Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Vullnet Mato: VENDIMI I PRERË

Shko poshtë

Vullnet Mato: VENDIMI I PRERË Empty Vullnet Mato: VENDIMI I PRERË

Mesazh nga Agim Gashi Fri Apr 02, 2010 1:14 pm

Vullnet Mato: VENDIMI I PRERË 25749_1217614691682_1568334934_30441940_7006188_n



Vullnet Mato: VENDIMI I PRERË 22665_1163900988873_1568334934_30345381_3410171_n
Vullnet Mato

VENDIMI I PRERË
Fragmenti – 8 – nga romani “MARRËZIA E MADHE”

Të dielën tjetër Alma shkoi te apartamenti i takimeve dashurore me një mendim tërësisht të ndryshuar, për shtatzëninë e saj të nxituar. Nuk i hiqeshin nga mendja fjalet e mama Rukut: “Mendon ti kur flet, moj Almushka ime?... Si do të dalësh nga dera e shtëpisë, duke filluar qysh kur të jesh me barkun plot e deri sa të mbushësh muajt? Apo të të bjerë ndonjë plumb mbi bark, e largëqoftë të pësosh gjë me gjithë foshnjën?!...”
Ajo hyri në korridor me një pamje tepër serioze dhe me fytyrën më të zbehtë se zakonisht.
- Kam marrë një vendim të prerë, - tha papritmas dhe me një tonalitet ceremonial.
Reiti për disa çaste e mati me një shikim hetues.
- Përse e ke fjalën? – e pyeti i befasuar duke e vërejtur drejt në sy.
Alma heshti një grimë për të mbajtur vesh, derisa përjashta u ndien krismat e largëta të armëve.
- I dëgjove? – i tha duke bërë me dorë nga dera e korridorit. – Ndoshta në këto çaste vdesin njëqind njerëz në të gjithë gjeografinë e vendit. Dhe këto krisma të tmerrshme që po gjëmojnë me llahtarë nuk premtojnë aspak paqen dhe qetësinë e nevojshme për rritjen e zogjve.
- Ky është një realitet i dhimbshëm, po s’kemi ç’bëjmë, - u gjegj Reiti pa ia ndarë vështrimin.
Alma u dha flokëve prapa dhe vijoi me dëshpërim të dukshëm te qerpikët e ulur të syve të saj.
- U mendova gjatë dhe e pashë të pamundur t’i bëj ballë një lindjeje në këtë kohë të çmendur...
- Dhe çfarë ke ndërmend të bësh?
Drita në sytë e saj u shua dhe ajo uli kryet. Pastaj filloi të flasë mjaft e vendosur në fjalët e veta.
- Para se të më vrasin zogun e shpirtit tim, më duhet ta prish folenë e gjakut, ende pa u formuar ai...
- Je menduar mirë ? - e pyeti Reiti në çast dhe shqeu syte.
Alma vështroi mënjanë, lëkundi kryet dhe shtrëngoi buzët për të kapërdirë trishtimin e saj.
- Duhet ta bëj këtë sakrificë patjetër, që të mos lotoj e të bie në dëshpërim të thellë më vonë, - u gjegj ajo me një zë të pikëlluar.
Reitin e habiti fakti, që pikëllimi saj mund të qe aq i qetë. Por edhe pse ndjeu menjëherë një zemërlehtësim të çuditshëm, që nuk do të guxonte të rrezikonte më tepër, ai nuk e shprehu atë as me pamjen e vet.
- Po si ke për ta bërë këtë gjë ?
Alma puliti sytë e zinj një çast, njomi buzët me majën e kuqe të gjuhës dhe pastaj tha:
- Bisedova me një gjinekologe private në lagjen “Ali Demi”. Ajo më siguroi se në këtë fazë fillestare, ndërhyrja është e lehtë. Pasi arrihet vetëm me pastrimin e menstruacionit të mpiksur në vezore.
Reiti ngriti supet ngadalë, zuri mjekrën me dorë dhe u mendua thellë një grimë. Duke i pasur sytë gjithnjë te trupi i ngrohtë epshor i saj, ku ai kishte skicuar atë zog të padëshiruar. Pastaj i tha:
- Së pari duhet të sigurohesh mirë, moj vajzë, që nuk dëmton shëndetin tënd. Se dihet që abortet janë me mjaft rrezik... - e këshilloi ai me një ton plot përkujdesje.
Alma u mendua pak. Dhe teksa kishte qëndruar në këmbë si e mpirë, lëvizi majën e këpucës mbi ornamentin e pllakës së dyshemesë. Pastaj bëri të ditur me një zë të dridhur, ku shprehej gjithë shqetësimi që ndiente:
- Mjekja më ka garantuar...
Reiti ngriti supet dhe ngurroi për pak sekonda.
- Mos vallë garancia e saj ka vlerë vetëm për paratë?- e pyeti duke trashur tonin, për t’i tërhequr vëmendjen.
Alma u kthye rrëmbimthi me fytyrë nga ai dhe qepallat iu drodhën me përpëlitje të shpeshta.
- Mundohu të mos e vrasësh mendjen për këtë gjë, – u rrek ta qetësonte ajo. - Sonte do të shkoj në klinikën e saj patjetër dhe do të telefonoj për rezultatin.
Reiti u gëlltit me mundim.
- Nuk di ç’të them tjetër, – ia ktheu mendueshëm dhe fytyrëvrarë. - Ti je vajzë e zgjuar dhe di vetë ç’bën...
- Do bëj nga halli, pikërisht atë që duhet bërë, po shpirti im e di si e mora këtë vendim vrastar të tmerrshëm, – i tha Alma duke mposhtur turbullimin me mundim dhe përnjëherësh sytë e saj u mbushën me lot.
Ajo nxori shaminë fshiu sytë me kujdes, për të mos prekur tualetin dhe dukej sikur për një çast gojës së saj iu shteruan të gjitha fjalët. Një copë herë ata ndenjën në distancë pa e çikur njëri-tjetrin. Por vetëm vështroheshin në sy, si të kapur në një faj të madh.
Reiti iu afrua dritares i menduar. Plepat jashtë ishin veshur plotësisht me gjethe të reja. Kur erdhën herën e parë në atë apartament, degët e tyre ishin pothuajse krejt të zhveshura.
Alma nuk lëvizi. Por vetëm bridhte vështrimin në fytyrën e tij të menduar. Kuptohej sa tërheqëse kishte qenë joshja, që megjithatë kishte qepur gojët dhe buzët e tyre.
- Mos u mërzit aspak, i dashur Reit, se do i rregulloj punët në atë mënyrë, që ti të mos kesh fare telashe, – e siguroi ajo me ton të qetë.
- Si mund të ndjehem i qetë, kur jam në pozicionin e mëkatarit!?... – i tha ai me një frymëmarrje të gjerë.
- Me gjithë mend e thua këtë?
- Me bindje të plotë...
- Ja, po të them, që e ke kot. Sepse atë mëkat e gatuam bashkë, pasi na kishte shijuar të dyve. Vetëm më vjen keq, që ti do të jesh i detyruar ca kohë të kthehesh për të shijuar gjellën e tenxheres së parë... – e provokoi ajo papritmas, me buzët të mbledhura në një nënqeshje të këndshme, që e ndryshoi nga fytyra tërësisht.
Reiti e kundroi me habi dhe qeshi padashur.
- Ku të shkon mendja, moj shejtane! – ia ktheu buzagaz. – Ti jo vetëm je tepër ngacmuese, por je edhe një provokatore mjaft e këndshme. Por mos u bëj merak, se kur mësohesh me gjellë restoranti, s’të shkon mendja te gjella e shtëpisë.
- Ah, unë e mjera për ty! - psherëtiu ajo dhe qeshi e shpenguar.
- S’ke pse bëhesh xheloze, kur krahu tjetër ka shpallur neutralitetin prej kohësh.
- Tani që ti u zgjove nga erosi i fjetur, krahu tjetër mund të bëhet më i gjerë se një person i vetëm. Po unë s’kam qenë xheloze ndonjëherë...
Reiti qeshi turbull.
- Ashtu qoftë. Po për ju femrat xhelozia fillon edhe kur burri ndjen në largësi parfumin e asaj tjetrës.
Alma bëri sikur nuk ishte në një mendje me të, por buzëqeshi me miratim të heshtur dhe fytyra i ndriti. Rrezatimi i padukshëm i joshjes së saj krijoi një atmosferë të magjishme.
Duke vënë re si u shpërndanë retë e trishtimit nga balli i saj që shkëlqeu befas, Reiti mendoi, se antena e femrës vërtitej gjithmonë në ajër, si një krijesë emocionale e pushtuar kryesisht nga pasioni, jo nga logjika e momentit. Dhe u lëshua e puthi ngrohtësisht një copë herë të gjatë, duke rrufitur ato buzët e saj të plota e duke e shtrënguar fort pas vetes.
Teksa ndodheshin ende të përqafuar në këmbë, ajo iu struk e tëra te gjoksi, aq sa ai ndjeu gjinjtë që shtyheshin drejt tij si dy tullumbace të fryra fort dhe dridhej e tëra. Ndërkohë Alma ndjeu në pjesën e përparme të trupit të saj fortësinë e organit mashkullor nën pantallonat e tij. Dhe me sy të përshkënditur drejtoi vështrimin lakmues te pjesa e deformuar. Atëherë befas brenda vetes iu bë një pështjellim i fuqishëm e u magjeps në çast nga një eksitim i papritur. Iu kujtua padashur ai trau me kokë dashi, të cilin luftëtarët e vjetër e përdornin për të hapur dyert e kështjellave nëpër filma. Kokëdashin e tij e kishte pëlqyer shumë qysh herën e parë dhe kishte menduar se me të ai mund të hapte portat e parajsës për çdo grua tjetër. Prandaj duhej të mos i linte kohë të lirë për të tjerat, sa të ishte e mundur. Befas iu bënë faqet prush dhe lëshoi atë të qeshurën e saj të dashur e të ngrohtë.
- Epo, tani dyndu edhe një herë tek unë, pa u prapsur e pa ato sendet mbrojtëse që përdorni ju burrat! - i tha Alma e kapluar nga dridhmat e padurimit dhe në bebëzat e syve të saj të zinj u ndez një vështrim plot pasion të zjarrtë.
Pastaj pa pritur përgjigje, ajo bëri disa hapa prapa dhe e tërhoqi Reitin nga kravata drejt dhomës së gjumit, derisa e shtyu te shtrati. Aty iu hodh përsipër, duke e puthur me afsh e duke nxituar me rrëmbim të zhvishej.
I gatshëm dhe epshplotë, si të gjitha herët, ai e përmblodhi të gjithën, duke e bërë një grusht njeri në prehrin e tij të përvëluar. Dhe ashtu, i kapërthyer përmbi të, me gjuhën brenda asaj gojës së saj si filxhan mjalti, ku ajrin që nxirrte njëri e thithte tjetri, perëndoi tërësisht. I lehtësuar tashmë edhe shpirtërisht nga shmangia e shtatzënisë së saj, ai rënkoi gjatë gjithë kohës nga kënaqësia e një orgazme me gurgullimë të gjatë, që ndjeu në thellësitë ëmbla të atij trupi vajzëror aq bujar.
Pastaj ai u vu në lëvizje për ta ndihur Almën të vishej dhe të dy shkuan te dera.
- Sot u solla me ty sikur të isha tamam prostitutë. - i tha ajo duke e kundruar drejt në sy.
Ai e këqyri me vetulla të ngërthyera.
- Ti nuk je nga ato, sepse po të ishe, nuk të vija unë.
- E di që s’jam prostitutë. Dhe ndonëse shkoj me një burrë të martuar, kam arsye shumë më të mira se një prostitutë. Por i bëj të gjitha, si ato punëtoret fatkeqe të seksit, sepse dëshiroj të të kënaq ty, që të dua më shumë se veten time, – i tha ajo dhe pasi mbështeti kokën mbi supin e tij i thirri fort: – Ej, të dua, më shumë nga ç’mund ta përfytyrosh ti ore shpirt njeriu, këtë mos e harro kurrë!
- E kam kuptuar fare mirë, se ti je një vajzë që dashuron me shpirt.
- Po ti, a më dashuron me shpirt?
- Shpirti nuk duket, po veprimet e mia flasin vetë. – i tha ai duke e pushtuar në krahët e tij për ta përcjellë me një puthje të fundit gjithë merak.
Fytyra e saj ndërroi shprehje, u gjallërua më tepër dhe pasqyronte të gjithë kënaqësinë që ajo ndjeu në ato çaste.
- Atëherë, do komunikojmë sonte patjetër, për rezultatin, – i tha ajo krejt e lehtësuar, duke u shkëputur me kujdes nga krahët e tij.

* * *
Pasditja dukej sikur ishte pambarimisht e gjatë dhe në qiellin e Tiranës krismat ishin shtuar e shumuar si asnjëherë tjetër.
Në orën nëntë e gjysmë të mbrëmjes, teksa Reiti priste me ankth përgjigjen e saj te një bufe e lagjes, ra zilja e celularit.
- I dashur, - i ndie Alma me një zë rënkimtar paksa të ndryshuar. - Kaloi çdo gjë... pothuajse mirë... Pata ca dhimbje dhe në pamundësi për të ecur, u detyrova të shkoj në shtëpi me taksi... Po sidoqoftë, ti mos u bëj merak, se kam filluar të qetësohem... Tani natën e mirë, të puth fort...
U kuptua fare qartë, jo vetëm nga zëri i trashur e i copëtuar, por edhe nga frymëmarrja e shpeshtë, se ajo ishte krejt e dërrmuar. Dhe ndoshta në ato çaste mund të ishte duke u dergjur në shtrat për të shtyrë dhimbjet...
Atëherë Reiti ndjeu një boshllëk të thellë përbrenda dhe ca tingëllima tronditëse, që e bënë të fliste me vete: Ajo qenka në gjendje mjaft të rëndë, dhe prapë mundohet të mos më verë në merak... Befas iu duk vetja idiot, i pagdhendur për rreziqe të tilla dhe mendjelehtë si një çunak tetëmbëdhjetëvjeçar, që kërkon t’i mbushë mendjen vetes me zor se po bëhej dashnor në pleqëri. Përse vallë u trondita aq shumë, kur më tha se do ta mbante fëmijën e ngjizur me mua?... Nga detyrimet, apo nga turpi i ndonjë zbulimi në opinion? Afërmendsh nga të dyja... Por ajo u tregua e arsyeshme dhe e zgjuar në atë lartësi, që unë nuk e kisha menduar kurrë. Dhe përsëri mundohet të mos më fajësojë për asgjë. Bravo i qoftë...
Reiti imagjinoi se si, në atë faltore të shenjtë, ku falet burri duke u dridhur i tëri deri në indet më të imta, në atë fole hyjnore ku bashkohet nektari i dashurisë së dy njerëzve të ndryshëm, në atë mrekulli kozmike të natyrës, ku nga dy pikëza kromozomesh ngjizet njeriu i së ardhmes, këtë natë të trazuar marsi me krisma nëpër qiell, hekurishtet e kromuara të mamisë private kishin gërmuar e përgjakur me vandalizëm vezoret e saj. Ndoshta edhe për të mos lindur më Alma e tij e ëmbël e bukuroshe...
Dhe atë çast ai i foli vetes me një ton shpërthyes të brendshëm: Dëgjo o Reit Radomi, o maniak i druajtur dhe frikacak, Alma Visha është shpirt ... Kurse ti je koqe, që mezi pret të zbrazesh në të...
E ndërkaq mendonte me merak, se nga ndërhyrjet e mamive private nëpër skuta të errëta me mjete të infektuara, kishin vdekur mjaft vajza të reja... “Lëre të rrojë, o zot! “ Dhe atë çast gjaku i buçiti te veshët dhe ai ndjeu dhimbje në zemër. I erdhi shumë keq që ajo engjëllushe e vogël, po vuante për shkak të marrëzisë së tij epsharake. Kam vepruar krejt i papërmbajtur, tamam si ndonjë dem balash, mendoi. Edhe tani që prezervativat janë sheshit, unë shikoj qejfin tim, pa menduar fare ç’pëson ajo vajzë e njomë. Kam harruar se aktin e çiftimit midis sekseve, natyra e ka krijuar si një shtysë të fshehur pas kënaqësisë, për të siguruar përjetësimin e species njerëzore. Dhe jo thjesht për të bërë qejf, siç kujtojmë shpesh ne burrat dhe veprojmë pa mend në kokë. Më janë errur sytë nga ky fat i madh, sa i merituar aq dhe i pamerituar për mua. Dhe më është trashur truri, aq sa nuk di ç’bëj. Bëra atë që vetëm një i luajtur mendsh mund ta bëjë. Ndoshta këto janë simptomat, që tregojnë se nga dashuria për të jam marrosur vërtetë. Të lutem, lëre të rrojë, o zot, dhe nuk kam për t’i rënë më kurrë në qafë! Se jeta e saj është shumë më tepër se qejfet e mia dhe po i ndodhi gjë asaj vajze, ka rrezik të përfundoj i çmendur si Ximi...
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi