Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Rexhep Çeliku: Mustaqet i rrezikuan vendin e punës

Shko poshtë

Rexhep Çeliku: Mustaqet i rrezikuan vendin e punës Empty Rexhep Çeliku: Mustaqet i rrezikuan vendin e punës

Mesazh nga Agim Gashi Sun Nov 23, 2008 10:37 pm

Rexhep Çeliku: Mustaqet i rrezikuan vendin e punës





Rexhep Çeliku: Mustaqet i rrezikuan vendin e punës U1_Rexhep-Celiku
Rexhep Çeliku
Duke krijuar figurën e kërcimtarit brilant, ndryshe nga ajo e Besimit, ku madhështia fizike gërshetohej me atë plastike dhe interpretative sidomos në realizimin e figurës së shqiptarit, Rexhepi është valltari më i plotësuar e më i përkryer teknikisht e estetikisht
Nga Agron SEJAMINI
- Me mik e kishin gjetur edhe atë vënd, për të punuar dy muajt e verës, në një brigadë ndërtimi. Sapo kishte mbaruar klasën e tetë dhe ishte vetëm 14 vjeç. Nga meraku se mos nuk e mbanin në punë përherë zgjidhte punët më të vështira. Edhe atë ditë të nxehtë korriku, ishte duke shëmbur një mur betoni, me vare. Pluhuri dhe vapa përvëluese ja kishin bërë edhe më të hijshëm atë trup elegant. Nga larg, trupi i tij gjysëm lakuriq, ngjante me një statujë të bronxtë... Por, brigadier Maksuti as që "shikonte" nga ky sy. Ai më shumë i gëzohej mënyrës se si e përdorte atë vegël pune, ky djalosh. Por ajo bukuri dhe elegancë trupore, një mëngjes kishte "verbuar" koreografin Panajot Kanaçi. Edhe fati kishte pjesën e vet, pasi ky objekt ndërtimi ishte pranë Pallatit të Kulturës. Duke shkuar për në punë, baletmaestri kishte ndalur hapin e nxituar. Pasi ishte përshëndetur me brigadierin, i ishte lutur që ta shkëpuste pak nga puna atë djalosh trupgjatë dhe muskuloz. Prezenca e një njeriu të veshur shik, në atë kantier ndërtimi, tërhoqi vëmëndjen e të gjithë punëtorëve. Kurioziteti u shtua më tepër, kur Maksuti i bëri shënjë djaloshin që të hidhej nga skela dhe të ulej poshtë. Duke e marë për ndonjë hetues a punonjës sigurimi, djaloshi tronditet dhe kundërshton me naivitetin e moshës: - Nuk kam punë me atë unë, s'kam bërë ndonjë gjë... Shyqyr që maestros nuk ju sos durimi, por priti deri sa ai u bind. Fjalët e ngrohta dhe kultura e komunikimit të maestros e qetësuan shumë shpejt. Por prapë ajo bisedë mbeti enigmë dhe e çuditëshme.
- Vish bluzën dhe hajde tani me mua, se do të bëj artist - ju drejtua i madhi panajot duke lëmuar kaçurelat e djaloshit të tronditur për çka po ndodhte. U qetësua disi, kur Maksuti e porositi:
-Çuno, dhe ec shpejt se duhet të shëmbet ai mur patjetër sot...
Ato 200 metra rrugë ishin të mjaftueshme që të sqarohej gjithçka. Nëqoftëse ai do kishte vesh muzike, ndjeshmëri dhe shkëputje në kërcim atë e priste një e ardhme tjetër. Direkt dhe maestro e çoi në katin e tretë, në sallën e provave duke i lënë porosi S. Batkut që të linte punët e tjera dhe ta testonte për disa minuta. Pas një ore, djaloshi u kthye në vendin e punës dhe takon brigadier Maksutin. Tashmë jo për ta qetësuar se muri do prishej por për ta njoftuar se nuk do të vinte më në punë... Të nesërmen Rexhep Çeliku, devijoi rrugën pak më djathtas se herët e tjera, për të filluar kursin e kualifikimit pranë Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore... I urtë, i dëgjueshëm dhe i papërtueshëm qyshë ditën e parë. Më pas edhe ndjeshmëria artistike ndaj muzikës, ritmit dhe plastika trupore, e bënë atë shumë shpejt zotërues dhe interpretues të spikatur të valles popullore. Pas dy vjetëve nga 12 çifte fituan vetëm 3. Rexhep Celiku ishte mes tyre më i miri. Tashmë ishte bërë gati për maestron një talent i padiskutueshëm... Mirëpo për gati dy vjet edhe pse punonte dhe dallohej nga të tjerët nuk aktivizohej. Nuk e kuptonte "lojën" e zgjatur që po luhej ndaj tij. I vinte çudi se si ai mjeshtër i madh që i kishte dhënë vlerësimet maksimale për aftësitë e tij nuk e nxirte në skenë. Edhe dyshonte por nuk guxonte të paragjykonte. Inatin e nxirte duke punuar shumë. Shpesh herë edhe pas mesit të natës...
Ndërsa iku në Degën Ushtarake për të përcjellë një shokun e vet ushtar, befasohet kur dëgjon: Rekrut Rexhep Çeliku të hipi në makinën numër gjashtë. "Mbrojta e Atdheut detyrë mbi detyrat"- nuk të linte kohë për tu menduar. As familja nuk ishte në dijeni për këtë që ndodhi papritur. Rrugës i thonë se ushtrinë do e bëj në Laç, në repartin e tankeve. Por pa mbërritur ende në Fushë Krujë, një triçikël ushtarak i bën shënjë makinës së tyre që të hapi krahun. Ushtaraku shoqërues urdhëron që djaloshi Çeliku të zbresë nga makina. Triçikli pasi u hyri në Tiranë, ndali pranë Gardës Ushtarake, aty ku ndodhej edhe Ansambli i Ushtrisë. Më shumë se sa në një repart tankesh, ai do ishte i dobishëm në këtë trupë artistike që përfaqësonte ushtrinë. Fakti që vinte nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore ja rriste vlerat. Për më tepër që kishte edhe "dufe" për të nxjerrë ngaqë atje me gjithë nivelin e lartë artistik që zotëronte nuk ishte aktivizuar. Disa prej shokëve të Ansamblit, u kishte thënë se nuk do kthehej më aty. Ju forcua më shumë kjo bindje, kur u caktua solist i parë dhe ishte ndër më të mirët valltarë.Kujtojmë se edhe ky ansambël ishte pjesë e denjë e vlerave artistike kombëtare. Aktivizimi i Rexhepit në grupin e valleve i dha një fytyrë edhe më dinjitoze duke rritur ndjeshëm emrin e këtij ansambli simpatik. Të suksesshme kanë qënë në këtë periudhë sidomos turnetë jashtë Atdheut si, në Jugosllavi, Turqi dhe Rumani. Kaluan dy vjet dhe tashmë kur shërbimit ushtarak po i vinte fundi Rexhepi nuk ndjehej mirë kur kujtonte deklaratat e bëra. Ndërkohë, filluan ndërhyrjet e njohura të drejtuesve të ushtrisë, siç ndodhte me sportistët e njohur që ata të mos shkëputeshin nga përfaqësimet ushtarake. Krerët më të lartë të Ministrisë e ndoqën këtë çështje por tashmë edhe Xhepi me një repertor të njohur artistik në publik, ëndërronte skenën e famshme ku dhe nisi këtë udhë.
Suksesi i madh i Gjerdanit të Artë të Dizhonit e kishte bërë Ansamblin e Këngëve dhe Valleve më të njohur se sa vetë Shqipërinë në arenën botërore. Ftesa të vazhdueshme vinin për konkurime në festivale të ndryshme ndërkombëtare dhe turne artistike. Përfaqësues të Ministrisë së Kulturës të Francës, në vitin 1975 vinë posaçërisht në Tiranë për të ndjekur nga afër disa koncerte të këtij ansambli duke i afruar ftesën për një turne të gjatë në vendin e tyre. Në këtë kohë korifeu i vallëzimit shqiptar ishte i padiskutueshmi Besim Zekthi. Mirëpo, në një nga këto koncerte valltari i shquar , pëson një strapul në këmbë dhe e pati të pamundur të kërcente. Të tronditur dhe të zënë në befasi nga ky incident, mjeshtrat Panajot Kanaçi dhe Gëzim Kaceli të alarmuar hedhin sytë nga salla në kërkim të Rexhepit që ndiqte shfaqjen si spektator. Rast i artë por edhe moment i vështirë dhe emocionant për valltarin e ri. Ishte vetëm 21 vjeç. Edhe veshjet nuk shkoi t'i merrte vet ngaqë e kishte të vështirë. Panajoti ia solli kostumin e Besimit që ndoshta jo për rastësisht kishin të njëjtin shtatlartësi. Por jo të njëjtën famë. Me të hyrë në skenë emocionet ju larguan duke shpalosur vlera të jashtëzakonshme në të 12 vallet që luajti. Edhe sot kujton se prapa skenës e priti furia e përqafimeve të Leftës, Veronikës, Norës, Donikës....Ky dublim i denjë, krijoi mendimin se edhe Besimi mund të zëvëndësohej... Nuk ka qënë dhe shumë e lehtë jo më për ta realizuar por edhe për ta menduar këtë fakt në atë kohë. Gjithsesi, maestro Kanaçi shikonte më larg se kushdo. Edhe pse Besimin e kishte krah të djathtë dhe të sigurtë ishte po ai që duhej të mendonte edhe për dublantitn e tij. Edhe në atë kohë kur Xhepi dyshonte se po i bëhej "ile" maestroja kishte filluar skiconte misionin e tij. Shpesh herë i thoshte: - Bëhu sy e veshë kur interpreton Besimi... Dhe më shumë se sa në prova zanatin ja ka "vjedhur" kur ai luante në skenë. Jo për të qënë edhe ai Besim por një Rexhep i aftë për të besuar gjithkush edhe te ai. Duke krijuar figurën e kërcimtarit brilant, ndryshe nga ajo e Besimit ku madhështia fizike gërshetohej me atë plastike dhe interpretative sidomos në realizimin e figurës së shqiptarit, Rexhepi është valltari më i plotësuar e më i përkryer teknikisht e estetikisht. E ndërsa flasim për nivele e arritje të dy yjeve të vallëzimit shqiptar gëzohesh kur mes tyre, vazhdon një miqësi e sinqertë.
-Më thirrën para disa vjetësh në Presidencë dhe më thanë që të plotësojë dokumentacionin për titullin Mjeshtër i Madh, - tregon Xhepi. Pasi i falenderova, jo për modesti por sepse ashtu duhej, ju kujtova se para meje, ky nderim i takon Besim Zekthit. Ika vetë te shtëpia e Besimit për të plotësuar ato që kërkoheshin. U ndjeva i lumtur, kur ai vlerësim i madh nisi nga ai. Pas dy vjetësh këtë titull e gëzova edhe unë. Madje e ndjeva dyfish që mu bë pas Besimit.
Mbase si shumëkush, edhe vet kam menduar se edhe mustaqet, Rexhepi i ka lënë nga egoja personale. E ndërsa desha të saktësoja këtë mendim, pata fat të mësoj edhe "historinë" e mustaqeve... Dihet se një pjesë e mirë, e repertorit të valleve të Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve, është me subjekt nga historia e popullit tonë. Karakterin dhe hijeshia e shqiptarit pa mustaqet të duket sikur është e mangët nga ana figurative. Në disa interpretime, koreografi e ka detyruar Xhepin që të përdorë edhe mustaqe fallco. Kështu për të plotësuar figurën burërore të interpretimit e pa më të udhës që të lërë mustaqe... Dhe kur ato "u shfaqën" në sy të të tjerëve, të parit që i vranë sytë ishte drejtori i institucionit. Një ditë, e thërret në zyrë dhe e këshillon që duhet të heqë mustaqet pasi janë element i shfaqjeve të huaja. Nëse nuk i heq brenda javës, do marrësh librezën e punës dhe shko ande nga ke ardhur... Nuk arriti të justifikohej dhe shpjegohej valltari. Shqetësimin ja përcolli koreografit që edhe i kishte hedhur idenë e mbajtjes së tyre. Për çudi, gjen mbështetje të plotë duke ju bërë garant se nuk kishte për t'i hequr asnjëherë. Me muaj të tërë, drejtori e kërcënonte me largim nga puna. Pas një koncerti të suksesshëm, ministrja e Kulturës, zbret në skenë për të uruar artistët. Kur u takua me valltarët, një pjesë të hijeshisë dhe suksesit të njërës prej valleve, ua dedikoi edhe mustaqeve të dy valltarëve solistë. Menjëherë, Xhepi hodhi syte nga drejtori, që i rrinte në krah ministres, për tu siguruar nëse e dëgjoi komplimentin e bërë nga Partia, apo jo.
Nuk e dimë nëse është e njëjta histori edhe për mustaqet e Besimit, por të paktën mësuam, se Rexhepi nuk i ka lënë për arsye egoje por sepse "ja kërkonte" vëndi i punës. Paçka, se më pas i dukej edhe vetja më këndshëm me to, duke ua ndjerë lezetin jo vetëm në skenë...
Rexhepi vazhdon të jetë solist i Ansamblit. Është rast i rallë për moshën e tij, por përsa ka shpirt e forcë, nuk ka ndërmënd që t'i ndahet valles. Natyrisht që falë përvojës dhe talentit që zotëron e ndjen veten mirë edhe në pozicionin e drejtuesit dhe të krijuesit. Është koreograf i disa valleve të vëna me sukses në skenë, nga ansambli. Disa koncerte me krijimtarinë e tij janë mirëpritur nga artdashësit. Nuk rresht së thëni fjalë të mira në adresë të drejtorit Zhani Ciko. Fakti që ai është artist ka krijuar komoditet dhe mirëkuptim në diskutimin dhe zgjidhjen e mjaft problemeve. Arritje e rëndëdsishme kjo, po të krahasohet me vite të kaluara kur në krye të këtij institucioni të kulture ishin drejtorë jo artistë. Shpreh mirënjohje edhe të kolegëve të tij ndaj qeverisë që realizoi dyfishimin e rrogave. Por përsëri nuk është i kënaqur. Ende duhet bërë akoma më shumë. Dhe janë një sërë problemesh që duhen të zgjidhen për të rrikthyer emrin disi të zbehur të këtij Ansambli. Nga 90 janë 45. Gjysma që do të thotë edhe punë e përgjysmuar. Kujton repertorin e artë të valleve që janë identiteti kulturor i kombit dhe thotë se nuk mundemi t'i shpalosim këto vlera në skenë. Qoftë edhe për efekt numrash. Fjala vjen, vallja "Luftëtarët e lirisë" nuk mund të shfaqet me shtatë çifte sa jemi ne sot. Këta përfaqësojnë në subjekt, udhëheqësit por duhen edhe 6 çifte luftëtarësh që të përçojnë krejt idenë e motivimit të saj. Po kështu për "Vallzimi i shqipeve" me 12 çifte, "Festë të madhe ka sot Shqipëria" me 16, "Festë në Dropull" me 12 etj. Pra, mungon mundësia teorike për t'u rrikthyer këto perla të vallëzimit shqiptar. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për këngëtarët. Nuk i thua dot as kor as kompleks. Nga disa solistë që kanë qënë, tani janë vetëm dy, Irini Qirjaqi dhe Sebahet Vishnja.
Ndjen dhimbje Rexhep Celiku, kur kujton atë ansambël dinjitoz të viteve më parë. Atë ansambël që duke u mbështetur në thesarin e këngëve, valleve, instrumenteve dhe kostumeve popullorë të folklorit skaliste identitetin kombëtar. I vjen keq, tek ndjen të kundërtën e asaj që thotë ai titulli asaj gazete norvegjeze, se "Në Shqipëri, folklori nuk shihet si diçka muze"
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Rexhep Çeliku: Mustaqet i rrezikuan vendin e punës Empty Re: Rexhep Çeliku: Mustaqet i rrezikuan vendin e punës

Mesazh nga Agim Gashi Sun Nov 23, 2008 10:38 pm

Endrra ime: Ansambli të ketë emrin e Panajot Kanaçit
Rexhep Çeliku ka gati 40 vjet që vallzon në skenë, me Ansamblin Kombëtar i Këngëve dhe Valleve. Në saj të interpretimit të shkëlqyer të valles popullore, sot është një ndër figurat më të njohura të vallëzimit shqiptar. Është ngjitur në skenë kur ka qenë fëmijë. Turneun e parë jashtë vendit, e ka bërë në moshën 16-vjeçare në Kosovë. Nga ajo kohë e deri tani ka kërcyer në skenat më prestigjoze të pesë kontinenteve. Është drejtues i grupit të Valleve pranë Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve. Pasioni dhe përkushtimi ndaj valles popullore, dëshira për të dhënë gjithçka, në mënyrë të përkryer dhe bukur, në raport me simbolikën dhe estetikën e saj, larg çdo egoizmi, apo kulti, e bënë Rexhepin një nga më të talentuarit valltar që ka patur Ansambli i Valleve. Për Rexhepin "jeta është një valle pambarim". Për të arritur në formimin e tij të plotë, si kërcimtar, ka realizuar takime të shumta me bartësit, vallatrët popullorë, ka ndjekur festivaleve folklorike lokale, etj. Kjo ka një frymëzim i madh, për punën e tij krijuese dhe interpretuese. Duke u njohur sa më faër me vallet e popullit, traditat dhe historinë, ai ia ka rrikthyer artëdashësve sërish këtë vlerë nëpërmjet valles së përpunuar . Me atë repertor vallesh që ka interpretuar ka shpalosur origjinalitetin, pasurinë dhe bukurinë e vallëzimit popullor shqiptar si një nga më të veçantët në trevën e Ballkanit. Ka lindur në Tiranë në vitin 1954. Është i martuar dhe ka dy vajza. E madhja vazhdon studimet për drejtësi në Rusi, tjetra vazhdon arkitekturën, në Tiranë.
Çfarë dëshiroje të ishe tjetër veç vallëtar?
-Unë edhe kafen e pi vetëm këtu, në Teatrin e Operas dhe Baletit. Kam 40 vjet që hy e dal në këtë derë. Të gjithë dashurinë ma ka marë ky profesion. Nëse do të pyesësh se ku ndodhem unë në të shumtën e kohës, ec se këtu do më gjesh...
Kë nga vallet ke më për zemër?
Të gjitha mund të themedhe pse nuk jam i saktë, pasi edhe në garderobën tënde mes disa kostumeve mbase me njërin prej tyre e ndjen veten më mirë. Unë do veçoa "Dueti i shqiponjave" që kërcej me Genc Kastratin.
Pse?
Është realizuar me një qëllim të caktuar. Ka qënë koha kur në në Prishtinë filluan demonstratat kundër rregjimit serb. Nëpërmjet kësaj valleje deshëm të çonim te vëllezërit tanë mesazhin se nuk jeni vetëm por na keni ne në krah. Kështu rrjedh edhe subjekti. Janë dy shqiponja që përfaqësojnë atdheun amë dhe Kosovën. Është një çast kur shqiponja "e vogël" tulatet në tokë" Iki unë, e çoj figurshëm me gojë dhe ajo rrishtas nis fluturimin që nuk do e nadlë më kurrë! Është shumë emocionuese simbolika e kësaj valleje emocionuese.
Me kë nga partneret tuaja e ke ndjerë veten më të sigurtë?
Me Liljana Cingun flisnim edhe me sy, duke e kuptuar njëri tejtrin se ç'duhet korigjuar gjatë kërcimit. Me Brikenën, partneren e tanishme më është dashur të punoj më shumë deri sa të arrinim pjekurinë e nevojshme, për të funksionuar gjithçka mirë. Nëse me Lilin kërceva 25 vjet me Brikenën kam 12 vjet. Gjithsesi, është vazhduese e denjë e saj dhe një nga valltaret më të mira sot.
Tipari yt dallues...
-Puna dhe ndershmëria.
Për gati 40 vjet keni kërcyer pothuajse në të gjitha skenat e kontinenteve, çfarë veçon?
Për mua të gjitha janë kryesore. Përshtypje më ka lënë turneu në Kosovë në vitin '71. Isha 16-vjeç dhe merrja pjesë në Ansamblin Shtetëror. Ky turne më dha një kënaqësi të madhe, sepse pashë për herë të parë Kosovën.
Veç detyrës si drejtues i Grupit të Valleve, kërceni edhe në skenë?
Ndonëse, jam në prag të pensionit, nuk mendoj se më ka ikur mosha për tu ndarë nga skena. Artistin nuk e mund mosha, por pasioni. Mendoj që për artistin kurrë nuk ka pension. Sa të më punojë këmba dhe dora do të jem gjithmonë në skenë...
Sa të ka ndihmuar bashkëshortja në rrugën artistike?
Më ka ndihmuar shumë. Më ka qëndruar gjithmonë pranë duke më dhënë mundësi dhe lirshmëri për të krijuar, për të vallëzuar dhe për të marrë pjesë në turnetë që kam zhvilluar brenda dhe jashtë Shqipërisë. Mungesën time në familje e ka kompensuar ajo duke u kujdesur për fëmijët dhe për shtëpinë.
Jeta juaj skenike ka kaluar mes vajzave të bukura dhe larg strehës familjare. E keni ndjerë xhelozine e bashkëshortes?
Jo, jo, asnjëherë nuk jemi grindur dhe nuk kemi shfaqur kurrë xhelozi.
Bashkëshortja juaj është një fanse e çmendur e juaja?
Edhe sot e kësaj dite që kemi mbi 20-vjet martesë, sa më sheh duke kërcyer, më thotë: "Jam shumë e dashuruar pas vallëzimit tënd".
Si jeni njohur dhe ku?
Jemi njohur në Tiranë, në dasmën e motrës së një shoku. Edhe unë, edhe vajza që sot është bashkëshortja ime, ishim të ftuar në dasëm, ajo tek vajza, ndërsa unë tek djali.Gjatë kërcimit, lindi si të thuash edhe ajo shkëndija jonë e parë e dashurisë, që i duhej të ardhmes. Duke parë punën e artit, unë kisha harruar të martohem, por u kujtova për martesë vetëm në moshën 30-vjeçare
Keni zëvendësuar legjendën e valles, Besim Zekthin, të duket se e keni përfaqësuar denjësisht këtë korife të koreografisë shqiptare?
Tani edhe unë po dal në pension dhe kam filluar të mendoj për zëvendësuesin tim. Kur zëvendësova kolosin e skenës, Besim Zekthin, ishte diçka shumë e bukur, për faktin që u gjet nje njeri dhe për atë që mendohej, se nuk kishte kush ta zëvendësonte. Mendoj që edhe për mua do të gjendet nje njeri, ndoshta më i zoti se unë, dhe që mund të shpalos shumë më mirë vlerat e valles popullore shqiptare...
Arti juaj ka ndonjë Iidhje me gjenin familjar?
Prindërit e mi nuk janë marrë me art, por kanë kënduar shumë bukur, ndërsa vëllezërit e mi, kërcejnë shumë bukur, por nga këta vetëm unë u bëra profesionist i kësaj fushe.
Çfarë natyre është Rexhep Çeliku?
Jam tepër kërkues ndaj vetes. Jam shumë i dashur me shokët dhe shumë i shoqërueshëm. Mendoj se artisti është i mirë, kur ka edhe shumë shokë të mirë. Arti ynë, është art kolektiv, ndaj duhet të kesh shumë shokë, për të realizuar atë që dëshiron, pasi asgjë nuk bën vetëm.
Cilët janë disa nga koreografët që keni punuar ndër vite?
Janë profesor Panajot Kanaçi, Gëzim Kaceli, Besim Zekthi, Agron Aliaj, Besim Jazexhiu, Engjëll Tërshana, Ramazan Bogdani, e shumë e shumë të tjerë.
Keni ndonjë koreograf idhull?
Kam koreografin e madh dhe profesorin e nderuar Panajot Kanaqi. Koreografia e tij ka një larmi dhe një art të vërtetë, pasi ne shohim gjithë Shqipërinë. Artin e vërtet shqiptar e gjejmë te vallet e tij.
Mund ta kujtoni momentin e parë kur jeni ngjitur në skenë?
Jam ngjitur, që kur isha femijë, ndërsa me Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve PopuIIore kam filluar punë në vitin 1971, direkt pasi kam mbaruar një kursin dyvjeçar të nisur në vitin 1968.
Kush është dëshira juaj që prettë realizohet?
Që Ansambli i Këngëve dhe Valleve të ketë emrin e të madhit Panajot Kanaçi.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi