Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Vullnet Mato: TAKIMI TE APARTAMENTI I MBYLLUR

Shko poshtë

Vullnet Mato: TAKIMI TE APARTAMENTI I MBYLLUR Empty Vullnet Mato: TAKIMI TE APARTAMENTI I MBYLLUR

Mesazh nga Agim Gashi Sat Mar 27, 2010 2:18 pm

Vullnet Mato: TAKIMI TE APARTAMENTI I MBYLLUR 25749_1212981615858_1568334934_30431689_777125_n


Vullnet Mato: TAKIMI TE APARTAMENTI I MBYLLUR 22665_1163900988873_1568334934_30345381_3410171_n
Vullnet Mato

TAKIMI TE APARTAMENTI I MBYLLUR
(Fragmenti - 2 - nga romani “Marrëzia e madhe”)

Dhe ja, sot e kishin lënë të lexonin dhe të redaktonin në qetësi vjershat e vëllimit poetik të Almës te shtëpia e vëllait të Reitit, që kishte emigruar familjarisht.
Reiti e ndjente se sot, të mbyllur të dy në atë apartament bosh, do të përfundonin patjetër në shtrat. Dhe kjo e kishte shtënë në merak më tepër se krismat e armëve që kishin filluar të dëgjoheshin diku jashtë. Vallë, a do të funksiononte me atë vajzë aq të re?… Ndoshta emocionet mund ta çonin në ndonjë frenim të padëshiruar, për të mbetur krejt i turpëruar para saj. Pasi kohët e fundit ai kishte pasur avari edhe me gruan e tij, me të cilën nuk ndjente më atë magnetizimin e dikurshëm... Megjithatë, pa e ditur arsyen as vet, një mendje i thoshte sikur me Almën aq të freskët, aq tërheqëse dhe trazimtare, ndoshta mund të ishte mrekullisht i mundshëm.
Dhe teksa ishte nisur për te apartamenti i takimit, vegimi i syve të mëdhenj të çiltër, butësia e flokëve të zinj të shndritur dhe kuqëlimi i buzëve aq të ëmbla të asaj vajze, shfaqej herë pas here i gjallë dhe eksitues në përfytyrimin e tij. Po trupin, si do ta kishte vallë, ajo vogëlushe?!... Me siguri, do të ishte një kënaqësi fantastike të shijonte edhe një herë në jetë një njomështirë të atillë dhe të hynte në strukturat psikologjike të botës së brendshme të saj. Ai ndjeu se një drithërimë e papritur e përshkoi tejpërtej.
Jashtë krismat që i lehnin qiellit po shtoheshin e shumoheshin, njësoj si ato klithmat e çakejve që zënë e pasojnë njëri-tjetrin.
Pasi bëri përgatitjet e nevojshme brenda apartamentit, Reiti dilte herë pas here te dritarja dhe hidhte sytë me shqetësim tutje rrugës, që gjarpëronte përmes lagjes. Qetësia e së dielës e bënte këtë lagje edhe më të shëmtuar se ditët e tjera, kur rrugët boshatiseshin vetëm nga krismat. Dhe kjo po e shtonte në tepër trishtimin e pritjes.
Por së fundi ai dalloi në largësi figurën e saj në nxitim e sipër. Alma topolake po vinte drejt apartamentit thuajse duke vrapuar. Pardesyja dhe fustani i gjerë i ngrihej nga era e marsit, duke i zbuluar kofshët e rrumbullta. Ajo përkulej shpesh të mbulonte gjunjët dhe vraponte pa u ndalur, duke sfiduar krismat e armëve të fshehta që shtinin drejt qiellit. Vraponte pa pasur frikë fare nga plumbat qorr, që fluturonin pa adresë e pa drejtim të caktuar, se në cilin mish do të nguleshin, në cilën dritare do të thyenin xhamat, apo në cilin mur do të gërvishtnin suvanë. Atij iu bë për një çast, sikur me nxitimin e saj të ngazëllyer, ajo dukej paksa e ngjashme me rendjen e asaj kometës së mbështjellë me dritë në një qiell të muzgët.
Dhe ja, Alma u ndal një grimë përballë pallatit të panjohur dhe ngriti sytë përpjetë. Reiti nxori pakëz kryet te dritarja e ballkonit, sa për tu kapur nga vështrimi i saj dhe shkoi ta priste te dera e shkallëve.
Pas sheshpushimit, te fillimi i katit për ku ishte drejtuar, Alma nisi të ngjitej me nxitim, derisa arriti shkallaren e fundit. Te pragu Reiti u zgjat dhe e tërhoqi menjëherë brenda korridorit. Pastaj ai hodhi një sy përqark dhe mbylli derën e blinduar me çelës. Duke qenë së fundi krejt i sigurt, se askush nuk kishte vënë re hyrjen e asaj vajze në atë pallat me shumë familje.
Alma u gjend befas në atë apartament të panjohur, me pamjen e një vajze të mbushur me krenari, delikatesë dhe zhdërvjelltësi rinore. Reiti u mbush me një frymëmarrje të thellë emocioni. Më së fundi, ajo ishte aty, në hyrjen e fshehtësisë së tij. Dhe dukej si një margaritar vezullues i madh. Ishte e tëra e mjegullt, tunduese dhe misterioze.
- Uh, moj nëne, çfarë tmerri! - Alma shfryu gjoksin nga frymëmarrja e ngarkuar dhe vuri buzën në atë gazin lozonjar të saj. - Ç’paskan marrë kot këta njerëz dhe shtinë përpjetë si budallenj...
- Kjo është një marrëzi e paparë ndonjëherë! Madje sot shkrehjet dëgjohen të pandërprera nga të gjitha anët, aq sa unë pata shumë merak se mos rrezikoheshe gjatë rrugës... – i tha Reiti me padurim.
Dhe atë çast e pushtoi me të dy krahët, duke e pritur me buzë të hapura frymëmarrjen e saj të ngrohtë. Puthja e tyre vazhdoi disa sekonda, gjatë të cilave qielli përjashta bubullonte nga moria e krismave, sikur po përshëndeste me breshëri armësh takimin e parë të dashurisë së tyre në një apartament të mbyllur.
Pastaj puthjet e pareshtura e shtuan tej masës nxehtësinë e trupave të tyre dhe vetvetiu e krejt pa u ndjerë ata shkuan drejt shtratit të madh.
Reiti filloi ta zhveshë Almën, njësoj sikur po i hiqte petalet plot aromë një trëndafili madhështor dhe sakaq kurioziteti i tij qe ndezur deri në çmenduri. Ajo kishte veshur të brendshme mëndafshi me dantellë dhe çorape të holla deri sipër kofshëve. Me atë nxitimin e vet plot emocion, ai filloi duke i puthur së pari ato kofshët e rrumbullta tërë materie të njomë vajzërore dhe gjinjtë e saj të fortë me maja, që zbuloheshin pak nga pak, si format mjegullore të një misteri. Ndërkohë ajo, pa u vonuar e krejt automatikisht, po i hiqte atij trikon, duke zbuluar e puthur kënaqësisht bustin e tij shpatullgjerë, dhe duke ndjerë një vërshim gjaku që po i përvëlonte damarët çuditërisht. Njësoj sikur atë çast të ndiente përbrenda trupit të saj telat e skuqur të një rezistence elektrike.
Por befas, si për ironi të fatit, në çastin aq të shumëpritur nga të dy, ndodhi një e papritur aq e habitshme, sa, nuk do të ishte marrë me mend në asnjërën nga rastësitë e mundshme. U dëgjua një piskamë e fortë te dritarja e kuzhinës. Xhami i madh u bë copa e thërrime mbi dysheme dhe pas tij u ndie teksa ra përtokë perdja me gjithë mbajtësen e drunjtë.
Ata shtangën të tmerruar për disa çaste. Pastaj gjysmë të zhveshur siç ishin, shkuan te kuzhina. Dhe ashtu të stepur, hetuan përqark me kureshtje e kujdes të pazakonshëm. Derisa arritën më në fund të kuptojnë të gjithë atë zallamahi që kishte shkaktuar plumbi qorr duke goditur kornizën e dritares. Batica dhe zbatica e vrullshme e gjakut brenda pak sekondave, i bëri të dy me një dhimbje koke marramendëse.
Në atë gjendje krejt të tensionuar, ata u riveshën me nxitim. Dhe filluan të mbledhin copërat e xhamit të shpërndara gjithandej nëpër kolltukë, tryeza e dysheme. Nuk kishte mbetur skaj dhe cep i dhomës pa u stërpikur nga ajo thyerje e çuditshme, që dukej sikur e kishte kthyer të gjithë xhamin e madh në rërë.
Reiti mori te banja kovën plastike bashkë me fshesën bishtgjatë, për të hedhur ciflat dhe thërrimet e imta. Por Alma ia rrëmbeu fshesën nga duart dhe filloi me shkathtësi ta bënte vetë atë punë.
- Tersllëk! – tha Alma me keqardhje. - Dhe e di që tersi jam unë. Ndoshta sepse e pata me shumë qejf takimin e sotëm...
- Absolutisht, jo! - ia ktheu Reiti duke nënqeshur lehtë. - Tersi jam unë vetë, që lakmova për një veprim ndoshta të pamerituar me një vajzë kaq të re, siç je ti...
Alma qeshi me zë. Ishte një e qeshur e lirshme fëmijërore.
- Mos u bëj supersticioz kot, i dashur. Pikërisht, meritën tënde vlerësoj unë që të dua shumë, pa marrë parasysh asgjë nga ato që thua, e që tenton shpesh të marrësh faje përsipër.
Reiti e këqyri me vërejtje.
-Atëherë, shpjegoje, përse ndodhi pikërisht në këtë çast krejt të papritur?...
- Sepse plumbi ishte aq qorr e budalla, sa nuk dinte as vet për ku ishte nisur. Vetëm rastësia mund ta ketë drejtuar për këtu. Dhe bëri mirë që ra në çastin kur ne ishim brenda e mund të ndreqim gjithçka prishi verbëria e tij.
Reiti u përtyp pakëz me arsyetimin e saj. Pastaj vijoi:
- Sidoqoftë, probabiliteti për një rastësi të tillë, mund të ndodhë një herë në njëmijë ditë me krisma, – supozoi ai. – Po çudia më e madhe që më habiti mua, qe pikërisht dita e sotme dhe ora kur ne të dy gjendeshim këtu. Dhe me thënë të drejtën, unë kam ca parandjenja të këqija nga rastësitë e pazakonshme që më ndodhin...
- Kjo s’do të thotë asgjë, – buzëqeshi Alma. - Sot mund të ndodhte edhe tërmet, edhe rrufe, edhe goditje elektrike. Ja që goditi ai plumb mistrec dhe nuk bëri ndonjë dëm aq të madh sa për t’u shqetësuar.
- Gjithsesi, na hapi punë! - tha Reiti duke u menduar një çast me merak. -Më duhet të shkoj pa vonesë te xhamaprerësi, të çoj dimensionet për ta zëvendësuar dhe pastaj të vendos perden aty ku ishte.
Alma, me një vështrim që mbështillej butë e digjej si një zjarr i fshehur, shprehu ngurrim në tërë pamjen e saj. Ajo kishte një dëshirë të papërballueshme për tu lidhur fizikisht sa më parë me atë njeri.
- A thua, nuk pret kjo punë?...
- Ka rrezik që komshinjtë, duke vënë re nga jashtë dritaren të hapur pa xham, mund të alarmohen për të telefonuar diku. Ndoshta te shtëpia ime, por ndoshta edhe te vëllai në Greqi...
- Po, po, ke të drejtë. Mund ta shtyjmë për një ditë tjetër, – i tha ajo, ndonëse në zërin e saj mungonte bindja. Dhe qëndroi edhe një çast te pragu i derës së dhomës përpara tij, duke vështruar me ngurrim.
Një rreze drite ra nga dritarja pjerrtas mbi fytyrën e saj, duke i hedhur një refleks të fortë mbi flokët e shtrirë e duke ia lënë sytë e bukur në hije. Dhe derisa u bë gati të nisej, ajo nuk foli. Kur sapo mbaroi edhe ai gatitjen e vet, ajo u zgjat e puthi shpejt e shpejt me afsh të zjarrtë dhe rregulloi fustanin në heshtje.
Ata dolën në korridor dhe pasi Reiti e porositi të ecte rrëzë mureve të rrugës, u ndanë me një puthje të fundit. Ajo qëndroi edhe një çast, sikur deshi të thoshte diçka. Pastaj e para Alma dhe pak minuta më pas Reiti, zbritën shkallët e apartamentit me hapa të kujdesshëm e pa rënë në sy. Duke marrë me vete pengun që u la në shpirt ai plumb qorr i mallkuar.
Fat dreqi! mendoi Reti ende i dyshimtë për atë që kishte ndodhur. Duket sikur një dorë e padukshme krijon pengesa të qëllimshme që të mos realizohen dëshirat tona të pazakonshme...
Ata ikën në drejtime të ndryshme për t’u takuar në një ditë, ndoshta më të qetë se ditët e zhurmave të skëterrshme, të cilat marsi po i rrokulliste si fshesari copërat e akullit.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi