Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Avni Rudaku-Rudi: Intradialog IV: Postmoderniteti si nastradinitet dhe dashuria më e fuqishme: "The last is the best"!

Shko poshtë

Avni Rudaku-Rudi: Intradialog IV: Postmoderniteti si nastradinitet dhe dashuria më e fuqishme: "The last is the best"! Empty Avni Rudaku-Rudi: Intradialog IV: Postmoderniteti si nastradinitet dhe dashuria më e fuqishme: "The last is the best"!

Mesazh nga Agim Gashi Sun Mar 28, 2010 10:34 pm


Avni Rudaku-Rudi: Intradialog IV: Postmoderniteti si nastradinitet dhe dashuria më e fuqishme: "The last is the best"! 26818_397999413495_510038495_5114525_7352322_n

Avni Rudaku-Rudi: Intradialog IV: Postmoderniteti si nastradinitet dhe dashuria më e fuqishme: "The last is the best"!

Më tha: Si do ta përkufizonit posmodernitetin?

I bërtita: Postmoderniteti është pa përkufizim. Kjo është veçori esenciale e postmodernitetit: pamundësia për ta përkufizuar vetveten. Të përkufizosh, do të thotë të vësh kufizime tiparesh. Postmoderniteti nuk lejon kufizime, as përkufizime. Postmoderniteti është liria për të braktisur përkufizimet monopole të përkufizuesve. Postmoderniteti puqet me relativizimitetin. Personazhi mitik apo historik, Nastradini, e ka përkufizuar postmodernitetin pa ditur asgjë për këtë periudhë të mëvonshme historike: “Edhe ti e ki mirë, edhe ti…”. “Kur i tha gruaja Nastradinit që nuk mundet edhe Shabani edhe Nevzadi ta kenë mirë/saktë, ai ia kthehu gruajës së tij: Edhe ti e ki mirë!” Të gjithë e kanë me të drejtë/mirë/korrekt dhe askush nuk e ka me të drejtë/mirë/korrekt! Ky është postmoderniteti ose nastradiniteti. Pra, postmoderniteti është rrëfim i Nastradinit që barazon të gjithë në të drejtën e secilit për me hangër m... çfarë të dëshirojnë! Kjo është kriza që do ta shemb postmodernitetin. Relativizimi i çdo gjëje në postmodernizëm do ta relativizojë më së shumti vetë postmodernizmin. Pastaj do të vjen një kohë tjetër: rimendimi i metapostmodernitetit, që do të karakterizohet me gjithçka virtuale duke minuar realen. Pastaj, do të shfaqet kriza reale e relacionit reale/virtuale dhe do të ketë emrin që nuk ia kemi lënë akoma.


Më tha: A keni dashuruar ndonjëherë tepër?

I bërtita: Teprica apo mbivlera e Marksit është e njohur vetëm në ekonomi. Ose, nëse ekziston diku “teprica”, më së paku do ta klikosh atë (lexo: tepricën) në dashuri. Mirëpo, pasi më pyetët direkt, do të përgjigjem: “Dikur kurrë nuk kam dashuruar tepër. Vetëm në kohën e tashme dashuroj tepër. Teprica i takon së tashmes. Ndërkaq, të kaluarës i takon vetëm ndonjë asociacion mendor e situacional i afërsisë romantike. Kjo e fundit ka të bëjë me gjendje kardiovaskulare romantike avulluese. Dashuritë e mëhershme janë të gazta dhe pa mundësi të kalimit në gjendje agregate të lëngët, ndërkaq e sotmja është shkrirë dhe po shijohet këndshëm. Ndihem për merak ahistorikisht!”

Më tha: Pse flisni aq shumë për dashurinë?

I bërtita: Ju po pyetni aq shumë për dashurinë e nuk ju thashë gjë prej gjëje se po pyesni aq shumë për dashurinë.


Më tha: A harrohet dashuria e parë?

I bërtita: Jo vetëm e para, por edhe e dyta, e treta, e kështu me radhë…Dashuria e fundit është më e memorizuara. E fundit na fundosë në të. Nuk ka dashuri të parë e të dytë, por ka të dashura të para, të dyta… Dashuria nuk është statistikë e renditje. Gjendja bio-kimike e trurit është e ngjashme te dashuruesit/et, vetëm se dallohet në intensitet, situatë, periudhë kohore, gjendje, proksimitet dhe personalitet. Njerëzit kanë aftësi të dashurojnë dhe ridashurojnë, por vetëm paraqitja e zhgënjimit në rastin e parë, të dytë, të tretë, e rikuperon dashurinë pasardhëse dhe nuk i jep personit luksin të “bie në dashuri të qulltë”. Kjo e fundit është dashuri e mendueshme, si rezultat i frikës nga “zhgënjimi i rënies”, ose “rënia e zhgënjyer”. Kjo mund të njihet edhe si “dashuri e rezervuar”. Një tjetër dashuri racionale do të mund të ishte e fortë/konsistente kur mbështetet në parime/vlera të pranuara reciprokisht sesa në gjendje stacionare/aksidentale të biokimisë. Nëse mbështetemi vetëm në këtë të fundit, gjasat janë të mëdha që pas fazës postbiokimike të mbetemi pa dashuri. Sidoqoftë, dashuria e parë harrohet, madje edhe mund të qortohet qortueshëm, vetëm se duhet të jetë e fundit dukshëm më e fuqishme në fazën e parë, sepse kemi krahasim historik romantik. Edhe mësuesja e parë harrohet. Edhe libri i parë harrohet. Edhe klasa e parë harrohet. Edhe biznesi i parë harrohet. Kur themi “harrohet” ne ngelemi të mendojmë në “dashurinë më të fuqishme, intensive, të thellë, etj.”. Dashuria e fundit është kujtimi më aktiv, ndërsa gjërat e para janë përfytyrime mendore të zbrazura në muzen e nostalgjive, reminishiencave dhe të qeshurave që na shkaktohet kur kujtojmë sa budallëllëk që shfaqnim me ca njerëz që na rastisi jeta të interaktojmë!

Më tha: A është më mirë të dashurosh apo të dashurohesh?

I bërtita: Secili njeri dëshiron të realizojë dashurinë e lindur prej tij. Por mbreti në dashuri, është ai që dashuron më pak. Nëse keni prirje për superioritet, të jeni dominues në lidhjen romantike, atëherë është e preferueshme të jeni më i dashuruar nga tjetri. Por përsëri nuk garantohet në mendësinë bashkëkohore që çdo gjë do të tolerohet në dashurim. Jetojmë në dashuri pa sakrifica të mëdha. Pa kompromisë të dhimbshme. Jetojmë në kohën e lirisë më të madhe dhe dashurisë më të vogël. Kur qeniet njerëzore janë të pavarura, të lira, ato e urrejnë “dashurinë e madhe e të përjetshme”, meqë dashuria korrelon edhe me limitizim. Dashuria është kufizim i qenësisë sonë dhe veprimit tonë vetzgjedhës. Me dashurinë ndaj tjetrit, ne humbim diçka prej vetes. Sikur ta dijmë saktësisht se çfarë humbim, nuk jemi humbës, por sekreti i dashurisë është që nuk të duron të të mendosh çfarë keni humbur. Dashuria është kokëfortë dhe i përngjanë dashit me kokë e brirë të forta. Më mirë është të dashuroni nëse e realizoni dashurinë. Nëse nuk e realizoni, mbetet alternativa e të qenit i dashuruar prej tjetrit. Ka të tillë që idealizojnë në kushte humaniteti dhe thonë: “Mos prit të dashurojnë, por fillo të dashurosh!” Kjo është gjë e mirë gjersa flisni për idealen. Por e vërteta njerëzore na sugjeron se ne dëshirojmë të jemi të dashuruar nga ata/ato që i dashurojmë. Kjo vjen që nga vegjëlia kur kërkojmë ngrohtësinë prindërore të na rrezojë. Nëse ju përmbushni dashurinë tuaj, ju plotësoni dëshirën tuaj. Nëse plotësoni dashurinë e tjetrit, ju në fillim plotësoni dëshirën e tjetrit, por që më vonë mund të bëhet edhe qejfi yt emocional.

Më tha: Në rregull, po të pyes edhe diçka tjetër. A mendoni se në Kosovë ka dashuri ndaj nacionalizmit?

I bërtita: Në Kosovë nuk ka eros të thellë ndaj nacionalizmit. Po të kishte agape nacionaliste nuk do të kishte në nivel aq të lartë dashuri partiake, regjionale, fisnore, lokale, fetare në këtë (mbi)dozë. Nacionalizmi si shkollë ideologjike dhe projeksion ideor ngulmon që mbi veçantitë individuale, lokale, fetare, tribale, etj., të ngritet erotika nacionale, vetëdija nacionale, identiteti nacional, kultura nacionale, politika nacionale. Sot më shumë po flitet për romantikun pdk’ist, ldk’istin, aak’istin, etj., llapjanin, anamoravasin, dukagjinasin, drenicakun, myslimanin, katolikun, etj. sesa shqiptarin apo kosovarin. Tek ne dashuria është shumë konfuze për “identitetin kosovar”. Serbët në Kosovë nuk e festojnë 24 marsin, si datë e shënuar për intervenimin e NATO’s, në çlirimin nga ushtria dhe paramilitarët serbë. Serbët kosovarë e shohin NATO’n si hegjemoni, agresor i jashtëm mbi integritetin territorial të Serbisë, etj. Për shqiptarët kosovarë, bombat e NATO’s kanë qenë shpresë dhe se ushtarët e NATO’s janë shpëtimtarët nga gjenocidi dhe kulturocidi serb. Po ashtu, shqiptarët kanë “Epopenë e UÇK’së” në Prekaz e Dukagjin dhe, Familja Jashari është simbol i vetflijimit maksimal për lirinë nacionale shqiptare, ndërkaq për serbët kosovarë është “Familje terroristësh/guerilësh të pamposhtur”. Kjo ju kujtohet edhe në lajmet e Hajrije Rugovës, e cila atëbotë si spikere na vriste shpirtin kur thoshte: “Terroristët shqiptarë sulmuan patrullën e policisë, ndërkaq policia iu përgjigjë me zjarr…”. Edhe diçka më brengos për filinë kosovare mbi vlerat e luftës: Pse të mbajmë “Dy Epope mbi UÇK’në”(një në Prekaz e një në Gllogjan), dhjetëra organizime e përkujtime dëshmorësh të luftës, etj., të cilat marrin karakter lokal dhe nuk ngriten mbi një Memorial të Përbashkët të të Gjithëve dhe një Datë të Përbashkët për të gjithë? Ja pse mungon nacionalizmi i sforcuar koheziv e motivues, qoftë ai kulturor apo qytetar.

Më tha: A duhet jetojmë sot për sot, apo sot për nesër?
I bërtita: As për sot, as për nesër, por për pasnesër.

Më tha: Pse vdesim?

I thashë: Sepse jetojmë. Kusht për të jetuar është të vdesësh. Më së miri të pranosh vdekjen duke pranuar në të njëjtën kohë edhe jetën. Epikurianët thanë se nuk takohemi me vdekjen kurrë, sepse atëherë kur vdesim ne nuk jetojmë. Ndërkaq, unë besoj pak më ndryshe: Ne takohemi me vdekjen, por nuk e dimë në çfarë ore. Prandaj ne bëhemi të zemëruar se si vdekja është aq e poshtër, na thërret në takim, ndërsa nuk na cakton kurrë orën e takimit. Duket sikur nuk merakoset nga takimi me ne. Por sidoqoftë, është më e dobishme për neve që të mos merremi aq me këtë takim, por të përkushtohemi për takimet tona të lëna në kohë me njerëzit tonë të dashur në jetë. Takimet e fundit janë balada reale muzikore dhe që duhet t’i dëgjojmë me veshët në plotëni.

Më tha: Si i shihni fjalët e urta të popullit apo të personaliteteve të mëdha historike?

I bërtita: Jo fjalët e urta, por fjalitë e urta. Fjalitë e urta janë paragjykime të urta. Janë përgjithësime të skajshme. Pra janë stereotipe. Mbi bazën e rasteve të veçanta, përgjithësohet. Fjalitë e urta janë deduksione që rrjedhin nga induksioni i përvojave personale dhe kolektive të njerëzve. Ato mund të shërbejnë për shumë zgjidhje problemesh, por mund të bëhen edhe pengesë për zgjidhjen e tyre. Nëse nuk merren si relative, të ndryshueshme, të varura nga konteksti e kontesti, hapësira e koha, mund të jenë shumë të dëmshme. Fjalitë e urta e aforizmat duhet parë si konkludime të papërfunduara dhe (jo)të mbyllura.

Më tha: Na zgjero pak përgënjeshtrimin e sofizmave/urtësive.

I bërtita: Vetë termi “sofizëm” qëmtohej më shumë si metodologji e bindjes retorike, sesa plasim i së vërtetës objektive. Sofizmi realisht ishte tendenca për ta bindur tjetrin në të vërtetën që e proklamoni ju. Nejse, ja ca fjali për demistifikim të fjalive të urta popullore apo që i kanë servuar njerëzit e jashtëzakonshëm.“Çfarë do të mbjellësh, do të korrësh!”, “Çdo fillim është i vështirë!”, “Çdo gjë që është e para nuk harrohet!”, e të ngjashme, nuk janë gjë tjetër, pos lodhje për të menduar më tej. Njerëzit kur përfundojnë, në fakt nuk përfundojnë kontestet, por pushojmë së menduari për kontestet.

Më tha: E çfarë të rreziku na paraqesin fjalët e urta?

I bërtita: Fjalitë e urta kanë një tog fjalësh. Fjalitë e urta janë të rrezikshme për shkak të dogmës në brendësinë e tyre strukturale semantike. Ato na pasqyrojnë insistimin kategorik të domosdoshmërisë dhe të të qenit si të mirëqena e të pandryshuara. Përgjithësimet nuk njohin veçanësinë. E historinë e bëjnë gjeneralët e jo gjeneralizimet.

Më tha: A nuk është e vërtetë se çfarë bën, e korr?

I bërtita: Nuk është ashtu. Ju mund të mbjellni, por jo ta korrni. Ju mund të punoni gjatë tërë ditës, por vjelja nuk mund të bëhet për shkaqe të jashtme. Nuk varet gjithçka vetëm prej asaj se sa punoni. Parafytyroni sikur njerëzit të besojnë kategorikisht në këtë fjali të urtë, ata/ato do të zhgënjehen për mossukses/rezultat të dëshiruar. Çdo punë, nuk mundet të të jap sukses. Varet shumë si punoni. Nuk është aq shumë i vlefshëm kuantiteti i punës (korrjes), sakaq është cilësia e punës. Nëse mbjellë, mund të edhe të mos e korrni sepse e keni mbjellur dobët, ose ka pasur kushte klimatike jo të favorshme. Ne duhet të besojmë vazhdimisht se puna është në parim asociacion pozitiv, por jo të absolutizojmë “sa të punojmë”, por “si të punojmë”. Tjetër: korrja nuk mund të bëhet vetëm se ju e dëshironi patjetër të ndodh, ose se e meritoni. Duhet të mësohemi të pranojmë dështimet pas punës së mundimshme. Kjo na kalit shpirtërisht/moralisht. Na bën më të fortë. Lehtë është të pranojmë sukseset, por dështimet janë sprovë e vërtetë e matjes së karakterit tonë. Shembullin konkret e keni keni te politikanët në sistem autoritarist dhe në demokracinë liberale. Kur në të parin dështon politikani në ndonjë politikë, udhëheqësi vërsulet si i tërbuar në çdo personalitet që mendon ndryshe prej tij. Në demokraci liberale politikani duhet patjetër ta pranoj humbjen në zgjedhjet elektorale dhe ta pranojë patjetër suksesin e kundërkandidatit. Sidomos ky leksion i fundit duhet të vlejë për politikanët në Kosovë, të cilët me çdo kusht tentojnë që “mbjelljen” (qoftë kjo në masë të konsiderueshme mbjellje e simuluar), të korrin fitore maksimale.Pra, ju mund të mbjellni, por jo domosdoshmërisht ta korrni. Nuk është e vërtetë kjo hipotezë, sado e urtë qoftë.

Më tha: Sipas jush, fjalitë e urta nuk janë aq të urta se mendohet?
I bërtita: Nuk janë edhe aq <>, sa mund të qortohet.

Më tha: Shihemi ndonjë pasdite tjetër!
I bërtita: Kismet, në ndonjë mbrëmje!

Më tha: Mirëupafshim!
I bërtita: “Mirëupafshim!”, përdoret nëse nuk do të takohemi për kohë të gjatë.

Më tha: Shumë po analizoni gjërat!
I bërtita: Ju as nuk po analizoni, as nuk po sintetizoni, ju vetëm po pyetni pyetje!

(…iku pa më thënë asgjë sepse e dinte se do të vazhdonte biseda duke korrigjuar imtësisht gjërat…)


Avni Rudaku-Rudi: Intradialog IV: Postmoderniteti si nastradinitet dhe dashuria më e fuqishme: "The last is the best"! 26541_421914898495_510038495_5264373_7252764_a
"The last is the best..." "The first is the number, not more..."
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi