Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Agim Gashi sjell për Ju:CUKËL ME POEZI NGA VULLNET MATO

Shko poshtë

Agim Gashi sjell për Ju:CUKËL ME POEZI NGA VULLNET MATO Empty Agim Gashi sjell për Ju:CUKËL ME POEZI NGA VULLNET MATO

Mesazh nga Agim Gashi Tue Mar 30, 2010 5:29 am

Agim Gashi sjell për Ju:CUKËL ME POEZI NGA VULLNET MATO 22457_270484349076_644509076_3448591_7956016_n




BIOGRAFI E SHKRIMTARIT VULLNET MATO

Vullnet Mato, është poet dhe prozator. lindi në Sarandë në vitin 1937. Mësimet e para i mori në qytetin e lindjes. Pasi i burgosën babanë për agjitacion dhe propagandë u la disa vite pa punë. U detyrua të largohet nga Saranda në moshë të re dhe punoi kinomekanik në kinematë e sharrave Hotolisht e Stravaj e më pas në qytetin e Librazhdit. Aty mbaroi me korrespondencë Liceun Artistik të Tiranës për pikturë dhe studimet e larta në Fakultetit Filologjik të Universitetit të Tiranës në degën gjuhë-letërsi shqipe. Punoi drejtor në shtëpinë e kulturës dhe në muzeun e këtij qyteti. U pranua anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë në vitin 1970. Botoi publicistikë dhe letërsi artistike në disa organe të shtypit. Bëri disa skenarë filmash dokumentarë dhe kronika të TVSH. Mori pjesë në festivalet kombëtare të Radiotelevizionit shqiptar ku fitoi disa çmime për tekstet. Dy tregime të tij u botuan në frëngjisht. Disa cikle me poezi të tij u inskenuan të recituara nga aktorë të Tetarit Popullor. Pasi u bë i njohur me krijimet e tij u tërhoq nga redaksia e Revistës "YLLI" ku u emërua redaktor. Por një vit më pas, u vërtetua mungesa e garancive të nevojshme politike dhe me urdhër nga lart e kthyen sërish në Librazhd, ku u dërgua disenjator në repartin e pikturës. Më tej, punoi mësues në gjimnazin e qytetit. Dhe në vazhdën e keqtrajtimit klasor u dërgua mësues në shkollën e mesme të fshatit Qukës. Me ndërrimin e sistemit u emërua shef në drejtorinë arsimore të këtij rrethi dhe u zgjodh kryetar i degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Librazhdit.
Vitet e fundit jeton e punon në Tiranë. Romani i tij "Lakmia" [b]U nderua me çmim në konkursin e Ndërmarrjes Botuese "Gjon Buzuku" të Kosovës. I janë përkthyer jashtë shtetit tregime dhe poezi të ndryshme. Revista "ADMET" ne Greqi dhe Revista "Fjala e Lirë" në Londër kanë publikuar pjesë nga krijimtaria e tij në prozë dhe poezi. Disa nga romanet e tij janë tërhequr nga bibliotekat e mëdha të shteteve të huaj. Ka faqe të veçantë në internet me: "vullnetmato.tripod.com" Kryen detyrën e kryeredaktorit të gazetës periodike "Domosdova".


Veprat në vite
Është autor i vëllimeve poetike: "Tinguj malesh" (1969), "Krahët e erës" (1972), "Ninullat e hekurit" (1984), "Dritaret e prillit" (1994), i vëllimit me poema "Katër plagë të Shqipërisë" (1999) dhe i poemës "Nënëmadhe Fterra" (2007). Ka botuar vëllimet me tregime "E fshehta tronditëse" (1999) "Klithmat e mishit të bardhë" (2006). Romanet: "Ujësinor" (1976), "Era e kësaj kohe" (1984), "Lakmia" (2000), "Maturantët" (2002), "Damkosja e engjëjve" (2004) “ Vajza e kuçur" (2007), Marrëzia e madhe" (2008), "Matura e paharruar" (2009).

CIKËL ME POEZI NGA: VULLNET MATO

Vullnet Mato

LETËR NËNËS

(Mbetur shumë vjet pa botuar për shkak të censurës.)

Këtë letër për ty,
e shtrenjta Nëna ime,
e mbështolla me zarfin e ngrohtë
të një psherëtime
dhe po e nis nga thellësitë e pyjeve Lindorë,
ku më dhanë të drejtën për të punuar,
pasi mbeta rrugëve të qytetit Jugor,
ku të kam lënë si ëndërr të paharruar.

Po e nis gjethe pas gjethesh,
erë pas erërash,
mjegull pas mjegullash,
rrugë pas rrugësh,
brigje pas brigjesh,
largësi pas largësish.

Po e nis të lagur me rrëketë e çiltra të lotëve,
të qullur me pikat e gjakut të zemrës brishtore,
të zbutur me bulëzat e djersitjes pa gjumë,
të njomur me sekrecionet e artikulimit
të frazës kryesore:
“Oh, për ty më ka marrë malli shumë, shumë !”…

Ta dërgoj bashkë me kujtimet e largëta,
tok me drithërimet e fëmijërisë,
tok me një gotë të mbushur me lot për ty,
dhe me urrejtje për ata që më ndanë nga ty
e nga trualli ku së pari më dhe sisë.

Po e nis për aty,
te rëra e deteve,
te gurët e zalleve,
te lulet e pranverës,
te buzëqeshjet e njerëzve,
te puthjet e vëllezërve,
te dhimbjet e të mjerëve.

E dashura nëna ime,
ta dish mirë se nga malli për ty
shumë herë kam vdekur,
dhe kur kam kujtuar dashurinë tënde,
shumë herë jam ringjallur përsëri…

Pres me padurim të kthehem,
më ka marrë etja
për pak tinguj nga zëri yt,
për pak dallgë nga Joni,
për pak ujë nga Bistrica,
për pak rërë nga Limjoni.
Në valët e kripura të zhvishem,
në gjoksin tënd të ëmbël të kridhem.
Plagët e zemrës t’i shëroj,
të gris një pëlhurë të zezë
që dekada me radhë
na ndau nga njëri-tjetri me urrejtje
dhe t’ju përqafoj të gjithëve marrëzisht,
kështu siç jam i përmalluar për vdekje…


SORKADHJA

Ma preu udhën një sorkadhe e bukur,
si hëna me dy degë pylli mbi krye.
Befas m’u prenë të dy gjunjët
dhe shtanga si dre i mallëngjyer.

Dhe kafshëza u step e qimja iu drodh
e më vështroi drejt me sy të skuqur.
O, si më dridhej zemra në gjoks...
njësoj si gjethja ku ka qëndruar një flutur.

Nuk di ç’vetëtima më ranë në sy
ato pak çaste të paharruar !
Pylli më kish zbuluar thesarin e tij
dhe ne kishim mbetur si dy të dashuruar.

Pashë këmbët e saj të përkulen
dhe dy herë përtokë rrahu bririn.
Pastaj ajo buluroi si vajzë e turpshme
dhe u nis të shkojë tutje pyllit.

Gati sa nuk thirra me zërin shushurimë:
Mos u tremb, të lutem qëndro dhe pak këtu !
Nuk jam gjahtar që vras bukurinë,
jam këngëtar i mahnitur i brirëve të tu...


NE TË DY FLATRORËT E BARDHË

Kushtuar A.Gashit.

Toka dhe qielli ka flatrorë,
që rrahin krahët deri ne re,
dhe ushqehen me bimorë,
për të ngrohur vezët në fole.

Por ka edhe fluturimtarë të zi,
që ushqehen me mish të papjekur,
që krokasin e ndjellin fatkeqësi,
për të shqyer ndonjë kufomë të vdekur.

Unë dhe Agim Gashi i Kosovës
rrahim flatrat e bardha me dufe,
se ushqehemi gjatë gjithë kohës
me lëng rrushi e mollë të kuqe...

Dhe ne të dyve na jehon kënga
në telat e shpirtit e të sharkisë,
nga burimet e dashurisë te zemra,
deri te krismat e thella të historisë.


TAKIM I PAPRITUR

Takova “Atë”, që kam dashur dikur,
Në moshën e bardhë ku të dehin lulet.
Tani ajo është grua
Dhe unë jam burrë.
Fëmijët na ka kanë rrëmbyer të gjitha puthjet.

Por ajo prapë më bëri të mendohem
Me vështrimin e saj thellësisht të menduar.
Thonë se dashuria e parë rizgjohet,
Dhe ika me kujdes,
Si nga një shteg i minuar…


KUJT T’I BESOSH


Truri thotë:
Vepro sikur do jetosh njëmijë vjet.
Zemra thotë:
Mund të vdesësh nesër në mëngjes.

Truri thotë:
Mos pi, dëgjo përrallën dhe shko në gjumë.
Zemra thotë:
Përralltari pas përrallës shkon e bëhet thumb.

Truri thotë:
Parimet morale mbaji vath në vesh.
Zemra thotë:
Banesën në gjoksin e dashurisë ta kesh.

Truri thotë:
Prit se dita e re vjen me shpresa.
Zemra thotë:
Nxito se rinia shkon siç avullohet vesa.

Truri thotë:
Komanda jam unë, sot e qëmoti.
Zemra thotë:
Në tru është djalli, në zemër është Zoti.

DHE TRUPI THOTË:
Kujt t’i besosh...Oh, ç’kaos!
Zjarrin si ta shuaj me “Mos, mos, mos!?...”


LYPËSJA E TROTUAREVE

Më trishton lypësja e trotuareve me fëmijë në duar,
me fustanin flamur, nga thonjtë e erës shqyer.
Bukuria me varfërinë i grinden te sytë e shuar,
dhe gjoksi i rënkon nga uria e fëmijës së paushqyer.

E braktisur mizorisht nga njerëzit dhe fati,
jeta i hapi vetëm dy më të ndyrat rrugë:
lypëse rrugësh ose prostitutë zanati
dhe ajo zgjodhi turpin me më pak turp.

Ajo sorollatet e kërkon lëmoshë me të lutura,
në rrugët e pluhurosura me pijanecë që e tallin.
Kur në shtrat mund të kishte shumë të puthura
dhe plot lule e lodra për vajzën apo djalin.

Mëkatet e mëdha të organeve sociale të shtetit,
i shoh te gjinjtë e saj të shterur para kohe.
Dora e saj e zgjatur trotuareve të qytetit,
akuzon qeveritarët që vrapojnë në aeroporte.

Më bën të mendohem ai trup i mbetur shkretë...
Dhe në vend të fustanit të shpuar në çdo skaj,
syri im një fustan të ri deputetje i vesh
dhe vë një palë taka spic mbi thembrat e saj.

Meqë, ta ndihmoj si duhet, nuk kam mundësi,
i kërkoj ndjesë personale me shumë sinqeritet
dhe i dhuroj keqardhjen time, me atë bujari,
sikur ta kisha një dhuratë floriri të shtrenjtë...

MREKULLIA E MREKULLIVE


Shoh foshnjën topolake tek pi sisë
dhe tund këmbën nga kënaqësia.
Pamja e tij duket sikur thotë:
“Bota e gjithë
është këtu, te buzët mia!”

Shtrëngon me duar gjirin e nënës,
sikur ka kapur globin
dhe thith me etje
lëngun energjik e çudibërës,
për t’i dalë përballë botës së nesërme.

Te globi i nënës ka nisur vrapin,
për të shkuar drejt botës
ky njeri.
Dhe duke u rritur hap pas hapi,
Globi fillon e zmadhohet nga ai gji.

Nëna dhe foshnja
janë për sytë e mi
mrekullia e mrekullive që krijoi përjetësia...
Ndryshe si do krijohej njerëzimi
që me çuditë e tij,
e bëri globin me kaq shumë mrekullira?...


NUSET E GJYSHIT

Gjyshin e pata sevdalli të pushkës
dhe s’pati ai si ndokush dy gra.
Por tek humbiste larg mbi samar të mushkës,
me dy pushkë kishte shtënë sevda.

Shkoi i bleu tutje në Selanik
dy pushkët si nuse të stolisura me sërma,
dy nuse syzeza që të shtinin frikë,
njëra “Martinë” dhe tjetra “Dogra”

Në luftën e Lëkurësit, me syzezat e veta
vrau gjashtë kapedanë të pushtuesve përbri.
Dhe për ata sytë e zi të nuseve të shtrenjta
i ngritën këngën e trimit në Labëri.

Gjyshi vdiq në vitin nëntëqind e dyzet
dhe sytë nga oxhaku i mbetën dy ditë.
S’kuptohej, te mustaqet e ngrehura përpjetë,
apo te sytë e nuseve i mbante sytë.

Kur e panë syhapur njerëzit thanë:
“Kërkon diçka dhe asgjë s’kërkon !”
Njërën nga nuset me vete ia dhanë.
Syzeza tjetër polli krisma më vonë.

RREZATIMI FEMËROR

Isha më pak se dyzet vjeç
dhe isha me gruan e mikut tim.
Isha si ujk i tërbuar në seks,
po isha detyruar të bëhem qingj.

Filluam të punojmë në një tryezë
dhe ndjeva befas nje drithërim.
Nisa t’u shmangem syve direkt
se po më bënin elektrizim.

Ajo fliste dhe qeshte ëmbël,
Si mik i mashkullit të saj që isha.
Unë përballoja ngasjen vëngër
dhe më shkonin nëpër trup mornica.

Rrezatimi i fort i kësaj femre
më bëri të ndjehem krejt i hutuar.
Gjaku damarët m’i shpërthente
dhe trurin e kisha të bllokuar.

Bëra çmos për punën që nisi,
por valët më godisnin pa pushim.
Kur brenda ballit diçka më krisi,
u çova dhe ika pa shpjegim…

Ndoshta më quajti anormal,
me vidat liruar te përqëndrimi.
Por ne burrat jemi në hall,
Kur na zhvidhos trurin rrezatimi…

QUKSI

Quksi s’ka më djem,
shkuan të fitojnë në Greqi.
Quksi s’ka më të qeshura,
s’ka lodra e zhurmëri.
Quksi s’ka fërshëllima,
s’ka këngë nëpër ara.
Quksi s’ka më vallëzime,
magnetofoni hesht te salla.
Quksi s’ka puthje në muzg,
te mullarët s’ka dashuri.
Vajzat shkojnë kokulur,
s’ka kush ua bën me sy;
Gjinjtë e fortë nën bluza
s’ka kush ua zbut pas gardhit,
Pemët varen të kërrusura,
s’ka kush shkund degët e manit.
Quksi s’ka duar e këmbë
për pleq e plaka të sëmura.
Dhe ky është dënimi më i rëndë
që i dha këtij fshati diktatura.
1995


BUZËQESHJET

Sa shumë ndryshojnë buzëqeshjet
që feksin përmes çdo fytyre...
Bashkë me gazin, u zbulojnë njerëzve
edhe universin e brendshëm të tyre?

Buzëqeshja fisnike e nënës -
tulipan që del prej zemrës.

Buzëqeshja kurajoze e babait-
rrezja e ngrohtë e majit.

Buzëqeshja ëmbëloshe e motrës -
lulja e bardhë e mollës.

Buzëqeshja çapkëne e vëllait-
zogthi kërcimtar në çdo skaj.

Buzëqeshja flurore e dashurisë -
dridhja e flakës mes stuhisë.

Buzëqeshja e sinqertë e mikut -
shpëtimi në zgrip të rrezikut.

Buzëqeshja pa cak e servilit -
lëpirja e qenit të zinxhirit.

Buzëqeshja mister e mashtrusit -
qielli në fund të pusit.

Qofsha gjithsaherë rrethuar
nga buzëqeshjet e njerëzve të mirë,
larg buzëve që ngrenë lakun
me buzëqeshjen e tyre të shtirë...


TROKITJE NË MESNATË

Mbrëmë në mesnatë,
në pallatin tim
një grua e zunë dhimbjet e lindjes.
Burrin e kishte larg me shërbim
dhe trokiti lehtas në derën fqinje.

Trokiti aq butë, sa mezi u dëgjua,
ndonëse ndjente gjëmime në trup.
Çela derën
dhe shtanga i hutuar...
Ajo kafshoi buzën dhe u skuq.

Zërin pas buzëve ia ndali një çast
kumbimi me të cilin i trokiste një jetë.
Diç kuptova
nga druajtja e saj
dhe zgjova gruan me të shpejtë.

E zumë përkrahësh
Marinë tonë të shenjtë,
e vumë në mes me hap të sigurt
dhe ndjenim në gjokse gëzimin-trumbet,
sikur na trokiste Krishti i palindur...

Ç’MË THUA, Ç’MË THUA ?
O, sa shpejt më ikën dita tek ti!
Dielli më fluturon si zog pendëverdhë...
Mbeta, moj mike, me ty në dashuri,
si nën hijen e këndshme të fikut në verë.

Ke ulur për mua gjithë degët e tua
sa lash nën hije krejt kohën time ...
Bëj të iki nga ëmbëlsia e pemës që dua,
por asnjëri nga gjymtyrët nuk më bindet.

Me thërresin shumë zëra diku tutje,
më thonë, eja, pra, eja se mbete prapa!...
Po ti më ke mbuluar me gjethe puthjesh
që nuk më lëshojnë pa ikur vapa.

Më lësho, se dielli u bë pendëblu,
ndriçojnë tani vetëm kokrrat e tua...
Të rri akoma pranë teje këtu?...
Ç’më thua, moj pemë e dashur, ç’më thua?

Ç’më thotë fiku i çarë i buzëve të tua?...

N Ë S E...

Nëse i kam xhepat
pa dinjitetin e shkrimtarit,
që më bëjnë t’u bishtnoj
kafeve moderne në qytet,
metaforat m’u bëfshin
tufë nga seria e dollarit,
për t’i ndarë me varfanjakët e mi poetë.

Nëse mbërthehem
si në karrigen e maternitetit,
për të lindur vargun
nga mitra e oksipitalit,
vjersha m’u bëftë rregullorja e shefit,
për të ndërruar zyrtarin që i bishtnon orarit.

Nëse në pistat e frigoriferit tim të bukës
Janë ulur të pushojnë
vetëm tre presh,
libri m’u bëftë portofol i humbur udhës
për qeveritarin
që merr avionët e qejfit shpesh.

Nëse arti poetik
nuk zbut gjuhën e debutetit,
të denjë vetëm për një stallë me derra,
mendimet e mia iu bëfshin
në rrugën drejt pushtetit
xhama të thyer, gurë dhe ferr


NË VEND TË LETRËS SË PARË

Bisedën tënde prej mikeshe,
rikujtova, shoqe e largët.
T'i numërova buzëqeshjet
dhe t'i mblodha gjithë fjalët.

Asaj dite qeshe shumë,
atë ditë shumë fjalë fole.
Gazin ma derdhe në gjoks,
fjalët në mendje m'i mbolle.

Mbolle jargavanë të kuq,
manxuranë e rozmarinë.
Gjithë ç'mbolle me aq vrull,
zunë një nga një të mbijnë.

Sot tek po vështroj të mbjellat,
rashë në hall me atë ditë...
Ti i mbolle kollaj fare,
po unë s'di si t’i vadit !...

Të kujdesem si bahçevan,
në mendje të më çelin lulet…
Apo t’i lë diku mënjanë,
sa të vyshken e të shkulen?...
1984

KUSHTE E NJË FANATIKU

Para se t’i shtojmë takimet bilaterale,
diçka për mua
duhet të dish...
Ti je një krahinë e bukur agrare,
unë - një shtet i egër militarist.

Pas buzëqeshjeve
dhe vizitës së parë
që çon dy shtete të pavarur në afrim,
mua më ngjallet instikti barbar
i një sulmi të befasishëm
për pushtim.

Dhe bëj raprezalje
e bastisje të forta sigurie,
të verifikoj në ke pasur punime
në territorin tënd,
nga pushtues rivalë të kësaj kategorie
që mund të pretendojnë
bashkëpronësi në këtë vend.

Pastaj, që ti të mos bësh
aleanca të nëndheshme
e unë të mos kem
synime sulmesh në fshehtësi,
marr të gjitha masat e mia të menjëhershme
të mbush kazermën tënde me ushtarë të mi.

Nëse je krahinë krejt e paangazhuar
në asnjë lidhje tjetër
apo bashkëjetesë në miqësi,
dhe të pëlqen të mbetesh tërësisht e pushtuar,
kur të më shohësh prapë,
buzëqesh përsëri…

Ajo: Preferoj më mirë vdekjen në liri !…


O KRISHT, O MUHAMET !

Duke menduar për ju,
o idhuj të njerëzimit,
u ndala te një pyetje që kërkon shpjegim:
Edhe sa kohë do çajnë me padrejtësi të liqtë
dhe prej tyre të drejtët e të mirët
do flaken në zjarr,do mbërthehen në kryq?...

Sepse prej njëzet shekujsh para biblës
dhe para bëmave në kuranin e shenjtë,
mallkojmë lëngatat
dhe kryqëzimin tronditës,
që pësuat ju të shenjtët nga farisenjtë.

Por harrojmë
se të liqtë që na ngjiten përsipër
na shkelin mizorisht edhe sot mbi kokë,
na poshtërojnë
e na nëpërkëmbin tinëz
dhe gozhdojnë shpirtrat tanë mbi tokë...

Vijmë në botë
e shkojmë pa mbaruar nata
se na shuhet në këtë jetë para kohe ylli.
Dhe prapë të liqtë
na marrin shkëlqimin dhe dekoratat,
kurse ne përfundojmë nëntokë si humus pylli.

Kush do falet
dhe kush do lutet për ne?
Kush do ndezë qirinj për mbarimin tonë?
Që të mos na shkojë jeta si tufat me re
Siç na ka shkuar prej shekujsh e gjithmonë.

O Krisht i dashur
dhe i shenjti Muhamet,
që na keni lënë mësimet e arta si të jetojmë,
që merrni shpirtrat tanë poshtë
e i shpini përpjetë,
ejani dhe një herë ritualin ndryshe ta provojmë.

Lutuni ju e ndizni qirinj të përflakur për njerëzit
e na mësoni në praktikë
si t’i zgjedhim ata që mbi krye shkëlqejnë,
të qëndrojnë të barabartë si i thjeshti me të thjeshtin
dhe për qëllimin që i zgjedhim të na shërbejnë...

BUKUROSHJA IME

Monument poetik për të gjitha nënat

Bukuroshja që më lindi në vjeshtën e tretë
e më ushqeu me gjakun e bardhë të gjirit,
më dha edhe bardhësinë e shpirtit të vet
e më ruajti si dritën e bardhë të syrit.

Më mbajti plot dy vjet në sisë,
e ma mbushi zemrën me dashuri të madhe.
Më deshi si djalin e parë të shtëpisë,
ndonëse i dha vatrës gjashtë djem radhe.

Kur gjarpëri më goditi me pickim të shpejt,
Nëna thithi helmin e tmerrshëm me gojë
pranoi pa mëdyshje vdekjen e vet,
që nga vdekja e sigurt të më shpëtojë.

Edhe kur gjashtë vjeç më mori lumi
e në gjeratoren e thellë m’u fundos jeta,
nëna u hodh e më rrëmbeu nga uji,
siç vërsulet shqiponja me kthetrat e veta.

Nëna më mësoi t’i kushtohem punës,
me atë pasion që më ngjiti në emër.
Të mos gëzoj kur njeriu vuan dhunën
e dhimbjen e tjetrit ta ndjej në zemër.

Të urrej vetëm tundimin për të vjedhur,
se gishtat e zgjatur i kanë thonjtë te burgu.
Dhe të mos përvetësoj sendin e gjetur
se mbetet pa gjumë ai që e ka humbur.

Të mos vras zogjtë që këndojnë pemëve
e të mos shkel gjallesat ndanë udhe,
se edhe ata kanë shpirtra si të njerëzve
dhe i qajnë nënat me lot e me kuje.

Pa e dashur nënën që më solli në botë,
me të gjithë fuqinë e shpirtit që zotëroj,
si mund të dua njerëzit që gjeta mbi tokë
dhe për frymorë të tjerë të sakrifikoj?...

Se kur nëna nisi të më krijoj në mitër,
duke lidhur rruazat qelizë pas qelize,
lidhi edhe shpirtin e saj me timin,
për të gjithë kohën e përbashkët jetike.

Nëna ka qenë për mua dashuria e parë
dhe as ndjenja për pasardhësit s’e lëkundi.
Ndonëse mungon e s’e shoh të gjallë,
Nëna do mbetet edhe dashuria e fundit.

Se të gjitha mirësitë që më dhuroi nëna,
i pata hajmali që më ndriçuan në jetë.
Prandaj atë bukuroshe s’e ndaj nga zemra,
deri sa të shkoj pranë saj edhe vetë...
Janar 2010

POPULLI IM

Sipër këtyre maleve
që shtrëngojnë detin me frerët e lumenjve,
populli im është si malet që nuk sheshohen kurrë,
si lumenjtë që nuk ndalen asnjëherë,
si deti i thellë e tallazeshumë
që jep ca pika dhe sërishmi i merr.

Populli im i vogël,
populli shqiptar i madhi,
në pesë popuj përhapur, copëtuar e ndarë
si gjymtyrë të zgjatur nga trungu i një rrapi
në pesë shtete i shtrirë, rretheqark Ballkanit,
me sytë që vështrojnë tek sytë e Skënderbeut
dhe me zemrat që regëtijnë tek zemra e vatanit.

Populli im është mishërimi i përjetshëm
i kësaj toke eshtërore.
Në supet e maleve shtrëngon jehonat e krismave,
në damarët e lumenjve pulson vërshimet e lirisë,
dhe në gjoksin e detit përkund tallazet e shpirtrave.

Lum kush e njohu popullin tim zakonebukur;
Bujarinë e tij vërshimtare,
besnikërinë e tij shkëmbngulur,
trimërinë e tij milionadallgëshe.
Lum kush e njohu dhe tregoi për të nderimin e duhur.


Agim Gashi sjell për Ju:CUKËL ME POEZI NGA VULLNET MATO 22457_270493149076_644509076_3448600_4796893_n
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi