Vullnet Mato: ARMIQ TË DASHURUAR
Faqja 1 e 1
Vullnet Mato: ARMIQ TË DASHURUAR
VULLNET MATO
ARMIQ TË DASHURUAR
Tregim
O zot, o zot, sa i bukur është ky djalë! thoshte Emineja me vete, teksa ndërronte njërën pas tjetrës pecetat e lagura mbi shpinën e tij të shpuar tejpërtej nga plumbi. Djalë kaq i pashëm nuk gjendet në nahijen tonë. O zot, sikur të kisha fat një burrë si ky…
Djaloshi i plagosur rëndë kishte një fytyrë të butë, gati vajzërore, me një mjekër të lehtë të zezë pis, të prushëritur përfund faqeve. Kishte sy të mëdhenj që i mbante gjithë kohën mbyllur nga jermi i zjarrmisë ku ndodhej dhe flokë drudha-drudha, me një shkëlqim të çuditshëm si të korbit. Emineja kishte dëgjuar nga shoqet, se shqiptarët e anës tjetër ishin shumë të bukur. Dhe ja, njërin prej tyre po e shihte me sy lakmitarë, të shtrirë tani në bodrumin e shtëpisë, ku e kishte sjellë pa pyetur njeri… E kishte gjetur përmbys atë muzg mbrëmjeje në fundin e arës së misrit, teksa ajo ishte duke mbledhur lopët. I plagosuri kishte mbetur aty fill pas luftimit që ishte bërë midis disa partizanëve shqiptarë, që donin të depërtonin në fshatin e tyre buzë kufirit dhe nacionalistëve kosovarë, që përpiqeshin të pengonin hyrjen e komunistëve në ato anë. Djaloshi i përgjakur mbante dy vrimat e plumbit me majat e gishtave, që të mos i zbrazej i gjithë gjaku nga trupi. Ai merrte frymë me zor dhe rënkonte sikur po jepte shpirt. Eminesë i erdhi aq keq, sa iu duk sikur po i këputej zemra përbrenda kraharorit. E ndihmoi të ngrihej, derisa e shtriu përmbys mbi kurrizin e lopës. Dhe te shtëpia, bashkë me nënën e saj e futën në bodrum.
-Ku, ku, moj loçka eme, ça ke me ndigjue prej Xhelës, që e prune ke shpia këtë burrë të huej! - i tha nana Rabie, me merak të madh për sherrin e pritshëm të babait, ndonëse ai e kishte vajzë të vetme dhe e donte si sytë.
-A thue, s’kena me ia mbush mendjen, se ishte gjynah nga zoti me e lanë të vdiste në fund të arës sonë, kur ishte ende gjallë!…
-Vallahi, nuk di çka me thanë, po Xhela ka me u tërbue për këtë komunist, që ia kena fut në shpi!…
Ndërsa nanë Rabia shkoi të bënte gati ndonjë ushqim të lehtë për të plagosurin, Eminesë i ra ndërmend, se sot kishte mbushur plot njëzet vjeç. Dhe askush në shtëpi nuk ishte kujtuar për të festuar ditëlindjen e saj. Njerëzit e kishin mendjen vetëm te lufta.
Djaloshi i plagosur rënkoi një çast dhe Emineja i lagu buzët ngjyrë qershie me ujin e bardhakut të mbushur nga shtamba e ftohtë. Ai kishte temperaturë të lartë, digjej prush, aq sa e kishin zënë dridhmat. Ah, sikur të shpëtojë nga vdekja, mendoi ajo. Sikur të shërohet e të më dojë për nuse…Atëherë lumja unë e lumura për këtë azgan bukurie…
Por nga ato ëndërrime lumturie e shkëputi befas ardhja e zhurmshme e të atit të saj, Xhelës, që hyri në bodrum me armën mbi sup, i ndjekur nga Rabia. Ai hodhi një sy të kujdesshëm mbi njeriun e shtrirë e të ndriçuar dobët prej llambës së vajgurit. Pastaj, sikur ta kishte pickuar gjarpri, i hipën kacabunjtë krejt papritmas. Dhe i përfshirë nga një vrull i përnjëhershëm bërtiti me sokëllimë:
-Ajiii... Po ky asht ai komunisti që kam vra unë sot, moj u vraftë zoti, ça keni dashtë me e pru në shtëpinë teme? - dhe vetvetiu dora i shkoi te arma nën sup.
Emineja u çua vrikthi në këmbë dhe iu hodh të atit në gjoks duke e pushtuar me të dy krahët.
-Në paç besue të madhin zot, mos e vra prapë, or babë, se ban gjynah të randë! - iu përgjërua me një zë të dridhshëm e me sytë të mbushur me lot. - Jam tue t’u lut me gjithë shpirt, mos e vra, pash perëndinë, se asht bir nane edhe ai !…
Por në sytë e Xhelës shkëlqeu një egërsi armiqësore e padurueshme.
-Ç’ka je tue folë, moj çike?!... Ky armik komunist vrau dy vetë nga forcat tona nacionaliste e unë shtiva përmbi të, tue mendue se vdiq në vend. Si paska ardhun i gjallë në shtëpinë teme?!…Pu, pu, ça keni ba, moj gra budallaqe, ju marroftë zoti! E tash duhet me e hjekun qafe sa ma parë…
Rabia e tronditur i kujtoi atë çast të shoqit zakonin e lashtë të kanunit. Armiku që kishte hyrë në shtëpi i plagosur, duhej shëruar e mandej të përcillej deri sa të dilte i paprekur nga trojet e tyre. Xhela u mendua një grimë. Rabia kishte të drejtë. Kanuni ishte i shenjtë, ndonëse ndjente urrejtje të tmerrshme për ata komunistë të përfolur në mbarë Kosovën si të pafe, e gjakatarë të pashpirt. Megjithatë, rreziku që vinte prej tij ishte i tejet i madh. Po ta merrnin vesh shokët e njësisë territoriale që drejtonte, se kishte futur në shtëpi një njeri të tillë, do ta pushkatonin patjetër si tradhtar. Por duke parë të bijën dhe gruan që prisnin përgjigjen e tij me pamje të përgjëruar, Xhela tha me ton të ashpër:
-Atëherë, pra, duhet me e shërue sa ma parë e ta nxjerrim jashtë pragut tonë. Po shkoj në fshatin fqinj të marr atë infermierin italian, që ka mbetun aty prej kapitullimit, ta sjell sonte në shtëpi. Mos e çilni gojën me askënd, se ka me u hangër dreqi... - Ai doli me vërtik dhe grave u qeshi buza.
Infermieri Italian Pepe, arriti pas dy orësh dhe menjëherë u përkul mbi të plagosurin. E kontrolloi me kujdes dhe i mati temperaturën. E kishte në shifrat kritike. Plagët, si në hyrje edhe në dalje të plumbit, kishin filluar të infektoheshin dhe të enjteshin. Nga përvoja e tij, ai konstatoi, se plumbi që i kishte përshkuar tejpërtej shpatullën, kishte qenë i një pushke italiane. Vetëm ai lloj plumbi me kokë të rrumbullt bënte plagë të vogël në dalje. Ndryshe plumbat gjermanë me majë, e shqyenin vendin e daljes, dhe hapnin plagë të tmerrshme. Pasi hodhi një sy mbi Xhelën, armën italiane të të cilit e kishte vënë re qysh rrugës, e pyeti:
-Pushka jote goditur ?...
-Po. - tha Xhela me një zë pakëz të ndryshuar.
-Vdes shpejt. Plaga shumë keq. Temperatura tropo alta. - bëri të ditur infermieri italian, duke mbledhur supet me keqardhje.
Xhela shprehu kënaqësi në fytyrë, që i plagosuri do të vdiste pa u detyruar të shkelte zakonin kanunor. Emineja mbështeti kryet mbi gjoksin e Rabies dhe iu mbushën sytë me lot. Mandej italiani i mjekoi plagët me lëngjet dhe pluhurat që kishte në çantën e tij dhe la për të një shishe me kokrra shëruese. Xhela e pagoi infermierin me dy monedha floriri dhe e përcolli po atë natë deri afër fshatit ku e kishte marrë.
Mos e merr, o zot, të lutem lene për mue, se kam me t’u falun gjithë jetën për lartimin e emnit tand! pëshpëriti Emineja me një shprehje përgjërimi. Dhe vazhdoi të qëndronte e përkulur mbi të me një dhembshuri mjaft të madhe. Ajo filloi menjëherë t’i ndërronte njërën pas tjetrës pecetat e lagura mbi ballë e mbi gjoksin e mbuluar me një shtresë të lehtë pushi të zi. Më pas Rabia solli një tas plot me kos dhe Emineja filloi t’a mëkojë lugë pas luge, pasi ai ende nuk po çelte sytë. Fill pas ushqyerjes, ajo nuk ia ndali kompresat me ujë të ftohtë deri vonë, kur u duk se balli i tij ishte diçka më i freskët.
Xhela u kthye duke qenë gjithë kohës nervoz. Ai iu vërsul Eminesë me një togfjalësh plot qortim, që kishte sjellë në shtëpi një telash aq të madh. Gjithsesi nuk e goditi, por e mori të bijën për krahu me forcë, që të ngjitej lart për të fjetur. Vajza u shtri me përtim, por nuk e zinte gjumi kurrsesi. Në retinën e syve të saj shfaqej pareshtur fytyra e tij e skuqur nga zjarrmia dhe gjoksi djaloshar me prushërimin e zi mashkullor. Vallë ç’po bënte ai në ato çaste nate krejt vetëm?…
Ajo nuk duroi dot më tej dhe në mesnatë u çua fare pa u ndjerë. Por me të hapur lehtas derën e bodrumit, ngeli e stepur dhe e mrekulluar nga habia. Djaloshi kishte çelur sytë e mëdhenj dhe i drejtoi përmbi të me mjaft ngrohtësi. Në ata sytë të ndezur nga habia, ajo vuri re për herë të parë atë forcë dhe butësi mashkullore që e ndez shpirtin e femrës deri në ekstazë. Emineja iu lëshua përsipër, i vuri njërën dorë mbi ballë e tjetrën mbi gjoks. Tani temperatura i kishte rënë atij, por çuditërisht filloi t’i grihej asaj, aq sa e ndjeu të gjithë trupin prush.
-Ku jam këtu ? -pyeti djaloshi me një zë drithërues të lehtë.
-Je në shtëpinë teme. Je krejt i sigurt ... - i murmuriti ajo me ton të ngrohtë vajzëror.
-Kush më solli këtu ? - pyeti ai sërish me zërin e tij të drobitur.
Emineja faqekuqe i shpjegoi me radhë të gjitha çastet e vështira që kishte kaluara. Nga ara me misër, në shpinën e lopës e deri në bodrum, ku gjendej tashmë me plagët të pastruara prej gjakut e të mjekuara nga italiani. Si dhe morinë e pecetave të lagura që ajo kishte shtrydhur te legeni, pasi ato kishin avulluar te balli dhe gjoksi i tij…
Atëherë ai lëvizi kryet me kujdes dhe i puthi dorën e mbështetur te balli.
-Të faleminderit, motër, që më shpëtove jetën! - u shpreh me një ton të ngrohtë tepër mirënjohës.
Më tej ai e pyeti për emrin, i tha se vetë quhej Petrit dhe se ishte nga Jugu i Shqipërisë. Në fund iu lut ta ndihmonte të çohej për të shkuar në banjë. Ajo e ngriti me kujdes dhe pasi ia vendosi krahun e shëndoshë mbi supin e saj, e nxori me fener deri te banja, në cepin jashtë bodrumit. Aty ajo vuri re, se teksa mbahej me krahun e rregullt, ai nuk e përkulte dot krahun e shpatullës së plagosur, për të zbërthyer kopsat e pantallonave. Emineja e ndihu, duke i ulur të mbathurat për të urinuar dhe ktheu kryet anash. Sakaq, një ritëm pulsimesh të vrullshme depërtuan nëpër të gjithë trupin e saj vajzëror. Ajo ndjeu, se u gllabërua nga një gufim i madh turpi. Befas iu duk sikur i kishte marrë trupi zjarr dhe ishte ndezur flakë e tëra. Sërish në bodrum ajo u kujdes për ushqyerjen e tij dhe, sipas porosisë së italianit, i dha dy kokrra hape të tjera. Mandej i puthi ballin lehtë dhe i tha të flinte, se do t’i qëndronte mbi krye deri në agim. Petriti dridhej nga mirënjohja, i puthi dorën sërish dhe u shpreh, se nuk donte të flinte më tej, po vetëm të bisedonte me të. Sepse vetëm fytyra dhe zëri i saj ishin ilaçi më i mirë për të harruar dhimbjet e tmerrshme. Por edhe Emineja ndjente, se të fliste me të, ishte si të dilje shëtitje në parajsë. Ata biseduan gjatë, zbuluan të fshehta e shpirtit të njëri-tjetrit dhe në agim e ndjenin veten si njerëz të afërt, të njohur prej vitesh.
Të nesërmen, teksa Xhela shkoi për të mbledhur forca luftëtarësh në fshatrat e zonës, Emineja, me një buzëqeshje më të ëmbël se mjalti, e mbuloi Petritin me batanije dhe e ndihmoi të zhvishej për t’i larë teshat e gjakosura. Më tej iu vu punës për zëvendësimin e gjakut të humbur në dejet e tij. Zjeu një zog pule, gatoi petulla, shtrydhi rrush dhe gjeti mjaltë te një shoqe. Bëri gjithçka mund të bëjë një grua, e cila kur të do, begatinë e ushqyerjes ta nxjerr edhe nga fundi i dheut e ta krijon nga zjarri. Dhe kësisoj ajo po shihte me gëzim, se si retë e dhimbjeve shpërndaheshin dalëngadalë nga balli i tij.
Pas tri ditësh të tjera Petriti ndjehej aq i fuqishëm, sa mund të qëndronte mbi këmbët e veta. Dhe iu duk sikur një shpend i madh përdëllimtar kishte zbritur nga qielli për të hedhur balsam mbi plagët e tij. Në mbrëmjen e fundit Emineja, e pagjumë prej netësh, u ngrit sërish në mesnatë dhe shkoi te parajsa e bodrumit të saj. Petriti i kërkoi të hiqte shaminë nga kryet, për ta parë mirë, që të mos e harronte kurrë fytyrën e asaj bukurosheje faqekuqe. Atëherë Emineja zgjidhi shaminë dhe mbi supet e saj u derdh befas një kurorë flokësh të dendur ngjyrë mjalti. Dukej tjetër njeri. Si një model i gjallë bukurie, me ballin të lëmuar si mermeri, me sytë e ndritshëm depërtues, me faqe të purpurta prej lulesh, me buzë të përkulura mbi një vijë të përsosur. Një femër me portret zonje, një vajzë e kohëve të reja, e denjë për të dalë lirshëm në hapësirat përtej fshatit ku ishte mbyllur. Petriti, i emocionuar e i magjepsur prej saj, e ftoi të shtrihej në gjoksin e tij dhe e puthi në buzë. Dhe kur shpirtrat e tyre po afroheshin me shpejtësi, ai i tha me një zë të prajshëm:
-Me ke shpëtuar jetën dhe unë dua të ta shpërblej duke zbukuruar jetën tënde, - veç kësaj, i dha fjalën që sapo të mbaronte lufta, do të vinte ta merrte të veshur nuse. Do ta shpinte në vendlindjen e tij buzë detit, ku kishte shumë ullinj e portokalla.
Mandej Petriti i hapi tërësisht dyert e zemrës për të. Dhe Emineja ndjeu, se kurrë ndonjëherë nuk kishte dëgjuar një qenie njerëzore të fliste në një mënyrë aq robëruese për zemrën e saj. Valët e fjalëve të tij e kishin thithur të tërën. Në vështrimin e saj të përflakur, ai i dukej tani si një krijesë e ardhur nga përtej universit, si diçka eterike, aspak e bërë prej lëndës frymore dhe pati një dëshirë të papërballueshme të afrohej sa më ngushtë me të. Pas disa puthjeve të tjera të zjarrta, shpirtrat e tyre u bënë gati të shkriheshin në një. Në ato çaste të pjalmuara me afsh, trupi i saj nuk ndihej më i mishtë, por një magnet i gjallë. Dhe trupi i secilit kërkonte t’i ngjitej tjetrit sa të ishte e mundur më tepër. Derisa të dy trupat u harbuan duke reflektuar nxehtësinë e shkrirjes së përbashkët. Dhe në kulmin e ëmbëlsimit shpirtëror, që u krijoi kjo përngjitje, Emineja mendoi se, përderisa atij njeriu i kishte falur tërë pasurinë e shpirtit të saj, tashmë trupi s’kishte asnjë vlerë për t’u kursyer. Atëherë ajo i tha djaloshit të zemrës me një zë çuditërisht vagëllues:
-Ti je toka dhe qielli im në këtë dynja, sepse tjetër s’ka e s’ka për të pasun. Ban me mue ç’ka të dëshirojnë të thellat e zemrës sate, veç mos më len me barrë pa mbarue lufta…
Dhe ai ashtu bëri. Ndonëse gjendej në ekstazën e dashurisë, veproi me sigurinë e tërheqjes. Duke shijuar edhe kësisoj të gjitha frutat e pjekura të vajzërisë së saj.
Të nesërmen ai lidhi shpatullën, duke e ngjitur krahun pas gjoksit me një fashë italiane që Emineja e kishte larë nga gjaku dhe u bë gati për udhë. Tashmë plagët kishin zënë kore. Do të shkonte të vazhdonte luftën me shokët matanë, duke lënë zemrën peng te kjo anë e kufirit.
Ndonëse gratë kishin urdhër të prerë nga Xhela për ta përzinin nga shtëpia sapo të çohej në këmbë, Emineja i tha me lot në sy:
-As të mbaj, as të përze dot. Por veç ta dish, se shpia dhe oxhaku yt janë në zemrën teme !...
Në mbrëmje, ajo e përcolli deri matanë arës së misrit, ku e kishte gjetur. Dhe i tregoi të gjitha rrugët sigurta nga duhej të kalonte, ndonëse ai ishte pa armë e pa kapelën me yll. U puthën pareshtur, duke u kthyer disa herë te njëri-tjetri, sikur të ishin lidhur me një kordon të trashë llastiku, që nuk i linte të ndaheshin. Më në fund ai humbi pas kodrës me dushqe dhe ajo qau deri në agim.
Pa u mbushur ende muaji, forcat e bashkuara të brigadës, ku bënte pjesë, Petriti, mësynë drejt Veriut, duke hyrë në thellësi të fshatrave të Kosovës. Njësia, ku ai ishte zëvendëskomisar, u lokalizua në afërsi të fshatit të Eminesë. Partizanët kishin kapur disa nga krerët nacionalistë. Mes tyre edhe komandant Xhelën e “tmerrshëm”, të cilin e kishin futur në bodrumin e një shtëpie, ku ishte vendosur shtabi i batalionit.
Zëvendëskomisar Petriti hyri në bodrum, për të biseduar me atë njeri të përfolur për krime, para se të vinte urdhri nga komanda e brigadës për ekzekutimin e tij. Xhela, me fytyrën e ngurosur nga dëshpërimi, e njohu menjëherë partizanin e plagosur që kishte bujtur në shtëpinë e tij. Krejt ndryshe, Petriti nuk e kishte parë asnjëherë fytyrën e atij burri të fuqishëm, kur kishte ardhur në vete nga zjarrmia në bodrumin e Eminesë.
-Duhet me ma falun jetën… -i pëshpëriti Xhela me zë të ulët, që të mos dëgjonte partizani roje jashtë derës.
Petriti shtrëngoi nofullat me përbuzje dhe nervat iu tendosën në mënyrë elastike.
-Kurrën e kurrës, -i shfryu syegër e me ton kërcënues . - Armiqtë e kanë vendin në litar, ose plumbin ballit !
Xhela uli vetullat e kreshpëruara dhe u rrek ta zbusë shprehjen e vrerosur të fytyrës.
-Ke dhanë një premtim… - i tha gjithnjë nën zë.
-Ty? -u habit Petriti duke ngërthyer vetullat me një dridhje nervoze.
-Sime bije, Eminesë…
Petriti shqeu sytë te shfaqja e pabesueshme e atij njeriu aty. E vërejti me kujdes dhe atëherë dalloi në atë fytyrë të ashpër disa përngjasime të afërta me njeriun e paharruar të zemrës së tij. Befas, ky ballafaqim i padëshiruar, e bëri të ndjejë një tronditje aq të thellë, sa iu tkurr zemra.
-Asaj po, se më ka shpëtuar jetën, por nuk kam dhënë asnjë premtim për ty! - ia ktheu me ton të prerë.
-Jetën, ime bijë, ta ka shpëtue në shtëpinë teme, me dijen teme dhe dasmën e saj e ban veç baba… - foli Xhela gjithnjë qetësisht.
Petriti ndjeu një ftohje të përgjithshme në krejt gjymtyrët e veta. Iu duk sikur ky bashkëbisedim i përndezur e ngarkoi me elektricitet nga koka te këmbët. Nuk foli dot asnjë fjalë më tepër, po u ngjit lart te zyra dhe ra në mendime të thella. Iu kujtua Emineja, me flokët e lëshuar mbi supe, kujdesi i saj i përgjëruar, deri te zbërthimi i kopsave në banjë, trupi i saj fërgëllues pranë trupit të tij, gazi në buzët e saj dhe lotët e syve të dashuruar në çastet e ndarjes. Mund të bënte diçka për të mos e vrarë zemrën e saj aq keq… Duhej të bënte patjetër diçka për të mos u rënduar shpirtërisht nga ekzekutimi i tij. Baticat dhe zbaticat e vrullshme të ndjenjave në pak sekonda, bënë që vëmendja e tij të përqendrohej te një rrethanë krejt e rastit. Hodhi sytë te rafti i veglave të të zotit të shtëpisë dhe pa aty një sharrë hekuri. Në mesnatë ai u afrua jashtë dritares me tre shufra hekuri të kryqëzuara, ia hodhi Xhelës brenda bodrumit dhe rrëshqiti me kujdes, pa i rënë në sy rojes.
Sapo zbardhi dita, u pa me habi se komandanti nacionalist i zonës kishte prerë njërin nga hekurat e dritares së izolimit, kishte shtrembëruar dy të tjerët dhe ia kishte mbathur. Alarmi në komandën e batalionit partizan bëri që të vihej në lëvizje sektori i sigurimit të brigadës. Ata thirrën të zotin e shtëpisë, që kishte shkuar të banonte përkohësisht te shtëpia e vëllait, diku në fund të fshatit. E pyetën për sharrën dhe kur ai bashkë me ta shkuan te rafti i veglave, u pa qartë, se ajo ishte marrë pikërisht aty. Grupi i sektorit të sigurimit, që pati regjistruar qëndrimin e Petritit të plagosur në zonat e armikut, kur roja vërtetoi edhe takimin me të arrestuarin mbrëmjen e kaluar, përcaktoi menjëherë fajësinë e tij...
Zëvendëskomisari u nxor para gjyqit partizan. Dhe pasi u demaskua ashpërsisht bashkëpunimi e tij me armikun, u dënua me pushkatim për tradhti të lartë. Teksa pritej miratimi i komandës eprore, Petriti duarlidhur u izolua te bodrumi, ku dy net më parë kishte qenë komandant Xhela, i arratisur me ndihmën e tij.
Lajmi u përhap shpejt në të gjithë zonën dhe shkoi te shtëpia e Xhelës. Gratë u gëzuan për shpëtimin e të zotit të shtëpisë. Por nga ana tjetër u hidhëruan shumë për dënimin me vdekje të atij djali, të cilin sapo e kishin kthyer nga vdekja. Kur e dëgjoi këtë lajm, Emineja u bë dyllë e verdhë dhe ra në dëshpërim aq të thellë, sa filloi të qante me shtatë palë lot e të shkulte flokët. E gjithë shtëpia e dinte tashmë, se ajo kishte lidhur besën për martesë me atë djalosh të largët dhe gratë e shoqet po mundoheshin ta qetësonin.
Nganjëherë ndodhin çudira të pabesueshme me përsëritjen e spirales së ngjarjeve të afërta në kohë të ndryshme. Skuadra e pushkatimit kërkoi një vend me tokë të butë për hapjen e shpejtë të varrit. Dhe ata shkuan pikërisht te fundi i arës së misrit, ku Emineja kishte gjetur dikur Petritin e plagosur. Ajo përgjoi nga larg gjithë lëvizjet e tyre atë buzëmbrëmje me mjegulla të hirta. Dhe po bëhej gati të turrej për t’ua shkulur nga thonjtë njeriun e saj të zemrës. Por pas bataresë së armëve që kryen ekzekutimin e tij, ajo ra edhe vet përmbys mbi dheun e mbuluar me bar diku në krye të arës. Teksa ekzekutorët shkuan të marrin lopatat për hapjen e varrit, Emineja vrapoi te trupi i ngrohtë i njeriut të zemrës, për ta rimarrë në shtëpinë e saj. I mbështolli kryet me të dy duart dhe duke qarë me dënesa, vuri re, se tashmë ai kishte një vrimë plumbi midis dy vetullave. Dy të tjera kullonin ende gjak në gjoksin e prushëritur me push të zi, ku ajo kishte mbështetur kokën disa net me radhë. E mbështeti kokën sërish dhe nuk dëgjoi aty asnjë regëtimë. Zemra e tij e dashur ishte ndalur përgjithmonë dhe bashkë me të u ndal atë çast edhe koha në mendjen e çoroditur të vajzës kosovare. Befas një psherëtimë e thellë shpërtheu nga gjoksi i saj vajzëror dhe u ngrit përpjetë si flutur e zezë.
Ajo vrapoi përgjatë arës së misrit për ta shtyrë drejt qiellit fluturën e lutjes së vet. Dhe u rikthye disa herë, me shpresë, se mos zoti bënte të pamundurën për të dashurin e saj. Por ekzekutorët erdhën shpejt, hapën një gropë të thellë dhe pasi e mbuluan mirë me dheun e ftohtë, vunë në skajet e varrit dy gurë të bardhë.
Mbrëmja ra papritmas, sikur t’i kishte fryrë dikush një kandili qiellor. E vrarë, e dërmuar dhe e mbuluar nga lotët, Emineja u zvarrit atë natë me mjaft mundim deri te shtëpia. Të nesërmen, në shaminë e vogël me të cilën fshinte lotët, mblodhi një tufë manushaqe dhe shkoi i vendosi te guri i bardhë mbi kryet e varrit të tij. Sakaq, sikur të donte të gjente aty zgjidhjen e një enigme, vajza kosovare tha me habi: “Çudi, si mund t’i marrin shqiptarët jetën njani - tjetrit kot fare. Vetëm se disa kanë vu mbi kapele një shkabë e të tjerët një yll! Ah, sikur të kishin mujt edhe ata me i bashkue shenjat e tyne, si na të dy zemrat tona!…O zot, si kishim me e kalue jetën!…”
Dhe çdo mbrëmje në perëndim të diellit ajo shkonte te varri. Kishte bërë mend të çonte aty pjesë-pjesë të gjitha lulet që çelnin në hapësirën rreth e qark varrit të dashurisë së pavdekshme. Por lulet dhe lotët nuk mjaftonin asnjëherë për të shëruar dhimbjen e saj të pashërueshme.
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Similar topics
» Vullnet Mato:Armiq te dashuruar(Tregim)
» Vullnet Mato:TË VETMIT ARMIQ TË PABESË
» Vullnet Mato: S Y R I
» Vullnet Mato
» Vullnet Mato
» Vullnet Mato:TË VETMIT ARMIQ TË PABESË
» Vullnet Mato: S Y R I
» Vullnet Mato
» Vullnet Mato
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi