Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shefqet Dibrani:Proza e Muharrem Blakajt (1)

Shko poshtë

Shefqet Dibrani:Proza e Muharrem Blakajt (1) Empty Shefqet Dibrani:Proza e Muharrem Blakajt (1)

Mesazh nga Agim Gashi Thu Feb 18, 2010 11:49 pm

Proza e Muharrem Blakajt (1)

RRËFIMI PËR MISIONIN...


Muharrem Blakaj: “MISIONI SEKRET” , roman, botoi Sh. Botuese “Rozafa”, Prishtinë 2004, faqe 270. ISBN 9951-02-047-X

Shkruan: Shefqet DIBRANI

Muharrem Blakaj për lexuesin shqiptar është bërë i njohur në fushën e librit dhe të krijimit letrar, kryesisht si romancier. Ai, sot shquhet si njëri nga shkrimtarët e përkushtuar që merret me prozën e gjatë. Ky epitet për Blakajn vlen veçmas pasi ai jeton jashtë atdheut dhe vazhdimisht ka shkruar romane. Ky autor deri më tani është prezantuar me katër romane duke e bërë veten emër të pranueshëm në fushën e letërsisë shqipe, veçmas siç e theksuam më parë të asaj letërsie që krijohet në mërgim.

Shefqet Dibrani:Proza e Muharrem Blakajt (1) Image001sr

“Misioni sekret” është romani i parë i këtij autori, është një vepër letrare, një roman interesant që dallon nga një sërë romanësh të kësaj natyre, jo vetëm nga ana stilistike dhe e rrëfimit të ngjarjes, por me përpjekjen serioze dëshmon potencën krijuese për të sjell një tip të prozës, e cila sikur ka munguar(?!...), e madje si zhanër letrarë mjaftë konkurrues që sfidon veprat e kësaj natyre të autorëve që jetojnë në diasporë, veçmas të atyre në Evropë.

Autori në romanin “Misioni sekret” ka shpalos në mënyrë estetike dramën e popullit të tij, dramë kjo që rëndoi edhe mbi shpatullat dhe jetën e autorit. Por me romanin në fjalë autori është inkuadruar në letërsinë shqipe me mjaftë ambicie.

Shikuar nga kultura e shkrimit shihet fuqishëm përpjekja e autorit për ta sforcuar rrëfimin si një përpjekje fondamentale për t’ia rritur vlerën artistike këtij romani. Në disa fragmente të romanit “Misioni sekret” duket sikur vet autori ishte protagonist i shumë ngjarjeve dhe ndodhive shoqërore e politike që mbuluan për vite të tëra qiellin e Kosovës. Madje, (si një konvencë jashtë letrare), mund të shprehemi se autori ishte viktimë politike e sistemit. Ai është përballur me shantazhet policeske, me burgosjet dhe madje edhe më pësimin nga ky sistem. Fakt i parë që tashmë dihet është vrasja e vëllait në burgun hetues në Pejë, dhe fakti tjetër është e dhëna se ai nga këto përndjekje do të detyrohet t’ia kthej shpinën edhe atdheut, përkatësisht Kosovës. Ne u detyruam t’i përmendim këto sekuenca jetësore që s’kanë të bëjnë me librin, por shërbejnë për të ditur edhe arsyen pse ky autor merret pikërisht me hulumtime në fushën e shërbimeve sekrete, përmbajtje kjo që mund të nënkuptohet nga vet titulli i librit.

Në romanin “Misioni sekret”, autori ka arritur të shpalos me mjaftë mjeshtri “misionin sekret” si dramë e përjetuar, si torturë dhe si preokupim shoqëror. Kështu si është dalë, duket një rrëfim specifik, mjaftë rrëqethës pasi ngjarja përkon me një realitet shoqëror e politik të përjetuar për individin apo shoqërinë si një tërësi më vete, përkatësisht fati i një populli që kaloi nëpër një etapë shoqërore e politike e cila përfundoi me një tragjedi të përmasave çnjerëzore, sidomos kjo gjë shqetësonte për faktin se krimi ndodhte diku në një cep të “Evropës së civilizuar?!”

Hapësira e rrëfimit është e përmasave specifike, ku kujdesshëm përshkruhen zhvillimet e mëdha shoqërore e politike si një observim specifik qoftë i tematizimeve etike, qoftë i atyre morale, apo shoqërore si një koncept i ndërtuar mbi veprimin këmbëngulës për të arritur synimin e planifikuar, qoftë të romanit si një krijim artistik, apo të sukseseve që arriti populli ynë si procedim i fitores e lirisë së ëndërruar.

Optika e krijimit në romanin “Misioni sekret” të Muharrem Blakajt është ndërtuar mbi observime të kujdesshme duke rikthyer e aktualizuar idetë mbi ngjarje e situata të cilat kanë lënë vragë në jetën e autorit apo të shoqërisë si një koncept më i avancuar në njërën anë, dhe në anën tjetër: janë vështrime të kujdesshme mbi gjendje emotive ku janë sublimuar kujdesshëm edhe degradime të rënda që i kanë bërë shoqërisë njerëzore personazhe të dyfishta të cilat janë të implikuara në shërbim të misioneve sekrete, dhe njëherësh në një prizëm tjetër, këta individ kanë shitur moral patriotik në shërbim të çështjes dhe atdheut i cili terrorizohej dhe dhunohej pa ndërpre nga politike diskriminuese e cila përdorte mekanizmin e “shërbimeve sekrete” për t’ia zgjatur robërinë kombit tonë, ose të paktën për t’i çoroditur lëvizjet e fuqishme për liri dhe pavarësi.

Drama e tij jetësore, apo drama e përjetimit jetësor janë sinonim i dramës si fantazmë e shpikur që është e lidhur dhe ndërthurur me mjeshtri me shumë zhvillime dhe ngjarje reale. Prandaj romani “Misioni sekret” i M. Blakajt me mjaftë besnikëri ka përshkruar zhvillime që i përkasin një kohe të caktuar, kohë kjo jo aq e largët nëpër të cilën jo vetëm kaloi, por u përcëllua kombi ynë.

Sekuenca të romanit, përkatësisht fragmente të tëra janë sajuar e ndërtuar në formë tregimesh të cilat mund të botohen edhe veç e veç dhe do të shpjegojnë një sekuencë të ndodhisë së romanit. Ky element më duket është edhe një afinitet i fushës së krijimit letrar pasi romani mund të cilësohet si tregime që plotësojnë njëri tjetrin duke sforcuar konceptin e përgjithshëm të këtij romani. Po ashtu vërehet se brenda romanit autori i ka ballafaquar me sukses veprimet e kundërta, si të shprehemi, polet e kundërta të një fushe magnetike të cilat herë refuzohen dhe herë tërhiqen mes njëra tjetrës, ashtu edhe zhvillimet e ngjarjeve brenda këtij romani herë duken refuzuese e herë tërheqëse por veprimi i tyre është i ndërtuar dhe ruhet me rigorozitet nga një fushë e ndikimit tërheqës, e herë pas here edhe refuzues, por që ballafaqohen gjatë tërë procesit të veprimit dhe të viktimizimit të personazheve shërbyese dhe të atyre në shërbim.

Ngjarja është shtruar si një dramë e brendshme e individit, kurse proceset vihen pikërisht në kohën e lëvizjeve të mëdha të nëntokës në njërën anë dhe të lëvizjeve të mëdha patriotike për të prishur atë statusquon e rrejshme që për dekada me radhë e kishte propaganduar një sistem i kalbur vetëqeverisës por që shtirej si njëri nga proceset më të përsosura, më të avancuara, madje, madje jo rrallë është thënë se duhet marrë model i së mirës dhe i realizimit të aspiratës të të drejtave nacionale të kombeve e kombësive që ishin futur me dhunë nën juridiksionin e një administrate federale e cila avanconte dhe përparonte kombet dominuese në dëm të kombeve më të vogla dhe sidomos në dëm të pakicave kombëtare që në ish Jugosllavi ishin emërtuar si “kombësi”, një pozicion i papërcaktuar, një lloj binomi artificial që për dekada të tëra diskriminonte kombin tonë në mes statutit të kombit dhe të pakicave kombëtare që ishin të rregulluara e mbroheshin me konventa ndërkombëtare të cilat i kishte nënshkruar edhe vet Jugosllavia. Në këtë pozitë kushtetuese kaq diskriminuese sikur ishte krijuar tereni më i përshtatshëm për spekulimet e mundshme të shërbimeve sekrete të cilat jo që vepronin në mënyrë të pakontrolluar, por ato shërbime ishin yshtur e motivuar pikërisht nga aparati shtetëror i cili me legjislacionin e tij juridik sikur iu kishte mundësuar fushëveprim të skajshëm e të papenguar pikërisht këtyre shërbimeve.

Por, autori i romanit nuk është kufizuar vetëm në periudhën e përmendur më lart, veprimin e shërbimit sekret serb në Kosovë ai e bart edhe gjatë luftës së armatosur dhe pas përfundimit të saj. Madje, madje rezultatet e veprimeve të shërbimeve sekrete sikur i pagoi më shumë Kosova pas përfundimit të luftës duke u likuiduar me dhjetëra e dhjetëra intelektual e personalitete që i duheshin një vendi, veçmas është dashur të ruhen e jo të likuidohen pikërisht personat e implikuar dhe përgjegjës të shërbimit sekret serb që ka vepruar në Kosovë për dekada me radhë, shërbim ky që për shumë nuanca qoftë të romanit e qoftë të realitetit praktik është prezent edhe në të tashmen e çliruar të Kosovës, ku brenda këtij romani shpalohet me kujdes esenca dhe ekzistenca e tyre, personazhe këto që krijojnë situata të ndera të cilat e bëjnë rrëfimin e romanit më të gjallë dhe ngjarjen më përjetuese.

Autori për ta bërë romanin e tij më tërheqës, më interesant dhe më të pranueshëm, ka zgjedhur edhe kohën kur më së shumti kanë qenë aktive shërbimet sekrete, sidomos në kohën e vlimeve të mëdha shoqërore e politike, në kohën e ndryshimeve të mëdha kushtetuese, në kohën e pozitës më diskriminuese që iu caktua nga radikalizmi serb kombit tonë. Radikalizmi serb, si kurrë më parë ishte sforcuar dhe kishte nisur marshimin e tij drejt republikave veriore të ish Jugosllavisë, kurse Kosovën e kishte përdorur si një epruvetë laboratorike për të yshtur këtë radikalizëm për yryshe të mëtejme drejt republikave dhe kombeve të tjera në tërë këtë hapësirë e cila tashmë ishte tronditur në themelet e saj nga gjithë vlimet dhe ndryshimet e mëdha që rrokullisnin shërbimet dhe misionet e caktuara.

Personazhet e romanit janë figura të gjalla të jetës publike, dhe personalitete të tjera që me dashje ose përmes shantazheve janë implikuar në këto shërbime duke qitur në pah tërë mynxyrën e veprimit të aparatit shtetëror i cili ishte shtrirë me tërë strukturën komanduese në çdo pore të jetës qytetare, duke qenë në gjendje të kontrolloj e komandoj çdo veprim në tërë hapësirën e caktuar dhe madje edhe në mërgim.

Natyrisht në romanin e Blakajt me sukses është paraqitur veprimi i shërbimit sekret serb në raport me shqiptarët, dhe ky raport ishte ndërtuar mbi kundërshtimet, përkatësisht në përpjekjen e këtij shërbimi për ta mposhtur luftën dhe veprimin kundërshtues legal e ilegal që e bënin shqiptarët në Kosovë, dhe në pamundësi të një veprimi të tillë i tërë ky shërbim ishte angazhuar në mënyrë të dyfishtë për ta çoroditur, për ta implikuar dhe për ta devijuar veprimin e mirë patriotik ku jo rrallë ishin ngatërruar veprimet e pastra patriotike me ato të pseudopatriotëve të cilët kishin misione të dyfishta dhe fatkeqësisht persona të rënë në ingranazhe të shërbimit sekret serb bënin kërdinë dhe hatanë në dëm të kombit pjesëtar të të cilit ishin, kurse në anën tjetër kishte si qëllim final që mbarë popullin shqiptarë ta paraqiste para opinionit ndërkombëtar si një popull kriminel, terrorist, bartës drogash, trafikant prostitucioni, vrasës dhe plaçkitës ordiner, gjë që pati ndikim tepër negativ brenda autoriteteve dhe medieve kudo në Evropë, e veçmas në Zvicër.

Romani “Misioni sekret” i Muharrem Blakajt është shkruar me mjaftë mjeshtri, vërehen njohje të theksuar që autori ka mbi shërbimet sekrete, sidomos të shërbimit sekret serb i cili herë vepronte haptas e herë më i maskuar, herë i uniformuar e të tjera herë mjaftë i shëmtuar. Sidoqoftë autori me mjaftë mjeshtri ka paraqitur fytyrën e vërtetë të këtij shërbimi në rrethana e caktuara kohore që kalonte Kosova. Një pjesë e këtij romani do t’i kushtohet veprimit të shërbimit serb në Evropën Perëndimore dhe më larg, ku pikësynim kishte Zvicrën pasi dihej se veprimi i emigracionit politik dhe të atij ekonomik ishte më aktiv se kudo tjetër. Përmes personazheve të caktuara autori me mjaftë sukses e ka konkretizuar qëllimin e veprës së tij që mëton për të pasqyruar kryekëput veprimin e shërbimit sekret serb i cili pat përdorur çdo mjetë moral, material, politik e diplomatik për t’i nënshtruar shqiptarët, për t’ua çorientuar idenë e lirisë dhe të pavarësisë. Gjithsesi romani në fjalë do të dilte jo aq përjetues, kurse veprimi i shërbimit sekret serb më i zbehur dhe jo gjithaq i komplikuar po sikur në këto shërbime të mos ishin implikuar dhe involvuar edhe vet shqiptarët të cilët pas gjithë atyre shërbimeve që do t’ua bënin padronëve të tyre do të pësojnë dhe do të eliminohen si të papërdorshëm. Por në rrethanat e shërbimeve sekrete zakonisht ndodhë që pasi të jenë shfrytëzuar veprimet e tyre në fund janë shtrydhur si limon, madje me një inskenim të caktuar janë eliminuar fizikisht për të lënë mënyrën e veprimit të këtyre shërbimeve më enigmatike, përkatësisht për ta bërë veprimin sa më misterioz.

Personazhi kryesor i romanit Fer Gergjlekaj luan rolin e eprorit për zbulim, ai në këtë roman paraqitet njohës i mirë i kësaj fushe, i shkolluar dhe përgatitur në qendrën që ka prodhuar kriza e krime të mëdha për kombin tonë dhe për njerëzit e Ballkanit në përgjithësi. Ky personazh i jep shkas rrëfimit për t’u zhvilluar me tërë dramacitetin e mundshëm që e lejon mënyra e këtij rrëfimi, për t’i implikuar në këto shërbime personazhet tjera që janë kryesisht kriminel ordiner, për vrasje, për vjedhje a për dhunime të shumta si Momçillo Milivojeviq (Moma) me pseudonimin Ylber Kraça, Brankoviq Marinko, Starqeviq Misha, Fer Gjergjlekaj me pseudonimin Besimi dhe i njohur si Beli, Gorani, fëmijë i braktisur nga prindër shqiptar, i rritur në jetimore si fëmijë serbë, i indoktrinuar me urrejtje patologjike dhe i yshtur për të vrarë e dhunuar popullin e tij... i vetkonvertuar mandej në Agron, pastaj si personazhe kryengritëse vijnë Mentori, Bardha, Agroni etj., dhe në fund, një garniturë personazhesh që janë marrë si referenca të veçanta për ta begatuar në mënyrë artistike motivin e “misionit sekret”.

Romani “Misioni sekret” i Muharrem Blakaj është një roman i realizuar mjaftë mirë qoftë në planin ideor,po edhe në planin artistik. I shkruar me një gjuhë të rrjedhshme dhe me pikësynim të caktuar, që e bëjnë rrëfimin më përjetues, ndërsa syzheu dhe personazhet e romanit janë narratori më i suksesshëm që e bëjnë veprën më përjetuese dhe romanin në përgjithësi më të realizuar.

Zvicër, 7 shkurt 2010



SHËNIME PËR AUTORIN:


Shefqet Dibrani:Proza e Muharrem Blakajt (1) Image003gjy.th

Muharrem BLAKAJ(06.01.1959). Lindi në fshatin Vrellë, komuna e Burimit (ish Istogu). Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, të mesmen, ekonomiken, tre vitet e para në Pejë, ndërsa vitin e katërt, maturën, e përfundoi në Istog. Po atë vit e regjistroi Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë, degën gjuhë dhe letërsi shqipe.

Muharrem Blakaj për herë të parë burgoset më 14 dhjetor 1979, kurse për herë të dytë më 5 shkurt 1987. Herën e dytë në mungesë të provave e lirojnë, ndonëse një vit më parë UDB serbe ia kishte mbytur të vëllanë (Xhemailin), në burgun hetues në Pejës.

Gjatë bastisjes në shtëpinë e tij, policia ia merr dorëshkrimin e tregimeve të përgatitur për shtyp „Monolog i një komiti“, si dhe dy novelat „Balta me gjak“ dhe „Besa“, të cilat nuk ia kthejnë asnjëherë.

Muharrem Blakaj, në tetor të vitit 1987 detyrohet ta lëshoj Kosovën dhe të kërkoj strehim politik në Zvicër. Ai deri më tani i ka botuar kudo në shtypin shqiptarë qoftë në diasporë apo në Kosovë, tregimet dhe fragmente nga romanet e tij.

Muharrem Blakaj, bashkë me familjen e tij jeton në Zvicër.

Adresa elektronike: memi_1111@hotmail.com


Veprat letrare:


1. “Misioni sekret” , roman, botoi Sh. Botuese “Rozafa”, Prishtinë 2004.

2. ”Thesaret e humbura”, roman, botoi SHKSH „Mëmëdheu“, CH - St. Gallen 2005.

3. “Atentat brenda germës L”, roman, botoi SHKSH „Mëmëdheu“, CH - St. Gallen 2007.

4. “Paraardhësit”, roman, botoi “KOMBI” (IKDFK), Prishtinë 2009.



Përgatiti: Sh. Dibrani


MISIONI SEKRET...

(Fragment)*

Nga Muharrem Blakaj


***
Serbja e bukur kishte kohë që ishte kthyer në banesë. Ajo kishte përgatitur darkën dhe bashkë me Besimin kishin ngrënë, duke cakërruar gotat e verës. Biseda zhvillohej e qetë. Besimi ishte liruar krejt nga stresi i frikës. Hezitimet, mëdyshjet dhe ankthi dukej se i qenë darovitur. Tani e ndiente veten shumë të sigurt, pasi zbulimi që kishte bërë ishte një udhërrëfyes. Ishte i sigurt se Gorani, i konvertuar tanimë në Agron, do të ishte një mburojë e gjallë dhe një shpëtim i sigurt, që, siç dukej, vetë Zoti ia kishte dërguar si një engjëll për ta shpëtuar nga fatkeqësitë dhe për t’i rrëfyer rrugën drejt shpëtimit të sigurt, deri në largimin nga ky vend i mallkuar. Tani nuk i kishte mbetur asgjë, vetëm ta vazhdonte dëfrimin e një nate më parë, por tani vetëm ai me serben e bukur.

Pas pijes dhe dëfrimit, kishte ardhur koha e gjumit. Kokën e kishte të rënduar, por mendjen ende të kthjellët. Pesha e rëndë e natës sa vinte dhe rëndohej mbi qepallat e tij. U shtri të flinte në një dyshek që ia solli vajza, kurse ajo u mbyll në dhomën e saj. Dua të fle e patrazuar nga askush, tha ajo, duke i uruar natën e mirë me një puthje të lezetshme.

Nuk i kujtohej se sa kishte fjetur, kur dëgjoi derën të hapej vajtueshëm. Si një hije e frikshme, në maje të gishtërinjve, ajo u afrua pranë dyshekut ku ishte i shtrirë Besimi. Në atë gjysmerrësirë, Besimi njohu Belin.

“Në gjumë je?“ – pyeti Beli me një zë pëshpëritës.

“Isha, por tani sa u zgjova. Ç’kemi?“

“Ngrehu! Me duket se na kanë rënë në gjurmë. Sipas informatave që kam, nesër herët në mëngjes… shpejt, shpejt!”

“Kush të tha?” – pyeti Besimi, me sy të zgurdulluar.

Beli nuk vërejti gjë në mimikën e tij, por nga zëri e njohu se i kishte hyrë frika në palcë.

“Eja, shpejt! Pasi të dalim jashtë, të tregoj çdo gjë! Ngutu, ngutu!”

Besimi tani ishte në këmbë, i gatshëm për të dalë. Beli priu i pari dhe sakaq u gjend në Ballkon. Me një të kërcyer u gjend në kopsht. Pas tij u hodh edhe Besimi. Fresku i natës ia përshkoj ballin e djersitur. Jashtë vazhdonte të binte një shi i imtë dhe herë pas here qiellin e çante ndonjë vetëtimë gjarpërore. Pas saj, si e mbytur, dëgjohej krisma e largët e motit me një gërrhamë të venitur.

Pasi kaluan mes për mes kopshtit me lule, u gjenden në skajin verior. Regëtima e dritës së neonit, që mezi arrinte deri të cepi kopshtit, ua mundësoi t’i gjenin kangjellat dhe, pasi u ngjitën fort pas tyre, ata u gjendën jashtë kopshtit, në rrugën e ngushtë. Me hapa të lehtë dhe të shpejtë, ata u afruan pranë parkingut të veturave. Beli hapi derën. Sakaq të dy u gjendën në veturë. Pasi u rehatua mirë në ulësen e tij, Beli ndezi motorin. Ju duk një zhurmë alarmuese gërrhama e motorit. Beli nuk pati kohë të merrej me atë gërrhamë. Duke i lëvizur me shpejtësi duart mbi timon, sakaq u gjend në rrugë.

Kur vetura u gjend në rrugën kryesore, dritat e neonit depërtonin në kabinën luksoze të veturës. Besimi, porsa hapi gojën për t’i treguar Belit për sa kishte parë në xhepat e Goranit, vëmendjen ia tërhoqi ndryshimi i vogël në kabinën e veturës, që e bëri të ndërronte mendje, duke mos nxjerrë zë. Në vend të flamurit shqiptar, në xhamin e përparmë ishte i varur flamuri serb, kurse xhufka në anën tjetër nuk ishte fare aty. Në dorë, jashtë zakonit të tij, Beli kishte vënë dorëza. Për t’u bindur se ky ndryshim ishte i pranueshëm, pa pyetur fare Belin, shtyu kasetën duke e lëshuar magnetofonin. Kabinën e mbushën tingujt e një kënge çetnike. Kjo e papritur e bëri të dyshonte, se diç nuk ishte në rregull. Duke u përballur me një ndryshim të theksuar dhe duke e marrë parasysh frikën e tij të tepruar se gjoja kishin rënë në gjurmët e policisë, disi e ndjeu veten të futur në një grackë. Pa dashje iu bë se akoma koka e tij gjendej në mes të hekurave. Tëmthat iu bë se iu frynë dhe e ndjeu se zemra i rrihte me një ritëm të shpejtuar.

“Ku po me çon?” – mori zemër më në fund dhe pyeti.

“Mos ke frikë. E vërejta shqetësimin tënd. E kam ndryshuar kabinën, sepse sot gjithë ditën kam pasur punë me njerëzit e konsullatës. Tani unë po të dërgoj në një zonë kufitare, që nuk kontrollohet natën dhe ti, sakaq, do të gjendesh në anën tjetër të kufirit. Atje të presin njerëzit e mi. Çdo gjë është e organizuar mirë. Thesarin në përgjithësi e kam nisur. Pasi të kalosh Austrinë, do t’i bashkohesh karvanit të kamionëve dhe bashkë me ndihmat humanitare, ti si përcjellës i tyre, do të jesh në Beograd. Edhe dokumentet e udhëtimit i ke gati. Pasi të kalojmë kufirin, do ti marrësh dhe… mirupafshim në tokën e lirë!” – tha Beli me një qeshje të papërmbajtur

Vetura mori një kahe që të nxirrte në një zonë kufitare. Në tabelë mundi të lexonte: Zoll 40 km. Paska kohë mjaft, mendoi. Frika iu kishte darovitë. Pas fjalëve të Belit, e ndiente veten më të sigurt. Nuk e kishte të qartë akoma se sa do të qëndronte Beli në këtë vend, por tekefundit kjo nuk kishte ndonjë rëndësi të veçantë. Rëndësi tani kishte largimi i tij nga ky vend dhe atë sa më parë. Pastaj, të gjitha rregullohen. I shkujdesur ndezi një cigare për veti e një për Belin.

Shiu vazhdonte të binte. Rrallë, tek-tuk, vinte ndonjë veturë nga ana e kundërt. Diku larg, fare prapa tyre, u dukën dritat e gjata të një veture që vinte pas tyre, me një shpejtësi të madhe. Beli shau nëpër dhëmb, sepse dritat e gjata nga reflektimi i pasqyrave i binin në sy. Vetura u afrua dhe doli në anën e kundërt, duke i kaluar me një shpejtësi marramendëse.

Derisa u afruan buzë malit, ata nuk folën fare. Pasi Beli e ndaloi veturën, i fiku dritat dhe me një shpejtësi të vogël filloi ta ngiste drejt malit. Nga errësira e dendur mezi dallohej rruga. Beli mbante mesin e rrugës. Mali nuk ishte larg. Vetura sa vinte dhe afrohej. Beli fiku edhe motorin. Vetura tani ecte ngadalë, se rruga kishte marrë të tatëpjetën. Fare buzë mali, në një shesh të gjerë në anën e majtë, Beli e parkoi veturën.

“Është mirë që këtë pjesë të shkurtër rruge ta bëjmë në këmbë. Vetëm një zhurmë sado e vogël në këtë qetësi nate, do të mjaftonte për të na zbuluar.”

“Mirë, ecim në këmbë. Është larg që këtej?”

“Rreth njëqind metra. Eja pas meje, në distancë,“ – tha Beli dhe sakaq u zhduk në dendësinë e malit. Besimi e ndiqte pas. Errësira ishte e madhe. Ata ecnin në një distancë, por pa mundur ta shquanin njëri-tjetrin. Beli ndezi pranë këmbëve të tij llambën e xhepit, që e kishte marrë me vete, para se të dilte nga vetura.

Shiu vazhdonte të binte me intensitet të shtuar. Dëgjoheshin vetëm pikat e shiut, që binin mbi gjethet e lisave, me zhurmë monotone, si dhe hapat e tyre. Befas Beli ndaloi. Pasi e hodhi dritën rreth e qark tij, u kthye nga Besimi, i cili ishte afruar tani fare pranë.

“A ke marrë armë me vete?” – pyeti Beli me zë të ulët.

“Jo. E harrova, por besoj se nuk do të kem nevojë për të,“ – u përgjigj po ashtu me zë të ultë Besimi.

“Ti nuk do të kesh nevojë për të, kurse unë që kam nevojë, e kam marrë me vete, ja ku e kam!“ – dhe sakaq e nxori armën nga brezi.

Në dritën e llambës Besimi pa revolen në dorën e tij. Ju duk se ishte e madhe, me tytë të gjatë. Por nuk pati kohë të mendonte gjatë për formën e saj, sepse ai vrullshëm e ktheu tytën në drejtim të tij.

“Kështu, pra, këtu përfundon misioni ynë shoku Fer Gergjlekaj.”

“Cili mision!? ” – pyeti i hutuar dhe i fiksuar Besimi.

“Misioni sekret!” – u përgjigj qetë, ndërkaq drita e llambës luajti duke ndërruar pozicionin.

Pastaj dëgjoj zhurmën e njohur të hekurt, gjatë tërheqjes së çarkut.

“Ç’pate!?... Mos luaj me armë, Ylber!…” – tha me zë shpotitës, që ju bë se nuk ishte zëri i tij. Mornica të akullta ia përshkruan tërë trupin, duke iu ngjitur nga fundi i këmbëve, deri në tepën e kresë, por atje arritën të nxehta, të përvëluara, sa që djersët i dolën nga ankthi, duke u bashkuar me ujin e pikave të shiut që i shkonte rreke ballit dhe faqeve. Leqet e këmbëve zunë t’i dridheshin.

“Nuk jam Ylber Kraça, por jam Moma... Momçillo Milivojeviq!”

“Si!?... kurse unë?!...”

“Po, pikërisht. Kështu i kemi pasur rolet!“

“Ç’kërkon nga unë?“ – tha Besimi me zë lutës.

“Në emër të Serbisë…“ - dhe fjalët e tjera nuk i dëgjoi. Dëgjoj vetëm një vërshëllimë të shurdhër, të shoqëruar me një flakë regëtuese, si dhe dhembjen djegëse në mes të barkut. Pastaj ndjeu edhe një therje tjetër të zjarrtë në gjoks dhe instinktivisht u bë gërmuq, duke mbajtur plagët me të dy duart. Ndjeu se sytë po i errësoheshin, kurse drita e llambës sa vinte e venitej. E pa se nuk do të mbahej dot në këmbë, ndaj zgjati ngadalë dorën e majtë, për ta mbështetur sado pak diku në tokë, por tani as tokën nuk e gjente dot. Nuk e dinte se në ç’formë ishte duke qëndruar në mes të asaj hapësire të errët dhe të patrajtë. Drita e llambës filloi të sillej dhe të merrte trajta të ndryshme, ndërsa dheu dhe balta e lagur ju përplas pamëshirshëm fytyrës. Ndjeu pikat e shiut që i binin mbi fytyrë. Iu bë se ato po ia freskonin faqet dhe ballin që i digjeshin flakë. Qenkam i shtrirë mbi kurriz, mendoi, dhe u përpoq të ngrihej, por trupi nuk ju bind. Gjuha iu kishte trashur, kurse goja i qe mbushur me shije gjaku. Si në ëndërr hetoi një palë duar që po e tundnin. E mori me mend se ishin duke ia marrë gjësendet e pakta që i kishte nëpër xhepa. Ato lëvizje i ndjeu edhe mbi dorë që rrëshqitshëm ia nxorën orën, unazën, pastaj ia hoqën gjerdanin nga qafa. Si në agoni dëgjoj hapa që largoheshin, por disi ata hapa ishin të rëndë, të largët e të humbur. Qerpikët i kishte plumb të rëndë. Me mundim arriti t’i hapte sytë. Asgjë nuk dalloi. Errësirë dhe qetësi. I mbylli prapë sytë. Kishte dëshirë të flinte, të pushonte dhe pastaj… nga me erdhi kjo shije e gjakut në gojë që s’po me shqitet? Ah, sikur të kisha një pikë ujë!…

Shiu vazhdonte me ritmin e tij. Shushurima e gjetheve nën pikat e shiut dukej se e prishte atë heshtje varri. Qiellin e çau një vetëtimë gjarpërore, pastaj e vonuar, gati e shurdhër u dëgjua gjëma e motit, si gërrhatje gjumi dimëror. Tutje, në fundin e rrugicës malore, u dëgjua refreni i këngës çetnike, pastaj ushtima e motorit të veturës, duke e shuar fare atë zë të çjerrë e të frikshëm, që iu bë se vinte nga amshimi. Diku, në mesin e pyllit, u dëgjua cicërima e një zogu. Pastaj iu bë se dëgjoi zërin e qyqes. Vallë, kë e vajton ajo qyqe me atë zë të trishtuar? Por, këto zëra shpezësh nuk ishin ndonjë vajtim. Ishin shenjat e para se po agonte dita e re.

*Fragment nga romani “Misioni sekret”, botoi Sh. Botuese “Rozafa”, Prishtinë 2004.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi