Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Naser Aliu: Dada Fatë

Shko poshtë

Naser Aliu: Dada Fatë Empty Naser Aliu: Dada Fatë

Mesazh nga Agim Gashi Thu Jan 07, 2010 2:41 am


Naser Aliu: Dada Fatë U1_NaserAliuNaser Aliu

Dada Fatë

“Eh more Xhemë, filani kishte lidhur gruan në
krevat, ia kishte mbyllur sytë me një shami dhe
kështu ia kishte bërë atë punë...marrja e Zotit...!”
Dada Fata


Burri
i saj punonte në fabrikën e bukës dhe ishte i vetmi në lagje, që
ndihmonte gruan në punët e shtëpisë. I shkundte jorganët, batanijet dhe
ajroste jastëkët, thua se po bënte punën më të zakonshme në botë dhe
nuk brengosej kurrë për mendimet e tjerëve. Në lagjen tonë, mirëpo, kjo
konsiderohej tradhti ndaj gjinisë fisnike dhe sipërore. Burri i dadës
Fatë ishte një njeri me shije, me sqimë dhe me humor. Të tjerët e
shikonin atë me nënçmim për humbjen e burrnisë, mirëpo, gratë kishin
simpati, edhe pse edhe ato para burrave talleshin me sjelljet e tij.
Këtë e kishin detyrë.
Vetëm Micka, një plakë maqedone, pat thënë hapur: “ Lum ajo, që ka një burrë të tillë!”
Lagjja
jonë ishte gati komplete dhe shumë ekzotike. Aty gjendeshin njëzetë
shtëpi shqiptare, pesë shtëpi maqedone, një shtëpi turke, dy shtëpi
serbe, një shtëpi rome, një pomak dhe një grek i sllavizuar, me
bashkëshorten maqedonase. Në fund të rrugës, banonte popi maqedon me
mjekër të madhe. Nga popi fëmijët kishin frikë. Në lagje thuhej se nëse
popi t´i numëron dhëmbët, ata të bien. Kur kalonte ai pranë, të gjithë
mbyllnin gojën ose vinin dorën para.
Në fillim të rrugës gjendej
shtëpia e hoxhës, ngjit me shtëpinë e tij fallxhorja, pasonte halla
Liqe, që me zhivë dhe pluhura tjera prodhonte prodhime kozmetike për
gratë. Të kuq dhe të bardhë. Flitej se këtë punë e kishte mësuar nga
nëna e saj, domethënë se ishte një pararendës e Yves Rocher. I ndante
rrugica e gjerë gati dy hapa dhe përballë saj gjendej shtëpia e Zekës,
që ishte i verbët dhe djalin e kishte të burgosur në Austri, mirëpo
familja e tij thoshte se është duke punuar në një ujdhesë dhe as nuk
mund të telefonojë, as të vijë në pushim...
Rrugët brenda në
lagje ishin aq të ngushta, sa kur vinin qerret me drunj, shkarkoheshin
në rrugën kryesore dhe fëmijët me nënat i bartnin në oborret e tyre,
deri sa burrat tymosnin cigare dhe shqetësoheshin për çmimet. Menjëherë
në dalje të lagjes, majtas, ishte shitorja “Napredak”, ku blihej pa
parà, por shkruhej në një fletore. Njëzet hapa larg tij, floktari dhe
rrobaqepësi. Nja dhjetë minuta larg lagjes gjendej shkolla “Vëllazërim
- Bashkimi”. Maqedonët ndërtuan një të re për veten dhe në të vjetrën u
shpërngulën nxënësit shqiptarë, sepse në shkollën tjetër, akoma më e
vjetër se kjo e vjetra e re, ishin nga dyzetë nxënës shqiptarë në një
klasë.


Dada
Fatë ka vdekur para njëmbëdhjetë viteve, ndjesë pastë dhe i faltë Zoti
gabimet me martesat! Ishte si një gazetë e vërtetë bulevardeske. Lajmet
më të reja i mësonte e para. Ajo e para merrte vesh, kur një djalë i
dashuruar hidhte ndonjë letër vajzave në oborret me mure të larta, si
të kështjellave; muri i xha Nefailit ishte më i madhi, mbi dy metra dhe
shumë i trashë, gati si muri kinez. Postieri duhej të kërcente disa
herë për ta hedhur një letër brenda në oborr. Kur frynte era, letra i
kthehej prapa dhe ai fliste me vete me zë të ulët, ofshante, shante dhe
kërcente përsëri, sepse gjersa mixha Nefail ishte në punë, gruaja e tij
vështronte vetëm nga plasat e dërrasave të portës së madhe, mirëpo
derën nuk ua hapte kurrë, askujt...Edhe nëse i dilte shpirti dikujt për
ujë! Kur ishte në katin e dytë, largonte vetëm një cep të perdes si
trekëndësh në skaj të dritares, shikonte vetëm me njërin sy dhe e
lëshonte përsëri perden, pa u lajmëruar. Kur dilnin në qytet xha
Nefaili ecte para, ajo nja dhjetë hapa pas duke shikuar vetëm këpucët.
Ecja e tillë pat ndikuar që një herë xha Nefaili të hip në autobusin e
parë, nusja e tij në të dytin, që ishte ndalur menjëherë pas tjetrit.
Xha Nefaili kishte zbritur diku në drejtim të Tetovës, nusja e tij diku
në drejtim të Gjilanit! Se si ishin gjetur përsëri, askush nuk e dinte.
Kur
xha Nefaili pat punuar në Zvicër, fëmijët kishin nxjerrë një letër me
shkop përjashta dhe ishim shastisur se çka kishin lexuar aty. Nuk ishte
ai xha Nefail, që njihej. Jo ai i mërroluri, që nuk përshëndeste as
fqinjët. Në letër ishte shumë i drejtpërdrejtë dhe i shkruante fill e
për pe çka do t´i bënte gruas kur të vijë në pushime! Dada Fatë
fshehtas e quante atë Vizatimor, sepse kishte hundën shumë të gjatë dhe
veshët si petulla. Kjo marre e madhe e letrës u mor vesh në lagje dhe
kunati i saj iu pat kërcënuar postierit dhe mu kjo ishte arsyeja, pse
ai duhej të kërcente si kangur për ta hedhur letrën në oborr.


Dada
Fatë luftonte me zell martesat me dashuri. Sipas saj të rinjtë nuk
dinin të zgjedhin dhe nuk shikonin lozën e familjes. “Të rinjtë
kërkonin vetëm bukuri, por jo edhe mençuri!”, thoshte ajo. Burrat
tundnin kokën në shenjë pajtimi.
Ajo kuptonte e para kur grat
refuzonin burrat e tyre në shtrat. Vraponte menjëherë kur shihte
fytyrat e grave të mavijosura apo me bullunga dhe i ngushëllonte. Ajo
nuk kishte frikë t´i qortojë edhe burrat. Kur gratë mavijoseshin, halla
Liqe shiste më shumë produkte kozmetike. Krejt djemtë dhe vajzat e
lagjes ishin martuar duke pasur si shkuese dadën Fatë. Ajo nuk pranonte
dinarë të Jugosllavisë për punën e saj. Nuk kishte besim në dinarin dhe
stabilitetin e tij. Merrte vetëm franga të Zvicrës ose marka gjermane.
Për liretat italiane, as nuk dëshironte të dëgjojë! Zakonisht më shumë
se tre muaj nuk zgjaste puna e saj dhe i përfundonte me sukses. Të
gjitha! Për ndonjë rast të vështirë nuk ngurronte të konsultojë:
hoxhën, popin dhe fallxhoren.
Burrat kishin shumë respekt ndaj saj,
madje edhe frikë, sepse dada Fatë i dinte edhe ëndrrat dhe dëshirat e
tyre nokturne. Dhe, nuk kishte fare turp tua thoshte në sy. Nuk i
thoshte drejt për drejt njeriut, që dëshironte ta korrigjojë, por
merrte shembull një njeri të panjohur për lagjen.
“Xhemë, a dëgjove se në lagjen e poshtme ishin prishë njerëzit!”
“Pse
dada Fatë?!” Të gjithë e thërrisnin dada Fatë dhe arsyeja nuk dihet.
Kjo u mbetet historianëve të Maqedonisë ta zbulojnë! Ata dinë ta bëjnë
këtë! Madje, as emri Fatë nuk ishte i plotë!
“Eh more Xhemë, filani
kishte lidhur gruan në krevat, ia kishte mbyllur sytë me një shami dhe
kështu ia kishte bërë atë punë...marrja e Zotit...! A lidhet njeriu si
kafsha?! Së paku në ato çaste njeriu duhet ta ketë lirinë e lëvizjes,
Xhemo...!”
Xhema qe skuqur dhe pat ikur duke menduar se edhe dikush
tjetër paska fantazitë e tija. Ajo në një farë mënyre mbikëqyrte
sjelljet e burrave dhe frenonte trasgresionet e tyre.
“ Ah, sot kam fantazi të ndyta”, bërtiste ajo në oborrin e vet.

Ah sikur t´i zija popin dhe hoxhën, do tua kisha bërë prapanicat
pambuk e mavi! Qe katër muaj bën acar...A durohet kjo?!” Burrat e
vështironin me buzëqeshje dhe me droje, sillnin kokën e përshëndesnin
dhe nuk pyesnin gjë duke pasur frikë se mund të zgjatej biseda. I vetmi
oborr shqiptar pa mur të madh, por me një rrethojë të ulët, ishte ai i
dadës Fatë. Kur i amputuan këmbën Titos, e para përhapi lajmin në lagje
dhe shkurtimin e këmbës së Josip Brozit e shpjegoi ndryshe nga të
tjerët: “ Tito me një këmbë u bë dreq dhe kjo nuk është shenjë e mirë
për ardhmërinë e Jugosllavisë! Do të na hajë dreqi”
Edhe lajmin për
Enver Hoxhën e para e shpërndau në lagje. “ Iku bukuroshi!”, tha ajo. “
Do të vijnë njerëz të keç, se më i bukur se ai nuk mund të ketë, dhe
ata do të duken si gogol që vejmë nëpër ara për t´i trembur sorrat!
Shqipnia do të hekë shumë, derisa ta gjejë burrin e vërtetë...!”
Ajo
e donte shumë Enver Hoxhën dhe fëmijët e lagjes akoma pa ditur se çka
ishte partia, recitonin përmendsh poezinë, që ua kishte mësuar: “Jam i
vogël kuxha s´di, veç dy fjalë për parti, për parti për Shipni”, dhe në
fund bërtitej: “Për flamurin kuç e ziiiii!”


Xhemi
mbaroi fakultetin ekonomik dhe nusen ia gjeti ajo. Remziu, gazetar,
poet, gjithashtu pat trokitur te dera e saj. Ai pat porositur një nuse
jo të bukur dhe jo me më shumë se tetë vjet shkollë. Kishte frikë nga
gratë e mençura dhe të bukura. Ai kishte dy bindje të pandryshueshme
para martese: “Gruan e bukur ta shikon bota dhe, gruaja e mençur nuk
bën, të mashtron ose ta mashtrojnë, tregu mashkullor nuk është
indiferent ndaj saj!”, thoshte ai. Kështu ka thënë edhe Molieri
përsëriste ai vazhdimisht:” Nëse ke grua të ditur, të vizitojnë njerëz
të ndritur!” Prandaj ai parapëlqente grua që nuk e shikon askush me sy
dhe me mençuri shumë të vogël. Kështu ndjehej i sigurt se nuk i vihen
brinjët!
Remziu pas shumë viteve e kuptoi se me poezitë e tija, nuk
mahnitin asnjë lexues dhe hoqi dorë. Katër vite pas martesës, kuptoi se
me zgjedhjen e nuses kishte gabuar dhe i dhimbeshin një mijë markat.
Pastaj nusja e tij nuk lexonte asnjë rresht, që shkruante ai. Flitej se
tani, as ai nuk e shikon me sy gruan e vet dhe kthehej në shtëpi shumë
herë i dehur, natën vonë...
“Më mashtroi Molieri”, thoshte. Kur
fëmijët e thërrisnin për darkë, gjersa ai luante shah para dere me
ekonomistin, u thoshte atyre: “Thoni shtrigës të presë edhe gjysmë
ore!”, dhe vazhdonte lojën. Shtrigë e thërriste nënën e tij edhe djali
i vogël.


Dema,
profesor i shqipes, edhe ky iu lutë dadës Fatë për nuse dhe u mor vesh
në lagje se pagoi gati tri rroga, natyrisht pasi i kishte ndërruar në
franga. Ky ishte i vetmi, që ishte i kënaqur me nusen e vet. Bedriu,
profesor i marksizmit në gjimnaz, pas gjashtë viteve i dha gruas një
strajcë në dorë me ca rrobe, i ndali tre fëmijët në shtëpi dhe dëboi
gruan, madje as paratë për autobus nuk ia kishte dhënë me vete. E dëboi
si refugjate dhe i anuloi përgjithmonë të drejtën e qëndrimit me
fëmijët e saj! Ajo qe kthyer në këmbë dhe me lot dhe nuk u martua më
kurrë. Jetën e kaloi te vëllai, por nuk kishte të drejtë t´i shohë
fëmijët e vet. Ata, vetëm pas martesave morën guximin ta vizitojnë
nënën e tyre, njëri pas tjetrit.


Ky
rast ka peshë të veçantë se pat mbledhur dhe çuar peshë pleqtë e
lagjes. Ai e akuzonte dadën Fatë për mashtrim. Nusja nuk kishte qenë aq
e bukur, si në fotografi. Ai kishte parë nusen e tij vetëm nga larg, si
hije, si fantazmë dhe ajo ishte futur shpejt në shtëpinë e mallrave.
Profesori i gjimnazit ia kërkonte paratë dadës Fatë, njëmijë franga
zvicerane. Ajo nuk pajtohej. Thoshte se ka parë nusen nga larg, e
vërtetë, por fotografinë e ka parë nga afër, edhe kjo e vërtetë!
“Edhe
nëse përmbyset toka, nuk i kthej!”, kishte thënë prerë, madje pat
shtuar pa kokërr frike:” U bëftë gjaku deri në gjunjë...Pesë vjet është
kënaqur! Parà nuk ka!”
Profesori nguli këmbë dhe gjendja qe
tendosur. Në fund u mblodhën pleqtë dhe pas disa orëve diskutim, kishin
marrë një vendim. Të rinjtë trishtoheshin në lagje, se mund të plaste
lufta qytetare në mëhallë. Disa kishin pushkë gjuetie apo dikush edhe
revole. Djemtë kishin frikë se mund ta vrasin dadën Fatë dhe mbeten pa
nuse. Në lagje nuk kishte pasardhëse tjetër të denjë dhe kishte rrezik
se në lagje, nuk dëgjohet më zhurmë daulleje!
Profesori kishte pesë
vëllezër. Dada Fatë gjashtë kunatë. Në fund pleqtë kishin ardhur në
përfundim se ajo duhet t´i kthejë pesëqind franga, gjysmën.
Dada
Fatë kundërshtoi në fillim, por burri e pat lutur dhe ajo në fund u
pajtua, por jo sipas planit të pleqve, por të sajin: “paratë do t´i
kthejë vetëm me këste dhe pa kamatë: brenda pesë muajve dhe jo me
franga, por me dinarë.” Ashtu u bë. Ndërkohë kursi pat ndryshuar dhe
dinari rrëshqiste keq e më keq, sa me dyqind franga bliheshin aq shumë
dinarë sa më parë me pesëqind. Dhe, rrëshqitja do të vazhdojë, thoshin
të rriturit...
Vendimi i pleqve ndikoi në ndryshimin e tarifave si
dhe procedurën. Dada Fatë nuk bëhej shkuese nëse kandidati nuk
deklarohej para dy vetave se, edhe pas shkurorëzimit, nuk do të kërkojë
paratë. Tarifa ndryshoi pas një jave. Tani kushtonte 1500 franga apo
1500 marka gjermane. Pas një viti, burri saj bleu një Mercedes. Lagjja
nuk u revoltua, sepse atyre viteve për martesë, në lagjen tonë, ishin
kryesisht vajzat dhe paguanin ata të lagjeve tjera. Nga mbarimi i
viteve shtatëdhjetë dada Fatë u pensionua para kohe. Jo nga dëshira,
por e prekur në sedër. Vajzën më të bukur të lagjes, që sapo mbaroi
gjimnazin, e kishte fejuar me një djalë që punonte në Zvicër. Djali
kishte këmbën e djathtë pakëz më të shkurtër se të majtën dhe ecte duke
u luhatur lehtë. Babit të saj i pat thënë se djali ishte shumë i pasur,
kishte leje qëndrimi në Zvicër dhe ecja e tij ishte shumë elegante, e
posaçme, karakteristike dhe linte përshtypjen e një vallëzimi të lehtë
dhe të hareshëm. Drita iku nga shtëpia dhe u martua me profesorin e vet
të edukatës fizike. Këtu dada Fatë kuptoi se profesionit të saj po i
vinte fundi dhe një javë mbajti kokën të lidhur me një shami. Në lagje
flitej se u desh t´i kthejë tremijë franga zvicerane.
Para këtij
dëshpërimi të madh, ajo pat përjetuar edhe një prishje të fejesës. Pat
fejuar Lirinë me një burrë të pjekur, shumë të matur, shumë të mençur,
fjalëpakë dhe shumë serioz. Kështu e pat përshkruar ajo. Liria kishte
18 vjet. Burri i pjekur 33. Ajo ishte shumë sedërmadhe dhe nuk duroi
çnderimin, përbaltjen dhe degradimin e profesionit dhe dha dorëheqje pa
pritur goditjen e tretë...














Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi