Suzana Kuqi: Kur të gënjen mëndja... për një kolege
Faqja 1 e 1
Suzana Kuqi: Kur të gënjen mëndja... për një kolege
Suzana Kuqi
Kur të gënjen mëndja... për një kolege
Nuk është se dua të hakmerrem... megjithëse në nënvetëdijen time sa vjen e po zë më shumë hapësirë ky fenomen. Gënjej veten e them se janë veç disa mendime ashtu kot, por në fakt shtysa që më vjen nga brenda shpesh i kalon caqet. Arësyeja e këtij shkrimi...?
Një ditë apo një pasdite e keqe e kaluar në punë, nga ato që ta sjellin shpirtin e punën në majë të hundës. Por asnjërën prej të dyjave nuk mund të heq qafe, shpirti nuk del aq kollaj ndërsa për punën kam nevojë dhe... pikë. Gjithë kjo për faj të një kolegeje. Jo se unë nuk kam të meta, të meta kanë të gjithë. Nuk e vë në dyshim që mund të ketë edhe ajo anë të mira. Problemi është që të mirat e të këqiat e të dyjave nuk arrijnë të kombinohen në atë mënyrë sa të ma bëjë të durueshme... edhe se e kam duruar për mjaft kohë, por që nga dje ajo është e do të mbetet... Jo, kjo e fundit është shumë e ashpër. Mendoj se pasi të kem shfryrë dufin, gjërat do të më kthjellohen disi...
Po e nis nga e para. Eshtë dhe ajo e huaj këtu, por vjen nga një kontinent tjetër. Kjo më ka bërë që në fillim ta shihja e ta paragjykoja në mënyrë tolerante, ai uniteti i të qënit të huaj funksionon, aq më tepër në një kolektiv ku mbisundojnë në numër vendasit. Më erdhi keq kur dëgjova se prapa krahëve i kishin ngjitur nofkën “pokahontas”, edhe se të them të drejtën po ta shohësh, ajo i merr të keqen “pokahontasit”. Ka një emër që tingëllon bukur, të cilin nuk po e përmend, sepse e dini ju, ca për “privacy”, ca sepse do të më vinte keq të merrte vesh se ç'kam shkruar. Fundja thashethemet nuk janë shpikur kot, të qarkullojnë e të mos bien në vesh të personit në fjalë. I kam urryer gjithnjë, në vendin tim e në kohën e rinisë sime luftoheshin shumë kush merrej me thashetheme e nxirrnin në tabelë të fletërrufeve. Kjo jo se i shuante ato, pastaj varej se ku i klasifikonin e kë preknin. Që të mos zgjatem, si është vendi bëhet kuvendi, këtu nuk i dënon njeri. Madje, një infermiere më tha një ditë pasi kish shprazur nja dy thasë të tilla për koleget e saj, e sipas mendimit të saj ishin shumë pak, fare pak sepse kish ende për të thënë : “pak thashethem është i shëndetshëm”, e mbylli ligjëratën ajo. Dhe paska pasur të drejtë...
Pra emrin nuk po ja zë në gojë, por po të merren bashkë emër e mbiemër e të mundohesh t'i përkthesh, del diçka si lulja e diellit në dritën e agimit kur zgjohen luanët. Të më besoni, nga pamja është aq larg nga lulja dhe drita e agimit sa nuk gjej do fjalë ta përcaktoj. E shkurtër, jo e zezë por mjaft ezmere, me trup që nuk e di si por të gjitha format i ka në të kundërt me të gjitha normat e ndërtimit të trupit të një femre. Ta lemë mënjanë fytyrën. Nuk e di nëse Zoti i krijon këta njerëz për të vënë në provë dashurinë tonë për krijesat e tij apo këtu hyn ajo teorema se çdo përjashtim përforcon ligjin. Nuk mund të ngatërrohem edhe këtu. Jam e mendimit se njerëzit nuk duhen gjykuar kurrë nga pamja e jashtme, dhe i qëndroj besnike këtij mendimi edhe se ky rast duke filluar nga dje bën përjashtim. Në fakt më kish lindur një ndjenjë dhëmbsurie për të, kur një ditë tek po merrte një kafe me një bashkëpatrioten e saj të cilën ta ka ëndje shpirti ta shohësh, aq e bukur është, pa pikasur sikletin që i shkaktoi asaj më pyeti:
- Si thua, a nuk ngjaj me të?
I pashë një moment të dyja, u përtypa disi, e me keqardhje për atë të bukurën mërmërita:
- Në fakt, po t'ju shikosh me vëmëndje sikur... ngjani pak.
- Pak!? Ne dukemi si binjake!
Jo kësaj nuk i dhashë përgjigje, sajova një arësye që më kushtoi një kafe më pak atë ditë dhe u largova. U largova duke menduar nëse e shihte vehten në pasqyrë ajo apo... Nuk kish mundësi të mos e shihte, në çdo ambjent të punës sonë pasqyrat janë me shumicë, edhe të duash nuk u shpëton dot. Arrita në përfundimin se e shihte veten në pasqyrë e mirë madje, por me sytë e saj. Ishte rast unikal që më zgjoi respekt, sepse janë të pakta gratë që shihen në pasqyrë dhe e shohin veten aq të bukur sa të mos vrapojnë në dyqanin e kozmetikës. Ndryshon problemi me burrat, tek ata nuk shihet kurrë bukuria. “Bukuria një burri i siguron vetë pesëmbedhjetë ditë avancë”, kam lexuar dikur në një kohë adoleshente në një libër të Dymasë.
Ose... tek shoqja e saj shihte mishërimin e hijes së saj. Ky mendim më erdhi papritmas një mëngjes në plazh tek shihja hijen time. E gjatë, e hollë, harmonike të kishte lezet shpirti. Madje dhe e ecura e hijes ishte shumë elegante. E kundrova e mahnitur një copë herë e pastaj u kullova se ishte vetëm hija, mishërimi ishte trupi im me gjithë ato difekte që më ka falur natyra e mosha, të cilat shumë gra që mund t'ja lejojnë vehtes rendin t'i korrigjojnë nëpër palestra e masazhistë. Jo se unë nuk shkoj tek masazhistja, shkoj e me vrap madje kur më dhëmb kurrizi pasi kam bërë ndonjë lëvizje të gabuar në ngritjen e të moshuarve nga shtrati në karrocë ose anasjelltas. Dhe e qaj atë moment, sepse masazhistja ime... më merr një euro për një minutë masazh.
E shikoni se ç'i bën vehtes kur nis e merresh me thashetheme... fillon një gjë e del tek një tjetër. Masazhistja ime edhe se e shtrenjtë, i ka duart flori. Ma bjen kurrizin në vend. Vetëm se ato para të shkreta... të dhimbsen. Aq sa kam filluar të provoj të autosugjestionohem. Shpesh, mendoj duart e saj tek më prekin muskujt e tendosur tek më shkrijnë ndonjë nyje dhimbëse. Mjaft që të hysh në rezonancë... As unë nuk e di se në ç'rezonancë, por ju betohem se fillon e funksionon, por me të filluar të funksionojë... se nga del një zë i pavetëdijshëm e antipatik që të kumbon në shpellë të trurit: “Idiote! E lojtur! Dhe me këto gjëra ke filluar të merresh, si nuk të vjen një fije turpi...C'e kujton veten ti...” E pikërisht në këtë moment rezonanca zhduket e dhimbjet shfaqen sërish.
E lashë, kthehem tek drita e agimit kur zgjohen luanët. Pavarësisht nga emri i bukur, askujt përveç meje nuk kish arritur t'i ngjallte as edhe një fije simpatie. Isha e vetmja. Por kjo mbase turnet e mia nuk përputheshin me të sajat e nuk kisha punuar asnjë ditë me të. Në ato ndërrime të shkurtëra më ankohej për të tjerat, më xhvaste ndonjë favor si ndërrim turni apo pushimi e ca fjalë për vehten. Kur mora vesh se ishte martuar dy herë... ec e vëri emër kësaj, ka vajza të bukura që nuk kanë patur fatin të martohen një herë të paktën. Ajo dy, dy burra që kishin patur guximin t'a shihnin në mëngjes atë fytyrë pranë jastëkut e të mos trembeshin, dhe... një tufë fëmijë... Kjo ma kish mbushur mendjen se ajo duhej të kish goxha cilësi të mira që e kompensonin pamjen e saj, si dhe më kish forcuar bindjen se njerëzit nuk duhen gjykuar nga pamja e jashtme.
Dje, e gjeta në garderobë. Të skuqur në pikë të fundit sa mund të skuqej lëkura e saj. Më tha se e kishin sulmuar pa shkak në sy të doktoreshës dhe e kishin ofenduar.
- Bëjnë gjithnjë kështu me “Ne”,- tha ajo duke më përfshirë dhe mua si e huaj që jam.
Nuk e pyeta si e qysh, e këshillova t'i linte fjalët t'i rrëshqisnin sipër dhe zbrita në infermieri. Doktoresha ja kish mbathur, koleget e tjera ishin në formacion luftarak.E mora me mend se ishte pasojë e grindjes që kishin pasur me lulen në rrezen e agimit, por ajo që nuk mora me mend e madje as që më shkonte ndërmend, ishte... se atë ditë duhej të punoja pikërisht me të, kish ndërruar turnin me kolegen time. “Punë dreqi, përtypa ndër dhëmbë, ec e duroje në gjendjen që është, ec e duro edhe të tjerat që ja kanë bërë benë... dashje pa dashje do ta haja dhe unë. Qetësova shpirtin tim duke i premtuar se do t'i duroja të gjitha mjaft të shmangja sherre të tjera. Por... i kisha bërë llogaritë ...
- Mos e prek atë, nuk është puna jonë!- zëri më erdhi si urdhër i prerë.
- Cfarë!?
- U takon atyre ta bëjnë, nuk kam ndërmend të bëj punën e tyre!
Nuk ja vura veshin, hyra në dhomën nga ku më thërriste një e moshuar që më është shumë simpatike dhe e ndihmova të vishte këpucët. Vetëm për kaq kishte nevojë.
- Dëgjo këtu! Hera e parë dhe e fundit që e bën kur të jesh me mua!- këtë herë zëri ishte kërcënues.
Nuk ja vura veshin. Fundja secili ka mënyrën e vet të të punuarit, unë i ndihmoj koleget e mia e ato më ndihmojnë mua, njëra dorë lan tjetrën. I ktheva krahët.
- Kush më bën keq, keq gjen, Zoti e ndëshkon!
Kjo më erdhi si shpullë.
- Kush po të bën keq?!
- Ti nuk beson se Zoti ma merr hakun? Të kujtohet kur bëri aksident vajza e filanes që ishte zënë me mua e më kish thënë se...,- jo kjo nuk ishte shpullë, ky ishtye tërmet.
- Mjaft!
Ika, dola nga dhoma e desha të vazhdoj për llogarinë time. “Më mirë vetëm, më mirë një grusht parash masazhistes se të duroj këto budallallëqe”. Po ku më linte, më vinte pas si hije e më korrigjonte punën. “Kjo nuk bëhet kështu, ajo nuk bëhet ashtu”, brenda një çerek ore më nxorri plotësisht të paaftë. Nuk dija ku të vija duart, sendet më ngatërroheshin e më binin nga duart. Mirë që u kullova një moment dhe e pyes:
- Sa kohë ke që e bën këtë punë?
- Një vit.
- Unë kam dhjetë, ndaj të lutem mos guxo të më...,- mësosh desha t'i them por ma preu fjalën në grykë.
- Jeni të githa njësoj, nuk goxon t'ju mësosh gjë, e mbani veten të ditura!
Pak me keqardhje, por mendja ime po u jepte të drejtë të tjerave. Nuk ishte pamja, por karakteri shkak i asaj antipatie. Diku na mbiu e na zuri rrugën një burrë i skuqur duke na tundur një shall të shqyer para syve. Duke ju marrë goja nga zemërimi, desh të dinte se përse ky shall i “mamasë”, kështu e thërret vjehrrën ai, kish përfunduar mbi supet e një tjetre. Përfytyrova skenën se si e kishin tërhequr me forcë, ai nga njëra anë dhe e moshuara nga ana tjetër derisa sa e kishin katandisur në atë pikë. I shkreti, në hall të madh, si do të justifikohej së shoqes për dëmin që kish bërë, kërkonte me ngulm ta shkarkonte fajin diku. Patjetër diku, faji ish i atij që kish ngatërruar supet. Fat i madh për mua, kënaqësi e pakufishme për koleget e tjera, supet i kish ngatërruar lulja në dritën e agimit të zgjimit të luanëve. Erdhën e u mblodhën një e nga një, me buzë nga veshi në vesh duke na sjellë “premtimet” e burrit të inatosur që kish zënë e i kish bërë pritë drejtorit. Bobo, mendova, edhe këtë kisha mangët sot, të na thërrasë drejtori dhe... Befas mbi të gjithë zërat kumboi një, i prerë, i fortë, autoritar:
- Djalli drejton botën sot!
U pamë sy më sy e pastaj pamë atë. Për pak do të ishim shqyer gazit, për pak... por gazi na u trëmb në buzë.
- Jesu Krishti i mori përsipër mëkatet e njerëzve, por ju bëni mëkate përditë!
- .............. ............, - kishim mbetur pa fjalë, padashur truri ishte vënë në kërkim të mëkateve që...
- Shihni se ç'po bëjnë turqit këtu, po rumenët, po shqiptarët, po vrasin, po përdhunojnë e...
- Lëri shqiptarët e mbyll gojën!-, gjuha ime e kish gjetur fjalën pa patur nevojën e trurit, ndryshe nuk do të kishte dalë aq e fortë dhe e thartë sa lulja e agimit të luanëve e mbylli vërtet gojën. “Dreq o punë”, u kullova, shfaqje të bukur po japim këtu.
- Si nuk të vjen zor, - u hodh një vendase,- gjen mënyrë e ofendon kolegen tënde. Turp të kesh! Njerëz të mirë e të ligj gjen ngado. Pak ka këtu tek ne?
Me këto fjalë ato e mbyllën e u larguan. Mendova se do ta mbyllte dhe ajo, mendova... Ato orë që kishin mbetur deri në fund të turnit, e fundin e prisja me padurim të paprovuar ndonjëherë, nuk ecnin, nuk mund të thoje as që zvarriteshin, akrepat kishin ngecur në vend. Por shpejt u ndërgjegjësova se bezdia ishte gjëja e fundit për të cilën duhej të shqetësohesha. Veshët e mi të tmerruar nga predikimet e saj mbi djallin e Zotin, e nga kërcënimet që do t'i bënin zili edhe ekzorcistit më të aftë që mund të gjendej në faqe të dheut, kishin filluar të tkurreshin me dhimbje. E kisha mbledhur mendjen dhe kisha rehatuar shpirtin, nuk do t'i përgjigjesha le të thosh ç'të donte. Por ama nuk mund të mbyll gojën e të tjerëve, siç nuk munda të ndaloj t'i vinte goja një të moshuare që kish një vit që e kish humbur.
- Djall, mos m'u afro!,- ulëriti kur lulja e agimit të zgjimit të luanëve ju afrua me lugë në dorë për ta ushqyer. Po kujt i thonte. Lulja insistonte t'ja fuste në gojë me pahir.
- Djall largohu!- e moshuara ja rrëmbeu lugën nga dora dhe e hodhi tutje. U afrova dhe e shmanga ca si me zor lulen që nuk shqitej prej andej. Salla ishte e mbushur me të afërm që vinin për të ndihmuar pleqtë e tyre dhe gjithë vëmëndja ishte përqëndruar aty. Nisa ta merrja me të mirë plakën që dridhej për të ardhur keq.
- Shët, mos i thuaj ashtu. Eshtë e mirë dhe e..., - befas bërryli i lules së agimit më bëri një gropë në ijën e djathtë sa mezi mbajta një rënkim.
- Do ta ushqej unë!- këmbënguli.
- Ik! Ik se të betohem...,- por jo nuk ishin fjalët që e bënë te largohej, ndjeva sytë të më flakëroheshin e për be i pashë edhe vetë xixat që shpërthyen prej tyre. Iku me kokë të kthyer pas pa m'i ndarë syte me një shikim...
- E shikon, ka fytyrë djalli, - më pëshpëriti e moshuara që ishte mbledhur grusht.
Vërtet, si nuk më kish shkuar ndër mend sa herë mundohesha t'ja dëshifroja fytyrën. Nuk është se besoj se ka djall, por ai shikim ishte aq i zi sa vërtetonte atë që thonë se “djalli nuk është aq i zi sa duket”. Ka shikime qe ja kalojne atij.
Po e mbyll ketu, ndjej se edhe kjo nuk më lehtëson dhe nuk ma bën aspak simpatike kolegen time. Ndoshta sepse i lashë rrugë një farë fantazie aspak gazmore që më çon drejt supersticiozitetit.
U pa puna, një thelp hudhre në xhep. Ku i dihet?
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi