Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Vullnet Mato: PËRBALLË KODIT MORAL DHE TUNDIMIT

Shko poshtë

Vullnet Mato: PËRBALLË KODIT MORAL DHE TUNDIMIT Empty Vullnet Mato: PËRBALLË KODIT MORAL DHE TUNDIMIT

Mesazh nga Agim Gashi Sun Mar 28, 2010 2:11 pm

Vullnet Mato: PËRBALLË KODIT MORAL DHE TUNDIMIT 25749_1213646352476_1568334934_30432719_4806962_n


Vullnet Mato: PËRBALLË KODIT MORAL DHE TUNDIMIT 12441_1128505624011_1568334934_30278870_4797141_n
Vullnet Mato
PËRBALLË KODIT MORAL DHE TUNDIMIT
(Fragmenti – 3 – nga romani “Marrëzia e madhe”)

Kishte aguar mëngjesi bardhosh i së hënës dhe Reiti sapo kishte hyrë në zyrën e redaksisë, që ndodhej te truallin e shpërbërë i ish “Bllokut” të banesave të udhëheqësve komunistë. Atë çast ai ndjeu në xhep zilen e zgjatur të celularit. Dhe befas në membranën e imët u dëgjua zëri i nxituar i saj:
-Alo, Reit, jam Alma. Së pari, mirëmëngjesi dhe të uroj një ditë të mbarë. Dje e pata mendjen gjithë ditën te ti dhe te rastësia e keqe që na ndau në çastet më të dëshiruara të jetës sime. O zot i madh, ta dish ti sa mezi e pres rastin tjetër! Prandaj të lutem mos mendo më tej e mos shpreh dilema të errëta, si ato të djeshmet. Sepse ato paragjykime nuk ndryshojnë asgjë në mendimet dhe ndjenjat e mia. Ti je i tëri, kokë e këmbë, në zemrën time dhe unë s’bëj gjë tjetër veçse ç’më thotë zemra... Tani ika se m’u bë vonë për në shkollë. Pafshim! Të puth...
Në celular u dëgjua edhe përplasja ritmike e buzëve të saj.
Një copë herë të gjatë, Reiti qëndroi mbi tryezën e punës si i kapluar nga një paralizë e habitshme. Dhe filloi të bluante në mendje lloj-lloj arsyetimesh të kundërta. Ajo vajzë e çuditshme e kishte marrë tepër seriozisht, me shumë nxitim dhe me mjaft këmbëngulje. Ç’duhej të bënte më tej?... Kuptohej, se në marrëdhëniet intime me të, nuk ishte fjala për një zbrazje të çastit, midis një të reje, që s’mund ta kishte fare problem dhe një të moshuari, që po i ndrinte fati në muzgun e jetës për të shijuar një llokmë lumturie. Si t’ia bëj?!... tha me vete. Nuk më kishte shkuar kurrë ndër mend, se pikërisht në këtë lartësi vitesh do të më ndodhte një çudi e tillë. E kisha graduar trurin te problemet e moshës sime, krejt i shkujdesur për ndjesi të kësaj natyre. Dhe as mund të kisha supozuar një aventurë erotike kaq të habitshme, me një vajzë më pak se gjysma e moshës sime. Por në një farë mënyre, kam arsye edhe të gjykoj, se ndonëse i kalova të gjashtëdhjetat, nuk jam më profesor mes vashëzave gjimnaziste dhe nuk jam i pavdekshëm. Aq më tepër, kur subjektet e një terreni të tillë shpirtëror vijnë shumë rrallë në jetë... Pastaj duhet të vlerësoj edhe faktin, se tani kam arritur në një gjendje psikike, kur pas një copë rruge aq magjepsëse nëpër ndjesitë e këndshme me atë topolake të njomë, edhe shpirti im shovinist nuk mund të kthehet dot mbrapsht... Ndoshta për disa njerëz, kjo që bëj mund të ishte një aventurë e pahijshme dhe melodramatike. Por duke arsyetuar hollë për këtë fushë magnetike drithëruese që u vendos mes nesh, kam përshtypjen se Alma më ka dashur vërtetë prej kohësh dhe vazhdon të më dojë me ngulm. Edhe pse në gjimnaz e gjatë studimeve universitare ka pasur mjaft profesorë të tjerë, për të cilët ajo thotë se nuk i kanë lënë fare mbresa. Pra, për të bërë një kthesë të menjëhershme prapa, mua do të më duhej të realizoja një përmbysje mjaft të thellë përbrenda vetes. Gjë që kurrsesi nuk mund të arrihet lehtë, por as mund të justifikohet para saj, kalimi kaq mizorisht nga një ekstrem në tjetrin. Sepse tashmë s’mundem në asnjë mënyrë të vazhdoj të qëndroj indiferent, që ta shmang e ta thyej shpirtin e saj poetik, thjesht për egoizëm paranojak... Pasi është dhe periudha kur qëndresa ime është më tepër se kurrë e paqëndrueshme. Dhe mbi të gjitha, jam krejt i vetëdijshëm, se nuk kam bërë asgjë për ta joshur këtë vajzë të njomë, që të më vrasë ndërgjegjja. Por është vet ajo që ka gjetur rastin të shpalosë ndjenjat e kultivuara në kujtesën e kaq viteve, për një plakush të perceptuar rinor në ndijimet e veta. Madje, duke vijuar me vendosmëri e me atë ngulmin e saj të zjarrtë, edhe pas kundërthënieve të mia të përsëritura. Sa për pabesinë ndaj gruas sime, Zana ka kohë që më ka lënë të nënkuptohet, se unë jam tani për dashurinë e saj fizike, si ai trazimtari i hirit të një zjarri të shuar, që më kot mundohet të gjej thëngjij të ndezur... Dhe është e tmerrshme të plakesh pa shijuar deri në fund edhe ndjeshmërinë fantastike që të ofron një femër e re me zjarr përvëlues krejt të ri... Burri i moshuar mund ta kalojë këtë mungesë, vetëm nëse nuk preferohet nga gra të kësaj natyre, ose kur në mentalitetin e tij ekziston një autofrenim i fuqishëm. Por tani së fundi, duket sikur mua më janë dobësuar të gjitha fuqitë frenuese, me të cilat e bëra rrugën e gjatë të jetës deri në pragun e kësaj pranvere të çuditshme. Dhe ka mundësi, që me këtë rast fantastik, të bëhem jo vetëm i papërmbajtshëm, por edhe krejt i papërgjegjshëm për veprimet e mia. Sepse nuk gjej dot brenda vetes forca të arsyeshme deri në atë shkallë, sa të mund të refuzoj kategorikisht këtë dhuratë kaq të mrekullueshme dhe kaq fantastike që po më jep fati im bujar...
Për të mos e lodhur trurin më tej në ato çaste, Reiti krejt instinktivisht, hapi kapakun e dosjes, ku gjendej vëllimi poetik i shkruar plot frymëzim nga poetesha e talentuar Alma Visha. Përsipër fletëve i ra menjëherë në sy fotografia e saj e sjellë për botim. Një fytyrë e qeshur plot dritë, dy sy të mëdhenj të zinj, një hundë e vockël, dy buzë mishtake të ngushta gjithë materie femërore, ca flokë të zinj, të dendur, që kishin rrethuar si kurorë bardhësinë e butë të fytyrës së saj vezake e të shëndetshme. Dhe sidomos një vështrim i fortë, i pa prapsur, që sfidonte edhe vet aparatin fotografik. Një energji e tmerrshme çlirohej nga ata sy që shkëlqenin sikur kishin zjarr përbrenda dhe dukej sikur thonin: “Shikomë sa më gjatë, Reit Radomi dhe fiksomë në sytë e tu. Unë kam depërtuar thellë në shpirtin tënd, depërto edhe ti deri thellë qenies sime. Unë të dua aq pa rezerva, sa jam e gatshme të të lejoj të më eksplorosh kudo e në gjithçka...”
Ai filloi të lexonte sërish vjershën që i kishte kushtuar Alma, me inicialin në krye: “Kushtuar R.”
“Nëse ekziston diku një shpirt,
që hyn e vërtitet prej kohësh në shpirtin tim,
ai je Ti...
Nëse ekziston në glob një oazë qetësie
për brengat e mia,
ai je Ti...
Nëse mund të vdes dikur për dikë,
ai je ti... Dhe vetëm Ti,
O simboli i platinit
që mat peshën e dashurisë sime të përjetshme...
Edhe pas këtij rileximi, Reiti psherëtiu sërish dhe tha me vete: Guxo pastaj po munde të mos e duash këtë kanarinë këngëtare! Për dashurinë e një njomështire të tillë, mund thyesh të gjitha kodet dhe ligjësitë morale. Unë ndjehem tmerrësisht i dobët për t’i rezistuar seriozisht fuqisë së saj marramendëse. Nuk kam ç’bëj edhe sikur të dua të veproj ndryshe! Sepse ajo është vet engjëlli i lumturimit, i dërguar nga parajsa në çastet e vjetrimit tim të trishtuar. Jo dhe jo, nuk mund të prapsem dot prej saj dhe le të më djegë zjarri i çdo ferri, mbi tokë e nëntokë!...
Ai hodhi sytë e menduar nga dritarja në largësitë qiellore, ku mbisundonte transparenca e vdekjes prej fluturimit të plumbave. Teksa dallëndyshet e pranverës përshkruanin rrathë duke fluturuar krejt të qeta përmbi pallate dhe zogjtë e tjerë përshkonin hapësirën e kaltër me krahë të shtrirë. Pa pasur frikë se ndonjë plumb qorr mund t’i përshkonte mespërmes për t’i rrëzuar shakull përtokë.
* * *
Të premten, sapo mbaroi orët e mësimit në shkollën “Fan Noli”, Alma u nis menjëherë për te zyra e Reitit. Ajo hapi derën lehtas dhe hyri brenda papritmas si vet pranvera që vjen pa trokitur. E veshur me një pardesy të prerë ngushtë pas belit të hollë, me një shall të butë rreth gushës bardhoshe e me çizme të bardha në këmbët e saj të përsosura, ajo dukej mjaft e freskët dhe shumë e hijshme. Ngjasonte tamam si një zambak i bardhë i spërkatur me vesë, që kishte çelur mes dy kërcejve. Dhe jo pa qëllim femrat e dashuruara vishen bukur e shkojnë për të bërë para dashnorit një sfilatë trazimtare. Me të cilën, përveçse joshin mashkullin e zemrës duke paraqitur elegancën dhe feminitetin e tyre, ato ndjejnë edhe vetë një kënaqësi të pazakontë në kësi rastesh.
- Ndoshta nuk më prisje sot, po ja ku erdha, se nuk më rrihej... – u dëgjua Alma krejt buzagaze.
- Mirë bëre dhe mirë se erdhe, se qenke bërë sot edhe kaq e bukur ! – i tha Reiti duke përshkënditur sytë mbi shtatin e saj të stolisur dhe u çua i zgjati dorën ngrohtësisht.
- Faleminderit për vlerësimin. Po, u bënë kaq ditë që s’jemi parë... – u shpreh ajo ëmbëlsisht, duke mposhtur turbullimin.
- Është e vërtetë, që ditët me andralla shkojnë si pa u ndjerë dhe njerëzit kujtohen papritmas për rrëshqitjen e kohës.
- Së pari desha të di, pas atij takimi të dështuar, a keni menduar ndonjë herë për mua?...
- Po...
Ajo e vështroi me sy të ndezur dhe fytyra rrumbullake që i shkëlqente porsi mollë Korçe, iu vesh me një purpur të lehtë.
- Mund të shpresoj se keni filluar paksa të më doni?
Reiti nënqeshi ëmbël. Ajo natyrë aq e zhdërvjellët, me një sensualitet të dukshëm brenda temperamentit të saj, e turbulloi një çast. Dhe pa u nxituar për përgjigjen e tij, i tha pas pak:
- Tani emri yt, Alma, ka marrë një tingull tjetër për mua dhe po e shqiptoj me kënaqësi.
Alma ngazëlleu përbrenda tërësisht dhe i shkëlqyen sytë.
- Unë ju dua shumë, Reit. Dhe duhet të më besoni, se këto pak ditë, që mezi kaluan, kanë qenë për mua të trishtuara, ca nga krismat, ca nga mërzia dhe ca nga malli. Ju keni ndjerë të njëjtën gjë?
- Pakashumë... – tha ai buzagaz.
- Sidoqoftë a mund të më puthni tani?
Reiti e kundroi një grimë krejt i mahnitur nga kërkesa e saj e papritur e me një çiltërsi të kësaj natyre.
- Të pëlqen puthja ime ?
- Më shumë se çdo fjalë.
Ai doli nga tryeza e punës. Dhe u përkul e puthi me një shtrëngim të ngrohtë në krahët e tij. Mbushi mushkëritë me aromën e parfumit të saj dhe pastaj vështroi nga dera me merak se mos lëvizte dikush aty pranë.
- Alma, ndoshta do të ishte më mirë të uleshe në karrigen përballë. Për të qenë me mua thjesht në marrëdhënie pune, për sa kohë jemi në zyrë! - i tha ai me një buzagaz të lehtë dhe shkoi u kërrus mbi tryezë.
Ajo u ul dhe la çantën e vogël të dorës te cepi i tryezës. Flokët e zinj iu lëshuan anash dhe sytë i ndritën me ngrohtësi vajzërore të çuditshme. Ato çaste, ajo dukej aq e bukur, aq tërheqëse dhe plot ngjyra, sa do të kishte ngjallur edhe një piktor të vdekur nga arkivoli, për t’i bërë portretin.
Reiti i ndoqi me një shprehje fytyre të ngrohtë të gjitha lëvizjet e saj magjepsëse.
- I hodha një sy tjetër vëllimit tënd poetik dhe ndjeva sërish emocione të reja. Doni tani t’ju flas për të? - e pyeti ai për të justifikuar hapësirën boshe të kohës.
Alma lëshoi një psherëtimë, rregulloi flokët dhe tha me vete: Unë vdiqa nga malli për dashurinë e tij, kurse ky edhe në mes të dy zemrave, vë librin si jastëk ndarës, për t’i vënë zemrat tona në gjumë...
- Jo. Dua të më flasësh për emocione që kanë të bëjnë me ne të dy gjatë ditëve që s’jemi parë. – i tha ajo, duke mos e fshehur pakënaqësinë në tingëllimin e fjalëve.
Reiti qeshi dhe vështroi me vëmendje fytyrën e saj të lulëzuar nga mosha vajzërore.
- Ti dëshiron të them se më ka marrë malli?...
- Diçka të tillë ose diçka që ka të bëjë me ndjesitë për blerimin pranveror të dashurinë sonë...
- Për blerimin e një dashurie mes krismave të marsit? - shpotiti ai.
Ajo gazmoi në tërë fytyrën e ndriçuar si një hënë e plotë.
- Krismat e armëve ne i kemi sfiduar me krismat e zemrave tona. Dhe besoj se kjo është përgjigja më e mirë për marrëzinë e rrezikshme të njerëzve që na rrethojnë.
- Të lumtë! Me këtë dëshmon që je poeteshë edhe në këtë situatë kritike...
- Nuk ka si të jem ndryshe, kur ndjej dhe shoh se të gjitha dukuritë e zymta të kësaj pranvere, i mbulon pamja plot dritë e dashurisë sonë. Këtë pamje në kontrast e shohin jo vetëm sytë e mi, por besoj edhe sytë e tu.
- Atëherë, duke e parë rebelimin me këtë sy, ne të dy tregojmë se jemi shpirtërisht kundër tij.
- A nuk do të ishte më mirë sikur të mos flasim më tej për këtë temë?
Reiti u përtyp një grimë mendueshëm.
- Është e vështirë, sepse ngado që të vërtitemi, kjo temë e dhimbshme na ngatërrohet mes këmbëve dhe mes gjuhëve ku artikulohen fjalët tona.
Alma qëndroi një grimë pa lëvizur dhe pastaj me një zë që vlonte nga zjarri i pasionit, e pyeti befas:
- Pse të merremi me llafe për situatën? Pse të mos puthemi më mirë ? A shkojmë diku të flasim me gjuhën e zemrave?
- Ku ?
- Aty ku plumbi qorr na ndërpreu fjalët e zemrës, – tha ajo me ton intim.
- Pa pritur të vijë e diela?...
- E diela është larg. Madje në rrethanat që po jetojmë, e nesërmja s’dihet. Dihet vetëm se koha ikën e s’kthehet më...
Reiti i zmadhoi sferat e syve duke e kundruar paksa i çmeritur. Ajo dukej ato çaste sikur avullonte nga dëshira e shfrenuar për t’u kredhur sa më parë në krahët e tij. Ndoshta prej kaq ditësh kishte vepruar mbi të efekti tejet ngacmues i takimit të lënë përgjysmë prej plumbit qorr, në çastet kur sapo ishin zhveshur për në shtrat. Dhe kurioziteti i saj ishte kthyer në një padurim shqetësues me vuajtje të fshehtë. Eh, ç’bën dashuria, mrekullia e lashtë, që ngre ylbere ëndrrash edhe në qiellin gri... Kushedi sa ëndrra ka parë vogëlushja e gjorë, duke u shkrirë në zjarrin e përbashkët. Dhe ka gjithë të drejtën me vete. Sepse, ndryshe prej meje, energjia e brendshme e saj është ende e pakonsumuar, mendoi ai dhe e pyeti:
- S’je e zënë me punët e shkollës?
- Nesër pasdite jam krejt e lirë... – ngulmoi ajo, duke vënë në pah, me tonin e një zëri të ëmbël e melodioz, edhe tehun e vullnetit të saj të hekurt. Madje më të fortë se hekuri, një vullnet prej llastiku. Sepse hekurin mund ta thyeje, kurse llastikun jo.
Por para saj edhe burri s’mund të jetë prej guri, ndonëse në pamjen e jashtme kërkon të duket autoritar, tha Reiti me vete. Kësaj i ka rënë në tru keqas, më dëshiron çmendurisht dhe është e kotë të zgjatem.
- Në cilën orë?
- Në gjashtë fiks, kur të fillojë të erret më ke aty? – u shpreh ajo e gatshme e me ton të vendosur. Dhe dy rrudhëza të imta u përvijuan në skajet e buzëve të saj të trëndafilta, që dukej sikur po e ftonin Reitin ta puthte sërish.
- U tha, u bë, - miratoi ai kërkesën e saj, duke mos gjetur arsye të mjaftueshme për ta kundërshtuar. Nisur edhe nga bindja e tij, se dëshira e femrës për dashuri, qoftë sado e pamenduar mirë, është pothuajse gjithmonë më e logjikshmja.
Alma befas u çua vrikthi në këmbë.
- Atëherë, po të lë të qetë të punosh, – i tha ajo me gjysmë zëri dhe u përkul e puthi edhe një herë me pasion të shumëfishuar. Puthja e saj me një shtrëngim drithërues, ishte si gulshi i një flladi të ngrohtë, që i buroi nga buzët dhe e mbështolli të tërin, duke shkrirë koren e akullt të seriozitetit të tij. Pastaj ajo i zgjati dorën e butë dhe doli.
Rrugës, Alma mendoi e përqendruar se sa herë ndodhej përballë Reitit, ndjehej në një gjendje krejt të çuditshme. Ndryshe nga përballjet me meshkujt e tjetër në jetën e saj, përpara tij ajo emocionohej, drithërohej e gati bëhej me krahë fluturues, sikur të ndodhej përballë një orakulli të shenjtë. Mbushej plot me një gëzim euforik gjithë frymëzim, për të folur e për të zbrazur ëmbëlsinë e shpirtit të saj.
Asaj iu kujtua, se krejt ndryshe mblidhej dikur mbrëmjeve në shtëpi me atë Altinin moshatar. I dukej sikur kishte pranë një person fare të zakonshëm, për biseda krejt të rëndomta e pa interes intelektual. Një njeri sipërfaqësor, me të cilin e kishte lidhur vetëm ai çast i kuriozitetit femëror. Kur ai iu qep këmba-këmbës për ta zhvirgjëruar në një nga klasat boshe të fakultetit të Filologjisë, duke mbyllur derën me grep. Pas një kundërshtimi formal, ajo e kishte lejuar vetë. Jo nga dashuria, por thjesht nga kureshtja e nga forca e zakonit për të mos mbetur në bisht të shoqeve, të cilat krenoheshin orë e çast me marrëdhëniet e tyre dashurore. Ndonëse asaj, qysh në shkollën e mesme i ishin qepur shumë djem, nga ata që luanin me vajzat duke i kapur nga sisët. Pastaj disa të tjerë në fakultet, kishin tentuar ta shtinin në dorë me lloj-lloj rrenash. Dhe i qe dukur krejt pa kuptim të vazhdonte të ruante më tej një “thesar” imagjinar, që e kishte vlerën vetëm për t’ia falur atij që pranonte të martohej me të. Altini kishte qenë i gatshëm të martohej qysh atë ditë. Dhe ajo u lidh me të pa asnjë ceremoni martesore. Vetëm sa ia kishte prezantuar mama Rukut. Dhe me miratimin e saj u vendosën përkohësisht për të bashkëjetuar në një nga dhomat e shtëpisë. Por më pas doli se kollovari kishte qenë i etur vetëm për zhvirgjërime dhe rrallëherë mblidhej në shtëpi. Se të shumtën e kohës ishte duke bredhur pas çdo krijese femërore që i dilte përpara. Më tej, femrat mbeteshin vetëm një shifër në kujtesën e tij. Sepse, siç kishte pohuar vetë, ftohej krejt me të gjitha. Pastaj ikja e tij si emigrant kishte qenë vetëm një lehtësim për Almën, e cila edhe në çastet intime me të, kishte gjithmonë në mendje dhe në ndjenja figurën e adhuruar të Reitit. Shkak ky që e kishte bërë të mendonte, se do të ishte më mirë të mos rimartohej fare, për të bërë prova me altinë të tjerë. Por të gjente mundësinë të lidhej miqësisht me Reit Radomin. Qoftë edhe sa për të shkëmbyer mendime të vyera intelektuale e për të shkarkuar ngarkesat e saj emocionale, me atë burrë aq të dëshiruar, nga buzët e të cilit derdheshin përrenj mendimesh të mrekullueshme... “Ndoshta unë nuk mund të dua kurrë një burrë tjetër, sepse i përkas asaj kategorie shpirtrash që dashuron vetëm njëherë me të gjithë fuqinë e shpirtit!”, tha ajo me vete duke hyrë në rrugën që e shpinte te shtëpia e saj.
Parfumi i Almës la të kundërmuar krejt zyrën dhe disa minuta të gjata pas ikjes së saj, Reiti vijoi t’i mbushte mushkëritë plot. Ai u lëshua në shpinën e karriges si i trallisur dhe mendoi: Midis shumë çudirave të kësaj bote, femra është çudia më e madhe. Një krijesë, sa magjike, aq dhe misterioze, që për kozmosin psikik të saj dhe tensionet e fuqishme që krijon, askush deri sot nuk mund të thotë se ka arritur të bëjë një përcaktim të plotë. Ndonëse për këtë pyetje nga më të lashtat e njerëzimit, ka lodhur trurin e gjithë filozofia, e gjithë psikologjia, të gjitha shkencat shoqërore. Mendja më thotë, se forca magnetike e tundimit të saj, nuk është thjesht feminiteti. Atëherë çfarë është ajo fuqi, me të cilën femra na mahnit e na robëron kaq shumë? Duhet të jetë diçka më e thellë, më e komplikuar dhe më e pakuptueshme, për ne meshkujt e çdo moshe, që tërhiqemi si thërrmija të pafuqishme prej gravitetit të saj marramendës. Gratë, sipas dëshirës së tyre, mund të jenë në çdo kohë krijesat më të paparashikueshme. Sa e sa burra janë shndërruar në lodra të përjetshme për to. Mos vallë carët, sulltanët, perandorët dhe gjithë diktatorët e tmerrshëm të njerëzimit, nuk janë shndërruar në thërrmija të tërhequra nga forca magnetike e grave të zemrës dhe nuk kanë komanduar me diktatin e dashurisë së tyre?... E çuditshme dhe e mahnitshme kjo që po ndodh me mua!... Po plakem dhe në vend që të mendoj për fundin e kësaj jete, mendoj përsëri se si të vallëzoj sa më mirë brenda fushës magnetike të një gruaje të re. Alma aq e njomë, ra në dashuri me mua në një mënyrë krejt misterioze dhe të pashpjegueshme. Ç’gjen ajo tek unë për të më dashuruar kaq shumë? Ndoshta sepse dashuria e vërtetë e gjen banesën e vet te shpirti, jo te trupi. Ka disa gjëra që nuk shpjegohen dot dhe disa të tjera që nuk kuptohen dot. Dhe ne kërkojmë tu gjejmë të gjitha dukurive një shpjegim!... Ja, a ka kuptim kjo që bëj unë duke u vërtitur në këtë trajektore të mistershme?!... Por në fund të fundit, tani thërrmija ime është aq e padukshme dhe me fuqi aq të pallogaritshme, për të kundërshtuar ligjësitë e gravitetit rrotullues të universit femëror, sa kurrsesi nuk mund të merret në konsideratë. E di edhe vetë, se po bëj veprime prej adoleshenti. Por në çastin kur do të ndjej se nuk jam më adoleshent, do të thotë se jam plakur plotësisht. Madje jam tamam në kohën kur s’kam pse të prapsem prej saj, për të paragjykuar ndonjë pasojë të padëshirueshme. Kjo vajzë e mençur dhe serioze, është një lloj mjalti aq i ëmbël, sa nuk do të mund ta helmonte kurrsesi pleqërinë time.
Reiti e kishte urryer gjithmonë tradhtinë bashkëshortore. Jo thjesht nga moraliteti i aktit apo ndershmëria e tij, por sepse tradhtinë që ai mund t’i bënte gruas, duhet ta pranonte si të ligjëruar edhe nga tradhtia e gruas ndaj tij. Por në këtë rast, vihej në një provë plot kureshtje potenca, apo impotenca e dyshuar e seksualitetit të tij, e cila nuk mund të vërtetohej plotësisht me anën e ngacmimit të gruas rutinë. Dhe kjo e bëri të presë me ankth të pazakonshëm përgjigjen e kësaj gjendjeje të tij: Jam burrë i vjetruar, apo mashkull i dalë jashtë funksionit ?!...
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi