Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Vullnet Mato: THASHETHEME TË VËRTETA

Shko poshtë

Vullnet Mato: THASHETHEME TË VËRTETA Empty Vullnet Mato: THASHETHEME TË VËRTETA

Mesazh nga Agim Gashi Sat Feb 13, 2010 11:45 pm

Vullnet Mato: THASHETHEME TË VËRTETA 18765_1183317114264_1568334934_30377495_3069028_n


Vullnet Mato

THASHETHEME TË VËRTETA

Tregim

Përtej shprehjes “Aty ku ka zë nuk është pa gjë“, mund të thuhet me gojën plot, se në këtë rrëfim ka një gjë të madhe, e cila ka brenda saj të vërtetën jetësore.
Amela ishte një mësuese bukuroshe, topolake dhe buzagaze që po u afrohej të tridhjetave. Kishte kaluar vitet e një adoleshence dhe rinie me plot variacione argëtuese. E shoqëruar me shumë djem në shkollën e mesme, ajo njihej me epitetin “Beci i befotrofit.” Dhe liria e saj e pakufizuar, nga mungesa e familjes, kishte bërë që dy vitet e fundit të shkollës, ajo të kolaudonte kalibrat e disa djemve çapkënë të qytetit të nxënësve. Të cilët i ndërronte njësoj si të brendshmet e saj. Në fund i mbeti në duar Seferit të shkollës së kulturës, nga fshatrat e kësaj treve. Kolaudimi i të cilit u bë me mjaft vështirësi dhe ai u detyrua të martohej me të e ta sillte në këtë qytet. Tani Amela lodhej mjaft me nxënësit e fillores dhe bënte një jetë të mbyllur shkollë - shtëpi. Njëherësh duhej të përballonte edhe kujdesjet e rëndomta për dy fëmijët e vegjël. Por atë që bën nganjëherë pamja e jashtme dhe rastësia shpëtimtare, nuk e bën asnjë përkrahje emancipuese për gruan.
Gratë e mprehta kanë nga natyra një shqisë të përsosur për të dalluar burrat feministë. Një veti kjo, që ia kalon edhe asaj të nuhatësit më të stërvitur të kufirit. S’dihet se si asaj i kishte rënë në sy që shoku Milto i kishte qejf gratë e bukura. Ndoshta diku vështrimi i tij kishte ngecur mbi të, paksa më tepër se zakonisht. “Kur eci rrugës s’ka njeri që s’e kthen kokën nga unë, edhe ai e ka kthyer…”, tha me vete Amela dhe në trurin e saj prej femre të re me trille të guximshme, modeloi një mendim aventuroz: Do të bënte një përçapje provokative dhe do t’i kërkonte zgjerim shtëpie. Shkoi zuri radhë te paradhoma e sekretarit të parë të komitetit të partisë të rrethit ditën e pritjes. Te kolltuku ku qe ulur, ajo kaloi dorën disa herë për të kontrolluar flokët e krehur bukur e të llakuar në pjesët e shtruara. Drejtoi gjinjtë e rrumbullt brënda reçipetit. Tërhoqi çorapet e xhamit në këmbët e mbushura e të zbulura deri sipër gjurit dhe drejtoi tegelat. Mandej hapi çantën disa herë për të parë në pasqyrë dy petalet e ngjyrosura prej buzëkuqit me varak të trandafiltë. Duken si disa përgatitje objektesh fare të thjeshta, pa rëndësi, por këto janë vetë arsenali luftarak, me të cilin gratë pushtojnë edhe fortesat burrërore më të pathyeshme.
Dhe ja, rradha i erdhi shpejt. Trokiti dhe hyri në zyrë me një buzagaz, të dridhshëm e dhëmbëzbulues të tillë, sikur të shihte aty princin e të gjitha ëndrrave të saj të parealizuara. Dhe jo një burrë që i kishte lënë të pesëdhjetat, me pamje avdalli, kockëdalë te xigomatikët e te kyçet e duarve. Të cilit, vërtetë i kishte ndritur fati në jetë, por i qe plakur gruaja para kohë nga poliartriti. Ndoshta fakti i fundit, kishte qënë edhe shkëndia që ia kishte ndezur ëndrrën Amelës. Duke qenë e bindur, se zotëronte mirë artin e rafinuar të joshjes, do të provonte fuqinë e saj magnetike te ky burrë i konsumuar, por me pushtet të fuqishëm.
-Urdhëroni, uluni! -i tha shoku Milto, duke ia ngjitur sytë te ato buzët e saj, që çuditërisht nuk reshtnin së përhapuri andje gazmore nëpër të gjithë zyrën e heshtur.
-Oh, shumë faleminderit! –gazmoi Amela duke e mbajtur gjithnjë të mbërthyer me shigjetat e mprehta, që lëshonte parreshtur nga sytë dhe buzët. Dhe u ul pranë, krejt përballë, duke i lënë dy gjunjtë e rrumbullt pakëz të hapur, si dy pragje mermeri para derës së një thesari. Pastaj u përkul paksa për të krijuar lirshmërinë e dekoltesë, që të shquhej disi thellësia e gjinjve të saj si dy mollë të bardha. Dy kontraste të tmerrshme këto për shokun Milto, krahasuar me ato mishrat e varura e të labërguara të gruas së tij, së cilës tashmë kishin filluar t’i rralloheshin edhe flokët.
-Po hë, ç’hall të detyroi të vish deri tek unë? - e pyeti ai duke u ndjerë paksa i eksituar, jo vetëm nga paraqitja marramendëse e kësaj gruaje të re, por edhe nga parfumi i saj, që e godiste direkt te flegrat e hundës dhe i shkaktonte shpeshtimin e frymëmarrjen.
-Shoku Milto, po u shprehem me shumë sinqeritet, se ndjej respektin më të thellë për ju dhe mezi e kam pritur këtë takim… - ia nisi ajo duke sajuar me mjeshtëri një zë femëror drithmues të atillë, që dukej sikur vinte valë-valë direkt nga parajsa. - Kisha përgatitur një kërkesë, nga ato që ju i keni dëgjuar shpesh. Por tani, duke parë respektin me të cilin më pritët, ndjehem teper e nderuar dhe me thënë të drejtën, më vjen shumë zor t’ju marr kohën tuaj, aq të shtrenjtë për problemet e mëdha të këtij rrethi…
-Nga jeni ju? –kureshti shoku Milto duke e kundruar ngultas me vemendje të përqendruar.
-Nga Memaliaj …
-E, pra, se po më bëni përshtypje me këtë druajtje, kur disa nga shoqet e tua vijnë e qajnë e lotojnë këtu, aq sa bëhen të mërzitshme. Po hë, ma thoni problemin që keni, se për ju jam plotësisht i gatshëm ta zgjidh! – e nxiti ai dhe sytë e tij gri, me vizime të errëta si dy vezë laraske, ranë befas në folenë e ngrohtë midis gjinjve të saj.
Këtë hutim të tij mbi gjoksin e saj, ajo e kapi menjëherë dhe bëri me shpinat e duarve një ngritje të gjinjve lart. Sakaq mendoi të kalojë në rolin e mackës lozonjare. Ta mundonte pak këtë miush plak me lajkat që ajo zotëronte mjeshtërisht, para se ta kullufiste të tërin.
-Faleminderit, njëqind herë faleminderit, por sot më vjen shumë zor... Do të vij një ditë tjetër! –tha finokja me zë nanuritës, duke ia zgjatur kureshtjen, e cila ishte një nga llojet e karremit të saj për peshkimin e burrave dhe u bë gati të çohej.
-Sot, ma thuaj sot, se herë tjetër s’dihet kur bëj pritje, kam për të lëvizur…
-Do ta gjej unë rastin! –tha ajo e ngritur në këmbë. Dhe instinktivisht hodhi një vështrim mbi divanin përballë, që mbanin zakonisht në zyrë titullarët e që kthehej shpejt në shtrat. “Ky nuk është aq budalla sa ta përdorë atë në orarin e punës,” mendoi ajo me mungesë dëshire për të shkuar deri aty.
-Ulu e ma thuaj, se me këtë përjashtim që bën ti nga të tjerat, po nxitem të merrem posaçërisht me çështjen tënde! -ngulmoi shoku Milto.
Amela i hodhi edhe një vështrim përthithës, sikur t’i drejtonte furçën thithëse të fshesës së korentit, asaj fytyrës së tij me plehrurina pleqërie në lëkurë.
-Mirë, atëherë dhe ju lutem të më falni që po e shtroj këtë kërkesë tek ju, kur e di që me strehimin merret komiteti i qytetit. Jam në një hyrje me një dhomë e kuzhinë të ngushtë. Mbase mund të bëhej gjë për ndonjë zgjerim, në kushtet kur ata të qytetit kanë mjaft kërkesa… Një nder të tillë, kaq të madh, të ëndërruar prej vitesh, nuk di si do t’ua shpërbleja...
Shoku Milto u step një grimë. E kundroi sërish me mjaft ngrohtësi gruan e re, që aq shpejt ishte dhënë shpirtërisht para tij. Dhe iu kujtua thënia, se kur një grua të shikon me sy të ndezur, të ka përgatitur edhe urën për të kaluar në pronat e saj në dukje të pashkelshme. Sakaq në zemrën e tij sa vinte e rritej një farë ngazëllimi.
-Ka raste të veçanta që edhe ne merremi me strehimin. Por para se të gjej një zgjidhje për ju, më thoni cili është yt shoq?
-Seferi, ai që i bie fazarmonikës në shtëpinë e pionierit…- pohoi Amela me një druajtje të lehtë, që iu krijua atë çast për burrin e saj pa ndonjë peshë shoqërore.
Shoku Milto u mendua sërish. Fillimisht rrudhi pakëz buzët, mandej i lëshoi deri në zgjerim të plotë, sikur të kishte zbuluar diçka tepër të rëndësishme. Befas surrati iu bë krejt rrudhanjoz, sytë iu ndriçuan, dhe drejtoi mbi gruan bebëzat e tij me një shkëlqim gri.
-Më lindi një ide ! -tha ai befas. -Veçse realizimi i saj varet kryesisht nga ti…
-Jam e gatshme të përqafoj çdo ide që mendoni ju, shoku Milto. Sepse sot që u pashë nga afër, krijova një besim të shkëlqyer tek ju dhe simpati të veçantë…
Tashmë u kuptua qartë, se një grua që i flet me këtë gjuhë një burri të huaj, tregon se ndërkaq hapi i parë është bërë prej saj. Shoku Milto u ndie tejet i kënaqur dhe lëshoi mbi të një vështrim mjaft përkëdhelës.
-Mirë, pra, faleminderit, shko sot dhe do të të thërres shpejt, pasi ta kem vënë punën në vijë!… - tha ai me një farë keqardhjeje qe ishte i detyruar ta ndërpriste këtu takimin e zgjatur me të.
Amela u ngrit dhe i dha dorën. Kontakti i dorës së saj ishte më i butë se pambuku. Dhe befas ajo u përkul në të dy anët e fytyrës së tij me një përqafim erëkëndshëm. Faqet e saj të mëndafshta u mbështetën tërësisht mbi faqet e tij si lëvore lisi. Pastaj u kthye me një ecje të lehtë, gjatë së cilës, takat e saj të holla krijonin vetëm vrima të përkohëshme mbi moketin e trashë.
Duke kundruar lëvizjet ritmike të vitheve të saj vogëlane, në beben e syrit larosh të shokut Milto u ndez tani një vështrim i paduruar, plot epsh. Ai e ndoqi me sy përpirës të gjithë lëvizjen e saj të ndritshme, gati meteorike, deri sa ajo u shua jashtë derës së zyrës. Shkulmi i gjakut që zemra i çoi atë çast në tru, e bëri të mendojë shumë gjëra. Por kryesorja ishte, se kjo grua e çuditshme e kishte eksituar si asnjë femër tjetër. Prej trupit të saj çlirohej një feminitet që e tërboi, aq sa mezi u përmbajt pa e mbështjellur një herë në krahët e tij eshtrorë. Por jo, ai nuk kërkonte një kënaqësi aq të vogël dhe sidomos në zyrën e rrezikuar. Nuk ishte kjo që i duhej një burri të atrofizuar seksualisht prej një “plake” në shtratin e vet, pasi ka zbuluar një zogëz të tillë. Ai s’donte prej saj kurrësesi një meze të çastit, po një gjellë të vërtetë. Duhej bërë diçka që të siguronte tërësinë e qëndrueshme të afrimit të saj në krahët e tij.
U mendua një copë herë dhe më së fundi e gjeti. Do t’i jepte asaj hyrjen përballë tij, për ta patur gruan numër dy… Mirëpo kjo do të krijonte dyshime të menjëhershme dhe do të përgojohej nga opinioni i qytetit…Ç’kërkonte aty një mësuese fillorje, sidomos e re dhe e bukur?… Atëherë, për t’ia arritur qëllimit deri në fund, pa u dëmtuar në opinion, duhej bërë diçka tjetër. Ajo topolake me sytë prush e tërë gaz femëror, që të mos vinte pranë tij direkt nga poshtë, nga zeroja, së pari duhej ngritur lart. Duhej lartësuar në një nivel barazimi, për të qëndruar si këmba e dytë në platformën solide të marrëdhënieve të tyre të ardhshme. Dhe vendosi që me anën e levave të veta ta bënte kryetare të komitetit ekzekutiv të qytetit. Më pas ajo të vinte në hyrjen përballë si titullare, që duhej të banonte në apartamentin e kuadrove drejtues. Kjo ishte një zgjidhje ideale, e shkëlqyeshme dhe e mrekullueshme… Djallit mund të mos i shkonte në mendje një superlojë kaq e tërthortë, por jo një beqari me grua të ftohur në shtrat, siç ishte katandisur shoku Milto.
Të nesërmen ai e thirri Amelën në zyrë. Porositi nëpunësin e paradhomës që ta fuste menjëherë pa e lënë të priste.
Çastet e takimit të dytë ishin përfytyruar nga të dy me plot fantazi dhe secili kishte përgatitur fraza pasionante. Por momenti sjell të papritura. Sapo ajo la derën e mbështjellur me sfungjer zhurmëshues pas krahëve të saj, shoku Milto doli nga vendi i zakonshëm. Dhe e priti me të dy duart të zgjatura, atë dorën e saj vogëlane, që humbi mes panxhave të tij. Por krejt ndryshe nga ç’e mendonte ai, dora e saj e shtrëngoi fort dorën e tij të djathtë dhe me një dridhje të pazakonshme e afroi me dashuri mbi gjoksin e saj të butë. Ky gjest i beftë femëror e bëri jo vetëm më të sigurt ecjen e mëtejshme të tij në rrugën e nisur, por edhe mjaft emocionant.
-Të thashë që do të të thërres sapo të vë punën në vijë dhe e vura në një kohë rekord. Po më përpara dua të marr edhe mendimin tënd. –ia nisi ai tejet i prekur shpirtërisht nga sjellja e saj dhe mjaft i trazuar në ndjesitë e veta. Pastaj me solemnitetin e njeriut që ka marrë një vendim absolut i deklaroi: -Kam menduar që përpara se ti të marrësh shtëpinë në apartamentin përballë meje, të emërohesh kryetare e komitetit ekzekutiv të qytetit. Dhe kjo do të bëhet brënda javës së ardhshme, që është mbledhja e byrosë, ku do të vendosim për ty. Por të lutem, asnjë fjalë deri atë ditë… Di të mbash sekret ti ?...
-Fjalët e tua vdesin bashkë me mua ! – u shpreh Amela e emocionuar dhe u gëzua aq shumë, sa, duke mos e frenuar dot veten, u lëshua dhe e puthi me afsh në të dy faqet.
Atëherë ai i ktheu puthjen në faqe e më pas fare pranë buzëve. Por ajo i afroi vet buzët te të tijat. Dhe për pak çaste ata u thithën me pasion të shfrenuar. Sidomos shoku Milto po e rrufiste me një dridhje të ethshme, sikur do ta kapërdinte të tërën brënda vetes. Pati një dëshirë përvëluese, të papërballueshme që ta shtrinte qysh atë çast dhe në djall le të shkonte edhe autoriteti. Por sakaq, duke parë divanin aty pranë, ajo i tha me zë çuçuritës:
-Të lutem jo këtu te divani, jo këtu!…
-Jo, jo në asnjë mënyrë, - e përmblodhi veten ai duke u shkëputur me keqardhje dhe nxori shaminë nga xhepi për të fshirë laparosjen nga buzëkuqi i shpërndarë në fytyrat e të dyve.
Nxori edhe ajo shaminë nga çanta dhe pasi ia fshiu të parit atij, u fshi edhe vet me ndihmën e pasqyrës. Shoku Milto krejt i skuqur në fytyrë ndjeu atë çast, se ishte me organin të forcuar në mënyrë çuditërisht të dukshme, sa gati po i shpërthente nga pantallonat. Dhe me kujdesin e një kopuku shkoi u ul te kolltuku i tij, duke e vështruar Amelën ngultaz, me sy hamshori të skuqur nga epshi përvëlues.
Ditët erdhën shpejt dhe punët u përfunduan po aq shpejt. Kur je me pushtet të fuqishëm, duhet që dëshira vetëm sa të të buisi në tru, se pastaj realizimi i saj bëhet shigjetë që arrin menjëherë te objektivi i caktuar. Komshiut veteran i dhanë shtëpi me tri dhoma në një pallat të ri dhe shoqja Amela katapultoi në sfera ëndrrash.
Kësisoj shoku Milto u bë me një grua të dytë, mjaft të këndshme dhe shumë trazimtare për dëshirat e tij të riaktivizuara me sukses, pas avarive seksuale me të shoqen. Nuk u besonte dot syve, kur shihte se mbante të ngjitur te prehëri, një topçe të vogël lakuriq, me të cilën nuk ndjente të ngopur. Në prani të saj ai po rinohej, duke ndjerë rikthimin e dikurshëm të krenarisë mashkullore. Ajo u bë për të një univers i ri, i hapur mrekullisht dhe në mënyrë kaq magjepsëse, sa e kishte bërë të fluturonte në hapësirat e një gëzimi pa kufi.
I uritur prej vitesh dhe me dëshirën për ta pasur Amelën topolake në seks vetëm për vete, ai vendosi që Seferin e saj ta çojë për një vit larg, në Tiranë. Në kursin njëvjeçar të Shkollës së Partisë. Dhe pas kryrjes së shpejtë të formaliteteve të nevojshme, ashtu u bë. Tani Seferi vinte në shtëpi një herë në dy javë të shtunave dhe ikte të hënën në mëngjes herët. Gjithë javën shoku Milto bënte ç’bënte, hapte derën përballë me çelësin e tij dhe lëshohej mbi Amelën si mbi mallin e vet të shtrenjtë, duke u elektrizuar me eliksirin aq epshndjellës të atij trupi femëror.
Pas aktit të shkrehjes së shpeshtë që sjell jeta banale e shtratit, në një çast dobësie, ai u ndie fajtor që kishte abuzuar me detyrën si një kodosh i shkathët. Autoriteti i tij i ngrefosur ishte zhgërryer tërësisht në shtratin e mëkatit, duke zbuluar para një femre pak nga pak krejt bërthamën e fshehur të qenies së tij të vërtetë prej horri. U ndie keq që e kishte hedhur rolin e sekretarit të parë, sikur të ishte një maskë dhe ishte bërë kopuk i vërtetë femrash. Që po shkelte të gjitha rregullat dhe normat morale për të shfrytëzuar trupin e kësaj “vogëlushje” të popullit në atë farë feje. Aq sa, për të kënaqur pasionin e shfrenuar të natyrës disi hiperbolike të epshit të tij, e mbante peshë në duar duke e bërë sa një grusht. Mendoi kështu dhe për një çast ekuilibri i tij i brendshëm disi u trondit… Mirëpo, ashtu siç ndodh te peshorja e zakonshme, kur rëndesa e hedhur mbi të njëherazi, sjell lëkundje në të dy anët, edhe rëndesa që i bënte vetëvetes, filloi pak nga pak të kthehej në anë të kundërt... Po fundja, ai s’kishte ardhur në këtë botë për të mbajtur peshë vetëm idealin e partisë dhe grushtin e nderimit…Por edhe për të mbajtur peshë një grua topolake. Sepse kur një burrë ka hequr dorë nga detyrimet e veta mashkullore, a nuk është njësoj sikur të ketë vdekur? E përse duhej të sprapsej prej saj? Për të vdekur përfundimisht si burrë?!... Sakaq e zbrazi kokën paksa nga brerjet e ndërgjegjes dhe i rrëzëlliti në tru, se në këtë hapësirë të madhe rrethi, ai ishte sovran i pushtetshëm, zot i plotfuqishëm. Dhe në këta dhjetëra mijëra njerëz që ishin vënë nën urdhrat e tij, duhet të kishte edhe nga ato që viheshin nën dëshirat e epsheve të tij prej burri. Dhe kjo ishte Amela, me të cilën po jetonte parajsën epshore dhe ia vlente të sakrifikohej për të…
Kështu pak nga pak ai e vuri plotësisht nën sundimin e vet. Por edhe ajo dalngadalë e vuri pothuaj tërësisht nën pushtetin e saj. Vagina e Amelës, veç funksioneve natyrale, mori tashmë edhe funksione të rëndësishme administrative. U kthye në një dosje të fshehtë, brënda kapakëve të artë të së cilës shoku Milto firmoste herë pas here emërimet, strehimet dhe ngritjet në përgjegjësi që i diktonte vendosmërisht e zonja e dosjes. Kështu shumë miq dhe mikesha të Amelës siguruan punë shtëpi dhe rehati, duke dorovitur me shukat nën dorë dosjen e artë të saj.
Mirëpo, duke vënë re afrimet e shpeshta të tyre edhe në veprimtari të jashtme të qytetit, kua ata shkonin bashkërisht, filloi të qarkullonte gjerësisht murmurima, se punët shkonin për dreq, për shkak se “partia ia hipte pushtetit” si pa të keq. Megjithatë, në vlerësim të fundit, këto fjalë merreshin edhe si thashetheme të një vendbanimi provincial.
Por befas ndodhi një e papritur që i ktheu të gjitha hamendjet në të vërteta. Shoku Milto dhe shoqja Amela ishin ftuar në mbrëmjen e kolektivit të shëndetësisë. Sikur të mos e ndienin, se mbi ta ishin drejtuar të gjitha shikimet përqark sallës, rreth orës njëmbëdhjetë e gjysmë, teksa mbrëmja vazhdonte dhe qyteti kishte rënë në gjumë, ata u shkëputën të dy njëherësh. Shkuan te dopjoshtrati i Seferit, për të kaluar pjesën tjetër të natës. Por pikërisht atë mesnatë, kur ata zhgërryheshin në shtratin e tij të martesës, dhe shoku Milto i zbrazi testikujt mirë e mirë, Seferit iu tek të vinte në shtëpi në mes të javës. Ai trokiti gjatë pas derës. Thirri disa herë: “Amela, hape moj, hape se jam unë, Seferi!“ Por ata nuk mund ta hapnin kurrësesi… Kati i tretë ishte tejet i lartë dhe shoku Milto nuk ishte i stërvitur për kërcime akrobatike të tilla. Seferi doli jashtë dhe thirri në drejtim të dritares, sa u zgjuan disa nga komshinjtë. Ata diçka kuptuan, por nuk ua mbante të hynin në atë lojë nate, kur ajo grua burri bënte sikur s’dëgjonte. Më pas Seferi shkoi në hotel dhe zgjoi sportelistin. I habitur pa masë, ky e strehoi në një dhomë dhe të nesërmen u tregoi nën zë miqve të ngushtë “xhevahirin” e asaj nate. Por lajmi sensacional shkoi gojë pas goje tek të gjithë. Këtë të keqe e ka qyteti i vogël.
Të nesërmen para dite shoku Milto dërgoi nëpunësin e paradhomës dhe e thirri Seferin në zyrë.
-Pse vjen në mes të natës e ngre pallatin në këmbë, more njeri i çrregullt e pa pikë llogjike, ç’borxh ta kemi? - e priti me këmbët e para sekretari i parë.
-Më fal shoku Milto, po u prish makina në Kërrabë dhe shoferi mezi e rregulloi…
-Pavarësisht, ti duhej ta kishe gjetur që në fillim rrugën e hotelit, jo të trokisje aq vonë sa të alarmoje të tërë qytetin. Ke mend në kokë ti, apo jo?... Shko tani dhe mos e përsërit herë tjetër!
-Si urdhëron, shoku Sekretar dhe ju lutem të më falni, kjo nuk do të ndodhë më kurrë…
Për atë “gabim të pafalshëm”, që bëri burri butaforik i Amelës, me mbarimin e kursit, u caktua instruktor partie në zonën më të largët të rrethit, për t’u kthyer në shtëpi vetëm të shtunave. Ndërkohë, shoku Milto vijoi të zhgërryhej me kryetaren e qytetit, pa bërë fare llogari, se çdo ditë humbte në mënyrë fatale vetveten. Dhe jeta e tij po jargavitej drejt fundit të turpshëm të një palaçoje të bojatisur vetëm me titullin e detyrës, të cilin, pëshpëritjet nën zë nuk e quanin më sekretari i parë, por “Palaçoja numër një”. Deri në ditën, kur qerres monopartiake duhej t’i ndërroheshin kuajt e lodhur dhe ai shkoi andej nga kishte ardhur. Ndërsa kryetarja e qytetit, Amela, me ndërrimin e shpejtë të sistemit, përfundoi edukatore në një kopësht femijësh.
Dhe thonë pastaj se në vendbanimet provinciale ka thashetheme, në vend që të thonë, bëmat e mbrapshta të njerëzve bien aty më shpejt në sy dhe u del boja menjëherë.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi