keçmezi- Basha: Diferencimet ideopolitike ndaj intelektualëve shqiptarë në Kosovë 1945-1990

Mesazh nga Agim Gashi Wed Jan 06, 2010 2:23 am

Sabile Keçmezi- Basha: Diferencimet ideopolitike ndaj intelektualëve shqiptarë në Kosovë 1945-1990 U1_SabileBasha
DIFERENCIMET IDEOPOLITIKE NDAJ INTELEKTUALVE SHQIPTARË NË KOSOVË 1945-1990
Historia fillon të përsëritet tek shqiptarët edhe pas LDB-së
Nga Prof. dr. Sabile Keçmezi- Basha
Sabile_basha@hotmail.com

Fill pas demonstratave të studentëve të 11 marsit 1981 shtabet politike të Jugosllavisë, që nga instancat më të ulëta e deri në ato më të lartat, që nga krahinat, republikat e deri në Federatë, që nga organizatat bazë e deri në Komitetin Qendror të LKJ- së, u mblodhën dhe diskutuan për ngjarjet në Kosovë. Të gjithë nxitonin se kush më parë të propozojë masat më drakoniane, se kush të parashtrojë planet më shtypëse e më anti-humane ndaj atyre që morën pjesë në demonstrata.
Siç dihej, më 11 dhe më 26 mars 1981 shpërthyen demonstratat e studentëve të Universitetit të Kosovës. Ishte kjo një revoltë e akumuluar ndër breza shekuj me radhë, duke kaluar nga veprimtaria e organizatave dhe e grupeve ilegale, që ishin sakrifikuar, në kërkesa të hapura dhe legale. Studentët e atij brezi u gjakosën, dolën përballë armatës jugosllave vetëm me forcën e shpirtit shqiptar. Rezistenca e tyre u parapriu të gjitha çështjeve të pazgjidhura etnike, për të cilat u njoftua bota në vitet që pasuan. Rinia shqiptare në ish-Jugosllavi zbuloi jo vetëm gjendjen kritike të popullit të vet, por edhe konfliktin që ekzistonte i mbuluar në shkallë universale historike njerëzore dhe kombëtare në Ballkan.
Në mënyrë ciklike studentët dhe populli, në forma të ndryshme, nëpër dekada shprehën e manifestuan pakënaqësinë e tyre. Dhe, mbeti i vetmi popull që më së shumti u ballafaqua me kërkesën legjitime për liri dhe pavarësi, si një çështje e drejtë historike, e krijuar në ciklin kohor të padrejtësive historike. Ata, dy dekada para përfundimit të këtij mileniumi do të kërkonin vetëm atë që u takonte - të drejtën e tyre, kërkonin që kjo pjesë e robëruar të fitonte lirinë e merituar. Kjo kërkesë shteteve të botës do t'u trokasë në ndërgjegje si një vonesë historike. Vetëm pesë ditë pas, më 1 e më 2 prill, me kërkesat e demonstruesve u solidarizua i gjithë populli. Sipas të dhënave zyrtare të shtetit të atëhershëm jugosllav, gjatë këtyre demonstratave pati 9 të vrarë dhe 15 të plagosur, ndërsa forcat e policisë serbe patën 2 të vrarë dhe 17 të plagosur. Në këto demonstrata populli i Kosovës u ngrit si një trup i vetëm dhe zbrazi tërë pezmin, tërë revoltën dhe urrejtjen e vet kundër shtypjes, shfrytëzimit, padrejtësisë dhe represionit të përjetuar gjatë dekadave të robërisë në ish-Jugosllavi. Ato zgjatën gjatë gjithë pranverës së vitit 1981 dhe konsiderohet se ishin demonstratat më të mëdha në Gadishullin Ballkanik dhe në Evropën Lindore pas Luftës së Dytë Botërore.
Demonstratat dhe kërkesat e drejta të studentëve e të popullit shqiptar të Kosovës janë parë dhe interpretuar nga një kënd i gabuar. Ato apriori u trajtuan në mënyrë armiqësore dhe me një brutalitet të jashtëzakonshëm. Parë shkencërisht, ngjarjet vlerësohen, para së gjithash, sipas qëllimeve të tyre, që në mënyrë të përmbledhur shprehen në parullat që dominojnë. Në kërkesat e demonstratave të rinisë në pranverën e vitit '81 dominuan parullat për “Kosovën-Republikë”. Këtë e argumentojnë edhe parullat e tjera siç ishin ”Kosova kosovarëve”, ”Duam Republikë”, ”Republikë kushtetutë, ja me hatër ja me luftë", ”E duam flamurin kombëtar”, ”Duam bashkimin e trojeve shqiptare” e të tjera. Këtyre kërkesave të ligjshme të popullit shqiptar udhëheqja jugosllave iu përgjigj me zjarr e me hekur. Forcat shoviniste serbe ndaj popullsisë shqiptare në Jugosllavi, të cilës kurdoherë i janë bërë padrejtësi dhe janë bërë përpjekje për t’iu hakmarrë në mënyrë të egër qoftë në historinë e largët, qoftë në atë më të afërt, edhe kësaj radhe treguan qëllimin e tyre. Ngjarjet e sipërpërmendura qenë një paralajmërim që shënoi kthesë në historinë e ideologjisë komuniste dhe, në fund, përmbysjen e saj.
Pas ngjarjeve të 11 marsit nuk shkoi gjatë dhe më 2 prill 1981 Beogradi shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë dhe ndaloi qarkullimin e mbi dy vetave së bashku në vende publike. Ndërpreu mësimin në shkollat fillore, në ato të mesme dhe në Universitet. Mbylli konviktet e studentëve dhe të nxënësve në Prishtinë. Masa të njëjta u ndërmorën edhe në komunat e tjera të Kosovës. Megjithëkëtë, më 2 prill 1981 në Prishtinë gjithë ditën vazhduan demonstratat masive të shqiptarëve. Po atë ditë demonstrata u organizuan edhe në Podujevë, në Gjilan, në Vushtrri, në Lypjan, në Gllogovc, në Gjakovë e në qendra të tjera të Kosovës. Ndërkaq, më 3 prill vazhduan në Ferizaj, në Viti, përsëri në Vushtrri dhe në Mitrovicë. Më 30 prill u organizuan demonstrata në Deçan dhe në Istog. Me demonstrata e me protesta u vazhdua përsëri në Prishtinë edhe më 18 maj 1981. Atë ditë mbi 1000 studentë dolën në oborrin e Qendrës së Studentëve dhe protestuan më shumë se një orë e gjysmë. Pas kësaj proteste organet e pushtetit dhjetë ditë para afatit urdhëruan përfundimin e ligjëratave në Universitet. U ndërpre qarkullimi i postës dhe të gjitha lidhjet telefonike. Patrullat e policisë dhe ato ushtarake kontrollonin të gjithë kalimtarët dhe automjetet në trafik. Kështu Kosovën e izoluan nga pjesët e tjera të ish-Jugosllavisë, duke bërë përpjekje që të shkëpusnin çdo lidhje të saj me botën.
Ndonëse opinioni ndërkombëtar këto demonstrata i cilësoi paqësore, ndonëse këto demonstrata kishin karakter demokratik, kombëtar e paqësor, në Kosovë nga çdo republikë jugosllave vërshuan njësi të shumta policësh dhe ushtarakësh. Kundër demonstruesve duarthatë u përdorën bomba me gaz lotsjellës, shkopinj gome e kërbaçë, gazra helmuese kimike, armë zjarri, tanke, helikopterë, autoblinda, aeroplanë luftarakë, bile edhe të tipit “MIG-21”. Në marshin protestues pati të vrarë dhe të plagosur, të arrestuar dhe të arratisur jashtë atdheut, madje vetëm në shtetet perëndimore, atje ku shpresohej në demokraci dhe assesi në shtetet lindore e komuniste. Gati një brez i tërë në forma të ndryshme gjenocidi u flijua në altarin e shenjtë të atdheut - për Kosovën - Republikë.
Megjithëse kërkesat që u shtruan në demonstrata ishin të drejta, të ligjshme dhe nuk dilnin jashtë kornizave të Kushtetutës së RSFJ-së, ato u cilësuan si “kundërrevolucionare”, ndërsa studentët dhe pjesëmarrësit u cilësuan "armiq”, ”kundërrevolucionarë” dhe “irredentistë shqiptarë”. Këto epitete shërbenin si kategori themelore me të cilat përcaktoheshin, karakterizoheshin dhe dënoheshin demonstratat dhe demonstruesit. Këto epitete u përdorën vetëm e vetëm që të legjitimoheshin dhe të justifikoheshin masat dhe mjetet e dhunës që i zbatonte pushteti në këto ngjarje. Ndaj “armiqve të popullit” okupuesi përdori masat më drastike: i rrahu, i keqtrajtoi, i torturoi, i arrestoi dhe i dënoi me burgim të rëndë deri në 15 vjet, ndërsa ndaj familjeve të tyre u aplikuan edhe masa izolimi etj.
Sfida shqiptare do të habisë jo vetëm bashkësinë jugosllave, por gjithë Evropën. Ngjarjet e zhvilluara në Kosovë shtypi gjerman, ai francez dhe pothuajse e tërë bota demokratike e Perëndimit i trajtuan me një ndjenjë admirimi. Më 1981 (në qershor) një gazetë franceze për numrin e të dënuarve do të shkruajë: ”Rreth 1.700 persona janë burgosur gjatë trazirave dhe 154 pritet të gjykohen”.Gazeta frënge “Liberasion”, ndër të tjera, do të shkruajë: “Më shumë se 800 veta janë shpallur fajtorë, nga të cilët 400 kanë marrë dënime deri në 15 vjet burgim dhe 1.300 të tjerë kanë marrë dënime që janë kompetencë e policisë, pra më pak se një vit”.
Statistika e të dënuarve në Kosovë asnjëherë nuk ishte e saktë. Ajo ndërronte nga momenti në moment, dënoheshin studentët që ishin pjesëmarrës të demonstratave, profesorët e tyre, ngase kishin përkrahur kërkesën “Kosova-Republikë”. Dënoheshin qytetarët e zakonshëm pse u kishin dhënë ndihmë studentëve dhe pse i kishin strehuar ata. Dënoheshin nënat pse mbronin bijtë dhe bijat e veta dhe, në fund, dënoheshin edhe fëmijët. Dënoheshin edhe ushtarët shqiptarë kudo që ndodheshin, duke u montuar procese të ndryshme politike. Andaj, vështirë ishte të dihej numri i saktë i të burgosurve dhe i të dënuarve shqiptarë.
Në vazhdën e dënimeve dhe të përndjekjeve nuk u kursyen as fshatrat e viseve më të thella të Kosovës, e as fshatarët e pafajshëm. Dihet rasti i vëllezërve Tahir e Nebih Meha nga Prekazi i Drenicës. Shqiptarët për këto ngjarje ndiqen edhe jashtë kufirit. Rasti më makabër ishte likuidimi i martirëve Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla, Enver Hadri etj. Vrasjet dhe mizoritë ndaj shqiptarëve nuk kishin të ndalur, ato vazhduan deri në vitet e fundit të shekullit XX. Më 11 janar 1984, po ashtu, vriten dy të rinj shqiptarë: Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha. Këta nuk ishin të vetmit. Aktet rrëqethëse të vrasjeve vazhdojnë në rrugë, në shtëpi, në shkolla, në ushtri e në vende të tjera publike.
I “frymëzuar” nga këto ngjarje, më 17 nëntor 1981 në Beograd mban mbledhje KQ i LKJ-së në të cilën lidhur me situatën e krijuar në Kosovë miratohet e ashtuquajtura “Platformë politike e LKJ-së për çështjen e Kosovës”. Titulli i kësaj platforme me përmbajtjen që kishte zbulonte tërë demagogjinë e politikës së udhëheqjes jugosllave në Kosovë. I tërë ai presion që ushtrohet mbi popullin e Kosovës shemb atë mur të ëndrrës mashtruese tani të lakuriqësuar në vetëdijen e komunistëve të konvertuar në jugosllavë se shqiptarët mund të jetojnë në “vëllazërim e bashkim” me sllavët. Në ketë Platformë të Kryesisë së LKJ-së demonstratat e rinisë studentore u quajtën me termat më të urryer si ”demonstrata kundërrevolucionare”, “kundërrevolucion”, “ngjarje kundërrevolucionare” etj. Të gjitha tezat e asaj platforme ishin të paligjshme, johumane dhe plotësisht antishqiptare. Dhe, të gjitha këto atribute shumë intelektualëve serbë dhe shtypit të tyre pastaj u dhanë lirinë që këto ngjarje t'i cilësonin edhe si kryengritje, agresion, agresion fashist e ballist, e çka jo tjetër. Mirëpo, intelektualët dhe masat e gjera shqiptare tezat e këtilla nuk i përkrahën.
Si ngjarje që ndodhën në zemër të Ballkanit dhe në Evropë, ku takohen politikat, ideologjitë, kulturat dhe interesat e ndryshme, demonstratat shqiptare të vitit 1981 patën jehonë dhe rrezatim të madh politik ndërkombëtar. Edhe shtypi i huaj i kushtoi vëmendje të posaçme pranverës kosovare. Po e përmendim revistën suedeze “Tempus”, e cila, veç tjerash, shkruante: ”Njerëz të pafajshëm qëllohen me armë. Më shumë se 300 veta janë goditur, edhe fëmijë të vegjël janë qëlluar nga forcat e armatosura serbe. Asnjëherë pas Luftës së Dytë Botërore nuk ka ndodhur të jetë përdorur një dhunë e tillë në Jugosllavi kundër një grupi njerëzish, siç ndodhi në këtë rast kundër shqiptarëve. Njerëzit qëlloheshin nga helikopteri vetëm pse protestonin kundër politikës së padrejtë të regjimit të Beogradit”. Më 27 prill edhe gazeta gjermane “Frankfurter Algemajne” shkruante: “Vrojtues të informuar jugosllavë numrin e të vrarëve e çonin në minimum, në 30-40 veta, dhe të plagosur deri në 1000 veta”, ndërsa gazeta daneze “Arbeideren” theksonte: “Këto masakra në të cilat janë vrarë me qindra veta dhe janë plagosur e janë burgosur mijëra të tjerë, paraqesin, pa dyshim, gjenocidin më të madh të kryer në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore”.
Parulla e asaj pranvere të vitit '8l “Republikë, kushtetutë - ja me hatër, ja me luftë”, paralajmëroi se për një qëllim të tillë, nëse paraqitet nevoja, edhe do të luftohet. Ishte kjo dëshmi e një sinjalizimi qysh atëherë pararendës të një bërthame të kësaj force, që me emrin UÇK, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, do të shfaqet në momentin me të duhur historik për mbrojtjen si të popullit, ashtu edhe të tokave shqiptare, që ishte përpjekje dhe dëshirë brezash të përgjakur shekuj me radhë.
Aplikimi i masave ndëshkuese ndaj shqiptarëve pas vitit 1981
Demonstratat e 81-shit do të shfrytëzohen si alibi për të hedhur në burg gati një të tretën e popullatës shqiptare që jetonte nën Jugosllavi. Si vepra të rënda penale politike gjatë kësaj periudhe pushteti serb i konsideronte demonstratat paqësore, manifestimet politike, kërkesat e drejta të studentëve, të cilët në mënyrë të drejtë dhe të argumentuar kërkonin zgjidhjen e statusit politik të shqiptarëve dhe të Kosovës. Një shpërthim i tillë masiv e demonstrues i pakënaqësisë popullore ishte vetëm pasojë logjike e plotësimit të pjesshëm të kërkesave të studentëve nga ngjarjet e vitit 1968, kur me mjeshtëri i ishte ikur realizimit të krye-kërkesës së tyre - asaj për avancimin politiko-juridik të statusit të Kosovës në Republikë.
Është e ditur se dy ditë pas demonstratave të 26 marsit të vitit 1981, pikërisht më 28 mars, në kompetencat e Sekretariatit të Punëve të Brendshme të Kosovës padrejtësisht ndërhynë Federata dhe Serbia, ndonëse me Kushtetutën e Kosovës të vitit 1974 na e kishin “siguruar autonominë”. Me këtë rast u burgosën rreth 70 mijë shqiptarë, me kundërvajtje dhe me burgim të rëndë u dënuan deri më 15-20 vjet, ndërsa nëpër duar të policisë kaluan mbi 700 mijë veta. Nga kjo mund të konkludohej se çdo i treti shqiptar përjetoi “kontaktin” e afërt me policinë, qoftë nëpërmjet hetimeve, qoftë nëpërmjet të para-burgosjeve e dënimeve për vepra penale apo edhe për kundërvajtje të karakterit politik. Për të gjitha këto forma ndëshkuese “u kujdesën” vetë ligjet jugosllave. Praktika gjyqësore politike në Kosovë ka treguar se në të shumtën e rasteve ndjekjet dhe ndëshkimet për këto vepra ndaj shqiptarëve kanë qenë të paqarta, konfuze dhe të pabaza. Këto gjykime tashmë janë të njohura si fenomen i ushtrimit të dhunës mbi mendimin e lirë. Sa herë që shqiptarët u paraqitën me kërkesa politike për ta zgjidhur çështjen e vet kombëtare me metoda demokratike, pa planifikuar përdorimin e forcës, pasuan arrestimet e menjëhershme, intervenimet brutale të policisë dhe dënimet e rënda me heqje lirie deri në 15 vjet.
Dënimet që shqiptoheshin për vepra penale politike, për nxitje të urrejtjes, të përçarjes ose të mos-tolerancës nacionale, raciale a fetare nga neni 134 i LPJ-së, ishin shumë të larta. Si nen më i përshtatshëm për t'i hedhur shqiptarët në burg është përdorur zakonisht ai 114 (rrezikim kundërrevolucionar) me të cilin shqiptarët dënoheshin deri në 15 vjet burgim të rëndë. Shpesh aplikohej edhe neni 133 (për propagandë armiqësore) e ndonjë nen tjetër. Disa prej të burgosurve politikë nga burgjet i nxirrnin në arkivole. Kështu, as pas sa vitesh nuk dihet se si u likuiduan të burgosurit Afrim Abazi, në zyrat e UDB-së në Ferizaj, Zija Shemsiu, në burgun e Beogradit, Xhemajl Berisha, në burgun e Prizrenit etj. Të gjitha këto burgime u bënë me pretekstin se, duke marrë pjesë në demonstrata dhe duke formuar organizata të ndryshme ilegale, paskan bërë vepra penale.
Nga të dhënat e shtypit që i jepte agjencia e lajmeve “Tanjug“ dhe mjetet e tjera jugosllave të informimit, del se në Kosovë menjëherë pas demonstratave të vitit 1981 u intensifikuan dukshëm persekutimet, ndjekjet, hetimet dhe marrjet në pyetje një për një të njerëzve, të cilat pasohen me dënime të ashpra kundër shqiptarëve, sidomos kundër inteligjencies dhe rinisë. Kjo dhunë është ngritur në sistem nga “shovinistet serbomëdhenj“, theksonte shtypi shqiptar. Ndërkaq “Tanjug“ shkruante se “ nuk duhet të kuptohet si një fushatë, por si një proces me afat të gjatë dhe se duhet të zbatohet një politikë dënimesh më të ashpra“.
Dhe, vërtet diferencimet e dënimet kundër shqiptarëve morën përmasa të gjera. Vetëm gjatë vitit 1981 (1 janar-1 korrik) në komunën e Ferizajt janë identifikuar 400 pjesëmarrës në demonstrata. Dënime partiake do të marrin 84 anëtarë të LKJ-së, nga të cilët 58 përjashtohen, 8 dënohen me vërejtje, ndërsa 17 me paralajmërim për përjashtim. Në këtë komunë për shkelje të rendit dënohen 40 veta, ndërsa fillon procedura penale kundër 20 të tjerëve. Nga puna dëbohen 32 veta, nga shkollat e mesme përjashtohen 19 nxënës dhe 28 studentëve u ndërpritet bursa.”
Po kështu veprohet edhe në komunën e Burimit ( Istog). Nga LKJ përjashtohen 21 anëtarë, ndërsa 7 të tjerëve u shqiptohet vërejtja e fundit. Nga shkolla përjashtohen 33 nxënës, kurse nga puna pezullohen shtatë profesorë. Nga 11 marsi deri më 8 qershor dënohen 30 veta me burgim, pjesa më e madhe e të cilëve fshatarë, nxënës dhe studentë.
Nga Komiteti Krahinor i LKK-së jepnin informacione se në fshatin Dushanovë, Kryesia e Komitetit Komunal kishte shpërndarë organizatën e LK-së me motivacion se nuk ishte në gjendje të çonte deri në fund procesin e diferencimit ideopolitik, se kishte kundërshtuar përjashtimin e tetë anëtarëve të vet dhe se nuk e kishte dënuar kërkesën e demonstruesve për avancimin e Krahinës së Kosovës në Republikë. Ndërkaq vetë anëtarët e LK-së shpjegonin se në këtë mënyrë, duke u bërë Kosova –Republikë do të forcohej uniteti i Jugosllavisë. Për përjashtimin e tetë anëtarëve kishte votuar vetëm një anëtar i LKK-së.
Shpërndarja e organizatave të LK-së dhe përjashtimi i anëtarëve u bë dukuri e përditshme. Motivi kryesor për këtë ishte se “nuk kanë qenë në gjendje të bëjnë diferencimin. Shpërndanin organizatat e LK-së në ndërmarrje punuese, por edhe nëpër fshatra.
Represaliet, që me gjuhën e “Tanjug”-ut quheshin “diferencim “ gjatë kësaj periudhe u shtrinë edhe në Maqedoni, Mal të Zi e Serbi, me një fjalë gjithandej ku jetonin shqiptarët. Vetëm në qytetin e Dibrës në Maqedoni organet e rendit “zbuluan“ se në demonstratat në Kosovë kishin marrë pjesë 30 studentë dhe kundër tyre u morën masa përkatëse. Po kështu, pas ngjarjeve në Kosovë nga shkolla e mesme e Strugës u përjashtuan 20 nxënës dhe 5 profesorë, ndërsa nga shkolla fillore 2 arsimtarë. Gjykatat dënuan 20 veta me burgim. Pesë studentë u dënuan deri në 5 vjet burgim.
Në Komunën e Kërçovës organet e hetuesisë arrestuan dhe dënuan 11 punonjës të arsimit, 5 prej të cilëve i përjashtuan nga LK. Disa prej profesorëve morën kritika të ashpra dhe vazhdimisht qenë të përcjellë nga “spiunë “, sepse kishin heshtur lidhur me dënimin e ngjarjeve në Kosovë dhe kanë shfrytëzuar tekste dhe letërsi tjetër mësimore të marrë nga Prishtina, që nuk ishin në përputhje me programet mësimore të shkollave të RS të Maqedonisë.
Në fshatin Shipkovicë të Tetovës që akuzohej si një nga vatrat më aktive në pjesëmarrjen në demonstratat e Kosovës organet maqedonase të pushtetit bënë hetime të vazhdueshme dhe persekutime ndaj popullatës. Në këtë fushatë nuk mbeti pa u përfshirë asnjë fshat e qytetet shqiptar në Maqedoni.
Menjëherë pas arrestimeve e proceseve të shumta gjyqësore që u organizuan anekënd vendit udhëheqësit politikë të Beogradit kërkonin me ngulm nga shërbimet e organeve kompetente që të vazhdonin “aksionin e zbulimit “, i cili në të vërtetë do të thoshte vënie e njerëzve nën kontrollin e UDB-së. E tërë kjo pati për rrjedhojë formimin e shumë “këshillave“ në organizata punuese, shkolla, Universitet dhe vende të tjera që kishin karakter zbulimi për “armiqtë e popullit “.
Se sa të burgosur kishte nëpër burgje pas tërë kësaj fushate nuk kishin shënime të sakta as organet më kompetente. Shqiptarët kanë mundur të burgosen në çdo moment, në çdo rast dhe në çdo kohë, madje pa u bërë as-farë evidencimi. Sipas disa të dhënave, vetëm gjatë viteve 1981-1990 në Kosovë janë dënuar 3.348 shqiptarë, me armë zjarri policia dhe ushtria kanë vrarë 183 veta, prej të cilëve 16 fëmijë. Me armë zjarri ajo ka plagosur 616 veta, prej të cilëve 49 fëmijë e gra. Sa për ilustrim po japim një statistikë të vrasjeve: më 1981 janë vrarë 13 shqiptarë, më 1982 - 2, më 1983 -nuk është vrarë askush, më 1984 -3, më 1985 -1, më 1989 -33 dhe më 1990 -39 veta. Pjesën dërmuese të të burgosurve politikë e përbënin personat e moshës së re 18-20 vjeçe, 26 për qind, dhe 21-24 vjeçe, 21 për qind. Mbi këtë moshë ishin diku mbi 11 për qind. Pushteti serb nga dënimet nuk kurseu as fëmijët e moshës 14-15 vjeçe që përbënin 3,9 për qind të të dënuarve, ndërsa të miturit e moshës së rritur, 16-18 vjeçe, përbënin 15,6 për qind. Në këtë dhjetëvjetësh shqiptarët përjetuan pothuajse të gjitha format e dënimit dhe të diskriminimit. Më poshtë do të prezantojmë tabelën e statistikës rrëqethëse të të dënuarve politikë gjatë viteve 1981-1990.
Masa më e parapëlqyer e pushtetarëve që e aplikuan ndaj intelektualëve shqiptarë ishte izolimi. Këta nuk e kishin të përcaktuar statusin e të burgosurve politikë sipas aktgjykimeve të plotfuqishme gjyqësore, por pa to. Si të burgosur politikë prej vitit 1981 e këndej trajtoheshin edhe dy grupe intelektualësh shqiptarë, që u përfshinë me masën policore “izolim”. Kjo metodë keqtrajtimi u zbatua nëpër burgjet e Kosovës dhe të Serbisë sikur edhe ndaj të burgosurve të tjerë. Për sa i përket numrit të saktë të grupit të parë të të izoluarve pas 81-shit, fatkeqësisht, nuk ka të dhëna. Kjo dihet për grupin e fundit të të izoluarve, të marsit të vitit 1989, kur me këtë masë ishin përfshirë 237 veta.
Masa e izolimit në të vërtetë ishte një masë ndëshkuese e intelektualëve për të cilët dyshohej se ishin ose mund të bëheshin armiq të pushtetit. Me një ndërmarrje të tillë policore, që e kishte urdhëruar sekretari i SPB-së së Kosovës (J. K.), ishin privuar nga liria “intelektualët e rrezikshëm”, duke i mbajtur me muaj të tërë në arrest, pa prova të fajësisë së tyre politike. Sekretari krahinor, duke i shfrytëzuar kompetencat, kishte urdhëruar që këta persona të dërgoheshin në vendqëndrime të caktuara jashtë Kosovës. Me të dërguar në burgjet e Vrajës, të Leskovcit, të Nishit e të Beogradit, të izoluarit u keqtrajtuan brutalisht, u torturuan nga Shërbimi i Sigurimit Shtetëror dhe nga personeli i burgjeve. Kështu, inteligjencia e Kosovës u gjend mes kudhrës e çekanit. Ajo ose duhej të deklarohej për platformën politike të LKJ-së, të imponuar nga kreu partiak dhe presidenca jugosllave, ose do të gjendej prapa grilave, në izolim e në arrest, në burg e në depërtim. Ishte ajo koha kur në zhargonin politik të Kosovës u fut termi aq i frikshëm “heshtakët”, që menjëherë të kualifikonin si të rrezikshëm, armik të bashkëjetesës e të vëllazërim-bashkimit etj. Rrugë të tretë nuk kishte. Ndërkaq, oportunizmi i shumicës barazohej me nacionalizmin dhe me irredentizmin shqiptar. Të gjitha këto bëheshin me paramendim.
Propaganda e organizuar shtetërore jugosllave ndaj shqiptarëve
Edhe më parë, por sidomos pas ngjarjeve të vitit 1981 e gjer më sot, propaganda antishqiptare e serbomëdhenjve kishte marrë përmasat e një fushate të paparë. Me verbërinë e tyre logjike dhe miopinë e paparë politike, për t’i arritur qëllimet e veta të ulëta, ata shërbeheshin me shpifje e insinuata më të paskrupullta, para të cilave do të mbetej i hutuar edhe Gebëlsi. Gjatë tërë periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore pushteti u angazhua me përpikëri që masës së gjerë t’i servirë dezinformata dhe të pavërteta lidhur me situatën politike në Kosovë. Propaganda si formë e të arriturave të qëllimeve politike ishte e futur në sistem dhe me anë të saj, si nëpërmjet shtypit, radios, televizionit, fjalimeve të ndryshme dhe botimeve gjoja shkencore, mobilizonte opinionin e gjerë për t’ia mbushur mendjen se shqiptaret ishin armiq të përbetuar të popullit sllav. Pushteti okupues trillonte dhe shpifte gjithçka kundër tyre. Qëllimi ishte që në arenën ndërkombëtare të krijoheshin opinione që përkrahnin gjenocidin dhe plojën mbi popullatën e pafajshme.
Në historinë shekullore të kulturës shqiptare nuk njihet ndonjë rast tjetër që ndaj saj të jetë ndërmarrë një sulm kaq i gjerë e plot mllef, ku barbaria me injorancën ishin në garë me njëra tjetrën. U mor nëpër gojë gjithë kultura shqiptare, e vjetra dhe e reja, u quajt përgjegjëse për prishjen e qetësisë në Ish- Jugosllavi, u cilësua si e mbushur me historicizëm, me “romantizëm kombëtar”, me mite, heronj dhe idhuj tepër të dëmshëm për “unitetin e popujve në Jugosllavi”. Këso dhe dhjetëra shpifje të tjera si këto mbushën faqet e shtypit jugosllav. Me fjalë të tjera, siç shkruante edhe shtypi botëror: “U bënë sulme të hapura kundër ndërgjegjes kulturore dhe kombëtare shqiptare”. Është e pabesueshme por e vërtetë, se vetëm në periudhën 1981-1990 u botuan 800.000 mijë artikuj, deklarata, diskutime, fejtone, fotografi, intervista, karikatura, komente dhe reportazhe për shqiptarët dhe për trojet tona, për doket, për kulturën dhe gjuhën shqipe, për jetën familjare, për tiparet e karakterit të shqiptarëve dhe për zakonet e tyre. Karakter propagandues kishin edhe publikimet e ndryshme që u botuan gjatë asaj periudhe, si “Kush kërkoi Republikën“, “Të vërtetat dhe mashtrimet për Kosovën “, “Libri për Kosovën “, “Dhuna në Jugosllavi “, “Kohë të vrazhda për Kosovën e Metohinë“ etj.
Gjatë kësaj periudhe nuk mbetën pa u marrë nëpër gojë edhe lindjet e nënave shqiptare, ngase, siç thoshin ata, edhe lindjet e shumta kishin qëllime politike. Gjatë kësaj periudhe si me ndonjë dekret të pashkruar u paraqitën gjoja dhunimet e shumta të popullatës shqiptare ndaj joshqiptareve, e qëllimi dihej. Me trillime shumë të rinj shqiptarë u dënuan me shumë vite burgu. Akuzat dhe shpifjet nuk kishin të ndalur. Ato bëheshin në rrugë institucionale. Zëdhënës të krejt kësaj u bënë disa akademikë dhe vetë Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve. U shpikën dëmtimet e varrezave, kishave dhe shtëpive. U trumbetua me të madhe se Kosova është tokë serbe, bile u shkua aq larg sa u keqpërdorën edhe të dhënat shkencore.
Edhe atëherë, por edhe tani, është shumë e qartë se fushatat e ethshme që u ndërmorën kundër kulturës, letërsisë dhe artit shqiptar në veçanti dhe kundër çdo gjëje shqiptare në përgjithësi, kishin vetëm një qëllim, të gjenin të gjitha pretekstet për të dënuar dhe për të bërë gjenocid mbi gjithçka që ishte shqiptare.
Proceset politike gjyqësore ndaj shqiptarëve nuk kishin të ndalur
Proceset politike gjyqësore në Kosovë, arrestimet e izolimet që përjetuan individët pasqyrojnë fatin tragjik në miniaturë të popullit tonë në tërësi. Po këtë fat e përjetuam edhe në shoqërinë e re socialiste që po ndërtohej, e cila që nga fillimi u dëshmua se për shqiptarët do të ishte varr dhe burg i ri. Për këtë arsye, në luftën e pandërprerë për çlirim kombëtar populli shqiptar në Jugosllavi edhe në këtë kohë martirizoi bijtë dhe bijat më të mira të tij. Kjo u manifestua në veçanti pas “kontrarevolucionit”, siç i quajtën disa politikanë ngjarjet e vitit 1981, kur rrugët e qyteteve të Kosovës disa herë u lanë me gjak të njomë, kur mijëra e mijëra intelektualë dhe të rinj kohën më të mirë të jetës dhe të energjisë kreative e lanë nëpër burgjet jugosllave, të izoluar nga familja, nga populli dhe nga bota. E gjithë kjo u bë për të kënaqur oreksin e shovinizmit të egër serb, i cili edhe sot sillet e vepron sikur të ishte koha e mesjetës.
Në periudhën pas LDB-së (1945- 1990) filloi diferencimi famëkeq në bazë të së kaluarës historike, duke filluar nga viti 1918 e këtej. Në shënjestër ishin vënë sidomos familjet që kishin bërë rezistencë gjatë Jugosllavisë së vjetër dhe më vonë. Pushteti, siç dihej, kishte vënë rregulla drakoniane të lojës. Populli ynë i bënte sfidë me fuqinë e rezistencës, herë legale herë ilegale.
Kosova është sulmuar dhe është pushtuar në radhë të parë në baza kombëtare. Mbi këtë platformë është organizuar edhe rezistenca dhe ruajtja e mëvetësisë dhe e bazës së identitetit kombëtar shqiptar. Proceseve të montuara politike nuk mundi t'u shmangej as APJ-ja dhe kjo nuk ishte dukuri e re. Shqiptarët ishin vrarë edhe gjatë shërbimit ushtarak në Jugosllavinë e vjetër e edhe më vonë. Ngjashëm me procesin e montuar të Paraqinit, më 1921 qe montuar një proces politik në kazermën e Petrovaradinit. Në atë proces të montuar thuhej se Miftar Hasan Jusufi nga fshati Panjesë i rrethit të Prizrenit, në vendin "Roja e vdekjes”, kinse paska pas shtënë me armë zjarri dhe paska pas vrarë një kolonel rus dhe një oficer të armatës serbo-jugosllave. Pas vrasjes së Miftarit në kazermën e Petrovaradinit është ndërmarrë një ekspeditë ndëshkuese kundër shumë ushtarëve shqiptarë.
vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Sabile Keçmezi- Basha: Diferencimet ideopolitike ndaj intelektualëve shqiptarë në Kosovë 1945-1990 Empty Re: Sabile Keçmezi- Basha: Diferencimet ideopolitike ndaj intelektualëve shqiptarë në Kosovë 1945-1990

Mesazh nga Agim Gashi Wed Jan 06, 2010 2:26 am

Prej vitit 1945 e këndej në Armatën Jugosllave në mënyrë graduale e sistematike u realizua elaborati i Vasa Qubriloviqit. Disa në mënyrë enigmatike likuidoheshin, “vrisnin veten”, e të tjerët dënoheshin me vite marramendëse burgimi.
Rasti më i ri dhe më flagrant i proceseve të montuara ishte edhe ai i Azem Vllasit dhe 13 të akuzuarve të tjerë në Mitrovicë, që tejkalon suazat e një procesi të rëndomtë gjyqësor. Është ky një epilog i vetëm, i mundshëm, i një gjykimi të tillë maratonik prej 70 ditësh, ai me përgatitjen dhe kohëzgjatjen e vet i tejkaloi dimensionet e njëmendta të një procesi gjyqësor. Ky proces i montuar (vetëm kundër Azem Vllasit) mund të ishte gjithçka, por jo proces i mirëfilltë gjyqësor. Një pjesë e këtij procesi ishte e montuar, ndërsa gjysma tjetër që kishte të bënte me punëtorë jo. Njëra palë kishte vepruar dhe kishte rezistuar në mënyrë aktive, kurse pala tjetër ishte futur në burg kot së koti. Nëse për asgjë tjetër, ky proces do të mbahet në kujtesën kolektive të njerëzimit edhe për aktakuzën 100- faqesh, që më shumë i përngjante një aktakuze politiko-ideologjike të modelit bolshevik, se sa një akti akuzues juridik të prokurorisë publike. Këtë më së miri e dëshmon vendimi i gjyqit që ishte: “Në emër të popullit lirohen të pafajshëm të 14 të akuzuarit: Azem Vllasi, A. Abrashi, B. Kavaja, L. Krasniqi , Ibush Jonuzi, Mensur Fejza, Riza Musliu, Ismail Nimani, Mursel Haziri, Ramiz Kadriu, Veli Osmani, Jetish Bajrami, Tahir Salihu dhe Avdi Uka. Me këtë proces doli për fushe dhe arriti kulmin i gjithë marifeti i proceseve të montuara politike.
Që nga lufta e këndej (të harrojmë për një çast pozitën tonë para LNÇ-së), shqiptarët seleksionoheshin me kritere shtetërore sipas të cilave shqiptari më i mirë ishte ai i vdekuri. Ata u atakuan si kulturë dhe u sollën në një pozitë vërtet inferiore. Inferioritet i pushtetit ka qenë superioriteti i armës e i tankut, kurse historia e imponuar histori e pushtetmbajtësit dhe e dhunës. Është pak e pabesueshme, por e vërtetë, se shqiptarët edhe në prag të shekullit XXI duhej të luftonin për emancipim kombëtar, për të drejtat elementare njerëzore, për liritë individuale e kolektive. Më shumë se çdo komb tjetër na cilëson përjetimi i historisë në formë katarsisë morale. Është gjë e njohur, pa pretendime që ta glorifikojmë të kaluarën kombëtare, se shqiptarët patën aq forcë morale sa t`u iknin krimeve, plojave, gjenocidit, masakrave masive. Askush në Ballkan nuk mund të ankohet se shqiptarët janë autorë të varreve masive, të krimeve të tipit të Tivarit apo të Drenicës, ku me mijëra njerëz u zhdukën në format më mizore. Gjërat s`janë edhe aq tragjike kur dihet se në formë të planifikuar është vepruar për shpëlarjen e trurit dhe të terrenit. Megjithatë, shqiptarët, qoftë nëpërmjet të kaluarës, të tashmes apo të ardhmes, janë të pastër para botës, prandaj edhe e patën përkrahjen e gjerë të saj. Diferencimi ideopolitik në Kosovë zanafillën e vetë e ka menjëherë pas aneksimit të saj nga ana e Serbisë më 1945. Menjëherë pas luftës filluan burgosjet, vrasjet, lëçitjet e njerëzve nga rrethi dhe të afërmit e tyre. U shpikën forma e metoda të ndryshme vetëm e vetëm që të diferencojnë sa më shumë shqiptarë.
Shpërngulja e shqiptarëve për në Turqi në historinë e shqiptarëve në ish- Jugosllavi ishte një kaptin e dhembshme dhe e veçante. Marrëveshja Ballkanike për miqësi dhe bashkëpunim në mes Turqisë, Greqisë dhe Jugosllavisë u nënshkrua në Ankara më 28 shkurt të vitit 1953. Mbështetur në ketë marrëveshje u formuan grupe të përbashkëta parlamentare dhe u bënë vizita të shumta si në Turqi dhe në Jugosllavi. Jugosllavia, për të shpërngulur shqiptarët nga Kosova dhe trojet tjera shqiptare nën ish-Jugosllavi, dëshironte të krijonte lidhje sa më të ngushta me Turqinë. Lidhja duhej të bëhej duke riaktivizuar Konventën jugosllave-turke të vitit 1938. Duke u mbështetur në këtë bazë në mes Jugosllavisë e Turqisë u lidh edhe marrëveshja “xhentëlmene”, në mes Titos dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Turqisë, Fuad Kyperliut , në një drekë, në janar të vitit 1953, në Split.
Regjimi serb nga koha e pushtimit ( nëntor 1944), dhe të aneksimit të Kosovës (korrik 1945) në mënyrë kontinuele zbatoi politikë dhe propagandë të përgatitur shumë më herët e të mbështetur në projekte serbomëdha për shpërnguljen, asimilimin dhe asgjësimin fizik të shqiptarëve. Për shkak të ndjekjeve, terrorit, dhunës e gjenocidit shumë shqiptarë u detyruan të ikin jashtë kufirit. Shpërngulja e shqiptarëve u shkaktua nga politika zyrtare antishqiptare. Për të shpërngulur sa më shumë shqiptarë nga trojet e tyre, pushteti jugosllav përdori shumë metoda dhune nga më të ndryshmet, duke filluar që nga: mbyllja e shkollave në gjuhën shqipe, serbizimin e administratës, shtetëzimin, rikolonizimin, heqjen e flamurit kombëtar, mbylljen e institucioneve kulturore etj. Por, forma e presionit që erdhi më së tepërmi në shprehje, ishte regjistrimi me dhunë i popullatës gjatë regjistrimit të popullsisë më 1953, duke ua ndërruar edhe identitetin kombëtar dhe duke i detyruar shqiptarët të deklarohen si turq. Kjo formë e dhunës përputhej edhe me obligimet që kishte marr Jugosllavia për shpërnguljen e shqiptarëve për Turqi, ngase ajo që në fillim (në bazë të marrëveshjes) kishte kërkua të shpërnguleshin 250.000 banorë, nga 1 milion banorë sa parashihej.
Sipas regjistrimeve që kemi të dhëna gjatë vitit 1945-1951, zyrtarisht në Kosovë nuk kishte turq, por në regjistrimin e popullsisë që u mbajt më 1953, me kombësi turke në Kosovë u deklaruan 34.583 veta, në territorin e Serbisë do të regjistrohen 54.526 veta turq, ndërsa në Maqedoni numri i turqve të regjistruar do të katërfishohet dhe më 1953 do të regjistrohen 203.938 veta, ndërsa në Jugosllavi do të regjistrohen 259.535 veta turq . Kjo mjaftonte që të fillohej me plotësimin e kërkesës turke për shpërnguljen e tyre. Po në këtë periudhë nuk mungoi as “vullneti i mirë” i pushtetit që shqiptarëve tu krijojë “kushte favorizuese” administrative për largimin e tyre për Turqi, pa marr parasysh se a ishin deklaruar si turq apo jo. Shpërnguljet për Turqi u bënë me zbatimin e metodave të presionit. Forma më e rëndë e presionit me qëllim të shpërnguljes ishte i ashtuquajturi aksion i mbledhjes së armëve gjatë vitit 1955/56, i organizuar nga shteti dhe i zbatuar nga organet e sigurimit shtetëror. Po ashtu, formë tjetër e presionit pushteti inskenonte edhe metodën e proceseve gjyqësore të montuara politike (Procesi gjyqësor i Prizrenit), si dhe proceset tjera gjyqësore politike ndaj grupeve dhe anëtarëve të organizatave ilegale që vepronin në Kosovë.
Diferencimet në bazë të aksioni të mbledhjes së armëve
Metodë tjetër e presionit ishte edhe aksioni i mbledhjes së armëve gjatë vitit 1955-1956. Sipas plenumit VII të KK të LKS-së, ai u organizua pa dijen dhe pa pëlqimin e Komitetit Krahinor. Me gjithë faktin se ky aksion ishte i vetmi i këtij lloji në Jugosllavi, Komiteti Krahinor dhe organizatat e tjera i kanë dhënë përkrahje vetëm mbledhjes së armëve jo legale. Mirëpo, metodat me të cilat u zbatua ky aksion i kaluan të gjitha normat normale, kompetencat e të drejtat e organeve të sigurimit shtetëror.
Gjatë kësaj periudhe u bënë torturat e maltretimet më të mëdha që do të mbahen në mend. Torturimi u bë forma më e preferuar e udbashëve. Ajo përsëritej nga java në javë e nga muaji në muaj. Fillonin nga hetuesia, kalonin në rrahje e deri te masat më drastike të mundimeve gjëja se për të treguar armët e fshehura. Dhuna individuale me likuidime ishte një praktikë e vazhdueshme e njohur dhe traditë në organizatat terroriste serbe. Vetëm se në këtë rast UDB-eja i ngrite ato në një praktikë të re në situata të reja. Gjatë kësaj periudhe Sigurimi Shtetëror në Kosovë hapi 22.038 dosje personale, prej të cilave 240 për personalitete politike shqiptare. Në këtë rast nuk u kursyen as edhe 4 anëtarët e KQ-së të LKJ- së, që ishin shqiptar, 16 anëtar të Komitetit Krahinor, një numër i madh punëtorë politiko- shoqëror duke filluar prej sekretarëve të organizatave punuese e deri te deputetet e të gjitha kuvendeve. Në ketë aksion veç tjerash u rrahën mbi 30.000 shqiptarë dhe nga torturat vdiqën mbi 100 veta. Gjatë kësaj periudhe burgjet ishin mbushur plot me shqiptar. Sipas një të dhëne thuhej se vetëm në burgun e Nishit ishin mbi 2.000 shqiptar të burgosur, në burgun e Mitrovicës së Sremit ishin mbi 700 shqiptar. Gjendja nuk ishte aspak më e mirë në Idrizovë të Maqedonisë, në Prishtinë, në Goli Otok e vende të tjera anë e kënd Jugosllavisë.
Shqiptaret që nuk kishin armë për të dorëzuar i mbushnin burgjet me të burgosur. Ata qëndronin në to pa pasur ndonjë status të definuar të burgosurit. Për këta persona nuk ka të dhëna se janë llogaritur si të dënuar politik. Ndërsa e vërteta është se çdo aksion i këtij karakteri ka pasur prapavijë politike që sa më shumë shqiptarë ti braktisin vatrat e tyre dhe të kërkojnë shpëtimin diku jashtë Kosovës dhe jashtë kufijve të ish- Jugosllavisë.
Gjatë kësaj periudhe shqiptaret u pushonin nga puna, u ngarkonin me taksa, u trilloheshin hasmëri personale, u diskreditoheshin. Veçanërisht arrestimet dhe torturat masive janë përdorur si mjete efikase për ti detyruar shqiptarët të braktisin vendin e tyre. Sipas statistikave jugosllave, vetëm në Kosovë në vitin 1954 ishin të gjykuar 2. 981 shqiptar, kurse në vitin 1956 janë gjykuar 3.213 shqiptarë. Arrestimet, gjykimet, torturat gjithmonë kanë pasur për qëllim shkombëtarizimin . Edhe kur ishte fjala për çështje të rëndomta thelbi ishte megjithatë politik.
Por, pas demonstratave studentore të vitit 1981, në Kosovë organet partiake e shtetërore filluan të zbatonin procesin e diferencimit si masë ndëshkuese-politike, e cila në Kosovë ishte aplikuar edhe më herët. Por tani për të mbajtur një popull nën “qetësin e okupimit” pushtetarët u deshtë të shpikeshin dhe të thirrin në ndihmë forca e gënjeshtra. E pikërisht pas vitit 1981 erdhi në shprehje dhuna me tërë përmasat e saja. Intelektualet dhe pjesa më e ngritur e kombit njihte dhe parandiente më shumë se të gjithë të tjerët rrezikun që iu kanosej. Truri dhe mendja e shqiptarëve në ish- Jugosllavi kultivoi dhe dha prova të pakrahasueshme trimërie dhe burrërie, bese e guximi, por mjerisht për ti ruajtur ato ju desh të përvijojë riga gjaku në gjithë historinë e tyre. Mjerisht, e tërë e kaluara e jonë ishte duel shekullor në mes lirisë e robërisë. Dhe, fati jonë lëkundet i lodhur në dallgët e historisë i shtyrë gjithnjë nga forcat e kundërta të këtij dueli.
Dhe, pa u diktuar vijmë në vitet e tetëdhjeta ku lufta për liri e pavarësi vazhdon më e intensifikuar. Në skenën shoqërore dhe politike kosovare nga njëra anë shfaqet një brez intelektualësh, një inteligjencie e arsimuar dhe e brumosur me idetë demokratike që koha do ti jepte fizionomi përkatëse me ngjarjet e mëvonshme
Korrik e gusht 1981. Menjëherë pas demonstratave studentore pason një valë e paparë arrestimesh në mbarë vendin ku jetonin shqiptaret. Hijet e zeza të sigurimit shpërndahen e trokasin natën shtëpi më shtëpi. Fillojnë reprezaljet që do të mbeten kujtimi më i hidhur në histori. Në radhën e parë vinin intelektualet dhe studentet, ata që kishin marrë guximin të kundërvihen qëndrimeve të pushtetarëve. Kosova jetonte natën e Shën Bartolomeut, pas së cilës do të lindeshin shumë procese politike gjyqësore dhe do të fillojë procesi i diferencimit ideo-politik që do të ngelin si dëshmi e dhembshme e një okupimi totalitar.
Masat për diferencim u ndërmorën gati në të gjithë lëmenjtë e jetës, duke filluar nga mjedisi jetësor e gjer atje ku veprohej e punohej. Diferencimet kryheshin ndaj punëtorëve, nxënësve, studentëve, ndaj kuadrove të shquara arsimore, kulturore, shkencore e politike. Mirëpo, kuptohet shënjestër e pushtuesit ishte universiteti, ngase edhe më herët ishte sulmuar nga shumë politikanë vendorë e shtetëror duke e quajtur atë si “bastion të nacionalizmit shqiptar”, andaj i tërë mllefi dhe i tërë pezmi u zbraz në të.
Diferencimet ndaj intelektualëve në Kosovë kishin filluar menjëherë pas lufte, dhe në listat e zeza të Sigurimit shtetëror u ndodhnin gati të gjithë studentët shqiptar që studionin brenda e jashtë vendit dhe ata intelektual të pakët që kishte Kosova. Pjesa më e zgjedhur, më e arsimuar e më e përgatitur vuajti në mundime të papërshkrueshme në burgjet e kampet e shfarosjes, shumë humbën jetën ndër torturat më barbare e, edhe më shumë, u vranë dhe u pushkatuan zajeve e përroskave pa ju ditur ende as vendi i eshtrave të shenjta.
Gjaku i shqiptarit do të vuante edhe egërsinë e shfrenuar të ideologjisë komuniste me pabesit, gjyqet dhe tradhtitë duke lënë rrugës së gjatë të kaluarit 50- vjeçare një nga një martirët e vet të lavdishëm.
Për të diferencuar sa më shumë shqiptarë u mbanin mbledhje të panumërta partiake. Me orë të tëra u diskutua me profesorë e studentë. U morën shumë vendime lidhur me “nxitësit” e demonstratave. U morën shumë qëndrime, duke filluar që nga Komiteti Qendror i LKJ-së, KQ të LKS-së, KK të LKK-së e duke përfunduar gjer te bashkësitë lokale. U shkruan shumë libra e broshura, tekste e informata për “nacionalizmin shqiptar”. Por, ai që i dha “vizë” çdo veprimi antishqiptar ishte “Programi aksionar i veprimit të LK të Kosovës në luftë kundër forcave armiqësore dhe kundërrevolucionare dhe për stabilizimin e gjendjes politike në Krahinë”, që e miratoi Komiteti Krahinor i LKK-së më 23 maj 1981 në Prishtinë. Ky ishte dokument bazë nga ku fillonte gjahu kundër çdo intelektuali shqiptar, ndërsa synimi kryesor i tërë kësaj ishte dhe mbeti për një kohë të gjatë Universiteti i Kosovës. Diferencimet ideopolitike erdhën në shprehje me tërë vrazhdësinë e tyre pas vitit 1981, dhe prej atëherë ato u zhvilluan në vazhdimësi në forma të ndryshme, deri më 1998.
E tërë kjo veprimtari antishqiptare e Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, për shqiptaret nuk ishte ndonjë risi. Prej vitit 1945, shqiptarët kishin përjetuar në mënyrën më të vrazhdë masa ndëshkuese. Por kjo e tanishmja, ndryshonte nga të tjerat. Ishte shumë më e hapur, shumë më e vrazhdë dhe përfshiu çdo pore të jetës që zhvillohej në Kosovë. E tërë kjo, nuk ishte asgjë tjetër, vetëm se një vazhdimësi e politikës shfarosëse e Vasa Çubrilloviqit dhe e lagjes së tij.
Në emër të diferencimeve është kryer një pastrim etnik në organizatat shoqëroro- politike, në administratë dhe në të gjitha sferat e prodhimtarisë ekonomike. Lirshëm mund të thuhet se diferencimi ideopolitik më i thellë, gjatë periudhës pas demonstratave studentore u bë në institucionet arsimore, kulturore e shkencore. Gjatë kësaj periudhe u mbajtën mbledhje të panumërta partiake që zgjasnin me ditë të tëra. Me orë të tëra u diskutonte me profesor e student, u morën shumë vendime lidhur me “nxitësit” e demonstratave. U morën shumë qëndrime, duke filluar që nga Komiteti Qendror i LKJ-së, KQ të LKS-së, KK të LKK-së e duke përfunduar gjer te bashkësitë lokale. Por, ai që i dha “vizë “ çdo veprimi antishqiptar ishte “Programi aksional i veprimit të LK të Kosovës në luftë kundër forcave armiqësore dhe kundërrevolucionare dhe për stabilizimin e gjendjes politike në Krahinë“ që e miratoi Komiteti Krahinor i LKK-së më 23 maj 1981 në Prishtinë. Ky edhe ishte dokument bazë nga ku fillonte gjahu kundër çdo intelektuali shqiptar, ndërsa synimi kryesor i tërë kësaj ishte dhe mbeti për një kohë të gjatë Universiteti i Kosovës.
E tërë kjo veprimtari antishqiptare e Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, për shqiptaret nuk ishte ndonjë risi. Prej vitit 1945 shqiptaret kishin përjetuar në mënyrën më të vrazhdë masa ndëshkuese. Por, kjo e tanishmja, ndryshonte nga të tjerat. Ishte shumë më e hapur, shumë më e vrazhdë dhe përfshiu çdo pore të jetës që zhvillohej në Kosovë. E tërë kjo nuk ishte asgjë tjetër vetëm se një vazhdimësi e politikës shfarosëse e Vasa Çubrilloviqit dhe lagjes së tij. Pas miratimit të dokumentit “programi aksionar...” në mënyrë fushate e euforike dhe me plot tendenca të hapura filluan të mbaheshin mbledhjet partiake në degë e katedra, në fakultete e shkolla të larta të Universitetit të Kosovës. Në këtë fushatë, u përfshinë Instituti i Historisë së Kosovës, Instituti Albanologjik, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe çdo institucion që kishte rëndësi jetike e historike për Kosovën.
Akademik Ali Hadri në shënjestër të diferencimeve
Instituti i Historisë së Kosovës u sulmua jo vetëm që ishte shumë i rëndësishëm për historiografinë kombëtare, por një arsye tjetër ishte shumë më urgjente dhe shumë më e rëndësishme ngase aty ishte dhe vepronte shtylla kryesore e historiografisë shqiptare, drejtori i Institutit të Historisë Akademik Ali Hadri, shkencëtari që me argumente kishte polemizuar me shumë historian serbë për çështjet e historiografisë shqiptare. Me plot guxim ai iu kundërvu atyre dhe me argumente mbrojti të vërtetën shkencore që për ata shkencëtar ishte një debakël i plotë. Shovinistet serbë i frikoheshin atij dhe shkollës që kishte ngritur. Profesori Ali Hadri ishte koka vet e historisë, i pathyeshëm ndër stuhitë e kohës. Andaj, diferencimi (eliminimi) ideopolitik ishte i mirëseardhur për nacionalistët serbë.
Duke e parë autoritetin që gëzonte tek gjeneratat e reja, pushtetarët nxituan që të ndërmarrin një fushat të paparë ndaj tij. Formuan grupin punues enkas për të diferencuar profesorin me disa koleg. Në librin “ Universiteti i Kosovës 1981- 1983”, Prishtinë 2004, Akademik M. Dushi, paraqet sintezën e akuzave që akuzohen profesorët: Akademik Ali Hadri, Akademik Rexhep Qosja, Profesor Fehmi Agani dhe Akademik Mark Krasniqi ( akademik Mark Krasniqi në atë kohë nuk ishte anëtar i LKK-së, megjithatë u morë qëndrimi që të bisedohet me të lidhur me ngjarjet e marsit-SK-B). Në pika të shkurta do të paraqesim dokumentin me të cilën u ngarkua dhe u përjashtua nga radhët e LK-së. Në këtë dokument në mes tjerash thuhej se : “Gjatë një periudhe të gjatë Ali Hadri disa herë haptazi ka hasur në kundërshtim me idetë politike dhe qëndrimet e LK-së. Për këtë arsye dy herë ka qenë i dënuar me masa partiake ( nuk shpjegohet se në cilin vit u morën masat partiake ndaj profesorit dhe për çfarë arsye, dilema ngel e hapur, duhet besuar kësaj të dhëne apo jo, mungojnë të dhënat që vërtetojnë dënimin partiak paraprak). Përgjegjësia e tij, për të cilën është kërkuar që ndaj tij të ndërmerren masa partiake, kanë qenë këto:
1. 1. Ali Hadri (është befasuese se pse grupi punues nuk përdor ndonjë titull për profesorin, kur dihej se ai ishte profesor universiteti, ishte doktor shkence dhe ishte Akademik, anëtar i Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës, ndërsa grupi punues gjatë tërë tekstit të akuzave profesorin e quan me emër e mbiemër dhe asgjë më shumë). Në vitin 1972 ka bërë polemika të caktuara në lidhje me spastrimet ( 1948) pas konfliktit të PKJ me Stalinin dhe stalinizmin. Nga kjo qartë shihet se ai në lidhje me këto ngjarje në mënyrë jo-kritike i ka pranuar qëndrimet dhe vlerësimet e Partisë së Punës së Shqiptare ( PPSH-së). Këtë çështje e ka shqyrtuar grupi i posaçëm i Komitetit Ekzekutivë i Kryesisë së LK të Kosovës, duke dënuar Ali Hadrin me vërejtje partiake ( 1978).
Absurd mbi absurde, dënohet profesori pas 35 vjet, pse nuk e paska dënua Stalinin dhe pse qenka pajtua me qëndrimin e PPSH-në. A nuk përngjan shumë ky tregim ne përrallën e qengjit dhe ujkut.
Nën pikën 1.2. thuhej se Ali Hadri në mënyrë jo-kritike ka shpallë punimin e tij për regjistrimin e Historisë së Popullit Shqiptar, e cila siç është thënë, ka qenë shkruar në Shqipëri. Kjo historiografi, në të cilën Ali Hadri ka dhënë edhe shtojcën e vet, ka qenë në kundërshtim me politikën e LKJ-së për çështjen nacionale.
Mirëpo, ajo që më së tepërmi e akuzonte dhe e rëndonte profesorin ishte pika 1.3. e cila në mënyrë të hapët kishte kërkua që profesori të shndërrohej në diçka që ai nuk do ta bënte kurrë në jetën e tij. Thuhej “ Ali Hadri pas ngjarjeve të vitit 1981, nuk ka dashur haptas dhe publikisht ti gjykojë pozitat ideopolitike dhe qëllimet e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar dhe të propagandës nga RPS e Shqipërisë”.
Për të vazhduar në pikën 1.4. Ku në mes tjerash akuzohej se bënte “indoktrinimin e një numri të rinjve është shkaktuar nga historiografia, të cilën ky në mënyrë jopolitike dhe nga pozitat nacionaliste i ka trajtuar disa ngjarje nga e kaluara e popullit shqiptar”, qartë shihej se pushtetarët nuk mund t’ia falshin profesorit admirimin që gëzonte te rinia studentore, andaj edhe donin që ta paralizonin për procesin mësimor.
Flitej nëpër qarqet shkencore, se profesori kishte qenë shumë kategorik kur grupi i diferencimit i ardhur nga KK të LKK-së dhe KK të LK-së të Prishtinës kishte kërkuar nga profesori që të bëjë vetëkritikë dhe të distancohet nga studentët. Ai i kishte injoruar ata, dhe me përbuzje i kishte këshilluar që gishtat që i kishin ngritur për ta përjashtuar nga LK- ja, është mirë që ti ruajnë për vete se do të vij koha kur edhe ata do të përgjigjën para padronëve. Profesori i nderuar veç që ishte shkencëtar, ai ishte edhe vizionar në rrjedhat politike të kohës, ngase me këtë rast e parashihte se jo shumë larg do të vij dita kur edhe ata do ti pret e njëjta gjë (me të cilën edhe u bindem më vonë, ngase ata që e diferencuan profesorin, në vitin 1989 edhe ata u njekën penalisht nga ish- padronët e tyre). E tërë kjo kishte qenë e vërtetë, ngase në fund të akuzës shkruan edhe kjo “ Ali Hadri në bisedë me anëtarët e Grupit punues (diferencues SK-B), është sjellë në mënyrë të vrazhdë. I ka nënçmuar dhe injoruar organet politike ( KA të LK e universitetit, Kryesinë e KK të LKK dhe KK të LK të Prishtinës) duke i shpallur jo kompetente për bisedë me të. Nuk ka pranuar kurrfarë përgjegjësie dhe nuk ka shprehur gatishmëri që në lidhje me këto çështje të pranojë kurrfarë angjestioni.”
Dhe në bazë të këtyre akuzave që i bënin profesorit të nderuar, ata vinin në përfundim se profesori duhet të përjashtohet nga Partia Komuniste ( Lidhja Komuniste ) dhe duhet larguar nga procesi mësimor në fakultet.
Profesori me gjithë këto presione dhe padrejtësi që iu bënë, qëndronte krenar dhe dinjitoz për rrugën që kishte zgjedhur. Në katedrën e Historisë vazhdonte të punonte me devotshmërinë e mësimdhënësit të përkushtuar ndaj gjeneratave të reja studentore. Por spiunët bënin punën e vet. Profesori ende ishte i rrezikshëm për punën që bënte. Komiteti Krahinor, nga profesori kërkonte që ai të shndërrohej në një person, që të bënte propagandë të politikës ditore të partisë komuniste. Kërkonin nga ai që të distancohej nga studentët e vet. Ti dënojë pjesëmarrësit që kishin marr pjesë në demonstrata. Ti akuzojë ata pse kishin brohoritur “ Kosova – Republikë “.
I kishin ofruar mundësi të posaçme në mjetet e informimit publik dhe tribunave tjera politike që të përgatit shkrime dhe artikuj të ndryshëm që të arsyetonte dhunën e përdorur ndaj tyre dhe të denonconte studentët. E profesori, një gjë të tillë nuk mund ta bënte dhe një ofertë e tillë iu duk fyese dhe shumë e rëndë për personalitetin e tij. Nuk mund të shkelte mbi gjakun e studentëve të vet që e kishin derdhur në demonstrata. Bile, në raste të shumta ai akuzoi organet që përdorën dhunën ndaj tyre. I sulmoi me një fjalor të argumentuar ata që bënin diferencimet në student-demonstrues, e demonstrues paqësor ishin të gjithë studentët dhe i tërë populli liridashës shqiptarë.
Prej një periudhe gati 25 vjeçare, mund të konkludohet, se qëllimi ishte se profesori duhet larguar sa më parë nga studentët, se ata e dinin fuqinë, rrezatimin, ndikimin dhe afërsinë e profesorit me studentët dhe me popullin, andaj edhe frikoheshin nga se çështja “Hadri” do të sensibilizohej dhe do iu ik nga dora, dhe se reagimi i popullatës ndaj diferencimit që do i bëhej profesorit do të jetë një reagim i fuqishëm.
Akademik Ali Hadri, personalitet i shquar shkencor, arsimor e shoqëror, profesor universiteti, për shumë vite drejtor i Institutit të Historisë së Kosovës, akademik, autor i shumë librave e punimeve shkencore gëzonte respekt te njerëzit e penës dhe tek njerëzit e pushkës. Por, ajo që vlen të cekët është se pas viteve të tetëdhjeta shtypi ilegal vlerësonte lart kontributin e profesorit që epte për çështjen kombëtare dhe për statusin e pazgjidhur të Kosovës në kuadrin e ish- Jugosllavisë.
E shoh të arsyeshme që të ndalem vetëm sa për të informuar opinionin e gjerë, se profesor Ali Hadri dhe shumë intelektual të tjerë, qysh në ditët e para të shkollimit në Beograd, ndoshta edhe më herët, UDB-eja kishte filluar ti përcillte studentët e ri nga Kosova.
Më 1949/50 Drejtorati Krahinor për Arsim e Kulturë i Kosovës kishte shpallur se do të dërgonte një grup nxënësish që kishin kryer shkollën e mesme në shkolla të larta e fakultete në Beograd.
Në një kujtim të një bashkëkohanikut të profesorit, ish-student i Beogradit – Memet Dushku, avokat i njohur nga komuna e Vitisë, thuhej se “Në këtë shkollë gjeta studentë të regjistruar nga Kosova, ndër ta ishin :Ramiz Hoxha, Ali Hadri, Vahide Hoxha, Abedin Kupa, Salih Kika, Ahmet Kelmendi, Enver Dukagjini etj.”, por, në vitin 1951 Ali Hadri mbaron shkollën e lartë, po në të njëjtin vit regjistrohet në fakultetin Filozofik- dega e Historisë ku dhe diplomoi me sukses të shkëlqyeshëm.
Nga të dhënat që kam dhe që i kam hasur në dosjet e ndryshme të të burgosurve politik dhe njëherë të shtypit ilegal të kohës, vijmë në përfundim se organet e sigurimit, qysh herët e përcillnin profesorin. Lirshëm mund të zbresim shkallëve të historisë, dhe qysh më 1948/49, kur u arrestua grupi i studentëve të Prizrenit që studionin në Beograd, ndër pyetjet e para që iu bënë të akuzuarve ishte edhe ajo, “Ali Hadri mori pjesë në festën e flamurit që organizuat në Beograd “ (fjala është për manifestimin që organizuan studentet shqiptar për ditën e flamurit më 28 nëntor 1950. Ata këtë ditë të shënuar e festuan ilegalisht dhe më vonë ndoshta ky manifestim ishte njëra ndër arsyet kryesore që u arrestuan). Të burgosurit pjesërisht e mohuan pjesëmarrjen e profesorit, por e vërteta ishte se studenti i ri nga Kosova s’ bashku me Enver Dukagjinin, Refik Nushin, Masar Shportën, Talat Goranin dhe Rexhep Hoxhën organizuan një manifestim për ditën e flamurit në konviktin e studentëve “Ivo Lola Ribar” në Beograd, në dhomën e Talat Goranit. Me këtë rast, u këndua Himni Kombëtar shqiptar dhe disa këngë tjera me përmbajtje kombëtare, ndërsa Rexhep Hoxha si poet i ri që ishte reciton disa poezi që i kishte shkruar enkas për këtë rast.
Në këtë dosje të UDB-es, thuhej edhe kjo se “Ali Hadri ishte arsimtar i gjimnazit shqiptar në Pejë. Kishte 23 ( njëzetetre vjeç), me prejardhje nga Gjakova. Ishte mbështetës i IB-es, ishte nacionalist i përbetuar edhe sa ishte student në Beograd. Zakonisht e donë një këngë që edhe shpesh e këndonte me zë para studentëve të tjerë. Kënga titullohej “Kosova është zemra e Shqipërisë” Ndërsa përmbajtja e këngës është “ Sa nëna mërzitën për bijtë e tyre, sa vajza mërzitën për të dashurit e tyre që ndodhën nëpër burgje, si luftëtar për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë “. Këngën Aliu e ruante si gjënë konspirative. Kjo e dhënë dëshmon se profesor Ali Hadri edhe më herët survejohej nga organet e UDB-es.
Në veprimtarin patriotike-atdhetare edhe si student ishte shumë aktiv, dhe merrte pjesë në çdo aktivitet që për qëllim kishte sensibilizimin e çështjes kombëtare shqiptare.
Pas përfundimit të procesit gjyqësor të grupit të studentëve të Beogradit që e përbënin: Enver Dugagjini, Refik Nushi, Masar Shporta, që aktgjykimi i akuzonte sipas nenit 117 të LPJ, se kanë kryer vepër penale politike duke u organizuar kundër popullit dhe shtetit, duke pasur për qëllim shkatërrimin e bashkim- vëllazërimit të popujve të Jugosllavisë dhe shkëputjen e një pjese të shtetit me një shtet tjetër. Me 24 qershor 1954, në Prizren, u shqiptuan dënime të lartë për “fajet” që iu veshën. Enver Dukagjini u dënua me 7, Refik Nushi me 4 dhe Masar Shporta me 6 vjet burg. Ali Hadri edhe pse kishte marrë pjesë aktive në tërë aktivitetin e grupit, falë qëndrueshmërisë dhe konspiracionit të thellë të shokëve nuk u zbulua dhe nuk mundën ta arrestonin. Dhe çfarë koincidence, pas sa e sa viteve profesori dënohet se në një kohë dhe në një konvikt studentor, kur ishte fare i ri paska kënduar një këngë nacionaliste.
Organet e LKJ-së, Lidhja e Luftëtarëve të LNÇ-së të Jugosllavisë si dhe organet e tjera shtetërore kërkuan që profesori i nderuar të largohej nga pozita e drejtorit dhe të merreshin masa ndëshkuese duke përfshirë këtu edhe burgosjen e tij. Pas një varg sulmesh nga instancat e ndryshme të hierarkisë politike jugosllave, Akademik Ali Hadri u detyrua të jap dorëheqje nga posti i drejtorit dhe u përjashtua nga Instituti. Por me kaq nuk mori fund odisejada e profesorit, që pas vete kishte gjenerata e gjenerata studentësh që me besnikërinë më të madhe po vazhdonin të ecnin në rrugën e shkencës së mirëfilltë që e kishte trasua profesori vet. Frika qëndronte edhe këtu, se pas shkuarjes së profesorit rrugën e vazhdonin kandidatët e profesorit, dhe nuk ndryshonte gjë në vazhdimësinë e hulumtimeve shkencore. Andaj, pushtetarët nuk u kënaqën me aq, por në mbledhjet e stërzgjatura vazhduan me diferencime ndaj ish- studentëve të tij.
Më 1983, diferencimi ideopolitik u thellua në Institut, dhe nga radhët e LKK-së u përjashtuan doktorantët e profesorit: Dr. Fehmi Rexhepi, Mr. Jusuf Bajraktari dhe Dr. Muhamet Shatri, ndërsa Dr. Seit Lipa u dënua me paraperjashtim nga LKK. Në vitin 1989 Dr. Muhamet Shatri u arrestua dhe u dërgua në izolim në Leskovc 3 muaj, kurse në korrik të vitit 1989 u detyrua të emigronte në Suedi. Më 1989, përsëri filloi një valë e re e diferencimeve, e cila punëtorët shkencorë të Institutit asesi nuk i anashkaloi. Nga radhët e LKK-së u përjashtua Dr. Tahir Abdyli dhe Dr. Fehmi Pushkolli. Qëllimi i krejt kësaj ishte shumë i qartë për të gjithë intelektualët, dhe popullin e Kosovës, që sa më shumë të diferencoheshin dhe të njolloseshin kuadrot shqiptare në Universitet dhe në institucione shkencore.
Në vazhdim do t’u referohemi shënimeve statistikore që i jep më vonë “Informata për aktivitetin ideopolitik të LK-së në Universitetin e Kosovës”, në janar 1983. Nga viti 1981-1983 nga procesi arsimoro-shkencor në Universitetin e Kosovës u larguan 25 mësimdhënës me grada të ndryshme shkencore, prej të cilëve tre ishin akademikë: Akademik Ali Hadri, Akademik Fehmi Agani, Akademik Gazmend Zajmi.
Në fakultete nuk mundën të regjistroheshin 157 kandidatë ( studentë), për shkak të papërshtatshmërisë ideopolitike. Gjatë vitit 1982-1983, 113 studentë nuk fituan të drejtën të vendoseshin në konvikte, 64 studentë u përjashtuan nga Qendra Studentore, 58 studentë u përjashtuan nga universiteti, pa të drejtë regjistrimi për një vit, 107 studentë morën vërejtje me shkrim dhe 54 studentë morën vërejtje.
Mirëpo, me këtë nuk mori fund procesi i diferencimit në Kosovë. Në atë dokument thuhej: “Në kuadër të diferencimit ideopolitik u arritën rezultate të dukshme në mesin e të rinjve, megjithëse ky proces edhe më tutje vazhdon”. Në vitet e mëvonshme kuadrot shqiptare u ballafaquan me probleme edhe më të mëdha. Cikle - cikle u përsëritën fushatat e spastrimeve të intelektualëve, tregtarëve, klerikëve, pastaj ishte e natyrshme që vinin edhe viktimat “e divorceve politike”, ish- luftëtarët, komunistet e me radhë pakë e nga pakë që të gjithë. Por s’duhet harruar se kishte viktima të diktaturës që kishin rënë jo për disidencë, por për motive të tjera absurde e deri të të rëndomtat, qoftë edhe, sepse kishin par diçka... kishin dëgjuar diçka... dinin diçka... Dhe lirshëm mund të thuhej se ajo periudhë e kaluar nën diktaturën jugosllave, ishte periudha më e vështirë e shqiptarëve.
Në Kosovë dhe në trojet shqiptare në ish- Jugosllavi, u organizonin procese të shumta gjyqësore politike kundër studentëve dhe intelektualëve por nuk u kursenin as të tjerët. Maksima “Bisogna spegnere questo cervello” ( duhet shuar ky tru), ishte futur në sistem dhe ishte legalizuar, dhe hapur e thoshin gjykatësit e pushtetarët serbë. Zemërimi, egoizmi, urrejtja e mllefi, instinkte këto, që në ato përmasa i gjen rrallë tek njerëzit.
Për çdo ditë e muaj numri i të diferencuarve siç ishin studentët e profesorët shtohej gjithnjë e më shumë. Kësaj i ndihmoi edhe më tepër dokumenti të cilin e miratoi Komiteti Krahinor i LKK-së në vitin 1985, që quhej “Kriteret për vërtetimin e përshtatshmërisë moralo-politike të studentëve”, që në vete përfshinte marrjen e masave ndaj studentëve dhe nxënësve që kryenin shkollat e mesme dhe donin të regjistroheshin në fakultete e shkolla të larta. Dokumenti në fjalë, sipas të gjitha rregullave ndërkombëtare, shkelte të drejtat elementare të njeriut. Në vazhdim do të japim vetëm disa nga kriteret që caktonte dokumenti:
1. Kualitetet moralo-politike për regjistrimin e studentëve nuk i plotësojnë këta kandidatë:
- të cilët janë marrë me forma të ndryshme të veprimtarisë armiqësore (anëtarët e organizatave e grupeve armiqësore, pjesëmarrësit e demonstratave, të cilët e kanë bojkotuar mësimin dhe të gjithë ata që në një mënyrë apo tjetër në mënyrë armiqësore kanë vepruar).
- të cilëve anëtarët e familjes së ngushtë (prindërit, vëllezërit dhe motrat), u janë marrë me veprimtari armiqësore, dhe të cilët publikisht nuk i kanë dënuar ato veprime, të cilët me punën dhe sjelljen e tyre të përditshme dëshmojnë se janë në ato pozicione dhe mbështesin veprimtarinë nga pozicioni i nacionalizmave të tjerë.
- të cilët në mënyrë ilegale kanë kaluar kufirin, e më vonë janë kthyer, dhe ata të cilët kanë tentuar të kalojnë kufirin.
2. Kualitetet moralo-politike për t’u vendosur në konvikte nuk i plotësojnë kandidatët sikurse nën pikën 1 dhe ata, të cilëve anëtarët e familjes së ngushtë janë marrë me ndonjë veprimtari armiqësore, sikurse edhe ata që janë të prirë për rrahje, pijanecë, hajni, për prishje të rendit dhe qetësisë.
3. Për realizimin e së drejtës për ndarjen e bursave, kredive studentore, bursave kadrovike, kredive nga fondi i Titosë, patjetër duhet të respektohet kriteri nga pika 1 dhe 2.
Besueshmëria e përshtatshmërisë moralo-politike e nxënësve dhe e studentëve vazhdimisht duhet të ishte nën kujdesin e organizatave politiko-shoqërore (Lidhjes Komuniste, Sindikatave, Lidhjes Socialiste, Lidhjes së Rinisë Socialiste dhe Komitetit për MPP dhe VMP), në bashkësitë lokale, shkollat e mesme, në organizatat e punës së bashkuar, në konviktet e studentëve, thuhej në dokument.
1. Të gjitha shkollat e mesme në fund të vitit shkollor duhet t’i kenë të evidencuar nxënësit, të cilët janë të papërshtatshëm sipas këtyre kritereve dhe këto duhet t’i kenë edhe të gjitha bashkësitë lokale. Komitetet për MPP dhe VMSH të shkollave dhe bashkësive lokale duhet të bëjnë bashkimin e këtyre të dhënave për mjedisin e tyre dhe t’ua vënë në dispozicion komiteteve komunale për MPP dhe VMP.
2. Komiteti për mbrojtje të përgjithshme popullore dhe për vetëmbrojtje shoqërore i Universitetit është obliguar ta realizojë këtë aksion me përgjegjësi me rastin e pranimit të studentëve në vitin e parë të studimeve, sikurse edhe për marrjen e masave për largimin e studentëve të viteve të vjetra të studimeve, sjellja e të cilëve vlerësohet negativisht në bazë të këtyre kritereve dhe në këtë aksion duhet të përfshihen të gjitha komitetet për mbrojtjen e përgjithshme popullore dhe për vetëmbrojtjen shoqërore, organizata e lidhjes së komunistëve dhe Lidhja e Rinisë Socialiste e të gjitha fakulteteve dhe shkollave të larta.
3. Organet e Universitetit, të fakulteteve dhe të shkollave të larta janë të obliguara ta respektojnë mendimin e komiteteve komunale për mbrojtje të përgjithshme popullore dhe vetëmbrojtje shoqërore dhe gjithë aktivitetit rreth realizimit të kësaj detyre përqendrohet në Komitetin e MPP dhe VMSH.
Në vazhdim do të japim vetëm një listë të maturantëve shqiptarë që u refuzuan për regjistrim në fakultete e shkolla të larta të Universitetit të Kosovës në Prishtinë, gjatë vitit 1981/82 gjerë më 1989/90.
Trajtimi i diferencimeve ideopolitike në shtypin jugosllav
Krahas shkrimeve të shtypit ilegal, Agjencia Tanjug në një lajm që jepte mbi gjendjen në Kosovë njoftonte se “situata është veçanërisht shqetësuese në Universitetin e Prishtinës”, ku me 12 maj 1981 u bënë përsëri demonstrata. TANJUG vë në dukje gjithashtu se “ deri tani asnjë profesor i Universitetit të Prishtinës ose akademik nuk ka kritikuar hapur veprimtarinë armiqësore dhe orvatjen për kundërrevolucion”. “U njoftua, vazhdon TANJUG, se janë hapur procese kundër 450 pjesëmarrësve në demonstrata dhe se 100 pjesëmarrës të tjerë të tyre do të ndiqen penalisht. Më shumë se 200 anëtarë të Lidhjes Komuniste janë përjashtuar nga radhët e LK të Kosovës.
Me 26 gusht (1981), i njëjti agjension njofton se “pushimet verore të nxënësve e studentëve në Kosovë më shumë kanë qenë “pushime pune” se sa “hedhje e librave në qoshe”. Ndërsa e vërteta ishte krejt ndryshe, por nuk e thoshin dot pushtetarët e tërbuar. Sipas të dhënave që kemi, del se e tërë vera e vitit 1981 ka qenë fushat e tërbuar e dënimeve, e represioneve, e burgimeve e dëbimeve nga puna e nga shkolla të mijëra nxënësve , studentëve, mësuesve e profesorëve shqiptarë. Sipas statistikave jugosllave, vetëm gjatë muajve të verës janë dënuar me burgim të rëndë 123 nxënës, studentë e mësues shqiptarë, më se 210 mësues janë pushuar nga puna, në një kohë kur kishte mungesa të mëdha pedagogësh, 1240 studentëve iu ndërprenë bursat, shumë të tjerëve iu heqë e drejta për të banuar në konvikte, ndërsa një masë e madhe studentësh, të cilët konsiderohen të dyshimtë, nuk do të pranohen në Universitet. Në prag të vitit të ri shkollor 1981/82 u njoftua pakësimi i 19% i numrit të studentëve në universitet si dhe mbyllja e Shkollës së Lartë Pedagogjike në Prishtinë dhe e Shkollës së Lartë Tregtare në Pejë. Mendojmë se këto të dhëna nuk ishin të plota sepse fushata e represionit ishte shumë më e madhe, më e gjerë dhe më e egër.
Sipas gazetës “Politika”, thuhej se “vetëm në shkollën e mesme të Deçanit u përjashtuan 6 profesor dhe 4 të tjerë iu ndalua që të japin mësim ngase disa anëtarë të familjeve të tyre kishin marrë pjesë në demonstrata”. Po në këtë vit u burgosën 6 profesor të cilët ishin dënuar nga 3-11 vjet burg, dhe 20 nxënës i përgatitnin që së shpejti ti nxjerrin para gjyqit.
Veç dënimeve dhe arrestimeve, pushtetarët u kujdesën me të madhe që të bëjnë një fushat kundër teksteve shkollore që u përdornin në shkollat shqipe. Vet kryetari i Kryesisë së RS të Serbisë, Dobrivoje Vidiç disa herë përsëriti dhe dha direktivën që të gjitha tekstet e autorëve shqiptarë me frymë kombëtare “të flakën nga shkollat, bibliotekat, nga depot dhe nga libraritë”. Njoftohet se nga Universiteti i Prishtinës janë hequr nga përdorimi mbi 20 tekste universitare, ndërsa për të tjerat kërkohet që të bëhet ndryshimi rrënjësor në përmbajtjen e tyre. Ata mendonin se ishte gabim i rëndë, fakti që në tekstet mësimore të historisë për shkollat fillore në Kosovë “heronjtë e popullit shqiptarë janë kryesisht luftëtarët e popullit shqiptarë për liri”.
Udhëheqja jugosllave e quan nacionaliste shfrytëzimin e literaturës nga Prishtina prej shqiptarëve të Maqedonisë. Dhe në fillim të vitit shkollor në Maqedoni u njoftua zyrtarisht se më nuk do të përdorën më librat e leximit në gjuhën shqipe. Po e njëjta fushat filloi edhe ndaj shqiptarëve në Mal të Zi. Ndërsa për masat represive që u ndërmorën në kuadrin e diferencimit politik, i quajtën “vetëm fillim i një programi afatgjatë” të sistemit okupues.
Masa të tilla diferencimi u morën edhe ndaj shqiptarëve të Maqedonisë. Në komunën e Kërçovës nga radhët e Lidhjes së Komunistëve u përjashtuan 9 anëtarë, 5 të tjerë u paralajmëruan për pushim nga puna, 4 u ndëshkuan me vërejtje. Në Tetovë veç proceseve gjyqësore që u organizuan ndaj shqiptarëve. U shpërnda kryesia e sh.k.a-së “Xheladin Zeqiri”, si dhe u vendos të shpërndahet shoqëria sportive “Shkëndija”.
Për aktivitetin e shtuar të ilegales flasin edhe shkrimet që i japin organet e informimit jugosllav, kur shkruajnë se “në natën e 8 korrikut në shumë bashkësi lokale të Tetovës u gjetën trakte në të cilat shkruhej se popullsia shqiptare nuk gëzon të drejtat e veta dhe i bëhej thirrje asaj për revoltë”, këto trakte nuk mungonin as në qendrat tjera të Kosovës e të Malit të Zi, gjithë andej ku banonin shqiptaret.
Të shumta ishin gjithashtu njoftimet për bojkotimin e mësimit e të provimeve nga ana e studentëve. Urrejtja ndaj çdo gjëje shqiptare kishte arritur deri atje sa në Këshillin e Komunave të Maqedonisë, u paraqit propozimi për ndryshimin e ligjit mbi përdorimin e flamurit shqiptar”. Arsyeja e këtij qëndrimi ishte fakti se nëpërmjet këtij flamuri në ngjarjet e vitit 1981 ishte manifestuar nacionalizmi dhe irredentizmi shqiptaromadh dhe se nën këtë flamur janë grumbulluar armiqtë e Jugosllavisë.
Të tilla thirrje dëgjoheshin çdo kund në mënyrë të organizuar nga shovinistët e përbetuar të popullit shqiptarë. Në një mbledhje të Kryesisë së Konferencës Krahinore të Lidhjes Socialiste të Punonjësve të Kosovës, të mbajtur me 17 korrik 1981, Mirosllav Llaziqi tha “Çështja e përdorimit të flamurit dhe e simboleve të tjera nacionaliste nuk është rregulluar përfundimisht”. Ai doli me një propozim të ri dhe kërkoi që të miratohet një ligj që “flamuri i kombësisë shqiptare në Kosovë të dallohet nga flamuri i Republikës Popullore të Shqipërisë”. Një propozim i tillë shkaktoi reagime të menjëhershme në sallë si dhe tek intelektualët shqiptar, sa që Kryesia e Konferencës Krahinore e LSPK-së, qe e detyruar që të shpallë një njoftim ku thuhej se ajo “e shikon si të pabazë çdo ngritje të çështjes së formës dhe të dukjes së flamurit të kombësisë shqiptare tek ne, ose çështjen e përdorimit të tij”.
Edhe pse në vazhdimësi u bënin diferencimet, përsëri diferencuesit ishin të pakënaqur dhe vazhdimisht kërkonin dhe ankoheshin për bojkotime, indiferentizëm në procesin e diferencimit, për përhapje traktesh, bile edhe për tentativa të reja për organizim të demonstratave. Me 2 korrik 1981, pushtetarët thoshin se në rrethin e Mitrovicës procesi i diferencimit ka ngelur vetëm në fjalë, për të vazhduar se gjatë procesit të diskutimeve në shumicën e organizatave- bazë të LK-së si në Gjilan, Tetovë, Gjakovë e Prizren është shfaqur një rezistencë pasive. Pasiviteti i anëtarëve të LKJ-së ka arritur në atë shkallë sa shumë anëtarë nuk marrin pjesë edhe në mbledhjet e organizatave bazë.
Megjithatë, me parullën e të ashtuquajtur diferencim politik, udhëheqja e Beogradit vazhduan edhe më vonë të marrin masa drastike kundër shqiptarëve në ish- Jugosllavi. Vetëm pesë muaj pas ngjarjeve të marsit , u morën masa represive si ndjekje penale , pushime e pezullime nga puna, ndaj 2.800 vetave, janë përjashtuar nga Lidhja e Komunistëve 1500 veta. Vetëm në Universitetin e Prishtinës u përjashtuan 365 veta.( edhe këto të dhëna duhet të merren me rezervë ngase edhe vetë udhëheqësit më vonë thoshin se të dhënat nuk janë të plota). Gjatë kësaj periudhe u shpërndan 20 organizata të LK-së, nga Lidhja e Rinisë u përjashtuan mbi 1000 të rinj shqiptar, qindra të tjerë u përjashtuan nga shkolla, pa përmendur këtu ata që ishin shkarkuar nga funksionet ose ishin dënuar me vërejtje të ndryshme.
Me 20 maj shtypi shqiptar njoftonte se Këshilli Ekzekutiv i Kosovës pranoi “dorëheqjen” e Pajazit Nushit, nënkryetar i këtij këshilli si dhe të Ymer Jakës, anëtar i Këshillit dhe sekretar krahinor për arsim, shkencë e kulturë”. Këto “dorëheqje” u arsyetuan me atë që TANJUG-u e quan “përgjegjësi funksionale politike për situatën e krijuar, sidomos në veprimtarinë arsimore e edukuese” në Kosovë. Intelektualët kudo që punonin dhe vepronin pushtetarët e ndjenin rrezikun nga ata. Duke u nisur nga kjo, procesit të diferencimit nuk i shpëtoi as Radiotelevizioni i Prishtinës. Nga kjo qendër e madhe e informimit u pushuan nga puna një numër i madh gazetarësh dhe teknikësh, u morën masa ndëshkuese ndaj shumë punonjësve, u bënë shumë ndryshime në vendet e punës. Nga Lidhja e Komunistëve u përjashtuan Skender Blakaj, Adem Salihu, Hamdi Gërvalla, Ismet Gashi, Isa Bahtiri, Sinan Kamberi, Xhafer Krasniqi, Nezir Vishi, Fehmi Sopi e shumë të tjerë. Po në këtë vit u kërkua që Radiotelevizioni i Prishtinës të shfuqizojë marrëveshjen dhe protokollin e bashkëpunimit për vitin 1981 me Radiotelevizionin e Tiranës.
Masat e diferencimit kanë prekur edhe shqiptarët e Malit të Zi, sidomos intelektualët e pakt që vepronin atje. Në komunën e Ulqinit këto masa kanë prekur shkollën e mesme “Bratstvo-Jedinstvo”, shkollën fillore “Bedri Elezaga” në Vlladimir dhe bashkësinë lokale Sukobinë. Nga LKJ-ja u përjashtuan 10 anëtarë, 7 të tjerë morën dënime të rënda, ndërsa 9 u pushuan nga puna. Të gjithë këta ishin punonjës të arsimit, dhe u dënuan për arsyen e thjesht se na paskëshin zhvilluar një seminar në gjuhën shqipe dhe kanë paraqitur kërkesa për më shumë të drejta dhe se në një mbledhje festive kanë kënduar Internacionalen, ku zëdhënësja jugosllave e lajmeve këto i cilëson si “predispozicion nacionalist dhe irredentist”.
Shtypja kombëtare, diskriminimi dhe reprezaljet kundër intelektualëve shqiptar pas ngjarjeve të marsit, haptas u ngritën në sistem nga Beogradi. Nga komunat Preshevë, Medvegjë e Bujanoc u arrestuan e dënuan me afate të ndryshme burgimi për pjesëmarrje në demonstrata dhjetëra e dhjetëra shqiptarë. Po për të njëjtat arsye, shumë nxënës e studentë u përjashtuan nga shkollat e fakultetet dhe një numri të madh iu ndërprenë bursat dhe humbën të drejtën për të banuar në konviktet studentore.
Pas vitit 1981, filloi një fushat e paparë ndaj intelektualëve e të tjerëve shqiptar, filloi ndjekja policore e diferencimi politik, jo vetëm kundër atyre që shkruanin shqip e posedonin libra shqip, por edhe kundër atyre që këndonin këngë shqip e që i përhapnin ato. Në një dokument thuhej se “rreziku nga arsimimi i shqiptarëve është për çdo ditë edhe më i madh. Shtrohet pyetja çfarë do të jetë funksioni i tyre në të ardhmen. Kur ata ( shqiptaret- SK-B.) të kthehen në mesin e popullit të vet, të arsimuar dhe njohës të të gjitha ligjeve pozitive, jo vetëm tonave, por edhe të shteteve fqinj. Për këtë duhet menduar mirë” përfundon dokumenti.
Nga e tërë kjo që u tha më lartë mund të konkludojmë se logjika e shovinizmit është e verbër. Acarimin dhe urrejtjen e brendshme që ndien njeriu shoven i merr për argumente të mjaftueshme për të bindur të tjerët. Në fushatat e tyre antishqiptare, ata nuk u përmbajtën të hedhin teza të tilla se lavdërimi i traditës së një kombi ( dhe fjala është gjithnjë për kombin shqiptarë), dëmton kombet e tjera . Sipas tyre letërsia, historiografia, dhe krejt kultura shqiptare duhet të jenë tepër të kujdesshme, që të mos acarojnë, të prekin dhe të fyejnë kombet e tjera, duke përmendur ngjarje dhe personalitete të shquara shqiptare.
Dhuna, terrori dhe diferencimet politike ndaj shqiptarëve arritën kulmin pas suprimimit të autonomisë së Kosovës kur, në fund të vitit 1990 iu ndërpre financimi Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, pastaj kështu u veprua edhe ndaj Institutit Albanologjik”. Më vonë, më 1992 u mor vendimi për suprimimin e Institutit të Historisë së Kosovës. Me ndalimin e mësimit në gjuhën shqipe në Universitetin e Kosovës, shkencëtarëve shqiptar iu bë e pamundshme puna në institucione shkencore të Universitetit, ndërsa me përjashtim nga puna të ekspertëve shqiptarë, shkencëtarëve shqiptarë iu bë i pamundshëm vazhdimi i punës në institutet shkencore.
Dhe krejt në fund, edhe pse shqiptarët u dënuan me vite të shumta burgimi, edhe pse ata u torturuan, u izoluan, u larguan nga puna, edhe pse u mbyllen institucionet arsimore e shkencore, edhe pse ata u diferencuan politikisht, megjithatë intelektualët shqiptar ia dolën të punojnë edhe kur nuk punohej dot, të veprojnë kur nuk veprohej fare dhe, nuk kishte forcë e as dhunë shtetërore e okupuesit që do ti ngufaste në gjakimin suprem të tyre, që Kosova një ditë të jetë shtet sovrane dhe e pavarur.
Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha
SUMMARY
DIFERENCIMET IDEOPOLITIKE NDAJ INTELEKTUALVE SHQIPTARË NË KOSOVË 1945-1990
Menjëherë pas përfundimit të LDB-së, por edhe në vitet në vijim, politika jugosllave me përpikëri aplikoi elaboratet e Vasa Çubilloviqit, duke u munduar që të likuidojë, të përndjek, të burgos dhe të diferencojë sa më shumë shqiptar. Diferencimet ideopolitike, erdhën në shprehje sidomos pas ngjarjeve të vitit 1981 e deri në fillim të luftës, 1999. Diferencimet antishqiptare nga ana e serbomëdhenjve me kohë kishin marrë përmasat e një fushate të paparë. Me verbërinë e tyre logjike dhe miopinë e paparë politike, për t’i arritur qëllimet e veta të ulëta, ata shërbeheshin me shpifje e insinuata më të paskrupullta, para të cilave do të mbetej i hutuar edhe Gebëlsi. Gjatë tërë periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore pushteti u angazhua me përpikëri që masës së gjerë t’i servirë dezinformata dhe të pavërteta lidhur me situatën politike në Kosovë. Propaganda si formë e të arriturave të qëllimeve politike ishte e futur në sistem dhe me anë të saj, si nëpërmjet shtypit, radios, televizionit, fjalimeve të ndryshme dhe botimeve gjoja shkencore, mobilizonte opinionin e gjerë për t’ia mbushur mendjen se shqiptaret ishin armiq të përbetuar të popullit sllav. Pushteti okupues trillonte dhe shpifte gjithçka kundër tyre. Qëllimi ishte që në arenën ndërkombëtare të krijoheshin opinione që përkrahnin gjenocidin dhe plojën mbi popullatën e pafajshme.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi