Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Adem Zejnullahu: Poetikë e meditimit refleksiv

Shko poshtë

Adem Zejnullahu: Poetikë e meditimit refleksiv Empty Adem Zejnullahu: Poetikë e meditimit refleksiv

Mesazh nga Agim Gashi Sat Apr 10, 2010 4:11 pm

Adem Zejnullahu: Poetikë e meditimit refleksiv U1_CerkinIsmaili
POETIKË E MEDITIMIT REFLEKSIV
Çerkin Ismaili, “Gjirmë shpirti”, poezi, botoi Shtëpia Botuese “URA”, Prishtinë, 2010.
Nga Prof. Dr. Adem Zejnullahu
Pas botimit të dy romaneve mjaft të suksesshme , kur u përftua bindja se Çerkin Ismaili përfundimisht iu ka përkushtuar prozës, para lexuesve doli me librin me poezi “ Gjirmë shpirti”, në të cilin kryesisht ngërthehen poezi me ndiesi refleksive në të cilat përsiat mbi fatet dhe fatkeqësitë e njeriut dhe kolektivitetit në përditshmërinë e një aktualiteti sa të zymtë po aq edhe të brishtë shoqëror, që shfaqen si realitet i një morbiditeti traumatik, sa me nyansa historike e sa me ngjyrime supersticioze.
Kur hyhet në botën meditative të poetit , në vështrimin e parë, duket sikur mesazhi filozofik paksa errëson mesazhin dhe imazhin poetik të poezisë, ngase aty nyjëtohet e sintetizohet totaliteti i realitetit tonë jetësor, nyjëtohet një lloj absurdi jetësor sui generis , në kaosin e të cilit gjëllin njeriu ynë i inisiativave dhe përpjekjeve të vogla dhe dhembjeve e traumave të mëdha, i dënuar që jashtë lëkurës, botës dhe unit të vet ta “...zezojë jetën,..’ tërësisht i tjetërsuar dhe i dalur nga qenia morale prej njeriu.Në këtë katrahurë jetësore njeriu jo vetëm e harron botën e vet ndjenjore , të cilën e përjeton si një lloj sakatosje shpirtërore,si një lloj dënimi fiktiv ,mbase edhe fizik, por stepet para dilemës ogurzezë kur nuk e njeh identitetin e vet: “Në këtë kaos, ec e njihe veten!”, këlthitin heronjtë lirikë të poezisë së Ismailit, këlthit individi, këlthit edhe kolektiviteti i molepsur, i thyer dhe i mundur në arenën e luftës me jetën, kur , papandehur i shfaqet silueta e vet heterogjene me: “...Trurin e shpërlarë!” , me “Gropë në tru”, që dergjet në gjumin e fatalitetit sa historik aq edhe supersticioz.Sjelljet e pakontrolluara dhe fare kuturu të kësaj qenieje në poezinë e Çerkin Ismailit shfaqen në trajta fantazmagorike , robotësh , kluonësh, si “... fëmijë të epruvetës moderne !” që nuk ingjasojnë njeriut të njëmendësisë së mirëfilltë natyrore.
Ky prototip i njeriut të poezisë së Ismailit është qenie që dita- ditës denatyralizohet e desocializohet e dehumanizohet ; është një lloj inkarnimi i njeriut të metamorfizuar, që “/...fle me një sy gjumë/ me ëndrra të gurta../”, është një soj i lig i Kainit i prirur për violencë që nuk ngopet me torturënmbi Abelin, është një surrogat njeriu i cili mëton që në mënyrë ataviste të kthehet në burim, të metamorfizohet në majmun, atëherë kur: “/Majmunit s’ia do zemra të bëhet njeri! “ Kjo çoroditje spirutuele e njeriut, kjo sakatosje ndjenjore dhe morale , ky tjetërsim i tmerrshëm dhe fare latent, në poezinë e Ismailit vjen i copëzuar, i fragmentarizuar, vjen në trajta dromcash e storiesh filmike që kuptimësohen në tërësinë e strukturuar përmbajtësore të gjirmës shpirtërore poetike .
Këto copëza jetësore shfaqen përnjëherë, papritur si një lloj “Deus ex machina”, që godasin botën morale dhe botën fizike të njeriut,i cili fare pavetëdije, ngadalë, por sigurt, gradualisht del jashtë “Homo sapiens-it” të vet dhe normës më sublime të koshiencës njerëzore . Kjo qenie njerëzore që:
Në tru i kanë hapur gropë
E zverkun ia shpojnë me turjelë...
jeton e vdes
Me ëndrra të zbërdhylta pa i njohur
Dhembjet as dashuritë e kësaj toke...
Është kjo një botë e zbrazur shpirtërore e njeriut , që jo vetëm ka prirje t’u shfaqë dhembje të tjerëve në llakërdinë e ”Homo hominum-it” modern, por mbetet aktor i nonsensit çmendurak në dramën e trishtë të shthurjes dhe nëpërkëmbjes morale:
Shitem në ankand si plaçkë e vjetër
Herë mirë e herë lirë-
Varësisht nga klientët mbretër.
Pse , more rrejnë
Kohë e skllavërisë ka mbaruar?
Këta bij të ”Gjenit të trishtë../Me zemra të mërdhira ...” të lindur nga dashuria biblike , apo ”Dashuri mëkatare .../”si e quan poeti, në poezinë e Ismailit, varësisht nga momentet e krijuara të disponimit poetik , paraqiten qenie të pa trajta njerëzore , si hije që shfaqen të dehumanizuara në zigzaget e banalitetit jo vetëm poetik që: ”Zar linçimi hedhin në kërthizë!”.
Nga ky kaos, nga kjo llakërdi, nga kjo çoroditje enorme e portretit moral dhe fizik të njeriut,që fut tmerr, poeti sikur kërkon shpëtim, sikur kërkon shtigje daljeje nga këto” ”...udhë pa udhë gjarpëri ”, duke u orvatur të dalë jashtë valës së kraterit vullkanik, ku zien lava e ”... lëngatat bëjnë kërdi”, gjithnjë , në kohën kur ”Antartiku poshkrihet,”
Poeti vëren se diçka misterioze e jashtënatyrshme , çnjerëzore po ngjet si në botën e njeriut ashtu edhe në universin në të cilin gjëllin njeriu.Poeti përpiqet t’iu shmanget notave moralizuese të poezisë që gjakon mëshirën si një lloj katarsisi altruist për ta shpëtuar nga situatat të cilat i kurdis vetë njeriu viktimë,i ngatërruar në kurthet që vetë i ka kurdisur me apo pa vetëdie. Gradualisht poezia e Ismailit i kundërvihet kësaj gjendje, duke i dhënë vjershës konatacione të një rebelizmi lirik, duke shpërthyer fuqishëm lëvozhgën e molepsjes altruiste të dorëzimit para të keqes, dhunës e hipokrizisë . Vështruar në këtë plan, poezia e Ismailit është poezi filantropiste , e cila i kalon caqet e një revolte të brendshme me gatishmërinë për t’u përleshur me dukuritë devijante të shoqërisë, gjithnjë duke mëtuar që poezinë ta nyansojë si poezi të sakrificës dhe rebelizmit poetik.
”Gjirma ”, prushi i vatrës së egos së poetit i mbuluar me hi, që simbolikisht digjet në heshtje, ”stralli e eshka” që presin me durim, por kur e do momenti dinë të nxjerrin shkëndija , dinë të digjen si ”urnë kryengritëse,” në krematorin e absurdit postmodern, në poezinë e Çerkin Ismailit duket sikur vijnë si revoltë e brendshme, që zihet brenda unit të poetit dhe përtej tij nuk dalin, por ndodh e kundërta kur shfaqen si protestë që zgjerohet në kryengritje të ashpër fjalësh:
Urna ime kryengritëse
Zgjohet strall e eshkë
Gjirmë me erë shkrumbi!
Sepse poeti nuk mund ta durojë të cënuar ” ...nderin qytetar!”. Nuk mund ta shohësakatosjen morale e shpirtërore të njeriut.Kërkon ndihmë shpëtimi duke ukthyer në mitologji.Ia ka lakmi Prometheut dhe sakrificës së tij filantropiste për t’i dalur në ndihmë njerëzimit. Ia ka ëndja edhe atij si Prometheut ta mbajë të ndezur zjarrin promethoik e :”Me gaca të ndezura ta ngroh Atdheun /”.
Në momente të dëshprimit poetik kur duket se gjithçka mërdhin, se asgjë nuk lëvizë, se e tëra e jetës është stisur në amorfitet gati nihilist, shfaqet Prometheu duke pozuar njeriun e përvuajtur shpirtërisht dhe fizikisht me shkëmbin mbërthyer në shpinë, që sodit Atdheundhe ngushllon eshtrat në varre:
Sonte vjen Prometheu, vjen Prometheu
Sonte do ngrohemi e do ndezim zjarre;
Cep më cep sonte do sodis Atdheun-
Dhe do t’i ngushlloj sonte eshtrat në varre...!
Të gjitha këto zigzage të jetës, poeti jo vetëm i ndien shpirtërisht, por i përjeton intimisht, i merr me zemërdhe i matë me zemër, humb durimin me të cilin ia ka ëndja të përleshet, ”Kur ndërgjegjja gjuan me gurë!”, kur i kurdisen kurthe paskurthesh, kur i nxirren dredhë pas dredhësh në shpinë, i lodhur, i rraskapitur nga ndeshtrashat e jetës, duke hapëruar nëpër ”Kohën zezonë”, fatet apo pafatësitë i buzëqeshin ironikisht, tallen me të kur:
Për skllavërinë e të gjallëve
Nëntë dredhë-
Në shpinë m’i kanë nxjerrë!
Për kokëfortësinë e të vdekurve
Nëntëdhjetë e nëntë dredhë
I kam paguar me fajde!
Është kjo ”/... koha e pa kohë... e krizës globale /” një realitet i zbërdhyltë, me të cilin njeriu ynë, ky ”...moralist i gjorë” deshi apo nuk deshi duhet të mësohet me ”Krimbin në kokë”, e ”Korbin e Po-es”, që pa mëshirë i brejnë rrashtën e i pinë bebëzat e syve, duke bartur mbi supe peshën e mëkatit njerëzor të ngjizur që në barkun e nënë Evës me:
Mollën e ngrirë të Adamit
Guri në fyt-
Dhe mëkatin e Kainit
Heshtë në zemër!.
Cikli i dytë ”Kthimi” i kësaj përmbledhje me poezi është i motivuar nga katrahura e luftës së fundit, të cilën poeti e përjetoi shpirtërisht dhe fizikisht. Vjershat e këtij cikli kryesisht trajtojnë temën e eksodit të dhimbshëm dhe kthimit të njeriut në vendlindje. Është një dozë optimizmi, një delikatesë e ndjenjës ndjellamirë, një entuziazëm i poetit, një shkëndi shprese pas skenave të tmerrshme të psikologjiosë së luftës kur sheh se ”Po ikin barbarët,” kur sheh njeriun e përvuajtur dhe të kërrusur ”Me flamur të leckosur” përgjatë bregut të Drinit duke u kthyer në Atdhe :
Me jehonën e Dragobisë
Me ushtimën e Lurës
Në oazën e djegur...
Është ky njeriui i përçudshëmi poezisë së Çerkin Ismailit, që me ”Këngën e mordes”, në gojëdhe me plagët e freskëta që i kullojnë gjak:
Nëpër mina hedh valle
E dafina mbëlton në prush...
me dashurinë jetike për tokën e Atdheun.
Po ky njeri i ambicieve të mëdha fle e zgjohet, jeton e vuan me dhembjen e madhe të ”Baladës së zhvarrimit”,që i rri barrë në qafë e guri në zemër kur shfaqen thasët prej najlloni që kthehen me eshtra nga dheu i huaj. Poeti ka dhënë tabllo të rënda psikologjike nga atdhesimi i eshtrave:
Shitur
Stërshitur
Djersitur arritën në Atdhe
Kafkëshpuar
Brithyer
Synxjerrë
Me shifra e pa shifra
Me ADN e pa ADN
Me erë dheu të huaj
Me pritje Doruntine e Gjok Konstandini
Në ndëgjegje harrimi!
Në pikëpamje artistike, ky libër i strukturuar në katër cikle , mbase edhe tërë poezia e këtij autori, është e brumosur dhe e ngjeshur mirë me një figuracion të begatshëm artistik.
Metaforat, simbolet, krahasimet, epitetet, shumëllojshmëria e vargjeve , strofave, rimave,
ritmit, alitracionet e shpeshta, antitezat, gradacionet e tj. si forma intertekstuale dhe nëntekstuale të ligjërimit poetik janë elemente figuracioni që skalitin poezinë e Çerkin Ismailit.
Për ta bërë mendimin më të përafërtë me lexuesin, ndryshe nga tendencat e krijimit të poezisë enigmatike që po shfaqen në poezinë tonë të sotme,Çerkin Ismaili është kujdesur që gati çdo poezi,me një varg apo me një strofë, ta dekompozojë mendimin , ta sublimojë meditimin poetik në rrafshin optik dhe sensual, në mënyrë që rrëfimi të jetë sa më i kapshëm, sa më i logjikshëm , sa më praktik dhe sa më modern. Vështruar në këtë plan, më duket fare i drejtë mendimi i poetit Din Mehmeti për poezinë e Çerkin Ismailit në librin me poezi ”Tela Të këputur”(1977) se ”Ky libër me poezi i poetit Çerkin Ismaili kap kulmet e poezisë së sotme moderne që shkruhet te ne dhe në botë.”
Prishtinë, janar 2010
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi