Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Vullnet Mato: CIGARET MARLBORO

Shko poshtë

Vullnet Mato: CIGARET MARLBORO Empty Vullnet Mato: CIGARET MARLBORO

Mesazh nga Agim Gashi Tue Feb 16, 2010 6:28 pm

Vullnet Mato: CIGARET MARLBORO 22565_1185472288142_1568334934_30381851_6985371_n


Vullnet Mato: CIGARET MARLBORO 22665_1163900988873_1568334934_30345381_3410171_n

Vullnet Mato

CIGARET MARLBORO

Tregim

Mesnata e marsit po shtyhej me një ftohtësi pa erë, por edhe pa hënë. Gjiu i detit dukej si një arë e madhe kashtëdjegur. Dritat e Korfuzit dhe të Sarandës, të reflektuara në të dy anët, ngjanin si hunjtë e gardhit të kësaj are ujore të stërzgjatur.
Gori me celular në dorë kishte dalë të vrojtonte në anë të detit përballë Korfuzit. Ishte futur midis shkëmbinjve të thepisur, aq sa koka me flokët e prerë shkurt, i dukej në ndriçimin e dobët të dritave të qytetit, si një tufë barishte e mbirë në mes të gurëve. Me vështrimin e tretur tutje, në thellësi të ngushticës greke, ai priste me ankth të shfaqej sinjali i vaporit të mallrave "Spiros" që ishte nisur nga Igumenica.
Kjo anije e madhe tregtare, sillte të maskuara mes ngarkesës së frizolit edhe arkat e tij me dyqind e pesëdhjetë koli cigare të markës "Marlboro" me vlerë pesëqindmijë dollarë. Pasi kishte paguar pronarin e vaporit dhe kishte bërë nxjerrjen e dokumenteve fallco për kalimin e mallit, Gori vetë ishte nisur qëllimisht më përpara. Me makinën e tij benz, ai kishte dalë nga Kakavija, që të mos ndodhej i pranishëm në rast kontrollesh tatimore në det të hapur.
Tani kishte gjysmë ore që po i binte pareshtur telefonit celular.
-Alo, qirje Spiros!... Qirje Spiros, Alo !...
-Irthame, irthame...( po vijmë, po vijmë...) -u gjegj së fundi zëri grek përtej detit.
-Ku ndodheni, ku? -pyeti Gori me ankth dhe dora me celularin "Nokia" po i dridhej nga emocione të fuqishme.
-Po hyjmë te Mesokanali, ja dhe pak, pa merak, pa merak...- u gjegj kapiteni Spiro.
-Embros, vre palikarja! (Përpara more trima! ) -ushtoi Gori krejt entuziast. Dhe pasi u mbush me frymëmarrje hareje, ndezi një cigare "Marlboro". Pastaj një copë herë gërmoi me sy tutje, ku nxinte deti dhe drithëronin ca drita të ftohta si xixëllonja të largëta. Por nuk dalloi asgjë nga ato figura aq të dëshiruara që i kërkonin sytë e fokusuar në largësinë e zezuar.
Sakaq cërriti sërish celulari.
-Ja, tani, qirje Goris, po duket Saranda sa një guaskë deti e vogël. - u ndie befas kapiteni grek Spiro. – Sapo lajmërova peshkarexhen tuaj të dalë përpara...
-Efkaristo parapoli, vre qirje Spiros ! - falënderoi Gori dhe menjëherë formuloi në celular numrin tjetër të anijes së paguar të peshkimit, që ishte nisur nga Butrinti të takonte vaporin.
-Alo, Rapi, Rapi!…
-Po, po, Rapi jam. Para pak minutave mora sinjalin nga vapori dhe u nisëm t’ i dalim përpara te Mesokanali i Korfuzit të marrim ngarkesën...
-Bravo, u lumtë!... - jehoi zëri i Gorit në kulmin e kënaqësisë, që punët po shkonin sipas parashikimit. S'i thonin shaka, do të fitonte dyqind e pesëdhjetë mijë dollarë. Një thesar të vërtetë. Pasi vapori "Spiros" do të ndalonte në mes të detit dhe vinçat e tij të fuqishëm do të lëshonin rrufeshëm arkat me kolitë e cigareve mbi peshkarexhen e paguar mirë, kjo anije peshkimi do të kthente rrugën djathtas drejt Butrintit, ku e priste maunia tokësore që do ta sillte mallin brenda natës te magazinat e tij në Sarandë.
Teksa Gori numëronte minutat, që shtyheshin me një ngadalësi zvarranike të çuditshme, ra përsëri zilja e celularit të Rapit:
-Alo, Gori, ngarkesën e morëm, po nisemi...
-Bravo, jeni xhekër, jeni shumë të mirë, jeni pucarenj të mëdhenj, u lumtë! - thirri Gori krejt i lehtësuar tashmë nga tensioni nervor me të cilin i kishte përballuar ato minuta ankthi.
Gori u ndërmend, se kështu kishte vepruar edhe ai ministri i këtejshëm, që ishte bërë bos dhe tani po ngrinte drejt qiellit pallatet e tij shumëkatëshe. Do të ngrinte edhe vet një pallat të madh, mu në mes të qytetit turistik, që ta farfuriste hijen në ujërat e kthjellëta të gjiut të Sarandës. Do të linte përjetësisht gjurmën e tij madhështore mbi detin e lashtë të Onhezmit, ku historia kishte shkruar mijëra bëma të mëdha, luftëra të përgjakshme dhe kontrabanda të mahnitshme të peshuara me tonelata floriri.
Nga këto mendime ngazëlluese e shkëputi zilja e celularit të Rapit që ra sërish me një tringëllimë të zgjatur.
-Alo, Gori, alo, ka ndodhur një poshtërsi e tmerrshme, na kanë spiunuar!...
-Çfarë, çfarë?…
-Guardia di financa greke na preu rrugën nga ana e tokës shqiptare dhe po na ndjek me shpejtësi!
-Mos more ! - u trondit thellë Gori.- Ç'thua more, se po më çmend?!... Kush qe ai mut bir muti që na spiunoi?...
-E kemi punën keq... Ata po çajnë detin me shpejtësi. Çfarë të bëjmë?...
-Ecni drejt mesit të detit, derisa t'i afroheni zonës tonë! Shtoni shpejtësinë në maksimum! -klithi Gori i rrëqethur nga ky lajm i papritur. - Forca! Forca !
-Ne po ecim me maksimale, po grekët s'po na ndahen këmba-këmbës!
-Forca! Forca! -përsëriste Gori pareshtur me tonin e tij jehues mes shkëmbinjve të thepisur.
-Eh, tani i lamë pak prapa, po jemi akoma larg brigjeve!... - cëriti membrana e celularit.
Gori mori frymë thellë një çast dhe ndjeu mushkëritë t’i fryheshin si kacek.
-Ecni drejt, ecni drejt! – bubulloi ai dhe duart po i dridheshin me ngërçe.
-Ah, ah! - u ndie Rapi pas pak, -Paskan lajmëruar edhe dragën qenat, po vjen me shpejtësi nga krahu tjetër dhe do të na qëllojë !
Gorit iu duk sikur i fluturoi truri nga kafka e kokës dhe nuk dinte ç’mendim tjetër t’u jepte.
-Nuk qëllojnë, jo, nuk ua mban të qëllojnë, jeni në ujrat neutrale... Nuk ua mban bytha, kemi marrëdhënie miqësie me qenat...
-Ata po shtinë në ajër dhe po na japin shenja me prozhektor të kthehemi...
-Në asnjë mënyrë mos u ktheni, në asnjë mënyrë! Mos u ktheni se do të shkoni të kalbeni te burgu i kalasë së Korfuzit! Po ecni, ecni me tërë shpejtësinë! Nuk qëllojnë dot, jo, nuk qëllojnë dot...
Nuk kaluan as pesë minuta, kur në celular u dëgjua klithma tejet alarmante e Rapit:
-Ah, ah, mbaruam Gori, mbaruam!... Draga po na arrin dhe doli përpara të na presë rrugën...Ja, ja, mori kthesën drejt nesh, ecën si vetëtimë e ndezur flakë nga dritat e proxhektorëve...
Gori u mendua një grimë me tmerr: Gjyqe, arrestime, gjoba, lajme gazetash nga të dy anët e kufirit, sekuestro pasurie... Jehona e përleshjeve në zemrën e tij, tani po e godiste në kokë me dhjetëra çekanë të fuqishëm njëherësh, derisa iu duk sikur iu shkallmua krejt trupi. Dhe mori një vendim fatal. Një vendim shkatërrimtar të llahtarshëm.
-Alo, Rapi, Rapi më dëgjon?… Hidhni shpejt arkat e cigareve në det, nga ana tjetër e dragës, ku nuk duken nga nata! Shpejt në det, të shpëtojmë kokën nga burgu! Thuaju punëtorëve të mi të luajnë duart, ndryshe e pësuam të gjithë !... U pa puna, shpejt në det, të mos ua gjejnë kopilin në duar!... Shpejt po ju them!...
Për disa minuta të gjata asnjë zë tjetër nuk cëriti nga thellësia e detit. Por edhe Gori nuk guxonte të merrte më tej në telefon, pa pritur ringjalljen e zërit të tyre të vënë në darën e policisë. "Ah, ç'më gjeti ! -tha dhe zuri kokën me duar. -Do fitoja dyqind e pesëdhjetë mijë dollarë, humba pesëqind mijë, ah, ah, ç'më gjeti !... Më mirë të isha mbytur vet në det... Më mirë të kisha vajtur në të sëmës që me kohë !"
Kaloi pothuaj një gjysmë ore e tmerrshme, gjatë së cilës Gori qyqar po hante veten me dhëmbë nga sikleti, kur ra zilja dridhëse e celularit.
-Eh, more Gori, eh, fatzinjtë ne!... Mallin e mori deti, po të paktën shpëtuam nga burgu... Policia kontrolloi deri poshtë në hambar dhe na pyeti, ku i kini cigaret. Po ne mblodhëm supet, nuk dimë gjë, u thamë, kemi dalë të kërkojmë peshk...Peshk me shpejtësi skëterre kërkoni ju shqiptarët, thanë ata. Jo, u thashë unë, ne vrapuam se na ndoqët ju... Ata qeshën me djallëzi, "A s'to dhjallo!" thanë, ju jeni përbindësha që përpini edhe ujin e detit dhe të lini shkumën në dorë... Dhe si e panë që s’kishim ku na kapnin, na lanë të lirë, tani po vijmë drejt Sarandës...
Gori pështyu hidhur, sikur të kishte helm në gojë dhe desh tha, mos ardhshi kurrë, mos e prufshi kokën, ç'më duheni ju mua, kur më humbi gjithë ai mall! Shkova për lesh e dola i qethur zero... Dhe befas iu kujtua antiteza e disfatës së tij. Or, pa dale, po atë ministrin e këtejshëm, që fut herë pas here nga tre-katër milionë dollarë cigare, pse s'e ndjekin me skafe policie dhe draga këta zagarë, m'u dhjefsha tëmat? Po vetëm ne tregtarët, që sa zëmë të ngrihemi pak nga dyshemeja, biem prapë në gropë të halesë?... Eh, si janë pleksur e kokolepsur hajdutëria detare e dy shteteve tanë... Uh, ç'më gjeti mua të ziun, uh, uh!…
Me mendje të çoroditur siç ishte, Gori ndjeu, se kanotjeri po i ngjitej në lëkurë, ndonëse ajri ishte tejet i ftohtë. Ai doli nga shkëmbinjtë e thepisur, ndezi një cigare tjetër "Marlboro" dhe u nis për në shtëpi. Në atë mugëtirë dëshpërimi e temperaturë metalurgjike në kokë, mendoi se këtë natë të trishtuar, ashtu si ai, edhe peshqit e Jonit kishin marrë në buzë dhe po provonin cigaret e tij "Marlboro". “Pini o peshq paratë e trupeshkut pini!...- tha me vete, – Se Gori deshi t’i ngjajë ministrit, megjithëse e njihte mirë që ishte më trupeshk nga vetja, po harroi se ai ka kolltukun kishë dhe xhami, ku falen nga të dy anët ata që ruajnë kontrabandën... - dhe pas kësaj ndjeu se truri nuk i punonte më për asgjë tjetër. Përfytyroi vetëm imazhin e një shisheje me raki të fortë dhe nxitoi hapat drejt saj.
(Mars 2003)

Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi