Vullnet Mato: BISEDA E NGROHTË TE BIBLIOTEKA
Faqja 1 e 1
Vullnet Mato: BISEDA E NGROHTË TE BIBLIOTEKA
Vullnet Mato
BISEDA E NGROHTË TE BIBLIOTEKA
Fragmenti – 5 – nga romani “MARRËZIA E MADHE”
Redaktimi i vëllimit poetik të Almës pothuajse kishte përfunduar. Reiti po i bënte edhe leximin e fundit para se të dërgohej për faqosje e t’i përcillej shtypshkronjës. Por së pari duhej marrë edhe dokumenti për regjistrimin e tij në biblioteka.
Ai doli paradite nga zyra me ngut dhe u nis të shpinte në bibliotekën kombëtare kërkesën për ISBN-ën e librit të saj. Dita ishte e ngrohtë dhe me ëmbëlsinë e një pranvere të parakohshme. Qielli ishte kthjelluar dhe kishte marrë ngjyra të gjalla. Frynin erërat e mira të marsit dhe nëpër ballkonet tiranase lulet lëkundnin kurorat e tyre shumëngjyrëshe.
Për habinë e tij, krejt rastësisht, Alma po vinte atë çast përgjatë rrugës së “Barrikadave” dhe mori kthesën drejt qendrës. Ajo ecte e lehtë si një zog mbi çizmet e saj me taka të larta. Reiti ndali hapat për ta pritur, dhe ndoqi me vëmendje afrimin e saj. Një djalosh nga ata tipa që ngacmojnë, femrat i kaloi asaj para këmbëve dhe duke u zgërdhirë i tëri i pëshpëriti: “Të marrsha të ligat, sa e mirë je!”. Alma vrenjti pakëz fytyrën dhe vijoi rrugën pa i kthyer përgjigje. Reiti në afërsi i kapi fjalët e tij me një ndjesi të lehtë xhelozie, por aty për aty bëri mend të mos ia përmendte asaj.
- O zot i madh, çfarë fati ! – klithi Alma sapo pikasi Reitin përballë dhe u çel në tërë pamjen e saj. – Dhe kisha një parandjenjë të çuditshme se diku do të shiheshim sot...
Duke hedhur një sy të shpejtë mbi trupin e saj të pakët, ku i dukeshin të gjitha format e bukura të gjoksit vajzëror, Reitit iu duk një çast, sikur para tij u ndal befas një kanarinë e veshur me bluzë të ngushtë dhe fund kuadrat.
- Ec e thuaj pastaj, se kjo nuk është telepati, - i tha ai krejt buzagaz, duke i shtrënguar dorën fort. – Edhe sikur ta kishim lënë me porosi, në këtë orë fiks dhe në këtë pikë, nuk besoj se mund të takoheshim ndonjëherë.
Alma buzëqeshi tërë hijeshi.
- Kjo tregon se duhemi shumë... – pohoi ajo me një zë të butë e të ngrohtë.
- Duhemi sigurisht, por shpesh në takime ndodh e kundërta. Ata që duhen shumë, mezi takohen, - qeshi Reiti me kënaqësi.
- Takimet i shtyn ti vet, se unë jam e gatshme të takohemi edhe çdo ditë... – ia pasoi Alma me një gaz lozonjar.
Ishte e freskët, e re dhe e bukur. Reitit iu duk se nuk kishte parë femër më të bukur. Ndonëse para syve të tij kishin parakaluar në vite qindra vajza shkolle të njoma.
- Dihet puna jote, moj shpirte. Ti s’ke kundërshtim asnjëherë, edhe po të flemë ditë e natë bashkë si të martuar, - ia priti ai krejt i çelur në fytyrë.
- Nuk do të ishte keq të flinim si të martuar tek ai furriku ynë... - ia ktheu Alma në çast. - Dashurisë i zgjatet jeta, kur ka përditshmëri.
- Veçse po të ishim pa punë, – tha Reiti buzagaz.
Alma bëri një gjest sikur u kujtua papritmas.
- Mirë, po, ku je duke shkuar kështu?
- Shkoj për ty.
- Për mua? Ku?
- Të çoj në bibliotekën kombëtare kërkesën ISBN për vëllimin tënd.
Ajo ia mori dorën në duart e veta dhe gazmoi e tëra.
- Vërtetë!... Ua, sa më gëzove! Eja ta çojmë bashkë dhe të ulemi diku për një çaj, se më ka marrë malli shumë.
- S’paske mësim sot ?
- Kisha dy orët e para dhe jam e lirë dy orë të tjera, deri në orën e pestë.
Reiti e pa drejt në sy me një vështrim depërtues dhe solli ndërmend disa përfytyrime të drejtpërdrejta. Nga ato çastet e këndshme, kur me sytë të fiksuar brenda syve të saj të zinj shkonte dalëngadalë deri në ekstazën më të ëmbël që krijohej mbi trupin fantastik të asaj vajze.
- Kam dëshirë të t’i puth tani ato buzët, që më duket sikur të janë bumbyer pakëz nga etja, – i tha ai me zë të ulët, duke vështruar buzët e saj të mbushura, të plota dhe duke ecur përkrah.
- Ah, ta dish ti, sa dëshirë të madhe kam unë ! Po ç’e do se jemi në rrugë, – ia ktheu ajo në çast.
- Je shumë e mirë, – zgjati bisedën ai për të shtyrë hapat e përbashkët.
- Jo, nuk jam aq e mirë, sa ti. E dashur po, madje jam diçka më shumë se ti... – u gjegj ajo me një ankim përkëdhelës.
Ngjitën shkallët e gjera të hyrjes anësore të bibliotekës dhe shkuan te zyra e pranimit. Aty tri gra kishin ulur kryet mbi vandakun e librave të botuar kohët e fundit.
Punonjësja, që merrej me dokumentacionin e regjistrimit të librave, mori kërkesën. I hodhi një sy të shpejtë dhe tha:
- I bukur ky titulli “Marsi brenda meje”. Dhe më duket se kjo Alma Visha ka edhe botime të tjera të regjistruara në kartelat tona !
- Po ka edhe dy vëllime poetike dhe është kjo vajza që keni këtu përballë! – e prezantoi Reiti duke bërë me dorë kënaqësisht nga Alma.
Punonjësja e këqyri me vërejtje.
- Qenka jo vetëm poeteshë, por edhe bukuroshe! – konstatoi ajo.
Gratë e tjera ngritën kryet dhe e vështruan me kërshëri Almën, e cila u buzëqeshi ëmbëlsisht.
- Jo vetëm bukuroshe, por edhe mjaft e talentuar, – plotësoi Reiti buzagaz.
- Kur të sillni pesë kopjet e botimit për bibliotekën, do ta lexojmë, – tha punonjësja dhe vijoi: – Nesër në orën dymbëdhjetë ejani të merrni ISBN- në.
Përshëndetën të dy me kokë dhe dolën.
- Ja, lexueset e para dhe popullariteti i parë, filloi qysh këtu. Më tej, ndoshta gjithçka do të marrë përmasa befasuese, – ia bëri qejfin Reiti, duke zbritur shkallët e gjera të hyrjes.
Ajo qeshi mjaft bukur, duke i dhënë fytyrës një ndriçim vezullues të përzier me diellin e paradites.
Reiti e udhëhoqi Almën, për ta shpënë në pjesën e prapme të bibliotekës, ku gjendej bari i nëndheshëm me tabelën vertikale “Luks”. U futën në korridorin e ngushtë, për të zbritur shkallët e shtruara me linoleum të blertë. Dhe hynë në një sallë të madhe gjysmë të errët me shumë tryeza. Gjetën një tryezë bosh nga fundi dhe zunë vend në heshtje.
- Këtu jemi edhe të sigurt nga ndonjë plumb qorr, që mund t’i teket të na kilikojë supet, – qeshi Reiti.
- Eh, ata plumba të mallkuar ! – psherëtiu Alma. – Përveç rrezikut, na e kanë bërë edhe jetën të trishtuar. Ka ardhur pranvera dhe në vend që tani ne të dy të dilnim mes gjelbërimit andej nga liqeni, po strukemi disa metra thellë nën tokë.
Ah, moj zogëza ime, tha Reiti me vete, dashke edhe të bredhësh me mua publikisht në natyrë të hapur, sikur të jem djalosh beqar. Po mua, moj engjëllore, më ke vetëm për në shtrat. Dhe aty, shyqyr zotit e për çudinë time, po të përgjigjem me sa mundem. Të tjerat i kam kryer kur kisha kohën dhe nuk ma mban të dal në skena diskredituese për moshën time...
Kamerieri, një djalosh me jelek të zi dhe jakë të bardhë, kishte qëndruar përballë dhe ata porositën çaj luleshtrydhesh.
Alma i bëri duart dy grushte të vegjël, mbështeti mjekrën rrumbullake dhe nguli vështrimin në sytë e tij gri.
- Kur do të takohemi përsëri te apartamenti ynë? - e pyeti ajo befas më një buzagaz provokues. Duke i punuar truri me intensitet të lartë, pikërisht në atë pikë, që i pulsonte si një burim drite dhe drejt së cilës mundohej të afrohej në çdo çast.
- Kismet, – u gjegj Reiti, duke u përcjellë në fytin e pluhurosur nga rruga. –Ndoshta do ta gjejmë kohën e përshtatshme. Se këto ditë kam edhe mjaft ngarkesa të tjera, për të cilat më duhet të punoj deri vonë.
- Punët e tua s’mbarojnë kurrë, – vërejti ajo duke i dhënë fytyrës një shprehje shpotie.
- Të jesh e sigurt, se do të mbarojnë dikur, së shpejti. Bashkë me gatitjet e fundit për botimin e librit tënd.
Ajo nënqeshi lehtë. Pastaj shkundi flokët, nxori nga çanta një stilolaps të bukur dhe ia zgjati atij bujarisht.
- Merre! Ta dhuroj për të firmosur redaktimin e vëllimit tim poetik, kur ta nisësh për në shtypshkronjë.
Reiti vështroi me kujdes shkëlqimin kromatik dhe markën që nuk e kishte hasur ndonjëherë.
- Ndoshta të nevojitet për të plotësuar regjistrin e nxënësve, – i tha me mëdyshje.
- Kam edhe një tjetër për atë punë. Ky është për një profesor të madh, si ti. Më kanë dërguar dy të tillë nga Amerika bashkë me ca dhurata të tjera.
- Si duket, ke marrëdhënie të mira me Perëndimin largët, – e cyti Reiti duke qeshur.
- Ti e di që kam tezen në Kaliforni.
Ai mori në fytyrë një shprehje, që la të kuptohej se diçka iu kujtua.
- Nuk të kam pyetur, Alma, ç’njerëz ke në shtëpi?
- Jetoj vetëm me mamanë, - zuri të tregonte ajo me një gjallërim të beftë. - Vëllai i vetëm ka disa vjet që ka emigruar në Australi...
- Paska shkuar aq larg? – u habit Reiti.
- Në fillim shkoi në Itali, bashkë me ata që u futën nëpër ambasada. Kishte përvetësuar mirë anglishten në fakultetin tonë të gjuhëve të huaja dhe zuri vend te një firmë, e cila kishte lidhje turistike me kontinentin Jugor.
- Atëherë, ti i paske të zgjidhura disa probleme materiale, – i tha ai, gjithnjë duke e kundruar në sy.
Alma shprehu kënaqësi në portretin e saj.
- Tani vëllai në Melburn dhe tezja në Kaliforni na kanë zgjidhur përfundimisht anën ekonomike mua dhe mamasë, – buzëqeshi e shkujdesur ajo.
- Si s’ka ndodhur që ndonjëri prej tyre t’u tërhiqte edhe ju të dyja! – kureshti Reiti buzagaz. Dhe duke vënë re mollët e buta të gjinjve të gufuar, ndjeu padashur një dëshirë të fuqishme që i gufoi përbrenda. Por atë ditë nuk takohej dot me të, për shkak të përgatitjeve për shtyp.
- Mama Ruku thotë, se mund të dalë nga shtëpia e saj vetëm me arkivol...
- Jo moj, kaq rrënjë të thella paska lëshuar mamaja jote në atë shtëpi?!
- Të thella dhe të pashkulshme në asnjë mënyrë. Ndaj dhe unë kam vendosur ta pleqëroj vetë.
- Po ti një ditë mund të martohesh, moj zemër !...
Alma e vështroi me sy të ngrohtë për t’i tërhequr vëmendjen.
- Nuk kam për t’u martuar jashtë shtëpisë sime në asnjë rrethanë. Megjithatë, mund të të shpreh ty edhe marrëzinë e një dëshire të paarritshme. Më pëlqen vetëm të ta them, sa për tingëllimin melodioz që më jep në vetvete. Je kureshtar të ta them? - e pyeti ajo me vështrimin ngultas.
- Thuaje ta dëgjojmë! – ishte përgjigja e tij, ndonëse diçka kuptoi nga nënteksti.
- Sikur të kishte mundësi, të ndodhte një mrekulli, që ne të dy të emigronim diku jashtë. Unë do të doja të martohesha vetëm me ty dhe do të arrija kulmin e lumturisë së ëndërruar. Gjë që është çmenduri edhe të mendosh për gjëra të tilla, që nuk arrihen kurrë për kushtet e tua e për autoritetin që gëzon në rrethin e gjerë familjar. Por njeriu nganjëherë ka qejf edhe t’ia thotë vetes ca përralla të këndshme... – u shpreh ajo duke vezulluar sytë me një pamje ëndërruese.
Reiti ishte i sigurt se Alma e shqiptoi fjalën martesë thjesht si një ëndërrim. Megjithatë kur vetëdija e tij u ngrit në lartësinë e një çasti, në të cilin ai filloi të kuptojë se çdo të thoshte një kurorë tjetër në atë moshë dhe fëmijë të tjerë në pleqëri, mes tyre u vendos një heshtje disi e ndryshme, tjetër lloj, e një tjetër botëkuptimi.
Në dritën e zbehtë të lokalit, ajo ia kishte ngulur sytë dhe po e vështronte me ngulm si e magjepsur. Hollësia e brishtë e saj, sytë e mëdhenj të zinj, bymimi i lezetshëm i buzëve, flokët e shkurtër që i kishin rrethuar qafën bardhoshe mbi shpatullat e ngushta, dukej se prisnin patjetër prej tij një reagim disi të kënaqshëm.
- Sapo e the vet, - qeshi Reiti, duke kuptuar se tërë kohën ajo po e vrojtonte me kujdes. – Në dashuri ka shumë dëshira të pamundura që mbeten përralla. Le të mbetet në kujtesën tonë edhe kjo përrallë e këndshme e një përrallëtarje të bukur me frymëzim poetik.
Alma gazmoi dhe u shkoi gjuhën buzëve të ngushta. Kamerieri solli çajin dhe ata filluan të surbnin ngadalë duke vështruar njëri-tjetrin në sy.
Teksa Alma ishte përkulur përgjysmë mbi tryezë për të mos pikuar çajin, lugu i gjoksit të saj të bardhë shquhej në ngushtimin e vet të hareshëm deri në thellësinë e mugët. Me sytë gërmues deri poshtë asaj thellësie të magjishme, Reiti mendoi me krenim mashkullor: Paskam qenë një njeri me shumë fat në këtë jetë. Nuk di ç’kam bërë që ta meritoj këtë nder kaq të madh të qiellit. Ndoshta Hulusiu dhe moshatarët e mi, për të puthur një femër të re si kjo, do të kishin shkuar në këmbë deri matanë Dajtit. Dhe mbase deri te Mali me Gropa, sa për ta soditur nga larg atë gropëzën e venusit të saj të bukur. Kurse unë kam shijuar ëmbëlsinë e çdo pjesëze të këtij fruti njerëzor të mrekullueshëm. Madje duke e lëpirë me shumë kënaqësi deri në bërthamën e vet të njomë. Po nuk është vetëm trupi i saj që më ka magjepsur. Alma është tipi më interesant i femrës që kam njohur. Ajo më është bërë njëherësh edhe shoqe e shtrenjtë, me ato mendimet e saj aq të vyera, që artikulon herë pas here nga këndvështrimi i botës femërore, pak e njohur për mua. Dhe më kryesorja nga të gjitha, është se kjo femër më ka pushtuar shpirtërisht. Burri shpërthen depot, shkreh automatikun, vret njerëz. Gruaja ka vetëm një plumb në armën e saj të fshehtë, me të cilin të qëllon direkt në zemër. Dhe Alma ka shtirë në shenjë tek unë, me aq precizion, sa më ka bërë robin e saj tërësisht...
Pas pak Alma vështroi orën. Dy orët bosh kishin kaluar pothuajse pa u ndjerë. Dhe ajo u çua për të shkuar sa më shpejt te shkolla e saj “Fan Noli”, që ndodhej disi pranë pozicionit ku gjendeshin në ato çaste.
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi