Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Libri i Medije Vraniqit: ''Gjithmonë mes nesh''!

Shko poshtë

Libri i Medije Vraniqit: ''Gjithmonë mes nesh''! Empty Libri i Medije Vraniqit: ''Gjithmonë mes nesh''!

Mesazh nga Agim Gashi Fri Jan 15, 2010 1:57 pm

Libri i Medije Vraniqit: ''Gjithmonë mes nesh''!




Parathenia nga Drenusha Zajmi Hoxha


Sapo të kapësh nëpër duar vëllimin e parë poetik të poetes Medije Vraniqi,


Libri i Medije Vraniqit: ''Gjithmonë mes nesh''! 20081210-Medije

të cilën ajo ia kushton bijës së humbur, Valonës, të kaplon një ndjenjë e fortë malli dhe trishtimi, force e dashurie bashkë. Poetja vjen me dashurinë e nënës zbrazur fuqishëm nëpër vargje, duke na bërë të gjithëve ta lexojmë dhe të përjetojmë çdo fjalë e çdo varg me ndjenja të thella, ashtu si dhe janë shkruar.
Në këtë vëllim të parë të sajin, ajo shfaqet me një gjuhë të pasur, gjithmonë duke qenë sa më e qartë dhe e sinqertë në shfaqjen e ndjenjave dhe dëshirave të saj, që lidhen njëkohësisht me dhimbjen e shumë njerëzve që kanë humbur njerëzit e dashur. Nëpërmjet dhimbjes që lexohet qartë në vargje, por edhe në mes tyre, lexuesi gjen dhe përballet edhe me dhimbjen e tij, duke gjetur njëkohësisht edhe forcën e kurajën ta tejkalojë pa e harruar.
Poetja Medije Vraniqi nuk është poete dosido. Ajo nuk vjen e ngarkuar me dëshirën për të na impresionuar me teknikat e përsosura të vargut apo më gjëra të pathëna më parë. Ajo vjen e qetë, por me një zë të fortë që të shkund, e brishtë, por njëkohësisht e fuqishme dhe kurajoze, e sinqertë dhe e hapur ashtu që lexuesi ka ndjenjë, sikur bashkëbisedon me një mikeshë të kahershme dhe duke ndarë ndjenjat: dashurinë, dëshpërimin, pikëllimin, gëzimin apo dhembjen, të cilat prekin çdo njeri herët apo vonë nëpër fazat jetësore. Në këtë sens janë shtruar p.sh., poezitë e saj: “Në ëndërrim”, “Vetëm për një çast”, “Vargjet e mia” e sidomos poezia “Më mungon Valonë” ku poetja me zemrën e thyer të nënës qan nëpër vargjet: ...............

Se më dogji malli moj bija ime
Përditë m’i gërryen të miat kujtime
Ti në botën tjetër, unë në botën time
Na bashkojnë veç ëndrrat, sot bërë dhimbje

Ky mall, ky lot, kjo vuajtje e gjatë
Ky vaj pa zë, çdo ditë e natë
Dhe këto të lagura letra edhe shkronja
Janë për Ty bijë, për sytë e tu të zjarrtë.

Nëna, pra, poetja Medije Vraniqi, shfaq edhe dëshirën e zjarrtë që ta mbajë të bijën gjallë, qoftë edhe nëpërmjet vargjeve poetike. Shpirti i Valonës ndihet nëpër secilën faqe të librit, lexuesi përjeton një ndjenjë gati ireale teksa lexon vargjet e poezisë: “Në ditën e ditëlindjes tënde Valonë” ku poetja flet me gojën e së bijës, që i drejtohet prindërve, vëllait e motrave. Lexojmë disa nga vargjet:

...Mami, babi, ndjej duart tuaja mbi mermerin e bardhë
Që m’u bë fustan i nusërisë
Dhe shoh lotët që ju rrëshqasin gjoksit që më ushqyet
Cilat ishin stinët e dashurisë…

Dhe më poshtë:

O vëlla Vendim, o motër Vepër Vanesa
Falmëni… po ka rikthim sërish edhe njëherë tjetër…

Medije Vraniqi është edhe një njeri i rrallë dhe vetëm të tillët edhe i dallojnë të rrallët dhe bëjnë veprime, për të cilat rrallëkush ka forcën dhe guximin t’i bëjë. Ajo i zgjat dorën të gjithëve dhe na paraqitet edhe me një dashamirësi të sinqertë duke ndryrë pikëllimin e saj e duke i falënderuar miqtë, farefisin e dashamirët e tjerë, të cilët i janë gjendur pranë në ditët e vështira dhe i kanë zgjatur dorën. Ajo thotë:

...Për dorën që fort ma shtrënguat
Me ju të përjetoj e të përballoj fatkeqësinë
Çastet e jetës që shpesh më ndaluan
M’i mbushët me forcë e dashuri
Krahët që fluturimin e ndaluan
Ju i dhatë edhe njëherë udhë përsëri...

Ndërsa shfaq përsëri mirëkuptimin e saj të pashtershëm edhe për të tjerët, që nuk arritën të bashkëndienin dhimbjen e saj:

…sonte dehuni
Me aromën e dhembjes sime
Sepse ju nuk mund të më shikoni kurrë mua
Unë sërish, edhe kështu ju dua...

Medija na paraqitet spontane në poezinë e saj, me anë të së cilës ajo arrin të zbulojë shpirtin e saj të mirë dhe humanitetin, një tipar karakteristik për Medijen dhe i cili është përcjellë edhe në fëmijët e saj, duke ditur se Valona, ka punuar si vullnetare nëpër shumë vende ku është dashur ndihma njerëzore dhe materiale. Medija nuk ndan mirëkuptimin dhe dashurinë e saj vetëm me të gjallët. Ajo bashkëndien me të gjitha dimensionet universale që na rrethojnë.
Ja vargjet, sa kuptimplota aq edhe rrëqethëse në dashurinë e madhe që përmbajnë, nga poezia shumë e arrirë “Një lule për të gjithë”:

...Në vizitë unë kur vij, lulen te porta e le
E di që ti do të gëzohesh
Kur e ndaj dhuratën me të gjithë
Kurrë s’e kam menduar, që edhe të vdekurit ndiejnë
Ti qeshesh e ngrirë kur unë flas me ta, më sheh në sy
Unë heshtur lutem të përkujdesen për ty...

Medije Vraniqi duket e formuar në shfaqjen e thellësive shpirtërore dhe përvojave, me të cilat ajo është kalitur gjatë jetës. Qysh në moshë të re, ajo emigron bashkë me bashkëshortin e saj në SHBA, për të qëndruar atje deri në ditët e sotme. Duke qenë pjesë e një familjeje shumë atdhedashëse e kontribuese në çështjet kombëtare, ajo ka bashkëndierë edhe me sfidat dhe luftën e kombit shqiptar për liri.

...sot gëzoj për TY loke Kosovë
Ma gëzofsh Pavarësinë shekuj merituar...

Familja e saj, pra Medijes, është njëra ndër familjet e shumta që kanë bërë shumë për Kosovën, duke hapur dyert e tyre për shumë familje shqiptare dhe, duke kontribuar në mënyra të ndryshme. Edhe sot, ata njihen për mikpritjen e tyre, ndihmën dhe dashurinë që kanë për njerëzimin dhe besimin e pashtershëm që hyjnoren te njeriu. Duke qenë larg atdheut, Medija përballet edhe ma mallin për të afërmit e saj, prindërit, vendlindjen dhe shoqërinë. Ajo na tregon përmes vargjeve si e tejkalon mallin edhe me ndihmën e familjes:

Mërgimi i rëndë,
Rruga ka qenë shpesh e vështirë
Larg Kosovës sime, Prizrenit shekullor
Forca juaj rrënjosur tek unë
Nuk më la kurrë të rrëzoj shpirtin tim paqësor…

ose nostalgjinë që e hasim te poezia për Prizrenin, qytetin e lindjes :

...Ta dhurova puthjen pragu i shtëpisë
Rrugën e gjatë prapë kam me e nisë
Mirë se të gjej kur të kthehem përsëri
Siç pragut të nënës kthehet me mall çdo bijë...
(Prizreni)

Medija po ashtu me gjuhën poetike i flet edhe së ëmës së plakur, duke ndierë gjithmonë dëshirën për praninë e saj, duke pasur edhe nevojën për ta përjetuar dashurinë edhe si bijë e motër. Duke qenë gjithmonë nën kthetrat e mallit që e përvëlon, ajo i prapëseprapë mendon për zemrën e të ëmës duke i thënë:

Mallin për Ty nënë, s’e shkruan dot vargu im
Përkëdhelja ime e di që të ka munguar
Larg jemi moj nënë, falmë për këtë mërgim
Falje i kërkoj edhe tokës sime aty, që më ka krijuar...

Medija, pavarësisht dhimbjes së saj të madhe për fëmijën, për të bijën, Valonën, e cila humbi jetën aksidentalisht, gjen forcën për t’u drejtuar kah e ardhmja, për t’u bërë shtyllë mbështetjeje për bashkëshortin dhe fëmijët e tjerë. Ajo arrin ta shndërrojë pikëllimin dhe dhimbjen, në forcë dhe guxim për t’u përballur me sfidat e tjera jetësore. Edhe vetë dhembja e saj qëndron me dinjitet brenda zemrës së lënduar përgjithmonë, por poetja përsëri arrin të falë. Të falë dashuri paskëtaj. Dhe kështu, duke qenë nënë, femër e grua, ajo arrin të na kujtojë femrat kurajoze që nga mitologjia e deri në ditët e sotme. Lexojmë ca vargje të cilat paraqesin këtë sens:

...ti më mungon ...nuk je më
Shoh atin tënd, më i heshtur se mua
Një zë më thërret nga larg
…je nënë ...por je edhe grua
Kurajën e thërras fort të rifilloj jetën...

Dashurinë e saj për familjen e hasim edhe te poezitë që ua kushton më të afërmve të zemrës, bashkëshortit dhe fëmijëve:

...Ne bashkë krijuam këtë fole dashurie
Rrugëtimet tona të gjata nëpër mërgim
Ti e di lotin, që është tharë mallit në faqen time
Dhe unë shpirtin tënd, që e ruajta me bekim
“Ti po hesht”
(bashkëshortit)

…Vendim
Kur linde ti, të quajtëm Vendim
Sepse bir, na lindi djalë, gjaku, atdheu
Këtu larg në mërgim
Kur lind djalë, lind vendi, mëmëdheu...
(të birit, Vendimit)

Vanesa moj bijë, moj këngë e jetës
Ti gushës më mblidheshe si shall i ngrohtësisë...
(të bijës Vanesës)

...Sot vajzë e rritur me shtat selvi
E ëmbël, e dashur, më jep kaq besim
Një dritëz e bukur te syri yt rri…

(të bijës Veprës) Dhe përsëri kthehet te bija e saj, Valona, te gëzimi i parë i shtëpisë dhe i këndon ninullat e saj, njësoj sikur e kishte përkundur kur ishte në djep. Valona është frymëzimi i saj për të jetuar, krijuar dhe punuar, burimi i vetë jetës që vjen pas jetës, është pjesë e pandashme e saj që jeton, nëpërmjet njerëzve të dashur.

…ti fli …e mira ime fli
Fryma jote, s’do më mbaj më zgjuar
Si dikur të jepja gji dhe të përkëdhelja me duar...
(të bijës Valonës)

Dhe krejt kah fundi, Medija vjen me imazhe të gjalla duke u përballur me realitetin, e vetëdijshme për tragjedinë e përjetuar si pjesë e botës njerëzore, e formësuar si poete dhe e lartësuar si person, si njeri. Vargu i saj i veçantë shihet më së mirë në poezinë krejt spontane, ku ajo arrin të pajtohet me mungesat dhe shpesh herë pakuptimësitë e jetës, arrin ta ruajë besimin e saj në Zotin dhe njerëzit, në pjesëzat që i takojnë çdo njeriu për t’i jetuar e përjetuar, për t’u krijuar në fund një pasqyrë, një jetë ashtu si është dhe për t’u bërë një pikë e natyrshme brenda universit njerëzor.

...Sonte udhëtare e vonuar jam
Në stacionin e panjohur e vetmuar ngela
Zemra rreh si një zog i plagosur
Ky udhëtim pa Ty nuk paska të sosur
Tani ç’të bëj… tani…
Rri pres ende këtu në mendime
Udhëtarët e tjerë që i përkasin jetës sime…

Poetja Medije Vraniqi në këtë vëllim, vjen krejt natyrshëm duke na u shfaqur me meditimet e saj të shndërruara në vargje, duke pasur një qëndrim shumë dinjitoz karshi njerëzve që ajo iu drejtohet, botës në përgjithësi dhe lexuesit në veçanti.
Duke e lënë Valonën të jetojë përmes saj, përmes trupit dhe vargjeve, ajo na e shfaq krejtësisht të gjallë dhe lexuesi, patjetër që gjatë leximit të këtij vëllimi, përjeton një udhëtim, ka një parafytyrim për vetë Valonën, e cila qëndron si fotografi, si prapavijë e gjallë pas çdo poezie.
Poezia e Medijes vjen edhe si klithmë i shpirtit të plagosur, por që ajo megjithatë arrin ta ngjyrosë me sinqeritetin dhe origjinalitetin e saj, duke e bërë lexuesin që pavarësisht dhimbjes, të ndiejë edhe dashurinë e paskajshme. Në këtë mënyrë, i jep lexuesit një balsam shpirtëror, një këshillë jetësore, një udhërrëfyes për jetën me të gjitha çka përmban. Medija na mëson, se jeta pavarësisht dhimbjeve të mëdha, megjithatë është një dhuratë e madhe që na jepet dhe që na sfidon m’u nga përmbajtja që e ka përbrenda.

Nga Drenusha Zajmi Hoxha, 2008


Click here: Kritika-Letersi » Libri i Medije Vraniqit: ''Gjithmonë mes nesh''!

https://www.youtube.com/watch?v=NzieCoxqrc0

https://www.youtube.com/watch?v=PhQX8gB777c
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi