Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

BOTIMET E SHKRIMTARIT VULLNET MATO

Shko poshtë

BOTIMET E SHKRIMTARIT VULLNET MATO Empty BOTIMET E SHKRIMTARIT VULLNET MATO

Mesazh nga Agim Gashi Thu Mar 25, 2010 12:06 am

BOTIMET E SHKRIMTARIT VULLNET MATO





BOTIMET E SHKRIMTARIT VULLNET MATO 8835_1097006036541_1568334934_30214838_3252772_n

Foto: Vullnet Mato - Voloreke Pogradec, shtator 2009


BOTIMET E SHKRIMTARIT VULLNET MATO 8835_1100216756807_1568334934_30222204_1163812_n
I FALEM KESAJ MREKULLIE TE NJEREZIMIT QE QUHET LIBER !



POEZI
-------
Tinguj malesh - 1969
Krahet e eres - 1972
Ninullat e hekurit - 1984
Dritaret e prillit - 1994
Kater plage - 1999
Nenemadhe Fterra - 2007


TREGIME
----------
E fshehta tronditese - 1999
Klithmat e mishit te bardhe - 2006


ROMANE
----------
Ujesinor - 1976
Era e kesaj kohe - 1984
Lakmia - 2000
Maturantet - 2002
Damkosja e engjejve - 2004
Vajza e kycur - 2007
Marrezia e madhe - 2008
Matura e paharruar - 2009


* * * * * * * * * * * * * * *

BOTIMET E SHKRIMTARIT VULLNET MATO 8835_1100516844309_1568334934_30222867_5905384_n



POEZIA E NENES SIME
---------------------------
LETËR NËNËS
(Mbetur pa botuar qysh nga viti 1957
për shkak të censurës.)


Këtë letër për ty,
e shtrenjta Nëna ime,
e mbështolla me zarfin e ngrohtë
të një psherëtime
dhe po e nis nga thellësitë e pyjeve Lindorë,
ku më dhanë të drejtën për të punuar,
pasi mbeta rrugëve të qytetit Jugor,
ku të kam lënë si ëndërr të paharruar.

Po e nis gjethe pas gjethesh,
erë pas erërash,
mjegull pas mjegullash,
rrugë pas rrugësh,
brigje pas brigjesh,
largësi pas largësish.
Po e nis të lagur me rrëketë e çiltra të lotëve,
të qullur me pikat e gjakut të zemrës brishtore,
të zbutur me bulëzat e djersitjes pa gjumë,
të njomur me sekrecionet e artikulimit
të frazës kryesore:
"Oh, për ty më ka marrë malli shumë, shumë !"…

Ta dërgoj bashkë me kujtimet e largëta,
tok me drithërimet e fëmijërisë,
tok me një gotë të mbushur me lot për ty,
dhe me urrejtje për ata që më ndanë nga ty
e nga trualli ku së pari më dhe sisë.
Po e nis për aty,
te rëra e deteve,
te gurët e zalleve,
te lulet e pranverës,
te buzëqeshjet e njerëzve,
te puthjet e vëllezërve,
te dhimbjet e të mjerëve.

E dashura nëna ime,
ta dish mirë se nga malli për ty
shumë herë kam vdekur,
dhe kur kam kujtuar dashurinë tënde,
shumë herë jam ringjallur përsëri…
Pres me padurim të kthehem,
më ka marrë etja
për pak tinguj nga zëri yt,
për pak dallgë nga Joni,
për pak ujë nga Bistrica,
për pak rërë nga Limjoni.
Në valët e kripura të zhvishem,
në gjoksin tënd të ëmbël të kridhem.
Plagët e zemrës t'i shëroj,
të gris një pëlhurë të zezë
që dekada me radhë
na ndau nga njëri-tjetri me urrejtje
dhe t'ju përqafoj të gjithëve marrëzisht,
kështu siç jam i përmalluar për vdekje…



--------------------------------------------------------------------------

( KLITHMAT E MISHIT TE BARDHE )
-------------------------------------------

FJALË ZEMRE PËR PËR KËTË LIBËR TË RRALLË

Tregime brilante, me bukuri fantastike, të shkruara mjeshtërisht.
Këto janë fjalët e para që mund të thuhen për këtë përmbledhje tregimesh të larmishme, me ngjarje të rralla, të qëmtuara me aq kujdes e të trajtuara artistikisht, me një realizëm tronditës, fantazi befasuese dhe forcë të madhe bindëse, nga shkrimtari i talentuar Vullnet Mato.
Tema e dashurisë, e marrëdhënieve midis çifteve, përdhunimet dhe pabesitë bashkëshortore, problemet e mëdha të qelizës së sotme dhe të djeshme të shoqërisë shqiptare, janë disa nga motivet e trajtuara në faqet e këtij libri me tematikë tejet të larmishme. Identiteti i dukshëm, niveli i lartë artistik dhe synimi i qartë ideoestetik, vihen re te subjektet e të gjitha ngjarjeve. Madje kjo duket qartë edhe te skenat e shpeshta të seksit, të cilat nuk bëhen asnjëherë si qëllim në vetvete, por vihen në funksionin organik të idesë. Dhe duke i trajtuar shkoqur e realisht marrëdhëniet midis sekseve, dikur tabu për t'u shkruar, autori na jep mesazhin se ato përbëjnë në çdo kohë një problem të rëndësishëm shoqëror, nga i cili burojnë shumë drama dhe fatkeqësi familjare, për të cilat letërsia artistike duhet patjetër të thotë fjalën e saj të fuqishme. Përkufizimi i këtij mendimi shprehet qartësisht edhe te kjo frazë: "Asnjëherë nuk e kam kuptuar, përse njeriu me logjikë normale, për pak sekonda epsh, arrin deri aty, sa të humbasë jetën e tij, të të tjerëve dhe të shkatërrojë ekuilibrat harmonik të vendosur midis njerëzve me aq mundim."
Edhe në këtë botim të ri, pena e këtij shkrimtari të afirmuar, të kërkuar nga lexuesi e të vlerësuar nga kritika, shquhet për vizionin e kthjellët të pasqyrimit, stilin e veçantë dhe bukurinë narrative. Cilësi këto, me të cilat ai të rrëmben qysh në faqet e para dhe s'të lë t'i heqësh sytë nga libri për asnjë çast, derisa t'i shkosh faqes së fundit, sikur të jeshë duke rrëshqitur me një slitë. Me aftësinë për të depërtuar shkathtësisht në psikologjinë e personazheve të shumtë, ai arrin të futet thellë në të gjitha skutat e intimiteve jetësore të tyre, duke zbuluar ndjesi tepër të holla, për të na sjellë rrezatime psiqike tejet interesante. Dhe kësisoj, me një fuqi të habitshme, gati mistike, të bën të qeshësh, të qash, të entuziazmohesh e të mendohesh thellë.
Me leximin e këtij libri qysh në dorëshkrim, kam përjetuar çaste emocionale tejet të këndshme dhe jam ndjerë i lumturuar. Jo vetëm se më ka krijuar mjaft refleksione pozitive e mendimnxitëse, por edhe se më ka lartësuar krenarinë kombëtare, me zbulimin dhe ndriçimin e disa cilësive aq interesante nga bota shpirtërore e popullit.
Dhe për më tepër, nga ana profesionale, unë shoh qartë në këtë përmbledhje tregimesh, se si shkrimtari me aftësi njohëse të gjera, arrin që në laboratorin e vet krijues, mineralin jetësor të përzier me dhera e gurishte të panevojshme, ta kthejë në flori të pastër, për të zbukuruar gjerdanin e ndritshëm të letërsisë shqipe.
Urime! Shumë urime dhe begati krijuese të mëtejshme për autorin e palodhur!
SHEFKI KARADAKU - shkrimtar


ROMANI "LAKMIA" NDEROHET ME CMIM NE KOSOVE.

BOTIMET E SHKRIMTARIT VULLNET MATO 8835_1100676728306_1568334934_30223043_2080022_n



Tregimi "RRUGE E VESHTIRE" BOTUAR NE FRENGJISHT (pamje dy faqet e para)

BOTIMET E SHKRIMTARIT VULLNET MATO 8835_1100741609928_1568334934_30223166_7594963_n
1985



VULLNET MATO - redaktor i librit.
“SERENATA E MALLIT TIM”
Poezia e shpirtit të trazuar të FATJONA GECIT


Nisur nga konceptimi figurativ, se poezia është lulja e mendimit artistik, mund të them se poezia e FATJONA GECIT, nuk ishte një lule e zakonshme e njohur prej të gjithëve, siç mendoja kur nisa të shfletoja dorëshkrimin e saj. Pra, nuk ishte një lule prej lulishteve të pluhurosura buzë bulevardeve, apo nga ato të saksive që i luhat era nëpër ballkonet e apartamenteve qytetare. Jo. Ajo ishte një lule e mahnitshme, një lule bore purpurake, e spërkatur me vesën e bjeshkëve të larta. Nga ato, me aromën e të cilave shqiponjat dehen për të marrë fluturimet e tyre të lartësive. Meditacioni i thellë dhe mendimi origjinal me bukuri befasuese më la të shokuar qysh në poezitë e para të këtij vëllimi. Po të kemi parasysh, se vajza tropojane, që ka shkruar këto poezi të rralla, nuk është më shumë se njëzet vjeç dhe ngjitet në ato lartësi të mendimit poetik, ku do ta kishte zili secila nga shoqet e saj poetesha me përvojë.
“Jam plakur në qerpikun e një ëndrre, / jam thinjur në fijen e një floku fisnik, / tundem në djepin e të parriturve, / jam foshnjë e moshuar që të rritet ka frikë...”
Sa shumë mendime të arta ka shprehur kjo vajzë vetëm në këto katër vargje! Brenda tyre është koha dhe hapësira jonë, shqiptare, është i gjithë shqetësimi i brezit të ri, është nervi i tendosur poetik i një vajze të re.
Si shumë moshatare të saj, poetesha gjendet përveç të tjerash edhe përballë tendencës mashtruese të djemve të rinj, që ndryshe nga politikanët premtues të lumturisë ekonomike, u premtojnë pa kursim dashuri të përjetshme disa vajzave njëherësh.
“ Më duaj me forcën e një agimi, / me afshin e kësaj nate që hesht si ne, / Më duaj por pa më premtuar asgjë, / se premtimet janë mjegulla mëngjesore, / që në mesditën e tyre, dielli shpejton t’i avullojë nga horizontet. “
Ndoshta nuk duhet më tepër koment për të kuptuar se ç’ndodh në shpirtin e një vajze, e cila me tërë fuqinë e moshës së saj pret dashurinë e sinqertë, por e trembin betimet bajate të bashkëmoshatarëve së saj donzhuanë. Ndaj në poezinë tjetër, ajo bën pyetjen retorike mjaft kuptimplote : ”Nuk e di kujt i druhem, më shumë ty, apo vetvetes?” Dhe në poezinë më tej, ajo shpreh edhe zhgënjimin e saj, duke mos bërë fajtore ndjenjën, por vetë moshën e dashurisë:
“ Falna dashuri.../ se ne jemi fëmijë.../ që sërish nuk qajmë/ se të duam dashuri,/ por s’dimë të të mbajmë.”
Lutja poetike e saj drejtuar zotit për të kërkuar pastërtinë shpirtërore të njerëzve keqbërës ka një tonalitet tejet të ngrohtë dhe human:
“Ti, o Zot që na dhe jetë, /e sytë na i fale për të parë,/ na mëso të zbusim buzët/ me fjalë të idhta për të mos u marrë./ Na mëso më shumë të duam,/ të mos bëhemi miq me djallin / të mos nxijnë zemrat tona, para teje kur të dalim.”
Poetesha e re veç të tjerash, stigmatizon edhe vogëlsinë e botës së thashethemeve, që shqetëson bashkëmoshataret e saj:
“Ditën e vdekjes askush s’ma tregon, / atë të lindjes ma kanë thënë herët. / Veç një gjë më çudit e më nervozon, / me ditët e mia, ç’punë kanë të tjerët?”
Karakteristikë e poezisë së saj vajzërore, lirizmi i ngrohtë e me ndjesi të holla, i jep poezisë së Fatjona Gecit vlerat poetike të kërkuara në artin tonë poetik:
“ Në ç’kitarë ëndërron sonte / serenatë malli të harruar? / Ç’tinguj zemre të shqetësojnë/ e të lënë gjithë natën zgjuar?”
E mpiksur shpirtërisht me poezinë që buron nga vetë lirizmi e bjeshkëve Fatjona Geci e derdh në vargje nostalgjinë për vendlindjen së saj me oshtima përrenjsh e me shushurima fletësh:
“Orvatjet e lumenjve të lindur përrenj, më rrokullisin tej, në horizontet e malësisë, ku lisat fishkëllejnë këngën e fletëve, e vashat çdo ditë rriten në sytë e djelmënisë.”
Nëna, pika më e dobët dhe thesari më i çmuar i Fatjona Gecit, ka në këtë libër këngën e saj me dashuri të veçantë dhe tejet të ngrohtë:
“Gjunjëzuar sot jam para teje, / si në lutje para një perëndie. / Më mësove pabesinë të mos e kthej në të tillë, / se jeta sfidohet me shikimet në sy. / Veten do ta quaja të zonjë vetëm atëherë, /kur të jem bërë veç pak si ti.”
Vargu metaforik në të shumtën e rasteve i jep poezisë së Fatjona Gecit një forcë shprehëse mjaft të fuqishme dhe vetvetiu lartëson artin e saj:
“Ti rend pas meje në qiej zbathur, / lutesh hënës të të rrëfej diçka,/ gjunjëzuar errësirës zvarritesh, /por nata jote brenda s’më mba.”
Edhe pak vargje për atë dëshirë të vajzave të reja në hallin e tyre të përbashkët:
“Lutuni për ne, o engjëj të perëndisë,/ të mos shkelim në gjarpërinj kameleonë,/ shkurtojmë ditët me shpatën e mërzisë, / si të ishte jeta dënim që s’na takon !”
Dhe në një poezi më poshtë Fatjona i identifikon gjarpërinjtë si qenie më të sinqerta nga dykëmbëshat e maskuar njerëzor:
“Zvarranikët janë simbol i sinqeritetit.../ Nuk buzëqeshin pastaj të të kafshojnë, / të t’rrahin shpatullat për të të lidhur, / janë lehtësisht të identifikueshëm/ vdesin një fytyrë, siç kanë lindur.”
Tematika e gjerë shpirtërore ka bërë që dhe emigrimi, plaga jonë kombëtare të mos mbetet pa u cekur nga tonaliteti i dhimbshëm poetik i kësaj vajze, për shoqet që ikin drejt Perëndimit:
“Ne ikim si zogjtë pas një stine të nxehtë, /shtegtojmë vetmuar drejt Perëndimit, / ikim me lotët e shtirjes, a dhimbjes, /në gjurmët e suksesit, apo dështimit.“
Fakti i dukshëm, që më bën të flas me superlativa për këtë vëllim poetik, është pyetja, se ku do të arrijë kjo vajzë njëzetvjeçare tejet e talentuar, pasi të ketë shkruar e botuar disa libra me poezi, si shoqet e saj... Ndoshta për të do të bëhen shumë shkrime vlerësuese, do të thuhen shumë fjalë përgëzuese do të jepen shumë çmime të merituara dhe ajo do të renditet me dinjitet në panteonin e nderit të poezisë sonë.
Ky është besimi im i palëkundur, për këtë fillesë kaq të bukur e kaq premtuese.



BOTIMET E SHKRIMTARIT VULLNET MATO 13061_1116525484515_1568334934_30255061_6013854_n




MARRËZIA E MADHE -
NJË ROMAN KU KE Ç’TË MËSOSH NË ÇDO KOHË.
(Botuar ne Revisten "OBELISK" Nr.46, ne gazeten "Telegraf"12 prill 2009 dhe "Agon"19 prill 2009

Pas një përvoje jetësore pothuajse danteske, Vullnet Mato, ka arritur në botimin e tij të 15-të “ Marrëzie e madhe” të përcjellë funksionimin e ferrit, siç e ka jetuar ai, bashkë me të dhe ne.
Kam përshtypjen se ia ka arritur artistikisht të na kujtojë se ka momente, që mjerisht përsëriten, kur e pazakonta nuk të bën përshtypje sepse na çudit e zakonshmja.
Pa pasur si qëllim mesazhin filozofik, autori sjell në shtjellimin e temës filozofinë e kohës, ku i marri mendon pozitivisht, e reja dashuron të moshuarin dhe plaku azdiset larg karakterit të vet; Ku gruaja e personazhit qendror, Reitit, përbuzet e shqetësohet pa e merituar dhe këtë gjë nuk e koncepton as vet i shoqi. Jepet dramatikisht një realitet absurd, ku edhe në momentet më intime, të shtënat e 97’ës të spostojnë në një botë e mendësi tjetër, jashtë realitetit. Jepet frikshëm koha, kur tërë akumulimi i një familjeje nëpunësi shkrihet si një copë akulli, sepse nuk funksionon shteti, që e pakta fare të prangosë hajdutin.
Për ne që e jetuam 97’-98’-tën vjen i prekshëm realiteti që një i luajtur me granatë në dorë bëhet sovran i një mjedisi të tërë njerëzish paqësorë. E përsëri, midis e pas krismave ka puthje dhe ekstaza dashurie, ku jeta vazhdon si në një mrekulli.
Ka mjaft problematika në nëntekstin e ngjarjeve. Për bashkëkohësit këto problematika janë të njohura. Por me kalimin e viteve, kur harresa apo anashkalimi, kjo mrekulli që natyra i ka falur njeriut, të bëjë të sajën, ngjarjet e këtij libri do të kenë një vlerë njohjeje të pallogaritshme. Në të qartësohet pa e vrarë shumë mendjen hipokrizia e kohës, kur ish nëpunësi pedant i bashkimeve profesionale, shijon të mirat e kapitalizmit duke shfrytëzuar aftësitë e profesor Reiti. Ndërsa kolegu Hulusi ëndërron të gëzojë liritë seksuale që ofron demokracia.
Aty, në vorbullën e madhe të ngjarjeve, duket sheshit mëdyshja e njerëzve në një realitet tjetër, që nuk e kishin menduar kurrë. Oficer Irfani, ndonëse nuk është bindës për argumentet që jep për depolitizimin dhe dhunën ndaj reparteve ushtarake, është zbulues i një realiteti të frikshëm dhe njëherësh të dhimbshëm. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe. Të gjithë e për çdo gjë kanë mendime të ndryshme e të papërcaktuara. Në ato pak personazhe që përfaqësojnë grupe të tëra njerëzish e klasash, nuk gjen dy veta të mendojnë njëlloj, madje as në shtrat, ku adrenalina ul përkohësisht nivelin intelektual.
Do ishte më e lehtë të jepej në substancë renditja kronologjike e ngjarjeve të kësaj vepre, por unë mendoj të evidencoj me modesti vlerat që mund të transmetohen nga leximi i këtyre faqeve. Ka motive që argumentojnë një përfundim. Por ç’motiv mund të gjendet për vrasjen e Reitit? Apo pse vdiq Ximi? Dhe të mendosh se këtu nuk ka mistere. Është indiferentizmi masiv, që shpie në pafuqi për të kuptuar e zgjidhur këto prapësi të kohës.
“Marrëzia e madhe” titulli i librit është në fakt akuzë ndaj të gjithëve, ku autori nuk përjashton as veten e tij. Është një thirrje e fuqishme për të treguar se po nuk u vu gishti në plagë, gjithçka mund të përsëritet. Bota nuk harron e flet përditë për holokaustin ndaj hebrejve. Është një botë e tërë, e fuqishme, e organizuar që i trembet rikthimit të holokaustit. Ndërsa ne... Ne s’i trembemi rikthimit të së shkuarës, kur ajo ka pak vite distancë. Pikërisht këtu e merr edhe vlerën më të madhe ideja kryesore dhe mjaft e qartë e këtij romani, ku realiteti përshkruhet jo siç e duam, por ashtu siç është. Ku autori ka meritën e veçantë, që kap e trajton artistikisht këtë temë të harruar shpejt nga letërsia jonë.
Pa u ndalur gjatë në vlerat artistike të stilit, fjalës së zgjedhur, përshkrimin e gjallë të figurave e ngjarjeve, apo shprehjet gati poetike në frazat meditative, duhet thënë me plot gojën se ky roman tregon një pjekuri të dukshme në prozën e njohur tashmë të këtij shkrimtari.
FATMIR DUSHA - mesues letersie

BOTIMET E SHKRIMTARIT VULLNET MATO 13061_1116218436839_1568334934_30254629_8269654_n


SARANDA
Kreshta e murrme jug-veri.
Beteja e heshtur që flet tek qafa.
Rruga që zbret e dredhon nëpër pisha.
Të rënët - ngritur në piedestalet e larta.

Vurgu i blertë
Dhe Joniku i kaltër -
Dy dete që ndan Qaf’ e Gjashtës.
Lindja e gjerë
Me valë grunjërash, vozitje autokombajnash,
Makinashirëset mbytur në kapicat e kashtës.

Fshatarët punëdashës
të përveshur arave.
Bistrica e zbutur me nanurisje gurgullonjëse.
Fshatrat si fjolla të bardha nëpër fushë-
Tok’ e Vurgut
e begatshme,
gjelbëroshe.

Riviera me plazhet
dhe muzgjet ngjyrë alle
Ku theken njerëzit mbi rërë e nën hije,
Ku dielli i madh
perëndon si portokalle.
Dhe kodrave shkundet shiu i ullinjve.

Saranda,
e bukura e dheut të artë,
Ku nga Himara,
te “Qafa e Botit”
Vjeshta kundërmon vaj e mjaltë,
Dhe ndjehesh si bir i përkëdhelur i Zotit.

Anëdeti pakufi,
me puhizën e kaltër,
Me anie të rënda, motoskafë, lundra.
Shtëpi dhe palma
që dridhet sipër valëve.
Brigje që ndritin e zbardhëllejnë nga shkuma.

Tallaze të kripur që lëpijnë bulevardet.
Silueta
që humbasin në thellësinë e kaltër.
Peshkatarë ngjyrëbronzi që kthehen
mbi ujëra.
Fustanebardha që i presin shkallëve si amfiteatër.

Ç’më thotë kështu buzëqeshja e valës,
Që shkrihet e përmalluar
te këmba ime?
Të erdha o vendlindje
si çafka e detit,
Të ngjyej krahun në kaltërsinë e përhime.


BOTIMET E SHKRIMTARIT VULLNET MATO 10863_1126069283104_1568334934_30273858_5667453_n



Nga libri me tregime i EQEREM ÇAÇOS

TREGIMI IM PER VULLNETIN

U desh vetëm një shkëndijëz që të shpërthente muza ime për të shkruar historinë e familjes. Këtë shkëndijë, muzës sime, siç e kam thënë dhe në fillim të librit tim ma dha im vëlla Rexhepi.
Dhe dora në mënyrë të vrullshme filloi të hedhë gjithë kujtimet e akumuluara në trurin tim. U mbushën plot tre fletore shpejt e shpejt, pastaj për arsye të ndryshme, duke llogaritur pak dhe plogështinë time, të shkruarit u ndërpre. Aty nga viti dymijë kjo shkëndijë u rindez përsëri. Fillova të shkruaj por pa menduar për t’i botuar dhe jo me atë vrullin e parë. Në vitin dymijë e dy, e mblodha mendjen top dhe i vura detyrë vetes, që punën e nisur të mos e lija në mes. Në këtë kohë kisha dalë në pension. Duke ndenjur në një dyqan pranë shtëpisë, kisha kohë të rikujtoja ngjarjet apo ndodhitë dhe t’i hidhja në letër. Ndërkohë fillova të interesohem dhe për t’i shtypur. Një vit më parë pata kaluar njëherë në rrugën “Qemal Stafa” ku shkrimtari i mirënjohur Vullnet Mato pati hapur një zyrë botimi, bile pata biseduar për këtë punë, por e kisha lënë pas dore. U drejtova përsëri tek ai dhe i thashë nëse mund të më ndihmonte. Vullneti një burrë me trup mesatar të rregullt, me një palë syze, i qetë dhe komunikues, më priti me dashamirësi dhe më premtoi.
-Çfarë shkrimesh janë këto? - më pyeti.
-Kam shkruar historinë e familjes time... - dhe duke hapur fletoret, i thashë se isha në vazhdim, akoma nuk i kisha përfunduar. E pyeta, nëse duhej t’i përfundoja komplet pastaj t’ia sillja.
-Jo, - më tha Vullneti. -Ti vazhdo ndërsa unë do të merrem me këto që më ke sjellë. Punojme të dy në të njëjtën kohë.
Nga Vullneti më bëri përshtypje titulli që ai i vuri menjëherë librit. Në kopertinën e një fletoreje unë me shkrim dore të thjeshtë kisha shkruar “Historia e një familjeje” ndërsa Vullneti më sugjeroi:
-Jo këtë titull, - më tha prerazi.. - Ne do t’i vëmë një titull më artistik, që të tërheqë vëmendjen e njerëzve, fisit por dhe shokëve që ti i ke futur në kujtimet e tua.
-Mirë, - i thashë, - Por si do t’ia vëmë?
Ai me njëherë dhe pa u menduar fare më tha:
-Do ta titullojmë “Breznia Çaço” Kjo i shkon më mirë,
Nuk e kundërshtova se dhe mua më pëlqeu mjaft mendimi i tij.
Pas kësaj filluam bashkëpunimin. Viti dymijë e tre qe viti i një vrulli të madh në të shkruar. Doja që të mos bëhesha pengesë për Vullnetin.
Aty nga fundi i vitit, i përfundova shkrimet. U bënë rreth shtatëqind e ca faqe. Mbasi ishin hedhur në disketë, Vullneti filloi të bëj redaktimin. Unë u gjenda në një tension tepër të madh dhe këtë tension, ia shfaqa edhe Vullnetit. Kisha merak se si do të dilte dhe se si do të pritej libri nga njerëzit e mi. A do të ishin të kënaqur apo do të kishin ndonjë hatërmbetje.
Por kur unë i shfaqja a shqetësimet e mia, Vullneti më qetësonte duke më thënë:
-Mos u mërzit, se ky ka për të dalë një libër i mrekullueshëm dhe të gjithë kanë për ta pëlqyer. Unë isha i ndërgjegjshëm se në shkrimet e mia kisha futur dhe “lakra të egra”që kur t’i lexonin njerëzit do të thartoheshin, por Vullneti vazhdonte të më qetësonte duke më thënë:
-Mos u mërzit, se edhe krasitje do t’i bëjmë. Do t’i heqim “lakrat e egra”, që të mos u ngelet hatri njerëzve. Nga meraku i madh që kisha, për gati dhjetë ditë fillova të bashkëpunoj vetë me Vullnetin. Të dy duke u përqendruar në monitor bënim vërejtjet dhe krasitjet.
-Kjo frazë duhet hequr, se tingëllon keq. - thoshte ai.
-Dakord, - i thosha unë.
-Kjo fraza tjetër duhet rregulluar që të dali më e bukur.
-Dakord, - thosha unë përsëri.
Në ndonjë rast e kundërshtoja, sepse duke i hequr shumë pjesë më dukej se i binte vlera veprës. Por ai qëndronte në të vetën duke përdorur argumentin bindës:
- Ti do të shkruash historinë e familjes apo do të bësh politikë?...
Unë përsëri e kundërshtoja:
-Po unë kam qenë bashkëkohës në ngjarje, kam marrë vetë pjesë. Jam dëshmitar okular. – dhe pasi debatonim për pakë kohë, unë përsëri tërhiqesha.
Nga njëherë për të bërë humor Vullneti më thoshte:
-Ore, do të më dëgjosh mua ti apo jo,- se jam më i madh se ty unë. - Vullneti nga unë ishte tre vjet më i madh.
-Unë do të dëgjoj dhe do të respektoj, sepse ti për mua je profesor, je profesionist në këtë fushë, kurse unë një copë punëtor kamë qenë.- ia ktheja une me te qeshur.
-Jo. - më kundërshtonte ai me të madhe. - Ti nuk je si çdo punëtor. - Dhe për të më shtuar besimin në vetvete më përmëndte me radhë shkrimtarët që kishin bërë emër duke qenë nga radhet e punëtorëve, si puna ime,Gorkin e ndonjë tjetër.
Gjatë kesaj kohe punonim në monitor deri në orën shtatë të mbrëmjes.Kur kthehesha në shtëpi më hipte një tension e një merak sa shpesh më dilte gjumi natën. Gruan e kisha vënë në dijeni, por merakun që kisha nuk ia kisha shfaqur. Prisja me ankth orën katër të pasditës kur do të shkoja Vullnetin. Kur hyja në atë zyrën e vogël të tij, menjëherë më ngrohej zëmra. Ai më jepte kurajë.
-Kjo që po bën ti, është një gjë e madhe, sepse ti po u lë brezave historinë e familjes, gjë që rrallë njerëz e bëjnë këtë. Me këtë libër nuk harrohet kurrë familja juaj, pastaj ti e ke shkruar aq bukur dhe ke material edhe për shkrime të tjera.
-Po më bën qefin, - i thosha unë. – E, si mund të bëhet një punëtor si unë shkrimtar. As që e kam ëndërruar ndonjëherë, - ngulmoja unë.
-Ore e ke shkruar shumë bukur,- vazhdonte ai me të tijën. - Kur ai më fliste kështu, duke më dhënë zëmër, mua me të vërtetë më bëhej qejfi, por sidoqoftë meraku nuk më hiqej.
-Libri i parë do të të sjellë një gëzim të atillë, sikundër të lind një fëmijë për herë të parë, sepse do dalë nga mëndja dhe duart e tua, - më thoshte ai
Mënyra e komunikimit që bënte ai me mua nuk prirej nga interesi material që kishte ndaj meje. Ai ishte i çiltër, i sinqertë e dashamirës, dhe këtë unë e konstatova në fund, kur ne po diskutonim për kopertinën.
-Çfarë t’i vëmë, ndonjë pamje apo figurë, - i thosha unë. Ai pa më treguar fare prishi një nga albumet e tij me pamjen e Beratit dhe më tha:
-Ja, kjo i shkon librit tënd, se këtu ke edhe historinë e qytetit.
M’u bë qejfi shumë dhe u mallëngjeva.
Vullneti e ndoqi deri në fund shtypjen e librit. Kur dolën kopjet e para më thirri me telefon. Vajta me një frymë dhe ai me librin në dorë e një buzëqeshje të çiltër më priti duke më thënë:
-Shihe more, shihe, librin tënd të parë dhe gëzoju. Shihe sa i bukur ka dalë!...
Bashkë me mua ndiente edhe ai gëzim të madh, sepse kishte dhënë një kontribut të çmuar në daljen e atij libri. Në fund kur i tërhoqa të gjitha kopjet, më tha:
-Po mua, nuk do të më japësh një copë?
-Po, - i thashë duke i zgjatur librin dhe me dashamirësi në faqen e parë të tij shkrova:
“Vullnetit, që me modesti më dha një ndihmë mjaft të vyer në botimin e librit tim të parë. Me dashuri, Eqeremi”
Shkurtimisht, kjo ishte historia e librit tim të parë.
Mirëpo edhe pas kësaj pune nuk iu ndava Vullnetit. Më pëlqente si njeri dhe e kisha mëse të nevojshme ndihmën dhe përkrahjen e tij. Unë kisha filluar të shkruaja diçka për një libër të dytë dhe subjektin e kisha zgjedhur, por nguroja, ende s’kisha besim në vetvete. Pas daljes të librit të parë dhe kurajës që më dha ai, më doli frika dhe iu vura përsëri punës. Me të takohesha sa herë që më jepej rasti. Në atë dhomëzën e vogël që ai e kishte marrë me qira në rrugën “Qemal Stafa”, përveç meje, hynin e dilnin plotë të tjerë. Shokë të tij shkrimtarë, inxhinierë si dhe dashamirë me të cilët e kishte lidhur puna dhe jeta. Aty u njoha me inxhinierin kompjuterik Aldo Radovani, një djalë rreth të pesëdhjetave por që në fizionomi nuk tregonte se ishte aq.
U njoha me Llaqi Kominin, një burrë serioz me syze që vazhdonte ende të punonte në Institutin e Shërbimit Shëndetësor. Me shkrimtarin Shefki Karadaku, Vullneti më njohu kur ishte duke pirë kafe me të. Me këta dhe shumë të tjerë ai më prezantonte sikur të isha i barabartë me ta, e jo se isha një copë shkrimtar amator, autodidakt, pa shkollë të lartë.
Që ishte shkrimtar i dëgjuar Vullnet Matua, unë e dija, por deri në atë kohë s’kisha lexuar asnjë vepër të tij. Kur ai e morri vesh që unë lexoja shumë, më dha së pari romanin “Maturantët” të cilin unë e lexova me një frymë. Para këtij ai kishte botuar dhe shumë libra të tjerë, por mua nuk më kishin rënë në dorë. Pra ky ishte i pari libër i tij, që mua më rrëmbeu aq shumë, sa nuk m’u shqit nga dora derisa e mbarova.
Shumë njerëz kur nisin të shkruajnë, e nisin këtë punë së pari nga biografia, sikundër fillova dhe unë. Më tej vazhdojnë me tema të ndryshme siç u a sjell muza. Ndërsa Vullneti i zhytur në botën e vetëdijes së fjetur, siç dukej e kishte lënë pas dore këtë punë, ose e kishte lënë për në fund kur u ndërrua sistemi. Ai, rrugën e tij letrare e kishte filluar me vëllimet poetike “Tinguj Malesh” botuar në vitin 1969; “Krahët e Erës” botuar në vitin 1972 romanin “Era e kësaj kohe“ 1984 dhe shumë të tjerë më pas. Fill pas njohjes me mua ai iu vu punës dhe pas një viti e përfundoi romanin me titullin kuptimplotë e domethënës “Damkosja e engjëjve”.
Pa nguruar më dhuroi një kopje, në faqen e parë të së cilës shkruante:
“Eqeremit,mikut tim të fushës letrare, Vullnet Mato”.
Unë dija diçka nga jeta e tij, aq sa mund të tregohet me gojë. Isha prezantuar me të shoqen dhe një nga djemtë e tij, por, që jeta e tij kishte qenë një skëterrë e vërtetë, këtë e mësova kur lexova romanin e tij autobiografik “Damkosja e Engjëjve”. Aty unë mësova se fati në marrëdhënie me të, kishte qëndruar zemërgur, duke qenë mishërimi i ligësisë së verbër. Kur hidhja vështrimin prapa, bindesha sa shumë e pa mëshirë e kishte fshikulluar kamxhiku i jetës, por dhe sa shumë ishte burrëruar ai për të krijuar vepra dinjitoze. U desh ajo forca e madhe e tij që të arrinte të barazohej me shkrimtarët më të fuqishëm të kohës.
Ky libër i përshkruar me një bukuri të rrallë, ngjyra tepër prekëse e mbresëlënëse, më tërhoqi qysh në faqet e para. Më pas, kur e shihja Vullnetin aty përballë meje, të moshuar dhe të mbingarkuar me punë krijuese, më përfytyrohej në mëndje ai djalosh i librit, që si një filiz i njomë dhe i pa mëkëmbur mirë, tek përballej me vuajtje të panumërta të diktaturës. Dhe më dhimbsej. Më dhimbsej shumë kur më përfytyrohej momenti i arrestimit të të atit. Dhe të gjitha përndjekjet, përbuzjet më pas, i erdhën për shkak të një ëndrre, apo fanepsje gjumi që kish parë i ati, sikur kishte fluturuar mbi një kalë të bardhë mbi Greqi. Njolla e zezë që iu ngjit biografisë familjare e ndoqi të birin këmba këmbës. Tashmë si gjithë pjesëtarët e tjerë të familjes edhe “Engjëllin e damkosur” e prisnin peripeci të tjera në jetë. Ai, ndonëse me prirje për pikturë, damka e zezë e biografisë ia mohoi dëshirën e zjarrtë për të studiuar në liceun artistik, të cilin më vonë me pasionin dhe këmbëngulen e tij e mori me korrispondencë. Por “Muri kinez” me pranga shpirtërore të tmerrshme që u ngrit përballë familjes, ishte i pamundur për t’u kapërcyer. Kjo ishte dhe arsyeja që “Engjëllit të damkosur” gjashtëmbëdhjetëvjeçar për të shpëtuar nga pasojat e damkës së zezë, iu desh të ndahet nga ngrohtësia familjare, e të emigroj fillikat i vetëm, si një Robinson, nga bregdeti i bukur i Jonit të kaltër, në pyjet e Stravajt, ku kaloi pjesën më të madhe të jetës.
Si një barkë e braktisur në mes dallgëve të pamëshirshme të jetës, dhe i mbërthyer nga tentakulat e pamëshirshme të oktapodit komunist, me forcën e vullnetit, me guxim e zgjuarsi ai i bëri ballë shoqërisë së kalbur ku jetoi. Mrekullia që ndodhi në vitet nëntëdhjetë, duke prishur ekuilibrat midis forcave mediokre të shoqerise,nxori tashmë në breg, “Engjëllin e braktisur”, si nje Promete i duruar, njeri i nderuar, dinjitoz e krenar, i cili edhe sot e kësaj dite ndonëse në moshën tek të shtatëdhjetat, po i jep shoqërisë vepra letrare me vlerë.
Fill pas romanit “Damkosja e engjëjve” Vullneti nxori librin tjetër me tregime ”Klithmat e mishit të bardhë”. Para tij unë kisha nxjerrë librin e dytë “Balsami i zëmrave.” Ai, siç dukej për të më dhën zëmër që të vazhdoja më tej, në librin “Klithmat e mishit të bardhë” që më dhurioi kishte lënë shënimin:
Eqerem Çaços,Shkrimtarit dhe mikut tim të mirë. Me dashuri: Vullnet Mato
Tregimet e këtij libri janë shkruar me stil e një bukuri të rrallë mjeshtërore. Në këtë libër me penën e tij të artë, me një fjalor të pasur e gjithë kolorit, ai hyn thellë në shpirtrat e njerëzve dhe i psikologjis me shkathtësi personazhet e shumtë. Vullneti është një ndër shkrimtarët e rallë që të mban gjallë deri në fund me atmosferën krijuese. Në tregimet e tij, atmosfera krijuese është aq shprehëse dhe individualizuar artistikisht, sa lexuesi lidhet menjëherë shpirtërisht me personazhet dhe ngjarjet, dhe ndihet pjesëtar në ndodhitë e tyre.
Si një shkrimtar i afirmuar dhe profesionist i zoti, ai ka ditur që siç thotë, shkrimtari Shefki Karadaku në parathënien e librit:
…Në laboratorin e vet krijues, mineralin jetësor të përzjerë me dhera e gurishte të panevojshme, ta kthejë në flori të pastër, për të zbukuruar gjerdanin e ndritshëm të letërsisë shqipe…
Ajo zyra e vogël ku Vullneti rrinte pothuaj gjithë ditën, ishte bërë për ne shokët e tij si vend takimi ku mblidheshim shpesh e bënim muhabet. Por s’kaloi shumë dhe një ditë ai më tha i vendosur:
-Do ta dorëzoj zyrën.
-Mos, se na more më qafë - thashë i tronditur, sikur të më kishte dhënë një mandatë. - Kjo dhoma jote na ështe bërë si “Klubi i Selanikut. ” Po e dorëzove ti këtë, ne do të çakërdisemi fare.
-Nuk e mbaj dot se nuk më del hesapi, Eqerem, - më tha.- Jam ngushtuar shumë, dhe autorët nuk po shtypin libra si me parë që të sjellin edhe te shtëpia jonë botuese.
Pastaj duke e ditur se unë i mbushja fletoret me dorë ai me tha: - Por tani ka ikur edhe koha e shkrimit me dorë e ka ardhur koha e shkrimit elektronik. Dhe bashkë me inxhinier Aldon, ai më gjeti një kompjuter të thjeshtë e më mësoi ta përdor si makinë shkrimi.
Pas kësaj Vullneti vazhdoi punën e botimeve, duke i bëre redaktimet në shtëpi dhe unë nuk mbeta një pensionist si të tjerët, që luajnë domino lulishteve, por mbush faqet e kompjuterit dhe botoj libra. Duke vazhduar bashkëpunimin e pandërprerë me mikun tim të pandarë, shkrimtarin Vullnet Mato. Dhe ky ishte tregimi im për të, si një shprehje e thjeshtë mirënjohjeje.
EQEREM ÇAÇO
Tiranë, mars 2004.


BOTIMET E SHKRIMTARIT VULLNET MATO 16237_1123918989348_1568334934_30270257_2189940_n



TAKIM I PAPRITUR

Takova “Atë”, që kam dashur dikur,
Në moshën e bardhë ku të dehin lulet.
Tani ajo është grua
Dhe unë jam burrë.
Fëmijët na ka kanë rrëmbyer të gjitha puthjet.

Por ajo prapë më bëri të mendohem
Me vështrimin e saj thellësisht të menduar.
Thonë se dashuria e parë rizgjohet,
Dhe ika me kujdes,
Si nga një shteg i minuar…
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

BOTIMET E SHKRIMTARIT VULLNET MATO Empty Vullnet Mato: POEZI PËR TË MBËSHTETUR PUBLIKIMET E AGIM GASHIT

Mesazh nga Agim Gashi Thu Mar 25, 2010 1:08 pm

BOTIMET E SHKRIMTARIT VULLNET MATO 12441_1128505624011_1568334934_30278870_4797141_n

Vullnet Mato: POEZI PËR TË MBËSHTETUR PUBLIKIMET E AGIM GASHIT




MIKU IM, AGIM, TË FALËNDEROJ PËRZEMËRSISHT QË PASKE GËRMUAR TE SHENIMET
E MIA DHE KE ZGJEDHUR KËTE MATERIAL PER TË MË NDERUAR MUA. QOFSH I
NDERUAR ASHTU SIÇ JE.


Vullnet Mato

DASHURITË E MIA



Dua një grua, dua dhe një burrë.
Por “homo” nuk kam qenë kurrë.
Burri – prozë, poezia – grua.
Të dy të shtrenjtë janë për mua.
Me burrin bisedoj, gruas i këndoj.
Kohën ua kushtoj të dyve njësoj.
Gdhihem natë, ngrysem ditë,
përmbi ta më mbeten sytë.
Burrin – vëlla, gruan motër,
m’i bëri nëna kur isha i vogël.
Nëna e çmendur, fantazia,
brodhi qysh nga vegjëlia
nëpër brigje, pllaja, kodra,
nëpër libra, nëpër lodra,
nëpër fshatra, nëpër pyje,
i dha talentit bekim perëndie.
Krijimtarinë mora për grua.
Ditë e natë ajo fle me mua.
Bëra gjashtëmbëdhjetë fëmi,
Barku i trurit ka tjetrin tani.
Përzier dolën, meshkuj e femra,
siç m’i zgjodhi vetë zemra.
Ushqyer me punë e gjumë të pakët,
u bënë të dashur e të shkathët.
Tani që u rritën dhe ecin vet,
bredhin kudo në çdo kontinent.
Më lidhin gjithandej me shoqëri,
me shumë shokë e miq të ri.
Duan të më japin emër përjetësie
dhe një zemër të re pavdekësie.
Unë u buzëqesh nga shpella ime,
Se e di që nuk ka përjetësime...
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

BOTIMET E SHKRIMTARIT VULLNET MATO Empty Re: BOTIMET E SHKRIMTARIT VULLNET MATO

Mesazh nga Agim Gashi Thu Mar 25, 2010 1:11 pm

Sa shumë të falenderoj dhe aq shumë të adhuroj miku im. Lum kombi e atdheu që të ka e lum ne që jemi miqët tu!

Me shumë rrespekt Agimi!
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

BOTIMET E SHKRIMTARIT VULLNET MATO Empty Re: BOTIMET E SHKRIMTARIT VULLNET MATO

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi