Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Sami Islami: Kur Rasku e Veli ikën nga fshati

Shko poshtë

Sami Islami: Kur Rasku e Veli ikën nga fshati Empty Sami Islami: Kur Rasku e Veli ikën nga fshati

Mesazh nga Agim Gashi Fri Jan 29, 2010 1:20 am

Sami Islami: Kur Rasku e Veli ikën nga fshati U1_SamiIslamiSami ISLAMI


KUR RASKU E VELI IKËN NGA FSHATI


-Tregim-

(Bazuar në një ngjarje të vërtetë)


Ishte viti 1960. Jetonim bashkë në një shtëpi tradicionale me hajat familja jonë dhe e xhaxhait, fëmijët e dy vëllezërve. Në atë kohë Rasku dhe Veli, dy djemtë e xhaxhait tim, punonin në shkollë si mësues. Xhaxhai, babai i tyre, punonte sherbëtor. Vetëm babai ynë punonte tokën. Babai ynë, përveç tokës e kishte për detyrë të furnizonte shtëpinë me miell, dru etj. Ai shkonte në mulli për të bluar misër për çdo 3 ose 4 ditë. Zakonisht merrte një gjysëm thesi misër (rreth 25-30 kg). Nuk bluante më shumë se kaq , sepse mielli i misrit, thoshin, nëse nuk gatuhet për dy-tri ditë ai prishet. Kjo ishte arsyeja pse babai bluante nga pak. Mulliri ishte së paku 5 km larg shtëpisë sonë. Babai barrën e çonte në shpinë, se s’kishim as gomar, as kali për ta dërguar misrin në mulli. Qerre kishim, po a shkohet me qerre në mulli për 30 kg?! Më kujtohet shpesh kur unë qëlloja në shtëpi dhe ai kthehej prej mulliri, ç’të shihje, i pikëshin djersët curril… Dhe familja jonë e madhe funksiononte kështu: xhaxhai me dy djemtë e tij punonin dhe merrnin rrogë për këtë, kurse babai im punonte dhe s’merrte asgjë!
Unë, si fëmijë 10 –vjeçar i vëreja diskriminimet brenda familjes. Dhe jo vetëm unë, por edhe vëllezërit e motrat e mia më të vogla i vërenin këto padrejtësi! Nëna ime gatuante bukë misri dhe ne fëmijët këtë bukë hanim, po halla Himë (kështu e quanim gruan e xhaxhait) nuk hante, pothuaj, kurrë me ne bukë. Ajo thoshte që ishte e sëmurë. Neve fëmijëve na vinte keq pse asaj i dhimbte vazhdimisht koka! Bile, mendonim se nëse kjo nuk do të hante kështu, shpejt do të vdiste urie! Vonë mora vesh se halla Himë po hante bukë vazhdimisht, por fshehurazi në dhomën e saj! Dhe jo bukë misri siç hanim ne , por bukë furre, e gjëra të tjera që xhaxhai im ia sillte vetëm asaj nga shkolla.. Në atë kohë funksiononin kuzhinat shkollore dhe, më kujtohet se si neve fëmijëve na jepnin bukë furre në shkollë ( jo më shumë se nga një rriskë), të lyer me marmelatë! Ah , sa më kënaqte era dhe shija e bukës së furrës me marmelatë!
Po në shtëpinë tonë ishte ndryshe. Prej ushqimeve kryesore aso kohe ishte buka e misrit, siç thamë, dhe fasulja (grosha). Po edhe aty halla Himë na bënte “hile”. Si baçicë që ishte, neve fëmijëve, por edhe të tjerëve, përveç Raskut dhe Velit, na ziente fasulen në një vegsh në oxhak dhe atë një grusht fasule në një vegsh plot ujë! Shpesh herë afrohesha të shihja se si po zihej fasulja. Ç’t’ë shikosh! Në vegshin e madh i shihja se si kokrrat e pakta të fasules e ndiqnin njëra-tjetrën nga poshtë lartë dhe anasjelltas dhe rrotulloheshin sikur bënin akrobacione! E kur uleshim të hanim bukë, në kalanicën e madhe që vendosej në mes të sofrës mezi e „zinim“ ndonjë kokërr fasule me lugë!
Në anën tjetër, për Raskun dhe Velin, për djemtë e vet , fasulen halla Himë e bënte ndryshe. Atë e përgatiste në tavë. Uh, çfarë ere të mirë kishte fasulja në tavë! Sidomos kur rreshkej dhe bënte një shtresë maze përsipër! Më kujtohet se si, gjithnjë, ajo i vendoste dy tava të vogla mbi shporet. E dijshim fare mirë se ato nuk ishin për ne! Ato ishin për djemtë e xhaxhait, për Raskun dhe Velin! Një herë bile i inatosur protestova dhe i thashë hallës Himë: „Pse ne po hamë fasulen e vegshit, e Rasku e Veli në tavë? Pse nuk po e përgatit fasulen në një vend për të gjithë ne?“
- Në një vend është përgatitur! –pohonte me bindje.
- ?!
Koha kalonte dhe në shtëpinë tonë përsëritej avazi i vjetër. Nëna ime i kishte gjithnjë duart në magje dhe si zakonisht gatuante për ne bukë misri, për ata bukë pogaçe (gruri). Babai im që nga mëngjesi deri në mbrëmje punonte në ara dhe kur kthehej i lodhur e i rraskapitur nga puna e ditës hante atë bukën e misrit me fasulen e vegshit. Edhe ai, si ne, do t’i ndiqte kokrrat e fasules me lugë në kalanicën plot ujë! Halla Himë si zakonisht as “nuk hante” as “nuk pinte”…
Rastiste nganjëherë t’i shihnim kur Rasku ose Veli t’i jepnin hallës Himë nga një grusht të holla (me gjasë në fund të çdo muaji!). Ajo menjëherë e hapte arkën, në të cilën, në mes tjerash, kishte një çorapë të gjatë grash dhe paratë që ia jepnin djemtë i fuste në të! Sa inatosesha pse nëna ime s’kishte para për t’i futur edhe ajo në çorapë si halla Himë! Nëna ime, çorapat që i kishim, na i arnonte të mos mërdhinim nga të ftohtit, kur ishte dimër se kur ishte verë ne nuk mbathnim thuaja fare çorapë! Se të kishte nëna jonë para të fuste në çorapë, si halla Himë, ishte ëndërr për të dhe për ne, nga se babai ynë nuk ishte në punë “të shtetit”, siç ishte xhaxhai dhe djemtë e tij!


Me gjithë këto privilegje që xhaxhai im me djemtë e tij i kishin krijuar vetes, si dukej as kjo situatë nuk po i kënaqte! S’e di se si ma zuri veshi, një ditë, deri sa po kaloja rreth dhomës ku ata rrinin, Rasku t’i thoshte xhaxhait, pra babait të vet:
-Do të ndahemi prej Malës! (kështu e kishte quajtur vazhdimisht në emër xhaxhain e vet, pra babain tonë)
-Pse?- e pyeti xhaxhai- Nuk është mirë kështu se ka shumë fëmijë dhe është pa punë.
-Jemi bërë shumë dhe dua të jetojmë rahat!-tha, pastaj shpejt do të vendosemi në qytet!
Fjala e Raskut ishte ligj dhe pa një pa dy, një ditë, ata të vetëprivilegjuarit kishin caktuar ditën të ndaheshin nga Mala. E kishin ftuar edhe plakun e mëhallës të ishte prezent. Bile atë mëngjes i kishin thënë babait tim, Males, që të mos shkonte fare në arë. Rasku, qysh më parë e kishte bërë listën për ndarje; të arave, oborrit, shtëpisë, lopëve e… por për çudi çorapa me paratë e grumbulluara disavjeçare të Raskut dhe Velit, e ndoshta edhe me paratë e kursyera të xhaxhait nuk ishte askund! Të gjitha të mirat që djemtë e xhaxhait i kishin blerë sa ishin në “bashkallëk” nuk u futën në ndarje! A po! Në ndarje ishin përfshirë disa gjëra të „bashkallëkut“ si enë, kalanica, saça, lugë etj... Më kujtohet se si xhaxhai për të qenë „fer“ në ndarje, këto enë i kishte renditur në dy rreshta, me qëllimin që babai ose nëna ime të „zgjedhnin“ ! Po as nëna as babai im nuk folën gjë dhe xhaxhai i „ndau“ siç deshi vetë...
Tani ishim bërë dy shtëpi nën një kulm. Atë verë xhaxhai me djemtë qëndroi në fshat. Ndërkohë çorapa me plot para të kursyera kishte filluar të kryente punë. Rasku dhe Veli me to kishin blerë truall dhe kishin filluar së ndërtuari shtëpi në qytet.


Sa po afrohej koha për t’u shpërngulur në qytet Rasku po mendonte se çfarë të bënte tani me pjesën e shtëpisë që iu “kishte takuar “ atyre? Dhe nuk vonoi shumë e gjeti “zgjidhjen”. Pjesën e tyre do ta shiste. Pse jo? Mala nuk do të kishte para për ta blerë kështu që ai do të „nxirrte“ pak para edhe prej shtëpisë. U muar vesh me kryeplakun e fshatit, me Remin, dhe ia shiti atij . Sa? Zoti e di! Ndoshta jo më shtrenjtë se një copë bukë , si thonë! E di se nuk vonoi shumë e erdhën njerëzit dhe e demontuan gjysmën e shtëpisë. Gjysma që u takoi atyre ishte ndërtuar më vonë, pra ishte më e re e më e bukur, më e fortë, ku ishte edhe oda e burrave, ndër më të bukurat në fshat! Ky Remi e kishte blerë këtë shtëpi, jo për tjetër, pos për të bërë dru për dimër! Nejse. Rasku e prishi edhe shtëpinë dhe e la xhaxhain e tij me një mori fëmijësh të vegjël me një gjysmë shtëpie, e la murin pa tjegulla, e prishi edhe kulmin e dyerve të oborrit!
Ne vazhdonim të jetonim në varfëri, si zakonisht. Babai e punonte atë pak tokë që kishte. Sepse edhe toka u nda përgjysmë, natyrisht Rasku edhe atë e shiti. Bile më kujtohet që e shiti një arë për ta blerë një „Fiqë“ (veturë e vogël), të cilën e voziti nja një apo dy vjet dhe edhe ajo iu prish dhe mbeti edhe pa veturë e edhe pa tokë!…Po ai s’mërzitej, se kush ia kishte parë hajrin tokës?
Rasku, tani shtëpinë në qytet e kishte rregulluar si më së miri. Kishte rregulluar oborr bukur të madh. Kishte mbjellë edhe pemë atje. Kishte mbjellë edhe lule! Trëndafila të bukur, me plot erë! Edhe ne kishim trëndafia në shtëpinë tonë në fshat. Trëndafilat nuk ishin dëmtuar fare se lopa nuk i hante (sigurisht se trendafilat kishin therra), siç i hante kumbullat para se të shkonin! Se gati harrova të them! Para se të shkonin, atë verë, halla Himë vërtetë e kulloste lopën që iu kishte ra atyre (kur u ndamë) në oborr dhe si për inat, ndoshta, që s’po mund t’i merrte edhe pemët me vete, këpuste degë plot fruta kumbullash ende të pa pjekura mirë dhe me to ushqnte lopën! Se qëllimi i djemëve dhe e gruas së xhaxhait ishte, ndoshta, të shkatërronin sa më shumë shtëpinë e fshatit para se të shkonin në qytet!?


Para shtatorit Rasku e Veli kishin siguruar disa qerre për t’i transportuar gjësendet që ishin „të tyre“. Ngarkuan tavolina, karriga, enë, krevate e çka jo. Karrocat u mbushën plot! Ne fëmijët e xhaxhait të tij vetëm i shikonim! Ata dukeshin të gëzuar që po iknin nga fshati. Ne fëmijët edhe përkundër të zezave që na i kishin bërë (na e prishën, madje, edhe shtëpinë) megjithatë qanim. Nuk lanë gjë pa marrë, por kur e pamë hallën Himë, gruan e xhaxhait të merrte edhe një fshesë të nevojtores, që e mbështolli me një letër dhe e futi në pjesën e prapme të karrocës, unë dhe vëllai im më i vogël u çuditem! Po kjo ç’iu desh vallë? A deri këtu paska ardhur puna që edhe këtë fshesë ta marrin me vete në qytet!?
Dhe xhaxhai shkoi. Oborri i dikurshem i shtëpisë, i cili të kënaqte syrin kur e shikoje, tani i përngjante një katastrofe! Gjysma e mbetur e shtëpisë , dukej ashtu e shëmtuar sikur të përpinte! Nga kulmi i prerë përgjysmë ishte krijuar një zgavër të madhe trekëndëshe dhe e errët që të frikësonte edhe ditën! Dyert e oborrit të prishura, muret e lëna pa tjegulla, të lente përshtypjen e një tërmeti i cili kishte ndodhur e vetëm në shtëpinë tonë!
Atë vjeshtë dhe dimër nëna qe sëmurë, sigurisht nga të zezat që ia bëri kunati me djemtë. Mua, babait, vëllait tim më të vogël na u shtuan tani edhe obligimet e shtëpisë, të cilat deri atëherë i bënte nëna... Megjithatë babai ynë vazhdoi jetën me dinjitet, edhe pse tani me sfida edhe më të mëdha jetësore. Ne u rritëm, u shkolluam të gjithë. Fëmijët e Malës sot janë të angazhuar në pozita të larta shkencore e kulturore . Po si vajti puna e Raskut e Velit në qytet? Nuk di. Po tani në pleqëri, ndoshta, do të kenë kohë të mendojnë për të bëmat tyre? Apo ndoshta do të vdesin të pa u penduar për atë se çfarë i kishin bërë xhaxhait të tyre, tani të ndjerë.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi