Vullnet Mato: RIKTHIM TE DASHURIA E PARË
Faqja 1 e 1
Vullnet Mato: RIKTHIM TE DASHURIA E PARË
Vullnet Mato
RIKTHIM TE DASHURIA E PARË
(Fragment nga romani “Marrëzia e madhe”)
Pas disa bisedave të ngrohta poetesha e re Alma Visha, ishte zgjatur papritmas dhe e kishte puthur redaktorin në buzë, me të gjithë pasionin dhe afshin e saj vajzëror.
Ajo puthje e përndezur, me erëmimin e parfumuar të buzëve të njoma, e kishte befasuar Reitin e moshuar. Dhe atë çast, ish profesori i dalë në pension, që punonte si redaktor i shtëpisë botuese “Planet”, ishte stepur një grimë, për të arsyetuar, se i kishte ndodhur më e thjeshta dhe më e çuditshmja gjë në botë. Pastaj ai e kishte matur vajzën me një shikim të qetë dhe i qe drejtuar asaj me një frazë, që ishte më tepër konstatim sesa pyetje.
- Sipas viteve të shkollimit, ti, Alma duhet të jesh rreth të njëzetepesave, apo jo? – i tha me atë ton të përmbajtur, që përdoret për të marrë me të mirë një vogëlushe dhe me vështrimin depërtues në sytë e saj.
- Njëzetegjashtë, - u gjegj ajo, krejt e shkujdesur për shpërthimin e beftë të ndjenjave të veta.
Reiti kishte nënqeshur paksa i rezervuar, duke e vështruar drejt në sy.
- Po faktin, që unë jam dyzet vjet më i madh, e di realisht?… - e kujtoi ai me një buzagaz babaxhan, thuajse prindëror. Ndonëse kishte pamjen e një burri energjik, me pak thinja te tëmthat dhe të jepte përshtypjen se nuk ishte më tepër se dyzetepesë vjeç.
Alma kishte qeshur ëmbëlsisht. Dhe me sytë e saj ngulmues gati e kishte përpirë portretin e tij të gjallë me atë pamje imponuese, që mosha vetëm sa i kishte derdhur hir dhe i kishte shtuar dinjitet. Sa burrëror që duket! mendoi ajo. Me shpatulla të gjera, me duar që shtrëngojnë gjithë forcë, me trupin elastik prej mashkulli sulmues, dhe më tregon vitet e moshës, njësoj sikur nxjerr formalisht etiketën e kalimit të afatit të përdorimit...
- Madje di edhe më kryesoren, që mosha s’ka asnjë rëndësi, përderisa njerëzit nga zemra, janë të gjithë vërsnikë, - iu kthye ajo me një ton shpotitës, duke harkuar njërën vetull. - Po ç’ju shtyn ta mendoni këtë?…
Paksa i druajtur që kishte pranuar më tepër nga ç’do të kishte dashur, Reiti u orvat për ta përligjur qëndrimin e vet me një seriozitet të natyrshëm. Dhe i tha me ton fare të ulët:
- Për shkak se më vjen rëndë dhe ndjej një lloj kontraktimi që pranoj të abuzoj me një vajzë kaq të re, siç je ti…
Alma i kishte hedhur një vështrim të ethshëm me sytë e saj të ndezur, duke e këqyrur me vërejtje dhe njëherësh mjaft ëmbëlsisht. Pastaj kishte buzëqeshur, duke vënë edhe një herë në pah ato buzët mishtake e bujare të saj.
- Ndoshta nuk duhet vrarë mendja për gjëra të rëndomta dhe nuk ia vlen ta vini veten kaq shumë në siklet, - e inkurajoi ajo me ngazëllim, duke e kundruar gjithnjë ngultas. – Sepse, para së gjithash, botëkuptimi im udhëhiqet nga parimi, le të jetë edhe zgjedhja më ekstreme, vetëm në emër të dashurisë...
- Megjithatë, më duket paksa e pahijshme që të arrij në raporte të tilla me ish nxënësen time… - ngurroi ai, duke vijuar të qëndronte i pavendosur.
Alma bëri një gjest mohues.
- Mesa kuptoj, ju nuk e keni fare parasysh faktin që unë nuk jam më nxënëse, por mësuese. Në atë kohë i ndrydhja ndjenjat e mia duke u strukur te banka, për shkak se ndodheshim të dy në kufij pothuajse të ndaluar. Por tani, ashtu si dhe ju, ndjehem krejt e lirë. Pra jam tani një femër jo vetëm e formuar, por edhe e pavarur në mendime dhe s’keni arsye pse të druheni nga unë...
- Druajtja më vjen padashur dhe vetvetiu. Ndoshta nga vet njohja jonë e fiksuar qysh në gjimnaz... – rrudhi buzët ai.
- Po edhe në qofsh ish profesori im i gjimnazit, ç’rëndësi ka, kur unë ju kam dashur dhe vazhdoj t’ju dua... – i tha ajo me ton të vendosur, duke ngulmuar për të gjetur rrugën që mund ta shpinte deri në thellësi të zemrës së tij.
Reiti heshti një grimë, ende i lëkundur në qëndrimin e vet. Pastaj iu përgjigj me mirësi:
-Nuk i vë në dyshim dhe nuk i paragjykoj ndjenjat e tua, po ngjarja e sotme ishte paksa e beftë për mua...
- Mos u habitni që po ju them, se këtë që bëra sot, unë në atë kohë e kam bërë në ëndrra. Ne ishim tri vajza në vitin e fundit, që të përpinim me sy gjatë orës së mësimit. Na ngjasoje me aktorin amerikan Robert Redford, me emrin e të cilit, të përmendnim shpesh kur duhej shqiptuar Reit Radomi. Madje i ngjashëm jo vetëm nga sytë gri e flokët biond, por edhe nga karakteri burrëror. Po aq e çuditshme, na dukej edhe koincidenca, me inicialet e përbashkëta R.R. Veç të tjerave, na bënte përshtypje ajo sjellja juaj e ngrohtë me të gjithë nxënësit, por sidomos takti pedagogjik, të cilin mundohem ta imitoj tani që jam mësuese. Ndryshe nga shoqet e mia, në atë kohë unë përgjërohesha për ty. Nëse të kujtohet, edhe guxova të shkrova një copë letër...
Reitit iu kujtua pusulla, që Alma, duke dalë e fundit nga klasa, ia kishte lënë te faqja e hapur e regjistrit: “io muoio per te.”
- Po, po, më kujtohen si një vegim i largët, fjalët e shkruara italisht “Unë vdes për ty”- pohoi Reiti buzagaz.
- Duhet të më besoni, - vijoi Alma dhe një purpur i ndezur i mbuloi fytyrën, - se në atë kohë, do të më ishte ndalur fryma e do kisha vdekur në vend, po të më kishe parë një herë në sy e të më kishe pohuar pakëz dashuri. Por ti bëre sikur s’kishte ndodhur asgjë dhe më shmangeshe shpesh, duke më kaluar anash me atë buzëqeshjen tende sa enigmatike aq dhe indiferente, e cila ishte si një fllad i ftohtë në shtegun tim të zemrës...
Reiti i hodhi një vështrim të vëmendshëm, për shprehjet e figurshme që ajo përdorte shpesh në fjalorin e saj.
- Të falënderoj shumë për të gjitha ndjesitë e sinqerta që ke ruajtur kaq kohë për mua. Por sidoqoftë, unë ndjej inferioritetin tim në këtë dashuri… - i kishte thënë ai me gjysmë zëri, duke iu nënshtruar puthjes së dytë, që Alma i dha si reagim për t’ia mbyllur hapësirën e gojës, ku artikuloheshin ato përgjigje të papëlqyera prej saj.
Por Reiti, i shpejtë dhe i përzemërt, u rrek për ta zgjatur qëndresën edhe ca më tej, duke shpalosur edhe zemërgjerësinë e vet.
- Alma, po të them me sinqeritet, se ngurrimi im nuk ka të bëjë me ndonjë kompleks. Por kryesisht ngaqë mendoj për avenirin tënd...
Ajo mblodhi supet e ngushtë dhe rrudhi pakëz shtjekat e buzëve të përskuqura.
- Nuk arrij të kuptoj, si mund të dëmtohet aveniri im, duke dashur një njeri me të gjithë fuqinë e ndjenjave të mia?!
- Sepse ti je ende vajzë dhe ke të ardhmen përpara. Ndërsa unë e kam konsumuar pothuajse tërësisht ciklin tim familjar...
Një çast u duk fërfërima e shpejtë qerpikëve të saj.
- Nuk është e vërtetë që jam vajzë, zoti Reit... - i tha ajo me një vështrim të mprehtë. - Mbase nuk u ka rënë në vesh, por unë tani jam një grua e harruar nga ish bashkëshorti...
Reiti e këqyri ngultas krejt i shajnitur.
- Këtë po e dëgjoj sot për herë të parë nga goja jote!...
- Atëherë, duhet të dini, se unë u martova para tre vjetësh, me këmbënguljen dhe nxitimin spontan të një moshatarit tim dhe jetova me të më pak se një vit. Sepse ai, si i papjekur në burrërinë e tij, pasi shkoi emigrant, u njoh aty me një tjetër dhe më shkroi papritmas se ishte martuar.
- Çudi! Po ku e paske peshkuar një prototip aq ambicioz për të përsëritur martesat flesh?! - kureshti Reiti.
Alma qeshi padashur me shprehjen e tij shpotitëse.
- E kisha njohur thjesht si shok shkolle. Dhe ai përfitoi me ndjesitë e tij të njëanshme, pikërisht nga ajo njohje. Por sidoqoftë, që nga ajo ditë e zhgënjimit tim, unë kam kuptuar, se femrës të gjitha sendet i nevojiten krejt të reja, kurse burrin duhet ta ketë të staxhionuar në pjekurinë mendore, që të dijë si duhet trajtuar gruaja në jetë. Me këtë, nuk dua të them se ju, i dashur Reit, mund të bëheni dikur bashkëshorti im. Por mua më pëlqen, që të paktën këtej e tutje, të kem të bëj shpirtërisht, qoftë edhe miqësisht, me një burrë të formuar, po kurrë më me një çunak...
Këtu ai mbeti. U step një grimë për ta përtypur mirë të gjithë kuptimin dhe nëntekstin frazës aq të ngarkuar emocionalisht, të cilën Alma e lëshoi me një frymë. S’i besohej që ajo të kishte qenë e martuar. Dukej aq e re, aq e paprekur, dhe aq e papërlyer, sa e bëri paksa dyshues.
- Ashtu?... - ia bëri Reiti, duke ndërruar pozicion në kolltukun e tij dhe i buzëqeshi tani në një mënyrë të pazakonshme, krejt entuziast. - Më habite me këtë informacion jetësor që sapo zbulove. Nuk kam ditur asgjë, dhe i çmoj mendimet e tua. Aq më tepër ndjesitë shpirtërore që ke rezervuar për mua prej vitesh.
- Mos u habitni që po shtoj gjithashtu, se nuk ju kam harruar kurrë dhe për asnjë çast, – nxitoi t’i thotë ajo me pasion të ripërtëritur, duke u munduar t’i zhbironte ndjenjat që rrinin strukur në thellësi të shpirtit të tij. – Kam pyetur gjithmonë për ju, si për një njeri të përveçëm, që më ka lënë mbresa të thella e të pashlyeshme. Dhe jo pa qëllim e solla librin tim te kjo shtëpi botimi, duke shmangur disa të tjera që më ofruan çmime të mira. Desha të më jepej rasti, që më së fundi të flisja me ju hapur dhe lirshëm, pas ndrydhjes kaq vjeçare që u kam bërë ndjenjave të mia. Dhe ja, ku gjeta çastin e volitshëm...
Disa herë Reiti u bë gati ta shmangte me kujdes, por tani ndjeu qartë se dëshira po i bëhej më e fortë. Në zemrën e tij sa vinte rritej një farë ngazëllimi dhe kuptoi se ballin e kishte me bulëza të imta. Së fundi ai e kundroi me një vështrim miklues të çmeritur. Kurrë ndonjëherë nuk kishte dëgjuar një qenie femërore t’i fliste me aq ndjenjë, me aq entuziazëm dhe me aq çiltërsi. Ç’natyrë të sinqertë kishte kjo vajzë! Sa e pastër shpirtërisht që ishte! Sa e re, sa e pavrarë nga jeta, plot pasione të këndshme, kërkuese e zjarrtë dhe e rrezikshme për çdo burrë. Ai reagoi duke përqendruar vështrimin te buzët e saj, ku do të priste përgjigjen edhe për një pyetje që i lindi natyrshëm.
- Tani e kam fare të qartë, se nuk është fjala për ndjesi të rastësishme, siç kujtova unë... Por gjithsesi, pasioni yt i njëtrajtshëm është paksa i habitshëm. Sepse ndodh nganjëherë që njeriu do dikë, po kur nuk arrin të sigurojë dashurinë e ndërsjellë, me kalimin e kohës e harron atë dhe fillon të dojë një tjetër. Nuk e kuptoj, pse ti i ruajte ndjenjat e asaj moshe kaq gjatë?!
Sytë e saj të zinj u ngulitën përmbi të besimplotë e të dashur. Dhe duke e hetuar me kujdes, befas ajo solli ndërmend, se gjatë këtyre viteve kishte qenë e zgjedhura e disa djemve. Por nuk kishte hasur tek asnjeri modelin e burrit të ëndërruar, të cilit mund t’i hapte zemrën plotësisht. Aq më tepër, që pas nxitimit të provuar me njërin prej tyre, të vendoste sërish pa bërë një gabim të dytë. Dhe u gjegj pas pak e përfshirë nga një vrull i përnjëhershëm:
- Sepse ti ke qenë për mua dashuria e parë e fuqishme, e sinqertë dhe e mbetur pa përgjigje. Ke qenë, si të thuash, fiksimi im i përhershëm, i ngulitur fort në trurin tim. Ndaj mbete i paharruar dhe mbresëlënës në zemrën time. Kam dëgjuar shpesh të thuhet se dashurinë e parë s’e tret as dheu...
Reiti ndjeu përbrenda ngazëllim të plotë, që ajo tashmë e kishte zbrazur të gjithë të vërtetën e saj shpirtërore. Forca magjike dhe robëruese e zërit të saj plot muzikalitet, kishte derdhur drejt tij të gjithë tingujt e ngrohtë të zemrës. Dhe kjo i dha kurajë për të folur i shpenguar, pa i rezistuar dot më tej tërheqjes së saj aq të fuqishme, që e kishte thëthirë të tërin.
- Dhe ja, ajo dashuri tek mbiu sërish nga dheu, si farëza e një luleje të bukur që priste kohën e zbutjes së klimës, për të lulëzuar shpirtrat tanë... Po të shprehemi me gjuhën tënde poetike... – u thye ai së fundi, me një buzagaz të shpalosur tejpërtej fytyrës së tij babaxhane.
Teksa priste me zemër të dridhur dhe krejt në heshtje, në fytyrën e emocionuar të Almës u duk një shndritje e menjëhershme, e shtyrë nga një impuls i brendshëm me vrull shpirtëror të stuhishëm. Dhe sytë e saj bredharak, bashkë me buzëqeshjen e përhershme, u lëshuan befas si një projektor i fuqishëm, që filloi të përqendronte të gjithë dritën përmbi burrin hijerëndë. Fytyra e të cilit shprehte jo vetëm dinjitet të rreptë, por edhe pamje tërheqëse dhe forcë të spikatur intelekti.
- O, sa bukur e thatë, tamam si profesor letërsie! – shprehu kënaqësi ajo, me një fërgëllimë të ëmbël në tingujt e zërit të saj.
Reiti ia plasi gazit, e kundroi drejt me mjaft simpati dhe shikimi i tij i ngrohtë po rrezatonte tashmë fare qartë ndjesinë për të. Pastaj, duke ruajtur natyrën e vet në shkallëzimin e argumentimeve, ai e pyeti paraprakisht me tonin e një mësuesi:
- Nisur nga fakti, se në librin tënd më ke kushtuar një poezi të ngrohtë, dua të më thuash, kush i ka shkruar këto vargje:
“Një herë desha shumë një njeri,
Por ky njeri s’ma ktheu dashurinë;
Dhe nga ky shkak i shkrova poezi...” ?
- I madhi Uollt Uitman. Poezitë e tij na i ke komentuar në orën letrare, – u gjegj Alma në çast.
- Pra, paska shumë njerëz që nuk i janë përgjigjur dashurisë për shkaqe, ndoshta edhe si të miat...
Almës i shkëlqyen sytë nga elokuenca e shkathët që përdori ai në këtë rast, megjithatë vijoi të ngulmojë me arsyetimin e saj.
- Por ato shkaqe tani nuk ekzistojnë më. Se ka ardhur tamam koha që prisja dhe që me kundërshti si ato pak më parë, ti nuk më shmangesh dot, - buzëqeshi ajo duke e shoqëruar me një psherëtimë.
Reiti e zbuti krejt pamjen e vet dhe filloi të flasë tani me një ton fare të butë e të ngrohtë.
- Dua të më kuptosh, Alma, se indiferenca ime në pozicionin e mësuesit, ka qenë pjesë e ndërgjegjes sime. Për të mos i marrë në konsideratë afeksionet e vajzave të asaj moshe, të cilat tërhiqen nga figura e fiksuar përballë klasës. Por tashmë, që ka ndryshuar pozicioni dhe dashuria jote e mbijetuar prej kohësh ka vetëdijen e plotë të pjekurisë, nuk mund të refuzoj kurrsesi ndjenjat e tua. Të cilat i quaj një shans të mrekullueshëm që po më jep fati në këto vite të jetës...
- Atëherë, përse të hynë në punë tërë ato fraza me antonime, që bëre deri tani?! – vërejti ajo dhe në tonin e zërit të saj u ndie një notë çapkëne e shoqëruar me një nënqeshje shpotitëse.
- Me kundërthëniet e fillimit bëra vetëm një parantezë, e cila më duhej që të vihem plotësisht në rregull me ndërgjegjen time, - u gjegj Reiti me një ton miklues. Dhe si për të shprehur ndjenjat e veta, atë çast ishte ai që u përkul dhe e puthi me mjaft pasion Almën ëmbëloshe.
Një e qeshur e papritur shpërtheu në harlisjen e buzëve të saj të përskuqura dhe një purpur i ndezur i mbuloi krejt fytyrën.
- Ah, sikur ta dish, – ofshajti ajo dhe flakëroi sytë përpirës me një vetëkënaqësi të çuditshme, – sa shumë e lumturuar ndjehem në këto çaste, që gjeta më së fundi përgjigjen e një dashurie të shumëpritur dhe ndoshta do të vdes nga gjithë ky gëzim... Por padashur të zbraz sot të gjithë thesin e historisë së jetës sime të këtyre viteve, më duhet të shpjegohem, se kisha shumë nevojë për pohimin tuaj të sotëm. Sepse në këtë kohë krejt të pasigurt, me krisma armësh e me vrasje njerëzish, ne jetojmë një situatë të ngjashme me atë kur pritet të vijë nga kozmosi një asteroid gjigant që sjell apokalipsin e botës...
Reiti bëri një gjest miratimi duke luhatur kryet.
- Kjo situatë e frikshme është një arsye më shumë për ta ndjerë veten të terrorizuar shpirtërisht, Alma. Sepse na ka ngushtuar hapësirën e frymëmarrjes të gjithëve. Dhe ndonëse jetojmë në Tiranë, na ka imponuar të bëjmë një jetë të ngujuar, brenda distancës së ngushtë dhe krejt monotone, punë-shtëpi. Njësoj si molusqet, që e fshehin veten brenda guaskës.
- Dhe me këtë lloj burgu shtëpiak, që na solli ky viti i tmerrshëm‘97, njeriu rrezikon të vdesë nga mërzia, - tha Alma duke i dhënë befas edhe fytyrës një pamje mërzie. - Pikërisht, kjo gjendje e skëterrshme më ka bërë mua të ndjej nevojën e domosdoshme për të dalë nga vetja, duke u çliruar nga të gjitha komplekset e mia. Dua të çlirohem si një pëllumb i bardhë që arratiset me vërtik nga kafazi. Dhe të ndalem në krahët e tu, për ta jetuar, sa të jetë e mundur më shumë kohën që mbetet nga ky apokalips. Për t’u dhënë së bashku pak hare, këtyre ditëve tona të trishtuara... – tha ajo me një shprehje përgjërimi.
Duke marrë zemër nga fjalët e saj plot poezi, Reiti u çel i tëri në fytyrë. Kishte përshtypjen se në një gjendje krejt të pavetëdijshme, tek ai ishin zgjuar ca instinkte të panjohura, për të cilat s’kishte idenë se ekzistonin ende. Dhe i tha ëmbëlsisht e me doza të ylberta ndjenjash:
- Ti, Alma, shpalose sot para meje një pranverë shpirtërore të vërtetë, me të cilën më bëre të ndjehem, ashtu siç më the pak më parë, vërsnik me ty. Dhe nuk më mbetet gjë tjetër, veçse ta shpreh me puthje rinore edhe mirënjohjen time për poezinë aq të bukur që më ke kushtuar në vëllimin e ri poetik...
Me një shprehje madhështie ai u ngrit dhe e puthi fort, ndonëse kjo puthje ishte e dyanshme dhe krejt e vetvetishme.
Së fundi Alma u ndie tejet e lumturuar, që ia tha Reitit të gjitha ç’kishte për t’i thënë. Dhe iu duk sikur kaloi plot një shekull, derisa atij iu mbush mendja t’i përgjigjej zemrës së saj me zemër.
Pastaj, ajo i dha dorën e butë përzemërsisht dhe doli nga dera e zyrës, duke e ndjerë veten si ajo balona plot ngjyra, e fryrë në maksimum me ajrin e ngrohtë që e ka ngritur në fluturim.
Ndërkohë, Reiti entuziast, tha me vete: Alma qenka një vajzë jo vetëm e lezetshme, por edhe shumë e dashur, e përshtatur mirë me jetën dhe pa pretendime të stërholluara, si ca vajza të moshës së saj. Madje ajo është edhe një vajzë me vlera, e zgjuar dhe e pjekur, që po më fal ngrohtësinë e ndjenjave, mirëkuptimin shpirtëror dhe besimin e saj të plotë. Dhe vlerat e saj si femër, janë në proporcion të drejtë me moshën e re dhe me intelektin. Ndaj, këtej e tutje ajo duhet të meritojë të tërë vëmendjen dhe simpatinë time.
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi