Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Vullnet Mato: SHPAGA E PËRDHUNIMIT

Shko poshtë

Vullnet Mato: SHPAGA E PËRDHUNIMIT Empty Vullnet Mato: SHPAGA E PËRDHUNIMIT

Mesazh nga Agim Gashi Thu Jan 07, 2010 12:12 pm

Vullnet Mato: SHPAGA E PËRDHUNIMIT 12441_1135744604981_1568334934_30292397_345785_n
Vullnet Mato

SHPAGA E PËRDHUNIMIT

-Tregim-
Isha dhjet vjeç atëherë. Kisha shkuar për pak ditë te shtëpia e gjyshes nga nëna në fshat dhe sapo zgjohesha nga gjumi i mesditës. Muret e shtëpisë së vjetër kishin të çara aq të mëdha, sa mund të dëgjohej fare mirë çdo fjalë që thuhej në dhomën tjetër. Gratë matanë bisedonin me zëra tronditës, për një ngjarje që më bëri të rrëqethem:

-Derveni e zuri kunatën e vogël me pahir, kur e motra kish marrë kalistirin e kish dalë që pa gdhirë të potiste bahçet e kjo qe akoma në jatak… -tha gjyshe Taibeja me një zë krejt të prishur.
-Sa vjeç ishte, korba ? - pyeti njëra nga gratë.
-Sapo kish shkelur në të katërmbëdhjetat. -u gjegj zëri i gjyshes Taibe.
Gratë shpërthyen njëra pas tjetrës:
-Ua, ua, ua, ç'bëri gomari, gomari !...
-Fëmijës së tij ia bëri atë punë, sojsëzi!...
-Motrën e gruas ai e kish si motrën e tij, si s'pati një çikë turp, maskarai !...
Pastaj gjyshja u tha grave, se vajza i kishte treguar vetëm asaj dhe askujt tjetër në rrethin familjar.
-Edhe mua, më dëftoi vetëm kur e pikasa që kish filluar t'i anjtej barku. Pak i anjtur, jo shumë, po gjene kuptohej. Nuk e kish më atë mesin e hollë si gjishti i unazës... -tha zëri i gjyshes. -E mora Melushen mënjanë e i thaç të më zbulonte barkun. Nuku donte. Kish shumë turp. Klidhosa derën me kiç dhe i zglidha tumanet. Shtrëngonte oshkurin e nuku donte për qamet. I thaç: "Hajde, të pastë nana, hë, paç uratën, qasu dëftoma mua të fshehurën që mban atje bërna, se të bëj derman të shpëtosh nga e liga." Atëherë më la i hoqa mbathlat dhe ia zbulova barkun të gjithë. I dukej tojdho si pjepër i vogël, po tamam bark barre. U pataksa, m'u errën sytë e u alivanosa nga ajo gjëmë që kish mbirë e po rritej në barkun e vajzës axhami. Atje bërna rritej sherri dhe kuja e llahtarisur që do plaste një ditë në shtëpinë tonë. Atje bërna barkut të saj ishin fshehur vrasjet dhe vdekjet e kësaj shtëpie të madhe…
-Kallogreja ajo, kallogreja !...-tha zëri i irrituar i një gruaje.
-E mora Melushen me të mirë e i thaçë, mos u bëj merak se unë di ca marifete, që jo vetëm të shpëtosh, po edhe të mos e marri vesh ytat e jotëmë. Po dëftomë më përpara, kush ta bëri atë palopunë dhe si ta bëri... Melushja e kish karfosur gojën e zuri të klante. Po unë i fërkova kokën, e mora me të mirë, dhe ajo ma molloisi fill e për pe ukubetin e zi. Nga ato hupe që zbrazi goja e saj, m'u bë sikur ra tavani e më zuri nënvete. Derveni i kish zbuluar papllomën në gjumë dhe si e kish parë ashtu pilikuri me kombinezonin e hollë të natës, i kish mbyllur golën me dorë dhe ia kish hipur përsipër. Sefte vajza e përgjumur kish shklyer sytë e llahtarisur nga njeriu që iu fut papandehur në jatak dhe s’merrte vesh ç'bënej. Po kur Derveni i zglidhi brekët me pahir, e këptoi të keqen...
-Gomari, gomari, ç'bëri ashtu hajvani! -tha një grua.
-Kushedi ç'ka hequr ajo e mjera... -tha tjetra.
-"Më zaptoi si ulk i tërbuar me sy të kuq, -më tha vajza e pamësuar me nga këto huqe burrash, -më shtrëngonte, më cimbiste, më lëpinte e më ndukte mishrat me dhëmbë, sikur donte të më kullufiste të tërën..."
-Ua, ua, ruana zot mendtë e kokës, paska pasur nepsin e hamshorit të tërbuar edhe me fëmilën!
-Po si e duroi dot kërthija gjithatë dem balash përsipër!
-“M'u duk sikur më futi nga poshtë një thikë të madhe të skuqur në zjarr", më tha vajza, -vazhdoi zëri i gjyshes Taibe. -Doemos vajzë e vogël, e pahapur, pastaj Derveni ishte sa një derr i majmur me misir korite dhe e shkarfosi përnjëherë...
-Pu, pu, pu, ç'i panë sytë të mjerës ! Vërtetë ai i femrës është si llastik, po në atë moshë aguridhe qëllon që edhe çahet...
-I kish plasur gjaku pizgë, po ai gomari e kish vënë ta lante njollën me sapun e ta thante në oxhak. –u dëgjua gjyshe Taibeja me zë të dhimbshëm.
-Jazëk i qoftë, atij mashkulli të fëlliqur, si përdhoset ashtu kurmi i vajzës njomështirë?
-Korba ajo, korba ajo miturishte ç’ka hequr! -tha zëri tjetër. –As dashi që është bagëti, nuk e ndërzen kurrë shelegen kërthi…
-Prisni pak, -tha befas gjyshe Taibeja, -sa të shoh matanë, se mos është zgluar nga gjumi ai nipi që më ka ardhur dje e i dëgjon këto hupe...
Unë i ktheva shpinën derës dhe qëndrova symbyllur, sikur isha në gjumë të thellë, po veshët i mbaja ngrehur si të lepurit.
-Moj, po mori vesh gjë e motra?
-Melushe korba nuk dinte ç'të bënte, - vazhdoi rëfimin gjyshja. - T'i dëftonte së motrës, apo jo. Derveni e kish tromaksur: “Po i the gjë sat motre, atë e ndava ta dërgonj tek jotëmë dhe ty të mbyta në lumë...” Nuk dinte ç'të bënte e mjera dhe e klidhosi gojën deri atë ditë që m'u hap mua.
-Më vjen çudi, si u mbars ajo vajzë aq e re, vetëm me një të rënë burri ?! -tha zëri i njërës prej grave.
-Jo, jo vetëm me një të rënë, jo. -shpjegoi zëri i gjyshes Taibe. -Më pas ai e gënjeu vajzën. Kish blerë dy fustane të shtrenjtë, për të e për të shoqen. Dhe sa herë shkonte në pazar, blinte shamia, sapune venus, livando e kufeta për të dyja. Kështu kishte gjetur raste dhe e kish bërë edhe ca herë të tjera, derisa vajza u mësua. Doemos, atij nuk i thosh lepe-peqe, po nuku kundërshtonte aq shumë kur e zinte me pahir…
-Epo, aq e ka fëmra, është si shishja, po u hap, kërkon të zbrazet... -tha zëri tjetër. – Dhe atje ku futet gjëlpëra e mashkullit futet edhe peri i mbarsjes…
-Eh, sa m'u prish gjaku, sa u sëkëlldisa e sa rashë në siklet me Melushen e mjerë. S'dija si të bëja. Ajo mbante në bark farën e burrit të motrës... Hall edhe po t'i bëja derman ta kërrente. Qe mbi tre muajshe dhe jo që do kuptohej nga të gjithë të shtëpisë, po edhe mund të vdiste. Po, po, do vdiste nga rrjedhja e gjakut pa një pa dy, se ashtu e kishin pësuar edhe gra të tjera që kishin dështuar kur u qe rritur fëmila në bark. Dhe më shkoi mendja për një marifet tjetër. Gjeta një brez mëndafshi të gjerë dhe ia përmblodha barkun, aq sa s'binte fare në sy. Më pas u thaç grave të shtëpisë, se i qenë bledhur zakonet që ahere që u sumur nga gripi. Po do t'i vinin gjene më vonë, se ish e vogël nga mosha. E mora e ja vura stromën e papllomën të flinte në dhomën time. I bëja hizmet vet dhe e ruaja deri sa të mbushte muajt, ta kërrente bashton, ta hidhnim gjëkundi në nonjë gropë e të lefterosej. Mirëpo nusja e vëllait të saj, Reçit, diç këptoi. Ajo shkonte keq me të shtëpisë dhe bënte ç'bënte, ia hidhte sytë te barku e përgjonte.
-Lanet pastë! Grua e të kish atë shpirt... -tha zëri i njërës.
-Mbante inat me vjehërrin e vjehërrën, që nuk e deshën përpara martesës, për ca fjalë që i kishin dalë. Po Reçi kish ngulur këmbë ta mbante dhe tani ajo kërkonte të merrte hak me ta . -tha gjyshe Taibeja. -Muajt e fundit e mbajta Melushen shtrirë, gjoja ish e sumurë. Po qëlloi ajo ditë, kur shkova të pajgoris në varrimin e Madanit, dhe atë kallogrenë e zunë të prerat. Vajti vet në halé. Shtërzohu e shtërzohu, gjersa i dollën sytë kllokomaqe dhe e lëshoi plluq në llagëmin e nevojtores...
-Ua, ua, aman o zot, ç'thua, moj korbë !...
-Po, moj, po, e lëshoi në llagëmin e mbushur plot dhe foshnja zuri të klante pa pushuar, au, au, au! E dëgjoi nusja e të vëllait dhe briti nëpër shtëpi sa u tundën muret me një zë si kukumjaçe: "E hodhi bashton, moj, e hodhi në gropën e halesë !" dhe shkoi i tha të shoqit. Reçi, po i egër siç ish, vajti mori kazmanë, zbuloi rrasat përsipër llagëmit dhe e gjeti. Bashtua ish sa një lepur i rjepur dhe kish vdekur. Ai ua tregoi lepurin të tërëve. Pastaj e atë korbën lehonë e ngritën nga jataku, ku dergjej me zorrët nëpër këmbë dhe e shtrënguan t’u dëftonte me kë e kish. Dhe ajo nga e keqja ua dëftoi të gjitha...
-Pu, pu, pu, ç'janë këto ukubete që na mollois, moj grua?
-Dale, dale, -tha zëri i gjyshes Taibe. -Kur u ktheva nga pajgoria, më luajti fiqiri nga fesati që kish plasur në shtëpi e sa s’u çmënda. Ishin prishur të tërë nga çehreja. Njëri thosh të shkojmë të vrasim Dervenin, tjetri t'i djegim shtëpinë. Gratë çirrnin faqet e burrave u kullonte farmak nga hundët, shuaj e ndiz cingarro nga sëkëlldia. E ëma kish zënë qoshenë dhe klante me kuje për turpin që u kish rënë mbi kokë. Si më e vjetër që isha, u bëra rixha të përmbaheshin sa të zbuteshin gjakrat e të mos e merrnin vesh gjitonët, se do bëheshim gazi i dunëjasë, të na mbante në golë tërë fshati. Pu, pu, për ato siklete e adhape që hoqëm...
-Po ai qelbësira andej nga e motra, s'kish marrë vesh gjë? -pyeti zëri tjetër.
-Nuk dua ta fëlliq golën më shumë me ëmrin e tij, po kish marrë, -tha gjyshja. -E shoqja ish bërë merak dhe kish ardhur të shohë të motrën e sëmurë. Unë ia mbusha mendjen, se i qenë mbledhur zakonet dhe do bëhej më mirë. Ajo ia kish treguar atij dhe ai, që e dinte zararin që kish bërë mbi kurmin e saj, iku andej nga mali i Saraqinit e Likojanit. U bashkua me çetat gjoja për të luftuar, po hallin e kish të shpëtonej nga zallamahia e minës që do plaste një ditë...
-Uh, maskarai, cipëplasuri! Ç’janë këta meshkuj kështu, që u daltë një murdallëk mu në atë vënd! Se edhe qeni që është qen, nuk shkon me të kasolles së tij...
-Në shtëpinë tënë pllakosi mënxyra e vdekjes. -vazhdoi gjyshe Taibeja. -Ishnë errur, ishin nxirë e ishin vrerosur i tërë buluku aq sa, t'i prisje, gjaku s'u dilte. Po asnjë llaf nuk nxorrën jashtë mureve të dëgjonin gjitonët dhe as i ranë në sy Dervenit. Qëlloi një ditë në vakt të akshamit, që çeta kaloi në dhromin sipër shtëpisë dhe Reçi dëgjoi zërin e Dervenit. I doli përpara me të qeshur dhe e zuri për qafe, sikur s'kish ngjarë gjë prej gjëje. I tha, bujrum nga shtëpia, ta pimë nga një bardhak me raki. Dhe ai budallai u gënjye. Erdhi...
-Si moj, si erdhi ?!...
-Erdhi, se e pruri zoti, për të larë turpin, -tha Gjyshe Taibeja dhe psherëtiu. -E pritën me tërë të mirat. Reçi theri një sheleg dhe atë natë burrat ia shtruan të gëzuar, që erdhi dita të vinej në vend nderi i shtëpisë. Ajo gosti me sufranë plot ishte për mortjen e tij. Po ai s'kish këptuar gjë. Gjëma e priste në sabah. Sa u përshëndosh me të shtëpisë e zdrigji shkallët, Reçi nga prapa i thërriti nga kreu i shkallëve me dufek në duar: "Dëgjo o Derven lapërdhari, kështu shkërdhehet motra e gruas që të dhamë, jo ashtu siç bëre ti !" Dhe shkrehu përmbi të tre fushekë rradhazi. Kur ai u gremis e u rrukullis shkallëve, Reçi rrëmbeu të motrën për krahu nga bërna shtëpisë dhe e xorri xvarrë që ta shihte gjunahqarin të vdekur. Po në kohën që mbushi dyfekun prapë, ajo kallogreja e këptoi dhe vrapoi xathur nëpër avllinë e shtruar me pllaka guri. Porta e jashtme qe klidhosur që në darkë, për të mos dalë njeri përjashta pa u bërë gjëma. Dufeku bamp, e Melushja vraponte e këcente si sorkadhja e mbyllur në gardh, sa në një anë në tjetrën e nuk e zinte plumbi. Alurinte: "Amani, mos e lini të më vrasi edhe mua, amani !" Eh, më ndjeftë perëndia, kur s’mu ça zëmra aty në atë vënd e s’luajta fare nga fiqiri, paskesha klënë shumë e fortë… Dufeku, bamp për të pestën herë, ciflat e gurëve ngriheshin rëpjetë e atë nuk zinte plumbi për qamet. Ishte e pafajshme korba… uh! -ofshajti Gjyshja dhe ndaloi një copë herë, se iu zu fryma. U kuptua që qante. Gratë e qëtësuan pak nga pak dhe pastaj ajo tha me zë të coptuar: - Kur vajti korba e u fut te koçeku i misirit në fund të avllisë, Reçi shkoi ia zbrazi dufekun përmbi kokë. Pastaj e hoqi xvarrë, e hodhi si nonjë cergë afër Dervenit dhe shkoi lajmëroi në komune t'i shihnin të vrarë të dy... Ja, kështu, me këtë gjëmë të zezë u bitis e u mbyll ai turp... Vetëm zoti që është atje sipër e di sa lot kam derdhur për atë vajzë errmi, unë që derimë atë ditë s’e kisha lënë veten të më pikonte loti mbi mjekër…
-Po e motra ? -pyeti dikush nga gratë.
-U kthye në shtëpi vetëm fare, se fëmilët ia bajtën vëllazëria e Dervenit...
* * *
Për shumë vite më ka gjëmuar në kujtesë zëri i zvargur, gati i përqarë i gjyshes Taibe. Derisa subjekti makabër i kësaj ngjarjeje tragjike të shkruar në trurin tim, të kalonte lirshëm nga truri në letër. Dhe asnjëherë s'e kam kuptuar dot, ç‘është ajo forcë e turbullt në shpirtin e një burri, ai instikt rudimentar shtazarak që shpreh animizimin e tij me kafshën. Përse njeriu me logjikë normale, për pak sekonda epsh, arrin deri aty, sa të humbasë jetën e tij, të të tjerëve dhe të shkatërrojë ekuilibrat harmonik të vendosur midis njerëzve me aq mundim?...


Vullnet Mato: SHPAGA E PËRDHUNIMIT 22665_1152537824801_1568334934_30323360_5756260_n
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi