Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Gani Mehmetaj: Mosdurimi fetar

Shko poshtë

Gani Mehmetaj: Mosdurimi fetar Empty Gani Mehmetaj: Mosdurimi fetar

Mesazh nga Agim Gashi Thu Apr 15, 2010 2:16 am

Gani Mehmetaj: Mosdurimi fetar U1_GaniMehmetaj
Mosdurimi fetar
Nga Gani Mehmetaj
Disa probleme e fenomene që trajtohen në këtë shkrim, sikur të vepronte Shteti, Policia dhe Shërbimi Inteligjent i Kosovës, do të duhej t’u liheshin këtyre institucioneve. Fatkeqësisht, shpërndahen parullat më antishqiptare në 100 vjetët e fundit, veprojnë organizata islamike më antikombëtare, që nuk dihet ku e kanë kokën - në Serbi a në Arabi - dhe askush nuk reagon! Medet për shtetasit e shtetit të ri, nëse vazhdon kështu...
1. Gjithmonë kemi thënë e themi se shquhemi për durimin në mes të feve. Këtë vetëmburrje e vëmë në pah para të huajve, thua se është për mburrje që e durojmë njëri-tjetrin! Pra, mburremi që nuk vritemi mes vete për fe(!), në vend që të luftonim për atdhe. Luftë civile do t’i thoshin ndryshe, ose luftë fetare si në Afganistan, Irak, Iran e gjithandej në botën islame, që nuk e kaluan ende mesjetën. Jemi në Evropë. Pse duhet ta marrim model Orientin?
Dallime brendakombëtare nuk patëm asnjëherë. Fatkeqësinë e patëm të përbashkët: serbët e grekët nuk na pyetën jemi të krishterë a myslimanë, por na përgjysmuan, sepse ishim shqiptarë. Armiqtë tanë i donin tokat tona pa ne. Po këto dy shtete i kanë marrëdhëniet e shkëlqyeshme me shtetet myslimane, por jo me shqiptarët!!!
Tolerancën fetare e trumbetojmë me zhurmë edhe para vetes, kur duam ta shuajmë ndonjë xixë mosdurimi fetar, të nxitur nga të huajt, megjithëse e dimë fare mirë se shpesh e mashtrojmë veten, ose përpiqemi të vetëbindemi se është ashtu. Si reflektohet ky durim fetar? Mjafton një grup njerëzish të ardhur nga bota islame, me fustane gati deri në fund të këmbëve, që ta nxisin mosdurimin në mes nesh, me një grusht parash. Para luftës, afria brendakombëtare ishte për lakmi. Pas saj, kur erdhën lukunia e shoqatave myslimane, filloi një mosdurim i frikshëm. Intelektualët tanë, për t’i neutralizuar këta fanatikë ezmerë, japin deklarata se s’ka kush që mund të na përçajë, se dallohemi për tolerancë fetare e më the e të thash. Pastaj heshtin në deklaratat e atyre që mburren me kërcënim se janë “shumica absolute”, sikurse e thotë me arrogancë primitive ndonjë klerik. Heshtin edhe ndaj atyre, të cilët kinse bëhen zemërgjerë, duke thënë se po e tolerojnë pakicën, nuk e pengojnë në ritet e saj, por... ta kenë mendjen!!!
Reagimet histerive (nuk them se janë kolektive, Zoti na ruajt, shumica hesht e bënë sehir, pakica tërbohet) janë grupore, janë nga pakica absolute, të organizuara e të financuara mirë, janë tejet agresive, të dhunshme me gjuhën e manifestuar. Jo një herë kanë përdhosur varret e atyre që e kanë “tradhtuar” fenë islame dhe janë kthyer në fenë e moçme. E kemi të freskët përdhosjen e varrit që ia bënë grupet myslimane një shkrimtari tonë të njohur, para disa vjetësh, sepse i ndjeri ishte kthyer në fenë e moçme - katolike. Nuk reaguam, e lamë në harresë a nuk patëm guxim, nuk e di. Janë të freskëta përdhosjet e varrezave të shqiptarëve - myslimanëve tradicionalë a të varreve të personaliteteve të njohura, pranë xhamive të vjetra. Madje, një shoqatë islamike, pati filluar t’i përdhoste varret në një qytet tonin, kinse në emër të renovimit të një xhamie, derisa nuk reaguan qytetarët. Dhe asnjëherë nuk u zunë e as nuk u ndëshkuan grupet e këtilla!!! Durim fetar ishte ky?!!!
Mediet tona disa ekseseve u japin hapësirë, duke i barazuar. Disa sosh i heshtin pse nuk duan t’i bëjnë përrallë ose pse nuk kanë informacion sa duhet. Sa është folur e shkruar për hoxhallarët, të cilët kanë cytur dhunë kundër bashkësive kristiane në Kaçanik, Deçan a në Istog, bie fjala, megjithëse banorët e dy qytezave të fundit mburren me prejardhjen e tyre të krishterë dhe nuk e fshehin asnjëherë të kaluarën e tyre. Madje, shumë prej këtyre familjeve i mbajnë me mburrje mbiemrat e krishterë. Sa herë është shkruar për kërcënimet me bomba që u janë bërë bashkësive të krishtera nga “myslimanët që nuk falin”? Bota e di, nëse ne ia fshehim opinionit tonë.
2. Kur filloi pagëzimi i një grupi shqiptarësh katolikë në Malishevë, përnjëherë filloi një tërbim (prapë nuk ishte kolektiv), tejet agresiv i grupeve myslimane, të financuara nga Arabia e Serbia, vështirë të thuhet, megjithëse edhe shtetet myslimane edhe Serbia e Rusia kanë të njëjtin qëndrim ndaj Kosovës. Asnjë gazetë nuk e tha ose e tha më shumë vonesë, se shqiptarët katolikë ishin që nga predikimi i Shën Palit në tokat e Ilirisë, mirëpo me ndryshimin e konfiguracionit fetar, ilirët katolikë mbetën pakicë. Dhe në frymën e (mos) durimit të shumicës shqiptare myslimane ose të tolerancës që e propagandojmë për të tjerët, katolikët shqiptarë nuk patën guxim ta praktikonin fenë e tyre në tokën shqiptare. Dhe, kur u dëbua pushtuesi serb, kur menduan se erdhi dita e lirisë, që edhe ata të deklarohen pa frikë e pa droje se duan t’i falen Krishtit, dolën myslimanët “fanatikë”, mercenarë profesionistë në faqe elektronike e gazeta, filluan të hidhnin gur e dru mbi ta. T’i lexoje ato ditë reagimet elektronike, të vinte pështirosje. Po edhe sikur ata që u pagëzuan të ishin shqiptarë myslimanë, çka pastaj? Duan këta myslimanë të importuar a me mendësi nga shkretëtira t’i mbajnë me dhunë a t’i ngufasin shqiptarët vendës në përcaktimin fetar? Do t’u japim ne llogari vehabistëve dhe dreqit e të birit, për të drejtën tonë fetare në shtetin tonë, të cilin me gjak e bëmë që të na e përdhosin “myslimanët që nuk falin”?!
Tolerancë fetare i thoni ju kësaj?! Demokraci është ky tërbim prej mercenarësh apo injorantësh të nxitur nga serbët e arabët antishqiptarë?! Zoti na ruajt prej këtyre të fantaksurish, sepse shteti ynë dhe opinioni demokratik e intelektual, po heshtin. Intelektualët heshtin, sepse nuk i mbron askush, ndërsa “myslimanët që nuk falin” janë grupe terroristësh, që ndëshkojnë natën nëpër fshatra e periferi qytetesh. Ndonjë ditë, do ta pushtojnë edhe qendrën e qytetit, nëse nuk u dalim ndesh. Shteti hesht, meqë nuk ekziston, sepse po të ekzistonte, nuk do të duhej të heshtte ndaj shumë fenomeneve të shëmtuara të kësaj natyre, por do të merrte masa kundër shoqatave islamike antishqiptare, që mbjellin urrejtje ndërfetare, cenojnë nderin e grave të varfra e të vajzave që ua shtrijnë dorën e ndihmës. Flitet se skandali me hoxhën e Skënderajt është lule e dritë krahasuar me skandalet që mund të shpërthejnë në disa xhami, në periferi të Prishtinës. Dhëntë Zoti të jenë vetëm fjalë, sepse ato që kam dëgjuar, të rrëqethin.
3. “Myslimanët nuk falin” është parulla më antishqiptare, që është shpërndarë ndonjëherë në tokat shqiptare. Dhe kjo parullë ka zbardhur nëpër Prishtinë, kryeqytetin e shqiptarëve, sikur fetvatë e muxhahedinëve të Homenit. Dhe, pas fetvave të muxhahedinëve, atje binin kokat. Disa e kanë grisur me neveri këtë togfjalësh që të pështiros; të tjerët janë larguar të dëshpëruar: janë në Teheran a në Prishtinë? Dhe, duke e lexuar me përbuzje e indinjatë këtë parullë antishqiptare (sepse Kosova është shtet i shqiptarëve e jo i myslimanëve) ma kujtoi, po ashtu, një parullë të njëjtë, të shpërndarë e të thënë para më shumë se dhjetë vjetëve: “Serbët nuk falin!” Dhe jo shumë kohë pas këtyre parullave serbe, filluan masakrat kundër shqiptarëve, boshnjakëve, kroatëve. E tash: kujt nuk ia falin myslimanët në tokat shqiptare?! Nuk ia falin shqiptarëve?! A do ta fillojnë myslimanët, që nuk falin luftën kundër shqiptarëve, sikur serbët para më shumë se dhjetë vjetësh? Është për zemërplasje kjo parullë e shpërndarë nga grupet militante të paguara nga Serbia e nga Arabia.
Ndërkaq, shoqatat myslimane nga shkretëtira, të organizuara nga disa shqiptarë-mercenarë, tash e dhjetë vjet, nxisin urrejtje të frikshme ndër shqiptarë, që vetëm indiferenca jonë e pafalshme i duron; propagandojnë qëndrim armiqësor kundër amerikanëve dhe kundër perëndimorëve, duke u përpjekur të na nxisim të harrojmë se janë amerikanët dhe perëndimorët ata që na shpëtuan nga gjenocidi, e jo shtetet myslimane që e mbështeten gjenocidin e serbëve kundër nesh. Njerëzit e shoqatave të shteteve islamike në Prishtinë kërkojnë “Coca-Cola” të prodhuara në Serbi e jo në Shqipëri a në Kosovë, sepse, u thonë shitësve tanë, Serbia e lufton Amerikën, prandaj ata duan ta ndihmojnë ekonominë që e lufton Amerikën. Këta ezmerë të nxirë nga dielli i shkretëtirës, në zemrën e tokës shqiptare, kërkojnë mallin serb dhe i bëjnë shantazh mallit shqiptar, në vendin e shqiptarëve!
Dhe parulla antishqiptare: “Myslimanët nuk falin!”, e shpërndarë nëpër Prishtinë dhe propaganda e tërbuar kundër amerikanëve gjithandej nëpër Kosovë, nuk është punë e trajtimeve nëpër gazeta, por punë e policisë dhe e Shërbimit Sekret të Kosovës, të cilin nuk e kemi, sepse sikur ta kishim, nuk do të lejonte që organizatat e tilla, të cilave do t’ua shohim sherrin, të veprojnë lirisht, të parakalojnë me mjekrat si ushtarë të Sheshelit e të çetnikëve serbë, dhe të sillen dhunshëm nëpër xhami e të kërcënojnë! Bashkësitë islame, e heshtin këtë fakt, e denoncojnë vetëm atëherë kur ata bëhen agresivë edhe ndaj tyre, duke ua okupuar xhamitë a duke i joshur besimtarët me shumë para. Disa grupe hoxhallarësh duket marrin para për këtë heshtje (e heshtin edhe ngjyrosjen e xhamive me ngjyrë të bardhë, që nuk është në fenë tradicionale të myslimanëve të Kosovës, përkundrazi është traditë e vehabistëve, të cilët shqiptari Mehmet Pasha i Egjiptit i ka luftuar e asgjësuar si armiqtë më të përbetuar). Pastaj me heshtje e tumirin shpërthimin e një fryme të dhunshme fetare.
4. Toleranca jonë fetare, aq shumë e propaganduar, me zemërplasje mund të them se u pa kur filloi fushata për ngritjen e Katedrales në Prishtinë. Megjithëse ishim i vetmi kryeqytet shqiptar dhe evropian që nuk kishte katedrale (Shkupi e Tirana i kanë), megjithëse në Prishtinë, katedralja, ku thuhet se u varros Pjetër Bogdani, kishte ekzistuar deri në fillim të Luftës së Dytë Botërore, kur e rrënuan serbët, më herët e dogjën turqit, një lukuni shqiptarësh u ngritën me tërbim duke shkumëzuar dhe duke kërcënuar që të mos ngrihet ajo. Dhe këta militantë kundër katedrales harruan se Prishtina është në Evropë e jo në Azi a në Arabi, ku nuk lejohen katedralet; harruan se Evropa është tokë e katedraleve dhe e kishave. Dukeshin sa anakronikë, aq edhe të rrezikshëm, sepse përpiqeshin ta nxisnin ndjenjën e mosdurimit. Burrat e mençur vazhduan punën në parimin “karvani ec...”
“Shqiptarët po konvertohen, shqiptarët po e braktisin myslimanizmin”, - janë fjalë të shpeshta që i dëgjojmë nga njerëzit e fesë, si formë e akuzës. Harron kjo mendësi aziatike se shqiptarët tashmë jetojnë në liri e demokraci, prandaj është e drejta e tyre elementare dhe absolute që të përcaktohen për cilëndo fe. S’ka kush që mund t’i pengojë. Kam dëgjuar personalisht nga klerikët të thonë sikur janë marrë vesh mes vete që të mos ia marrin besimtarët njëri-tjetrit, për hir të harmonisë fetare! Jetojnë këta klerikë në skllavopronari a në shekullin 21?! A mendojnë ata se shqiptarët e Kosovës janë bujkrobër, muzhikë rusë a njerëz të lirë?! Si guxojnë të bëjnë tregti se cilës fe do t’i takojnë, duke tentuar t’ua dhunojnë vullnetin shqiptarëve me marrëveshje të këtilla?!
Dhe krejt në fund, për “myslimanët që nuk falin”: Shqiptarët falin, e kanë në kodin e tyre gjenetik, nuk janë myslimanë dhe as serbë. Por shqiptarët, sidomos shteti i tyre, nuk duhet ta durojnë deri në pakufi veprimin e njerëzve të shkretëtirës, që në emër të shpërndarjes së ndihmave dhe në emër të fesë myslimane, e kultivojnë mosdurimin e urrejtjen. Me ato grupe duhet të merret policia. Asnjë shtet mysliman nuk ka hyrë deri më tash në Evropë dhe as që do të hyjë ndonjëherë. Qytetërimet janë të ndara. Është fatbardhësi që ne jemi në Evropë, por duhet ta meritojmë Evropën...
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi