Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Kosova ndërmjet dhembjes dhe shpërthimit të durimit

Shko poshtë

Kosova ndërmjet dhembjes dhe shpërthimit të durimit Empty Kosova ndërmjet dhembjes dhe shpërthimit të durimit

Mesazh nga Agim Gashi Mon Feb 01, 2010 12:30 am

Kosova ndërmjet dhembjes dhe shpërthimit të durimit



Marius Chelaru



Shqiptarët, dy mijë vjet morën frymë ilirisht, dhe kurrë nuk e pyetën vetveten: „Pse ende gjendemi në bisht.” Kosova ndërmjet dhembjes si pre e një kohe dhe çastit kur zgjohen mitet dhe shpërthen durimi. Kolona kalimtare dhe bisha të armatosura me tyta të ndryshkura. Kosova me refugjatë të zbathur dhe kryet e përulur që projektojnë ardhmërinë. Këto dhe të tjera mund të lexojmë në këtë vëllim, edhe përmes syrit të atij që kërkon modelin në të cilin është gërshetuar/ cilësia e detajit. Apo ngjyrat, apo fjalët, apo metaforat. Apo kërkimi i kierarkive vlerësuese të „plasimit” në peisazhin poetik të gjuhës shqipe. Për mua ishte një kënaqësi e veçantë të lexoj poemat e Adem Zaplluzhës, duke e kundruar si një engjëll që banon në një zonë të mbërthyer në kthetrat e pushtimit të huaj, siç ishin deri dje Kosova, Basarabia, Bukovina e Veriut, Lugina e Timokut etj.

Kështusoj, në vëllimin Pema e bekuar (një selekcion nga librat e botuara në ndërkohë), ballafaqohemi me një gërshetim temash specifike, që i përshtaten kësaj zone. Nga ndjenja nacionale („dymijë vjet/ kur morëm frymë ilirisht”, deri te kërkimi i „motiveve” të vuajtjes në këtë vend, ku „vuajtja ka kundërmim myshku”, dhe fati i kërkuar „në gjirin e tjetërkujt”, pa e harruar magjinë e mikpritjes tipike shqiptare, ligjet e saj të „miratuara” nga Kanuni, që kanë ndikuar që të gjithëve, madje edhe huajve, t’u hapen portat, e deri te aspiratat dhe traditat lokale „kur nuseve tona/ sipas traditës/ nuk guxon t’u lëvizë qerpiku”, ndërsa zëri i qemanes e udhëheq vallen „pas flamurtarit”.

Universi i autorit është i „prekur” nga kjo, por edhe nga aspekte që ndërlidhen me përditshmërinë e tij. Pra, nga situatat e ndërlikuara që lindin nga „bashkëjetesa” e konflikteve që e kanë përgjakur zonën e Kosovës, atje ku „varrezat numërohen në luginë”, por „nuk vritet kujtimi me asnjë plumb”, e deri te ato që kanë të bëjnë me fakte reale apo imagjinare që ndërlidhen me këtë zonë, apo me evenimentet që ngjajnë në këto kohë, në vendet ku gjallëron autori, vendlindje shqiptare e prekur nga njëra apo tjetra fe. Po i shikojmë disa situata me valenca të ndryshme, shembull tipik duke qenë poemi Kur mitet: Kështu, „Kur ogurzit dehen/ Nëpër mejhane/ Në kokat e zbrazëta/ Zgjohen makthet// Kështu kjo lojë/ E ndërkryer/ Përsëdytet si ndërzimi/ Në Kishën e Shën Trinisë// Mëhalla e vjetër/ Në çatinë e tempullit/ Me përulje falet/ Pa avdesin e drekës// Boshësia në Xhuma Xhami/ Ka kuptim të tërthortë/ Kur mitet në këtë qytet/ Iu bashkohen lavireve”. Apo, në një pol tjetër, poemi Kur vritet kujtesa, dhe „legjendat zgjohen”, një vend ku “zhduken njerëzit/ si hijet në hapsirë”, dhe, në anën tjetër, “gëlltitet ndërgjegja” dhe “i zgjojmë hyjnitë kur kemi nevojë/ pastaj e pështyjmë njëri-tjetrin”. Dhe, jo në rradhë të fundit, një “tabllo” në fqinjësi të përkëdheljes tipike të atyre që janë degdisur në rrugën për çdo qëllim, siç është poezia Pa kryefjalë.

Lexojmë, kështupra, për një vend në të cilin “nuk ka mbetur asnjë kalëzues”, por në të cilin prekja e kulmit të durimit është një motiv krenarie, në atë hapsirë ku “Shtatë fshatra/ Me tetë fise/ Në këto male përzihen/ Me hisen e trishtimit”. Është kënaqësi përmes këtij vëllimi ta ndjesh frymëmarrjen e Kosovës në etapa të ndryshme, siç e reflekton autori. Përndryshe, për dallim nga poetët tjerë të kësaj zone, të përkthyer kryesisht nga Baki Ymeri, në poezinë e të cilëve bëhen referime ndaj evenimenteve konkrete apo fakteve që jehojnë në njërin moment apo tjetrin në historinë e zonës, te Adem Zaplluzha ky aspekt vërehet metaforikisht. Është, disi, një prezencë që don të thotë bota e kundruar përmes syrit të autorit, por sidomos të kontureve e jo të tabllove sociale me datime (përmendje datash) dhe referenca kohore precize. Mund të vërejmë, për shembull, vetëm mënyrën e trajtimit të temave, universin poetik që të josh me mite, legjenda dhe tradita tipike shqiptare (që nga Konstandini dhe Doruntina e deri te Kanuni, Besa etj.), dhe, ajo që bie në sy është gjykimi në funksion të kriteriumeve të ndryshme, të opcioneve prezente në këtë vëllim.

Kështu, mund të themi se Adem Zaplluzha nuk është një autor që shfrytëzon eksperimentin apo diskursin modern, neologjizmat, hulumtimin formal/ linguistik. Vargu i tij është i destinuar në adresë të metaforave të dendura, të pjekura, të pasofistikuara dhe të thjeshta, elemente që nuk e varfërojnë, por përkundrazi e zbukurojnë petkun poetik të frymëzimit të tij. Mund ta shikojmë, pse jo, si një poem/metaforë Nusen pa sy. Herë tjera takojmë fragmente që duken pjesë të shkëputura nga një tjetër botë poetike, në të cilat metafora „ulet” në prehërin e paradoksit, thuajse poeti do të ketë dashur të vizatojë me brushën e tij, disa vargje që ndërlidhen me filozofinë e zenit, siç janë Miza apo Lëkura: „Miza e kalit/ Pa djallëzi prehet/ Në sqepin e skifterit”, apo: Dielli më nuk lind/ Në këtë mal/ Këtu vdesin fëmijët/ Pa lëshuar asnjë zë/ Vrajeni qenin e tërbuar/ Që i kafshoi agimet/ Lëkura ime/ Sot shitet dhjetë fish”.

Përmes këtij vëllimi, lexuesi rumun ka rastin të miqësohet me shpirtin poetik të Adem Zaplluzhës, një autor të cilin e karakterizon nostalgjia, introspekcioni, dhembja dhe shtypja e prezencës në një botë në të cilën edhe valltarët „Luajnë me çmendinë/ E urrejtjes së kaltërt”, atje ku „Dhembjen e kemi të përbashkët/ Në dasmën e madhe”, atje “Ku takohen zanat me Sytë e Drinit”. Një autor i prekur nga flatrat e engjëllit për të cilin dashuria ndaj Kosovës dhe gruas është prezente në poezi, pa e harruar në këtë kontekst kujtimin, të shkuarën dhe ardhmërinë.



Marius Chelaru


Dergoi:Baki Ymeri
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi