Vullnet Mato: QERASJE ME XHEPIN BOSH
Faqja 1 e 1
Vullnet Mato: QERASJE ME XHEPIN BOSH
Vullnet Mato
QERASJE ME XHEPIN BOSH
Tregim.
Në qytetin tonë, një karrocier u bë i njohur nga të gjithë me portretin e tij të veçantë dhe me një ngjarje që i bëri të tërë të qeshin e ta mbajnë në gojë.
Abeshi ishte një burrë që po u afrohej të gjashtëdhjetave, me fytyrë të gjerë, të zeshkët, shpesh të pa rruar e me flokë të thinjur si shkurre. Kishte një palë mustaqe të trasha si dy fshesa që i shkonin deri afër veshëve. Kur ulej në pupën e tij të karrocës së plehrave të komunales, vinte mbi krye një borsalinë të brejtur, tërë vrima. Zëri i tij i trashë dhe pak i ngjirur i bënte qytetarët të kthenin kryet, sa herë i thëriste kalit kuqalash: "Ec, kuqo, ec për kokën tënde !" Nuk mbante fshikull në dorë, sepse vet zëri i tij ishte mjaft fshikullues për kalin që i bindej miqësisht.
Abeshi kishte gjashtë fëmijë dhe kur bëri të shtatin, ftoi mikun e tij të ngushtë Balilin, ta qeraste. Ky ishte karrocieri që transportonte pleherat e lagjes tjetër. Ndryshe nga Abeshi, ai kishte një trup të hollë e të thatë, me ca flokë të ngritur përpjetë si iriq dhe ishte pothuajse moshatar me të. Kur i shihje bashkë, dukeshin si Steni me Olion.
-Ku paske rënë në para sot, mre Abesh? -e pyeti Balili me habi.
-Për perëndi, s’kam asnjë kacidhe në xhep, po do të të qeras, se kam gëzim. -i tha Abeshi duke e bërë tonalitetin e zërit më bas nga ç'e kishte.
-Do prishësh veresie nga paratë e fëmilëve?
-Mos fol qesim, mre Balo, të kam thënë, bukën e çiliminjve, nuk e pi raki unë, se më vret zoti. Sidomos tani që më doli edhe i shtati djalë, pas tri vajzave e tre djemve.
Balili që kishte një fëmijë dhe për shkak të varfërisë nuk vendoste për të dytin, iu kthye me ton këshillues:
-Si shumë bëre, mre Abesh vëllai, mjaft më, se le nam!
-Nuk i bëj unë, mre Balo, i bën perëndia...
-Shko i pirë ti, hypja Validesë dhe i bën perëndia! - qeshi shtrembër Balili. –Mendohu, mre, se të rritësh një fëmilë derisa ta bësh burrë, duhen aq para sa të bësh një shtëpi.
-Mirë e ke ti, po kur shkon burri te gruaja nuk nxjerr kalemin e hesapeve, po kalemin që ka në mes të koqeve... - qeshi Abeshi dhe u nisën drejt pijetores "Guvio".
Era e kukurecit taze dhe tymi që përhapej deri jashtë, i bëri të dy karrocierët të mbushin mushkritë nga kënaqësia. Gjetën një tryezë bosh afër derës dhe u rehatuan.
Kamerier Spiroja u shkoi në çast.
-Hë, ç'do merrni?
-Mos u rrëmbe, mre Pilo, që s’të durohet hiç! E dimë huqin tënd që ke shumë qejf t’i mbledhes paratë me lopatë. Presim një mik, kur të vijë ai, hajde. Shko tani përmiru prapa dyqanit dhe na ler rehat, se do e marrësh bakshishin tënd! - ia veshi si me të qeshur Abeshi.
Balili e kundroi me habi.
-Hovardar i madh je, po kë ke ftuar tjetër?
-Nuk kam ftuar njeri, pres atë që do paguaj të pirat tona?
-Kush është ai dorxhihar, mre Abesh?
-Nuk e njoh. Kur ta gjej, do të ta them.
Balili shqeu sytë mbi të dhe dyshoi se mos tallej.
-Ore biçimsëz, për të tallur bolet me mua më solle këtu? Akoma kërkon të ma shkosh ujin poshtë rrogozit!...
-Pse e nxjerr maçokun nga thesi përpara kohe, mre Balo? Me shpresë të allahut do pijmë sot e do bëhemi karroqe, se djali më ka gëzuar shumë. Po ti hap sytë, në fund nxirr portofolin e bëj sikur do paguash...
-Mos më luaj nga fiqiri, se ma shkërmoqe trurin me këto pushtllëqe, po thuamë ç'të bluan ajo kokë gjithë lesh, që ma ke sa të ariut ?...
-Bëj si të thashë dhe mbylle atë derë haleje!
-Po e kam portofolin bosh, mre Abesh...
-E di që e ke si tullumbace të shpuar, po ti nxirre, vetëm nxirre e mos dërdëllit!
-Eh, or njeri, ç'na solle kot sot në mejhane, të na çahet hunda nga era e rakisë e të na tërbohet plënci nga tymi i kukurecit...Dele s’ke, e thua do mbjelësh qumësht!- psherëtiu Balili.
-Pusho, se ja, erdhi një që më duket dorxhihar... -i tha Abeshi me nxitim dhe ia qepi sytë një burri mbi të tridhjetat që hyri në pijetore. Dukej që s'ishte nga qyteti.
Sapo i panjohuri bëri të kalojë para tryezës së tyre, Abeshi u çua në këmbë dhe i zgjati dorën:
-Pa çish je, mre mik vëllai? Si të ka lakua ty, a më je mirë?...
-Faleminderit, - tha i panjohuri dhe mblodhi supet me habi.
-Pah, sa i ngjan babait, more djalë, sa i ngjan, sikur të ka nxjerrë nga brimat e hundëve!- ia bëri Abeshi duke ia shtrënguar dorën me të dy duart.
I panjohuri kishte mbetur i kontraktuar e me vështrim hetues.
-Cili je ti? - pyeti pas pak.
-Nuk më njeh ti, po të njoh unë. Rron ytat, mre, rron?...
-Jo.
-Rahmet pastë, po kur vdiq? -bëri sikur u çudit Abeshi.
I panjohuri u mëdysh për të dhënë shpjegime, por kur pa vështrimin ngultas në pritje të tjetrit, iu përgjigj me atë zërin ultas që përdoret kur flitet për të vdekurit:
-Kur isha i vogël mora vesh, se vdiq pas luftës nga plagët...
Abeshi u mbush me frymë dhe i dha fytyrës një shprehje keqardhëse të tillë, sikur iu këput shpirti e i ra në fund të këmbëve.
-Eh, ç'më the, mre djalë, ç'më godite bashin e zemrës me potkua kali. Ne u ndamë me tët at pa mbaruar lufta. Unë shkova në batalion tjetër dhe e kam ditur, se ai mbeti gjallë. - i tha Abeshi dhe u kthye nga Balili: - Eh, ç'baba trim ka patur ky, more Balo, ç’baba trim !... Babai i këtij i griu gjermanët me mitroloz sipër kalit... -dhe iu kthye të panjohurit: -Të ka lënë qëkur ishe çilimi, po ulu, ulu, të të mollois çudirat që ka bërë ytat! Vallahi, bilahi, çudira që të luan tepeleku i kokës po t'i dish…
I panjohuri u ul instinktivsht dhe po e kundronte me interes të dukshëm drejt në sytë e murrmë.
-Që the ti, mik vëllai... - ia filloi karrocieri, por atë çast u shfaq kamerieri, që kishte parë personin e tretë që po prisnin. Abeshi porositi menjëherë: - Tri dopjo raki, tri racione kukurec dhe një tas me skordhan gjize...
Balili u mek dhe shtrëngoi dhëmbët, duke mos ia ndarë sytë fytyrës së Abeshit të kreshpëruar nga gjallërimi i papritur.
-Që the ti, mik vëllai, ishim të rrethuar në gropën e një bokërrime të keqe nga gjermanët, që zunë të na afrohen me helmeta në kokë, serbes, serbes e me automatikë në brez. Nuk kishim nga ia mbanim. Tamam si peshqit në rrjetë. Asnjëri nga ne s'bëhej për burrë të shtinte, se e dinim që do ishim të palosur, sa të kërciste plumbi i parë. Do ti, atë dekikë, ytat pikasi një kalë kuqalash që kulloste prapa krahëve tanë. Shkoi zvarrë, zvarrë me mitrolozin e lehtë në duar dhe ia hipi kalit. I bërtiti një herë sa u tund mali: "Ec kuqo, ec për kokën tënde!" dhe kali u nis përpara si vetëtimë. Kali ërr e ërr, e mitrolozi, gërr e gërr... I griu gjermanët, i griu për perëndi, me mitroloz sipër kalit. Fluturonte e lëshonte flakë si azhdërha, i bëri fërtele gjermanët, fërtele po të them, ore... Na pataksi të gjithëve e na shpëtoi nga vdekja për qime. Ja, ai ishte ytat, gjunah që ti s’e ke njohur fare!...
Kamerieri solli porositë dhe Abashi ngriti gotën me urimin e parë, duke iu drejtuar të panjohurit:
-Të rrosh vet me gjithë ç'ke, dhe mos vdektë kurrë emri i tët eti ! Ma kujto pak, se jam currufiasur e i përziej emrat!
-Asllan.
-Eh,- dhe i ra kokës me grusht, -Asllan e kapedan i thërrisnim ne atij, kapedan qoftë edhe në atë botë e i ndritë shpirti atje ku është!
Sakaq i panjohuri filloi të çelet nga fytyra dhe e ndiqte Abeshin me mjaft kuriozitet, për të mësuar gjithçka dinte nga e kaluara e të atit.
Abeshi e kapi kamerierin për krahu, teksa kalonte ndanë tyre dhe i tha ta përsëriste edhe një herë porosinë e parë. Balili po tkurrej përbrënda lëkurës së vet dhe shqyente sytë pa nxjerrë asnjë fjalë nga kamarja e gojës.
Pasi kishin pirë mirë dhe Abeshi këputi plot broçkulla lufte të tjera, kamerieri Spiro erdhi papritur, se ndërronte turnin. Atëherë Abeshi i shkeli këmbën Balilit dhe ky duke u dridhur nxori portofolin gjoja për të paguar. Nxori një lëkurë të pistë që dukej sikur ishte ngjitur te mesi me mastiç.
-Pa çish bën, mre Balo mavria, ti kërkon të paguash?… Po të ishte për të paguar, paguaja vet, po të lë ky të paguash? Ku të lë ky të paguash? Këtij i thonë i biri i Asllan kapedanit, ky të dhjet në portofol!...
I panjohuri qeshi pakëz me këtë shprehje të Abeshit dhe u detyrua të nxjerrë tufën e parave për të paguar.
-Pa shih, pa shih një herë, mre Balo vrokollaku, si i ka palosur llapushkat ky! -iu shkreh sërisht Abeshi shokut të tij, -Të thashë, mos na turpëro të nxjerrësh qindarkat e tua gjithë pluhur, se ky nuk ta përton hiç fare, jo që të dhjet brënda në portofol, po ta bën edhe xhepin nevojtore...
Pas dy dopjove, Abeshi i ardhur në qejf ishte gati t'ia niste këngës dhe të porosiste të tretën. Por i panjohuri falënderoi dhe doli, se kishte një punë të ngutshme për të mbaruar andej nga zyrat.
Sapo dolën jashtë, Balilit nuk iu durua:
-Dhjakonar i llahtarisur paske qënë! Sa bukur ia shkove ujin përposh rrogozit! Po nuk më thua, mirë ia fute sa krahu me qerasjet, po pse e gënjeve aq keq për të atin?...
-Ku merr vesh ti nga mënçuritë e kësaj dynjaje, mre Balo gdhëri ! Unë jam njeri i kënduar. Bile për ca gjëra jam si biçim fillosofi... Ai më mirë ta dijë babanë e tij trim, që shtinte me perivoll mali kalit e t'ua molloisi fëmilëve bres pas brezi, sesa ta dijë frikaç që u plagos e i mbushi brekët plot nga gjermani. Pastaj që ta kuptosh mirë ti Balo byrazeri, këtyre njerëzve si puna e këtij, që vdesin për pak nam nga i të tjerëve, e janë kail të japin gjithë pasurinë, vetëm të lëvdohen se janë fis trimash e me vlerë floriri, kur e dinë veten që janë teneqe e ndryshkur, është më mirë t’ua pimë paratë ne të dy, sesa ata derdimenët e zyrave, që u bëjnë letrurina fallco. – sqaroi Abeshi, tepër krenar e seroz tani, me pamjen e një mendimtari të vërtetë, që kullonte mençuri nga goja e nga sytë e tij me vështrim të largët.
- Po ku e di t’i cili nga këta, gjynahqarë kërkon të ketë nam aq të madh ?
Abeshi qeshi me një shtrembërim mustaqesh gjithë ironi.
- Po kaq nuk ta pret kungulli që ke mbi supe bre, Balo?... Pse kot ua bëj pyetlat unë?... Ai që e di veten tamam siç është, shkon tutje e nuk hap portofolin, - ia ktheu Abeshi dhe filloi të mërmëriste me hundë këngën e Çelo Mezanit.
Teksa ecte çakërqejf e pakëz marrakëbësh, dhjetra palë sy kalimtarësh e vështronin ngultazi atë portretin e tij të përveçëm. Ai i përshëndeste herë pas here, duke ngritur lehtë mbi krye borsalinën e vet të brejtur nga djersa e të tharë nga vitet. Dhe krekosej me një e krenim të tillë, sikur të mos qe karrocieri i koshave të plehrave, po kapiteni i ndonjë vapori të madh.
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi